Argjend Gjigja, artisti shqiptar mes urbanes dhe ndjeshmërisë ballkanike

Rruga artistike e Argjend Gjigjës është ndërtuar hap pas hapi, përmes përvojave në media, skenë dhe kontaktit të vazhdueshëm me publikun. Nga modelingu dhe televizioni ai ka arritur të gjejë drejtimin e vet në muzikë, duke e kthyer këtë fushë në qendër të shprehjes së tij. Në krijimtarinë e tij ndërthuren ritmet urbane me ndjeshmërinë që vjen nga përkatësia dhe përvoja personale. Çdo projekt lidhet me një histori, me një kujtim apo me një qëndrim që ai zgjedh ta ndajë me publikun. Në këtë intervistë për albinfo.ch, Argjend Gjigja flet për rrugëtimin e tij, për ndikimet që e kanë formuar dhe për qasjen e tij ndaj muzikës.

albinfo.ch: Rrugëtimi yt artistik ka kaluar nga modelingu dhe televizioni drejt muzikës. Si ka evoluar ky transformim në karrierën tënde?

Argjend Gjigja: Nga pamundësia financiare që të kyçem direkt në muzikë, më duhej të kaloj nëpër shumë etapa për të njohur njerëz apo për të krijuar rrjetëzim nga bota e medias dhe artit që të arrij deri te ëndrra ime më e madhe, muzika.

albinfo.ch: Publiku të njohu edhe përmes bashkëpunimit me këngëtarin e njohur  Dino Merlin dhe performancave në skena të mëdha. Sa ndikoi kjo përvojë në formimin tënd artistik?

Argjend Gjigja: Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë, m’i ka bërë shumë gjëra më të qarta, por edhe ka rritur oreksin tim për vizione dhe standarde më të larta… që shpesh dinë të jenë edhe demotivuese për një artist të ri dhe të vetëfinancuar, sepse realiteti në muzikën shqipe është ndryshe.

albinfo.ch: Emri yt artistik “Argjend Gjigja” ka një histori shumë personale. Çfarë simbolike mbart ai për ty?

Argjend Gjigja: Argjend është emri im i vërtetë, ndërsa Gjigja është gjithashtu Argjend, por në gjuhën unike të motrës time e cila është e lindur me aftësi të kufizuara. Dua që përmes emrit dhe artit tim të solidarizohem me ta dhe me familjarët e tyre, duke ngritur vetëdijen për çështje që janë në interes të tyre.

albinfo.ch: Muzika jote përshkruhet shpesh si një ndërthurje e stilit urban me emocione ballkanike. Si e ndërton këtë identitet muzikor?

Argjend Gjigja: Ky jam unë! Njeri i asfaltit, por në sensin e emocioneve, ballkanas. Insistues për meloditë dhe instrumentet tona ballkanase.

albinfo.ch: Projekti “Tolerom” të solli për herë të parë në klasifikimin e “The Top List”. Çfarë përfaqëson kjo arritje për ty?

Argjend Gjigja: Sukses! Pas shumë vite tentimesh që puna ime të dëgjohet në popullin tim… ja dola që kënga që flet për tolerancë mes çifteve të jetë në top list dhe si e tillë të përcjellë një mesazh shumë të bukur dhe të nevojshëm.

albinfo.ch: Kënga jote më e re “Rabija” ka tërhequr vëmendje. Si lindi ideja për këtë projekt?

Argjend Gjigja: Lindi nga shprehja “qoftë kujtimi i përjetshëm për të”.

albinfo.ch: Pse zgjodhe titullin “Rabija” dhe çfarë historie apo simbolike fshihet pas tij?

Argjend Gjigja: Rabija është emër arab që do të thotë fillim i pranverës. Në këngën time, Rabija është një grua shqiptare heroinë… Rabija është nëna ime. Ajo nuk arriti ta pret pranverën e radhës, por humbi jetën në krahët e mi në Zvicër në një vizitë familjare te vëllai im në Bernë. Kësisoj, kënga “Rabija” u bë kujtim i përjetshëm për nënën time.

albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshiron të përcjellësh përmes kësaj kënge tek publiku?

Argjend Gjigja: Nga aspekti muzikor dua të reflektoj këngë që dëgjohet dhe shikohet njëkohësisht, e mbi të gjitha të ndjehet, të përjetohet. Mesazhet janë të shumta dhe universale… duke nisur nga përdorimi i emrit të nënës dhe të një gruaje që në vende të ndryshme akoma mbetet tabu, e deri te lidhja fëmijë-prind, që nuk ka nevojë domosdoshmërisht për termat tradicionalë si “nënë” apo “mami”.

albinfo.ch: Duke qenë aktiv edhe në modeling dhe media, si e sheh të ardhmen tënde artistike në vitet që vijnë?

Argjend Gjigja: Do jem gjithmonë atje ku do të ndihem i mirëseardhur dhe i mirëpritur. Gjithçka që do marr përsipër do ta bëj me shumë pasion, profesionalizëm, përkushtim dhe shumë dashuri.

Rrugëtimi i Argjend Gjigjës mbart peshën e përvojës dhe të kohës së kaluar në kërkim të vetes artistike. Tek ai, muzika lidhet ngushtë me jetën, me kujtimet dhe me ndjenjat që nuk shuhen.

Solidarizim përmes artit, me personat me aftësi të kufizuara

“Argjend është emri im i vërtetë, ndërsa Gjigja është gjithashtu Argjend, por në gjuhën unike të motrës time e cila është e lindur me aftësi të kufizuara. Dua që përmes emrit dhe artit tim të solidarizohem me ta dhe me familjarët e tyre, duke ngritur vetëdijen për çështje që janë në interes të tyre”.

 

Zvicra përvëlohet nga i nxehti, temperaturat e liqeneve arrijnë nivele rekord

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën ka sjellë temperatura rekord jo vetëm në ajër, por edhe në liqenet e vendit. Sipas raportimeve të fundit, temperaturat e ujit në disa liqene zvicerane kanë arritur nivele të pazakonta për këtë periudhë të vitit.

Ekspertët meteorologjikë theksojnë se pranvera e ngrohtë dhe temperaturat e larta të javëve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngrohjen e shpejtë të ujërave. Në disa zona, temperaturat e liqeneve janë më të lartat e regjistruara ndonjëherë për fundin e muajit maj, transmeton albinfo.ch.

Fenomeni lidhet me ndryshimet klimatike dhe me valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit që po prekin Evropën. Temperaturat më të larta të ujit mund të kenë ndikim në ekosistemet ujore, cilësinë e ujit dhe biodiversitetin e liqeneve.

Ndërkohë, moti i nxehtë ka shtuar numrin e qytetarëve që frekuentojnë plazhet e liqeneve dhe zonat rekreative, edhe pse autoritetet u bëjnë thirrje njerëzve të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut nga goditjet e të nxehtit dhe mbytjet.

Kufizimi i popullsisë në 10 milionë: A do të rriteshin pensionet dhe sigurimet shëndetësore në Zvicër?

Një nga debatet kryesore para referendumit të 14 qershorit në Zvicër është ndikimi që kufizimi i popullsisë në 10 milionë banorë mund të ketë mbi pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Sipas një analize të publikuar nga Le News, emigrantët aktualisht kontribuojnë më shumë në sistemin e pensioneve (AVS) sesa përfitojnë prej tij. Kjo ndodh sepse shumica janë në moshë pune dhe paguajnë kontribute për vite të tëra përpara se të kenë të drejtë pensioni. Një ulje e ndjeshme e emigracionit do të reduktonte të ardhurat e sistemit pikërisht në një kohë kur numri i pensionistëve po rritet, transmeton albinfo.ch.

Sindikatat zvicerane paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund t’i kushtojë sistemit të pensioneve miliarda franga në kontribute të humbura. Sipas disa vlerësimeve, numri i kontribuuesve mund të bjerë me rreth 10%, megjithëse ndikimi i saktë mbetet i paqartë sepse iniciativa nuk përcakton sa do të reduktohej emigracioni.

Edhe sistemi i sigurimeve shëndetësore mund të përballet me vështirësi. Të huajt që jetojnë në Zvicër janë mesatarisht më të rinj dhe përdorin më pak shërbime shëndetësore sesa popullsia vendase. Nëse numri i tyre bie, të ardhurat e sistemit mund të reduktohen më shpejt sesa shpenzimet, duke ushtruar presion për rritjen e primeve të sigurimeve shëndetësore. Sindikatat vlerësojnë se primet mund të rriten me rreth 250 franga në vit për person.

Nga ana tjetër, mbështetësit e iniciativës argumentojnë se rritja e popullsisë po shkakton mungesë banesash, rritje qirash dhe presion mbi infrastrukturën publike. Ata besojnë se frenimi i emigracionit do të ndihmojë në kontrollimin e këtyre problemeve.

Qeveria zvicerane, bizneset dhe shumica e organizatave ekonomike kundërshtojnë iniciativën, duke paralajmëruar se kufizimi i emigracionit mund të dëmtojë ekonominë, të krijojë mungesë të fuqisë punëtore dhe të rrezikojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Debati për kondicionerët në Zvicër: Nga luks i panevojshëm në domosdoshmëri?

Me verat gjithnjë e më të nxehta, Zvicra po përballet me një debat të ri politik dhe shoqëror: a duhet të lehtësohen rregullat për instalimin e kondicionerëve?

Sipas një analize të publikuar nga Le News, vendi po përballet me një kontradiktë të qartë – kondicionerët konsumojnë energji dhe mund të rrisin emetimet, por në të njëjtën kohë po bëhen gjithnjë e më të nevojshëm për t’u mbrojtur nga temperaturat ekstreme, transmeton albinfo.ch.

Në shumë kantone zvicerane, veçanërisht në Gjenevë, instalimi i sistemeve fikse të klimatizimit i nënshtrohet rregullave të rrepta. Në disa raste, pronarët duhet të dëshmojnë nevojën përmes dokumentacionit mjekësor ose të plotësojnë kushte të veçanta teknike. Këto kufizime kanë nxitur shitjen e kondicionerëve portativë, të cilët shpesh janë më pak efikasë dhe më ndotës.

Ekspertët paralajmërojnë se kërkesa për ftohje do të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Sipas studiuesve të ETH Zurich, deri në mesin e shekullit kërkesa për energji për ftohje mund t’i afrohet asaj për ngrohje, si rezultat i ndryshimeve klimatike.

Nga ana tjetër, ambientalistët argumentojnë se zgjerimi masiv i përdorimit të kondicionerëve mund të rrisë konsumin e energjisë dhe të përkeqësojë efektin e nxehtësisë në qytete. Ata propozojnë alternativa si izolimi më i mirë i ndërtesave, përdorimi i grilave kundër diellit, gjelbërimi urban dhe sistemet moderne të ftohjes me efikasitet të lartë.

Debati po bëhet gjithnjë e më politik në Evropë dhe Zvicra nuk bën përjashtim. Teksa temperaturat vazhdojnë të thyejnë rekorde, presioni për të lehtësuar rregullat e klimatizimit pritet të rritet edhe më shumë.

Nesër afati i fundit për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rikujtuar se nesër, më 31 maj 2026, përfundon afati për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për votim në zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një njoftimi, KQZ u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk janë regjistruar ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të përfunduar procedurat e nevojshme.

Sipas KQZ-së, regjistrimi mund të bëhet në mënyrë elektronike përmes platformës së dedikuar online, si dhe pranë Zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse, transmeton albinfo.ch.

KQZ ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve në procesin zgjedhor, duke u bërë thirrje personave me nevoja të veçanta që të regjistrohen brenda afatit të paraparë.

Kasami pret Haxhiun, flitet për thellimin e bashkëpunimit

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka pritur sot U.D. presidenten e Kosovës, Albulena Haxhiu me të cilën kanë biseduar për projekte të përbashkëta mes dy vendeve, duke konfirmuar njëkohësisht marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kasami ka thënë se do të jenë afër qeverisë së re të Kosovës për ta vazhduar thellimin e bashkëpunimit.

Postimi i plotë i Bilall Kasamit

Mirëprita sot në Tetovë presidenten në detyrë të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu.

Biseduam për projektet e përbashkëta mes dy qeverive tona, marrëdhëniet e shkëlqyera mes shteteve tona dhe lidhjet e ngushta të shqiptarëve në dy anët e kufirit.

Folëm edhe për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit si dhe rëndësinë e stabilitetit politik dhe formimin e institucioneve bazuar në vullnetin politik të qytetarëve të shprehur me votë.

Do të jemi afër qeverisë së re në Kosovë dhe do ta vazhdojmë e thellojmë bashkëpunimin e shkëlqyer.

Dardanët stërviten në Ceki, të gatshëm për miqësoren e së dielës

Kosova ka zhvilluar sot stërvitjen zyrtare në stadiumin “epet ARENA” në Pragë, në prag të ndeshjes miqësore kundër Republikës së Çekisë, e cila zhvillohet të dielën nga ora 16:00.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët dardanë i dhanë dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë, duke punuar me përkushtim maksimal dhe në atmosferë shumë pozitive, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Në konferencën për media të mbajtur para stërvitjes zyrtare, përzgjedhësi Franco Foda theksoi se, pavarësisht mungesave, Kosova do të futet në këtë ndeshje me synim për të treguar paraqitje të mirë, lojë të guximshme dhe qasje sulmuese.

“Ne duam thjesht të tregojmë se mund të qëndrojmë dhe të konkurrojmë edhe kundër skuadrave shumë të mira. Edhe pse kemi disa mungesa të rëndësishme dhe bëhet fjalë vetëm për ndeshje miqësore sigurisht që nesër do të përpiqemi ta fitojmë këtë sfidë dhe të tregojmë paraqitje të mirë. Ne duam të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme në shtator dhe për këtë arsye pres nga skuadra ime paraqitje të guximshme dhe me kurajë që nga minuta e parë”, u shpreh Foda.

Përzgjedhësi gjerman vlerësoi lart kundërshtarin e radhës, duke theksuar se Republika e Çekisë është një ekip me cilësi dhe përvojë, por shtoi se Kosova duhet të shfaqë në fushë punën e bërë gjatë ditëve të fundit.

“Kemi afruar edhe disa lojtarë të rinj dhe që nga e mërkura jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje. Stërvitjet kanë qenë shumë të mira. Kemi punuar me intensitet të lartë dhe jemi përgatitur mirë taktiksht për kundërshtarin dhe tani do të jetë e rëndësishme që nesër këtë ta zbatojmë në fushë”, theksoi Foda.

Krahas përzgjedhësit, në konferencë për media foli edhe sulmuesi Albion Rrahmani, për të cilin kjo ndeshje ka një domethënie të veçantë, pasi zhvillohet në stadiumin ku ai luan me klubin e tij, Sparta Pragë.

“Është më e lehtë për mua kur e di mënyrën se si zhvillohen ndeshjet në kampionatin çek dhe si luan Kombëtarja e Çekisë. I njoh pothuajse të gjithë lojtarët e tyre dhe shpresoj të bëj një paraqitje të mirë. Jam përshtatur mirë me stilin e lojës këtu dhe besoj se kjo mund të më ndihmojë”, deklaroi Rrahmani.

Sulmuesi dardan shtoi se rikthimi në “epet ARENA” me fanellën e Kosovës është motiv shtesë.

“Është ndjenjë shumë e mirë të luash në këtë stadium, të cilin e njoh mirë. Sigurisht që është motiv shtesë për mua. Nëse më jepet mundësia nga trajneri, do të jap maksimumin dhe pse jo, të shënoj”, shtoi ai.

Kosova në këtë grumbullim ka disa mungesa për shkak të lëndimeve dhe arsyeve personale, por në kamp janë përfshirë edhe emra të rinj, si Valmir Matoshi, Rilind Nivokazi dhe Dardan Shabanhaxhaj, ndërsa pjesë e ekipit është bërë edhe Betim Fazliji, i cili është rikthyer te Dardanët pas një periudhe të gjatë.

Pas miqësores me Çekinë, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë edhe ndeshjen tjetër miqësore kundër Andorrës, më 7 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:00.

Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë përzgjedhësit Franco Foda si test i rëndësishëm përpara fillimit të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, ku Kosova do të garojë në grup me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.

PSG, sërish kampione e Ligës së Kampionëve

PSG ka mbrojtur titullin, duke triumfuar sërish në Ligën e Kampionëve.

Paris Saint Germain në finalen e zhvilluar në Budaspest të Hungarisë fitoi ndaj Arsenalit me penallti, shkruan albinfo.ch.

Golin e parë e shënuan anglezët me anë të Havertz në minutën e gjashtë, kurse Dembele barazoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 65-të.

Më pas nuk kishte gola, e po ashtu edhe në vazhdime, duke bërë që fituesi të vendosej në penallti, ku francezët ishin më të mirë 4:3 dhe u shpallën kampionë të Evropës.

Evropa në ‘flakë’ nga i nxehti

Temperatura të papara po regjistrohen në të gjithë Evropën, me valën e të nxehtit dhe temperaturat e larta që tashmë janë përgjegjëse për vdekjet e para të sezonit të verës, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Në disa pjesë të Evropës, temperatura është rreth 10 deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren për këtë kohë të vitit.

Java që po mbyllet e futi Evropën në ‘furrë’ me temperatura rekord për shkak të “kupolës termike” të fortë që e rrethon atë, transmeton albinfo.ch.

Është një sistem i vazhdueshëm me presion të lartë që vepron si një kapak, duke bllokuar ajrin e ngrohtë dhe duke e shtyrë atë drejt tokës.

Mbretëria e Bashkuar vendosi të martën një rekord të ri me termometrin që shënoi 35.1 gradë Celsius në Kopshtet Kew të Londrës. Temperatura theu rekordin e vendosur vetëm një ditë më parë, kur në Londër u regjistruan 34.8 gradë Celsius.

Rekordi i mëparshëm u vendos në maj të vitit 1922 dhe ishte 32.8 gradë Celsius. Një temperaturë që u regjistrua edhe në vitin 1944, sipas Guardian.

Irlanda gjithashtu theu rekordin e vet me temperaturën maksimale për maj që arriti në 28.8 gradë Celsius.

Vlen të përmendet se përveç temperaturave maksimale gjatë ditës, temperaturat historike shënohen edhe gjatë orëve të natës. Natën e së martës, temperatura në Camborne në Anglinë jugperëndimore ra në vetëm 21.4 gradë Celsius, duke shënuar një natë veçanërisht të ngrohtë dhe tropikale.

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën përshkruhet si “e paprecedentë” me viktimat e para të regjistruara tashmë. Konkretisht, Franca numëron tashmë shtatë vdekje të lidhura me të nxehtin, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi. Duhet theksuar se temperaturat në Francën jugore arritën madje 40 gradë Celsius.

Temperaturat e larta do të vazhdojnë

Temperaturat maksimale për stinën janë rreth 10 deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren për stinën. Në ditët në vijim ato pritet të vazhdojnë të mbeten të larta, konkretisht rreth 5 deri në 10 gradë Celsius mbi mesataren.

Pas përfundimit të javës së ardhshme, situata pritet të ndryshojë dhe termometri do të fillojë të tregojë temperatura më të ulëta.

Katër qytete italiane janë vënë në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta. Ministritë e shëndetësisë kanë vënë në alarm të kuq Romën, Firencen, Bolonjën dhe Torinon, me autoritetet që paralajmërojnë se kushtet paraqesin kërcënim jo vetëm për grupet vulnerabël, por edhe për qytetarët e shëndetshëm.

Dhe Spanja regjistroi “temperatura jashtëzakonisht të larta për sezonin”, sipas agjencisë meteorologjike AEMET, me temperatura në pjesë të vendit, të tilla si Bilbao, në Vendin Bask, që arritën mbi 40 gradë.

Sipas shkencëtarëve, nxehtësia ekstreme e regjistruar ditët e fundit është një nga shenjat më të qarta të krizës klimatike.

Gazrat serrë që vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile veprojnë si një “batanije” rreth Tokës, duke rritur gradualisht temperaturën e planetit.

Në Ambasadën e Kosovës në Austri u mbajt program kulturor i përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në ambientet e ambasadës u mbajt një program kulturor i përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe, si dhe u hap ekspozita me vizatime “Atdheu në sytë dhe mendjen time”.
Sipas njoftimit, përmes këngëve dhe punimeve të tyre artistike, fëmijët shprehën me shumë kreativitet dhe emocion mënyrën se si e shohin, e ndjejnë dhe e përfytyrojnë atdheun.
“Punimet e ekspozuara u përcollën me interes nga të pranishmit dhe dëshmuan lidhjen e veçantë që brezat e rinj ruajnë me vendin, gjuhën dhe kulturën tonë. Atmosfera në Ambasadë ishte festive, e mbushur me gëzim, krenari dhe emocion, teksa nxënësit prezantuan para prindërve dhe mysafirëve programin e tyre artistik. Falënderim i veçantë për mësuesesit: znj. Miradije Berisha, z. Osman Ademi dhe z. Ibrahim Hasani për përkushtimin e tyre në edukimin e brezave të rinj. Falënderime të veçanta për të gjithë prindërit që me angazhimin e tyre mbështesin aktivitetet e fëmijëve”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.at.

Sekretari amerikan i Luftës: Irani po afrohet me qëndrimin tonë në negociata

Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, është shprehur se është “mjaft i bindur” se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të arrijë një marrëveshje me Iranin.

Duke folur në Singapor gjatë Dialogut Shangri-La, një samit i mbrojtjes, ai përsëriti një qëndrim që e kishte shprehur edhe më herët kur u pyet se çfarë pret SHBA-ja nga Irani për të avancuar drejt paqes, shkruan skynews, transmeton albinfo.ch.

“Çdo marrëveshje që presidenti është i gatshëm të bëjë do të jetë vetëm ajo që ai beson se është një marrëveshje e shkëlqyer për vendin tonë dhe për botën. E keni parë këtë edhe nga mënyra se si ai ka folur publikisht. Kushtet tona nuk kanë ndryshuar fare. Sa më shumë që ata t’i afrohen këtij realiteti, aq më afër do të jemi një marrëveshjeje të tillë”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se Irani “e di shumë qartë se cilat janë pritshmëritë tona”.

“Ata po lëvizin në drejtimin tonë dhe bisedimet kanë qenë produktive. Ata e dinë se ku duhet të çojnë këto negociata dhe unë kam shumë besim te presidenti ynë, i cili arrin vetëm marrëveshje të shkëlqyera”, ka thënë ai.

Ai ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit ishte një nga temat që u diskutua shpesh gjatë takimeve të tij me aleatët në samitin e mbrojtjes, por SHBA-ja i ka siguruar partnerët e saj lidhur me situatën në këtë zonë strategjike.

Austria planifikon një rritje vjetore prej 100 milion € për shërbimet e kujdesit

Ministrja e Çështjeve Sociale e Austrisë, Korinna Schumann (SPÖ) të premten përshkroi “masat fyese” të planifikuara të përfshira në buxhetin e dyfishtë të propozuar nga qeveria 2027/28, duke përfshirë investime të mëdha në kujdesin për të moshuarit, uljen e varfërisë së fëmijëve dhe mbështetjen për njerëzit që luftojnë me aksesin digjital.

Duke folur në ditën e Konferencës Shtetërore të Çështjeve Sociale në Hagenberg të Austrisë së Epërme, Schumann tha se 100 milionë euro në vit do të ndahen për sektorin e kujdesit gjatë dy viteve të ardhshme. 20 milionë euro të tjera në vit janë planifikuar për atë që qeveria e quan “jetesë analoge”, ndërsa 60 milionë euro në vit parashikohen për të luftuar varfërinë mes fëmijëve dhe të rinjve.

Ministri i Financave Markus Marterbauer (SPÖ) kishte përshkruar tashmë paketën më të gjerë të “masave fyese” në fund të prillit. Paketa arrin 600 milionë euro për programet e tregut të punës, kujdesin për të moshuarit dhe edukimin e fëmijërisë së hershme, pavarësisht planeve më të gjera shtrënguese të qeverisë.

Sipas zyrës së Schumann-it, investimi vjetor prej 100 milionë euro në shërbimet e kujdesit synon të forcojë shërbimet e kujdesit celular, të përshkruara si një shtyllë kryesore e infrastrukturës së kujdesit të Austrisë, raporton theinternational, transmeton albinfo.at.

Ministria tha se shërbimet celulare i lejojnë njerëzit të marrin mbështetje mjekësore dhe kujdesi në shtëpitë e tyre, ndërsa gjithashtu lehtësojnë presionin mbi kujdestarët e familjes dhe reduktojnë nevojën për qëndrime në spital.

“Kujdesi fillon atje ku njerëzit jetojnë – në shtëpi,” tha Schumann në një deklaratë për Agjencinë e Shtypit Austriak. “Me këto fonde fyese, ne po forcojmë veçanërisht shërbimet celulare dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit tonë të kujdesit.”

Qeveria gjithashtu planifikon të shpenzojë 20 milionë euro çdo vit për programet që mbështesin “jetesën analoge”. Nisma synon të ndihmojë njerëzit që nuk mund të marrin pjesë plotësisht në jetën digjitale të vazhdojnë aksesin e shërbimeve përmes kanaleve jo digjitale.

Financimi do të mbështesë këshillimin, asistencën, trajnimin dhe shërbimet e mbështetjes digjitale. “Digjitalizimi nuk duhet të përjashtojë askënd,” tha Schumann.

60 milionë euro shtesë në vit janë planifikuar për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe të rinjve. Sipas ministrisë, masat synohen të jenë me prag të ulët dhe jodiskriminuese, në mënyrë që fëmijët që përballen me sfida të shumta sociale ose paaftësi të mund të përfitojnë.

Financimi pritet të mbështesë shërbime të tilla si programet e ndërhyrjes së hershme, mësimdhënien, mentorimin, mbështetjen e tranzicionit, kujdesin falas për fëmijët për pushime dhe këshillimin social.

Schumann tha se luftimi i varfërisë së fëmijëve do të thotë “krijimi i mundësive” dhe sigurimi i asnjë fëmije të mbetur prapa për shkak të varfërisë ose kushteve të vështira të jetesës.

Detajet e sakta të buxhetit të Austrisë 2027/28 janë ende në negociata. Ministri i Financave Marterbauer pritet të prezantojë buxhetin më 10 qershor.

A do të marrë Schaffhausen një nga qendrat më të mëdha sportive zvicerane?

Një nga qendrat më të mëdha sportive të brendshme në Zvicër do të ndërtohet në Schaffhausen. Thonë votuesit në datën 14. Qershor Po, BBC Arena në veri të qytetit do të zgjerohet masivisht.

Ka dy salla trajnimi shtesë, një pistë sprinti nëntokësor me një gropë rëre për kërcimin së gjati dhe një zgjerim i ambienteve të akomodimit në 64 dhoma, dy herë më shumë se sot. Ndërtimi për projektin 40 milionësh pritet të nisë vitin e ardhshëm.

Edhe pse dy klubet kryesore Kadetten Schaffhausen dhe Kanti Schaffhausen përdorin gjithashtu arenën, zgjerimi duhet të përfitojë kryesisht nga sportet bazë. Kërkesa për salla të brendshme është dukshëm më e madhe se oferta, thotë Giorgio Behr, president i klubit të hendbollit Kadetten Schaffhausen, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Planet vështirë se hasin në rezistencë. Gjatë trajtimit në parlamentin e qytetit, vetëm të Gjelbrit kërkuan që të vuloset sa më pak tokë dhe të ndërtohen mjaft stendat e biçikletave. Megjithatë, parlamentet e qytetit dhe të kantoneve miratuan propozimin pa një votë kundër tij.

Libri “Kosova: Lufta e heshtur” promovohet edhe në Vjenë

Para bashkatdhetarëve tanë ish-Ambasadori i Shqipërisë në Austri Zef Mazi prezantoi librin e tij ‘‘Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999)’’. Në të përfshihet një ndër periudhat më të rëndësishme të procesit i cili i parapriu bërjes së shtetit të Kosovës. Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe aktivistë të komunitetit tonë.

Vjenë, 29 maj 2026: Pas Tiranës dhe Prishtinës edhe në kryeqytetin e Austrisë u promovua libri që dëshmon përkushtimin e një grupi diplomatësh të shtetit shqiptar që mbi supet e tyre vunë një barrë të rëndë duke u bërë një zë i fuqishëm i Kosovës në kohën kur ajo nuk kishte mundësi që të ulej e barabartë në tavolinën e bashkësisë ndërkombëtare. 

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Ambasadori në Detyrë i Kosovës Albinot Bimbashi, i cili në emër të shtetit të Kosovës shprehu mirënjohje për këtë botim të Ambasador Mazit i cili ishte jo vetëm dëshmitar por edhe iniciues dhe protagonist i ngjarjeve që shënuan një epokë dhe të cilat do të mbesin në kujtesën e popullit të saj si falënderim për tërë atë angazhim që rezultoi me mbështetje të fuqishme nga bota demokratike për kauzën e saj.

Me pas në një fjalë rasti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, ndër të tjera tha se është gjithmonë kënaqësi që libri na bashkon e për më tepër kur aty është edhe autori i cili nga dora e parë mund të flasë për të, sidomos për qëllimin dhe sfidat me të cilat mund të jetë ballafaquar gjatë shkrimit të tij. Ai po ashtu udhëhoqi edhe bashkëbisedimin e Ambasadorin Mazi duke vazhduar me një prezantim të shkurtër të tij. Zef Mazi ka qenë Ambasador në Britaninë e Madhe, në Irlandën e Veriut si dhe në Republikën e Irlandës (2007-2011). Para kësaj ai ka qenë Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve te Bashkuara në Vjene, në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evrope. Për dy vite me radhe ka qenë, në rang ministri, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat me BE. Filolog, historian dhe jurist Mazi i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të punës së tij profesionale Kosovës duke qenë një përkrahës i sinqertë i lëvizjes për pavarësi dhe bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë së saj në ekzil, sidomos i Kryeministrit Bujar Bukoshi dhe Presidentit Ibrahim Rugova.

Ambasadori Mazi theksoi se shkrimi i librit i ka marrë rreth dy vite kohë dhe në të ai ka trajtuar më shumë se gjashtë mijë faqe materiale të ndryshme, përfshirë edhe protokolle dhe fotografi, duke dokumentuar kështu me fakte rrethanat dhe protagonistët kryesorë që u bënë pjesë e historisë së shtetit më të ri në Evropë. Sipas tij ‘‘Ky është libër historik, jo artistik, i cili flet për një kapitull tëkomplikuar dhe kompleks, me shumë boshllëqe. Në të pasqyrohet në mënyrë të saktë edhe koordinimi dhe harmonizimi i qëndrimeve me përfaqësuesit legjitim të Kosovës përderisa në instancat më tëlarta botërore Shqipëria foli për Kosovën por, për shkak të specifikave, jo dhe në emër te saj’’.  

Në pjesën e dytë të Ambasador Mazi iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me Konferencën e Rambujesë, Rezolutën 1224 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, perspektivën për anëtarësim në NATO, sfidat aktuale nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova, kontributin e lëvizjeve dhe partive politike të Kosovës në marrëdhëniet me institucionet austriake, profilin e diplomatit bashkëkohor, etj. 

Kësaj mbrëmje kulturore i dhanë intonacion të veçantë edhe pjesët muzikore në piano të interpretuara nga Erseka Nitaj.   

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo sivjet feston 15-të vjetorin e krijimit dhe është adresë e parë e krijuesve shqiptarë nëAustri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar nëmënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

UBS shkurtoi qindra vende pune në fazën e reduktimit

UBS ka shkurtuar disa qindra vende pune në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si pjesë e marrjes së Credit Suisse, sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg.

Raundi i fundit i reduktimeve thuhet se prek kryesisht punonjësit në role mbështetëse, por në disa raste edhe këshilltarët e klientëve, raportoi Bloomberg, duke cituar burime me njohuri për ngjarjet. UBS nuk pranoi të komentojë mbi informacionin për agjencinë e lajmeve AWP.

Megjithatë, një zëdhënëse e UBS tha se banka do të shkurtojë sa më pak staf të jetë e mundur, në Zvicër dhe globalisht, si pjesë e integrimit të Credit Suisse. Siç u njoftua në vitin 2023, reduktimet do të shtrihen në disa vite dhe do të ndodhin kryesisht përmes luhatjeve natyrore, pensioneve të parakohshme, lëvizshmërisë së brendshme dhe brendësimit të roleve të jashtme, transmeton albinfo.ch.

UBS tha menjëherë pas blerjes së Credit Suisse në vitin 2023 se do të synonte të eliminonte funksionet e dyfishta. Sipas shifrave të fundit tremujore, numri i punonjësve të drejtpërdrejtë ra në 101,594 pozicione me kohë të plotë në fund të marsit 2026, nga 103,177 në fund të 2025. Qarqet e industrisë kanë besuar prej kohësh se numri i punonjësve mund të bjerë në rreth 80,000 në afat të gjatë. Në përgjithësi, sipas Bloomberg, fuqia punëtore tashmë është tkurrur me rreth 17,500 pozicione që nga blerja e Credit Suisse.

Vetë UBS nuk ka treguar një objektiv numerik. Por për Zvicrën, banka konfirmoi në shkurt pritshmërinë e saj për rreth 3,000 pushime nga puna si pjesë e integrimit.

CEO Sergio Ermotti deklaroi në atë kohë se shumica e këtyre shkurtimeve do të ndodhin në gjysmën e dytë të 2026 dhe në fillim të 2027. Konteksti është në veçanti migrimi tashmë i përfunduar kryesisht i ish-klientëve të Credit Suisse në sistemet UBS.

Në 24 orët e fundit, mbi 20 anije kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit

Brenda 24 orëve të fundit, të dhënat e gjurmimit detar si dhe mediat shtetërore iraniane kanë njoftuar se mesatarisht 20 deri në 30 anije tregtare dhe cisterna nafte kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Lëvizjet e anijeve bëhen nën kushte të rrepta, ku u kërkohet autorizim teksa anijet duhet të marrin leje dhe të koordinohen me Marinën e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane, transmeton albinfo.ch.

Raportohet se zona është ende shumë e militarizuar ndërsa anijet që përpiqen të kalojnë transit pa u koordinuar me Iranin janë kapur ose janë detyruar të kthehen prapa.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbatojnë një bllokadë mbi portet iraniane dhe kanë sanksionuar autoritetin e sapokrijuar të ngushticës nga Irani, i cili përpiqet të mbledhë tarifa transiti për kalimin nëpër ngushticë.

Konfirmohet Lija e Deleve/Dhive në Kosovë, merren masa urgjente

Në Kosovë duke u bazuar në rezultatet e analizave diagnostike të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë të deleve në fshatin Delloc, Komuna e Suharekës.

Mostrat e marra dhe të analizuara në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë vërtetuar praninë e kësaj sëmundjeje teksa AUV njoftoi se menjëherë pas konfirmimit, në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe akterët e tjerë relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

AUV nga sot ka futur në fuqi disa masa.

“Bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, vendos masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/GoatPox) në Kosovë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Masat zbatohen në gjithë territorin e Republikës se Kosovës, dhe varësisht nga situata masat mund të ndryshojnë.

I. Masat e përgjithshme:

a) Ndalohet lëvizja e kafshëve dele dhe dhi nga fermat, tregtimi në tregje dhe shitblerja;
b) Fermat në të cilat konfirmohet prezenca e sëmundjes, vendosen ne masë izolimi/karantine të plot. U ndalohet çdo lëvizje hyrje dalje.
c) Obligohen fermerët mbajtës të deleve dhe dhive që për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve, menjëherë të njoftojnë veterinarin. Praktikat veterinare janë të obliguar të zbatojnë protokollet shëndetësore veterinare për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundje
d) Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive të aktivizojnë masat e biosigurisë ne fermat e tyre.
e) Të përcaktohen lokacionet për Groposjen e kafshëve të ngordhura nga Komunat;
f) AUV vazhdon me hulumtimin epidemiologjik, marrjen e mostrave dhe kryerjen e testimeve laboratorike;

II. Përjashtimisht nga pika I e këtij vendimi, lejohet lëvizja kafshëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje deri në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

III. Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën për tregtimin e kafshëve të imta dele dhe dhi.

IV. Obligohen Policia e Kosovës, organet Komunale që në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.

Çfarë është sëmundja Lija e deleve/dhive?

Lija e dhenve (e njohur edhe si sheeppox/goatpox) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo shkaktohet nga një virus i familjes Capripoxvirus dhe është ndër sëmundjet më të rënda për këto specie, me pasoja të mëdha ekonomike.

• Temperaturë e lartë (40–42°C)
• Humbje oreksi dhe plogështi
• Rrjedhje nga hunda dhe sytë
• Lezione (puçrra, plagë) në lëkurë, sidomos në kokë, veshë, bark dhe rreth organeve gjenitale
• Vështirësi në frymëmarrje (nëse prek mushkëritë)
• Në disa raste: diarre dhe dobësim i përgjithshëm

Si transmetohet?

• Kontakt i drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara
• Sekrecione (pështymë, rrjedhje nga hunda)
• Përmes mjedisit të kontaminuar (stallat, mjetet, transporti)

Ndryshe, bëhet e ditur se kjo sëmundje nuk është zoonotike, nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.

Vala e të nxehtit rrit ozonin në nivele të rrezikshme në Zvicrën qendrore

Moti me diell në fillim të verës ka çuar në një rritje të madhe të niveleve të ozonit në Zvicrën qendrore. Njerëzit këshillohen të shmangin aktivitetin fizik në natyrë për të parandaluar problemet shëndetësore.

Matjet aktuale tregojnë se vlera mesatare kufitare për orë prej 120 mikrogramë për metër kub është tejkaluar “gjërësisht”, veçanërisht pasdite, raporton Umwelt Zentralschweiz (Moti Qendror i Zvicrës).

Organizata përmendi rrezatimin e fortë diellor si arsye për vlerat e larta. Kjo i shndërron ndotësit e ajrit të prodhuar nga njeriu në ozon. Këto substanca vijnë nga tymrat e shkarkimit të trafikut, bojërat dhe tretësit, ndër të tjera, transmeton albinfo.ch.

Një përqendrim shumë i lartë i gazit irritues mund të çojë në acarim të syve, kollë ose vështirësi në frymëmarrje. Njerëzit me probleme të mushkërive si astma në veçanti duhet të ushtrohen vetëm në mëngjes dhe gjithashtu të ajrosin shtëpitë e tyre në mëngjes.

Sipas agjencisë kantonale të mjedisit, kalimi i kohës jashtë mesditës dhe mbrëmjes duhet të shmanget nëse është e mundur.

Lea Ypi promovon në Trieste librat e saj të përkthyer në italisht

Shkrimtarja dhe filozofja shqiptare Lea Ypi ishte e ftuar në qytetin e Triestes, ku në organizim të shtëpisë botuese “Feltrinelli” u mbajt një bashkëbisedim dhe promovim i dy librave të saj të përkthyer në gjuhën italiane, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja u zhvillua në librarinë Lovat dhe mblodhi një numër të madh të pranishmish, me sallën që ishte e mbushur plot nga publiku vendas dhe dashamirës të letërsisë.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës “ARBËRIA” në Trieste, gazetari dhe mbështetësi i shoqatës Antonio Caiazza, si dhe shumë anëtarë të komunitetit shqiptar në Itali.

Gjatë promovimit, Lea Ypi prezantoi romanin kushtuar gjyshes së saj, një rrëfim që ndërthur historinë personale me zhvillimet e mëdha historike të Ballkanit — nga rënia e Perandorisë Osmane, ngritja e komunizmit, deri te eksodi dhe ndryshimet dramatike shoqërore në rajon.

Historia e gjyshes së autores, e lindur në Selanik në një familje shqiptare dhe e përjetuar si “e huaj” në vende të ndryshme, u cilësua si një metaforë e historisë së ndërlikuar ballkanike dhe identiteteve të saj.

Përmes një rrëfimi emocional dhe filozofik, Lea Ypi solli para publikut një histori për dinjitetin, humbjen dhe lirinë e brendshme, duke prekur thellë të pranishmit në sallë.

Organizatorët falënderuan librarinë Lovat për mikpritjen dhe organizimin e këtij aktiviteti kulturor që ngjalli interesim të madh në qytetin italian./Albinfo.ch

Njihuni me 10 gjuhët më të vjetra në botë që fliten ende sot

Gjuhët janë një nga themelet më të rëndësishme të qytetërimit njerëzor, një “urë” që ka mundësuar zhvillimin e shoqërive dhe kulturave për mijëra vjet. Edhe pse shumë gjuhë janë zhdukur me kohën, disa prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, duke ruajtur gjurmë të lashtësisë së njerëzimit, transmeton albinfo.ch.

Më poshtë janë 10 gjuhë që konsiderohen ndër më të vjetrat në botë që fliten ende sot:

1. Gjuha baske (Euskara)

E folur në rajonin bask mes Spanjës dhe Francës, gjuha baske është një nga gjuhët më të veçanta në Evropë, pa lidhje të qartë me gjuhët e tjera indoevropiane.

2. Gjuhët kartveliane

Përfshijnë gjeorgjishten dhe gjuhë të tjera të Kaukazit Jugor. Këto gjuhë janë të izoluara dhe shumë të vjetra, me histori mijëvjeçare në rajon.

3. Gjuha tamile

Një nga gjuhët më të vjetra të dokumentuara në botë, e folur nga komuniteti tamil në Indi dhe Sri Lanka, me traditë të shkruar që daton mijëra vite më parë.

4. Gjuhët paleo-siberiane

Të folura nga komunitete indigjene në Siberi, këto gjuhë janë ndër më të lashtat, edhe pse shumë prej tyre nuk kanë formë të shkruar.

5. Gjuha ainu

E folur në Japoninë veriore, gjuha ainu është një gjuhë e izoluar dhe sot e rrezikuar, me origjinë shumë të hershme.

6. Gjuha arabe

Një nga gjuhët semite më të vjetra ende në përdorim, me mbishkrime që datojnë që nga shekulli i parë pas Krishtit.

7. Gjuha aramaike

Me mbi 3,000 vjet histori të dokumentuar, aramaishtja ishte gjuhë e rëndësishme në Lindjen e Mesme antike.

8. Gjuha kineze

Një nga gjuhët më komplekse dhe më të vjetra në botë, me shkrime që datojnë që nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit.

9. Gjuha perse

Me rrënjë të thella në Perandorinë Akamenide, persishtja është një nga gjuhët më të vjetra indo-evropiane ende në përdorim.

10. Gjuha gaelike irlandeze

Një gjuhë keltike me histori të gjatë në Irlandë, e cila sot po përjeton ringjallje kulturore dhe gjuhësore.

Këto gjuhë nuk janë vetëm mjete komunikimi, por edhe dëshmi të gjalla të historisë së njerëzimit dhe kulturave që kanë mbijetuar për mijëra vite. /Albinfo.ch

Sopranoja Alisa shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të operës në Uzbekistan

Sopranoja Alisa Medvedeva ka përjetuar një tjetër sukses në skenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në koncertin përmbyllës të edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës dhe Baletit “Toshkent Bahori” në Uzbekistan, transmeton albinfo.ch. 

Artistja ndau emocionet e saj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi eksperiencën në Tashkent si të paharrueshme dhe të mbushur me emocione të veçanta.

Koncerti gala u mbajt më 24 maj dhe bashkoi solistë të njohur të teatrit, artistë të ftuar dhe orkestrën nën dirigjimin e @chernukhovolich.

Medvedeva falënderoi organizatorët e festivalit për mikpritjen, veçanërisht drejtorin e teatrit Alibek Kabdurakhmanov dhe regjisorin skenik Konstantin Kmn, për atmosferën artistike të krijuar gjatë mbrëmjes.

Ajo shprehu mirënjohje edhe për kolegët e saj në skenë, sidomos për artistin Abdulla Shirinov, me të cilin interpretoi një duet, si dhe për familjen që udhëtoi për ta mbështetur gjatë koncertit.

Në fund, sopranoja falënderoi edhe ekipin kreativ që kontribuoi në realizimin e paraqitjes së saj artistike, duke theksuar se ende mbetet nën përshtypjet e forta të ditëve të kaluara në Tashkent./Albinfo.ch.