Shumica e zviceranëve tashmë përdorin inteligjencën artificiale

Për herë të parë, më shumë se gjysma e popullsisë zvicerane përdor mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT, sipas studimit të ri Digimonitor të publikuar të martën nga IGEM dhe WEMPF, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë se 60% e banorëve,  rreth 3.8 milion njerëz  përdorin të paktën herë pas here aplikacione të bazuara në inteligjencë artificiale, krahasuar me vetëm 40% një vit më parë. Autorët e studimit e cilësojnë këtë zhvillim si hyrje “në rrjedhë kryesore në kohë rekord”.

Hendeku gjeneracional është i theksuar: 79% e të rinjve nga 15 deri në 34 vjeç përdorin AI, ndërsa vetëm 40% e atyre mbi 55 vjeç e bëjnë këtë. Po ashtu, burrat i përdorin këto mjete dukshëm më shpesh sesa gratë.

Studimi mbulon përdorues të internetit të moshës nga 15 deri në 75 vjeç dhe parashikon që deri në vitin 2025 përdoruesit e AI në Zvicër do të përbëjnë shumicën absolute të popullsisë, transmeton albinfo.ch.

Aargau: Miratohet mocioni për zëvendësimin e parave të gatshme me kartë pagese për azilkërkuesit

Azilkërkuesit në kantonin e Aargaut mund të marrin ndihmat sociale jo më në para të gatshme, por përmes një karte pagese të personalizuar. Të martën, Këshilli i Madh votoi me 74 pro dhe 59 kundër në favor të një mocioni të paraqitur nga SVP dhe FDP, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Qeveria kantonale shprehu gatishmërinë për ta shqyrtuar idenë, por kundërshtoi zbatimin e menjëhershëm. Ajo theksoi se përdorimi i kartës duhet të garantojë lirinë e lëvizjes edhe jashtë kantonit, ndërsa tërheqjet e kufizuara të parave të gatshme duhet të mbeten të mundshme.

Mbështetësit e mocionit argumentojnë se kjo masë do të ndihmojë në kontrollin më të mirë të fondeve të ndihmës sociale, duke reduktuar rrezikun e abuzimit, transferimin e parave për kontrabandistët dhe barrën mbi administratën. “Nuk bëhet fjalë për shkurtime, por vetëm për ndryshimin e metodës së pagesës”, deklaroi një zëdhënës i FDP. SVP nga ana tjetër kritikoi hezitimin e qeverisë dhe kërkoi udhëzime më të qarta në politikën e azilit.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e quajtën nismën të panevojshme dhe të dëmshme. Qeveria theksoi se nuk ka prova për abuzime me ndihmën sociale, duke kujtuar se bëhet fjalë për vetëm dhjetë franga në ditë për çdo azilkërkues. GLP e cilësoi kartën një “pseudo-zgjidhje për një pseudo-problem”, ndërsa Të Gjelbrit dhe SP e përshkruan si një “iniciativë nxitëse dhe boshe”, që do të vështirësonte jetën e përditshme të azilkërkuesve, të cilët nuk do të mund të blejnë më asgjë në tregjet e pleshtave apo dyqanet e dorës së dytë.

Qeveria paralajmëroi gjithashtu për barrën financiare shtesë: kostot e njëhershme për prezantimin e kartës do të arrinin në 170 mijë franga, ndërsa shpenzimet vjetore deri në 500 mijë franga. EVP e cilësoi projektin si një “përbindësh burokratik”.

Kjo është hera e dytë që parlamenti kantonal merret me këtë çështje. Në gusht 2024, një mocion i ngjashëm nga SVP kishte dështuar me vetëm një votë diferencë (69 pro, 68 kundër). Këtë herë, mbështetja e FDP-së i dha shumicën e nevojshme për ta kaluar mocionin, transmeton albinfo.ch.

Aeroporti i Cyrihut rrit fitimin

Operator i Aeroportit të Cyrihut ka raportuar rezultate më të mira financiare për gjysmën e parë të vitit, duke rritur edhe pritshmëritë për periudhën vjetore, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Falë rritjes së trafikut të pasagjerëve, të ardhurat u rritën me 2% në 641 milionë franga. Segmenti i fluturimeve shënoi një rritje prej 4% në 327 milionë CHF, ndërsa të ardhurat nga aktivitetet jo-fluturuese ranë me 1% në 313 milionë CHF. Kostot operative u ulën me 1% në 282 milionë CHF, duke bërë që fitimi operativ (EBITDA) të rritet me 3% në 359 milionë CHF. Fitimi neto arriti në 161 milionë CHF, me një rritje prej 6%.

Kompania theksoi se parashikimet e analistëve u tejkaluan sidomos në aspektin e fitimit. Për vitin 2025, menaxhmenti pret që rekordi i pasagjerëve nga viti 2019 (31.5 milionë) të kapërcehet për herë të parë, duke arritur rreth 32 milionë pasagjerë.

Për vitin aktual, operatori pret që fitimi operativ të jetë pak mbi vitin e kaluar, ndërsa fitimi neto në nivel të ngjashëm. Këto pritje janë përmirësuar nga parashikimet e pranverës, të cilat parashikonin stabilitet për EBITDA dhe një rënie të lehtë të fitimit neto.

Ndërkohë, kompania konfirmoi se aeroporti i saj në Noida, Indi, pritet të hapet së shpejti, transmeton albinfo.ch.

Lozanë: Prokuroria publikon gjetjet e para për vdekjen e 17-vjeçarit

Zyra e Prokurorit Publik të kantonit Vaud ka bërë publike të martën informacionet e para mbi hetimet për vdekjen e Marvin M.*, 17-vjeçarit nga Lozana, i cili humbi jetën të dielën gjatë një ndjekjeje policore, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Deklarata, e bërë në sfondin e tensioneve të mëdha në qytet, synon të qetësojë opinionin publik dhe të hedhë dritë mbi ngjarjen tragjike.

Sipas dëshmive të dy personave që ndodheshin pranë vendngjarjes, Marvin M. mbante helmetë në momentin e aksidentit. Ata thanë se kishin dalë nga automjetet e tyre menjëherë pas përplasjes dhe kishin shkuar te viktima përpara se patrulla e policisë të mbërrinte në vendin e ngjarjes me dritat e sinjalizimit të ndezura.

“Dëshmitë përkojnë dhe tregojnë se kishte një distancë të konsiderueshme mes makinës së policisë dhe skuterit në kohën e aksidentit. Nuk pati asnjë kontakt mes dy mjeteve. Hetuesit besojnë se Marvin M. humbi kontrollin e motoçikletës,” thuhet në njoftim.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se viktima nuk kishte patentë shoferi për kategorinë e skuterit që drejtonte. Sipas pronarit, motoçikleta ishte vjedhur një ditë më parë në Ouchy.

Prokuroria ka urdhëruar analiza shtesë, përfshirë një ekspertizë të dinamikës së aksidentit, ekzaminimin e kutisë së zezë të automjetit të policisë për të përcaktuar shpejtësinë dhe kohëzgjatjen e ndjekjes, si dhe sigurimin dhe analizën e komunikimeve radio të oficerëve. Po ashtu, është urdhëruar autopsia e viktimës.

“Në pritje të rezultateve të plota të hetimit, shpresojmë që ky informacion të ndihmojë në sqarimin e ngjarjes dhe në uljen e tensioneve në mesin e popullatës,” përfundon deklarata e Prokurorisë, transmeton albinfo.ch.

Ambasadori gjerman kritikon mungesën e vullnetit politik në Kosovë për zgjidhjen e krizës parlamentare

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar moskonstituimin e Kuvendit, pas refuzimit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur nënkryetarin nga Lista Serbe. Ai theksoi se mungesa e vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje është e dëmshme për vendin, raporton albinfo.ch.

“Më duket se këtë mëngjes kisha një shpresë të shkurtër që kriza mund të zgjidhej, por në këtë moment nuk duket e mundur. Ndoshta nuk ka mjaft vullnet politik ndër protagonistët për të gjetur një zgjidhje. Kjo është e keqe për Kosovën, sepse shumë fonde janë në lojë dhe na duhen institucione funksionale, si parlamenti dhe qeveria,” tha Rohde për mediat.

Ai shtoi se kriza aktuale po pengon funksionimin normal të institucioneve dhe mund të ketë pasoja për zhvillimin e vendit dhe për përdorimin e fondeve ndërkombëtare, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Alarm rreziku në nivelin katër nga shirat

Pas ditëve me diell dhe temperatura që në disa rajone kanë kaluar 30 gradë Celsius, moti pritet të ndryshojë ndjeshëm duke iu afruar kushteve tipike të vjeshtës, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimit të Zyrës Federale të Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSwiss), e hëna dhe e marta do të karakterizohen nga mot i ngrohtë, me temperatura deri në 25 gradë në ultësira dhe deri në 30 gradë në Bazel. Megjithatë, ndryshimi do të nisë nga nata e së mërkurës, kur priten shira dhe stuhi të forta.

Stuhitë më intensive pritet të ndodhin në jug dhe përgjatë skajit verior e perëndimor të vendit, ku reshjet mund të shoqërohen me vetëtima dhe bubullima të fuqishme. Temperaturat do të fillojnë të bien, duke zbritur rreth 26 gradë të mërkurën dhe në 21 gradë të enjten.

Nga e enjtja, reshjet e dendura do të jenë të pranishme pothuajse në gjithë Zvicrën. Rajonet jugore të Alpeve, veçanërisht Ticino, Lugina Mesox dhe zonat fqinje, mund të përballen me 150 deri në 250 milimetra shi deri të premten pasdite. Në shpatet veriore të Alpeve, Jura, Valais dhe Graubünden priten 50 deri në 100 milimetra reshje, ndërsa në pjesë të tjera të vendit sasitë do të variojnë nga 30 deri në 80 milimetra.

Qeveria federale ka lëshuar paralajmërim për reshje të dendura që do të hyjë në fuqi nga e mërkura në orën 18:00 deri të premten në mesnatë. Niveli i rrezikut 4 (shumë i lartë) vlen për rajone të caktuara të Graubünden, ndërsa niveli 3 është shpallur për disa kantone të tjera, përfshirë Ticino, Uri, St. Gallen dhe Glarus.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik të shtuar nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe ndërprerjet e trafikut, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin zonat pranë lumenjve dhe liqeneve, transmeton albinfo.ch.

Vazhdon bllokada në Kuvend, shkaktar moszgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka ndërprerë të martën seancën plenare pas mungesës së konsensusit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Asnjëri prej kandidatëve të propozuar deri më tani nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për këtë pozitë. Propozimi i fundit ishte ai i kryetarit të Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Ai mori 55 vota për, një kundër dhe 17 abstenime, por rezultati nuk mjaftoi për zgjedhjen e tij si nënkryetar.

Pas dështimit të votimit, kryetari Basha kërkoi ndërprerjen e punimeve të Kuvendit, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

Punëtorët zviceranë duan të zgjedhin se kur do të dalin në pension

Pothuajse dy të tretat e popullsisë zvicerane do të donin më shumë liri për të zgjedhur moshën e daljes në pension, sipas një sondazhi nga Deloitte Switzerland.

Një shumicë e madhe e të anketuarve shprehën gjithashtu rezerva në lidhje me reformat e sistemit të pensioneve të propozuara deri më sot, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në një njoftim për shtyp të lëshuar të martën, firma e auditimit dhe konsulencës deklaroi se 68% e të anketuarve do të preferonin të vendosnin vetë moshën e tyre të daljes në pension sesa t’i nënshtroheshin një limiti prej 65 vjetësh.

Prandaj, studimi propozon fleksibilitet më të madh në moshën e daljes në pension. Në të ardhmen, të gjithë duhet të jenë në gjendje të vendosin vetë se kur duan të dalin në pension.

Sipas anketës, ka pak mbështetje për reformat në sistemin e pensioneve që do të rrisnin barrën financiare mbi punonjësit. Një rritje e kontributeve të punonjësve u refuzua nga një shumicë relative prej 49% e të anketuarve.

Studimi i Deloitte bazohet në një sërë të dhënash dhe në një anketë online të 1 000 personave në të gjithë Zvicrën.

Avdullahu mund të debutojë ndaj Zvicrës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se mesfushori Leon Avdullahu, do të jetë pjesë e grumbullimit për ndeshjet e shtatorit.

Kosova i luan dy ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.

“Dardanët” më 5 shtator luajnë ndaj Zvicrës në Bazel, kurse më 8 shtator kundër Suedisë në Prishtinë, transmeton albinfo.ch.

“Leoni do të jetë në këtë grumbullim”, ka thënë shkurt Ademi.

Ademi të hënën mbrëma njoftoi se mesfushori 21-vjeçar i Hoffenheimit, ka vendosur të luajë për Kosovën.

Vendimi i Avdullahut ka bërë bujë në Zvicër. Ai ka luajtur në grupmoshat e reja të Zvicrës.

Këto janë pritjet që banorët e Cyrihut dhe emigrantët kanë për njëri-tjetrin

Një botim i Cyrihut ka anketuar banorët vendas, si dhe anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, për të zbuluar se si shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe me çfarë sfidash përballen gjatë bashkëveprimit.

Zbulimi kryesor (edhe pse aspak i habitshëm): për emigrantët, “është shumë e vështirë të lidhen me vendasit” dhe “krijimi i miqësive të vërteta është pothuajse i pamundur”.

Arsyeja kryesore, sipas banorëve të Cyrihut, është pengesa gjuhësore, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Të anketuarit e huaj ranë dakord se është një pritje e arsyeshme dhe shumë thanë se flasin pak gjermanisht (ose edhe gjermanisht zvicerane), por vetëm në një nivel bazë.

Kjo është e mjaftueshme për jetën e përditshme, por jo për biseda të thella, pranuan ata.

Lajm i mirë për udhëtarët: këto trena tani janë përsëri në funksionim

Trenat që nuk kanë qenë në qarkullim që nga 27 qershori për shkak të punimeve të mirëmbajtjes në linjën Fribourg-Bern-një nga rrugët më të rëndësishme në Zvicër, pasi lidh pjesët gjermanishtfolëse dhe frëngjishtfolëse të vendit, janë rikthyer në punë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Meqenëse kjo linjë është në shinat e duhura (fjalë për fjalë dhe figurativisht) që nga e hëna, edhe të tjerat që ishin anuluar në këtë seksion janë në funksionim:

IC1 (Aeroporti i Gjenevës-St. Gallen) dhe IR15 (Aeroporti i Gjenevës-Luzern)

RE3 midis Fribourg dhe Düdingen

S2 midis Laupen dhe Bern Europaplatz

Agjenti: Leoni vendosi me zemër dhe identiteti i tij familjar

Mesfushori shqiptar, Leon Avdullahu, ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke refuzuar Zvicrën.

Vendimi i 21-vjeçarit shkaktoi bujë në Zvicër dhe Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Drejtori i kombëtares zvicerane, Pierluigi Tami, reagoi duke thënë: “Dua ta bëj të qartë se ne duam vetëm ata lojtarë në ekipet tona kombëtare që identifikohen njëqind për qind me vendin dhe ekipin tonë kombëtar.”

Agjenti i tij, Sascha Fischer, e shpjegoi zgjedhjen si një vendim personal. “Nuk u mor kundër Zvicrës, por për Kosovën. Leon zgjodhi Kosovën nga bindja, nga zemra e tij dhe nga identiteti familjar.”

Ai shtoi se Avdullahu synon të përdorë reputacionin e tij për ta ndihmuar Kosovën të forcohet në futbollin evropian: “Ai dëshiron të përdorë emrin, cilësinë dhe reputacionin e tij për të bërë një ndryshim  për të ndihmuar një shoqatë dhe një komb të vendoset në futbollin evropian.”

Avdullahu pritet të debutojë për Kosovën në fillim të shtatorit,  pikërisht kundër Zvicrës, në kualifikueset e Botërorit 2026.

Kush është Dimal Basha, kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër, ndërsa tre deputetë abstenuan, transmeton albinfo.ch.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.

Kush është Dimal Basha?

Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Pse Posta Zvicerane ka ndaluar dërgimin e mallrave në SHBA

Në fund të korrikut, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund një përjashtimi global nga tarifat për mallrat e dërguara në Shtetet e Bashkuara.

Nga 29 gushti, urdhri ekzekutiv do të heqë limitin e përjashtimit prej 800 dollarësh amerikanë për mallrat e importuara në SHBA, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa synon të ndalojë dërgesat e mallrave të lira nga Kina dhe tregje të tjera, masa në fund të fundit prek këdo që dëshiron të dërgojë mallra te miqtë ose të afërmit në SHBA.

Prandaj, nga e marta, 26 gusht, Posta Zvicerane do të ndalojë përkohësisht pranimin e dërgesave në Shtetet e Bashkuara.

Edhe vende të tjera në Evropë dhe në mbarë botën, përfshirë fqinjët e Zvicrës, Francën dhe Gjermaninë, po marrin këto masa.

Ja çfarë duhet të dini

“Pa këtë limit përjashtimi, çdo dërgesë mallrash,  pavarësisht madhësisë apo vlerës – duhet të deklarohet dhe të zhdoganohet në doganat e SHBA-së,” tha Posta Zvicerane në një njoftim për shtyp më 25 gusht.

Për ta komplikuar më tej çështjen, SHBA-të po prezantojnë gjithashtu rregulla të reja zhdoganimi, të cilat do të jenë të ndryshme nga rregulloret e Unionit Postar Universal të zbatuara më parë.

Tani, do të duhet të paguani paraprakisht të gjitha detyrimet doganore para se të dërgoni mallrat në SHBA.

Kjo masë prek jo vetëm klientët në Zvicër, por edhe gjetkë në botë.

Megjithatë, “çështjet e rëndësishme që lidhen me përgjegjësinë dhe zbatimin e rregullave të reja janë ende të pazgjidhura. Për këtë arsye, Posta Zvicerane, ashtu si kompanitë e tjera postare, është e detyruar të ndalojë pranimin e dërgesave të mallrave në SHBA për momentin.”

Posta Zvicerane tha gjithashtu se vendosi ta zbatojë këtë masë “në konsultim të ngushtë” me autoritetet, pasi është në pronësi të qeverisë.

Çfarë ju pret më pas?

Për momentin nuk do të jeni në gjendje të dërgoni pako në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, letrat (përfshirë dokumentet dhe certifikatat zyrtare), si dhe artikujt ekspres të dërguar nëpërmjet URGENT Express International me FedEx Express Swiss Post GmbH nuk preken nga vendimi për të ndaluar pranimin e dërgesave me destinacion SHBA-në.

Ende nuk dihet se sa do të zgjasë ky pezullim.

Megjithatë, “Posta Zvicerane po shqyrton të gjitha opsionet për të siguruar që ky pezullim të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që dërgesat e mallrave të mund të dërgohen përsëri në SHBA”, tha kompania.

Në veçanti, dërgesat e dhuratave midis individëve privatë deri në një vlerë prej 100 dollarësh amerikanë (rreth 80 franga aktualisht) “duhet të jenë në gjendje të dërgohen përsëri sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Posta Zvicerane po punon gjithashtu intensivisht mbi mundësi të tjera që lejojnë dërgimin e dërgesave të mallrave në SHBA jashtë kanalit ndërkombëtar postar”, tha ajo.

Roger Federer, është zyrtarisht miliarder

Me paratë e fituara nga çmimi, Federer ka grumbulluar rreth 1.31 miliardë CHF (1.05 miliardë dollarë).

Kontratat fitimprurëse të reklamave dhe aksionet e Federer në markën e këpucëve On e kanë rritur pasurinë e atletit zviceran në mbi një miliard dollarë, shkroi Forbes, siç raportoi të hënën portali zviceran i lajmeve Watson.ch.

Sipas Forbes, atletë të tjerë aktivë ose ish-atletë që janë bërë miliarderë përfshijnë basketbollistin LeBron James, lojtarin e golfit Tiger Woods dhe futbollistët Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Atleti i parë i lartë që grumbulloi një pasuri prej më shumë se një miliard dollarësh ishte rumuni Ion Tiriac. Ai e theu barrierën në vitin 2007.

Me investime në prona, shitës makinash dhe shërbime financiare, ish-tenisti tani ka një pasuri neto të vlerësuar prej 2.3 miliardë dollarësh.

Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër, ndërsa tre deputetë abstenuan. Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër, transmeton albinfo.ch.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë.

Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.

Policia zvicerane gjen telefonin për ju në Liqenin e Cyrihut, por me një kosto

Nëse e humbni telefonin tuaj celular në Liqenin e Cyrihut – policia do ta gjejë atë për ju, kundrejt një pagese.

Kjo ndodhi të shtunën: një vajzë adoleshente e hodhi telefonin e saj në thellësi – ajo telefonoi policinë, e cila mbërriti me një varkë me drita dhe sirena.

Një oficer veshi një kostum uji, u zhyt nën valë dhe e nxori telefonin në sipërfaqe, transmeton albinfo.ch.

Kostoja e kësaj: 135.25 CHF.

Është një shërbim që ofron policia – dhe ata marrin rreth 2 telefona në ditë.

Tarifat amerikane godasin bizneset e vogla

Vetëm dy javë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 39% për mallrat zvicerane, kompanitë tashmë po e ndiejnë ndikimin.

Gati 10% kanë pezulluar plotësisht eksportet në SHBA dhe të tjerat po shqyrtojnë uljen e prodhimit ose zhvendosjen në BE, transmeton albinfo.ch.

Sipas një ankete nga shoqata e industrisë Swissmechanic, katër nga dhjetë firma të vogla dhe të mesme në sektorët mekanikë, elektrikë dhe të përpunimit të metaleve po regjistrojnë humbje.

Presioni është intensifikuar këtë javë pasi Doganat e SHBA-së riklasifikuan më shumë se 400 komponentë, duke i rritur tarifat në 50%.

A e prishi Keller-Sutter telefonatën me Trump?

Zvicra ka një nga tarifat më të këqija të importit të SHBA-së në botë – dhe burime të brendshme në Uashington thonë se ishte qëndrimi i presidentes zvicerane, Karin Keller-Sutter, gjatë një telefonate 34-minutëshe që duhej fajësuar.

Sipas një hetimi nga gazeta Blick, Keller-Sutter e poshtëroi Trump duke korrigjuar disa nga shifrat e tij dhe duke i dhënë një kurs intensiv në ekonomi dhe politikë.

Personat e brendshëm thonë se ai e mori këtë shumë personalisht dhe u ankua te ndihmëset e tij se “ajo nuk më dëgjoi”.

Me sa duket, pasi telefonata mbaroi, ai i tha stafit të tij se nuk donte të fliste më kurrë me të, transmeton albinfo.ch.

Zyra e Keller-Sutter po refuzon të komentojë drejtpërdrejt në lidhje me telefonatën, por thotë se nuk ka prova për një mosmarrëveshje personale.

Lëshohet për qarkullim njëra nga urat mbi lumin Ibër

Kanë përfunduar punimet në njërën nga urat që ishin duke u ndërtuar mbi lumin Ibër.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi, ka publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët për këtë urë.

“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar Durmishi mbi videon e publikuar në Facebook.

Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.

Reagimi nga Federata Zvicerane për vendimin e Avdullahut

Vendimi i Leon Avdullahut të përfaqësojë Kosovën para Zvicrës ka bërë bujë në dy vendet.

Ai vendosi për Kosovën para Zvicrës, ndërsa është i pari lojtar që kishte mundësinë e paraqitjes për helvetikët e që vendosi për “Dardanët”.

Në mars Avdullahu ishte kapiten i Zvicrës U21, transmeton albinfo.ch.

Në federatën zvicerane janë të dëshpëruar me vendimin e futbollistit të Hoffenheimit.

“Ne i duam në përfaqësuese vetëm ata lojtarë që identifikohen 100 për qind me vendin dhe kombin tonë”, ka thënë Pierluigi Tami, drejtor i ekipit nacional zviceran.