Fshati zviceran i rrënuar nga rrëshqitja e dheut, shumë i rrezikshëm për t’u rindërtuar tërësisht

Pesë muaj e gjysmë pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Blatten në kantonin Valais, është bërë përshtatja e hartës së rreziqeve natyrore. Fshati Ried nuk mund të rindërtohet dhe 70% e komunës Blatten në Lötschental është në zonën e kuqe të rrezikut, në të cilën nuk mund të ndërtohet.

Rrëshqitja e dheut më 28 maj ndryshoi rrënjësisht situatën në lidhje me rreziqet natyrore në vendbanimin Blatten dhe në veçanti në ish-qendrën e fshatit dhe Ried, sipas një deklarate nga Kancelarja e Shtetit Valais, shkruan swissinfo. Në bazë të hartave të rishikuara të rreziqeve, komuna në Valais të Epërme mund të fillojë të rishikojë planifikimin e saj të përdorimit të tokës, transmeton albinfo.ch.

Këto harta të rishikuara të rreziqeve përfshijnë të gjitha rreziqet gravitacionale natyrore, siç janë përmbytjet dhe erozioni i brigjeve, rrjedhjet e mbeturinave, rrëshqitjet e dheut, rënia e shkëmbinjve dhe gurëve, rënia e shkëmbinjve dhe gurëve, ortekët dhe rreziqe të tjera, siç janë valët impulsive dhe shembjet e akullnajave. U analizuan gjithashtu zinxhirët e proceseve, siç është një rrëshqitje dheu ose një rrjedhë mbeturinash me kthim prapa të lumit Lonza.

Përurohet droni i parë “Made in Kosova”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot për përurimin e dronit “Skifteri” të prodhuar në Gjilan nga kompania “Future Minds Academy”.

Sipas tij, përveç furnizimeve nga jashtë, tash Kosova po prodhon vetë dronët e parë.

“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR. ‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Kurti ka premtuar se pas furnizimeve me dronët “Bayraktar TB-2”, “Puna” dhe “Skydagger”, do të vazhdojnë investimet për mbrojtje e siguri por edhe ngritje të kapaciteteve dhe prodhimtarisë.

Në kufirin shqiptaro-grek zbulohet rrjeta më e madhe e merimangave në botë

Një studiues nga Republika Çeke ka zbuluar atë që po raportohet se është rrjeta më e madhe e merimangave në botë, brenda një shpelle në kufirin shqiptaro-grek.

Sipas studimit, kolonia “e jashtëzakonshme” përbëhet nga një rrjetë kolosale në një zonë gjithmonë të errët të shpellës, shkruan revista Subterranean Biology.

Rrjeta ka një sipërfaqe prej 106 metra katrorësh përgjatë murit të një kalimi të ngushtë pranë hyrjes së shpellës. Është një mozaik i mijëra rrjetave individuale, në formë hinke, siç konstatuan studiuesit teksa kjo është prova e parë e sjelljes koloniale të merimangave të zakonshme dhe ka të ngjarë të jetë më e madhja në botë, tha autori kryesor i studimit István Urák, një profesor i asociuar i biologjisë në Universitetin Hungarez Sapientia të Transilvanisë në Rumani, transmeton albinfo.ch.

“Bota natyrore ende mban surpriza të panumërta për ne. Nëse do të përpiqesha t’i shprehja me fjalë të gjitha emocionet që më përshkuan kur pashë rrjetën, do të theksoja admirimin, respektin dhe mirënjohjen. Duhet ta përjetosh live për të ditur vërtet ndjesinë”, tha Urak për Live Science.

“Megaqyteti” i merimangave ndodhet në Shpellën e Sulfurit, një shpellë që u zbraz nga acidi sulfurik i formuar nga oksidimi i sulfurit të hidrogjenit në ujërat nëntokësore. Ndërsa studiuesit zbuluan informacione të reja joshëse rreth kolonisë së merimangave të Shpellës së Sulfurit, ata nuk ishin të parët që panë rrjetën gjigante.

Shpellat e Shoqërisë Speleologjike Çeke e zbuluan atë në vitin 2022 gjatë një ekspedite në Kanionin Vromoner. Një ekip shkencëtarësh vizitoi shpellën më pas në vitin 2024, duke mbledhur ekzemplarë nga rrjeta që Urák i analizoi para se të shkonte në ekspeditën e tij në Shpellën e Sulfurit.

Kjo analizë zbuloi se dy lloje merimangash jetojnë në koloni: Tegenaria domestica, e njohur si merimanga shtëpiake dhe merimanga Prinerigone vagans. Gjatë vizitës së tyre në shpellë, Urák dhe kolegët e tij vlerësuan se kishte rreth 69,000 ekzemplarë të T. domestica dhe më shumë se 42,000 të P. vagans. Analizat e ADN-së për hulumtimin e ri konfirmuan gjithashtu se këto janë speciet dominuese në koloni, tha Urák.

Kolonia e merimangave të Shpellës së Squfurit është një nga më të mëdhatë e dokumentuara ndonjëherë, dhe speciet e përfshira nuk dihej më parë të mblidheshin dhe bashkëpunonin në këtë mënyrë, tha Urák.

Trump përjashton Hungarinë nga sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus për një vit

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një përjashtim njëvjeçar për Hungarinë nga sanksionet amerikane që ndalojnë importin e naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për mediat ndërkombëtare. Vendimi u bë publik pas takimit të Trump me kryeministrin hungarez Viktor Orbán në Uashington të premten, përcjell albinfo.ch.

Sipas Reuters dhe The Guardian, përjashtimi i jep Hungarisë të drejtën të vazhdojë blerjet e energjisë nga Rusia për një periudhë dymbëdhjetëmujore, ndërsa vendi do të blejë gjithashtu rreth 600 milionë dollarë gaz natyror amerikan si pjesë e marrëveshjes. Një zyrtar i administratës tha për BBC News se përjashtimi është “i kufizuar në kohë” dhe se do të rishqyrtohet pas një viti.

Trump e arsyetoi vendimin duke thënë se “është shumë e vështirë për Hungarinë, një vend pa dalje në det, të sigurojë energji nga burime të tjera”, ndërsa shtoi se e kupton “situatën unike gjeografike dhe ekonomike” të Budapestit.

Ky zhvillim shënon një fitore të madhe për Orbánin, i cili prej kohësh ka kërkuar që Hungaria të mos përfshihet në kufizimet energjetike ndaj Moskës. Kryeministri hungarez e ka justifikuar bashkëpunimin me Rusinë si “një realitet fizik, jo ideologjik”, duke theksuar se tubacionet që furnizojnë vendin me energji “nuk janë politike”.

Sipas Politico, vendimi i Trump rrezikon të krijojë përçarje me aleatët evropianë të SHBA-së, veçanërisht me vendet që kanë ndjekur me përpikëri embargon ndaj naftës dhe gazit rus pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, të dy udhëheqësit diskutuan edhe për konfliktin në Ukrainë. Orbán deklaroi se “vetëm Hungaria dhe Shtetet e Bashkuara duan vërtet paqe”, ndërsa Trump vlerësoi se kryeministri hungarez “e kupton shumë mirë” presidentin rus Vladimir Putin.

Hungaria importon aktualisht rreth 86 për qind të naftës së saj nga Rusia, sipas të dhënave të Reuters, dhe ekonomia e saj është ndër më të varurat nga energjia ruse në Bashkimin Evropian.

Vendimi i ri pritet të shkaktojë reagime të forta në Bruksel dhe në disa kryeqytete evropiane, të cilat e kanë kritikuar prej kohësh qëndrimin e Orbánit ndaj Moskës dhe lidhjet e ngushta me Trumpin.

Gjashtë të vdekur nga zjarri në një depo parfumesh në Turqi

Në rajonin e Dilovası të qytetit Kocaeli, në një magazinë parfume, ka shpërthyer një zjarr, duke marrë jetën e gjashtë personave, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka nxitur reagime të menjëhershme nga autoritetet.

Zjarri raportohet se kishte filluar rreth orës 09:00 në një depo që ndodhet në lagjen Mimar Sinan Mahallesi.

Zjarrfikësit u vunë menjëherë në funksion, ndërsa tymi i dendur mbuloi zonën për disa orë, duke e bërë evakuimin dhe ndërhyrjen më të vështirë.

Ekipet e zjarrfikësve, shëndetësisë dhe policisë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes. Pas një përpjekjeje intensive për fikjen e flakëve, në ambientet e magazinës u gjetën gjashtë trupa të pajetë, ndërsa disa pjesë të ndërtesës ishin shkatërruar plotësisht nga zjarri.

Përveç viktimave, katër persona të tjerë u plagosën, dhe njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autoritetet turke kanë nisur hetimet penale dhe administrative për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të kuptuar rrethanat e ngjarjes. Hetimet pritet të përfshijnë inspektime të ndërtesës, intervista me dëshmitarët dhe analiza të sigurisë së magazinës.

Ngjarja ka ngjallur shqetësim të madh për sigurinë në magazinat e ngjashme në rajon, duke shtuar presionin mbi autoritetet për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen.

Balotazhi, probleme me zarfet e votimit në diasporë

Votimi me asistencë në Kosovë dhe zarfet me postë që nuk janë arritur mjaftueshëm tek diaspora ishin tema të nxehta në mbledhjen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

KQZ në fillim të mbledhjes së rregullt, ka vendosur për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik. Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.

Këto rezultate mund t’i gjeni këtu: https://kqz-ks.org/rezultatet/zgjedhjet-per-kryetare-te-komunave/

Në vazhdim të mbledhjes u prezantua një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Në mbledhje u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces i cili është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendra Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit; kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje e Policisë së Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.

Ndërkohë, anëtari i KQZ-s nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi ka ngritur çështjen e votimit me asistencë dhe vonesës së dërgimit të fletëvotimeve në adresat e diasporës.

“Kemi shumë kërkesa ose ankesa që nuk kanë mbërri fletëvotimet nëpër adresa përkatës dhe ky është problem i postës dhe jo problem i jon i brendshme”, tha ai.

Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Besnik Buzhala, tha se nuk kanë informata se sa do të jetë numri i fletëvotimeve që nuk kanë arritur me kohë tek diaspora.

“Kemi konstatuar se ekzistojnë vonesa në dërgimin e dërgesave postare, të cilat vonesa kanë të bëjnë kryesisht në shtet skandinave…të dhënat e sakta do t’i dimë pasi t’i tërheqim”, tha ai.

Anëtari i KQZ-s nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi tha se votimi me asistencë pa dëshmuar me dokument nuk lejohet.

“Ta hetojnë këtë rast deri në fund sepse nuk mundemi ndryshe me u pastruar prej një ndërmarrje kriminale e cila na ka sjell mira vota me asistencë të njerëzve që janë shëndosh si molla, por të cilëve iu është blerë apo shantazhuar vullneti prej grupeve politike dhe parapolitike nëpër vendvotime dhe fatkeqësisht po ndodh nëpër zonat rurale”, tha ai.

Krasniqit i ka reaguar Gashi duke thënë se ka përpjekje për të votuar të drejtën e votimit, derisa ka .

Ndërkohë, anëtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se numri i personave me nevoja të veçanta dhe analfabet, po del se është shumë më i lartë gjatë votimit, gjë që po ndodhin pastaj votimi i asistuar.

“Çdo votë me asistencë në Republikën e Kosovës është korrupsion dhe vjedhje, çdo votë, askush nuk ka të drejt të hyjë në kabinë”, tha ai.

Derisa Kurteshi dhe anëtarët e PDK-së, Arianit Elshani akuzuan njëri tjetrin për trenin bullgarë, akuza pati edhe për votat me asistencë.

“Nuk shkon kështu, kolegu ka kërkuar mos të bëhet hulumtimin e votave me asistencë sepse është pjesë e kësaj pjese. Numrat nuk i ndryshon askush. Statistikat i kemi të miratuara dhe jam duke folur me statistika…58. 584 votues kanë votuar me asistencë në zgjedhjet lokale 2017, 55. 961 kanë votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në vitin 2019. A e dini sa është sot, në 19 komuna është 9 mijë”, tha ai.

Sami Hamiti nga LDK u ndal te dërgimi i fletëvotimeve te mërgata.

“Statistikisht po të shihet me numra situata nuk është e mirë se deri më 6 nëntor te pranuesit janë shkuar 15. 270 zarfe që në statistika i bie 52 % kanë mbërri, në proces janë 5140, dje ditë e premte, sot postat nuk punojnë. Problemi është se në shtetet skandinave nuk kanë mbërrijë ende”, tha ai.

Në gjithsejtë 29.725 votues nga jashtë Kosovës nga raporti që kanë marrë dje , tek votuesit kanë mbërri 20.033 zarfe me fletëvotime ose 68% e votuesve kanë marrë zarfet me fletëvotime. Ndërkohë, 3170 votuesve nuk kanë qenë në shtëpi në momentin që i ka shkuar zarfi.

Mbledhja e KQZ-së aktualisht është në pauzë.

Ardon Jashari pritet të rikthehet sot në fushë me Milanin

Massimiliano Allegri më në fund mund ta mirëpresë Ardon Jasharin përsëri në fushë, ndërsa trajneri i Milanit përgatitet t’i japë mesfushorit zviceran minuta në ndeshjen e së shtunës në Serie A kundër Parmës, përcjell albinfo.ch.

Jashari iu bashkua Milanit në verë me pritshmëri të larta, por një frakturë e fibulës në fillim të sezonit vonoi progresin e tij

Tani i rikuperuar plotësisht dhe i rikthyer në stërvitje të plotë për më shumë se një javë, Jashari ishte në stol kundër Romës: një shenjë e qartë se rikthimi i tij është afër.

Sipas Gazzetta dello Sport, Allegri po mendon ta përdor Jasharin në ndeshjen ndaj Parmas.

Mesfushori, i njohur për gamën e tij të pasimeve dhe dinamizmin në mesfushë, pritet të rikthehet lehtësisht në rotacion së bashku me Luka Modric, Samuele Ricci dhe Fofana.

Pushimi i ardhshëm i ndeshjeve ndërkombëtare do t’i japë gjithashtu kohë Jasharit për të rifituar mprehtësinë dhe për t’u sistemuar në sistemin e Milanit përpara një axhende të ngjeshur dimërore.

Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës

Më 2 nëntor 2025, në Tafers të Kantonit të Friburgut, u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së Xhamisë Shqiptare, një ngjarje që i kaloi kufijtë e një inaugurimi fetar dhe u shndërrua në simbol të bashkëjetesës, respektit dhe dinjitetit ndërkulturor.

Kryetari i xhamise z. Bedrudin Saduloski duke u intervistuar nga gazetarja e Albinfo.ch, znj. Luljeta Ademi

Në këtë ditë të mbushur me emocion, dritë dhe reflektim, u ndje fuqishëm se ndërtimi i kësaj xhamie nuk ishte vetëm ngritje e mureve, por ndërtim i një hapësire shpirtërore që bashkon besimin me kulturën, rrënjët me integrimin dhe shqiptarët me shoqërinë zvicerane.

Ngjarja, e organizuar nga Bashkësia Kulturore Islame Shqiptare e Friburgut, u karakterizua nga një harmoni shembullore në çdo detaj. Programin e moderoi me një artikulim dhe diksion të pastër gjuhësor si në shqip ashtu edhe në gjermanisht prezantuesja Nadire Mustafi, hulumtuese në Universitetin e Friburgut, e cila i dha ceremonisë një ton solemn dhe përfshirës. Atmosfera e mikpritjes u ndje që në hyrje: xhamia e re, me arkitekturë moderne dhe dritë natyrale, më shumë i ngjante një qendre shpirtërore dhe kulturore bashkëkohore, ku çdo hapësirë ishte menduar për t’i shërbyer komunitetit, nga salla e faljes, te biblioteka, këndi i fëmijëve, ambientet arsimore dhe restoranti në katin përdhes, ku pas ceremonisë u shërbye ushqim tradicional shqiptar, i përgatitur me dashuri nga gratë e xhamisë. Aroma e byrekut dhe e ëmbëlsirave të vendlindjes i bashkoi të gjithë në një ndjenjë familjare që e kalonte gjuhën dhe kulturën.

 

z. Jean-François Steiert, President i Këshillit të Shtetit dhe Drejtor për Zhvillim Territorial, Infrastruktura dhe Mjedis në Kantonin e Friburgut

Pjesëmarrësit ishin të shumtë dhe të larmishëm, përfaqësues të institucioneve zvicerane, të komuniteteve fetare, akademikë, imamë, teologë, sportistë dhe qytetarë nga e gjithë Zvicra. Ndër ta, Jean-François Steiert, President i Këshillit të Shtetit dhe Drejtor për Zhvillim Territorial, Infrastruktura dhe Mjedis në Kantonin e Friburgut, mbajti një fjalim të ngrohtë e reflektues mbi bashkëjetesën ndërfetare: “Ndërtimi i një shtëpie të Zotit kërkon gjithmonë durim dhe përkushtim. Kjo xhami është më shumë se një objekt, është një qendër bashkimi, ku feja, kultura dhe komuniteti jetojnë në harmoni. Friburgu është një kanton i larmishëm, jo vetëm për shumëgjuhësinë e tij, por edhe për mozaikun fetar që e pasuron. Të gjitha fetë, pavarësisht formës, kanë një thelb të përbashkët – përulësinë, respektin për jetën dhe dëshirën për të bërë mirë. Kjo xhami është simbol i kësaj fryme.”

Kryetari i xhamisë, z. Bedrudin Saduloski

Në fjalën e tij, kryetari i xhamisë, Bedrudin Saduloski, theksoi se ky projekt ishte fryt i një pune të përbashkët e të qëndrueshme: “Sot nuk po hapim vetëm një ndërtesë, por një shtëpi të besimit dhe të bashkëjetesës. Kjo xhami është rezultat i qindra orëve vullnetare, i durimit dhe i përkushtimit të brezave që ndërtuan një vatër shpirtërore për të ardhmen.”

Hfz. Liridon Ziberi, imami i xhamisë

Imami i xhamisë, Hfz. Liridon Ziberi, në fund të fjalimit të tij, shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që e bënë të mundur ndërtimin e kësaj vepre të përbashkët. Ai kujtoi me respekt themeluesit e parë të xhamisë shqiptare në Friburg, të cilët, plot 29 vite më parë, hodhën themelet e para të kësaj bashkësie: “Falënderimi u takon të gjithë donatorëve, kryesisë së vjetër që nisi rrugën dhe asaj të tanishme që e çoi deri në fund këtë projekt madhështor. Mirënjohje e veçantë për ata burra të devotshëm që para gati tri dekadash e themeluan xhaminë e parë shqiptare në Friburg, zanafilla e gjithçkaje që po gëzojmë sot.”

Znj.Mualja Medziti, teologe

Një nga momentet më prekëse ishte fjalimi i teologes Mualja Medziti, e cila me thellësi shpirtërore solli kujtesën e përpjekjeve të grave në këtë rrugëtim: “Kjo xhami është dëshmi se pas çdo vështirësie, Zoti sjell dritë dhe mëshirë. Këtu do të dëgjohet zëri i Kuranit, do të rriten breza me dije dhe moral. Gratë janë shtylla e çdo ndërtimi shpirtëror, sepse në duart e nënave fillon edukimi i brezit.”

Nga ana e tij, Mirhat Medziti, inxhinieri i projektit dhe sekretar i xhamisë, kujtoi me emocion se gjithçka kishte nisur nga një ëndërr e pesë shqiptarëve në Friburg, që prej vitit 1996 dëshironin të krijonin një hapësirë ku të ruhej feja, gjuha dhe kultura shqiptare. “Sot, ajo ëndërr u bë realitet dhe është simbol i paqes, bashkimit dhe identitetit tonë.”

Sherif Tupani, ish kryetar i xhamisë dhe inicues i blerjes së objektit

Një moment i ngrohtë ishte edhe fjalimi i Sherif Tupanit, ish kryetar dhe iniciator i blerjes së objektit: “Sot është një ditë krenarie për të gjithë ne. Kjo vepër është ndërtuar mbi themele mirësie e përkushtimi. Le ta ruajmë këtë frymë vëllazërie që na bashkoi – sepse kështu na mëson Islami: të jemi bashkë, unikë dhe solidarë në çdo hap të jetës.”

Imam Fehim ef. Abazi, zv.Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës

Në fund të ceremonisë, Imam Fehim ef. Abazi, në emër të Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, falënderoi autoritetet zvicerane për mbështetjen dhe mirëkuptimin: “Kjo xhami nuk është vetëm vend faljeje, por qendër edukimi dhe solidariteti. Ne e nderojmë mikpritjen e Zvicrës me punë të ndershme dhe me respekt për ligjin. Zoti e bekoftë këtë vend dhe popullin shqiptar.”

Jakup Mexhiti, një ndër anëtarët më të vjetër të xhamisë

Pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova ndanë emocionet e tyre për këtë ditë historike. Jakup Mexhiti nga Shkupi tha me mall: “Kjo nuk është vetëm një xhami, por një qendër bashkimi për shqiptarët, një vend ku çdo njeri ndihet në shtëpi.” Ndërsa besimtari Milaim Derguti nga Kosova shtoi: “Pas pesë vitesh ndërtim, sot kemi shtëpinë tonë të lutjes, vetëm pak metra larg shtëpive tona. Është një ndjenjë e veçantë që fjalët nuk e përshkruajnë dot.”

Nadire Mustafi, hulumtuese në Universitetin e Friburgut ka bërë moderimin e aktivitetit

Ceremonia u përmbyll me një atmosferë festive, ku gratë e bashkësisë përgatitën një aperitiv tradicional, duke e kthyer fundin e ditës në një festë të ngrohtë miqësie dhe solidariteti. Në çdo fytyrë shihej krenaria e qetë e një komuniteti që, mes dy kulturave, ndërton ura, jo mure.

Xhamia Shqiptare e Tafersit tashmë është më shumë se një vend faljeje – ajo është një pikëtakim i kulturave, një hapësirë ku drita e fesë dhe e dijes ushqen bashkëjetesën, ku rrënjët shqiptare gjejnë vend në tokën mikpritëse të Zvicrës. Është dëshmi e një kapitulli të ri të historisë shqiptaro-zvicerane: një urë mes identitetit dhe integrimit, mes shpirtit dhe bashkësisë.

📸 Fotografitë nga ceremonia janë realizuar nga mjeshtri i fotografisë Rromir Imami. Galeria e plotë e fotografive të evenimentit, gjindet këtu: Galeria e hapjes së Xhamisë së Fribourgut

Zvicra drejt parkut të ri diellor alpin, projekti merr dritën jeshile

Një hap i rëndësishëm është bërë drejt realizimit të parkut diellor alpin prej 54,000 metrash katrorë, i planifikuar të ndërtohet pranë Liqenit Gries (VS), poshtë Qafës Nufenen. Projekti ka marrë dritën jeshile për lejen e ndërtimit, por ende duhet të rishikohet nga autoritetet federale në Bernë, përcjell albinfo.ch.

Zona përreth Liqenit Gries tashmë karakterizohet nga prania e katër turbinave me erë përgjatë rrugës Nufenen dhe digës së Gries me rezervuarin e saj. “Ka shumë pak vende në Zvicër ku tre burime energjie – dielli, era dhe uji – ndodhen kaq afër njëra-tjetrës”, thekson Stéphane Maret, Drejtor i Përgjithshëm i Forcave Motorike të Valais (FMV).

Sipas tij, kjo veçori unike shpjegon entuziazmin e gjerë që ka shoqëruar projektin, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë EnAlpin dhe komunën e Obergoms (VS).

Heshtje zgjedhore edhe në Shqipëri, nesër votohet në 5 bashki

Nesër, 334,539 qytetarë në pesë bashki të Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Për garantimin e mbarëvajtjes së procesit, Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash. Në këto pesë bashki, janë marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku ndodhen komisionet e KZAZ-ve, si dhe 473 qendra votimi.

Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen për mbrojtjen e objekteve dhe transportin e materialeve zgjedhore. Policia u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast që synon të ndikojë apo manipulojë votën e tyre.

Numri i votuesve me të drejtë vote është rreth 172 mijë në Vlorë, mbi 82 mijë në Berat, rreth 39 mijë në Cërrik, 29 mijë në Mat dhe 12,600 në Tepelenë.

Partia Demokratike dhe opozita nuk kanë paraqitur kandidatë nën siglën e tyre, por kanë shpallur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur që do të përballen me kandidatët socialistë dhe disa emra të tjerë.

Në Vlorë, kandidatja e PS-së, Brunilda Mersini — e cila hoqi dorë nga mandati i deputetes për të garuar për kryebashkiake — do të përballet me Dionis Sotën, i mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak nën siglën e Partisë Demokratike.

KQZ shpërndan fletëvotimet për balotazhin e 9 nëntorit

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky material është dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komunat ku të dielën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Referuar planifikimeve nga KQZ, fletëvotimet do të shpërndahen në Qendra të Votimit të dielën në mëngjes, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas vendimit të KQZ-së, kanë shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve të aprovuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinjë që kanë mbushin 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.

Këta janë gjashtë biznesmenët zviceranë që takuan Trumpin

Gjashtë drejtues të disa prej kompanive më të mëdha zvicerane u takuan të martën në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, në një nismë private që synon të hapë rrugën për një marrëveshje mbi tarifat doganore amerikane prej 39%, të vendosura rishtazi ndaj eksporteve zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Të mërkurën në mbrëmje, pjesëmarrësit zbuluan identitetin e tyre në një deklaratë të përbashkët. Në krye të grupit qëndron Alfred Gantner, miliarder nga Zugu dhe bashkëthemelues i kompanisë së investimeve Partners Group, së bashku me Daniel Jaeggi, drejtues i gjigantit të tregtimit të mallrave Mercuria. Dy kompanitë kanë premtuar investime prej mbi 6 miliardë dollarësh në sektorin amerikan të energjisë — një gjuhë që, siç thuhet, “e kupton mirë Trump”.

Në takim morën pjesë gjithashtu Johann Rupert, kryetar i Richemont, dhe Jean-Frédéric Dufour, drejtues i Rolex, dy figura të njohura të industrisë së luksit. Rupert është një nga miliarderët më të mëdhenj të Afrikës së Jugut, ndërsa Dufour ishte parë më herët duke biseduar me Trump në US Opennë shtator. Pjesë e delegacionit ishin edhe Diego Aponte, president i kompanisë detare MSC, dhe Marwan Shakarchi, drejtues i rafinerisë së arit MKS PAMP, e cila operon edhe në Mendrisiotto të Zvicrës.

Të dyja palët e përshkruan takimin si pozitiv dhe konstruktiv, megjithëse përfaqësuesit zviceranë nuk kishin mandat zyrtar negociues. Vlen të theksohet se në takim mungonin përfaqësues të industrisë kimike dhe farmaceutike, sektorë që mbeten më të prekurit nga tarifat amerikane dhe burim kryesor i deficitit tregtar të SHBA-së me Zvicrën – një çështje veçanërisht e ndjeshme për administratën Trump.

Nisma shihet si pjesë e një strategjie diplomatike joformale nga ana e Zvicrës, pas dështimit të bisedës telefonike mes presidentes federale Karin Keller-Sutter dhe Trumpit, që përfundoi me vendosjen e tarifave më 1 gusht.

Në këtë zhvillim, pozitiv mbetet rikthimi në skenë i Jamieson Greer, Përfaqësues i Tregtisë i SHBA-së, i njohur për qasjen e tij më bashkëpunuese ndaj Konfederatës Zvicerane. Ai pritet të vazhdojë diskutimet me liderët e biznesit zviceran dhe të përgatisë terrenin për një takim të mundshëm zyrtar – ndoshta në janar, kur Donald Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kosovare Asllani lavdërohet nga legjenda Ian Wright: Një befasi e jashtëzakonshme

Një përballje e madhe pritet këtë fundjavë në Women’s Super League mes Chelseat dhe skuadrës surprizë të sezonit, London City Lionesses. Para këtij dueli, futbollistja shqiptare me famë botërore, Kosovare Asllani, është vlerësuar si “befasia më e madhe e kampionatit” nga legjenda e Arsenalit, Ian Wright, transmeton albinfo.ch.

“Asnjëherë nuk e merr si të mirëqenë kur njerëzit e vlerësojnë punën tënde. Ndihem shumë mirënjohëse,” – tha Asllani për SVT Sport pas komenteve të Wrightit.

Ian Wright, i cili gjatë viteve 1991–1998 shënoi 185 gola në 288 ndeshje për Arsenalin dhe sot është analist i njohur televiziv, e përmendi Asllanin si lojtaren që e ka befasuar më së shumti këtë sezon në Women’s Super League.

Pas pesë fitoreve dhe një barazimi, Chelsea – me Nathalie Björn dhe Johanna Rytting Kaneryd në përbërje – kryeson tabelën, ndërsa Kosovare Asllani dhe bashkëlojtarja e saj Sofia Jakobsson me London City Lionesses renditen në vendin e gjashtë.

Dy ekipet do të përballen nesër në një ndeshje të shumëpritur, që do të transmetohet drejtpërdrejt në SVT duke filluar nga ora 12:50.
https://www.svt.se/sport/fotboll/kosovare-asllani-hyllas-av-ikonen-en-otrolig-overraskning?fbclid=IwZnRzaAN74Y1leHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZAo2NjI4NTY4Mzc5AAEeUZZ4mRX4Ir9llZoIKNm5Ckx9AHgU8PUU6mh1WSjMhDTB9hlOPiOFAQdIHkA_aem_motaEFBT3OFbXWqlCu96jA

Air Prishtina sjell fluturime nga Salzburg në Prishtinë gjatë festave të fundvitit

Air Prishtina ka njoftuar ofrimin e fluturimeve direkte nga Salzburg në Prishtinë gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shkruan slbinfo.ch.

Ky shërbim i ri synon të bëjë udhëtimin drejt Kosovës më të shpejtë dhe më komod për udhëtarët që duan të kalojnë festat me familjet e tyre.

“Me këto fluturime, udhëtarët do të kenë më shumë kohë për familjen dhe më pak stres nga udhëtimi,” thonë nga kompania.

Biletat janë të kufizuara dhe rekomandohet rezervimi i hershëm. Për më shumë informacion dhe blerjen e biletave, vizitoni: www.airprishtina.com.

.

Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring”

Talentet shqiptare po vazhdojnë të lënë gjurmë në skenat ndërkombëtare, dhe një ndër to është edhe Melisa Leka, aktorja e re me origjinë nga Malësia e Madhe, e lindur dhe rritur në Toronto, transmeton albinfo.ch.

Melisa po tërheq vëmendjen e publikut me rolin e saj në sezonin e gjashtë të serialit të njohur “Dark Side of the Ring”, një prodhim ndërkombëtar i Vice Productions, që transmetohet në mbarë botën. Ky rol përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e saj dhe dëshmon përkushtimin, profesionalizmin dhe talentin e saj të spikatur në aktrim.

Produksioni Vice Productions i ka besuar Melisës një mundësi të veçantë për të shfaqur potencialin e saj artistik, duke e pozicionuar si një nga zërat e rinj më premtues në industrinë e filmit në Kanada.

Përveç aktrimit, Melisa është e angazhuar edhe në komunitetin shqiptar të Torontos, ku njihet për kontributin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Si anëtare dhe valltare e Grupit të Valleve “Fluturimi i Shqipes”, ajo sjell me krenari elementet e traditës shqiptare në skenat kulturore të Kanadasë.

Me punën dhe përkushtimin e saj, Melisa Leka po bëhet një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë kudo në botë, një dëshmi se talenti dhe pasioni mund të çojnë drejt suksesit ndërkombëtar. /Albinfo.ch

Xhaka me ndeshje të veçantë ndaj Arsenalit

Sunderlandi do të jetë nikoqir i liderit, Arsenalit, në xhiron e 11-të të Premier Leagues, takim që zhvillohet të shtunën.

Ballafaqimi do të jetë i veçantë për kapitenin e Zvicrës dhe Sunderlandit, Granit Xhakën, që luan ndaj ish-skuadrës së tij. 33-vjeçari pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar tek Arsenali.

“Nuk do të festojë”, ka premtuar Xhaka, në rast se e shënon golin e dytë në Premier League.

“Kam kaluar kohë fantastike gjashtë shtatë vjetëve tek Arsenali dhe kam respekt të madh për këtë klub”.

Prej vitit 2016 deri në vitin 2023, Xhaka i luajti 297 ndeshje për klubin londinez dhe i fitoi katër trofe. Mesfushori ka respekt të madh për Arsenalin.

“Arsenali është ekip shumë i fortë”, ka shtuar tutje lideri i Sunderlandit, shkruan të premten mediumi zviceran “SRF”.

Sunderlandi e ka humbur vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit në ligë. Është pa humbje në pesë ndeshjet e fundit në “Stadium of Light”.

Objektivat dhe sfidat, Silvinjo është optimist për kuqezinjtë

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të vlefshme për Botërorin 2026 ndaj Andorrës (13 nëntor, ora 20:45, “FAF)) dhe Anglisë (16 nëntor, ora 18:00, “Air Albania”)

Trajneri Silvinjo doli sot në konferencën për media nga “Shtëpia e Futbollit”, ku prezantoi edhe listën me 25 lojtarët e grumbulluar për dy sfidat e rëndësishme, ku Shqipëria ka mundësinë më të mirë për të siguruar një një biletë historike për në play-off-in e këtij kompeticioni, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Trajneri brazilian foli dhe sqaroi zgjedhjet e tij për këto dy sfida dhe objektivat e Kombëtares. Më poshtë, konferenca e plotë e trajnerit:

Lista – Për pak kohë bëhen tre vite që kam marrë drejtimin e kombëtares dhe jemi në një moment shumë të bukur që në mbylljen e këtij viti për kualifikueset e Botërorit jemi ende në lojë për play-offet e Botërorit. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Nuk është momenti ynë dhe nuk ka qenë më përpara që të marrim lojtarë që luajnë 100% me klubet e tyre. Nuk kemi mundësi të zgjedhim nga 70-80 lojtarë. Kemi diku te 40-45 lojtarë që i monitorojmë vazhdimisht. Nedim Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne. Dhe dua t’ju bëj një pyetje se cili është golashënuesi ynë më i mirë në vitet e fundit? Është Bajrami me 7 gola, më pas vjen Asani me 6 gola, Manaj me 4 gola. Bajrami është një lojtar që më jep besim kur del në fushë. Edhe ai vetë nuk është i lumtur që nuk po merr minuta me klubin e tij, por ne kemi pasur edhe më parë lojtarë që i kemi grumbulluar edhe pse kanë qenë përtej listave të klubeve ku luajnë. Tani është momenti për të vlerësuar lojtarët që kam grumbulluar dhe për të punuar me ta.

Golavarazhi – Do të jetë një ndeshje e vështirë. Unë e respektoj shumë Andorrën si kundërshtar. Në ndeshjet e fundit kanë barazuar në miqësore  dje kanë humbur në shtëpi me Serbinë por që i mbajtën në barazim për një pjesë. E pashë ndeshjen, ishte e vështirë dhe Andorra kishte mundësi të qarta për të barazuar me një kundërsulm apo kros majtas. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse janë një ekip që luajnë me zemër dhe shpirt. Mbrojnë shumë në 100% e tyre, por nuk dua të bëj llogari në këto momente. Kemi bërë një rrugëtim të mirë, kemi një humbje me Anglinë dhe pres që të bëjmë një lojë të mirë. Por e dimë që është një ndeshje e vështirë.

Shanset e Berishës për të luajtur dhe Gripshit për t’u rikthyer me Kombëtaren –  Medon Berishën po shohim që po luan më shumë. Sa më shumë luan, më mirë për ta, për ne, për të gjithë.  Ai ka shënuar, bën rolin e organizatorit hibrid, po bën mirë. Jam i lumtur, është lojtar që më pëlqen shumë. E kemi marrë në Evropian për të fituar eksperiencën për të ardhmen. Nuk është se një lojtar si ai, kur vjen luan. Herën e fundit për fat të keq nuk e aktivizova, por nuk do të thotë që nuk më pëlqen, përkundrazi, më pëlqen shumë. Më pëlqen që del në fushë, luan, vjen këtu me entuziazëm. Sa i përket Gripshit, është një lojtar që më pëlqeu shumë në miqësore. E njihja pak, teknik, inteligjent në fushë. Bën një rol në krah që hyn brenda, teknik dhe shënon. Kampionati ka mbarur dhe ndeshja e tij e fundit daton më 26 tetor, ka 15 ditë që është me pushime. Kemi folur, i kemi dhënë një plan pune. Por janë ndeshje të rëndësishme dhe na duhen ndeshje që minimalisht po stërviten. Po mendoj vetëm për Andorrën e për Anglinë, dy ndeshje shumë të vështira.

Rikthimet e Ardian Ismajlit dhe Indrit Tucit, si i komentoni? – Ismajli është kthyer nga dëmtimi. Jam shumë i lumtur për rikthimin e tij dhe po luan. Është një lojtar te i cili kemi besim, po bën një rrugëtim me ne prej tre vitesh së bashku. Sa i përket Tucit, ka bërë dy ndeshje me ne në Nations League, me Gjeorgjinë jashtë dhe në shtëpi ndaj Çekisë, luajti edhe ndaj Ukrainës 10-15 minutat e fundit. Ndërroi skuadër dhe humbi pak kohë nga një dëmtim që kaloi. Më pëlqen si futbollist. Është në rolin e trekuartistit, por mund të bëjë edhe sulmuesin e qendrës. Shënon, është inteligjent, e mendoj si një opsion më shumë në fushë dhe na jep mundësi për të shënuar gol. Ai më pëlqen edhe në aspektin strategjik për dy ndeshjet e radhës.

Kriteret e listës? – Kriteri ynë ka qenë gjithmonë i tillë, ne nuk grumbullojmë një lojtar i cili luan 10 ndeshje me Realin, apo se nuk luan me ekipin e tij. Vjen sepse ne na intereson dhe e shohim se si përgjigjet në fushë. Dua të bëj një paralelizëm me situatën e Rey Manajt. Dy muaj më parë Manaj supozohej se duhet të ishte jashtë listës, se humbi penalltinë me Serbinë. Unë mund të flas për Manajn se e njoh që nga viti 2014. Pas 97 ditësh, pas penalltisë së humbur me Serbinë në shtëpi, ishte një lojtar që nuk vlente për kombëtaren, nuk bën, nuk ka lidhje. Por Manaj duhet, u bë hero me golin e shënuar ndaj Serbisë. Nuk ishte as i dobët dhe as hero, është një lojtar që po bën mirë dhe përfaqëson fanellën tonë, si shumë lojtarë të tjerë. Unë si çdo trajner, nuk mund të punoj shumë mbi “më shërben apo jo”. Bajrami është kryegolashënuesi, nuk mund të them “nuk më shërben”. Ne duhet të arsyetojmë e të vendosim besim që të shkojnë në fushë dhe përfaqësojnë fanellën. Në katër sfidat e fundit kemi fituar katër ndeshje. Djemtë më japin besim, i marr dhe në fushë ata po bëjnë mirë. Mendoj se ky është kriteri. Kemi bërë shumë ndryshime në 3 vite, por kjo është pyetje që mund ta diskutojmë edhe në vijim.

Arbnor Muja? – Janë dy gjëra të ndryshme, kriteri dhe karakteristikat e lojtarëve. Muja ka qenë pjesë e Kombëtares gjatë kualifikueseve të Evropianit, por është një lojtar i cili ka më shumë karakteristika si një mesfushor i avancuar në krah. Puna e tij është më shumë si ekuilibrues i skuadrës, me aftësi fizike dhe inteligjent me topin. Nga ana tjetër ne na duhen lojtarë që arrijnë të shënojnë gol dhe kanë kapacitet për të prodhuar në fazën ofensive. Te ne Broja ka marrë këtë vend se është sulmues, Asani i cili është një nga golashënuesit. Muja është pak më ndryshe, është më shumë mesfushor që ekuilibron skuadrën. Është çështje karakteristikash. Kemi Brojën dhe Uzunin që kanë më shumë karakteristika sulmuesi.

Nisin hetimet kundër një gardisti zviceran të Vatikanit

Vatikani ka hapur një hetim kundër një pjesëtari të Gardë Zvicerane që mbron Papën. Një zëdhënës i Gardës Papnore e konfirmoi këtë për agjencinë e lajmeve ANSA.

Hetimi rrjedh nga një grindje e dyshuar midis rojes dhe dy grave hebreje, transmeton albinfo.ch.

Ato e akuzojnë burrin se i ka fyer gjatë audiencës së përgjithshme të Papës në fund të tetorit. Sipas njërës prej grave, gardisti zviceran kishte bërë gjeste sikur po pështynte me përbuzje në drejtim të saj.

Gjatë së njëjtës audiencë të përgjithshme, Papa Leo XIV kishte deklaruar se Kisha nuk e toleron antisemitizmin dhe synon ta luftojë atë.

Garda Zvicerane funksionon prej shekujsh, në mbrojtje të Papës së Romës, në shtetin e Vatikanit.

Papunësia rritet pak – por kryesisht sezonale

Papunësia në Zvicër u rrit pak në tetor.

Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, Seco, raporton se 135,212 persona u regjistruan si të papunë – gati dy mijë më shumë se në shtator.

Seco thotë se rritja është kryesisht sezonale, me vetëm një rritje modeste pasi të përshtatet për kohën e vitit.

Numri i punëkërkuesve u rrit në gati 220,000, duke e çuar shkallën deri në 4.7 përqind, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, vendet e lira të punës të raportuara në qendrat rajonale të punës ranë ndjeshëm – më shumë se gjashtë përqind në rreth 35,000.

Dyseldorf: Arrestohet personi me tre urdhërarreste që po vinte nga Kosova

Policia Federale ka arrestuar një burrë të kërkuar me tre urdhërarreste, në aeroportin e Dyseldorfit. Shtetasi shqiptar nuk mundi të paguante gjobat dhe iu dorëzua autoriteteve gjyqësore, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kontrollit të imigracionit të një fluturimi nga Prishtina, Kosovë, në Aeroportin e Dyseldorfit të enjten në mbrëmje (6 nëntor 2025), një burrë 38-vjeçar shqiptar u arrestua nga zyrtarët e policisë federale, shkruan ksta.de. Ai kërkohej me tre urdhër-arreste.

Urdhër-arresti i parë ishte lëshuar në qershor të këtij viti nga prokuroria publike e Këlnit për dy akuza sulmi me shkaktim lëndimi trupor dhe një akuzë për fyerje dhe kërcënim. Dy urdhër-arreste të tjera janë lëshuar në qershor dhe korrik të këtij viti nga prokuroria publike e Kasselit për vjedhje.

Meqenëse ai nuk mundi të paguante gjobën prej 3,450 eurosh, i përmenduri duhej të vuante një dënim me burg zëvendësues prej 130 ditësh. Pasi urdhër-arrestet u ekzekutuan, ai iu dorëzua autoriteteve gjyqësore.

A nuk ka mjaftueshëm të huaj në role të nëpunësve civilë?

Pranohet gjerësisht se sektori privat në Zvicër përfiton jashtëzakonisht shumë nga punëtorët e huaj – por një hetim nga gazeta Blick thekson se vetëm 5% e fuqisë punëtore prej 43,000 vetash për qeverinë federale janë të huaj. Një shifër që nuk ka ndryshuar prej vitesh.

Udhëheqësit e biznesit thonë se “kafazi i artë” i vendeve të punës të qëndrueshme dhe rritjes së pagave e bën administratën federale shumë tërheqëse për shtetasit zviceranë – dhe më pak për punëtorët e huaj, transmeton albinfo.ch.

Qeveria përmend kërkesat gjuhësore dhe role të caktuara vetëm për zviceranë si arsye për diversitetin e ulët, megjithëse këmbëngul se të gjitha vendet e punës reklamohen publikisht dhe janë të hapura për të gjitha kombësitë.

Komisionerja e Integrimit, Natalie Pawlick, thotë se qeveria nuk po e shfrytëzon në maksimum potencialin e njerëzve me prejardhje migrante.

Lozanë: Gjatë operacionit policor një njeri bie nga ballkoni dhe vdes

Një burrë 37-vjeçar ra për vdekje nga ballkoni i katit të gjashtë gjatë një operacioni policor në Lozanë. Ai ishte barrikaduar brenda një apartamenti, të mërkurën pasdite, transmeton albinfo.ch. Pasi negociatat rezultuan të pafrytshme, ai u hodh nga ballkoni.

Një anëtar i familjes raportoi në polici rreth orës 17 pasdite se personi i përmendur po sillej në mënyrë të dyshimtë. Siç njoftoi zyra e prokurorit publik të premten, ai refuzoi të hapte derën kur mbërriti policia. Pastaj ai doli në ballkon me një thikë.

Patrullime shtesë, njësia e reagimit të shpejtë të policisë së qytetit, njësia e operacioneve speciale e policisë kantonale dhe specialistë negociatash nxituan në vendngjarje. Pas negociatave të pasuksesshme, hapën me forcë derën e apartamentit rreth orës 20 të mbrëmjes. Ndërkohë që  ata përdorën një arme me taser dhe një granate tymi, ai u hodh mbi kangjellat e ballkonit.

Gjatë rënies së tij, ai nuk arriti ta prekte dyshekun e sigurisë që ishte vendosur nën ballkon si masë paraprake. Shërbimet e urgjencës e transportuan atë në Spitalin Universitar të Lozanës me lëndime të rënda, ku ai vdiq në orën 9 të mbrëmjes të mërkurën.

Zyra e prokurorit publik njoftoi se njësia e saj e rasteve të veçanta ka nisur një hetim dhe ka filluar procedurat penale, përcjell albinfo.ch. Hetimi do të përqendrohet në rindërtimin e incidentit dhe rrethanave të rënies fatale.

I ndjeri ishte një shtetas francez me banim në Lozanë. Zyra e prokurorit publik nuk publikoi informacione të mëtejshme të premten.