BE-ja, Britania, Italia e OSBE-ja e dënojnë ashpër moscertifikimin e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar sërish Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime.

Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta nga aktorët ndërkombëtarë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se veprimet e tilla “kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”.

Ai ka shtuar se shpreson që PZAP-ja do ta zhbëjë vendimin e KQZ-së.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka cilësuar vendimin si një largim nga standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe cenim të së drejtës për pjesëmarrje politike.

“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Bashkimi Evropian në Kosovë gjithashtu shpreh keqardhje dhe thekson se vendimi reflekton politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera, duke shkelur parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës.

“Sjellje të tilla janë të dëmshme për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagim.

Edhe ambasada e Italisë në Prishtinë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.

Në reagimin e saj, Ambasada thekson “rëndësinë e sigurimit të një procesi zgjedhor plotësisht demokratik, ku të gjitha forcat politike të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.”

Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Gjatë mbledhjes të martën, KQZ tha se 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, aplikuan për zgjedhjet e këtij muaji.

Në këtë mbledhje, ajo i certifikoi 22 subjekte politike.

Ambasada amerikane: Veprimet e VV-së ndaj Listës Serbe dëmtojnë stabilitetin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar sërish Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime, përcjell albinfo.ch.

Ndaj këtij vendimi reagoi edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku ka kritikuar Lëvizjën Vëtëvëndosjë, dukë thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës.

Ambasada ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë me vizion afatshkurtër dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në reagim të ambasadës amerikane.

Diskutim në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve: Kosova të hyjë në NATO

Në një seancë të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, u kërkua nga administrata e presidentit Donald Trump një angazhim më i madh për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Diskutimet u fokusuan tek raporti Kosovë–Serbi dhe nevoja për një qasje më të balancuar, që të mos kërkohet përgjegjësi vetëm nga Kosova, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët dhe ligjvënësit kërkuan gjithashtu:

• Anëtarësimin e Kosovës në NATO.

• Shtim të presionit ndaj Serbisë për të ndaluar fushatën e çnjohjeve dhe pengesat ndaj Kosovës, si dhe largimin nga ndikimi rus.

Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, e përshkroi Ballkanin Perëndimor si “rajonin më të paqëndrueshëm në Evropë” pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai theksoi se konflikti Kosovë–Serbi është një faktor kyç i paqëndrueshmërisë rajonale dhe akuzoi Rusinë dhe Kinën për përdorimin e dobësive rajonale për interesa strategjike dhe ekonomike.

Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins vuri në dukje se Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor në rajon dhe se SHBA-ja duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për një orientim strategjik drejt euroatlantik. Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të zgjidhte ngërçin aktual, duke e bërë të pavlefshme ndikimin rus dhe kinez.

Max Primorac nga Qendra “Margaret Thatcher për Liri” dhe Luke Coffey nga Hudson Institute mbështetën nevojën për mbështetje të fuqishme amerikane ndaj Kosovës dhe largimin e Serbisë nga orbita ruse. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të përfshijë njohjen e Kosovës.

Të tre ekspertët thanë se kryeministri në detyrë Albin Kurti shihet si pengues i raporteve, ndërsa Serbia po pasivizon adresat shqiptare në Luginë të Preshevës dhe po shkel të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e saj.

Kosovare Asllani sinjalizon vazhdimin e karrierës me Suedinë

Gjatë Kampionatit Evropian të kësaj vere, Kosovare Asllani kishte lënë të kuptohej se koha e saj te Përfaqësuesja e Suedisë po i afrohej fundit. Mirëpo, pas ndeshjes së fundit ndaj Francës të premten mbrëma, situata duket të ketë marrë një kthesë tjetër.

Në gjysmëfinalen e parë, të cilën Suedia e humbi 2:1, Asllani mban rolin e kapitene­s, duke treguar edhe një herë se është ende një pikë referimi për ekipin kombëtar. 36-vjeçarja është futbollistja me përvojën më të madhe aktualisht në skuadër, pasi shumica e lojtareve të tjera të afirmuara tashmë janë pensionuar — përfshirë edhe bashkëlojtarën e saj të njohur, Magdalena Eriksson.

“Kam mbetur vetëm unë,” ka thënë Asllani me një buzëqeshje, në një intervistë të dhënë pas ndeshjes.

“E di që pyetjet për pensionim do të më përcjellin vazhdimisht, por unë ende e dua lojën, e dua shtetin dhe klubin tim. Ndihem shumë mirë fizikisht, ndaj përgjigjen për pensionimin do ta jap më vonë.”

Asllani theksoi se dëshiron të vazhdojë të luajë derisa të jetë plotësisht e bindur se ka ardhur momenti t’i lë hapësirë brezit të ri. Ajo ndien përgjegjësi të madhe si lidere dhe është e përkushtuar të transmetojë përvojën e saj te futbollistet e reja.

“Jam mësuar me këtë përgjegjësi. E dua përfaqësuesen dhe është e vështirë të largohesh kur ndien se mund të kontribuosh ende,” u shpreh ajo.

Me 205 paraqitje dhe 50 gola të shënuar, Kosovare Asllani mbetet njëra ndër lojtaret më të rëndësishme në historinë e Suedisë — dhe duket se ky kapitull ende nuk është mbyllur.

Shaqiri flet për varfërinë e përjetuar si fëmijë

Mediat zvicerane shkrujanë se Xherdan Shaqiri u pasurua nëpërmjet futbollit. Ai luajti për klube të mëdha. Kapiteni aktual i Baselit luajti ndër të tjera për Bayernin, Interin e Liverpoolin. Por si i ri iu desh të punonte për të paguar anëtarësimin në Basel, siç tregoi në një format të ri nga “SRF”, përcjell albinfo.ch.

Gjatë rinisë së tij, situata financiare në familjen Shaqiri nuk ishte e mirë. U rrit duke jetuar me gjithë familjen e tij në rrethana modeste në një fermë në Augst. Ata kishin vetëm një dhomë. Familja e Shaqirit praktikisht nuk mund të përballonte kurrë pushime të mira.

“Dhurata ime e parë për ditëlindje ishte fanella e Ronaldos me Brazilin. Nuk ishte origjinale, por isha shumë i lumtur”, i tha Shaqiri gazetares njëmbëdhjetëvjeçare, Linës, e cila e intervistoi për programin e ri “SRF Kids”. Episodi i parë i formatit “SRF Kids” shfaqi se çfarë do të thotë të jesh i varfër në Zvicër.

“Pagesa për anëtarësim në Basel ishte e papërballueshme për prindërit e mi. Prandaj, unë dhe vëllai im duhej të shkonim në punë që të mund t’i paguanim ato”, ka treguar Shaqiri.

Ylli i futbollit thotë se ajo situatë e rëndonte shumë.

“Më bëri të ndihesha i shqetësuar dhe disi i turpëruar”.

Megjithatë, ai theksoi se në të vërtetë nuk duhet të ndihesh i turpëruar nëse ke pak para. Kjo vlen për shumë njerëz në të gjithë botën.

Në moshën 17-vjeçare, Shaqiri nënshkroi kontratën e parë profesionale me Baselin. Xherdani ishte mirënjohës dhe i lumtur që mund t’u jepte diçka prindërve të tij.

28 Nëntori në Neuenhof, dëshmi e qëndrueshmërisë kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër

Në Neuenhof të Kantonit Aargau u zhvillua manifestimi tradicional i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga “Shkolla Shqipe” në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri”. Në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor e arsimor morën pjesë dhjetër

a mësimdhënës, qindra nxënës dhe një numër i konsiderueshëm prindërish nga rreth 20 qendra mësimore shqipe në kantone të ndryshme të Zvicrës.

Hapja solemne: një mbrëmje e dedikuar gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar

Manifestimi u moderua nga ish nxënësja e shkollës, Lina Limoni, e cila hapi aktivitetin me intonimin e Himnit të Flamurit nga kori i Shkollës Shqipe – një moment që krijoi atmosferën ceremonial-kombëtare të mbrëmjes.

Në fjalën përshëndetëse, prof. dr. Vaxhid Sejdiu, në emër të Këshillit Oarganizues, vuri në pah punën e vazhdueshme të mësimdhënësve dhe rolin thelbësor të prindërve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të fëmijëve në Zvicër.

Ai theksoi se: Të dashur prindër, ju jeni shtylla kryesore e ekzistencës së Shkollës Shqipe. Në emër të nxënësve dhe mësuesve në Zvicër, ju falënderojmë thellësisht për kontributin atdhetar dhe mbështetjen e vazhdueshme në kultivimin e identitetit tonë kombëtar.”

Duke vlerësuar mësimdhënësit si bartës të një misioni të rëndësishëm arsimor, Dr. Sejdiu u ndal edhe te rëndësia strategjike e shkollës shqipe në diasporë si model i suksesit kulturor dhe edukativ.

Pjesëmarrje institucionale: mesazhe mbështetjeje nga Shqipëria dhe Kosova

Manifestimi u nderua me praninë e përfaqësueseve të dy ambasadave shqiptare në Bernë:

Znj. Monika Zguro, nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë
Znj. Shukrije Ramadani, nga Ambasada e Republikës së Kosovës

Znj. Zguro vlerësoi programin artistik dhe theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë mbetet një prioritet që lidh brezat me kulturën e tyre amtare. Ajo përgëzoi LAPSH-in për punën dhe strukturën organizative të qëndrueshme.

Znj. Ramadani, në fjalën e saj, u shpreh e impresionuar nga paraqitja e nxënësve dhe falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin profesional, duke nënvizuar se diaspora shqiptare në Zvicër vazhdon të jetë një model shembullor i organizimit komunitar.

Afaristja dhe mbështetësja e Shkollës Shqipe, Merita Pinta, vlerësoi organizimin dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të shkollës.

Ajo theksoi se Dita e Flamurit mbetet një moment simbolik për komunitetin shqiptar dhe se mbështetja për shkollën shqipe është një investim i drejtpërdrejtë në ruajtjen e identitetit kulturor të fëmijëve.

Programi artistik: pjesëmarrje nga rreth 20 qendra mësimore në Zvicër

Manifestimi u pasurua me një program të gjerë artistik ku morën pjesë nxënës nga qendrat:

Neuenhof, Spreitenbach, Rümlang, Fahrweid, Cyrih-Affoltern, Regensdorf, Dällikon, Rüti, Rapperswil–Jona, Uster, Pfäffikon, Volketswil, Fehraltorf, Wetzikon, Zug dhe Buchrain.

Fëmijët interpretuan poezi dhe këngë patriotike, duke sjellë para publikut vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe motive muzikore tradicionale. Numrat e tyre u pritën me duartrokitje të gjata dhe evidentuan nivelin e mirë të përgatitjes nga mësimdhënësit.

Nga pjesa e vallëzimit u veçuan interpretimet e “Valljes së Pavarësisë” nga grupet e vajzave dhe performanca e nxënëseve Tea Idrizaj dhe Leandra Ametaj.

Mirënjohje për kontribuesit dhe urime për prindërit

Mësuesi Dr. Vaxhid Sejdiu ndau mirënjohje për kontribuesit dhe mbështetësit e Shkollës Shqipe, përfshirë personalitete të komunitetit, aktivistë, mësimdhënës dhe prindër të cilët kanë dhënë ndihmesë të vazhdueshme në mbarëvajtjen e shkollës.

Vlerësime të veçanta iu dedikuan prindërve që kontribuojnë rregullisht në organizimin e aktiviteteve dhe mbarëvajtjen e proceseve mësimore.

Mbrëmja u mbyll me interpretimin e korit të Shkollës Shqipe nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu. Kënga finale “Përjetësisht me ty Shqipëri”, e kënduar nga të gjithë nxënësit në skenë, simbolizoi bashkimin, krenarinë dhe aspiratën e komunitetit shqiptar në Zvicër për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të tyre.

Një model i qëndrueshëm i edukimit dhe identitetit në diasporë

Manifestimi i 28 Nëntorit në Neuenhof konfirmoi edhe një herë se Shkolla Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” mbetet një institucion kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar, në nxitjen e edukimit kulturor dhe në forcimin e lidhjes mes brezave të diasporës shqiptare në Zvicër.

(Fotot: Afrim Nevzati)

Mbrëmje gala në Nju-Jork, flamuri kuq e zi bashkon shqiptarët

Ambasadori Ervin Bushati nderon mbrëmjen gala të Vatrës në New York për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

Në një atmosferë solemne dhe festive, Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra” mblodhi shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Europa dhe trojet shqiptare për të festuar me krenari 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar.

Në këtë ceremoni madhështore, Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, vlerësoi rolin historik të Vatrës si një shtyllë e identitetit, kulturës dhe kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të Vatrës në mbështetje të Pavarësisë dhe çështjes kombëtare, rolin e saj si ura lidhëse mes shqiptarëve të Amerikës dhe atdheut, si dhe rëndësinë e angazhimit të komunitetit në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri–SHBA dhe të vlerave euroatlantike që bashkojnë shqiptarët.

Ambasadori Bushati shprehu mirënjohje për përkushtimin e Vatrës dhe degëve të saj në mbarë SHBA-në, duke i cilësuar si një pasuri të çmuar të kombit dhe shembull të bashkimit, krenarisë dhe identitetit shqiptar.

Mbrëmja gala, me pjesëmarrjen e figurave të shquara të komunitetit, artistëve, klerikëve dhe personaliteteve nga mbarë trojet shqiptare, dëshmoi edhe një herë se kudo ku jetojnë shqiptarët, flamuri kuq e zi vazhdon të na bashkojë. /Albinfo.ch

Trump shpërndan artikullin ku Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Serbi-Kosovë

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë tërë mandatit të tij të dytë ka folur për ndaljen e konflikteve dhe luftërave nëpër botë, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se ka ndalur gjithsej 8 luftëra në muajt e tij të parë në krye të qeverisë amerikane.

Në mesin e këtyre konflikteve, Trump ka thënë të ketë ndalur edhe atë të Serbisë në Kosovë.

Deklarata e tij e parë e bërë mbi këtë çështje ishte bërë më 27 qershor, dhe ishte kthyer në temë të gjerë diskutimi në vend, pasi deri në deklarimin e tij nuk kishte pasur ndonjë informacion se mund të ketë pasur tentime nga pala serbe që të niste një luftë apo konflikt të armatosur në Kosovë, sidomos për periudhën që ai fliste.

Por, këtë pretendim e kishte mbështetur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë një ligjërate në Uashington në muajin korrik të këtij viti, ajo tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, pati thënë presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

E deklarimin e Osmanit, të cituar nga “Washington Post”, e ka shpërndarë pikërisht i presidenti më i pushtetshëm në botë, Trump, në profilin e tij në rrjetin social “Truth Social”.

“Për më tepër, Trump pohon se ai parandaloi një luftë midis Serbisë dhe Kosovës (presidentja e Kosovës mbështeti pretendimin e Trumpit, duke thënë se Serbia po planifikonte të sulmonte Kosovën në maj përpara se Trumpi të ndërhynte)”, shkruan WP.

Diamant Hysenaj kandidon për Kongresin Amerikan në distriktin NY-14

Në një kohë kur përfaqësimi i komuniteteve me prejardhje të shumta po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara, Diaspora shqiptare në Nju-Jork dhe më gjerë ka mundësinë t’i japë zë përmes kandidaturës së Diamant Hysenajt për Kongresin Amerikan në distriktin New York’s 14th congressional district (NY-14), transmeton albinfo.ch.

Kush është Diamant Hysenaj

Diamant Hysenaj, me rrënjë nga Kosova dhe konkretisht me origjinë nga Gjakova, po synon të sjellë përfaqësim për komunitetet emigrante dhe zinxhirin e vlerave që vijnë me përvojën e tij personale. Në deklarimet e tij të para për media ai ka përmendur rrugëtimin e tij nga emigranti i thjeshtë deri te biznesmeni i suksesshëm, një “ëndërr amerikane” që përpiqet ta kthejë në shpresë për shumë të tjerë.

“Mbarimet që kam arritur këtu janë frut i përkushtimit, punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj komunitetit,” tha Hysenaj.

“Dua që zëri im të jetë zëri i atyre që vijnë nga rinia, nga fshati, nga qyteti, nga Shqipëria, Kosova, Dibra, Bajgora… dhe i atyre që po ndërtojnë jetën këtu.”

Pse distrikti NY-14 ka rëndësi

NY-14 mbulon një pjesë të Bronksit dhe të Queens, zona që karakterizohen nga diversiteti etnik e kulturor, me përqindje të larta emigrantësh dhe banorë me prejardhje të ndryshme.

Në këtë kontekst, kandidatura e Hysenajt merr një rëndësi të veçantë: ajo ofron mundësinë që komunitetet shqiptare dhe emigrante të afirmohen si pjesë e mozaikut amerikan dhe të ndikojnë në vendimmarrje politike.

Ftesë për komunitetin shqiptar dhe jo vetëm

Fushata e Hysenajt nis me një event promocional, i planifikuar për:

Datë: 4 Dhjetor 2025

Ora: 6:30 PM

Vendi: The Waterfront NYC, 500 Hutchinson River Parkway, Bronx, NY 10465

Nëpërmjet këtij takimi, ai synon të bashkojë shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trevat (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, diaspora më gjerë), si dhe përkrahës nga komunitete të tjera, nën idenë e përfaqësimit, bashkimit dhe kontributit aktiv në demokracinë amerikane.

Rëndësia për diasporën dhe identitetin kombëtar

Kandidatura e Hysenajt nuk është thjesht një betejë politike: është një shans për komunitetin shqiptar që të jetë pjesë aktive e sistemit demokratik amerikan, të afirmojë identitetin e vet dhe të kontribuojë në politika që prekin emigrantët dhe komunitetet me prejardhje të ndryshme.

Në kohën kur shumë shqiptarë jetojnë në diasporë me suksese, por ndihen larg nga qendrat e vendimmarrjes, kjo fushatë mund të përfaqësojë një urë lidhëse mes Atdheut, identitetit dhe influencës politike./Albinfo.ch 

Senati zviceran voton kundër subvencionit për trenin e natës drejt Suedisë

Senati zviceran dëshiron të anulojë një kontribut federal prej 10 milionë CHF për të operuar trenat e natës drejt Malmö, Suedi.

Vendimi u mor me shumicë të qartë të martën gjatë diskutimeve mbi buxhetin për vitin 2026. Subvencioni ishte planifikuar për një lidhje të natës nga Bazeli përmes Hamburgut dhe Kopenhagës drejt Malmö-së, duke filluar nga prilli 2026.

Sipas hekurudhave federale zvicerane (SBB), ky financim është një kusht i nevojshëm që trenat të operojnë tre herë në javë nga pranvera. Megjithëse trenat e natës janë të njohur dhe të pëlqyer, ata nuk janë fitimprurës për shkak të kostove të larta.

“Shpenzimet dhe të ardhurat nuk janë në përputhje,” tha senatori Jakob Stark, duke theksuar se stacionet federale përgjegjëse nuk mund të operonin trenin e natës në mënyrë të vetëmbajtshme, edhe nëse trenat do të ishin plotësisht të mbushur.

Baptiste Hurni kujtoi pa sukses Ligjin e CO2, në të cilin mbështetja për trenat e natës është e parashikuar me deri në 30 milionë CHF në vit deri në 2030. Sipas tij, çështja është respektimi i ligjit, dhe kjo tashmë mund të arrihej me 6.5 milionë CHF. Trenat e natës janë një mënyrë për të ulur emetimet e CO2.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila do të diskutojë buxhetin nga e enjtja, komiteti i financave po kërkon që 10 milionë CHF për trenat e natës të mbeten në buxhet. Dy peticione nga disa organizata mjedisore dhe Shoqata e Transportit Publik, Partia Socialdemokrate dhe të Gjelbrit kërkojnë financim për trenat e natës drejt veriut.

Në total, 50,000 persona kanë nënshkruar peticionet. Organizatat theksuan se Hekurudhat Federale Zvicerane kishin investuar tashmë në shërbimin e trenit të natës drejt Kopenhagës dhe Malmö-së, dhe lidhjet e trenave të natës përbëjnë një alternativë ndaj fluturimeve. Fondet e mjaftueshme janë të nevojshme për të mbështetur tranzicionin drejt mobilitetit të qëndrueshëm.

Gjykata zvicerane: Mbikëqyrja e shërbimeve të inteligjencës shkel të drejtat themelore

Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka vendosur se mbikëqyrja ndërkufitare përmes radios dhe kabllove nga Shërbimi Federal i Inteligjencës (NDB) nuk përputhet me Kushtetutën Federale dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas gjykatës, ligji aktual nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër keqpërdorimeve, nuk garanton përpunimin vetëm të të dhënave të sakta dhe nuk mbron burimet gazetare apo komunikimet e ndjeshme si ato midis avokatëve dhe klientëve. Gjithashtu, nuk ekziston mbikëqyrje efektive dhe të prekurit nuk kanë një mjet ligjor për rishikim.

Megjithëse mbikëqyrja përmes radios dhe kabllove është e lejuar për arsye sigurie, gjykata kërkon përmirësime dhe i jep legjislatorit pesë vite kohë për të rregulluar mangësitë. Nëse nuk bëhet një përputhje me ligjin dhe të drejtat themelore brenda këtij afati, mbikëqyrja duhet të ndalet.

NDB përdor këto mjete për të mbledhur informacion mbi ngjarjet me rëndësi për sigurinë jashtë vendit dhe nuk mund të monitorojë komunikimet që mbeten brenda Zvicrës. Vendimi aktual mund të apelohet në Gjykatën Federale.

 

Demokristianët e diasporës kundërshtojnë koalicionin PSHDK–VV

Pjesëtarë të PSHDK-së në diasporë, veçanërisht nga Zvicra, Gjermania dhe Austria, kanë reaguar kundër marrëveshjes së koalicionit midis PSHDK-së dhe Vetëvendosjes për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas Anton Markut, kryetar i degës së PSHDK-së në Austri, vendimi është marrë pa konsultuar anëtarësinë dhe bie ndesh me parimet e partisë.

Marku akuzon kryetarin Zef Morina dhe disa drejtues të tjerë se kanë vepruar për interesa personale, duke anashkaluar vullnetin e elektoratit dhe duke e drejtuar partinë drejt një bashkëpunimi që nuk përputhet me identitetin e djathtë demokristian. Sipas tij, një koalicion me një parti të majtë si VV-ja është ideologjikisht i paarsyeshëm dhe mund ta dëmtojë pozicionin e PSHDK-së në skenën politike.

Demokristianët në diasporë kërkojnë mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për ristrukturimin e partisë dhe largimin e përgjegjësve për këtë vendim. Nëse ndryshimet nuk ndodhin, ata paralajmërojnë bojkotim të zgjedhjeve, duke theksuar se vota e tyre nuk duhet të shfrytëzohet për një pushtet që, sipas tyre, ka shënuar regres në vitet e fundit dhe ka dobësuar lidhjet ndërkombëtare të vendit.

Në Lozanë hapet punëtoria dygjuhësore për fëmijë

Në Bibliotekën Chauderon në Lozanë, më 17 janar 2026 do të organizohet një punëtori leximi për fëmijët e moshës 4–8 vjeç, e udhëhequr nga Kantarena Gjelaj, edukatore sociale e specializuar në të drejtat e fëmijës. Qëllimi i aktivitetit është nxitja e leximit dhe zhvillimit dygjuhësisë përmes një përvoje të strukturuar dhe të përshtatur për të vegjlit.

Në qendër të punëtorisë është libri dygjuhësh Përrallat e Gjysheve / Les contes de Mamie, i shkruar nga Gjelaj në bashkëpunim me ilustruesin bashkautor. Libri ndërthur traditën e rrëfimit me objektivin edukativ: për fëmijët shqiptarë në vendlindje ai shërben si hapësirë e parë drejt gjuhës frënge, ndërsa për fëmijët me prejardhje shqiptare në vendet frankofone, ofron një mënyrë të natyrshme për të ruajtur dhe forcuar gjuhën amtare. Dimensioni ndërmjet gjenerative i tregimit, lidhja mes gjyshes dhe fëmijëve — e thellon vlerën kulturore të veprës.

Biblioteka Chauderon e mbështet këtë aktivitet si pjesë e programeve të saj edukative dhe të hapura për komunitetin, duke ofruar një mjedis të  qasshëm për familjet që kërkojnë qasje cilësore në materiale dygjuhëshe.

Informacion praktik:
Data: 17 janar 2026
Vendi: Bibliothèque de Chauderon, Lausanne
Pjesëmarrja: e hapur dhe falas
Regjistrimi: sipas udhëzimeve të bibliotekës

Ky aktivitet synon të krijojë një hapësirë të qetë dhe të mirëstrukturuar ku fëmijët mund të takohen me gjuhën, librin dhe kulturën përmes një përvoje të orientuar drejt rritjes së tyre gjuhësore dhe emocionale.

ch_contes_de_mamie_A5 (1)

 

Kosovë: Nga nesër rikthehet funksionimi i trafikut urban

Trafiku Urban i Prishtinës dhe operatorët privatë të transportit kanë vendosur të rifillojnë punën nesër, pas nëntë ditësh grevë. Vendimi është marrë pas një takimi të përbashkët midis përfaqësuesve të të dyja palëve.

Drejtori i Trafikut Urban, Qëndrim Vitija, dhe përfaqësuesi i transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, kanë konfirmuar se do të rikthehen në qarkullim, edhe pse borxhi që Komuna u ka është shlyer vetëm pjesërisht.

Komuna e Prishtinës njoftoi se Ministria e Financave ka lëshuar vetëm një pjesë të të hyrave vetanake të vitit 2024 – rreth 2.7 milionë euro nga shuma prej 25 milionësh që i takon komunës. Edhe pse kjo shumë nuk mbulon borxhin total ndaj transportuesve, ata kanë vendosur të rifillojnë operimin për të mos bllokuar më qytetarët.

Greva kishte filluar më herët si reagim ndaj vonesave të pagesave, ndërsa rifillimi i punës pritet të normalizojë transportin publik në kryeqytet.

 

Trafikimi i drogës, kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës

Autoritetet evropiane të sigurisë paralajmërojnë se krimi i organizuar i lidhur me drogën është bërë sot rreziku më i madh për kontinentin, duke tejkaluar edhe terrorizmin. Dokumentari investigativ “Trafikimi i Drogës, Helmi i Evropës”, transmetuar në Arte, tregon se si ky fenomen është i rrënjosur thellë në ekonominë e globalizuar.

Porti i Roterdamit mbetet pika kryesore hyrëse për kokainën në Evropë. Me mijëra kontejnerë që vijnë çdo ditë, kontrolli i tyre është pothuajse i pamundur. Sipas ekspertëve, rreth 90% e kokainës që kalon këtu shpërndahet më pas në gjithë BE-në. Kriminologët theksojnë se rrjetet janë aq fitimprurëse dhe të sofistikuara, saqë sekuestrimet nuk mjaftojnë: nëse nuk çmontohen strukturat kriminale, trafiku vazhdon pa u ndalur.

Diferenca kolosale mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes në tregun evropian e bën këtë aktivitet “stadin më të dhunshëm të kapitalizmit”, siç thonë autorët e dokumentarit. Grupet kriminale nuk hezitojnë të përdorin dhunë ekstreme dhe të krijojnë aleanca të përkohshme për të mbajtur kontrollin e tregut.

Fenomeni prek gjithnjë e më shumë vende si Franca, Belgjika dhe Suedia, ku autoritetet pranojnë se reagimi politik ka qenë i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm. Globalizimi po i ndihmon këto rrjete, pasi tregtia e paligjshme shkrin lehtësisht gjurmët brenda tregtisë së ligjshme.

Ekspertët paralajmërojnë se Evropa po përballet me një “cunamii” kriminal dhe se lufta kundër trafikimit të drogës është një garë me kohën.

Shorti i Kupës së Botës më 5 dhjetor, detajet që duhet t’i dini

Shorti i Kupës së Botës, do të zhvillohet këtë të premte në Uashington D.C. (ora 18:00), dhe ndryshimi i formatit nga ky edicion e tutje do të jetë i plotë.

Në shortin e Kupës së Botës do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shumë gjëra do të jenë të reja. Për të filluar, numri i ekipeve pjesëmarrëse do të rritet nga 32 në 48. Për më tepër, për herë të parë në histori, do të ketë tre vende pritëse për të njëjtin turne: SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja.

Risia kryesore është zgjerimi i numrit të ekipeve dhe, për rrjedhojë, kohëzgjatja e turneut. Kupa e Botës do të zgjasë pesë javë, një më shumë se më parë, dhe do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026, transmeton albinfo.ch.

Pas një debati të gjatë rreth formatit (u konsiderua edhe mundësia e grupeve me nga tre), formati tradicional i grupeve me nga katër do të ruhet, megjithëse numri i grupeve do të rritet.

Në vend të tetë grupeve të Kupave të Botës së fundit (A deri në H), do të jenë dymbëdhjetë (A deri në L).

Dy ekipet e para nga secili grup do të kualifikohen, së bashku me tetë ekipet më të mira të vendit të tretë nga të gjitha.

Kjo do të përcaktojë 32 ekipet që avancojnë në raundin tjetër. Raundi i 32 është gjithashtu i ri, që do të thotë se do të ketë një raund eliminimi më shumë se më parë.

Me fjalë të tjera, për t’u bërë kampion bote, një ekip do të duhet të luajë tetë ndeshje, krahasuar me shtatë më parë.

Ndryshimi i fundit i madh u njoftua nga FIFA javën e kaluar. Raundet eliminimi do të paraqesin “çifte favoritësh” që do të shmangin njëri-tjetrin nëse përfundojnë të parët në grupet e tyre.

Ky është rasti për Spanjën dhe Argjentinën, të parat dhe të dytat në renditjen e FIFA-s, dhe Francën dhe Anglinë.

Nëse ata avancojnë nga faza e grupeve si fitues të grupeve, secili do të shkojë në një anë të ndryshme të grupit, jo në anën ku do të vendoset partneri i tyre.

Një moment tjetër do të vijë 24 orë pas shortit. Të shtunën, gjithashtu në orën 18:00, orari i saktë do të shpallet në një aktivitet të veçantë.

Deri atëherë, do të dihen vetëm përbërjet e grupeve, por jo vendet apo oraret e ndeshjeve. FIFA do të organizojë një aktivitet tjetër për t’i shpallur ato.

Vjenë: Rama, pjesëmarrës në Konferencën “Time To Decide Europe 2025”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet këtë të martë, më 2 dhjetor, në Vjenë, ku ka marrë pjesë në Konferencën “Time To Decide Europe 2025”, një forum i nivelit të lartë që trajton çështje kyçe mbi të ardhmen e Evropës.

Në një postim në rrjetet sociale ku ndan pamje nga zhvillimi i kësaj konference, kryeministri Rama shprehet se: “ishte privilegj të merrja pjesë si i ftuar nderi në drejtimin e njërit prej paneleve, si edhe në konkluzionet përfundimtare.”

Në këtë konferencë marrin pjesë liderë politikë, ekspertë të diplomacisë, ekonomisë dhe sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Posta kryesore e Cyrihut së shpejti “do të flasë” edhe shqip

Zyra postare Sihlpost në Cyrih, më e madhja dhe kryesorja në qytet, rihapet pas 10 muajsh rinovimesh me një koncept të ri. Dega tani përqendrohet në thirrjet video dhe konsultimet direkte, transmeton albinfo.ch. Përkthimet e inteligjencës artificiale në gjuhë si shqipja do të lehtësojnë bisedat.

Sihlpost është rikthyer – dhe nuk duket më si një zyrë postare tradicionale. Pas dhjetë muajsh rinovimesh, dega më e madhe e Cyrihut u rihap të hënën: “Më pak sportele, më shumë konsultime të hapura, mjete dhe shërbime dixhitale që nuk kanë qenë kurrë të disponueshme më parë në Zvicër”, thotë për 20 Minuten Thomas Baur, Drejtor i Rrjeteve Postare.

Në momentin kur hyn në këtë postë, është e qartë se gjërat janë ndryshe këtu: Në vend që të marrësh biletën sikur deri më tani, një punonjës postar përshëndet klientët në hyrje dhe i drejton ata në vendin më të shpejtë për të trajtuar nevojat e tyre. “Është dega jonë e parë ku më shumë njerëz punojnë para sportelit sesa pas tij”, thotë Baur. “Klienti është fokusi – sapo dikush hyn, punonjësit tanë demonstrojnë se si të kryejnë punë postare edhe pa sportel”.

Konsultime nëpërmjet video-thirrjes – dhe së shpejti me përkthim të IA-së

Përveç sporteleve të njohura, janë në dispozicion kioska automatike ku klientët mund të trajtojnë të gjitha punët e tyre postare me një konsulent nëpërmjet video-thirrjes. Brenda gjashtë muajsh, do të prezantohet edhe një mjet i IA-së, i cili do të mundësojë biseda midis punonjësve dhe klientëve, edhe nëse të dy nuk flasin gjermanisht, përcjell albinfo.ch. IA do të përkthejë bisedat në kohë reale në gjuhë të tilla si shqipja, spanjishtja dhe portugalishtja.

“IA nuk zëvendëson vendet e punës”

A duhet të kenë frikë punonjësit e postës për vendet e tyre të punës në afat të mesëm? Baur e hedh poshtë shqetësimin: “Jo. IA nuk zëvendëson askënd – ajo i mbështet ata. Personi në anën tjetër mbetet një qenie njerëzore”.

Sihlpost i modernizuar do të bëhet “qendra më moderne e shërbimeve të Zvicrës”. Module të reja interaktive janë në dispozicion për filatelinë (pulla postare), abonimet e telefonisë celulare dhe sigurimet, dhe për herë të parë, një konsulent i PostFinance do të jetë përgjithmonë në vend.

Komuna e Prishtinës nis pagesat e borxheve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas alokimit të mjeteve të kryeqytetit nga Ministria e Financave e Kosovës.

Rama tha se ky është lajm i mirë për qytetarët duke thënë se Drejtoria e Financave e Prishtinës do të vazhdojë punën sot jashtë orarit të rregullt për procesim sa më të shpejtë të pagesave.

“Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milion euro nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, tha Rama.

Rama tha se Komuna e Prishtinës pret që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria e Financave.

“Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria”, thotë Rama.

Kujtojmë që Trafiku Urban prej ditësh ka ndërprerë punën për shkak të mos ekzekutimit të pagesave.

Megjithatë, ende nuk është vendosur nëse greva do të vazhdojë apo do të ndërpritet sonte.

Fletëvotimet për diasporën nuk mund të dërgohen para 21 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka mbajtur mbledhjen e radhës për shqyrtimin e pikave të ditës para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

KQZ në kuadër të pikave të ditës ka shqyrtuar rekomandimin për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative, transmeton KosovaPress.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike rekomandoi emrat e anëtarëve të këtij komisioni, transmeton albinfo.ch.

“Komisioni do të ketë detyrë për shqyrtimin dhe trajtimin e të gjitha kundërshtimeve të paraqitura nga persona që jetojnë jashtë Kosovës të cilëve iu është refuzuar regjistrimi për votim jashtë vendit, si dhe shqyrtimin e kërkesave për shqyrtimin ose korrigjimin e regjistrimit. Në lidhje me këtë rekomandojmë që si anëtarë të jenë; Emira Lushi kryesuese, Xhemajl Peqani anëtar dhe Rilind Kryeziu anëtar”, tha Besnik Buzhala.

Tutje, KQZ shqyrtoi rekomandimin për zhvillimin e procedurave emergjente ekstreme për aktivitetet e prokurimit që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Buzhala rekomandoi që aktivitetet e prokurimit përfshirë edhe planin për buxhet për zgjedhje të parakohshme të zhvillohen në procedura emergjente ekstreme.

“Siç e dini me datën 20 nëntor 2025 është shpallë data e zgjedhjeve me datën 28 dhjetor 2025, që përafërsisht i bie 40 ditë në dispozicion për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Duke u bazuar në ligjin për prokurim publik përcaktohet që për shkak të urgjencave ekstreme të shkaktuara nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti pëkatës kontraktues. Lidhur me këtë ne rekomandojmë që për 18 aktivitete të prokurimit që janë përfshi edhe në planin e buxhetit për zgjedhje të parakohshme të Kuvendit të Kosovës rekomandojmë që për këto aktivitete të zhvillohen procedurat emergjente ekstreme”, tha Buzhala.

Buzhala tha se fletëvotimet për votuesit jashtë vendit nuk mund të dërgohen para datës 21 dhjetor.

“Para datës 21 ne nuk mundemi me i dërgu këto me i nis pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që regjistrohen suksesshëm për votim në zgjedhje që mbahen me 28 dhjetor”, tha ai.

Duisburg: Flaka Haliti krijon instalacion spektakolar në Muzeun Lehmbruck

Ekspozita e re në serinë e 21-të të Skulpturave në Muzeun Lehmbruck në Duisburg ka shumë për të ofruar: Strukturat e çelikut dhe aluminit, të cilat mbyllin panelet e qelqit nga një ish-hangar ushtarak i KFOR-it (Forca e Kosovës), janë 2.88 metra të larta, transmeton albinfo.ch.

Panelet e qelqit janë të gjitha të shënuara nga rrezet e diellit. Të ndriçuara nga prapa, këto dritare duhet t’i japin instalacionit një pamje pothuajse fantazmë, veçanërisht në errësirë. Hapësira e ekspozitës është Salla Veriore me panelet e saj të qelqit më shumë se shtatë metra të larta, shkruan nrz.de. Kjo krijon një lidhje midis muzeut dhe publikut.

Vepra është krijim nga Flaka Halitit, e cila vjen nga Kosova. Dhe ajo që e bën instalacionin edhe më të pazakontë është fakti se artistja e ka ndërtuar atë instalacion pikërisht aty, në hapësirat e Muzeut Lehmbruck.

“Kur pashë për herë të parë hapësirën ku ndodhet tani ekspozita ime, mbeta vërtet pa fjalë”, thotë artistja. “Dritaret, parku, arkitektura. Nuk kam parë kurrë një muze më të hapur për audiencën e tij se ky”.

Vizita e muzeut vazhdon edhe gjatë krijimit të instalacionit

Tri ose katër javë më parë, vlerëson drejtoresha e muzeut, Söke Dinkla, Haliti e përfundoi punën e saj në Muzeun e Duisburgut. Çdo stelë u dorëzua në pjesë individuale. “Nuk e kemi parë kurrë më parë muzeun të bëhet studio”, thotë Dinkla. Ishte gjithashtu një përvojë shumë e veçantë për stafin tjetër të muzeut, veçanërisht për faktin sepse vizitorët vazhdonin ta përdorin hapësirën, edhe gjatë krijimit të instalacionit.

Por vizitorët janë gjithsesi një pjesë integrale e punës së Flaka Halitit: Duke rregulluar stelat, artistja krijoi një hapësirë ​​bosh në mes të dhomës – dhe kjo, gjithashtu, është shumë e pazakontë. Kjo i bën vizitorët që të lëvizin nëpër të pjesë të vetë ekspozitës. “Fillimisht pyesja veten nëse do të mbetej kështu”, thotë Dinkla, duke qeshur. Asnjë artist tjetër nuk kishte guxuar ta bënte këtë më parë. Haliti ka një prirje për hapësirat ndërmjetëse. “Dhe ajo e vë në skenë këtë ndërmjetëse”, shpjegon Dinkla.

Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë, dhe ka përjetuar luftën atje në vitet 1990. Kjo përvojë i dha formë si asaj ashtu edhe punës së saj. Në vitin 2015, ajo fitoi njohje në Bienalen e Venedikut, ku kuroi pavijonin e Kosovës. Më parë ajo ka ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Kunsthaus Hamburg, Çukrana në Lubjanë dhe mumok (Muzeu i Artit Modern) në Vjenë.

Nën titullin “Skulptura 21”, Muzeu Lehmbruck ka prezantuar ekspozita të skulpturës bashkëkohore me radhë që nga viti 2014, me rastin e 50-vjetorit të muzeut.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 8 mars.

Flaka Haliti: Loja me të kundërtat

“Një temë që Haliti eksploron vazhdimisht është kontrasti: e njohura dhe e panjohura, e vjetra dhe e reja, teknologjike dhe e krijuar nga njeriu. Kjo vlen edhe për robotët e saj. Ata janë krijuar nga materiale të shpëtuara nga kampet ushtarake të braktisura të KFOR-it. Kështu, ata mbajnë një barrë të rëndë dhe një sasi të madhe historie brenda tyre, dhe për këtë arsye janë edhe më të gjalla. Ata shkëlqejnë me lehtësi dhe gëzim.

Të dy shtrihen në dysheme, duke mos kryer asnjë detyrë. Njëri është rehatuar me shpinë, duke i mbështetur këmbët në mur, ndërsa tjetri shtrihet përmbys, duke u dukur sikur po përpëlitet. Përmes këtyre pozicioneve, artistja i humanizon të dy”, thuhet në tekstin e njoftimit që bën muzeu për instalacionin e Flaka Halitit, transmeton albinfo.ch.

“Veprat e Flaka Halitit magjepsin me lehtësinë e tyre dhe me talentin e artistes për t’u dhënë situatave politike një formë poetike. Në instalacionet e saj, të cilat na mbështjellin me të gjitha shqisat tona, Haliti eksploron kuptimet e kufijve, demokracisë dhe lirisë. Flaka Haliti përdor objekte dhe materiale të përditshme që të gjithë i njohim dhe i bashkon ato në forma joshëse dhe elegante. Me humorin e saj karakteristik, ajo i jep formë dhe ndonjëherë edhe një fytyrë të paprekshmes.

Duke filluar nga eksplorimi i përkatësisë dhe identitetit, artistja vendos efektet e zhvendosjes, migrimit dhe izolimit gjeopolitik në qendër të artit të saj. Haliti transformon mbetjet e kampeve ushtarake të braktisura të KFOR-it, nën udhëheqjen e misionit paqeruajtës të NATO-s, në skulptura shumëngjyrëshe: në robotë që duket se po kënaqen në përtaci.

 

Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës

Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të veçantë: është mjeku që flet gjuhën e tyre, i kupton kulturën dhe shqetësimet dhe i udhëheq me qetësi nëpër proceset shpesh të ndërlikuara të trajtimit.

Langenthali njihet prej vitesh si një prej qyteteve më multikulturore të Zvicrës. Me një përqindje të lartë të banorëve të huaj dhe një komunitet të konsoliduar shqiptar, ky qytet është shndërruar në shembull të integrimit dhe bashkëjetesës. Pikërisht në këtë realitet të larmishëm e në qendër të qytetit ofron shërbime MagenDarm Zentrum Oberaargau (MDZO), një ordinancë moderne e specializuar për gastroenterologji, e cila në një kohë shumë të shkurtër është shndërruar në adresën e parë të mijëra pacientëve nga i gjithë vendi.

Dr. med. Mentor Bilali është vlerësuar për profesionalizmin e tij të plotë, përvojën e gjatë dhe për qasjen e tij shoqëruese, të butë e njerëzore me pacientët. Për shqiptarët, Dr. Bilali ka edhe një peshë të veçantë: është mjeku që flet gjuhën e tyre, i kupton kulturën dhe shqetësimet dhe i udhëheq me qetësi nëpër proceset shpesh të ndërlikuara të trajtimit.

Nuk janë të pakta rastet kur media zvicerane dhe shqiptare kanë shkruar për të, duke e përshkruar si një shembull të integrimit, suksesit dhe profesionalizmit në diasporë. Megjithatë, përtej vëmendjes mediatike, realiteti i përditshëm në MDZO dëshmon më shumë se çdo artikull: pacientët nga e gjithë Zvicra vijnë tek ai për kontrolle të rregullta, check-up apo kontrollime parandaluese dhe trajtime të specializuara që kërkojnë ekspertizë të lartë.

Qendra e drejtuar prej tij është hapur para një viti, por suksesi ka qenë i menjëhershëm. Ende pa u mbushur një vit nga hapja, MagenDarm Zentrum Oberaargau, ka trajtuar mbi katër mijë pacientë, një shifër domethënëse për një qendër të re. Kjo tregon qartë se pacientët nuk kërkojnë thjesht një mjek të mirë, por një mjek që u jep besim, qetësi dhe kujdes të personalizuar. Sipas shumë prej tyre, Dr. Bilali është bërë sinonim i këtyre vlerave.

Ambienti i klinikës është një nga faktorët që e bëjnë MDZO (mdzo.ch) kaq tërheqëse. Me hapësira të ndritshme, të pastra dhe të dizajnuara për rehati maksimale, klinika krijon një atmosferë të ngrohtë dhe të sigurt. Pajisjet moderne të teknologjisë më të fundit e bëjnë të mundur diagnostikimin e saktë dhe trajtime të avancuara që përfshijnë gastroskopinë, kolonoskopinë, ultrasonografinë hepatike, kapselendoskopinë, terapitë specifike për sëmundje kronike inflamatore të zorrëve si Morbus Crohn dhe koliti ulçeroz, sëmundje pankreasit dhe testet e intolerancave. Çdo hap, nga vizita e parë deri te rikuperimi, shoqërohet me profesionalizëm dhe kujdes të veçantë.

Një paciente shqiptare, e cila për vite të tëra i shmangej gastroskopisë nga frika, rrëfeu se e gjeti qetësinë tek Dr. Bilali: “Mjeku më dha një ndjenjë sigurie që nuk e kisha përjetuar më parë. Ishte hera e parë që u ula përballë një mjeku dhe ndjeva se po më dëgjonte vërtet.”

Kështu, me dhjetëra vizitorë, pacientë të rinj, të vjetër, nga të gjitha kantonet e Zvicrës, mbushën ordinancën në ditën e dyerve të hapura për të falënderuar mjekun dhe stafin. Një infermiere zvicerane, me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, u shpreh me habi: “Nuk kam parë kurrë kaq shumë pacientë shqiptarë të vijnë të një ordinancë si kjo këtu. Besimi që kanë ata tek Dr. Bilali është i dukshëm dhe i jashtëzakonshëm”, shprehet ajo, e cila nuk dëshiron të shfaqet në media.

Shefi i Kantonsspitalit të kirurgjisë në Aarau me fjalë të mëdha për Dr. Mentor Bilalin

Pikërisht në këtë ngjarje të mbushur me emocione, ndodhi edhe një vizitë që nuk kaloi pa vëmendje: ajo e PD Dr. med. sc.  nat. Përparim Limanit, një nga kirurgët më të suksesshëm në Zvicër, i cili ka marrë detyrën e shefit të Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Visceriale në Kantonsspital Aarau. I shoqëruar nga prindërit e tij, ai e vlerësoi lart punën e Dr. Bilalit dhe bashkëpunimin profesional mes tyre. Ai shpjegoi se shpesh konsultohen për raste të ndërlikuara, ku shkëmbimi i përvojave dhe analiza e përbashkët e situatave të ndërlikuara shërben si garanci për trajtime të sakta dhe vendime të drejta mjekësore. “Dr. Bilali është profesionist i jashtëzakonshëm, shumë i kujdesshëm dhe tepër i saktë. Bashkëpunimi ynë është gjithmonë në shërbim të pacientit.” u shpreh Dr. Limani duke treguar se edje nëna e tij i kryen kontrollet mjekësore tek ordinanca e doktor Mentor Bilalit.

Përtej klinikës, Dr. Mentor Bilali është edhe një lider i komunitetit mjekësor shqiptar në Zvicër. Si Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, ai luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e profesionistëve, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe forcimin e imazhit të shqiptarëve në sistemin shëndetësor zviceran.

Në fund të ditës, për shumë njerëz Dr. Bilali është më shumë se një mjek. Ai është një figurë që i jep siguri, një profesionist që e kthen frikën në qetësi dhe një njeri që e sheh pacientin si individ, jo si numër. Dhe pikërisht kjo qasje njerëzore, e kombinuar me profesionalizmin dhe teknologjinë moderne të MDZO-së, e ka bërë atë një nga mjekët më të kërkuar në Zvicër, një histori suksesi që vazhdon të shkruhet çdo ditë, me çdo kontroll, çdo konsultë dhe çdo pacient që del nga klinika i sigurt dhe i qetë.