Ekuilibri punë-jetë në epokën dixhitale

Në Japoni, debati mbi ekuilibrin mes punës dhe jetës personale ka marrë përmasa të reja.

Fjala e vitit lidhet me një interpretim e këngës së Rihannas “Work”, pasi kryeministrja e parë grua e vendit, Sanae Takaichi, deklaroi se do të “braktiste idenë e ekuilibrit punë-jetë” pas zgjedhjes së saj në krye të Partisë Liberale Demokratike.

Mesazhi “punë, punë, punë” ndezi polemika të forta, sidomos për brezat që sapo hyjnë në tregun e punës, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Në një ekonomi gjithnjë e më të fragmentuar nga gig economy (ekonomia e punëve “me porosi”, ku pagesa bëhet për detyrë ose projekt, jo për një vend pune të qëndrueshëm), presionet po rriten.

Në SHBA, zgjedhja e Zohran Mamdanit si kryebashkiak i Nju Jorkut u mbështet fuqishëm nga të rinjtë, të cilët pyesin: çfarë kuptimi ka të sakrifikosh për paga të ulëta dhe stres të lartë, kur inteligjenca artificiale po rrezikon vendet e punës dhe kursimi për shtëpi apo pension duket i paarritshëm?

Të dhënat e anketave e konfirmojnë këtë zhvendosje: 43% e Gen Z thonë se kanë lënë një punë sepse nuk përputhej me jetën e tyre personale, krahasuar me 28% të baby boomers.

Për të rinjtë, fleksibiliteti, kuptimi i punës dhe mirëqenia kanë peshë po aq sa paga.

Kjo ngre pyetje thelbësore: çfarë është një ekuilibër i mirë punë-jetë?

A është normale që njerëzit të mos e përkufizojnë më veten nga profesioni?

Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe pabarazish në rritje, pritshmëritë për karrierën po riformësohen.

Përfundimisht, debati nuk është thjesht për oraret apo produktivitetin, por për mënyrën si duam të jetojmë.

Ekuilibri punë-jetë në epokën dixhitale nuk ka një formulë të vetme; ai po negociohet çdo ditë mes teknologjisë, tregut të punës dhe vlerave të brezave të rinj.

Edhe Gjermania kërkon të ndjekë shembullin e Australisë

Ministri gjerman për Çështjet Digjitale, Karsten Wildberger, ka shprehur hapur miratimin e tij ndaj një ndalimi të medias sociale për fëmijët si ai në Australi.

“Mund të shoh shumë merita në këtë. E konsideroj çështjen e një kufizimi moshe më shumë se të justifikuar”, tha ai.

“Pra, tani pyetja është se si t’u mundësojmë atyre të kenë një zhvillim të shëndetshëm, siç kishin pasur brezat e mëparshëm pa median sociale?”, shton ai.

Wildberger, ish-kreu i konglomeratit të madh të dyqaneve të teknologjisë MediaMarktSaturn, është ministri i parë i çështjeve digjitale në Gjermani.

Ndalimi i medias sociale i Australisë për ata nën moshën 16 vjeç hyri në fuqi më 10 dhjetor dhe që atëherë ka nxitur diskutime në shumë vende nëse duhet ta ndjekin.

Ligji australian e bën të paligjshëm që ata nën moshën 16 vjeç të mbajnë llogaritë e tyre në shumë platforma të medias sociale, transmeton albinfo.ch.

Canberra tha se synon të mbrojë të rinjtë nga ngacmimi kibernetik, përdorimi problematik dhe përmbajtja shqetësuese.

Studimet, raportet dhe vëzhgimet tregojnë se sa thellë ndërhyjnë mediet sociale në zhvillimin e të rinjve.

Duke iu referuar një komisioni ekspertësh të emëruar nga qeveria gjermane për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Epokën Digjitale, Wildberger tha se duhet të ketë një diskutim mbi moshën e duhur që të rinjtë të angazhohen në mediet sociale.

Paneli i akademikëve dhe praktikuesve, të cilët vijnë pjesërisht nga fushat e mjekësisë dhe shërbimeve të mbrojtjes së të rinjve, filloi punën e tij disa muaj më parë dhe pritet të zhvillojë rekomandime deri në verë. Kjo përfshin, ndër të tjera, kufizimet e mundshme të moshës, si dhe çështjen shumë të debatuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

Pjesëmarrja e votuesve në Konsullatën e Kosovës në Cyrih ishte 89%

Procesi i votimit në Qendrën e Votimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih është përmbyllur me sukses, duke u shënuar një pjesëmarrje shumë e lartë e shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë në Zvicër.

Platforma mediale albinfo.ch, e pranishme drejtpërdrejt në terren gjatë gjithë ditës, e ka përcjellë nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme procesin zgjedhor.

Që në orët e para të mëngjesit u shënua fluks i madh i votuesve në Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, me radhë të gjata pritjeje dhe një atmosferë të qetë, qytetare dhe miqësore.

Deri në orën 13:00, sipas të dhënave zyrtare, kishin votuar 857 qytetarë, ose rreth 42% e votuesve të regjistruar, duke konfirmuar interesimin e lartë të diasporës. Pjesëmarrja vijoi të rritej edhe gjatë pasdites.

Deri në orën 17:00, në këtë pikë votimi kishin dalë 1.523 qytetarë, që përbëjnë mbi 70% të votuesve të regjistruar.

Votimi u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident, pavarësisht motit të ftohtë dhe temperaturave pranë zeros. Shtetasit e Kosovës treguan këmbëngulje dhe vetëdije të lartë qytetare, duke pritur me durim në radhë për të ushtruar të drejtën e votës.

Procesi u karakterizua nga rendi, korrektësia dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Në këtë kuadër, u vlerësua angazhimi i Konsullit Vigan Berisha, për gatishmërinë, profesionalizmin dhe vigjilencën institucionale gjatë gjithë ditës, si dhe për komunikimin e vazhdueshëm dhe të koordinuar me Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Diasporën, duke kontribuar në mbarëvajtjen e rregullt, transparente dhe të sigurt të procesit të votimit.

Një vlerësim i veçantë u shpreh edhe për tërë stafin e angazhuar në procesin e votimit, përfshirë komisionet zgjedhore, vëzhguesit, stafin mbështetës dhe sigurimin, të cilët me përgjegjësi, korrektësi dhe përkushtim profesional garantuan një proces të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë votuesit.

Në përfundim, shprehet mirënjohje për të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në votim, duke dëshmuar edhe një herë pjekuri demokratike dhe përkushtim ndaj së drejtës së votës.

Dalja e përgjithshme nga ora 7:00 deri në ora 19:00 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih është 89%.

 

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

Çmimet e reja për veturat e përdorura për doganim në Shqipëri

Rriten me 25% çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura për kategorinë  e autoveturave, kamionët, kamionçinat dhe furgonët

Çmimet e referencës përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin Doganat si: “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane, shkruan monitor, transmeton albinfo.ch.

Rritja parashikohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas udhëzimit për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 25%.

Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë.

Për automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, me një rritje prej 25%.

Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë, që përfaqëson një rritje prej 25%.

Ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë.

Rritja 25% është miratuar edhe për çmimet e referencës për kategorinë e mjeteve si kamionncinë, furgonë dhe kamionë.

Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, ose 25% më shumë.

Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 25%.

Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë në 1.062.500 lekë, ose rreth 25% më shumë.

Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë në 1.250.000 lekë, me një rritje prej 25%.

Për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë, duke reflektuar gjithashtu një rritje prej 25%.

Ish-krerët e UÇK-së tashmë kanë votuar nga Haga

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë në paraburgim në Hagë, tashmë kanë votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen nesër.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë

Ekspertët kosovarë vazhdojnë të shënojnë rezultate të shkëlqyera në qendrat më të njohura klinike dhe universitare të Evropës. Njëri prej tyre është implantologu kosovar Dr. MDSc. Genc Zenunaj, i angazhuar në Leiden University Medical Center (LUMC) në Holandë, ku po zhvillon edhe studimet e doktoraturës (PhD) me fokus në implantet zigomatike dhe metodën inovative të vendosjes së tyre me kirurgji të guiduar (Guided Zygoma Implant), shkruan albinfo.at

Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad Zygoma”, tek një pacient me atrofi të rëndë të nofullës së sipërme – një situatë klinike ndër më sfidueset për rehabilitim oral. Nën udhëheqjen e Dr. Bassam Hassan, ekipi vendosi katër implante zigomatike, të realizuara përmes planifikimit digjital dhe kirurgjisë së guiduar (JD Guided Surgery). Ky rast përfaqëson një hap të rëndësishëm në trajtimin e maxillave ekstremisht atrofike, duke dëshmuar se kombinimi i teknologjisë digjitale, planifikimit të saktë dhe punës ekipore mund të ofrojë zgjidhje më të sigurta dhe më të parashikueshme edhe në rastet më komplekse.

Për Dr. Zenunajn, ky zhvillim ka rëndësi të veçantë edhe në aspektin akademik, pasi lidhet drejtpërdrejt me linjën e tij të hulumtimit shkencor në kuadër të PhD në LUMC: përmirësimin e protokolleve të zygomës së guiduar, rritjen e saktësisë në vendosje, standardizimin e planifikimit digjital dhe avancimin e qasjeve klinike për pacientët me humbje të madhe kockore, ku opsionet tradicionale shpesh janë të kufizuara.

Profili profesional i Dr. Genc Zenunajt është ndërtuar mbi një formim të gjerë ndërkombëtar: ai ka përfunduar  Master në Okluzion, MDSc në Protetikë në Vjenë, EAO Master Diploma në Gjenevë, si dhe Implant Specialist Recognition në Holandë. Gjithashtu  kombinimi me përvojën klinike dhe angazhimit akademik në një qendër si LUMC, reflektohet edhe në përfitime konkrete për pacientët/klientët në Kosovë, veçanërisht në Klinikën Dentare “Dr. Genci” në Istog.

Klinika Dentare “Dr. Genci” në Istog, e themeluar nga Dr. MDSc. Genc Zenunaj, është një adresë e njohur ku ofrohen shërbime të nivelit më të lartë në fushën e implantologjisë, dhe estetikës dentare. Në këtë klinikë realizohen trajtime implantare me precizion të lartë, duke sjellë zgjidhje që deri jo shumë kohë më parë do të konsideroheshin të vështira, madje edhe “të paimagjinueshme” për tu kryer në lëminë e implantologjjsë.

Një nga procedurat për të cilat njihet Klinika Dentare ‘Dr. Genci’ është nxjerrja e dhëmbëve dhe zëvendësimi i tyre brenda të njëjtës ditë, ose më së voni brenda 48 orëve, me implante dhe dhëmbë të përkohshëm fiks – e njohur ndryshe edhe si ‘implantim i menjëhershëm’ (Immediate Implantation).

Një risi e veçantë është edhe fakti që Klinika Dentare “Dr. Genci” ka instaluar dhe aplikuar modelin holandez të bashkëpunimit ndërmjet klinikave dentare, duke funksionuar tashmë si klinikë referente për rastet më komplekse në implantologji. Sipas këtij sistemi, 26 klinika  referojnë rastet më sfiduese në Klinikën “Dr. Genci”, përfshirë edhe një klinikë nga Lugina e Preshevës, dy nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Shqipëria—duke e shndërruar Istogun në një pikë të rëndësishme referimi për trajtimet e avancuara implantare në rajon.

Albinfo.at

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Përfundon procesi i votimit nëpër përfaqësi diplomatike

Në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit nëpër përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare ne Kosovë.

Procesi i votimit në diasporë ka filluar në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kurse nga ora 07:00 votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.

Ndryshe, procesi i votimit është zhvilluar në 40 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 18 vende të botës.

Ja pse Gjeneva paguan më shumë për barazimin financiar në vitin 2026

Gjeneva është kantoni më i madh donator brenda Barazimit Financiar Kombëtar për herë të parë. Vitin tjetër ai duhet të paguajë 543 milionë franga dhe kështu është ende përpara Cyrihut dhe Zugut.

Drejtoria Financiare e Gjenevës, Nathalie Fontanet, është krenare dhe e shqetësuar në të njëjtën kohë. Krenare sepse kantoni i tyre kryeson renditjen e kantoneve më të forta ekonomikisht për herë të parë. E shqetësuar sepse 543 milionë franga janë shumë para që ajo tani duhet të kursejë në buxhetin e saj shtetëror.

Më shumë të ardhura nga taksat falë tregtisë së mallrave

Gjeneva duhet të paguajë më shumë në Barazimin Financiar Kombëtar (NFA) sesa Cyrihu dhe Zugu, thotë Freisinnige. Dhe ajo gjithashtu e di pse. Në vitin 2022, kantoni i saj mblodhi më shumë taksa se të gjithë të tjerët. Arsyeja është tregtia e mallrave, e cila derdhi shumë para në thesarin e shtetit për shkak të çmimeve të larta të mallrave gjatë krizës.

Pothuajse katër vjet më vonë, çmimet kanë rënë përsëri. Edhe drejtoresha financiare e vëren këtë. Meqenëse NFH faturohet gjithnjë e më vonë, fatura e kripur e qeverisë federale vetëm tani po vjen në parlament. Sipas Fontanet, fatura duhet të zgjidhet, kjo nuk është e lehtë. Ajo dëshiron të zvogëlojë shpenzimet qeveritare dhe tashmë ka njoftuar se do të paraqesë një program gjithëpërfshirës shtrëngimi pranverën e ardhshme.

A do të ketë Gjeneva një rol të ri në Bernë?

Ndërsa Gjeneva po kursen në shtëpi, vetëbesimi ndaj jashtë po bëhet më i fortë. Një pyetje e hapur është nëse roli i ri do t’i japë kantonit në qytetin federal të Bernës peshë shtesë politike. Jo domosdoshmërisht, thotë këshilltari shtetëror i SP-së së Gjenevës, Carlo Sommaruga.

Shumë përfaqësues të atyre kantoneve që përfitojnë nga barazimi financiar do të theksonin se ata kontribuojnë në pasurinë e Gjenevës dhe për këtë arsye me të drejtë marrin fonde NFA. Si shembull, Sommaruga përmend prodhuesit e orëve në harkun Jura. Ata prodhojnë pjesë individuale për markat e orëve të Gjenevës.

Por pastaj Sommaruga vjen të flasë për një episod që e ofendon atë dhe shumë banorë të Gjenevës deri më sot. “Weltwoche” i kishte përshkruar Zvicrën Perëndimore vite më parë si grekët e Zvicrës. Kjo ishte gjithmonë e gabuar – dhe sot Gjeneva është edhe më e mira në klasën e saj, raporton RTS, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva Ndërkombëtare është gjithashtu e rëndësishme për Zvicrën

Sommaruga dëshiron të përdorë pozicionin e lartë në NHF mbi të gjitha kur bëhet fjalë për forcimin e vendndodhjes së OKB-së në Gjenevë. Argumenti i tij: nëse Gjeneva po ecën mirë, edhe Zvicra po ecën mirë.

Shumë para po kthehen nga Gjeneva në qeverinë federale, thekson kolegu i Sommarugas, Mauro Poggia nga Mouvement Citoyen Genevois. Çdo frang për Gjenevën ndërkombëtare është një investim, jo ​​një shpenzim. Gjeneva ende ka nevojë për mbështetjen e qeverisë federale sepse diplomacia shumëpalëshe dhe kështu vendndodhja e OKB-së në Gjenevë janë nën presion ekstrem sot.

Sipas parashikimit, Gjeneva do të vazhdojë të jetë donatori më i madh në të ardhmen

Për Poggian është e qartë: Ai do të vazhdojë të performojë modestisht në Bernë. Ndryshe nga kolegët e tij të këshillit nga Cyrihu, të cilët gjithashtu shfaqen me një arrogancë të caktuar për shkak të forcës së tyre ekonomike, thotë Poggia. Si banor i Gjenevës, ai nuk mund ta përballonte një gjë të tillë.

Kantoni i Gjenevës pritet të vazhdojë të rritet në të ashtuquajturin indeks të burimeve vitin e ardhshëm dhe të mbetet paguesi më i madh i NFA-ve për katër vitet e ardhshme. Ky është parashikimi i Administratës Federale Tatimore. Për Gjenevën, ky është një lajm i mirë dhe i keq në të njëjtën kohë.

Mbi 70% e votuesve kanë dalë deri në orën 17:00 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Deri në orën 17:00, në Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih kanë votuar 1.523 qytetarë, ose mbi 70% e votuesve të regjistruar.

Kjo shifër e lartë vjen si vazhdimësi e pjesëmarrjes së madhe të raportuar edhe më herët gjatë ditës.

Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident. Edhe pse moti në Cyrih është i ftohtë, me temperatura pranë zeros, shtetasit e Republikës së Kosovës po tregojnë këmbëngulje dhe vetëdije qytetare, duke pritur me durim në radhë për të ushtruar të drejtën e votës.

Albinfo.ch, i pranishëm drejtpërdrejt në terren, po përcjell nga afër gjithë procesin zgjedhor në këtë pikë votimi dhe do të vazhdojë raportimin për zhvillimet e mëtejme deri në mbylljen e vendvotimeve.

Sulmet në bankomate po bien në Zvicër, por dëmet po përkeqësohen

Numri i sulmeve me eksploziv kundër bankomateve në Zvicër ra ndjeshëm në vitin 2025. Autoritetet konfirmojnë se ndjekja penale dhe parandalimi po japin gjithnjë e më shumë efekt.

Numri i sulmeve me eksploziv kundër bankomateve ka luhatur në vitet e fundit midis 32 në vitin 2023 dhe 57 në vitin 2022, sipas statistikave nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol) të marra nga Keystone-ATS. Në vitin 2024, pati 48 sulme. Nga janari deri në fillim të dhjetorit 2025, u regjistruan 23 raste, një rekord më i ulët që nga fillimi i dekadës, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë, dëmi i shkaktuar është gjithnjë e më i rëndësishëm, shton Fedpol. Shkatërrimi është rregullisht i konsiderueshëm, gjë që tregon një energji të madhe kriminale nga ana e autorëve.

Dëmi i mundshëm për shkak të forcës së shpërthimeve është shumë i rëndësishëm, si për kriminelët ashtu edhe për palët e treta. Eksplozivët u përdorën në shumicën e rasteve në vitin 2025. Sipas Fedpol, kriminelët veprojnë në mënyrë të paskrupullt dhe përdorin sasi të mëdha eksplozivësh.

Eksplozivët janë mjetet më efektive dhe të rrezikshme në të njëjtën kohë, vazhdon Fedpol. Më parë, kriminelët i hidhnin në erë bankomatët me gaz ose i copëtonin ato me ndihmën e mjeteve. Lloji i sulmit, arratisja dhe zgjedhja e shpërndarësve ndryshojnë në varësi të origjinës së kriminelëve.

Sipas Fedpol, kriminelët serbë dhe rumunë kryejnë kryesisht shpërthime me gaz, ndërsa shqiptarët përdorin mjete. Sulmet me eksploziv janë kryesisht rezultat i bandave nga Rumania dhe Holanda. Në rastin e fundit, është e përfshirë mafia Mocro, bandat kriminale marokene me bazë në Holandë dhe Belgjikë.

Në rast të sulmeve me eksploziv, përgjegjëse është Zyra e Prokurorit Publik (MPC). Rënia e numrit të sulmeve shpjegohet si më poshtë, sipas MPC: “Në dhe më shpesh, hetimet çojnë në rezultate konkrete. Ne mund të akuzojmë autorët dhe të marrim dënime.”

Procedimet penale në rritje

Nisjet penale të nisura, identifikimi dhe arrestimi i autorëve po hyjnë në fuqi: njëqind procedime penale u zhvilluan në vitin 2024, sipas MPC, një numër që është rritur vitet e fundit.

MPC arriti të mbyllë me sukses dy procedura që lidhen me eksplozivët këtë vit. Në prill, pesë persona u dënuan për prodhimin e eksplozivëve dhe gazrave të tjerë toksikë. MPC i akuzoi ata se donin të përdornin eksplozivë për të sulmuar një bankomat.

Përveç kësaj, tre persona u dënuan në korrik për pjesëmarrje në shkatërrimin e një makine shitëse në kantonin e Cyrihut, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Përveç ndjekjeve penale, bankat nuk mbeten joaktive. “Ato investojnë vazhdimisht në sigurinë e bankomateve të tyre dhe vlerësojnë me kujdes vendet e tyre përkatëse”, shpjegon Shoqata e Bankierëve Zviceranë (ASB).

Si e rrit inteligjenca artificiale rrezikun e propagandës ruse në prag të zgjedhjeve në Kosovë

“Serbofob”, “persekutim i serbëve”, “kriminelët shqiptarë” e të tjera, janë disa nga shprehjet që paraqiten në shkrime ku përmendet Kosova në disa nga mediat dhe kanalet në rrjete sociale që shpërndajnë narrativët rusë online, në prag të zgjedhjeve në Kosovë.

Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, disa media dhe kanale në rrjete sociale me përmbajtje proruse janë mbushur me mesazhe që e përshkruajnë Kosovën si vend të korruptuar, të dirigjuar nga Perëndimi dhe armiqësor ndaj serbëve.

Thuajse në të gjitha postimet ku përmendet Kosova, shtetësia e saj mohohet: emrit të saj i vihen thonjëzat, apo quhet “kuazi-shtet” e “shtet i ashtuquajtur”.

Në artikuj e shkrime të publikuara nga fillimi i dhjetorit, u jepet zë thirrjeve ndaj serbëve të Kosovës që si alternativë të vetme politike ta shohin Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në vend, me lidhje të dëshmuara me Beogradin.

Përveç mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT, tituj e postime në lidhje me Kosovën, dhe në veçanti me zgjedhjet e fundvitit, janë shpërndarë edhe në kanalet proruse në platformën sociale Telegram.

Sipas ekspertëve, shumë prej këtyre kanaleve shpërndajnë dhe zmadhojnë narrativët, duke ”ndikuar sidomos te elektorati serb në veri të Kosovës”.

Dezinformimi apo përmbajtja manipuluese, sipas tyre, bëhet edhe më e rrezikshme me përfshirjen e inteligjencës artificiale.

Çfarë u tha për Kosovën?

Radio Evropa e Lirë ka përcjellë dhe ka analizuar përmbajtjet në lidhje me Kosovën dhe me zgjedhjet në disa media ruse, si Sputnik e RT, por edhe në kanale pro-Kremlinit në Telegram, si “Balkanar” dhe “Për Serbinë në rusisht”.

Më 21 dhjetor 2025, kanali “Balkanar” publikoi një shkrim, ku thuhej se “nëse demokracia matet me numrin e kriminelëve në fletëvotime, atëherë sistemi politik i Kosovës shfaqet si lider evropian”.

Shkrimi i referohej një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sipas të cilit 28 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale.

Megjithatë, shkrimi nuk paraqiti ndonjë analizë krahasuese me shtetet e Evropës, por tha se raporti ka treguar “fytyrën e vërtetë të demokracisë më të re në Evropë”.

Një ditë më herët, më 20 dhjetor, i njëjti kanal shkroi se “Dialogu me serbët ka përfunduar – Çështja e Kosovës tani zgjidhet me buxhetin amerikan për mbrojtje”.

Shkrimi kritikoi administratën amerikane që ka kërkuar, në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në dhjetor, zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në shkurt të vitit 2023.

“Autoritetet amerikane po e transformojnë çështjen e sovranitetit të Serbisë nga një çështje negociatash, në një ligj të detyrueshëm për të gjithë politikën e jashtme amerikane”, u tha në postim.

Ndërkaq, më 19 dhjetor, një postim tjetër tha se “Në ‘Kosovë’, autoritetet treguan se marrëdhëniet me publikun janë më të rëndësishme për to sesa veprimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftimin e shkeljes së të drejtave të serbëve”, pa paraqitur ndonjë provë lidhur me këto pretendime.

Postimi iu referua hapjes së një ure të re për këmbësorë që lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Kanali “Balkanar” është i lidhur me rrjetin e njohur propagandistik rus “Pravda”, i cili, veç tjerash, poston përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.

Sipas një raporti të publikuar në qershor nga platforma e verifikimit të fakteve Hibrid.info, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë edhe për audiencën shqipfolëse, përmes faqeve të ndryshme në internet, “të maskuara si portale informative”.

Në një postim të datës 26 dhjetor, portali Pravda në gjuhën shqipe e quajti kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “serbofob” i cili “bën mashtrime antiserbe”.

“Të gjitha 10 mandatet”: Fushata politike e Listës Serbe e shtyrë nga RT e Sputnik

Ndërkohë, në vijën editoriale të mediave ruse në gjuhën serbe dhe të mediave serbe pro-Kremlinit, Lista Serbe shfaqet si instrument i “unitetit” dhe si opsion i vetëm “i sigurt” për votën serbe.

Më 23 dhjetor 2025, RT publikoi shkrimin me titullin: “Gjuriq: Serbët duhet të votojnë… është e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha 10 mandatet”.

E njëjta thirrje u pasqyrua edhe nga Sputnik, ndërsa në të njëjtin cikël raportimesh, kjo media shtetërore ruse publikoi edhe lajme për fushatën në terren të Listës Serbe.

Në asnjërin nga lajmet e publikuara nga këto media ruse nuk përmenden parti të tjera garuese në zgjedhje, shqiptare apo serbe.

Përveç Listës Serbe, subjektet tjera politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Aleanca Kosovare, parti e formuar në qershor të këtij viti me mbështetjen e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiq.

Kuvendi i Kosovës ka 120 vende, prej të cilave 10 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

Të 10 mandatet tradicionalisht janë fituar nga Lista Serbe, përveç në zgjedhjet e fundit, në shkurt të këtij viti, kur një vend e fitoi politikani Nenad Rashiq.

Zyrtarë të Listës Serbe, në deklarime publike, e kanë quajtur Rashiqin “një serb të përshtatshëm për Prishtinën” dhe që “nuk përfaqëson serbët”.

Këto deklarata u postuan edhe në kanalet ruse, në javën e fundit para zgjedhjeve.

Kanalet që shërbejnë si “shumëzues narrativësh”

Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë për Radion Evropa e Lirë se mediat si RT Balkan dhe Sputnik Srbija, në rastin e Kosovës “nuk janë aq burim primar informacioni, sa janë ‘shumëzues narrativësh’”, sepse përmbajtjet e tyre riprodhohen nga tabloidët apo portalet në Serbi, dhe pastaj “depërtojnë e qarkullojnë në veri të Kosovës dhe në mediat lokale”.

Sipas saj, në momente të ndjeshme si zgjedhjet, këto media e kornizojnë situatën përmes dy boshtesh: “viktimizimi i komunitetit serb në Kosovë” dhe “armiqësimi i Perëndimit (BE/NATO)”, narrativë që, thotë ajo, më pas “përvetësohen nga aktorë lokalë… ‘influencerë’” e të tjerë.

Loshaj paralajmëron se ndikimi nga shpërndarja e narrativit rus “nuk është linear… por potencialisht kumulativ”, sepse narrativët synojnë të mbivendosen mbi “pakënaqësitë ekzistuese, ndjenjën e diskriminimit, frikës dhe mosbesimit”.

Ajo shton se, gjatë periudhave zgjedhore, këto rrëfime shndërrohen në instrument politik, duke synuar “të delegjitimojnë proceset demokratike, dhe të ulin besimin në institucionet zgjedhore e në partnerët ndërkombëtarë”.

“Propaganda si ushqim për inteligjencën artificiale”

Abit Hoxha, profesor asistent në Universitetin e Agderit dhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë nga rrjetet që shpërndajnë dezinformata apo përmbajtje manipuluese nuk kanë patjetër shënjestër lexuesin njeri.

“Karakteristikë e Pravda-s është që nuk është rrjet, nuk është lëvizje. Është njëfarë organizimi, sipas të gjitha gjasave prej disa personave të mençur, që e kanë gjetur një ‘loop hole’ (një vrimë) në sistem, dhe nuk janë direkt të përfshirë në dezinformata, sikur, për shembull, Sputnik-u”, shprehet Hoxha.

Sipas profesorit që merret me studimin e medias, demokracisë dhe së fundmi ndikimin e inteligjencës artificiale në shoqëri, rrjete të tilla “po japin materiale për ushqimin e inteligjencës artificiale”.

Në anën tjetër, studiuesja Loshaj thotë se teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale, e rrisin ritmin dhe shtrirjen e dezinformimit.

“[Ato mundësojnë] prodhimin masiv dhe të shpejtë të përmbajtjeve të sinkronizuara në gjuhë lokale, imitimin e stilit vendor për rritje të besueshmërisë, krijimin e ‘deepfake’-ve audio e video, dhe automatizimin e rrjeteve të llogarive false, që simulojnë mbështetje artificiale publike, sidomos në periudha zgjedhore”, thotë ajo.

Mediat ruse, si RT dhe Sputnik, janë të sanksionuara në Kosovë, në bazë të sanksioneve amerikane dhe evropiane që iu vunë Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022.

Megjithatë, qasja e tyre online nuk ka mundur të bllokohet tërësisht.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë janë të detyruar t’i bllokojnë faqet e internetit të mediave ruse, në përputhje me sanksionet, por se “për shkak të natyrës dinamike të internetit, disponueshmëria e këtyre ueb-faqeve mund të ndryshojë”./REL

Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë ka njoftuar se procesi i votimit është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt.
Sipas njoftimit, interesimi i qytetarëve ka qenë i lartë dhe deri më tani mbi 65% e votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në votim, transmeton albinfo.ch. Bëhet e ditur se qendra e votimit mbetet e hapur deri në ora 19:00, teksa ftohen të gjithë qytetarët e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar bashkatdhetarë,
Procesi i votimit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt. Interesimi i qytetarëve ka qenë i lartë dhe deri më tani mbi 65% e votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në votim.
Qendra e votimit mbetet e hapur deri në ora 19:00. Ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Adresa:
Botschaft der Republik Kosovo
Prinz-Eugen-Straße 10, 1040 Wien

Një periudhë Krishtlindjesh “veçanërisht pozitive” për Migrosin

Për Migrosin, sezoni i Krishtlindjeve ishte “veçanërisht pozitiv”. Kërkesa për produktet e markës së tij ishte e fortë, raportoi gjigandi i shitjes me pakicë në një njoftim për shtyp, transmeton albinfo.ch.

Migrosi nuk ofron shifra specifike, siç janë tendencat e shitjeve. Ai thjesht rendit produktet që kanë qenë veçanërisht të suksesshme në dyqane, shkruan SRF.ch.

Ndër produktet ushqimore, shitje të shkëlqyera u regjistruan për bukën me xhenxhefil, biskotat e Krishtlindjeve, panettone dhe përzierjet për biskota, si dhe mishin për fondue chinoise dhe prerjet premium. E gjithë gama e ëmbëlsirave në trajtë të kafshëve të mbushura ka shënuar një rritje prej 5% në qarkullim nga viti në vit.

Zvicra ofron udhëtime luksoze me tren për festën e Vitit të Ri

Zvicra është përfshirë në një iniciativë evropiane që ofron udhëtime luksoze me tren për festën e Vitit të Ri, duke synuar turistët që kërkojnë një përvojë të veçantë festive. Këto udhëtime kombinojnë luksin, gastronominë dhe pamjet dimërore të Alpeve.

Sipas organizatorëve, trenat e posaçëm ofrojnë darka të përgatitura nga kuzhinierë të njohur, ambient festiv dhe shërbim ekskluziv gjatë gjithë udhëtimit. Ideja është që udhëtarët të festojnë ndërrimin e viteve në lëvizje, mes peizazheve alpine.

Kjo iniciativë po realizohet në bashkëpunim me vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat po ofrojnë koncepte të ngjashme udhëtimi për natën e Vitit të Ri. Zvicra synon të pozicionohet si një nga destinacionet më atraktive për turizmin dimëror luksoz.

Përfaqësues të sektorit të turizmit shprehen se këto oferta janë një mënyrë për të tërhequr vizitorë me fuqi të lartë blerëse dhe për të promovuar transportin hekurudhor si alternativë të qëndrueshme.

Interesimi për këto udhëtime raportohet të jetë i lartë, veçanërisht nga turistë ndërkombëtarë që kërkojnë përvoja unike gjatë festave.

Turizmi zviceran shpreson që iniciativa të tilla të kenë ndikim pozitiv edhe në vitin 2026, shkruan Travel and Tour World, përcjell albinfo.ch.

Votimi i diasporës deri në ora 13:00: Votuan mbi 7 mijë votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues, transmeton albinfo.ch.

Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Elezi sqaroi tutje se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve që janë dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

Mot i paqëndrueshëm në Alpet zvicerane, autoritetet paralajmërojnë për rrezik ortekësh

Autoritetet meteorologjike zvicerane kanë paralajmëruar sot për rrezik të shtuar të ortekëve në disa rajone alpine, për shkak të reshjeve të reja të borës dhe erërave të forta. Paralajmërimi vlen për disa zona turistike të frekuentuara gjatë sezonit dimëror.

Sipas shërbimit meteorologjik, kombinimi i borës së freskët dhe shtresave të mëparshme ka krijuar kushte të paqëndrueshme në lartësi të mëdha. Skiatorët dhe alpinistët këshillohen të ndjekin udhëzimet lokale dhe të shmangin zonat e rrezikshme.

Autoritetet lokale kanë rritur monitorimin dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje emergjente në rast nevoje. Disa shtigje dhe zona jashtë pistave janë mbyllur përkohësisht.

Sektori i turizmit u bën thirrje vizitorëve që të informohen rregullisht për kushtet e motit dhe nivelin e rrezikut para se të planifikojnë aktivitetet malore.

Siguria e vizitorëve mbetet prioritet gjatë sezonit dimëror në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Shefi i ushtrisë: Zvicra nuk është e përgatitur për t’u mbrojtur nga një sulm i madh

Zvicra aktualisht nuk do të ishte në gjendje të përballej me një sulm të madh ushtarak, ka deklaruar sot shefi i ushtrisë zvicerane, duke ngritur shqetësime serioze për kapacitetet mbrojtëse të vendit. Deklarata vjen në një kohë kur siguria në Evropë po diskutohet gjithnjë e më shumë për shkak të tensioneve ndërkombëtare.

Sipas shefit të ushtrisë, mungesat kryesore lidhen me pajisjet, logjistikën dhe gatishmërinë e forcave. Ai ka theksuar se vetëm një pjesë e ushtrisë është e pajisur plotësisht për raste emergjente, ndërsa pjesa tjetër do të kishte nevojë për kohë dhe burime shtesë për t’u mobilizuar.

Në deklaratat e tij, ai ka sqaruar se Zvicra është më e përgatitur për kërcënime si sulmet kibernetike ose veprimet e aktorëve jostatërorë, por jo për një konflikt të gjerë ushtarak. Kjo situatë, sipas tij, kërkon investime të qëndrueshme dhe planifikim afatgjatë.

Autoritetet zvicerane kanë nisur tashmë disa projekte modernizimi, përfshirë rinovimin e sistemeve tokësore dhe blerjen e avionëve të rinj luftarakë. Megjithatë, këto procese kërkojnë kohë dhe përballen edhe me debat publik për shkak të kostove të larta.

Deklaratat e shefit të ushtrisë kanë nxitur reagime në skenën politike, ku disa parti kërkojnë rritje të buxhetit të mbrojtjes, ndërsa të tjera bëjnë thirrje për kujdes dhe balancim me nevojat sociale.

Çështja e sigurisë pritet të mbetet temë e rëndësishme e debatit publik edhe gjatë vitit të ardhshëm, shkruan  Reuters, përcjell albinfo.ch.

Trafik i rënduar në Tunelin e Gotthardit në fund të pushimeve të fundvitit

Fluksi i udhëtarëve në fund të pushimeve të fundvitit ka shkaktuar sot trafik të rënduar në drejtim të jugut dhe veriut të Zvicrës, veçanërisht në Tuneli i Gotthardit.

Autoritetet kanë raportuar pritje të gjata për automjetet, sidomos në orët e paradites dhe pasdites. Sipas raportimeve të sotme, kolonat janë krijuar për shkak të kthimit masiv të pushuesve nga rajonet alpine dhe udhëtimeve drejt Italisë.

Policia rrugore ka apeluar për durim dhe respektim të udhëzimeve të sigurisë. Udhëtarëve u është rekomanduar të përdorin rrugë alternative ose të planifikojnë udhëtimet jashtë orareve të pikut për të shmangur vonesat e gjata.

Informacioni për gjendjen e trafikut po përditësohet vazhdimisht. Autoritetet theksojnë se situata të tilla janë tipike për këtë periudhë të vitit, por mbeten sfiduese për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore.

Trafiku pritet të mbetet i ngarkuar edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa kthimet pas festave vazhdojnë, shkruan Reisereporter.de, përcjell albinfo.ch.

42 % e votuesve kanë votuar deri në orën 13:00 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Portali albinfo.ch, i pranishëm drejtpërdrejt në terren, po përcjell nga afër procesin e votimit në Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih. Deri në orën 13:00, sipas të dhënave zyrtare, kanë votuar 857 qytetarë, që përbëjnë rreth 42% të votuesve të regjistruar në këtë pikë votimi.

Edhe gjatë orëve të mesditës po vazhdon fluksi i votuesve, me radhë të qëndrueshme pritjeje para ndërtesës së konsullatës.

Procesi po zhvillohet në mënyrë të rregullt, të qetë dhe në një atmosferë qytetare, ndërsa votuesit po tregojnë vetëdisiplinë shembullore. Përparësi po u jepet të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Sipas komisionit zgjedhor në këtë pikë, gjithçka po rrjedh sipas planifikimit, pa probleme teknike apo procedurale. albinfo.ch do të vazhdojë raportimin e drejtpërdrejtë dhe përcjelljen e zhvillimeve nga procesi i votimit në Cyrih gjatë gjithë ditës.

Zvicër: Ja pse zjarrfikësit profesionistë po e lënë punën

Zjarrfikësit profesionistë janë ndihmësit e parë të vendosur në shpëtime, aksidente, zjarre dhe fatkeqësi natyrore. Puna e tyre është e vështirë – ata duhet të jenë në gjendje të kalojnë nga zero në 100 brenda sekondave kur thirren në një emergjencë, dhe është gjithashtu fizikisht e lodhshme. Deri më tani, ka pasur vetëm prova anekdotike në lidhje me mënyrën se si këta individë ia dalin në fazat e fundit të karrierës së tyre, shpjegon Christoph Schlatter, i cili është përgjegjës për zjarrfikësit profesionistë në sindikatën VPOD, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Mosha të ndryshme daljeje në pension

Prandaj, u vendos që Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore të kryente një studim mbi numrin e zjarrfikësve që largohen nga shërbimi profesional i zjarrfikësve. Autori i studimit Christoph Vogel vuri në dukje ndryshimet në moshën e daljes në pension: “Disa zjarrfikës profesionistë dalin në pension që në moshën 60 vjeç, ndërsa të tjerë dalin në pension vetëm në moshën standarde të daljes në pension prej 65 vjeç.”

Zgjidhje individuale në vend të kornizave strukturore

Studimi e karakterizon punën e zjarrfikësve profesionistë si “një aktivitet me sfida dhe barrë shumë specifike, të tilla që gjenden vetëm në disa profesione të tjera”. Sindikata VPOD është e qartë se një moshë daljeje në pension prej 65 vjeç është shumë e lartë për zjarrfikësit profesionistë. Christoph Schlatter deklaron: “Një zgjidhje në të gjithë industrinë për daljen në pension të parakohshëm do të ishte e përshtatshme – analoge me profesione të tjera që kërkojnë shumë punë fizike – në mënyrë që sa më shumë prej atyre që preken të hyjnë në pension të shëndetshëm.”

Daniel Strohmeier, president i Shoqatës së Brigadave Profesionale të Zjarrfikësve, gjithashtu njeh sfidat e veçanta me të cilat përballen zjarrfikësit profesionistë: “Shumë detyra duhet të kryhen nën një presion të madh kohor, prandaj mezi mund të lehtësojmë personelin individual gjatë operacioneve.” Ai nuk mund të vlerësojë nëse një politikë uniforme pensioni do të ishte e realizueshme për 17 brigada të ndryshme profesionale të zjarrfikësve dhe kështu 17 punëdhënës të ndryshëm. “Megjithatë, ne shkëmbejmë informacion midis brigadave profesionale të zjarrfikësve dhe në fund të fundit, dialogu individual me punonjësit është gjithmonë i nevojshëm.”

Megjithatë, nuk ka gjasa të ketë një zgjidhje të thjeshtë, pasi shumica e zjarrfikësve profesionistë janë të punësuar nga qytetet përkatëse – kështu që zgjidhjet politike janë të nevojshme në nivel lokal.

Daljet nga karriera në moshën e mesme

Studimi i FHNW tregon gjithashtu një tendencë të lehtë drejt më shumë dorëheqjeve në mesin e karrierës, veçanërisht midis zjarrfikësve profesionistë që kanë ende disa vite shërbim përpara tyre. “Arsyet shëndetësore gjithashtu mund të luajnë një rol këtu. Por ka edhe arsye të tjera: mungesa e opsioneve të karrierës, një kalim në sektorin privat, apo edhe një transferim në një departament tjetër zjarrfikësish”, thotë autori i studimit Christoph Vogel.

Ata identifikuan të ashtuquajturat “fitore të shpejta”, të tilla si heqja e rregullit të zonës së banimit që është ende në fuqi në disa departamente profesionale të zjarrfikësve, gjë që mund t’u lejonte zjarrfikësve të qëndronin më gjatë në organizata. Kishte gjithashtu masa që do të sillnin sukses afatgjatë, të tilla si modelet e punës me kohë të pjesshme.

Sindikata VPOD planifikon të kërkojë më pas bisedime me shoqatën profesionale të zjarrfikësve, por edhe me brigadat individuale të zjarrfikësve, veçanërisht në lidhje me çështjen e daljes në pension.

Sa kanë votuar në Zvicër deri në ora 09:00

Në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka nisur procesi i votimit për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit.

Deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar, transmeton albinfo.ch.

Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit.

Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 19:00.

Ju ftojmë të shfrytëzoni të drejtën tuaj të votës brenda orarit zyrtar, thuhet në njoftim e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas njoftimit deri në ora 09:00 në Bernë kanë votuar 12% e votuesve, në Gjenevë 10 % dhe Cyrih 12 %.