Sa të sigurt janë pasagjerët që udhëtojnë me trenat zviceranë?

Raste gjithnjë e më serioze dhune po raportohen në trenat e Zvicrës, duke e detyruar qeverinë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e pasagjerëve dhe stafit hekurudhor, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse transporti hekurudhor zviceran njihet për siguri të lartë, disa incidente të fundit kanë tronditur opinionin. Në shtator, një pasagjer u plagos me thikë në një tren mes Lozanës dhe Gjenevës, ndërsa në tetor një shtetas rus kërcënoi dhe sulmoi fizikisht një familje ukrainase në kantonin e Bernës.

Sipas deputetit Piero Marchesi, dhuna në trena është kthyer në “një dukuri alarmante të përditshme”. Ai dhe 15 deputetë të tjerë kanë kërkuar rritje të masave të sigurisë. “Nuk kemi më vetëm fyerje, por edhe sulme brutale me grushte e goditje në kokë,” tha ai.

Kompania hekurudhore SBB regjistron mbi 3,000 ankesa në vit për dhunë verbale ose fizike ndaj punonjësve – rreth 10 raste në ditë. Edhe pse kjo shifër mbetet e ulët krahasuar me 1.3 milion udhëtarë ditorë, SBB pranon se incidentet janë bërë “më të shpejta dhe më të rënda” se më parë.

Për t’u përballur me këtë trend, SBB ka pajisur policinë e transportit me kamera trupore dhe ka vendosur mbi 200 oficerë në stacione dhe trena në gjithë vendin. Ndërkohë, qeveria federale ka miratuar një plan për forcimin e sigurisë, që pritet të pasohet me ndryshime ligjore.

Pasagjerët që përballen me situata të rrezikshme këshillohen të kontaktojnë policinë e transportit në numrin 0800 117 117.

Arabia Saudite mirëpret njohjen e Kosovës nga Siria

Arabia Saudite ka përshëndetur njoftimin e bërë të mërkurën nga Siria për njohjen e shtetit të Kosovës, gjatë një takimi të zhvilluar në Riad, përcjell albinfo.ch.

Presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa e bëri publik vendimin gjatë një takimi të përbashkët me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Pallatin Al-Yamamah, shkruan Arab News.

Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite tha se pret që kjo njohje “të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, duke ndihmuar në mirëqenien dhe zhvillimin e të dy popujve.”

Në njoftim thuhet gjithashtu se Mbretëria mbetet e përkushtuar në avancimin e kornizave të bashkëpunimit ndërkombëtar në mënyrë që të promovohet paqja dhe prosperiteti për të gjithë.

Retromanishtja dhe italishtja, drejt një pranie më të gjerë në Zvicër

Këshilli Federal po nxit promovimin e gjuhëve kombëtare “minoritare” të Zvicrës, retromanishtes dhe italishtes – përtej territoreve të tyre tradicionale në Graubünden dhe Ticino, përcjell albinfo.ch.

Në mbledhjen e së mërkurës, ministrat miratuan një rishikim të ligjit aktual që synon të forcojë praninë dhe përdorimin e këtyre dy gjuhëve në të gjithë vendin, bëri të ditur qeveria në një komunikatë për shtyp.

Njëkohësisht, qeveria federale njoftoi se do të zgjerojë përfaqësimin e komuniteteve gjuhësore të ndryshme brenda administratës federale, në mënyrë që të sigurohet një balancë më e mirë gjuhësore dhe kulturore në institucionet shtetërore.

Kurti në Forumin e Paqes: Kosova është histori e dyfishtë suksesi

Në një deklaratë për media, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova është histori e dyfishtë suksesi. Së pari, sipas tij, është histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë, dhe, së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës, përcjell albinfo.ch.

Kurti të enjten ishte i ftuari i diskutimit “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes, i cili po mbahet në Paris.

Ai theksoi se përgjatë viteve me fuqizimin e shtetit, ulej prezenca ushtarake ndërkombëtare në vend ndërsa rritej progresi ekonomik.

“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008. Ai shtoi se Kosova duhet të shërbejë si shembull që çlirimi dhe pavarësia, kanë edhe dividentë makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Kurti u shpreh se secili mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe marrëveshjeve. Në këtë kuptim përmendi modelin e Bashkimit Evropian, si projekt politik e proces historik të paqes dhe prosperitetit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e audiencës, Kurti foli edhe mbi “forcimin e shtetësisë së Kosovës edhe ndërkombëtarisht dhe tri njohjet e fundit gjatë këtij viti si dhe aspiratat e vendit tonë për integrim në Bashkim Evropian dhe NATO, krahas rëndësisë së bashkëpunimit rajonal”.

A do ta ndjekë Zvicra shembullin e Italisë për detyrimin e helmetave në pistat e skive?

Italia po prezanton një rregullore të re për entuziastët e sporteve dimërore: një kërkesë e përgjithshme për të veshur helmetë do të bëhet e detyrueshme në të gjitha pistat italiane, duke përfshirë skiatorët, snowboarderët dhe madje edhe slitëtarët, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, në Zvicër nuk ka ligj që kërkon veshjen e helmetave, megjithëse kjo praktikë rekomandohet fuqimisht.

Por meqenëse disa zona skijimi në Zvicër – për shembull, Zermatt – janë të lidhura me pistat italiane, të gjithë skiatorët zviceranë që shkojnë në ato zona do të duhet të zbatojnë rregullin e ri dhe të veshin gjithashtu një helmetë.

A do të hiqet dyshtetësia në Gjermani?

Disa politikanë të partive të Unionit CDU/CSU kanë vënë në pikëpyetje edhe shtetësinë e dyfishtë për personat që marrin shtetësinë gjermane, shkruan albinfo.ch.

“Ne si vend duhet të pyesim veten nëse ende duam nënshtetësi të dyfishtë universale dhe nëse ende mund ta përballojmë atë,” deklaroi për gazetën “Bild” të mërkurën deputeti në Buindestag i partisë CSU, Stefan Mayer.

Politikani i CSU kërkoi gjithashtu që “banditëve, kriminelëve të rëndë, armiqve të kushtetutës, antisemitëve dhe urrejtësve të gjermanëve” t’u hiqet nënshtetësia nëse kanë dy pasaporta.

“Ne nuk mund t’u japim njerëzve privilegjin e nënshtetësisë dhe pastaj ata të shkelin mbi vlerat tona dhe mbi ne”, theksoi Mayer.
Në vitin 2024, rreth 292,000 persona morën shtetësinë gjermane – 46 përqind më shumë se një vit më parë, që është një rekord i ri. Një në katër (28 përqind) prej tyre janë me origjinë nga Siria.

Nga rreth 201,000 persona që kanë kërkuar dhe marrë shtetësinë gjermane në vitin 2023, sipas të dhënave të Entit federal për Statistika, 80,9 përqind e mbajtën pasaportën e tyre të mëparshme, që do të thotë se tani kanë shtetësi të dyfishtë.
Për ndryshimin e këtij ligji kërkohet shumica e votave të partive në pushtet. Por Partia Socialdemokrate (SPD) ka kundërshtuar deri tani kërkesat për heqjen e dyshtetësisë apo shumështetësisë siç thuhet në ligj. Nëse partitë e Unionit CDU/CSU duan të ndryshojnë këtë ligj, duhet të bindin edhe deputetët e SPD. Por deri tani nuk ka ndonjë marrëveshje në këtë drejtim.
Para pak kohësh në Gjermani ka ndryshuar ky ligj dhe është hequr mundësia e marrjes së shtetësisë gjermane me procedurë të përshpejtuar brenda tre vitesh për “personat e integruar mirë”, siç është thënë përpara.

Presidentja Osmani fton partitë në takim nesër në orën 12:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nesër me fillim nga ora 12:00 do të presë në takim krerët e partive politike, përcjell albinfo.ch.

Ky takim vjen pas dështimit të formimit të Qeverisë së propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, i ka thënë “po” ftesës së presidentes Osmani për takimin e nesërm.

Po ashtu edhe kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, do të marrë pjesë në takimin që presidentja Osmani e ka ftuar për nesër në 12:00.

Gjithashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, do të jenë pjesë e takimit me presidenten Osmani për nesër në ora 12:00./Albinfo.ch

Kosovë, 500 euro paga minimale nga 1 janari 2026

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro, siç ata planifikojnë, përcjell albinfo.ch.

Azemi tha se nëse gjithçka shkon mirë, atëherë kjo pagë do të fillojë së implementuari në janar të vitit që vjen.

“Në takimin e sotëm është diskutuar për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqësi të sindikatës së punëtorëve të jetë pagë minimale 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë kur mendoni të fillojë së implementuari. Sipas deklarimit të ministrit në detyrë është që se paga prej 500 eurove do të fillojë së implementuari në janar. Por megjithatë nuk ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë, ku është thënë se do të bisedojë me akterët kryesorë. Megjithatë me gjitha akterët që ishin jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë implementimi në janar”, tha Azemi.

Azemi ka shpalosur edhe deklaratën e Muratit për atë se pagën minimale e përcakton edhe Këshilli Ekonomiko-Social, pa çka ai citohet të ketë thënë se i ka kompetencat për të vendosur.

“Ka qenë një shpjegim i ministrit për shkak se pagën minimale e përcakton Këshilli Ekonomiko-Social në mungesë të saj, ai thotë se i ka kompetencat të vendosë për ta derisa që në këtë këshill janë edhe disa sindikata tjera. Po flas sipas ministrit, nuk i plotësojnë kushtet sindikatat tjera dhe për atë arsye nuk janë thirrur”, ka deklaruar Azemi.

Ndërsa Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë ka thënë se takimi me Muratin ishte konsultativ e ku thotë të kenë kërkuar që ky proces të shtyhet deri të bëhet një qeveri e plotë dhe një Kuvend funksional.

“Nuk jemi kundër rritjes së pagës, por për momentin situata politike me të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme. Ne i kërkuam ministrit Hekuran Murati që ky proces të shtyhet derisa të ketë një Qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional. Dhe të kemi një analizë të thuktë të situatës aktuale ekonomike të cilën e ka vendi. D.m.th., duke marrë të gjithë faktorët para se të dilet me propozime. Kërkesa eksplicitet ishte që duhet të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili vazhdon të mos jetë funksional të shkojë ky proces i vendosjes së pagës minimale përmes Këshillit Ekonomik-Social siç është bërë përherë, përjashto herën e fundit, ku ne nuk jemi pyetur fare. Ne kërkuam që ky proces të ketë një përfaqësim më të gjerë.

SHBA-ja po përgatit ligjin që ndalon shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Bëhet e ditur se nëse “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” miratohet nga Kongresi dhe Senati amerikan dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, Shtetet e Bashkuara do të angazhohen ligjërisht që politika e tyre e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republika Sërpskas, përcjell albinfo.ch. 

Ky parashikim është pjesë e Seksionit 11 të projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet shpejt. Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.

Për herë të parë, projektligji përfshin edhe paragrafin mbi “mosndryshimin e kufijve”.

“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligj.

Aktualisht, ky projektligj më 9 tetor të këtij viti i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit. Afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende, dhe komitetet mund të kërkojnë dëshmi, ndryshime, apo amendamente para se ligji të kthehet në Dhomën përkatëse për votim. Ligji duhet të kalojë komitetin, dhe komiteti mund të bëjë ndryshime ose të mos e miratojë fare. Nëse kalon komitetin, ai shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senat, në varësi se ku filloi procedura. Vetëm pas miratimit nga të dyja dhomat dhe nënshkrimit nga presidenti, bëhet ligj.

Një tjetër pjesë e projektligjit fokusohet te ndikimi rus dhe kinez në rajon, duke kërkuar një raport brenda 180 ditëve nga sekretari i Shtetit dhe drejtuesit e agjencive amerikane për ndikimet keqdashëse në Ballkan. Raporti do të përfshijë analizën e qëllimeve të Rusisë dhe Kinës, aktivitetet e SHBA-së për t’i kundërshtuar, si dhe listën e të gjithë aktorëve që ndërhyjnë në proceset demokratike ose kufizojnë lirinë e shprehjes.

Ligji gjithashtu fokusohet tek ekonomia dhe demokracia, duke përfshirë: rritjen e tregtisë dhe investimeve, integrimin rajonal, mbështetjen për sipërmarrjet e grave dhe të rinjve, përmirësimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e energjisë dhe tranzicionin drejt energjive të gjelbra.

Sipas draftit të ligjit, veçanërisht theksohet se korrupsioni, varfëria, emigrimi i të rinjve, fushatat e lajmeve të rreme dhe varësia nga energjia ruse janë sfidat kryesore të rajonit. Ligji pritet të forcojë angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe të sigurojë një qasje të qartë kundër ndryshimeve të kufijve me dhunë ose bazuar mbi etni.

Diskutimet për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar më intensivisht rreth vitit 2018, pas disa vitesh bllokimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ideja parashikonte ndryshimin e kufijve, kryesisht për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe zonat shqiptare në pjesë të tjera të Serbisë. Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, si një nga përkrahësit e kësaj ideje bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pati thënë se ideja nuk është ndarje, por korrigjim i kufijve. Por kjo ide qe kundërshtuar ashpër nga spektri politik në Kosovë, por edhe nga disa prej aleatëve të Kosovës. 

Një prej arsyeve kryesore të kundërshtimit ka qenë frika se kjo do të nxiste edhe largimin e Republika Sërpskas nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa do të tensiononte raportet edhe në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni e Mal të Zi. 

Ministria e Jashtme e Sirisë: Njohja e Kosovës, shprehje e mbështetjes për vetëvendosje dhe paqe në Ballkan

Ministria e Jashtme e Sirisë ka deklaruar se “njohja zyrtare e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran buron nga besimi i Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga përkushtimi i saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë”, përcjell albinfo.ch.

Në deklaratë, Siria gjithashtu “shpreh mirënjohje të thellë ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite për rolin e saj konstruktiv në afrimin e palëve, mbështetjen e dialogut dhe forcimin e mirëkuptimit, duke theksuar se këto përpjekje krijuan kushtet e duhura për marrjen e këtij vendimi”.

Damasku shprehet se pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur, si edhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në shërbim të interesave të përbashkëta të të dyja vendeve dhe popujve të tyre.

Edhe zyrtarisht, Siria njohu dje shtetësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 120-të që e njeh pavarësinë.

Zhduket në Itali 35-vjeçarja shqiptare, nënë e dy fëmijëve

Ditët kalojnë, por ende nuk ka asnjë lajm për Floresha Prengun, 35-vjeçaren shqiptare që jeton në Trento të Italisë prej vitesh. Këtë të mërkurë u mbush saktësisht një javë që kur nëna e dy vajzave është zhdukur, përcjell albinfo.ch.

Më 22 tetor, gruaja ishte larguar nga shtëpia herët në mëngjes për të shkuar në punë, por pasdite nuk u kthye në shtëpinë ku jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat. Anëtarët e familjes ngritën menjëherë alarmin për zhdukjen e saj dhe nisën kërkime në qytet.

Kërkime u kryen edhe përgjatë lumit Adige, me ndërhyrjen e Njësisë së Shpëtimit në Lumë të Departamentit të Zjarrfikësve të Trentos. Rezultatet e këtij kërkimi, si dhe ato që pasuan në ditët në vijim nuk patën asnjë rezultat.

Dhjetëra zjarrfikës, përfshirë edhe patrullat e lumit, kontrolluan zonën për rreth 15 kilometra, nga Trento në jug. Një helikopter fluturoi mbi zonë, duke monitoruar situatën nga lart, por asgjë. Deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë të Floreshës.

Të afërmit vazhdojnë të mos kenë asnjë lajm dhe familja, veçanërisht dy vajzat e saj, janë jashtëzakonisht të shqetësuara. Një qarkore për zhdukjen e saj është dërguar në të gjitha prefekturat italiane. Një apel u është bërë edhe qytetarëve që të njoftojnë nëse kanë informacione.

“Po kërkojmë ndihmën tuaj për të gjetur Floresha Prengu. Ajo është një nënë e re e dy vajzave. Kushdo që e sheh ose di diçka për të, kërkohet të kontaktojë menjëherë forcat e rendit. Nëse keni ndonjë informacion, ju lutemi telefononi në 112”, –u shprehën anëtarët e familjes në një apel, duke postuar njoftimin, së bashku me fotot, në mediat sociale në shqip.

Gruaja ka jetuar në Trento me familjen e saj për 3 vitet e fundit dhe ka punuar si pastruese në pallate. Ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kohët e fundit kishte vuajtur shumë nga vdekja e babait të saj. Burri i saj po përpiqet të përballet me humbjen e tij dhe madje mund t’i drejtohet programit të RAI-t, “Kush e ka parë?” për të kërkuar ndihmë drejtpërdrejt në TV. 

“Ai është i tronditur dhe i dëshpëruar”, – thonë ata që e njohin. Komuniteti shqiptar është mbledhur rreth bashkëshortit dhe vajzave të Floresha Prengut orët e fundit, duke u ofruar atyre ndihmë për çdo nevojë apo shqetësim. Të gjithë shpresojnë që ata të mund të ribashkohen së shpejti me gruan dhe nënën e tyre.

Paga minimale, Murati sot takohet me përfaqësuesit e bizneseve

Ministri në detyrë i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale, përcjell albinfo.ch.

Takimi është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Në emër tê Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ju ftojmë tê merrni pjesë nẽ takimin ku do tẽ diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale”, thuhet në ftesën e Ministrisë së Financave drejtuar Dhomave dhe Odave Ekonomike në Kosovë.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.

Letërsia shqiptare në Berlin: Jehona Kicaj me romanin “ë” në Ambasadën e Kosovës

Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, sot më 30 tetor, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet prezantimi i romanit “ë”, të autores shqiptare Jehona Kicaj, shkruan albinfo.ch.

Vepra, e cila ka tërhequr vëmendje të gjerë në qarqet letrare evropiane, është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga vlerësimet më prestigjioze në letërsinë gjermane.

Në këtë ngjarje letrare do të jetë e pranishme edhe vetë autorja, e cila do të ndajë me publikun përvojën krijuese dhe rrugëtimin e romanit që po cilësohet si një prej zërave më origjinalë të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë.

Ambasada e Kosovës në Berlin fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë mbrëmje kulturore, që synon të promovojë letërsinë shqiptare dhe krijuesit që po afirmohen në hapësirën evropiane./Albinfo.ch 

Dielli Vranoci, kampion i dyfishtë në Austri

Boksieri shqiptar me origjinë nga Peja, Dielli Vranoci, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e tij profesionale, transmeton albinfo.at.

Në ndeshjen e zhvilluar në Korneuburg të Austrisë, ai triumfoi ndaj rivalit Ahmet Simsek, duke siguruar fitoren e tij të 13-të në boksin profesionist.

Përkundër përvojës dhe formës së mirë të Simsek, që deri më tani kishte nëntë fitore pa humbje, Vranoci u shpall fitues me pikë më të larta, duke e vulosur kështu titullin kampion i dyfishtë i Austrisë.

Në një intervistë për ABC e Mëngjesit, boksieri ndau emocionet pas fitores dhe foli për rrugëtimin e tij në sportin e boksit.

“Jam pjesë e boksit profesionist prej pesë vitesh dhe në total kam zhvilluar 16 ndeshje. Me boksin merrem prej 15 vitesh dhe kam marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare – ndër to, arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare,” – tregoi Vranoci.

Ndeshja e fundit, e zhvilluar në 10 raunde, kishte rëndësinë e veçantë të titullit kombëtar të Austrisë. Pas këtij triumfi, boksieri shqiptar pritet të marrë një pauzë deri në fillim të vitit të ardhshëm, kur planifikon të rikthehet me sfida të reja.

“Për momentin po fokusohem te stërvitjet dhe palestra që kam hapur së fundmi. Dua të punoj me të rinjtë, të zbuloj talente të reja që mund të ndjekin këtë rrugë,” – tha ai.

Me një karrierë në rritje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në ring, Dielli Vranoci mbetet një nga emrat më premtues të boksit shqiptar në diasporë. Ai e mbylli intervistën me një dedikim prekës:

“Çdo fitore, çdo sukses e ia dedikoj prindërve të mi që sot nuk jetojnë. Ata janë forca ime më e madhe.”/Albinfo.ch

SHBA-ja heq sanksionet ndaj Millorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hequr sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, si dhe dhjetëra individëve e kompanive të lidhura me të. Vendimi u bë publik të mërkurën dhe përfshin edhe aleatët e tij politikë, anëtarë të familjes dhe subjekte të lidhura ekonomikisht me ta.

Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, që e konfirmoi këtë hap, sanksionet kishin ndaluar më parë çdo transaksion financiar me Dodikun dhe të gjithë të sanksionuarit e tjerë. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve për arsyet konkrete që çuan në këtë vendim.

Ky zhvillim vjen pas disa muajsh trazirash politike në Bosnjë e Hercegovinë. Më 18 tetor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska anuloi ligjet që synonin të ndalonin punën e institucioneve gjyqësore dhe policore shtetërore në territorin e entitetit serb. Po atë ditë, Ana Trishiq-Babiq u konfirmua si presidente në detyrë e Republikës Sërpska, duke zëvendësuar përfundimisht Dodikun, i cili kishte humbur mandatin pas një vendimi gjykate që e dënoi për mosrespektim të urdhrave të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti vendimin e Asamblesë për të tërhequr ligjet separatiste dhe e cilësoi këtë si “rezultat të përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA për të qetësuar krizën politike në Bosnjë”.

Swiss heq pesë destinacione nga Gjeneva duke filluar nga marsi 2026

Kompania ajrore Swiss do të reduktojë numrin e fluturimeve me distancë të shkurtër që nisen nga aeroporti i Gjenevës duke filluar nga vera e vitit 2026. Arsyeja kryesore, sipas kompanisë, është “mungesa e burimeve”.

“Ne po ulim numrin e destinacioneve nga Gjeneva, sepse duhet të optimizojmë përdorimin e flotës sonë midis Zyrihut dhe Gjenevës për shkak të mungesës së resurseve,” shpjegoi një zëdhënës i kompanisë për agjencinë e lajmeve AWP të mërkurën.

Kjo masë prek pesë destinacione: Berlin, Kopenhagë, Hamburg, Oslo dhe Mynih — ky i fundit tashmë shërbehet nga Lufthansa, kompania mëmë e Swiss.

Në total, orari i verës 2026 i Swiss-it do të përfshijë 112 destinacione që nisen nga Zyrihu dhe Gjeneva. Nga Zyrihu, pasagjerët do të kenë në dispozicion 70 destinacione evropiane dhe 25 ndërkontinentale.

Nga Gjeneva, Swiss do të ofrojë 29 destinacione me distancë të shkurtër, përveç fluturimit drejt Nju Jorkut.

Orari veror 2026 do të zgjasë nga 29 marsi deri më 24 tetor.

 

 

Zvicra kërkon më shumë transparencë nga platformat e mëdha digjitale

Google, Meta, X (ish-Twitter) dhe TikTok do të duhet të jenë më transparente në Zvicër. Këshilli Federal nisi të mërkurën një konsultim publik mbi një projektligj që synon të forcojë transparencën e platformave të mëdha digjitale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve.

Sipas Këshillit Federal, gjithnjë e më shumë qytetarë zviceranë informohen përmes platformave si Google, TikTok, Facebook dhe X. Këto mjete ndikojnë në komunikimin publik dhe në formimin e opinionit, ndërsa vendosin vetë rregullat e tyre të komunikimit.

Më shumë transparencë dhe të drejtë ankimi

Sipas projektligjit, platformat do të jenë të detyruara të japin sqarime kur fshijnë përmbajtje apo bllokojnë llogari. Përdoruesit e prekur duhet të informohen dhe të kenë mundësi të sfidojnë vendimet e kompanive.

Gjithashtu, kompanitë si Facebook dhe Google do të duhet të krijojnë një procedurë të brendshme ankesash dhe të marrin pjesë në një proces zgjidhjeje jashtëgjyqësore, në mënyrë që përdoruesit të mund të kërkojnë rishikim të vendimeve.

Raportimi i përmbajtjes së paligjshme

Platformat do të jenë të detyruara të vendosin një sistem të thjeshtë për raportimin e përmbajtjeve potencialisht të paligjshme, si shpifja, fyerjet, diskriminimi apo nxitja e urrejtjes.

Nëse selia e kompanisë ndodhet jashtë vendit, ajo do të duhet të emërojë një përfaqësues ligjor në Zvicër, për të garantuar zbatimin efektiv të ligjit.

Ligji do të prekë vetëm platformat shumë të mëdha

Ligji do të zbatohet vetëm për platformat që arrijnë të paktën 10% të qytetarëve çdo ditë – pra, rreth 5 deri në 15 kompani shumë të mëdha. Platformat jofitimprurëse, si Wikipedia, si dhe ato edukative, nuk do të përfshihen.

Periudha e konsultimit do të zgjasë deri më 16 shkurt.

Një projekt i shumëpritur

Qeveria Federale kishte pranuar nevojën për një ligj të tillë që në prill 2023 dhe kishte kërkuar përgatitjen e një dokumenti konsultimi deri në mars 2024.

Megjithatë, në shkurt, gjatë një samiti për inteligjencën artificiale në Paris, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi kundër “rregullimit të tepërt”, i cili sipas tij mund të dëmtonte një industri të dominuar nga SHBA. Kjo, si dhe diskutimet tregtare për tarifat doganore, kishin vonuar vendimin. Tani, Këshilli Federal vlerëson se rreziku i kundërpërgjigjeve ekonomike është i ulët.

 

“Sigurimet shoqërore në Zvicër – çfarë duhet të dimë?”

Shoqata “Parandalo” fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në një infomodul informues me temën “Sigurimet shoqërore në Zvicër – çfarë duhet të dimë?”, që do të zhvillohet më 31 tetor 2025, nga ora 18:30 deri në 20:00, në Mittenza-Saal, Hauptstrasse 4, 4132 Muttenz.

Ligjërues do të jetë Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i sigurimeve shoqërore, ndërsa Drita Ibrahimi, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës “Parandalo” për Basel, do të udhëheqë takimin.

Ngjarja organizohet me mbështetjen e Basel Landschaft – Fachbereich Integration, KIP – Kantonale Integrationsprogramme dhe Café International.

 [email protected]

 079 771 67 04

Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të informohen mbi çështjet më të rëndësishme të sigurimeve shoqërore në Zvicër.

Studim japonez: Konsumi i djathit mund të ndihmojë në parandalimin e demencës

Një studim i ri nga Japonia sugjeron se edhe një konsum i moderuar javor i djathit mund të ketë ndikim pozitiv në ruajtjen e funksioneve konjitive dhe në ngadalësimin e plakjes së trurit, raportoi news-medical.net.
Demenca po bëhet një shqetësim global gjithnjë në rritje, me parashikime që deri në vitin 2050 të preken mbi 150 milionë persona në mbarë botën. Edhe pse mjekësia ka bërë përparime të rëndësishme, trajtimet shëruese janë ende të kufizuara.
Në këtë kontekst, ushqyerja po shihet gjithnjë e më shumë si një faktor që mund të luajë rol mbrojtës. Djathi, për shembull, përmban vitamina, peptide dhe probiotikë që kontribuojnë në mbrojtjen e qelizave nervore përmes efekteve anti-inflamatore dhe metabolike.
Studimi është kryer mbi bazën e të dhënave të Studimit të Vlerësimit Gerontologjik të Japonisë (JAGES) të vitit 2019 dhe përfshiu persona mbi 65 vjeç. Rezultatet treguan se ata që konsumonin djathë të paktën një herë në javë kishin 21–24% më pak rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me të tjerët.
Për më tepër, analiza e mbijetesës tregoi një diferencë mesatare prej rreth 7.7 ditësh në favor të konsumatorëve të djathit.
Këto të dhëna përforcojnë idenë se edhe ndryshime të vogla në zakonet e përditshme të ushqyerjes, si përfshirja e djathit në dietë një herë në javë, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të trurit.

Sekuestrohen mbi 200 kg substanca narkotike në Prishtinë, arrestohet një person

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar S.J., nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge.

Sipas raportit zyrtar, i dyshuari u ndalua në rajonin e Prishtinës, dhe gjatë kontrollit të kamionit që po drejtonte, hetuesit sekuestruan mbi 200 kilogramë substanca narkotike.

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Speciale, po vazhdojnë veprimet hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale. Policia dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se angazhimi i tyre në luftimin e trafikimit dhe posedimit të narkotikëve do të vazhdojë pa kompromis, me ndjekjen penale të të gjithë personave të dyshuar për veprime të tilla.

 

SH.K.A. “Dardania” feston tri festa në një ditë!

Në vazhdën e aktiviteteve të saj të shumta brenda dhe jashtë Zvicrës, dhe në prag të festave të nëntorit, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” nga Winterthuri ka vendosur që këtë herë t’i bashkojë tri ngjarje të mëdha kombëtare në një festë të përbashkët.

 

Kjo mbrëmje solemne do t’i kushtohet:

Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqiptar,

28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe

31-vjetorit të themelimit të vetë Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”.

Në këtë rast, SH.K.A. “Dardania” do të paraqitet me një program të pasur artistik, me këngë dhe valle premierë, koreografi të reja, veshje të reja kombëtare dhe befasi të shumta gjatë paraqitjeve të tri grupeve të saj të vallëzimit.
Si gjithmonë, kjo shoqëri ruan me përkushtim autenticitetin e kulturës sonë kombëtare, duke ofruar një mbrëmje tërësisht shqiptare – pa ndikime të huaja apo zhanre që nuk i përkasin artit tonë popullor.

Këtu festohet vetëm shqip – me shpirt, traditë dhe krenari kombëtare!

Për ta pasuruar edhe më shumë këtë ngjarje, Këshilli Artistik i SH.K.A. “Dardania” ka ftuar miq dhe bashkëpunëtorë të nderuar, ndër ta: Shoqatën Shqiptare “Iliria” nga St. Gallen, si dhe moderatoren e njohur nga Kosova, znj. Viola Kastrati, e cila do të shoqërohet nga Lavdim Klaiqi, drejtues i “Tele Komuna” – Dardana (Kamenicë).

Në mesin e të ftuarve do të jetë edhe z. Gëzim Alimehmeti, drejtor i FIDAF-it për Shqipërinë dhe njëherazi koreograf i valleve të reja pranë kësaj qendre kulturore, si dhe përfaqësues të diplomacisë shqiptare në Zvicër.

Kjo mbrëmje do të jetë një manifestim i artit, kulturës dhe krenarisë kombëtare, ku përmes këngës, valles dhe simbolikës kuqezi, “Dardania” dëshmon edhe një herë se mbetet një ndër shtyllat më të forta të kulturës shqiptare në diasporë.

Ejani të festojmë së bashku – pa hyrje me pagesë, pa asnjë obligim – dhe ndihuni, së paku për një mbrëmje, shqiptarë!
Ju mirëpresim me zemërgjerësi!

Ngjarja do të mbahet më:
22 nëntor 2025
Aula, Kantonsschule Rychenberg
Rychenbergstrasse 110, 8400 Winterthur
Hapen dyert: 19:00 | Programi artistik: 20:00–22:00

 

Presidenti Begaj përshëndet njohjen e Kosovës nga Siria

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mirëpritur vendimin e Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, kreu i shtetit shqiptar theksoi se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, si dhe të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Falënderime të sinqerta për të gjithë ata që kontribuan në arritjen e kësaj njohjeje,” ka shkruar presidenti Begaj.