Mbi 27 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 15:00 është mbi 27 për qind.

Bëhet e ditur se tetë orë pas hapjes së vendvotimeve përqindja më e lartë e daljes është në Zveçan me 46.11 për qind, transmeton albinfo.ch.

Dalja më e ulët është regjistruar në Leposaviq.

ABB dhe Stadler ngrenë dyshime në lidhje me trenat Siemens për Zvicrën

Pas dhënies së kontratës prej 2.1 miliardë frangash zvicerane për trenat e rinj të Zurich S-Bahn te kompania gjermane Siemens, kompanitë ABB dhe Stadler Rail po paralajmërojnë për rreziqet e një teknologjie të re të transmisionit me karabit silikoni.

Kjo teknologji konsiderohet më efikase nga ana e energjisë dhe më e qetë, por vështirë se është testuar në rrjetin e dendur evropian të S-Bahn, sipas “SonntagsZeitung”.

“Teknologjitë e reja të transmisionit kanë çuar gjithmonë në probleme”, është shprehur ish-drejtori ekzekutiv i ABB Traction, Edgar Keller, për gazetën, transmeton albinfo.ch. Ai e konsideron përdorimin e saj në rrjetin e dendur të Zurich S-Bahn të rrezikshëm.

ABB vazhdon të mbështetet në teknologjinë IGBT të zhvilluar më tej, e cila tani mund të konkurrojë me transmisionet me karabit silikoni.

Një zëdhënës i kompanisë Stadler theksoi se oferta e saj bazohet në trenat me dy kate që kanë dëshmuar vlerën e tyre që nga viti 2012.

Nga ana tjetër, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) i kanë hedhur poshtë akuzat, por nuk mund të komentojnë mbi thelbin e çështjes për shkak të procedurave të vazhdueshme të apelimit.

DnV për zgjedhjet në Kosovë: Procesi i qetë, por me parregullsi

Demokracia në Veprim ka vëzhguar procesin zgjedhor që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, teksa kanë raportuar se procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë.

Bëhet e ditur se në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

“Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,999,204 qytetarë, ose 28,260 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025. Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 14.5%”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Sipas vëzhguesve të DnV-së është raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

Ndërkaq, deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë.

Për më tepër, në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjekësore.

Presidentja e Kosovës: Shpresoj që zgjedhjet të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se zgjedhjet e sotme duhet të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të Kuvendit dhe qeverisë, për të çuar përpara procese të domosdoshme për vendin.

Ajo deklaroi se është e bindur që të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara për institucione funksionale dhe me legjitimitet të plotë.

“Uroj që Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike. Uroj të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve. Zgjedhjet janë proces i rëndësishëm demokratik. Shpresoj që rezultatet të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të parlamentit dhe zgjedhje të qeverisë, që janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Kosovën”, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch.

Rënie e turizmit në Evropë prej krizës ekonomike – Zvicra pjesë e trendit

Sipas raporteve të fundit të industrisë së udhëtimit, Zvicra – si edhe Irlanda, Gjermania dhe Belgjika – po përjeton një rënie të dukshme të të ardhurave nga turizmi këtë vit, për shkak të pasigurisë ekonomike globale dhe ndryshimeve në sjelljet e udhëtimit pas pandemisë, shkruan Travel And Tour World, transmeton albinfo.ch.

Industria turistike në Zvicër, e cila historikisht ka qenë një komponent i fortë i ekonomisë, është goditur nga ulja e shpenzimeve të udhëtarëve të huaj dhe pasiguria për sezonet e ardhshme.

Ekspertët e turizmit paralajmërojnë se kjo rënie mund të ndikojë edhe në sektorët e shërbimeve dhe punësimit në zonat alpine dhe qendrat e pushimeve dimërore.

Mediat zvicerane mbi “përfshirjen e zëshme” të diasporës në zgjedhjet kosovare

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot në Kosovë kanë gëzuar vëmendje të konsiderueshme të mediave zvicerane dhe atyre në gjuhën gjermane, në përgjithësi. Ajo që e dallon qasjen e këtyre mediave në raport me zgjedhjet aktuale është përfshirja e zëshme e mërgatës së Kosovës, në vendet përkatëse (Zvicë, Gjermani, Austri) në procesin zgjedhor në vendin e tyre të prejardhjes.

Në artikullin e përmendur, agjencia e përmendur zvicerane (zyrtare) e lajmeve, pas përshkrimit të rrethanve në të cilat po mbahen këto zgjedhje, ka biseduar me parlamentarin e qytetit të Cyrihut, politikanin e ri me rrënjë shqiptare nga Kosova, Reis Luzhnicën, shkrun albinfo.ch.

Luzhnica përfaqëson Partinë Social Demokrate (PS) në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut dhe është njëherësh anëtar i partisë Vetëvendosje të Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Ai është optimist përpara zgjedhjeve parlamentare.

“Rreth 14,500 njerëz janë regjistruar për të votuar në Zvicër. Edhe pse pjesëmarrja e mundshme mund të jetë më e lartë, është një shifër e mirë dhe shumë e rëndësishme për Vetëvendosjen”, i tha ai agjencisë së lajmeve Keystone-SDA. Diaspora e Kosovës tregon tendencë të votojë në mënyrë më progresive – ngjashëm me qendrat urbane në Kosovë”, thotë ai.

Kryeministri vizitoi së fundmi Cyrihun në një turne fushate. “Pavarësisht njoftimit të shkurtër, eventi shkoi shumë mirë; salla ishte e mbushur me rreth 3,000 njerëz”, thotë Luzhnica, përcjell albinfo.ch. Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit, ai vëren se njerëzit janë më të vendosur të marrin pjesë realisht.

Në atë kohë, ai shpesh dëgjonte deklarata si: “Vetëvendosje do të fitojë edhe ashtu; vota ime nuk do të bëjë ndryshim”. Shumë veta e kishin konsideruar gjithashtu regjistrimin ose votimin nga Zvicra shumë të komplikuar.

Sot, ekziston një vetëdije më e madhe se çdo votë ka rëndësi. “Prandaj, më shumë njerëz janë regjistruar dhe shumë po planifikojnë gjithashtu të përdorin festat e Krishtlindjeve për të vizituar familjet e tyre në Kosovë dhe për të votuar atje”, thotë Luzhnica. Bazuar në vlerësimin e tij personal dhe bisedat me votuesit potencialë, ai pret që Vetëvendosje të fitojë zgjedhjet.

Në varësi të metodës së numërimit, 160,000 ose 250,000 njerëz nga shteti ballkanik (Kosova) jetojnë në Zvicër, siç kishte deklaruar Presidentja Federale Karin Keller-Sutter gjatë vizitës shtetërore të Presidentes Kosovare Vjosa Osmani Sadriu në Bernë në maj. Të dy presidentet përmendën diasporën e madhe kosovare në Zvicër dhe urën që ajo formon midis dy vendeve.

Pas dy përpjekjeve të dështuara për të formuar një qeveri, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë planifikuar për të dielën në Kosovë. Më parë, parlamenti i vendit ballkanik, i hodhi poshtë si Kurtin ashtu edhe kolegun e tij të partisë Glauk Konjufca në zgjedhjet për kryeministër.

Partia pro-perëndimore dhe social-demokrate e Kurtit doli si partia më e fortë në zgjedhjet e fundit, por nuk arriti të siguronte një shumicë të mjaftueshme. Që nga zgjedhjet, parlamenti ishte përfshirë në muaj të tërë debatesh mbi emërimin e presidencës parlamentare, duke e penguar atë të mblidhej zyrtarisht për një periudhë të zgjatur, shkruan tutje SDA.

Ndërsa transmetuesi publik i Zvicrës, SRF në një raport të tij nga Kosova është fokusuar në atmosferën rreth zgjedhjeve që po mbahen sot në Kosovë.

Gazetari, pasi ka përshkruar sfondin e këtyre zgjedhjeve, ka marrë prononcimet për katëse nga përfaqësues të partive opozitare si Enver Hoxhaj nga PDK, Adelina Thaçi Meta nga LDK dhe nga kryeministri në detyrë, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas të parëve, Qeveria Kurti “nuk ka realizuar asgjë nga ajo çfarë ka premtuar”, ndërsa vetë Kurti fajëson opozitën për bllokimin e gjatë që ndoqi jetën politike të Kosovës, pas fitores së pamjaftueshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

SRF jep edhe pamje dhe deklarime nga atmosfera festive në Aeroportin e Prishtinës, me rastin e arritjes së grupeve të bashkatdhetarëve tanë nga Zvicra.

 

 

Parmelin nuk do të negociojë me Trumpin në WEF, Davos

Sipas deklaratave të tij në gazetat “SonntagsZeitung” dhe “Le Matin Dimanche”, Këshilltari Federal Guy Parmelin ka mundësi se do të flasë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror (WEF).

“Por nuk do të ketë negociata midis SHBA-së dhe Zvicrës në Davos”, tha Këshilltari Federal në intervistën me gazetat e përmendura, transmeton albinfo.ch.

“Megjithatë, ne mund t’i përcjellim atij se jemi gati për hapin tjetër, përkatësisht përfundimin e një marrëveshjeje detyruese mbi tarifat”, vazhdoi Parmelin.

Para vitit të tij si President i Konfederatës Zvicerane (post të cilin do ta ushtrojë gjatë vitit 2026), ai është kryesisht i shqetësuar për situatën gjeopolitike dhe ekonomike.

“Ekonomitë e fqinjëve tanë janë të ngadalta, dhe jo vetëm për shkak të tarifave shtesë të SHBA-së. Kjo ka një ndikim tek ne, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo”, tha ai.

Lidhur me industrinë farmaceutike të Zvicrës, Parmelin tha se ai dhe Këshilltarja Federale Elizabeth Baume-Schneider kanë krijuar një grup pune që do të fillojë punën së shpejti.

Probleme me energjinë elektrike në 6 qendra të votimit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se gjatë ditës së zgjedhjeve janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan.

Ai shtoi se komisionet komunale të zgjedhjeve i kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse për këto probleme dhe se ato tashmë janë zgjidhur, transmeton albinfo.ch.

Radoniqi i bëri komentet në konferencën për media të orës 11:30, kur edhe njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 8.27 për qind.

“Nga të dhënat që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 165.404 votues apo 8.27%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet në shkurt kishin votuar 169.650 votues”, tha Radoniqi.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në 15:30.

Deri në ora 11:00 votuan 8.27% qytetarë

Mbi 165 qytetarë me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 11:00 të dielën.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se 165,404 persona apo 8.27% nga totali i votuesve kanë votuar deri tash, transmeton albinfo.ch.

“Nga të dhënat që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 165,404 votues apo 8.27% deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet në shkurt kishin votuar 169,650 votues”, ka thënë ai.

Baerbock dëshiron ta mbajë selinë e OKB-së në Gjenevë

Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock, nuk sheh asnjë kërcënim për Gjenevën ndërkombëtare nga masat shtrënguese.

“Gjeneva është një qendër e diplomacisë shumëpalëshe dhe vendndodhja e saj nuk është në rrezik”, tha ish kryediplomatja gjermane për gazetën “SonntagsBlick”.

Sipas saj, vende si Gjeneva, Boni ose Nairobi mund të përfitojnë edhe nga masat shtrënguese, tranmseton albinfo.ch. “Nju Jorku është një vend shumë i shtrenjtë – prandaj po shqyrtojmë se cilat vende mund të zhvendosim. Zvicra nuk është me të vërtetë e lirë, por është ende shumë tërheqëse”, citohet më tej të ketë thënë Baerbock.

Ajo shtoi se është e kuptueshme që vende si Austria ose Italia po konkurrojnë për pozicione në OKB, por duhet të zbatohet “loja e drejtë”.

Baerbock i përshkroi shkurtimet në bashkëpunimin për zhvillim si katastrofike. “Çdo shkurtim në bashkëpunimin për zhvillim po na qëllon në këmbë. Më shumë kriza dhe konflikte rrisin presionin e migracionit”, tha ajo.

Deri në ora 09:00 votuan 2. 64 % e qytetarëve

Nga procesimi i mbi 95 për qind e vendvotimeve në gjithë territorin Republikës, del se nga ora 07:00 kur janë hapur Qendrat e Votimit në vend, deri në ora 09:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përgjatë  dy orëve të para të drejtën e tyre të votës e kanë ushtruar 52 mijë e 797 apo përkthyer në përqindje, 2. 64 për qind e qytetarëve me të drejt vote në nivel vendi.

Sipas Listës së Votuesve të certifikuar nga KQZ-ja në Kosovë të drejt vote kanë 1 milion e 999 mijë  e 204 qytetarë, transmeton albinfo.ch.

Statistikat e pjesëmarrjes në votime në këtë platformë pritet të përditësohen në orën 11:00 kur nis futja e të dhënave të reja nga vendvotimet në mbarë vendin.

Zëdhënësi i KQZ-së më herët, në konferencë për media tregoi se përditësim të dhënash në këtë platformë do të ketë çdo dy orë, deri në ora 19:00.

Në këtë platformë sqarohet se këto janë të  dhënat nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se besojnë që para orës 20:00 do të fillojnë transmetimin e të dhënave nga vendvotimet e para, që deri atëherë të kenë përfunduar numërimin e fletëvotimeve.

Abdixhiku: Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhme euroatlantike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është ditë e mirë pasi sipas tij vendimmarrja i kthehet qytetarit.

“Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar këto vite”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Ai ka thënë se shpreson që gjithçka të fitojë mirë dhe në fund të fitojë populli i Kosovës.

Zvicra si destinacion i preferuar për miliarderët me avantazhe fiskale

Një emër i madh i financës britanike, Alan Howard, është rikthyer në Zvicër, duke iu bashkuar një valë të re të miliarderëve që zgjedhin vendin për të vendosur rezidencën, kryesisht për shkak të përfitimeve fiskale, shkruan The Times, transmeton albinfo.ch.

Howard, bashkë-themelues i Brevan Howard Asset Management, është vetëm një nga investitorët e mëdhenj që zgjedhin Zvicrën për të përfituar nga taksat e ulëta dhe mjedisi financiar miqësor për kapitalin ndërkombëtar. Sipas të dhënave të industrisë, mijëra milionerë pritet të largohen nga Britania në vitin 2025 për destinacione si Zvicra, Monaco, Dubai dhe Abu Dabi.

Ky trend nënvizon ndikimin e politikave fiskale në vendimet globale të pasurive të larta dhe pozicionon Zvicrën sërish si një qendër kryesore financiare atraktive.

 

Hamza: Votoni sipas bindjeve dhe vullnetit tuaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, siç ka thënë, sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

Ai pasi ka votuar ka theksuar se pret rezultat të mirë, transmeton albinfo.ch.

Kreu i PDK-së ka thënë se pret që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë.

Hamza ka thënë së do ta bëjë maksimumin që pas zgjedhjeve të mos ketë vakum institucional dhe Kosova të ketë sa më shpejt institucione.

Kurti: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.

“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.

Sipas tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e mirë do të jetë cilësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i institucioneve që do të dalin prej tyre.

Kurti iu drejtua mediave në shqip, anglisht dhe serbisht.

“I falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në fushata, pastaj edhe për durimin dhe angazhimin që kanë treguar. Mendoj që pjesëmarrja do të jetë masive”, ka thënë ai.

Haradinaj voton me nënën e tij, kjo është thirrja e tij

Nën shoqërimin e nënës së tij, Rukës Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krahë Kosovës gjithë”, tha Haradinaj, transmeton albinfo.ch.

Në këtë qendër të votimit në Gllogjan të drejtë vote kanë 1450 votues dhe janë dy vendvotime.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 41 mijë e 138 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 14 qendra të votimit dhe 51 vendvotime. Edhe kjo komunë ka qendrën e votimit me kusht.

Vendvotimet janë hapur me kohë dhe pa probleme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës po mban të parën konferencë për shtyp ku jep detaje nga procesi i zgjedhjeve të parakohshme, kur ka kaluar vetëm një orë nga hapja e të gjitha qendrave të votimit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas planit.

Në konferencën e parë për media, Elezi tha se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet, transmeton albinfo.ch.

Ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Elezi shtoi se KQZ-ja do të nisë në mbrëmje publikimin e rezultateve preliminare, para orës 20:00.

Për shkak të motit të ligë anulohen mijëra fluturime

Mijëra fluturime janë anuluar ose kanë pësuar vonesa në Shtetet e Bashkuara, ndërsa rajoni verilindor po përgatitet për një stuhi të fortë dimërore, në kulmin e sezonit të udhëtimeve për festat.

Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightAware, deri të premten në mbrëmje janë anuluar rreth 1.600 fluturime, ndërsa 7.400 të tjera kanë pësuar vonesa, transmeton albinfo.ch.

Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy, Newark Liberty dhe LaGuardia, që shërbejnë zonën e New Yorkut.

Probleme me fluturimet janë raportuar gjithashtu në Boston, Chicago dhe Toronto në Kanada.

Nga kompanitë ajrore, JetBlue ka anuluar 229 fluturime, Delta Air Lines 241, ndërsa Republic Airways dhe Southwest Airlines kanë anuluar përkatësisht 180 dhe 151 fluturime. Edhe American Airlines dhe United Airlines kanë anuluar rreth 100 fluturime secila.

Aeroportet u kanë bërë thirrje udhëtarëve, përmes rrjeteve sociale, që të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me kompanitë ajrore përpara udhëtimit, raportoi Reuters.

Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, u ka kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme. Ajo theksoi se, në rast se udhëtimi është i domosdoshëm, qytetarët duhet të planifikojnë me kujdes, të lëvizin ngadalë dhe të lënë më shumë kohë për të mbërritur në destinacion në mënyrë të sigurt.

Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe nga guvernatorët e New Jersey dhe Connecticut.

Zvicra planifikon të dëbojë 20 kriminelë afganë dhe shqyrton dëbimet në Siri

Zvicra synon të deportojë rreth 20 shtetas afganë që janë dënuar për krime. Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) i konfirmoi gazetës “Sonntags Blick” se një kriminel afgan ishte kthyer tashmë në Kabul në mesin e dhjetorit.

Kthimi i sirianëve është gjithashtu në diskutim dhe SEM është në kontakt me autoritetet siriane në lidhje me këtë çështje, transmeton albinfo.ch.

Deri më tani, Zvicra nuk ka qenë në gjendje të kryejë asnjë kthim të detyruar në Siri – ndryshe nga Austria dhe, së fundmi, Gjermania. Megjithatë, disa anëtarë të Parlamentit Zviceran tani po kërkojnë veprime më të shpejta.

“Nëse Gjermania mund të kthejë njerëz në Siri, edhe Zvicra mundet. Pres që autoritetet më në fund të kalojnë nga fjalët në veprime”, citoi “SonntagsBlick” Damian Müller, një anëtar i Dhomës së Kantoneve nga Lucerna që përfaqëson FDP-në (Partia Liberale).

Sot voton Kosova

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit zhvillohet në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00, transmeton albinfo.ch.

Zgjedhjet monitorohen nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet e para priten para orës 20:00.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për të formuar Qeverinë e re nga zgjedhjet e shkurtit.

Asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për ekzekutivin e ri.

Për shkak të ngërçit politik dhe pamundësisë për marrëveshje, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhje të parakohshme.

Procesi synon t’i japë vendit institucione funksionale dhe një Qeveri të re me mandat të plotë.

Në 25 përfaqësi diplomatike votuan 81.29% të personave të regjistruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës, ndërkohë në orën 01:00 pas mesnatës, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, raporton rtklive.com. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada”, ka thënë Radoniqi, kryetar i KQZ-së.

Ai tregoi se gjatë gjithë ditës së sotme, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit votues u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave.

“Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së sotme”, theksoi ai.

Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, KQZ-ja thotë se nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues.

Radoniqi tha se, sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.

Kryesuesi i KQZ-së e mbylli konferencën e sotme me një apel lidhur me procesin votues të së dielës në Kosovë.

“Apel për të gjithë Këshillat e Vendvotimeve, Komisioneve Komunale që të jenë në nivel detyre, të respektojnë ligjin rregullat zgjedhore të KQZ. Na pret një ditë e gjatë nesër, ku duhet të iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë jemi në nivel detyre e të respektojmë rregullat e ligjin. U urojmë të gjithëve një ditë të mbarë”, tha Radoniqi.

 

Çmimet e larta për festat e fundvitit në Shqipëri

Teksa viti i ri po troket, e gjithë vëmendja shkon tek mbrëmja festive. Teksa disa vite më parë për shqiptarët shihej si një darkë ku familja mblidhej në shtëpi dhe festonte ndërrimin e viteve, tashmë gjithmonë e më shumë për të festuar po preferohen restorantet, të cilët ofrojnë paketa të ndryshme festive, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Çmimet varijojnë nga njëra zonë në tjetrën. Nga qytetet e mëdha te zonat turistike, çmimi zakonisht lidhet me atë që përfshihet në paketë, menu fiksë, muzikë live, pije pa limit dhe në shumë raste, edhe akomodim e SPA.

Në Tiranë, ofertat shfaqen kryesisht si menu festive me disa pjata dhe ëmbëlsirë, ku çmimet lëvizin zakonisht nga rreth 8,000- 13.000 lekë për person në lokalet e mesme, ndërsa në vendet më të sofistikuara apo me program të plotë, çmimet rriten ndjeshëm. Në disa raste çmimi ndahet qartë mes vetëm darkë dhe darkë plus paketë festive.

Në juglindje, mbrëmjet gala shfaqen shpesh si menu tradicionale e bollshme, e kombinuar me atmosferë festive.

Për Korçën e zonat përreth, çmimet e afishuara shfaqen kryesisht në intervalin 8,500–10,000 lekë për person, shpesh me formulën pije pa limit dhe me tarifa të veçanta për fëmijët. Në Voskopojë, shumë oferta jepen me rezervim dhe çmimi shpesh komunikohet drejtpërdrejt, sidomos kur paketa lidhet me akomodimin.

Në Durrës, tregu dominohet nga paketat e hoteleve dhe resorteve. Këtu dallimi kryesor është nëse merr vetëm darkën gala apo edhe akomodim. Çmimet e afishuara nisin nga rreth 80–100 euro për person për darkën, ndërsa paketat me akomodim shkojnë zakonisht në 125–170 euro për person, transmeton albinfo.ch.

Në Vlorë çmimet e publikuara varijojnë nga rreth 80-100 euro në opsionet standard, ndërsa resortet që shesin paketa me më shumë shërbime, ofrojnë çmime në nivele më të larta, rreth 159–299 euro, sipas gjatësisë së qëndrimit.

Në veri, qasja duket më e balancuar. Në Shkodër mund të gjenden paketa nga  80  euro, rreth 80–95 euro, sidomos kur lidhen me akomodim.

Në thelb, çmimi i Vitit të Ri në restorante nuk lidhet vetëm me menunë, por me paketën e plotë, duke nisur nga ushqimi, pijet e deri tek show, apo akomodimi.