Çmimi i energjisë në Francë bie në zero për disa orë

Më 8 dhjetor, në tregun “day-ahead” të Francës, çmimet e energjisë elektrike ranë përkohësisht në zero, duke bërë që konsumatorët të merrnin energji pa pagesë. Sipas raportimit të Bloomberg, kjo situatë e pazakontë u shkaktua nga një kombinim faktorësh.

Dimri jashtëzakonisht i ngrohtë uli ndjeshëm kërkesën për ngrohje, ndërsa erërat e forta rritën prodhimin nga parqet me erë. Në të njëjtën kohë, centralet bërthamore po funksiononin me rreth 85% të kapacitetit, duke krijuar një tepricë të madhe energjie në rrjet.

Ekspertët thonë se raste të tilla po shfaqen gjithnjë e më shpesh në Evropë, ku prodhimi i lartë nga burimet e rinovueshme gjatë periudhave me kërkesë të ulët e shtyn çmimin e energjisë drejt zeros – madje herë pas here edhe në vlera negative.

“Parandalo” dhe Konsullata e Kosovës shënojnë 10 Dhjetorin – Ditën e të Drejtave të Njeriut

Shoqata Parandalo, në partneritet me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, organizon aktivitetin solemn kushtuar 10 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ditë që shënon miratimin historik të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Ky aktivitet synon të theksojë rëndësinë e angazhimit të përbashkët dhe ndërinstitucional në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke vënë në qendër dialogun komunitar, pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë shoqërore.

Data: E enjte, 11 dhjetor 2025
Ora: 18:00
Vendi: GZ Oerlikon, Gubelstrasse 10, 8050 Zürich
Të interesuarit ftohen të konfirmojnë pjesëmarrjen deri më 10 dhjetor 2025 në: [email protected]
ose në numrin: 076 233 11 10
Me respekt,
Kryesia e Shoqatës Parandalo

 

Vetëm 10% e ofertave në supermarketet zvicerane u përkasin frutave dhe perimeve

Një hetim i programit zviceran të radios “On en parle” tregon një pabarazi të theksuar në promovimet e supermarketëve të mëdhenj. Gjatë nëntorit, vetëm 10% e ofertave ishin për fruta dhe perime, ndërsa rreth 60% i përkisnin snacks, ëmbëlsirave, alkoolit dhe produkteve të përpunuara.

Programi analizoi 429 promovime të pesë supermarketëve kryesorë: Coop, Migros, Lidl, Denner dhe Aldi. Sipas ekspertëve, kjo tregon se promovimet ndikojnë fuqishëm tek zgjedhjet e konsumatorëve, duke i drejtuar ata kryesisht tek ushqimet me sheqer, yndyrë dhe kripë, ndërkohë që frutat dhe perimet shpesh nuk vendosen në vende strategjike në dyqan, transmeton albinfo.ch.

Supermarketët argumentojnë se kjo është për shkak të sezonit dhe festave, dhe se në periudha të tjera ofrohen më shumë produkte organike dhe të shëndetshme.

Ekspertët e ushqimit theksojnë se marketingu ushqimor shpesh favorizon produktet jo-shëndetshme dhe se kjo ka një ndikim të madh në zakonet e konsumit.

 

Cyrihu bëhet qendër evropiane e inteligjencës artificiale

Cyrihu po afirmohet si një nga qendrat më të rëndësishme të inteligjencës artificiale në Evropë. Me praninë e universitetit ETH Cyrihu, kompanive ndërkombëtare si Google, Microsoft, Meta dhe start-up-e inovative, qyteti po tërheq talente dhe po krijon një ekosistem unik teknologjik.

Mbi 200 kompani dhe qendra kërkimore, që përfshijnë më shumë se 1,500 studiues dhe 100 profesorë, po zhvillojnë projekte në fusha si robotika, bioteknologjia dhe automjetet autonome. Start-up-e si ANYbotics po krijojnë robotë të aftë të operojnë në ambiente industriale të rrezikshme, duke përdorur inteligjencën artificiale për inspektime dhe monitorim.

Megjithatë, zhvillimi i AI-së sjell edhe sfida: pagat e larta dhe kërkesa për strehim përkeqësojnë krizën e banesave, ndërsa shumica e teknologjisë së prodhuar në qytet mbetet e lidhur me kompanitë amerikane, duke kufizuar përfitimet ekonomike lokale, transmeton albinfo.ch.

Projekte zvicerane, si Apertus, synojnë të zhvillojnë modele AI të hapura dhe të etiketuara, duke përdorur të dhëna publike dhe duke mbuluar shumë gjuhë, duke e diferencuar nga modelet amerikane dhe kineze.

Me traditën në robotikë dhe qendrën e saj të AI-së, Cyrihu duket gati të përballet me sfidat dhe mundësitë e një tregu global në zhvillim të shpejtë.

Vaud: Sherbyesit civilë rikthehen në rrugë, një makinë ndërpret marshimin

Punonjësit e sektorit publik në kantonin Vaud protestuan të martën kundër buxhetit të propozuar për vitin 2026 dhe masave të kursimeve prej 305 milion frangash. Rreth 20,000 persona u mblodhën në rrugët e Lausanne-it. Gjatë marshimit, një makinë ndërpreu rrugën e demonstruesve, pa shkaktuar lëndime.

Në marshim morën pjesë mësues, bibliotekarë, punonjës të spitalit CHUV dhe doktorantë të Universitetit të Lausanne-it, si dhe disa punonjës privatë që shfaqën mbështetje për shërbimin publik. Demonstruesit përfunduan në Place du Château, pranë Këshillit të Madh të Vaudit, ku pas fjalimeve tradicionale, sindikatat kërkuan largimin e tyre për të shmangur probleme.

Sindikatat raportuan se 65 institucione, përfshirë 43 shkolla fillore dhe të mesme dhe 14 gjimnaze, ishin në grevë. Kjo ka shkaktuar ndërprerje të orëve mësimore në disa shkolla, duke shqetësuar nxënësit dhe prindërit.

Deputetët e Vaudit, të cilët u përballën me protestues të martën, ishin paralajmëruar më parë për rreziqet e lëvizjeve masive dhe kishin marrë këshilla për dalje të sigurt nga Parlamenti. Pas trazirave të së martës, të mërkurën ngjarjet u zhvilluan pa incidente.

 

Prishtina sot u rendit e 19-ta në botë për ndotjen e ajrit

Prishtina sot është renditur në pozitën e 19-të në botë për nga niveli i ndotjes së ajrit, sipas matjeve të platformës ndërkombëtare IQAir. Indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) në kryeqytet ka arritur vlerën 122, që kategorizohet si i pashëndetshëm dhe paraqet rrezik për grupet e ndjeshme dhe popullatën në përgjithësi.

Nga lista globale e publikuar nga IQAir, qytetet që e rrethojnë Prishtinën në renditje përfshijnë:

Beijing, Kinë në vendin e 17-të

Bishkek, Kirgizi në vendin e 16-të

Guangzhou, Kinë në vendin e 15-të

Kathmandu, Nepal në vendin e 14-të

Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë në vendin e 13-të

Përqendrimet e larta të grimcave PM2.5 në Prishtinë janë të dëmshme për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje respiratore. Specialistët rekomandojnë shmangien e aktiviteteve në ambiente të hapura, përdorimin e maskave mbrojtëse dhe ajrosjen e kujdesshme të hapësirave të brendshme.

 

 

Ruzhdi Ibrahimi, ndër fotografët më të mirë në konkursin ndërkombëtar “35AWARDS”

Fotografi shqiptar nga Zvicra Ruzhdi Ibrahimi është renditur ndër më të mirët në konkursin tematik ndërkombëtar “35AWARDS – Jeta e Egër: Grabitqarët”, duke u nominuar zyrtarisht për çmimin Fotografi më i Mirë i Konkursit.

Dy prej fotografive të tij janë përzgjedhur ndër dhjetë fotografitë më të mira, sipas rezultateve të votimit kryesor.

 

 

Konkursi, i cili konsiderohet një nga platformat më të mëdha botërore të fotografisë, këtë vit ka regjistruar pjesëmarrjen e 1’276 autorëve nga 92 vende dhe 605 qytete, me gjithsej 4’821 fotografi. Për herë të parë, Ruzhdi Ibrahimi ka marrë pjesë në këtë garë duke përfaqësuar Kosovën, konkretisht qytetin e Gjilanit, duke e vendosur atë në hartën ndërkombëtare të fotografisë së jetës së egër, shkruan albinfo.ch

Nominimi i tij përbën një arritje domethënëse për fotografinë e natyrës në Kosovë, duke reflektuar nivel të lartë profesional, standard etik në dokumentimin e botës së egër dhe angazhim të vazhdueshëm në promovimin e biodiversitetit përmes artit vizual.

Rezultatet zyrtare të konkursit janë publikuar në platformën e “35AWARDS”:
https://35awards.com/page/contests/num/957/

 

Policia kërkon shqiptarin për plagosje të rëndë të ish partnerit të gruas

Policia e Essenit po kërkon publikisht një person të dyshuar në lidhje me një sulm të rëndë në Mülheim an der Ruhr. Sipas hetuesve, një burrë 37-vjeçar është plagosur rëndë me një armë të ftohtë në Elisabeth-Selbert-Straße më 26 nëntor, transmeton albinfo.ch.

Një njësi për hetimin e vrasjeve nga policia e Essenit po heton nën drejtimin e prokurorisë publike të Duisburgut.

Policët kanë identifikuar të dyshuarin. Ai është një burrë 40-vjeçar shqiptar pa adresë fikse në Gjermani dhe besohet të jetë partneri i ri i ish-partneres së viktimës, shkruan nachrichten-heute.net.

Sipas gjendjes aktuale të hetimit, 37-vjeçari shkoi në banesën e ish-partneres së tij ditën e sulmit dhe u sulmua atje nga i dyshuari.

Policia ka publikuar foto dhe të dhëna personale të burrit të kërkuar dhe po i kërkon publikut ndihmë. Kushdo që ka informacion në lidhje me vendndodhjen e burrit, kërkohet të telefonojë në numrin e emergjencës 110.

Policia paralajmëron publikun të mos i afrohen, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

Aeroplani ushtarak gjerman ‘bllokohet’ mbi qiellin e Prishtinës, u detyrua të aterojë në Shkup

Një aeroplan ushtarak gjerman është parë për orë të tëra duke bërë xhiro mbi qiellin e Prishtinës, pasi nuk ka arritur të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Fluturimi, sipas autoriteteve, është devijuar drejt Shkupit për shkak të pamundësisë për të kryer aterrim në kushte të dukshmërisë së ulët.

Fotografi Arben Llapashtica ka publikuar pamje të aeroplanit, ndërkohë, nga Aeroporti i Prishtinës është dhënë një sqarim zyrtar, ku theksohet se arsyeja e mosuljes lidhet me mungesën e certifikimit të avionit për operim në kushtet CAT III B – një kategori teknike që mundëson aterrime në dukshmëri shumë të ulët.

Sipas aeroportit, avionit në fjalë i duheshin së paku 550 metra dukshmëri për një ulje të sigurt, kushte që nuk kanë qenë të pranishme në momentin e tentimit për aterrim. Aeroporti ka theksuar se kapaciteti i tij teknik për operime të tilla ka qenë funksional dhe se pamundësia për ulje ka ardhur vetëm nga specifikat teknike të fluturakës.

“Nuk ka qenë kufizim i aeroportit, por mungesë e certifikimit të operatorit ajror për procedura CAT III B,” thuhet ndër të tjera në komunikatë.

 

Analiza e FBI-së që vulosi aktakuzën për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepencit në Kosovë

FBI-ja amerikane ka luajtur një rol të rëndësishëm në hetimet për sulmin me bombë në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor 2024. Në aktakuzën kundër tre personave të dyshuar, përfshihet edhe analiza gjeologjike e bërë nga ekspertët e FBI-së.

Sipas dokumentit të Prokurorisë Speciale, në shtëpitë e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq në Zubin Potok dhe në fshatin Prevllak, janë gjetur çizme me mbetje dheu. Mostrat e këtij dheu u krahasuan me dheun e marrë në vendin ku ndodhi shpërthimi. Rezultati, sipas ekspertëve, tregoi që mostrat ishin të njëjta në përbërje, ngjyrë dhe strukturë, duke lidhur të pandehurit me vendin e ngjarjes.

Hetimet po ashtu përmendin se një kolonel serb, i rekrutuar nga shërbimi sekret i Serbisë, është konsideruar personi kryesor prapa organizimit të sulmit.

 

 

Festat bëhen barrë në Kosovë për shkak të çmimeve, diaspora shihet si shpëtim

Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë thjesht kohë gëzimi – për shumë familje, ato janë një provë reale financiare.

Çmimet e larta të produkteve bazë, ushqimore dhe të energjisë e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve festive për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

Besim Krasniqi, punonjës në sektorin privat me një pagë prej 550 eurosh në muaj, duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për të përballuar shpenzimet e natës së Vitit të Ri.

“Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26.00 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16.00 euro. Kjo është jashtë normales”, thotë ky banor i Prishtinës për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Familja e tij 6-anëtarëshe mbështetet vetëm te paga e tij, dhe vitin e kaluar shpenzoi rreth 200 euro për festat. Sivjet parashikon të shpenzojë të paktën 270 euro, për shkak të rritjes së çmimeve.

“I kam katër fëmijë dhe ata kanë kërkesa – dekorime, ëmbëlsira, pije, mish e gjëra tjera”, thotë Krasniqi.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimeve nuk është e rastësishme. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet.

Kjo situatë, sipas tij, ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara, veçanërisht kur më shumë se gjysma e pagës mujore shkon për konsum.

Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve ka nisur që muaj më parë. Sipas të dhënave të fundit, në tetor të këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 5.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritjet më të mëdha janë regjistruar tek energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja e çaji (+13%), mishi (+12.3%), qumështi, djathi dhe vezët (+7.5%).

Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, ndërsa të dhënat e ASK-së tregojnë se mbi 55% të kësaj page qytetarët e shpenzojnë vetëm për konsum.

Ky raport i lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas ekspertit Mulaj, dëshmon qartë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen konsumatorët për ta mbajtur nën kontroll koston e jetesës.

Ai thekson se disa nga produktet kryesore në tregun kosovar, si mielli, kushtojnë më shumë sesa në tregun e Bashkimit Evropian – gjë që bëhet edhe më problematike kur merret parasysh niveli më i ulët i pagave dhe standardi i jetesës. “Kjo shprehi e rritjes së çmimeve lë hapësirë për dyshime mbi marrëveshje të mundshme apo keqpërdorim të pozitës dominuese nga disa kompani”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Një problem tjetër kritik mbetet mungesa e kontrollit institucional. “Tregtarët, në një mënyrë, janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet ekzekutive dhe ato të pavarura e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional dhe të drejtpërdrejtë me ta, sepse për 20 vjet janë konsoliduar dhe kanë arritur të krijojnë pozita të forta në tregun e Kosovës”, thotë Mulaj.

Përshtypje të ngjashme ka krijuar edhe Krasniqi, i cili thotë se blen vetëm artikuj në zbritje. “Tregtarët nuk frikësohen. Nuk ka as kontroll të çmimeve, as inspektime”, sipas tij.

Çmimet e produkteve i përcaktojnë vetë tregtarët, në bazë të konkurrencës dhe raportit ofertë-kërkesë. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut monitorojnë tregun.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse qytetarët kanë paraqitur ankesa për ngritjen e çmimeve, apo nëse parashihen kontrolle shtesë gjatë këtij muaji, kur vendi hyn në periudhën e festave të fundvitit, në të cilën çmimet tradicionalisht rriten.

Në këtë situatë, remitencat e diasporës bëhen një mbështetje jetike. “Pa diasporën”, thotë Mulaj, “Kosova do të kishte probleme të jashtëzakonshme ekonomike”.

Këto dërgesa, ashtu si dhe vizitat e mërgimtarëve gjatë sezonit të pushimeve përmirësojnë dukshëm standardin e jetesës dhe mbajnë gjallë konsumimin, sipas tij.

Vlera e remitencave deri më tash këtë vit ka kaluar 1 miliard euro.

Në mungesë të këtij “furnizimi të jashtëm financiar”, konsumi i ekonomive familjare do të binte ndjeshëm dhe, rrjedhimisht, qytetarët do të përballeshin me varfëri të thellë dhe mungesë të produkteve bazë, vlerëson Mulaj.

Mulaj thekson se një pjesë e çmimeve varet edhe nga tregu i jashtëm, pasi Kosova importon shumicën e mallrave. Sipas tij, institucionet nuk kanë krijuar një ambient mbështetës për prodhuesit vendorë që të rrisin prodhimin dhe të ofrojnë çmime më të ulëta.

Pa këtë politikë, tregu mbetet i varur nga importi dhe çmimet mbeten të larta. Në një adresim nga foltorja e Kuvendit, muajin e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “në Kosovë nuk ka krizë ekonomike”, prandaj “edhe nuk ka protesta të qytetarëve”.

Por, realiteti i përditshëm i familjeve si ai i Krasniqit tregon të kundërtën – një periudhë festive e shoqëruar me vështirësi të ndjeshme financiare. “Asnjëherë nuk shkoj në dyqan që të furnizohem për një ose dy javë, zakonisht i përcjell zbritjet javore ose ditore”, përfundon ai.

Botërori më i shtrenjtë në histori

Botërori “FIFA2026” pritet të jetë unik, kjo u pa qartë edhe gjatë ceremonisë së shortit, ku organizatorët u kujdesën që ta shndërronin në një spektakël të vërtetë. Nga presidenti Trump tek Infantino, të gjithë protagonistët e këtij evenimenti kanë theksuar se këtë herë do të jetë ndryshe, jo vetëm për faktin që për herë të parë marrin pjesë 48 skuadra, por dhe mënyra e konceptimit të ndeshje do të jetë ndryshe, e ngjashme me futbollin amerikan.

Këto risi pritet të vijnë me kosto shtesë pasi sipas “The Sun”, ky Botëror pritet të jetë më i shtrenjti në histori edhe për tifozët.

Sipas të përditshmes britanike, një biletë për të ndjekur ndeshjet në Amerikë i kalon 1000 euro, afro dy herë më shumë në raport me Botërorin e fundit të zhvilluar në Katar.

Pas artikullit të bërë publik nga “The Sun”, ka reaguar edhe FIFA, me këta të fundit që u kujdesën të sqaronin për federatat pjesëmarrëse do të ketë një numër të caktuar biletash me çmime preferenciale për tifozët e tyre, transmeton albinfo.ch.

“Jemi të përkushtuar për të siguruar akses të barabartë në ndeshjet tona për tifozët tanë tani dhe në të ardhmen”, lexohet në reagimin e FIFA.

Gjatë ceremonisë së shortit për fazën e grupeve, presidenti Trump zbuloi se deri më tani janë shitur më shumë se 2 milionë bileta, ndërsa procesi i ardhshëm i shpërndarjes së biletave do të jetë më 11 dhjetor.

Veprat e kompozitores Anda Kryeziu prezantohen në një koncert në Cyrih

“Muzika lëviz në dhe përmes hapësirës: Me kompozimet e fundit të realizuara nga Luigi Nono dhe Éric Gaudibert, si dhe veprat nga Anda Kryeziu dhe Irene Galindo Quero, salla e koncerteve Collegium Novum Zürich përjetohet nga e para. Në këtë koncert tingujsh hapësinorë si ëndërr, jonet e muzikës rrethojnë audiencën, duke dëshmuar për një gëzim kompozitor eksplorimi”. Kështu e prezanton Collegium Novum Zürich koncertin që mbahet më 11 dhjetor në Cyrih, shkruan albinfo.ch.

Të kujtojmë: Collegium Novum Zürich është një ansambël prestigjioz nga Cyrihu, i themeluar në vitin 1993, i cili kultivon muzikën bashkëkohore.

Anda Kryeziu, një kompozitore e re dhe e talentuar shqiptare nga Kosova (Gjakova), jeton dhe krijon në mes të Berlinit dhe Bazelit, ku ajo së fundi punon si docente e Akademisë Muzikës të këtij qyteti.

Ajo, në fillim të vitit 2025 ka marrë Çmimin e 69-të të Kompozicionit të Qytetit të Shtutgartit, për vitin 2024.

Anda Kryeziu ka përfunduar studimet master për muzikë elektroakustike në Eisler me Prof. Wolfgang Heiniger dhe gjithashtu ka qenë asistente artistike në universitet që nga viti 2023.

Anda Kryeziu, e lindur në Kosovë në vitin 1993, është kompozitore, interpretuese dhe artiste multimediale. Muzika e saj është interpretuar, ndër të tjera, në Bienalen e Mynihut, Neue Musik Rümlingen, Kurset Verore të Darmstadt, Monstra Sonora Valencia dhe November Music.

Ajo ka studiuar për piano në Universitetin e Arteve të Bernës dhe në Universitetin e Arteve të Lucernit. Më vonë Anda ka përfunduar masterin në piano me Konstantin Lifschitz dhe kompozim me Dieter Ammann, përcjell albinfo.ch. Pasojnë studimet e saj për kompozicion midis Bazelit dhe Berlinit me Caspar Johannes Walter dhe në Universitetin e Arteve të Berlinit me Daniel Ott.

Është fituese e çmimit të parë të Konkursit të Kompozitorëve Ballkanik të vitit 2019 dhe e bursës së Aleancës së Arteve Bashkëkohore të Berlinit dhe e Akademie Musiktheater Heute der Deutschen Bank Stiftung.

Opera e saj ,”PERSONA”, e cila u shfaq premierë në vitin 2023 dhe e bazuar në filmin e Ingmar Bergmanit, u krijua në bashkëpunim midis Theatre Basel dhe Gare du Nord, përcjell albinfo.ch. Anda Kryeziu ka marrë bursa dhe çmime, duke përfshirë ato nga Aleanca e Arteve Bashkëkohore Berlin dhe Fondacioni Deutsche Bank Akademie Musik Theatre Today.

Koncerti mbahet:

📍 E enjte, 11 dhjetor, 19:30  @ Brunnenhof, Studio 1

🔊 Collegium Novum Zürich

🎹 Stefan Wirth, piano

🎶 Vepra nga Anda Kryeziu, Luigi Nono, Irene Galindo Quero dhe Éric Gaudibert

Shqiptarët në Gjermani dominojnë në punët me aftësi të ulëta dhe të mesme

Emigrantët nga Ballkani janë bërë një pjesë e rëndësishme e tregut të punës në Gjermani.

Sipas të dhënave nga Bruegel, një organizatë kërkimore, shqiptarët në Gjermani dominojnë në punët me aftësi të ulëta dhe të mesme dhe ndër më të ulëtit në rajonin e Ballkanit për punë të kualifikuar.

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme, dhe ndër më të ulëtat për punë të specializuara dhe eksperte, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “helper” (ndihmës), një kategori që përfshin punë të pakualifikuara ose gjysmë-kualifikuara, si punë fizike, logjistikë, shërbime dhe industri bazë. Ky është ndër nivelet më të larta në rajon, krahasuar me Bosnjën (30.43%) dhe Serbinë (33.59%).

Një pjesë tjetër e madhe, 48.94%, janë të punësuar si punëtorë të kualifikuar, që zakonisht përfshijnë profesione teknike, mekanikë, ndërtim, instalime, punë zanatçinjsh apo role me trajnime profesionale. Edhe pse kjo kategori tregon një shkallë më të lartë të formimit profesional, sërish mbetet larg vendeve të avancuara të BE-së, ku rolet e specializuara zënë një peshë shumë më të madhe.

Në kategoritë e larta profesionale, Shqipëria qëndron ndjeshëm më poshtë se vendet e tjera. Vetëm 4.54% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “specialistë”, si infermierë të kualifikuar, teknikë të avancuar, profesionistë të shëndetësisë apo role që kërkojnë diploma të caktuara. Ndërkohë, vetëm 5.53% janë në kategorinë “ekspert”, e cila përfshin profesionistë me arsim të lartë universitar, inxhinierë, IT specialistë, ekspertë financiarë apo role të tjera të nivelit të lartë.

Krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit tregon një diferencë të dukshme: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përqindje më të larta të punonjësve të kualifikuar dhe specialistëve, ndërsa Shqipëria mbetet e fokusuar te punët me vlerë të ulët të shtuar. Ndërkohë, vendet e BE-së, veçanërisht Europa Perëndimore, kanë një strukturë krejt tjetër, me më shumë se 26% deri 30% të punonjësve të tyre në kategori specialiste ose eksperte.

Në total, 89.78% e shqiptarëve punojnë në dy kategoritë më të ulëta të aftësive — “helper” dhe “skilled worker”.

Ky profil i fuqisë punëtore shqiptare në Gjermani tregon nevojën e tregut gjerman për punëtorë në sektorë bazë dhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria, e cila lidhet si me cilësinë e arsimit profesional, ashtu edhe me nivelin e ulët të pagave në profesione të larta në vend, që shpesh dekurajojnë ndjekjen e karrierave të specializuara.

Në terma afatgjatë, ky trend krijon sfida për tregun e punës shqiptar, duke rritur rrezikun e boshatisjes së profesioneve të kërkuara, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni.

Afër 35 % e shqiptarëve qëndrojnë më shumë se 3 muaj jashtë vendit

Emigrimi sezonal ka njohur rritje të fortë në vitin 2025, sipas SecuriMeter të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

Të dhënat tregojnë se 34.7% e shqiptarëve deklarojnë se kanë qëndruar jashtë vendit për më shumë se tre muaj gjatë jetës së tyre, duke shënuar një rritje të dukshme prej gati 8 pikë përqindjeje, krahasuar me vitin 2024. Kjo rritje sinjalizon rritjen e interesit për punësim sezonal, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Rritja e qëndrimeve afatgjata jashtë nuk është një fenomen i ri, por pjesë e një modeli të qëndrueshëm emigrimi.

Ndërkohë, shqiptarët po e përdorin edhe emigrimin sezonal si strategji ekonomike, duke lëvizur në cikle 3-6 mujore në sektorë ku ka kërkesë të lartë, si turizmi, ndërtimi dhe bujqësia. Tendenca e vitit 2025 kthen vendin në nivelet e larta të regjistruara para një viti, duke treguar se tregu i punës jashtë vendit mbetet një tërheqje e fortë.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me normën më të lartë të të anketuarve të cilët janë shprehur se kanë jetuar jashtë për më shumë se 3 muaj.

Ndërkohë, vendet si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistrojnë nivele më të ulëta dhe të qëndrueshme. Kosova dhe Bosnje Hercegovina kanë tradita të forta emigrimi, por rritja e këtij viti është më e theksuar në Shqipëri, duke e vendosur vendin mes ekonomive me lëvizshmërinë sezonale më dinamike në rajon, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ky zhvillim lidhet ngushtë me kërkesën e lartë për punëtorë sezonalë në ekonomitë perëndimore, si edhe me sfidat brenda vendit. Rrjedhimisht, shumë qytetarë zgjedhin të punojnë jashtë për disa muaj dhe të rikthehen, një model që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

Situata në Shqipëri tregon se emigrimi sezonal, por edhe ai i përhershëm po kthehet në një mekanizëm ekonomik të rëndësishëm për familjet dhe një sfidë serioze për tregun vendas të punës, i cili tashmë po përballet me mungesë të fuqisë punëtore në sektorët kryesorë.

Biel: Investitori i kriptovalutave vjedh miliona nga miqtë dhe familjarët

Një këshilltar për kriptomonedha nga Biel në kantonin e Bernës është zhdukur pasi mblodhi rreth 7 milionë CHF nga miqtë dhe të afërmit.

Burri themeloi një kompani që investonte në kriptomonedha. Ai iu afrua investitorëve dhe i bindi ata për fitime fantastike, transmeton albinfo.ch.

Por ai është zhdukur, duke lënë pas një shënim ku pranonte një “gabim të pafalshëm”.

Sipas 20 Minutes, ai u gjurmua shkurtimisht në Brazil nëpërmjet aplikacionit të fitnesit Strava përpara se të zhdukej përsëri.

Njëmbëdhjetë ankesa janë paraqitur tani.

Vendndodhja aktuale e të dyshuarit mbetet e panjohur.

 

 

Komuna e Gjenevës dëshiron të sigurojë kufijtë e saj

Komuna Vandoeuvres e Gjenevës po e shton presionin mbi vjedhjet e mundshme.

Zona ka vuajtur nga një valë vjedhjesh me thyerje gjatë muajve të fundit, transmeton albinfo.ch.

Po planifikon një rrjet mbikëqyrjeje me video prej një milion frangash që kombinon kamerat tradicionale me lexuesit automatikë të targave, një rast i ri për kantonin.

Qëllimi është të krijohet një perimetër virtual rreth qytetit.

Rreth dyzet kamera do të monitorojnë rrugët dhe do të kapin automjetet e lidhura me vepra të rënda penale.

Por, ndërsa kamerat lokale nuk përbëjnë problem, instalimi i lexuesve të targave në rrugët kantonale përballet me një pengesë ligjore.

Një mocion që tani është para Këshillit të Madh të Gjenevës synon ta rregullojë këtë.

Hotelet kapsulë drejtohen drejt rrugëve zvicerane

Një startup gjerman që i shndërron kontejnerët e transportit detar në dhoma hoteli kompakte po i drejton sytë nga Zvicra.

Roatel – e krijuar fillimisht në vitin 2019 për t’u dhënë shoferëve të kamionëve një vend të përballueshëm dhe të ligjshëm për të fjetur pas një ndalimi të BE-së për të fjetur me taksi – tani zbulon se shumica e klientëve të saj janë udhëtarë të rregullt.

Me dhoma me çmime nga 49 deri në 99 euro, kompania thotë se kërkesa është mjaft e fortë për të nxitur një shtytje të madhe zgjerimi, transmeton albinfo.ch.

Drejtori i kompanisë, Marc Theisen, konfirmon se Roatel po përgatit një raund financimi me tetë shifra dhe planifikon të zhvendoset në Zvicër si pjesë e fazës së saj të ardhshme të rritjes, duke synuar të ndërtojë një hotel kapsulë çdo 50 kilometra.

Jehona Kicaj shpërblehet me çmimin “Hanna”

Pas përfshirjes së romanit të saj debutues „ë“ në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, shkrimtarja kosovare  që jeton në Gjermani, Jehona Kicaj ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme letrare. Ajo është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Hanna” – Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025, një vlerësim që nderon autorët me ndikim të veçantë në letërsinë bashkëkohore.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua të enjten në Hannover, ku Kicaj u nënshkrua edhe në Librin e Artë të Qytetit. Në fjalën e saj, ajo theksoi lidhjen e ngushtë me qytetin që e frymëzoi drejt krijimtarisë:

“Hannoveri është qyteti që më ka udhëhequr drejt letërsisë, ka mprehur mendimin tim për të dhe më ka hapur rrugën drejt shkrimit tim.”

Romani „ë“, i cili i solli këto dy vlerësime të mëdha brenda një viti, sjell rrëfimin prekës të një familjeje nga Kosova e cila, gjatë luftës, detyrohet të shpërngulet në Gjermani. Historia rrëfehet përmes syve të një fëmije, duke e bërë tregimin edhe më emotiv dhe të fuqishëm.

Suksesi i Kicajt po pritet me entuziazëm në Kosovë dhe diasporë, ku figura e saj shihet si shembull i talentit të ri letrar shqiptar që po depërton fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

Lindon Bytyqi, finalist në Piranesi Award 2025

Arkitekti Lindon Bytyqi është përzgjedhur në shortlist për çmimin ndërkombëtar Piranesi Award 2025 me temën e tij të diplomës se Masterit të realizuar në Universitetin e Lucernit (HSLU). Projekti i tij u rendit ndër tre punët finaliste nga gjithsej 39 projekte studentore të përzgjedhura nga universitete arkitekture nga e gjithë Evropa.

Si pjesë e këtij përzgjedhimi, Bytyqi mori pjesë në konferencën dhe ekspozitën Piranesi Days of Architecture (PIDA) në Slloveni, ku projektet finaliste u prezantuan në kuadër të një platforme ndërkombëtare për arkitekturën bashkëkohore studentore. Ai përfaqësoi Universitetin e Lucernës dhe Zvicrën në këtë ngjarje.

Tema e diplomës është publikuar dhe e dokumentuar në HSLU Architecture Hub dhe fokusohet në transformimin arkitektonik dhe riaktivizimin e hapësirave publike.

Vjena konfirmon datën e shortit dhe ceremonisë së dorëzimit për Eurovision 2026

 

Vjena ka konfirmuar zyrtarisht se shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve dhe ceremonia e dorëzimit të qytetit pritës për Festivalin e Këngës “Eurovision 2026” do të mbahet më 12 janar. Kjo datë shënon edhe fillimin zyrtar të periudhës së Vjenës si qyteti organizator i edicionit të ardhshëm të Eurovisionit, përcjell albinfo.ch.

Ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet me një akt simbolik, ku Bazeli do t’i dorëzojë Vjenës “Dhuratën e Miqësisë”, duke zëvendësuar Emblemën tradicionale të qytetit pritës, e cila ishte përdorur në edicionet e konkursit ndërmjet viteve 2007 dhe 2024.

Shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve do të zhvillohet në dy pjesë. Në pjesën e parë do të përcaktohet se në cilën gjysmëfinale do të transmetohen, votojnë dhe performojnë pesë vendet e parakualifikuara: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, si vendi pritës i këtij edicioni.

Në pjesën e dytë të shortit do të vendoset se në cilën gjysmëfinale dhe në cilën gjysmë të saj do të performojnë vendet e tjera pjesëmarrëse. Ashtu siç ndodh që nga viti 2013, rendi i saktë i performancave do të përcaktohet më vonë nga producentët e spektaklit, pasi të jenë përzgjedhur të gjitha këngët pjesëmarrëse.

Siç u bë e ditur nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) në muajin gusht, “Eurovision 2026” do të mbahet në Vjenë, pas fitores së Austrisë në edicionin e vitit 2025 në Bazel, ku këngëtari JJ triumfoi me këngën “Wasted Love”.

Sipas kalendarit zyrtar, dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa Finalja e Madhe është planifikuar për 16 maj 2026. Konkursi do të mbahet në Wiener Stadthalle, arenë e njohur që ka pritur edhe Eurovisionin në vitin 2015 dhe që ka kapacitet për deri në 16 mijë spektatorë.

Organizatorët pritet të publikojnë detaje të tjera organizative dhe artistike në muajt në vijim, ndërsa interesi për edicionin 2026 tashmë ka nisur të rritet në mbarë Evropën.