X

Na ndiqni:

Nis “Swissbau 2026” në Zvicër, prezantohen produktet “Made in Kosova”

Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë KIESA, 27 kompani nga Kosova kanë nisur sot pjesëmarrjen në panairin ndërkombëtar “Swissbau 2026”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës nga 20 deri më 23 janar, shkruan albinfo.ch.

Kompanitë kosovare po prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre, me fokus të veçantë në industrinë e drurit, në një nga panairet më të mëdha evropiane të ndërtimit dhe përpunimit të drurit.

Ndërkohë, 9 kompani nga Kosova po marrin pjesë edhe në panairin “IF Wedding Fashion Izmir Fair” në Turqi, që po mbahet nga 20 deri më 22 janar, duke promovuar industrinë e tekstilit dhe modës.

Pjesëmarrja në këto panaire synon rritjen e dukshmërisë së produkteve “Made in Kosovo”, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimin e tregjeve eksportuese./Albinfo.ch

 

Angli, hapen klasa të reja për mësimin e gjuhës shqipe

Me kërkesë të komunitetit shqiptar në Sheffield, Rotherham, Chesterfield dhe Doncaster, Shkolla Shqipe “Pavarësia” ka hapur dy orare të reja mësimi, nga ora 09:50–11:50 dhe 11:55–13:55, duke zgjeruar ofertën arsimore për fëmijët e diasporës në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton albinfo.ch.

Mësimi zhvillohet sipas grupmoshave 3–5, 6–8 dhe 9–12 vjeç, bazuar në kurrikulën e Ministrisë së Arsimit dhe tekstet zyrtare për diasporën.

Përveç gjuhës shqipe, nxënësit mësojnë edhe për historinë, gjeografinë, kulturën dhe traditat shqiptare, me synim forcimin e identitetit kulturor të brezit të ri në diasporë./Albinfo.ch

Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje mërgimtarit nga Kosova që shpëtoi katër persona nga mbytja

Media gjermane Westdeutsche Allgemeine Zeitung (WAZ) i ka kushtuar vëmendje mërgimtarit nga Kosova, Burim Doberlluka, për aktin e tij heroik, kur shpëtoi katër persona nga mbytja në Liqenin Phoenix (Phoenix-See) në Dortmund, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi në gusht, rreth orës 20:00, kur një varkë pedalesh me katër shtetas amerikanë u përmbys. Para mbërritjes së ekipeve të shpëtimit, Doberlluka ndërhyri me guxim, duke i nxjerrë të gjithë nga uji dhe duke i sjellë të sigurt në breg.

Për këtë veprim, ai ishte nderuar më herët edhe nga Policia e Gjermanisë, ndërsa zyrtarët e policisë dhe zjarrfikësve e cilësuan ndërhyrjen si “jashtëzakonisht të guximshme”.

Media WAZ i ka kushtuar edhe një video-rrëfim ekskluziv këtij rasti, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. /Albinfo.ch 

9-vjeçari shqiptar fiton dy medalje në Olimpiadën e Amerikës

9-vjeçari Nil Kelmendi, nxënës i klasës së tretë në International School of Prishtina, ka fituar medaljen e artë në Matematikë dhe medaljen e bronztë në Shkencë në Olimpiadën Ndërkombëtare “Neo Science”, e mbajtur nga 10 deri më 15 janar 2026 në Orlando, Florida, shkruan alninfo.ch.

Ai u kualifikua pasi doli i pari në provimet përzgjedhëse të mbajtura në Kosovë nga Kosova Global Talent Center dhe përfaqësoi Kosovën në finalen ndërkombëtare, ku gara përfshinte testime të avancuara në matematikë dhe shkencë me pjesëmarrës nga shumë vende të botës.

Përveç Nil Kelmendit, edhe 12 nxënës të tjerë nga Kosova fituan medalje në fusha të ndryshme shkencore në këtë olimpiadë./Albinfo.ch

“Nga talenti në ndikim: fuqia ekonomike e diasporës”

Në kuadër të aktiviteteve që do të zhvillohen në House of Kosova në Davos, më 21 janar, do të mbahet paneli me titull “Nga talenti në ndikim: fuqia ekonomike e diasporës”, i cili do t’i kushtohet rolit dhe potencialit ekonomik të diasporës në krijimin e ndikimit të qëndrueshëm.

Në panel do të marrin pjesë Nik Gugger (Niklaus Samuel Gugger), anëtar i Këshillit Kombëtar të Asamblesë Federale të Zvicrës, Dr. Martin Russell, bashkëthemelues i The Diaspora Institute, si dhe Dr. Vigan Disha, Chief Business Officer në SPEEEX. Fjalimin kryesor (keynote) do ta mbajë Gerd Oser, themelues dhe Managing Partner i Experience Factory.

Paneli do të moderohet nga Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

House of Kosova, Davos
21 janar | 19:00–20:00

Faturat në letër do të jenë falas? Parlamentarët kërkojnë heqjen e tarifave

Politikanët në Zvicër po kërkojnë ndalimin e tarifave që kompanitë e mëdha vendosin për faturat në letër. Për vite me radhë, klientët e Swisscom, Sunrise dhe Salt kanë paguar 2.90–3.95 franga për çdo faturë të dërguar në postë.

Këshilltari kombëtar i SP-së, Emmanuel Amoos, argumenton se këto tarifa janë diskriminuese, pasi pengojnë ata që nuk kanë qasje ose preferojnë mënyra tradicionale të pagesës. Ai propozon ndalimin ligjor të tarifave për faturat në letër, një ide që mbështetet edhe nga disa anëtarë të qendrës së djathtë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanive dhe politikë të qendrës së djathtë paralajmërojnë se ndalimi mund të kufizojë lirinë ekonomike, duke theksuar se klientët kanë alternativa dixhitale falas, si email, e-banking apo Twint.

Aktualisht, iniciativa po shqyrtohet në parlament dhe mund të vendosë nëse faturat në letër do të jenë falas për të gjithë klientët.

Krimi me AI në Schwyz: Miliona zhduken nga kompanitë

Një kompani nga kantoni Schwyz është viktimë e mashtrimit të njohur si “CEO fraud” gjatë dy javëve të fundit. Kriminelët përdorën një zë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të mashtruar kompaninë dhe për të përvetësuar disa miliona franga zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Policia kantonale e Schwyz dhe zyra e prokurorit kantonal kanë nisur një hetim. Sipas autoriteteve, autorët kontaktuan pronarin e kompanisë përmes telefonit, duke u prezantuar si një partner i njohur biznesi, ndërsa përdorën një zë të manipuluar nga inteligjenca artificiale.

Përmes këtij mashtrimi, kriminelët fituan besimin e pronarit dhe nën pretekstin e një transaksioni konfidencial ndërkombëtar, e bindën atë të kryente disa transferta parash që arritën disa miliona franga zvicerane. Transfertat u kryen në një llogari bankare në Azi, dhe mashtrimi u zbulua vetëm pasi pagesat ishin përfunduar. Identiteti i autorëve mbetet i panjohur.

Udhëzimet e policisë kantonale për kompanitë:

Bëni kujdes të veçantë ndaj kërkesave për pagesa përmes telefonit ose mesazheve zanore, edhe nëse zëri tingëllon i njohur.

Zërat mund të imitohet bindshëm me inteligjencë artificiale.

Verifikoni gjithmonë urdhrat e jashtëzakonshëm ose urgjentë për pagesa përmes një kanali komunikimi të dytë dhe të pavarur.

Zbatoni gjithmonë parimin “katër sysh” dhe procese të qarta miratimi për shuma të mëdha parash.

Mos kryeni transferta ndërkombëtare pa autorizim të verifikuar dhe dokumentuar.

Raportoni menjëherë çdo incident të dyshimtë tek banka dhe policia.

Hetimi i autorëve vazhdon, ndërsa autoritetet paralajmërojnë kompani të tjera për rreziqet e përdorimit të zërit të gjeneruar nga AI në mashtrime financiare.

Skandal në Kosovë: Një individ u jep fëmijëve me autizëm barna për kafshë si ‘trajtim’, nxiten reagime

Një rast alarmues ka dalë në dritë në Kosovë, ku një individ, i njohur për pretendime konspirative që nga koha e pandemisë së Covid-19, është raportuar se ka rekomanduar barna të destinuara për kafshë te fëmijët me autizëm, duke i paraqitur ato si trajtim për çrregullimin.

Sipas raportimeve, individi pretendon se autizmi shkaktohet nga parazitët në trup dhe se largimi i tyre mund të shërojë fëmijët. Ai po ashtu lidh autizmin me vaksinimin, duke e përshkruar atë si “shkaktar kryesor”.

Analiza e barnave që ky individ ka rekomanduar tregon se ato janë të destinuara për përdorim tek kafshët: Fenbendazole, Ivermectin, DMSO, kapsula bimore dhe dheu vullkanik, të cilat nuk kanë provuar efekt shërues për fëmijët.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet dhe ka bërë thirrje që qytetarët t’u besojnë vetëm “metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”. Ministria po ashtu ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, duke theksuar se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”.

Reagimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF)

KOMF ka shprehur shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me rastin. Në një deklaratë për media, organizata tha:

“Ne ngremë alarmin dhe i bëjmë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.”

KOMF gjithashtu ka kritikuar përhapjen e pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”:

“Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.”

Organizata ka theksuar se promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt, duke krijuar pritshmëri joreale dhe shtuar stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre. KOMF përfundon:

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.”

Ky rast shërben si paralajmërim për prindërit dhe publikun që të jenë të kujdesshëm ndaj pretendimeve që ofrojnë “trajtime” pa bazë shkencore, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët dhe çrregullime komplekse si autizmi.

Demonstratë kundër Forumit Ekonomik Botëror shkakton trazira në Cyrih, digjet flamuri amerikan

Një demonstratë kundër Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Cyrih ka shkaktuar përleshje dhe ndërhyrje policore. Rreth 2000 protestues marshuan në rrugët kryesore, duke bllokuar transportin publik dhe përdorur petarda dhe tym të kuq. Bloku i Zi, pjesë e tubimit, dëmtoi dritare dyqanesh dhe sulmoi kompaninë Nestlé, transmeton albinfo.ch.

Policia përdori ujë dhe rrethoi demonstruesit; disa u lënduan, përfshirë një person që u bë i pavetëdijshëm. Demonstruesit hodhën parulla kundër WEF, SHBA-së dhe McDonald’s, dhe digjën një flamur amerikan.

Pas përfundimit të marshit, rrugët u liruan dhe transporti publik gradualisht rifilloi funksionimin normal.

(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)
(KEYSTONE/Michael Buholzer)

Në Zvicër, faturat mjekësore në 2026 vijnë me QR Code për rimbursime më të shpejta

Nga viti 2026, faturat mjekësore në Zvicër kanë një ndryshim të rëndësishëm: çdo faturë shoqërohet me një faqe shtesë që përmban kode QR. Kjo faqe është pjesë e formularit të kërkesës për rimbursim nga sigurimi shëndetësor.

Përveç faturës së mjekut, pacientët do të marrin një përmbledhje të thjeshtuar të shërbimeve të kryera, që përmbledh trajtimet në disa pika kryesore. Megjithatë, sipas Shoqatës Zvicerane të Mjekëve (FMH), do të duhet pak kohë deri sa të gjitha klinikat të ofrojnë këtë përmbledhje. Gjithashtu, për shkak të tarifave të reja Tardoc, disa shërbime mjekësore do të kenë emra të ndryshëm.

Çfarë përmbajnë këto kode QR?

Dirk Meisel, zëdhënës për media i asociacionit të sigurimeve shëndetësore Prio Swiss, thotë: “Këto kode përmbajnë faturën e plotë në formë elektronike, duke e bërë më të lehtë për siguruesit regjistrimin, kontrollin dhe përpunimin e faturave.” Kështu, janë siguruesit, jo pacientët, që duhet t’i skanojnë këto kode.

Çfarë duhet të bëjë pacienti me faqen me kod QR?

Faqja me kod QR është pjesë e formularit për rimbursim. Pacientët kanë nevojë ta përdorin vetëm nëse duhet të paguajnë fillimisht faturën dhe më pas të dërgojnë kërkesën për rimbursim te sigurimi shëndetësor. Sipas Dirk Meisel, kjo faqe tani duhet gjithmonë të përfshihet, sepse disa kërkesa për rimbursim nuk mund të përpunohen pa të.

Sa fatura preken?

Vetëm rreth një në dhjetë. Nëntë nga dhjetë faturat për shërbime ambulatore shkojnë direkt te siguruesi, dhe pacientët marrin vetëm njoftimin e përfitimeve dhe kuponin e pagesës për pjesën e tyre. Ata gjithashtu marrin një kopje të faturës për informacion dhe verifikim, që shpesh përfshin përmbledhjen e thjeshtuar.

Pikat kryesore për të kontrolluar faturën e mjekut

Qëllimi i përmbledhjes së re është ta bëjë kontrollin më të lehtë dhe më të qartë. Pacientët që duan detaje të plota mund të shikojnë faturën ose kopjen e saj nga mjeku. Megjithatë, sipas FMH-së, tarifa e hollësishme mbetet komplekse për jo-profesionistët. Për të ndihmuar, fondi i sigurimeve shëndetësore i Shoqatës Mjekësore dërgon edhe një udhëzues – një lloj fjalori i shpjeguar i termave mjekësorë.

Si të raportoni gabimet?

Nëse diçka duket e çuditshme, kontaktoni mjekun ose spitalin. Gjithashtu, mund të raportoni mospërputhjet te siguruesi shëndetësor, i cili është i detyruar të kontrollojë çdo faturë. Prio Swiss thotë: “Falë këtyre kontrolleve, mund të kursejmë rreth tre miliardë e gjysmë franga zvicerane çdo vit nga shpenzimet e padrejta.”

Xherdan Shaqiri dhe FC Basel 1893: Dy çmime, një festë historike

Të hënën, më 19 janar 2026, në “St. Jakobshalle” u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve “Basel Sport Champions 2025”. FC Basel 1893 pati arsye të festojë dy herë.

Si kapiten dhe figurë qendrore e ekipit kampion, si dhe lojtar nga rajoni, Xherdan Shaqiri u nderua me titullin “Sportisti i Vitit 2025 në Basel”. Po ashtu, ekipi kampion u shpall dhe u nderua si “Ekipi i Baselit 2025”.

Kurti zhvillon takimin e parë në Davos me ministrin kanadez për promovimin e eksportit 

Në takimin e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë me Maninder Sidhu, ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë.

Gjatë takimit, u diskutua mënyra për të forcuar marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, duke përfshirë sektorët e teknologjisë dhe industrinë e minierave, transmeton albinfo.ch.

Kurti vlerësoi rolin e Kanadasë si një aleat i hershëm i Kosovës, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e çmuar ndaj vendit.

Takimi shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

VIDEO:                     

Lexoni po ashtu:

Hap dyert Forumi Ekonomik Botëror WEF dhe «Shtëpia e Kosovës» në Davos

A po synon Donald Trump të krijojë një alternativë ndaj OKB-së me “Këshillin e Paqes”?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar krijimin e një “Këshilli të Paqes”, fillimisht i menduar për zgjidhjen e konfliktit në Gaza, por që tashmë synon të shndërrohet në një organizatë ndërkombëtare me mandat të gjerë për promovimin e stabilitetit global. Sipas një projekti-statuti të siguruar nga media ndërkombëtare, kjo nismë po shihet nga disa qarqe si një përpjekje për të krijuar një alternativë ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dokumenti parashikon që këshilli të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga vetëm tre shtete dhe u jep anëtarëve mandate trevjeçare, të rinovueshme nga presidenti i organizatës. Një nga pikat më të diskutueshme është mundësia për të siguruar anëtarësim të përhershëm përmes pagesës prej një miliard dollarësh.

Donald Trump parashikohet të jetë presidenti i parë i Këshillit të Paqes, me kompetenca shumë të gjera, përfshirë të drejtën për të ftuar ose përjashtuar shtete anëtare dhe për të miratuar të gjitha vendimet e marra nga këshilli. Mandati i tij mund të përfundojë vetëm në rast dorëheqjeje ose paaftësie të konfirmuar unanimisht nga një organ ekzekutiv i zgjedhur prej tij.

Nisma përmban kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve ekzistuese ndërkombëtare, duke nënkuptuar dështimin e tyre, veçanërisht të OKB-së, të cilën Trump e ka kritikuar vazhdimisht edhe në fjalimet e tij publike.

Franca dhe Gjermania kanë konfirmuar se janë ftuar të marrin pjesë në këtë strukturë, por kanë shprehur nevojën për konsultime dhe kanë theksuar përkushtimin e tyre ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara. Edhe disa vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Turqinë dhe Indinë, kanë marrë ftesa, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.

Nisma mbetet në fazë shqyrtimi dhe ka ngjallur debate të forta mbi të ardhmen e multilateralizmit dhe rolin e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare.

Albin Kurti mbërrin në Davos për Forumin Ekonomik Botëror (WEF)

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), ku do të takojë liderë nga e gjithë bota.

Kosova do të ketë sërish shtëpinë e saj në kuadër të WEF, për të dytin vit me radhë. Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në ngjarjet dhe panelet e diskutimit të organizuara në Shtëpinë e Kosovës, si dhe do të zhvillojë takime zyrtare bilaterale me udhëheqës të lartë dhe investitorë.

Pamje nga mbërritja e Kryeministrit Albin Kurti në House of Kosova dhe takimi i tij me të nderuarin Maninder Sidhu, Ministër i Promovimit të Eksporteve, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

VIDEO:                       

Kosovë: Pas rinumërimit të votave, Prokuroria nis grumbullimin e provave në nivel vendi

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, priti sot në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Takimi u fokusua në angazhimin e Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor. U diskutua për hetimet paraprake që kanë nisur pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në disa rajone të vendit.

Prokurorja Pula informoi se ekziston koordinim i vazhdueshëm ndërmjet Koordinatores Nacionale për Zgjedhje dhe prokurorive në nivel vendi, si dhe bashkëpunim ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor. Ky bashkëpunim synon trajtimin efikas të rasteve të dyshuara për cenim të zgjedhjeve.

Ajo bëri të ditur se, pas përfundimit të rinumërimit të votave në komuna të ndryshme, janë udhëzuar kryeprokurorët e prokurorive themelore që të grumbullojnë informata dhe të sigurojnë prova relevante për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor. Po ashtu, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit ka nisur grumbullimin e provave në nivel vendi.

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën e sistemit prokurorial në mbrojtje të votës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit gjatë proceseve zgjedhore.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit rithekson përkushtimin për hetim të plotë dhe të paanshëm të çdo rasti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Mungesa e banesave do të rritet vitin e ardhshëm

Martin Tschirren, drejtor i Zyrës Federale për Strehim (FOH), parashikon një rritje të mungesës së strehimit në vitin e ardhshëm. “Shkaqet e mungesës së strehimit nuk mund të ndryshohen shpejt”, shpjegoi ai në një intervistë me Blick, transmeton albinfo.ch.

Shkaqet përfshijnë numrin në rritje të familjeve, rritjen e popullsisë, imigracionin dhe zhvillimin ekonomik – ky i fundit është çelësi, argumentoi 55-vjeçari. Është e vërtetë që pasiguria e shkaktuar nga tarifat amerikane shkaktoi një ngadalësim të lehtë ekonomik vitin e kaluar dhe kompanitë janë bërë më të kujdesshme. “Por kur rritja ekonomike të përshpejtohet pak, kërkesa për punë, dhe kështu për strehim, do të tentojë të rritet përsëri”, paralajmëron eksperti. Megjithatë, kërkesa e lartë nuk është i vetmi faktor në lojë: furnizimi i pamjaftueshëm dhe aktiviteti i ulët i ndërtimit po çojnë gjithashtu në mungesa.

Në fillim të vitit 2024, qeveria federale zhvilloi një plan veprimi së bashku me kantonet, qytetet, bashkitë, sektorin e pasurive të paluajtshme dhe shoqërinë civile. Plani përfshin mbi 30 masa që synojnë rritjen e furnizimit me strehim, veçanërisht apartamente të përballueshme. Sipas drejtorit të FOH, megjithatë, masat e formuluara synojnë të arrijnë efekte afatmesme dhe afatgjata. “Për momentin, nuk shoh ndonjë përmirësim të shpejtë”, përfundoi ai.

Pasuria e miliarderëve po rritet me shpejtësi

Numri i miliarderëve në botë është vazhdimisht në rritje dhe pasuria e tyre po rritet me shpejtësi. Kjo rezulton sipas një raporti të publikuar nga organizata e ndihmës dhe zhvillimit Oxfam në prag të Forumit Ekonomik Botëror që fillon sot, në Davos, Zvicër.

Sipas raportit, afërsisht 3,000 miliarderë në të gjithë botën zotëronin një pasuri të kombinuar prej 18.3 trilionë dollarësh amerikanë vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Që nga viti 2020, pasuria e tyre është rritur me më shumë se 80 për qind në terma realë. Në të njëjtën kohë, pothuajse gjysma e njerëzimit jeton në varfëri, thekson Oxfam, shkruan srf.ch.

Dymbëdhjetë njerëzit më të pasur tani kanë më shumë para se gjysma më e varfër e popullsisë së botës, që është më shumë se katër miliardë njerëz, shpjegon Oxfam.

Zvicër: Po qarkullon një virus i ri i gripit

Kolla dhe teshtitja janë kudo, dhe zyrat e mjekëve janë të mbushura plot.

Shumë njerëz po flasin për të ashtuquajturin “super grip”. Sezoni i gripit të këtij viti filloi herët dhe shkalla e infeksionit është e lartë, sipas Zyrës Federale të Shëndetësisë, transmeton albinfo.ch.

Një nëntip i ri i virusit është dominues, duke i sëmurë më shumë njerëz.

Por autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka shenja të rasteve përgjithësisht më të rënda. Spitalet po shohin disa infeksione serioze, por mjekët thonë se paniku është i panevojshëm.

Të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuarit.

27 kompani kosovare, në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit SWISSBAU, në Basel

Kompanitë anëtare të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) do të përfaqësojnë industrinë kosovare të drurit në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit SWISSBAU 2026 në Basel.

Në këtë edicion të panairit marrin pjesë gjithsej 27 kompani nga Kosova, prej të cilave 21 kompani janë nga industria e përpunimit të drurit dhe anëtare të SHPDK-së, ndërsa kompanitë e tjera përfaqësojnë sektorë të materialeve ndërtimore nga metali, plastika dhe alumini, bën të ditur një komuniktë për media e SHPD-së, shkruan lbinfo.ch.

Kompanitë kosovare do të prezantojnë një gamë të gjerë produktesh dhe dizajnesh, duke përfshirë: dyer dhe dritare, kuzhina, mobilje për dhoma gjumi, tavolina dhe karrige, mobilje për banjo, dyer ndarëse, rafte, shtëpi dhe ndërtesa të parafabrikuara, si dhe produkte të tjera për ambiente të jashtme.

Kompanitë kosovare që marrin pjesë në këtë panair janë: ALBED, ARDI, BEHARI DOORS, CIABERTO, DARDANIA MODEL, DELFINA , DOÇI, ELNOR, FENETRES, MAXX QERAMIKA, DARDANIA HOME, UKAJ COMPANY, HOTI EXCLUSIVE WOODWORK, PROMOBI, TREVENTI,MOBILE DEKOR, SHEHU, ORENDI, GREENHOUSE dhe VATËR 1954.

“Pjesëmarrja jonë në SWISSBAU 2026 është një mundësi strategjike për kompanitë kosovare të zgjerojnë tregun e tyre në Zvicër dhe rajon,” thotë Arieta Vula-Pozhegu, Drejtoreshë Ekzekutive e SHPDK-së. “Ky përfaqësim tregon fuqinë konkurruese, cilësinë dhe inovacionin e industrisë së drurit në Kosovë dhe krijon hapësirë për bashkëpunime të reja dhe kontrata ndërkombëtare.”

Pjesëmarrja e SHPDK në panair ka qenë e vazhdueshme që nga viti 2010, duke vendosur Kosovën si një partner serioz dhe i besueshëm në tregjet ndërkombëtare të drurit. Aktiviteti kete radhe eshte mbeshtetur nga Agjensioni KIESA.

Detaje për vizitorët:

  • Messe Basel, Hall 1.1, Stand A90, A93, A95, A98
  • Data: 20-23 Janar 2026

Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, e para në Ballkan

Sipas  studimit Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë.

Praktikisht, kjo e vendos Kosovën në top 10% të shteteve më reziliente globalisht dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për siguri strategjike.

Ky indeks nuk mat “sa i qetë duket” një shtet, por sa i ekspozuar është ndaj rreziqeve reale: destabilizim politik, dezinformim, presion të jashtëm, kriza ekonomike, pasiguri energjetike dhe kërcënime hibride. Është një instrument që përdoret nga Bashkimi Evropian për të kuptuar ku janë rreziqet dhe ku ka kapacitete reale për t’i përballuar ato, shkruan rtklive.com.

Si paraqitet Ballkani Perëndimor në këtë vlerësim:

•       Kosova (13) del qartazi më e forta në rajon. Ka reziliencë të lartë institucionale dhe shoqërore; sfida kryesore mbetet përballja me dezinformimin, kryesisht të importuar nga jashtë.

•       Shqipëria (20) paraqitet me një performancë solide dhe mbi shumicën e vendeve të rajonit, me rreziqe të menaxhueshme.

•       Mali i Zi (21) është një nga surprizat pozitive të indeksit, duke shënuar një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara dhe duke u renditur ndër vendet me ngritjen më të madhe globale.

•       Maqedonia e Veriut (26) shënon rënie të lehtë, kryesisht për shkak të tensioneve politike të brendshme dhe dobësive institucionale.

•       Serbia (41) renditet dukshëm më poshtë. Indeksi identifikon probleme serioze në proceset demokratike dhe reziliencën ndaj dezinformimit. Raporti thekson gjithashtu se Serbia është anëtare themeluese e iniciativës 16+1 të udhëhequr nga Kina dhe mban lidhje të ngushta strategjike me Rusinë, faktorë që e rrisin ekspozimin e saj ndaj presioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride.

•       Bosnja dhe Hercegovina (54) mbetet ndër më të brishtat në rajon, me institucione të dobëta, probleme të theksuara demokratike dhe rrezik të vazhdueshëm destabilizimi.

Në plan më të gjerë, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë më pak të rrezikuara se mesatarja globale. Ndërkohë, raporti evidenton se Rusia dhe Kina janë ndër vendet me rënien më të madhe në profilin e sigurisë strategjike, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë një nga përmirësimet më të mëdha.

Mesatarja globale e indeksit për vitin 2025 është 5.79 nga 10, çka tregon një botë më të pasigurt se më parë, por jo ende jashtë kontrollit.

Hap dyert Forumi Ekonomik Botëror WEF dhe «Shtëpia e Kosovës» në Davos

Davos ka hapur zyrtarisht dyert World Economic Forum, duke mbledhur mijëra përfaqësues nga politika, ekonomia dhe shkenca nga e gjithë bota.

Paralelisht me agjendën zyrtare të forumit, Shtëpia e Kosovës në Davos mirëpret delegacione, investitorë dhe partnerë ndërkombëtarë, duke shërbyer si një platformë për promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e lidhjeve të reja strategjike.

Në kuadër të aktiviteteve në Davos, në Shtëpinë e Kosovës pritet të marrë pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takime, panele dhe biseda me përfaqësues ndërkombëtarë.

Video:                         

Prania e Kosovës në Davos konfirmon angazhimin e saj për pjesëmarrje aktive në proceset globale ekonomike dhe për krijimin e mundësive të reja për zhvillim dhe investime.

‘House of Kosova’ do të jetë e hapur nga 19 deri më 23 janar 2026, çdo ditë nga ora 10:00, në Davos Platz, duke shërbyer si pikë takimi për liderë politikë, sipërmarrës, investitorë dhe përfaqësues të diasporës, transmeton albinfo.ch.

Agjenda zyrtare e publikuar:

Sipas agjendës së publikuar, programi përfshin panele të nivelit të lartë, evente kulturore dhe aktivitete rrjetëzimi:

 

E martë, 20 janar

16:00 – 17:00 | Panel Diskutimi

“Democracy, Security, and Governance in a New Era”

Me pjesëmarrjen e Albin Kurtit, Kryeministër i Republikës së Kosovës.

E mërkurë, 21 janar

15:00 – 16:00 | Panel Diskutimi

“Europe’s Execution Engine: Winning the AI Race Through Specialization”

16:30 – 17:30 | Panel Diskutimi

“Powering Growth Responsibly: Energy Security and Transition Pathways”

20:00 | Koncert – Asgjë Sikur Dielli, grupi i njohur alternativ rock nga Prishtina.

21:00 – 00:00 | Event

“Kosova Night – Where Heritage Meets the Future” – mbrëmje kulturore me dialog dhe kuzhinë tradicionale.


E enjte, 22 janar

16:00 – 17:00 | Panel Diskutimi

“Construction meets AI: Affordable, Climate-Ready Housing at Scale”

19:00 | Koncert – Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

19:30 – 22:30 | Event

“Diaspora goes Davos” – lidhja e sipërmarrësve dhe liderëve kosovarë nga e gjithë bota.

Pjesëmarrja e Kosovës me House of Kosova në Davos përfaqëson jo vetëm një sukses diplomatik, por edhe një platformë strategjike për promovimin e vendit si destinacion për investime, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Në një forum ku vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë hapësira të dedikuara për prezantim, prania e Kosovës dëshmon për rritjen e rolit të saj në skenën globale dhe përkushtimin për të qenë pjesë aktive e diskutimeve mbi demokracinë, sigurinë, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Të gjitha informatat per Shtëpinë e Kosovës: https://www.houseofkosova.com/agenda

Lexoni po ashtu:

Bëhet publike agjenda e “House of Kosova 2026” , vetëm 25 shtete kanë “shtëpitë” e tyre në Davos

Lexoni pi ashtut:

Kosova rikthehet në Davos në Zvicër me “House of Kosova” 2026

SBB-së i lejohet të zgjerojë linjën Zurich-Winterthur

SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) mund të zgjerojë linjën hekurudhore midis Zurichut dhe Winterthurit. Gjykata Federale Administrative ka hedhur poshtë ankesat lidhur me këtë çështje që janë ende në pritje.

Me vendimin e gjykatës, programi përfundimtar i ndërtimit tani mund të vendoset, njoftoi SBB, transmeton albinfo.ch. Puna paraprake për zgjerimin e kësaj linje hekurudhore është planifikuar të fillojë së shpejti, raporton srf.ch.

E gjithë periudha e ndërtimit do të zgjasë dhjetë vjet. Më pas, një numër më i madh i trenave S-Bahn (hekurudhë lokale) dhe trena me distanca të gjata do të kalojnë midis Winterthurit dhe Zurichut.

Linja hekurudhore midis Zurichut dhe Winterthurit është një nga më të ngarkuarat në Zvicër. SBB e nisi projektin e madh në verën e vitit 2023.

Zgjerimet e planifikuara do të kushtojnë afërsisht 3.3 miliardë franga zvicerane.

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë