“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë

Kosova nuk ka dalje në det dhe kështu, as kushte për një turizëm masiv. Por ajo ka megjithatë mjaft çfarë tu ofrojë turistëve, veçmas tyre që duan eksplorimin e maleve dhe përgjithësisht relievit të bukur të Kosovës.  Ndërsa për t`iu përgjigjur interesimit të turistëve me kërkesa më të rafinuara, që interesohen për trashëgiminë kulturore të vendit, mungojnë kryesisht guidat me nivel profesional ose ato janë të gjymta e jo gjithëpërfshirëse.

Si një përpjekje për të përmbushur këtë boshllëk, ABSM (Qendra Edukative dhe Këshillimore) nga Bazeli ka iniciuar projektin “The Guestkeepers”, me bazë në Kosovë, gjegjësisht në Gjakovë. Projekti ka gjetur mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe është ende në fillimet e veta.

Për të parë interesimin që ka mërgata për një turizëm të tillë dhe për të marrë sugjerimet dhe plotësimet nga ajo, bartësit e “The Guestkeepers” kanë bërë një prezantim të projektit të tyre në tri përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Zvicër. Gjatë fundjavës që kaloi, ata ishin mysafirë në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, në Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe në mbrëmjen e fundit, në Konsullatën e Kosovës, në Cyrih, nga e cila raporton albinfo.ch.

Shefi i Konsullatës, Vigan Berisha ka përshëndetur nismën, duke shprehur nevojën që Kosova ka për tu afirmuar edhe si vend me vlera të turizmit kulturor. Angazhimin në këtë drejtim ai e ka cilësuar si diplomaci kulturore në shërbim të vendit.

Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti, në cilësinë e menaxherëve, në një bashkëbisedim me të interesuarit që kishin ardhur në ambientet e Konsullatës kosovare në Cyrih kanë prezantuar gjerësisht vizionin e tyre për projektin. Ata kanë kërkuar dhe  kanë marrë sugjerimet e të pranishmëve për plotësimin dhe përmirësimin e tij.

 

Projekti, sipas tyre ndodhet në fazën e konsolidimit dhe ka ende shumë punë për tu kryer deri në finalizimin e tij. Mbështetja nga qeveria është dhënë për tre vite por synimi i themeluesve është që “The Guestkeepers” të vazhdojë punën edhe pas kalimit të kësaj faze.

Ata kanë vënë theksin në trajnimin profesional të guidave, ose transformimin e të rinjve të moshës 18-30 vjeç, të cilët nga nxënës kthehen në “Ambasadorë të Mikpritjes”. Ata po trajnohen për përvetësimin e njohurive nga protokolli diplomatik dhe turizmi kulturor.

Përmes “Kosova Inn”, projekti  po certifikon bujtinat dhe artizanët lokalë për të garantuar autenticitet. Fjala është për kritere të larta, të prekshme dhe konkrete që ato duhet të plotësojnë për tu certifikuar, thanë dy menaxherët, duke theksuar seriozitetin me të cilin po udhëhiqet projekti.

Në videon që u projektua në ekran, publiku pati mundësinë të shihte sekuenca të filmuara nga ushtrimi i zejeve me rëndësi për autoktoninë e tyre në Kosovë, si ajo e qeleshepunuesve, e filigrnistëve etj.

Në emër të themeluesit gjegjësisht nismëtarit të projektit ka folur edhe Skender Nikoliqi kryetar i ABSM me seli në Bazel. Ai është ndalur në nevojën për një turizëm të qëndrueshëm kulturor, nevojë kjo që ka rezultuar me vizionin për të nisur projektin “The Guestkeepers”.

Projekti është një “materie e gjallë” dhe pëson transformim, varësisht nga vërejtjet dhe sugjerimet që merren në terren, kanë thënë drejtuesit e tij, duke ju referuar edhe disa pikave të projektit që ende kanë nevojë të përplotësohen dhe fiksohen. Në një debat të gjallë ku morën pjesë shumë nga të pranishmit, u dhanë shumë ide dhe sugjerime për plotësimin dhe mbarëvajtjen e projektit.

Në një aperitiv që pasoi, drejtuesit dhe mysafirët patën mundësinë për shkëmbim idesh dhe përvojash lidhur me projektin konkret dhe turizmin kulturor në përgjithësi.

Mashtrim i ri në Zvicër: Mesazhe të rreme për pikët e Coop dhe Migros

Autoritetet në Zvicra kanë paralajmëruar për një skemë të re mashtrimi që po qarkullon në internet dhe që lidhet me pikët e besnikërisë së supermarketeve. Bëhet fjalë për pikët e kartave të njohura të klientëve, si Supercard e Coop dhe Cumulus e Migros, përcjell albinfo.ch.

Sipas Federal Office for Cybersecurity (BACS), viktimat kanë marrë email ose mesazhe telefonike që duken sikur janë dërguar nga një prej këtyre dy zinxhirëve të mëdhenj të shitjes me pakicë. Në mesazhe thuhet se pikët e tyre të besnikërisë do të skadojnë së shpejti dhe u jepen udhëzime se si mund t’i përdorin ato sa më shpejt për shpërblime të ndryshme, si biçikleta, pajisje shtëpiake apo produkte të tjera.

Mesazhet duken mjaft bindëse dhe të besueshme, por në fund të tyre kërkohet që marrësit të japin të dhënat e kartës së kreditit për të përfunduar procesin e marrjes së shpërblimit.

Autoritetet e Federal Office for Cybersecurity u bëjnë thirrje konsumatorëve të mos u besojnë mesazheve të tilla dhe të mos ndajnë asnjë informacion financiar. Ndërkohë, edhe Coop dhe Migros kanë sqaruar se pikët e tyre të besnikërisë nuk skadojnë kurrë.

Ky mashtrim është vetëm një nga shumë skemat e fundit që përdoren nga mashtruesit online për të përfituar para nga qytetarët e pavetëdijshëm./Albinfo.ch

Rritet numri i blerjeve të armëve në Zvicër gjatë vitit 2025

Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Zvicra po blejnë armë zjarri. Një sondazh i realizuar nga transmetuesi publik SRF tregon se gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje prej 10 deri në 30 për qind e lejeve për blerjen e armëve, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, autoritetet zvicerane nuk e konsiderojnë këtë zhvillim si shqetësues. Sipas Karin Kayser-Frutschi, presidente e Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë, rritja mund të shpjegohet pjesërisht me pasiguritë që lidhen me situatën globale.

Ajo theksoi se më e rëndësishme sesa numri i lejeve të lëshuara është fakti se kujt i jepen ato dhe në çfarë rrethanash përdoren armët.

Sipas saj, nuk ka arsye për alarm, pasi legjislacioni për armët në Zvicra zbatohet në mënyrë shumë rigoroze nga autoritetet përgjegjëse./Albinfo.ch

Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë

Një aksident tragjik në Austri më 17 mars ua ndërpreu jetën tre qytetarëve kosovarë: Pajtim Bajrami, Istref Zekaj dhe Asllan Musliu. Të rinjtë, që kishin emigruar për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe për të mbështetur familjet në Kosovë, u përshkruan nga të afërmit si shembuj të përkushtimit, humorit dhe bujarisë, përcjell albinfo.at.

Pajtim Bajrami: “Heroi i familjes”

Pajtimi, i cili la pas dy vajza të vogla, ishte për familjen më shumë se një vëlla apo baba – ai ishte burimi i gëzimit dhe i mbështetjes së përhershme. Vëllai i tij, Bekriu, kujton:

“Kurrë s’më është ndarë. Kemi punuar bashkë, kemi kaluar kohën bashkë, kemi qenë gjithmonë bashkë… Udhëtonim gjithmonë bashkë për në Kosovë.”

Edhe pse larg gjirit familjar në Vjenë, Pajtimi mbajti lidhje të forta me të gjithë të afërmit. Axha i tij, Ademi, thotë:

“Ka qenë shumë humorist, shumë i afrueshëm. Nuk ka pasur qejf ta shohë askënd të hidhëruar.”

Halla e tij, Zyra, kujton:

“Sa herë ka ardhur, më ka telefonuar e më ka ftuar. Ka qenë shumë i hareshëm.”

Istref Zekaj: “Zemrën e ka pasur mal për të gjithë”

Istrefi kishte emigruar nga Kosova 22 vjet më parë dhe kishte ndërtuar jetën në Vjenë, ku ishte baba i dy vajzave dhe bashkëshorti i Besës. Motra e tij, Feridja, thotë:

“Kam dëshirë të kujtoj diçka të keqe… që ta kem një arsye mos të qaj. Por, kurrë s’na ka ndodhur diçka e keqe me të.”

Vëllai i tij, Zeka, kujton se Istrefi ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët:

“Ka vdekur me kolegët e tij, duke punuar për familjen, për bukën e gojës. Zemrën e ka pasur mal për të gjithë.”

Rrëfimet që pasqyrojnë emigrimin kosovar

Si Pajtimi ashtu edhe Istrefi, si shumë kosovarë të tjerë, u larguan nga vendlindja për mundësi më të mira pune dhe jetese. Qindra mijëra qytetarë të Kosovës kanë ndjekur këtë rrugë gjatë dekadave, duke kontribuar në ekonomitë e vendeve të tyre pritëse, por duke mbajtur lidhje të ngushta me familjet në atdhe. Tragjedia e tyre rikujton sakrificat dhe sfidat që shpesh shoqërojnë emigrimin, si dhe ndikimin e dhimbshëm që lënë humbjet në komunitet./REL

Formacionet e mundshme për finalen Kosovë-Turqi: Foda dhe Montella pa befasi

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Turqisë do të përballen sonte, e martë, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me nisje nga ora 20:45, në një duel historik për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Të dy trajnerët, Franco Foda për Kosovën dhe Vincenzo Montella për Turqinë, kanë bërë zgjedhjet e tyre, pa surpriza të mëdha në formacionet që pritet të hedhin në fushë, përcjell albinfo.ch.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, mbështetet te një formacion i balancuar, identik me atë që solli fitoren e rëndësishme ndaj Sllovakisë jashtë fushe. Në portë, Arijanet Muric do të qëndrojë në vend, ndërsa mbrojtja me tre lojtarë, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari, synon stabilitet dhe disiplinë përballë sulmit të shpejtë turk. Në krahë, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni Hoxha do të kenë role të dyfishta, duke mbrojtur dhe duke ndihmuar fazën sulmuese.

Mesfusha kosovare përbëhet nga Elvis Rexhbecaj, Veldin Hoxha dhe Florent Muslija, duke sjellë energji dhe kreativitet në ndërtimin e lojës, ndërsa sulmi mbështetet tek dyshja Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, me këtë të fundit si pika kryesore referuese e skuadrës.

Nga ana tjetër, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, ka zgjedhur një formacion me lojtarë teknikisht të aftë. Në portë është Ugurcan Cakir, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin dhe Mert Muldur. Mesfusha drejtohet nga përvoja e Hakan Calhanogludhe balanca taktike e Ismail Yuksek, ndërsa sulmi i Turqisë mbështetet tek talentet Kenan Yildiz dhe Arda Guler, të cilët do të asistojnë sulmuesit me përvojë Baris Alper dhe Kerem Akturkoglu.

Të dy trajnerët kanë treguar qartësi në zgjedhje, duke lënë pak hapësira për befasi dhe duke e bërë këtë finalen një sfidë që do të vendoset nga detajet dhe momentet kyçe në fushë.

Formacionet e mundshme:

Kosova: Arijanet Muric; Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi, Albian Hajdari; Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Elvis Rexhbecaj, Florent Muslija, Dion Gallapeni; Fisnik Asllani, Vedat Muriqi

Turqia: Ugurcan; Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin, Mert Muldur; Hakan Calhanoglu, Ismail Yuksek; Kenan Yildiz, Arda Guler, Baris Alper; Kerem Akturkoglu./Albinfo.ch 

Komuna e Prishtinës shton linjat e autobusëve drejt Aeroportit për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, me rastin e zhvillimit të ndeshjes Kosovë – Turqi dhe rritjes së ndjeshme të kërkesës për qarkullim, do të shtohen nisjet në transportin publik drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, në bashkëpunim me Trafikun Urban, më 31 mars dhe 1 prill do të ketë më shumë nisje në linjën 1A Aeroport – Prishtinë dhe anasjelltas.

Komuna ka bërë të ditur se autobusët do të qarkullojnë çdo një orë, nga ora 06:00 deri në 24:00, duke u nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe të përballimit të fluksit të shtuar të qytetarëve gjatë këtyre dy ditëve, i cili pritet të rritet për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi./Albinfo.ch

FFK mobilizon tifozët para finales me Turqinë: Bëhuni zëri i historisë sonte në Fadil Vokrri

Federata e Futbollit të Kosovës kërkon mobilizim maksimal në “Fadil Vokrri”, duke i ftuar tifozët të jenë lojtari i 12-të në hapin historik drejt Botërorit 2026, përcjell albinfo.ch.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) u ka bërë thirrje tifozëve që sonte, në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026, të mos qëndrojnë ulur në tribuna, por të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme që mund ta shtyjë ekipin drejt historisë.

Përmes një postimi në Facebook, FFK-ja ka theksuar se kjo është një natë e rrallë dhe e papërsëritshme për Kosovën, ku secili tifoz duhet të jetë pjesë aktive e ndeshjes, me zë dhe zemër për kombëtaren.

“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, thuhet në thirrjen e Federatës.

FFK-ja ka theksuar se Kosova është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre të madhe – kualifikimit në Botëror – një mundësi që, sipas tyre, mund të vijë vetëm një herë në jetë.

“Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt”, vijon deklarata.

Federata ka bërë të ditur se stadiumi nuk duhet të jetë një vend ku ndeshja përcillet në heshtje, por një arenë ku tifozët shndërrohen në forcën shtytëse të skuadrës.

“Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika”, thuhet më tej.

FFK-ja ka kërkuar gjithashtu respekt ndaj kundërshtarit, sidomos gjatë intonimit të himnit të Turqisë, por ka bërë thirrje që sapo të nisë loja, stadiumi “Fadil Vokrri” të shndërrohet në një fortesë të vërtetë.

“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari e ndjen peshën e një kombi të tërë”, thuhet në reagim.

Në fund, FFK-ja ka nënvizuar se kualifikimi në Botëror nuk do të ishte vetëm sukses sportiv, por edhe një mundësi e madhe për ta prezantuar Kosovën para botës, duke promovuar identitetin dhe krenarinë kombëtare në skenën më të madhe të futbollit.

“Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd”, përfundon thirrja e FFK-së./Albinfo.ch.

Lorik Cana: Ndeshja me Turqinë, ndër ditët më të rëndësishme për Kosovën pas Pavarësisë

Kapiteni legjendar i Shqipërisë vlerëson rritjen e Kosovës në fushë, duke e cilësuar plejofin për Botërorin 2026 si një moment historik për afirmimin e shtetit dhe rinisë kosovare, përcjell albinfo.ch.

Kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka deklaruar se përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një progres të madh në periudhën e fundit, duke u shndërruar në një ekip më të fortë dhe më të organizuar.

Në një prononcim për “Euronews”, Cana ka theksuar se ndeshja e Kosovës ndaj Turqisë në plejofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin pas shpalljes së Pavarësisë.

Sipas tij, kjo përballje mund të jetë një moment kyç në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në promovimin e vlerave të rinisë kosovare.

“Pas shpalljes së pavarësisë, kjo mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe të vlerave që ka rinia aty. Turqia mbetet favoritja e madhe, është e sigurt dhe e mirë nga ana teknike”, ka deklaruar Cana.

Megjithatë, ai vlerëson se Kosova ka ndryshuar dukshëm, sidomos pas përballjes me Zvicrën, duke fituar vetëbesim dhe një frymë të re brenda grupit.

Cana ka nënvizuar se transformimi i Kosovës nuk ka qenë vetëm në aspektin taktik, por edhe në forcën mendore dhe shpirtin luftarak të ekipit, duke ia atribuar një meritë të veçantë edhe trajnerit.

“Ka ndodhur diçka brenda ekipit, kanë gjetur një forcë, vetëbesim dhe shpirt luftarak. Kanë bërë një fazë kualifikuese të mirë dhe kanë eliminuar një skuadër si Sllovakia, që është ekip i fortë. Tani mbetet sfida më e madhe”, është shprehur ai.

Në fund, Cana ka theksuar se përgjegjësia për të përfaqësuar shtetin është shumë më e madhe se çdo angazhim në nivel klubesh, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe përkushtimin e futbollistëve të Kosovës.

“Ajo që i bën të luajnë mirë është të kuptojnë se çfarë fati dhe përgjegjësie kanë të përfaqësojnë vendin e vet. Kur përfaqëson shtetin tënd, nuk krahasohet me klubet. Këta djem kanë bërë diçka të jashtëzakonshme me punën e tyre, por merita kryesore është e atyre që luajnë në fushë”, përfundoi Cana.

Kosova tashmë ndodhet para sfidës më të madhe të saj, ku një rezultat pozitiv ndaj Turqisë do të ishte një hap historik drejt ëndrrës së Botërorit 2026 dhe një moment i rëndësishëm për sportin dhe shtetin e Kosovës./Albinfo.ch 

Mediat botërore shkruajnë për Kosovën në prag të finales për Botëror

Kombëtarja e Kosovës sot luan ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, me synimin për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Të gjithë sytë janë të drejtuar nga Prishtina, ku zhvillohet përballja vendimtare ndaj Turqisë në orën 20:45, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndeshje është cilësuar si një moment historik, që mund të përcaktojë fatin e një vendi në garën më të madhe të futbollit botëror.

Interesi ndërkombëtar për Kosovën është i jashtëzakonshëm, me media të njohura botërore që i kanë kushtuar hapësirë të gjerë këtij rrugëtimi.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters e ka përshkruar Kosovën si një ekip që po kërkon historinë e Kupës së Botës në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë, duke theksuar rrugëtimin e saj deri në finalet e plejofit. Ky artikull është postuar edhe nga shumë media të tjera ndërkombëtare.

Edhe mediume të njohura si BBC dhe The Guardian kanë shkruar për momentin historik të Kosovës dhe mundësinë e saj për të arritur në Botëror.

Një artikull i veçantë i është kushtuar Kosovës edhe nga gazeta italiane “Corriere dello Sport”, e cila e ka përshkruar kombëtaren si një ekip të ndërtuar mbi dy realitete: lojtarë nga vendi dhe lojtarë të diasporës, të lidhur nga një fanellë e vetme dhe një identitet i përbashkët.

Sipas medias italiane, Kosova është një skuadër që përfaqëson një “hartë emocionale të Evropës”, me shumë prej lojtarëve të lindur e rritur jashtë vendit, por të bashkuar nga ëndrra për të shkruar histori me vendin e tyre.

“Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”,shkruhet në artikull.

Po ashtu, për Kosovën kanë shkruar edhe media të tjera ndërkombëtare si AS në Spanjë, Kicker në Gjermani dhe media në Hungari, duke e vendosur ekipin në qendër të vëmendjes së futbollit evropian.

U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër

Të dielën, më 29 mars 2026, në Suhr, në ambientet e Zyrës së LAPSH-it, u mbajt me sukses Kuvendi i radhës i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, një moment i rëndësishëm për reflektim, organizim dhe orientim të mëtejshëm të veprimtarisë së shkollës shqipe në këtë kanton.

Takimi kishte dy pika kryesore të rendit të ditës: zgjedhjen e Kryesisë së re dhe organizimin e manifestimit shkollor me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/26.

Pas miratimit të rendit të ditës dhe përcaktimit të organeve të punës, pjesëmarrësit vijuan me shqyrtimin e çështjeve kryesore. Kuvendi u hap nga kryetari, z. Riza Demaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e unitetit, bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të arsimit shqip në diasporë. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për të gjithë mësuesit, të cilët ndër vite punojnë me përkushtim të lartë, falë të cilëve Kantoni i Argaut renditet ndër më të suksesshmit në Zvicër sa i përket organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Në këtë Kuvend ishte e pranishme edhe Znj. Besarta Balaj, Zyrtare e Lartë për Mësimin Plotësues në Mërgatë, e cila përgëzoi punën e suksesshme të mësueseve të shkollave shqipe në këtë kanton duke i motivuar dhe duke shpreh gatishmërinë për një bashkëpunim sa më funksional në shërbim të organizimit të mësimit në gjuhën shqipe.

Në kuadër të punimeve u prezantua raporti i punës për vitin 2025 dhe fillimin e vitit 2026, ku u evidentuan aktivitetet në pikat shkollore, bashkëpunimi me prindër dhe institucione, si dhe sfidat me të cilat përballet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, përfshirë çështjen e teksteve dhe komunikimit institucional. Me këtë rast u shpreh falënderim për institucionet mbështetëse, si Ambasada e Republikës së Shqipërisë, e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në mënyrë të veçantë për Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, e cila vazhdimisht ka kontribuar me tekste shkollore dhe përfaqësim në aktivitetet shkollore.

Një nga pikat kryesore të Kuvendit ishte zgjedhja e Kryesisë së re, ku me besimin e mësuesve dhe pjesëmarrësve u zgjodhën: Kryetar: Riza Demaj dhe Sekretar: Rexhep Neziri, si dhe anëtarët e Kryesisë: Elfete Gashi, Qefsere Sejdiu, Eshtrefe Nuhiu, Nuraj Iljasi, Zyrafete Muqolli, Halime Vishi, Sadete Musliu, Vjolla Kapsolli, Safete Budeci dhe Vaxhid Sejdiu.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe organizimit të Manifestimit të përfundimit të vitit shkollor 2025/26. Festa e fundvitit është një nga ngjarjet kryesore të LAPSH “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut dhe tashmë ka marrë përmasa të një feste mbarëkantonale. Në këtë aktivitet, nxënësit e shkollave shqipe prezantojnë programe kulturore e artistike, duke dëshmuar aftësitë e tyre gjuhësore dhe kulturore para prindërve dhe të ftuarve.

Në javët në vijim do të zhvillohen përgatitje intensive për realizimin sa më dinjitoz të këtij manifestimi. Mësuesit, në bashkëpunim me veprimtarë të arsimit shqip dhe me mbështetjen e prindërve vullnetarë, tashmë kanë nisur organizimin e detajuar të programit, ndarjen e përgjegjësive dhe përgatitjen e skenarit.

U bë e ditur se në Kantonin e Argaut veprojnë dhjetë mësues/e, të cilët gjatë gjithë vitit punojnë me përkushtim në shërbim të mësimit plotësues në gjuhën amtare. Ato/ata në fjalën e tyre radhitën një mori kërkesash të cilat mendohet se në të ardhmen do të gjejnë përgjigje veçanërisht ato të cilët kishin të bënin me organizimin e manifestimit.

Sipas vendimit të Kuvendit, Manifestimi tradicional i fundvitit shkollor do të mbahet më: 31 maj 2026, ora 14:00, në Küttigen të Kantonit të Argaut.

Ky manifestim përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të vitit, ku pasqyrohet puna dhe përkushtimi i mësuesve dhe nxënësve, si dhe mbështetja e vazhdueshme e prindërve.

Kuvendi përfundoi me mesazhin e përbashkët se vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithëve mund të ruhet dhe të forcohet gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar në mërgatë.

Së bashku mundemi më shumë.
Së bashku e mbajmë gjallë gjuhën shqipe!

Finalja sonte, Kosova synon kualifikimin historik

Kosova dhe Turqia do të përballen sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, në një duel që pritet të vendosë historinë për “Dardanët”, përcjell albinfo.ch.

Kosova do të luajë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa pret Turqinë në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme me përkrahje masive të tifozëve vendas. Për Kombëtaren e Kosovës, kjo sfidë përfaqëson një mundësi historike për të siguruar kualifikimin e parë ndonjëherë në një Kampionat Botëror.

“Dardanët” vijnë në këtë përballje me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, ku treguan karakter dhe vendosmëri në një ndeshje vendimtare. Forma e mirë dhe rezultatet pozitive në shtëpi nën drejtimin e trajnerit Franco Foda kanë rritur besimin se Kosova mund ta arrijë objektivin e madh.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet si një kundërshtar i fortë, me një skuadër cilësore dhe përvojë ndërkombëtare, ku shumë nga lojtarët e saj aktivizohen në ligat më të forta evropiane.

Përballja pritet të jetë e tensionuar dhe me intensitet të lartë, ndërsa Kosova do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e publikut për të shkruar një kapitull historik në futbollin kosovar./Albinfo.ch

Aksident tragjik në Austri, ndërron jetë 18-vjeçari shqiptar nga Kosova

Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar sot në Austri, ku ka ndërruar jetë një 18-vjeçar shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z..

Sipas burimeve brenda redaksisë së Albinfo.at, viktima ishte i lindur në Linz të Austrisë, ndërsa rrjedh nga një familje shqiptare me origjinë nga Opoja, konkretisht nga fshati Kuk.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, ku rreth mesditës në rrugën B126, një veturë është përplasur me një kamion në një kthesë të djathtë.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesi i veturës, 18-vjeçari shqiptar, ka mbetur i vdekur në vend, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta rikthyer në jetë.

Nga ky aksident ka mbetur i lënduar edhe shoku i tij, i cili sipas informatave është shtetas rumun.

Rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar nga autoritetet austriake, ndërsa lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe tek familjarët dhe komuniteti shqiptar në Austri./Albinfo.at

Dua Lipa emërohet kuratore e “London Literature Festival 2026” në Southbank Centre

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të marrë një rol të ri të rëndësishëm në botën e kulturës, pasi është emëruar kuratore e Festivalit të Literaturës “London Literature Festival” 2026, i cili organizohet në Southbank Centre në Londër, përcjell albinfo.ch.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, festivali do të mbahet nga 21 tetori deri më 1 nëntor 2026, dhe do të jetë pjesë e aktiviteteve që shënojnë 75-vjetorin e Southbank Centre, një nga institucionet më të njohura kulturore në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë rol, Dua Lipa do të ketë mundësinë të zgjedhë shkrimtarët e preferuar, temat që e interesojnë dhe mënyrën se si do të prezantohen aktivitetet, duke i dhënë festivalit një frymë dhe stil personal.

Mediumi britanik London Evening Standard ka raportuar se Lipa do të organizojë një seri aktivitetesh gjatë fundjavës së hapjes, më 24-25 tetor, si dhe përgjatë gjithë festivalit, përmes klubit të saj të leximit “Service95 Book Club”.

Duke folur për këtë angazhim, këngëtarja është shprehur se leximi ka qenë një mbështetje e vazhdueshme në jetën e saj:

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime, nga momenti kur isha nxënësja e re në një vend të ri, deri te gjetja e qetësisë gjatë turneve. Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë e emocionuar të thellohem në librat dhe mendjet brilante të autorëve të mi të preferuar”.

Klubi i saj i leximit, i themeluar në vitin 2023, është shndërruar në një platformë kulturore me ndikim, ku çdo muaj ajo rekomandon një libër dhe zhvillon biseda me autorët në formë podcasti. Dua Lipa njihet gjithashtu si një zë i fuqishëm në promovimin e leximit, veçanërisht për grupet që kanë më pak qasje në libra.

Ndër librat e fundit të rekomanduar nga “Service95 Book Club” është romani “She Who Remains” i autores bullgare Rene Karabash, i cili është përfshirë në listën e gjatë të çmimit prestigjioz International Booker Prize për këtë vit.

Ky roman zhvillohet në Bjeshkët e Nemuna, në një fshat ku jeta udhëhiqet nga rregullat e vjetra të Kanunit. Historia ndjek Bekijen, një vajzë e cila, për t’i shpëtuar një martese të detyruar, merr një vendim drastik duke u bërë burrneshë, duke hequr dorë nga identiteti i saj si grua dhe duke jetuar si burrë. Një zgjedhje që sjell pasoja të rënda për jetën dhe familjen e saj.

Në këtë kontekst, romani trajton edhe fenomenin real historik të burrneshave në shoqërinë shqiptare, gra që betoheshin të jetonin si burra dhe fitonin liri e të drejta të veçanta, por me kushtin e jetës në beqari.

Autorja është frymëzuar nga fotografitë e Pepa Hristova, e cila ka dokumentuar jetën e këtyre grave. Ajo ka theksuar se vendimi i tyre kërkonte forcë të jashtëzakonshme:

“E gjithë prania dhe sjellja e tyre ndryshon… dhe sa të forta dhe të sigurta në vetvete duhet të jenë këto gra për të marrë një vendim që ndryshon jetën kaq shumë”.

Ndërkohë, drejtori artistik i Southbank Centre, Mark Ball, e ka quajtur Dua Lipën një “forcë globale kulturore”, duke vlerësuar ndikimin e saj në promovimin e leximit tek të rinjtë:

“Dua Lipa është një forcë globale kulturore dhe pasioni i saj për librat ka frymëzuar një brez të ri lexuesish. Jemi shumë të lumtur që ajo do të udhëheqë festivalin tonë më të rëndësishëm letrar”.

Ky edicion do të jetë i 19-ti i festivalit, dhe përkon edhe me një vit të dedikuar leximit në Britani. Organizatorët synojnë të afrojnë më shumë të rinj me librin përmes aktiviteteve kreative, bashkëpunimeve me industrinë e lojërave dhe organizimit të ngjarjeve falas.

Sipas statistikave të National Literacy Trust, vetëm 1 në 3 fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexojnë në kohën e lirë, duke shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.

Për këtë arsye, “London Literature Festival 2026” pritet të fokusohet fuqishëm në rikthimin e dashurisë për librin dhe tregimin, duke synuar një ndikim të gjerë kulturor dhe edukativ./Albinfo.ch

Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix”

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova është nderuar me çmimin më të lartë “Grand Prix” në kuadër të festivalit prestigjioz ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026, i cili u mbajt në Spanjë, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Orkestra “Amadeus” përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku është theksuar se ky vlerësim vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në një konkurrencë të fortë me dhjetëra orkestra nga vende të ndryshme.

Në këtë skenë ndërkombëtare, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, të rinjtë kosovarë përfaqësuan denjësisht vendin, duke dëshmuar edhe njëherë talentin, përkushtimin dhe pasionin e tyre të veçantë për muzikën.

Sipas orkestrës, ky sukses nuk përfaqëson vetëm një çmim, por është një dëshmi e qartë e punës së palodhshme dhe sakrificës së vazhdueshme të gjithë ekipës. Një rol të rëndësishëm në këtë arritje është theksuar se ka edhe drejtuesja e orkestrës, Hana Petrovci, e cila me vizion dhe përkushtim po vazhdon të udhëheqë orkestrën drejt rezultateve të mëdha.

Orkestra “Amadeus” ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme, duke e konsideruar këtë fitore një moment krenarie për gjithë Kosovën.

Ky triumf në Spanjë konfirmon edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve kosovarë dhe rëndësinë e investimit në kulturë e art./Albinfo.ch 

Dizajni kosovar prezantohet me sukses në skenën e modës në Stokholm

Në edicionin jubilar të 10-të të Stockholm International Fashion Fair (STOIFF), Kosova u prezantua me sukses përmes dizajnit autentik dhe kreativitetit bashkëkohor, duke dëshmuar potencialin e saj në industrinë globale të modës, transmeton albinfo.ch.

Kosova ka shënuar një paraqitje të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të modës në kuadër të edicionit të 10-të jubilar të Stockholm International Fashion Fair – STOIFF, i cili u mbajt në ambientet prestigjioze të Hallwylska Museet në Stokholm.

STOIFF njihet si një ngjarje unike që bashkon kultura të ndryshme përmes modës, duke krijuar një platformë ndërkombëtare ku promovohen kreativiteti, qëndrueshmëria, fuqizimi i grave dhe vizioni global i industrisë së modës.

Në këtë event, Kosova u përfaqësua nga dy emra të njohur të dizajnit kosovar, Labentinë dhe Diba Celina, të cilat sollën koleksione të veçanta që ndërthurin elemente të identitetit kulturor me linja moderne dhe stil bashkëkohor. Paraqitja e tyre u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit dhe promovimit të modës kosovare në arenën ndërkombëtare, transmeton tutje albinfo.ch.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair u bë e mundur falë iniciativës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm, me mbështetjen e projektit GrowSwisscontact, i financuar nga SIDA, në kuadër të përkrahjes për zhvillimin e industrive kreative.

Çdo vit, STOIFF bashkon profesionistë dhe entuziastë të modës nga e gjithë bota, duke u shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm për trendet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti solli gjithashtu pjesëmarrjen e dizajnerëve të njohur nga vende si Japonia, Maroku dhe Suedia, duke e bërë panairin edhe më të pasur dhe më përfaqësues.

Kjo paraqitje e Kosovës në STOIFF konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit në rritje të industrisë kreative kosovare dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt prezantimit të saj në tregjet globale./Albinfo.ch

Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester

Në Manchester, më 29 mars, u shënua hapja e shkollës së dytë shqipe, një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në këtë qytet dhe për përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare në diasporë, transmeton albinfo.ch.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Zëvendës Konsulli i Ambasadës së Kosovës në Londër, Ilir Bytyqi, i cili përgëzoi organizatorët dhe komunitetin për këtë iniciativë të qëlluar.

Gjatë fjalës së tij, Bytyqi shprehu mirënjohje të veçantë për prindërit që po angazhohen në edukimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe, duke theksuar se ky angazhim është kyç për ruajtjen e identitetit kulturor të brezave të rinj. Ai njëkohësisht inkurajoi komunitetin që të jetë edhe më aktiv në mbështetjen e nismave të tilla.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë së Manchester-it, përfshirë këshilltarët lokalë Jawad Amin, Fiaz Riasat, Nasrin Ali, Naeem ul Hassan, Shazia Butt dhe Shaukat Ali, të cilët shprehën mbështetje për iniciativën dhe vlerësuan angazhimin e komunitetit shqiptar në fushën e edukimit, transmeton tutje albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Londër bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë projekte që promovojnë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, si përmes pjesëmarrjes institucionale, ashtu edhe përmes kontributit me tekste dhe materiale mësimore.

Ndërkohë, organizatorja e eventit, Erisa Isufaj, falënderoi prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj nisme, e cila synon të zgjerojë mundësitë për mësimin e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar në Manchester.

Hapja e kësaj shkolle shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e edukimit në gjuhën amtare dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë./Albinfo.ch

Erjon Krasniqi doktoron në Inxhinieri Ndërtimore në Japoni

Erjon Krasniqi nga Vushtrria ka shënuar një sukses të madh në fushën akademike, duke fituar titullin Doktor Shkence (PhD)Inxhinieri Ndërtimore në Japoni, një nga vendet më të avancuara në botë për zhvillim teknologjik dhe arsimor, transmeton albinfo.ch.

Ky rezultat është vlerësuar me nderime të larta nga institucionet akademike japoneze, duke dëshmuar nivelin e lartë profesional dhe përkushtimin e tij në studime.

Arritja e Krasniqit po konsiderohet si një moment krenarie jo vetëm për familjen e tij, por edhe për qytetin e Vushtrrisë dhe gjithë shqiptarët, duke treguar se të rinjtë nga Kosova mund të konkurrojnë dhe të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare.

Me këtë sukses, Erjon Krasniqi bëhet shembull motivues për gjeneratat e reja, duke dëshmuar se puna, përkushtimi dhe ambicia mund të çojnë drejt rezultateve të mëdha, edhe larg vendlindjes, transmeton tutje albinfo.ch.

Lidhur me këtë arritje, babai i tij, Sadik Krasniqi, ka shprehur emocionet dhe krenarinë përmes një mesazhi urimi:

“Sot djali Erjon Krasniqi na bëri të ndihemi krenar ne familja dhe mbar shqiptarët! Shumë urime mbrojtja e Doktoratës në shtetin e Japonisë! Faleminderit Japoni!”

Ky sukses i Erjon Krasniqit vlerësohet si një dëshmi e fuqishme e potencialit që kanë të rinjtë kosovarë për të ndërtuar karrierë dhe për të arritur rezultate të mëdha në botë./Albinfo.ch

 

Itali: Arrestohet 17-vjeçari që dyshohet se po planifikonte një sulm në shkollë

Njësia speciale e policisë italiane, ROS, ka arrestuar një adoleshent 17-vjeçar nga Peruxhia, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm të dhunshëm në një shkollë.

Hetuesit thanë se i riu ishte duke u përpjekur të prodhonte armë dhe pajisje kimike për të realizuar sulmin e dyshuar.

Gjithashtu, ai ndiqte një grup në Telegram që promovonte ide mbi “superioritetin” e supozuar të racës ariane.

I arrestuari përballet me akuza për posedim të materialeve për qëllime terroriste, si dhe për propagandë dhe nxitje të veprave kriminale bazuar në racë, etni dhe fe.

Rasti vjen në një kohë kur dhuna midis të rinjve në Itali po shkakton shqetësim të madh. Javën e kaluar, një 13-vjeçar në qytetin Treskore Balneario të provincës Bergamo sulmoi me thikë një mësuese 57-vjeçare të gjuhës frënge, duke e plagosur rëndë. Ai mbante një bluzë me shkronjën “V” që simbolizonte “hakmarrjen” dhe thuhet se e filmoi sulmin duke e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, në Kino Ciné Club u shfaq dokumentari i metrazhit të gjatë “La Beauté de l’Âne”, vepër e regjisores shqiptare-zvicerane Dea Gjinovci.

Mbrëmja nisi me një pritje të organizuar në formën e një apéroje, ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë verërat e Kosovës, duke e shndërruar hapjen e aktivitetit në një prezantim të përzgjedhur të kulturës dhe prodhimit vendor.

Në vijim, të pranishmëve iu drejtua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Sh.T. Mentor Latifi, i cili vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë platformë kulturore ndërkombëtare. “Mirë se vini në shfaqjen e filmit “La Beauté de l’Âne” ( ‘Bukuria e Gomarit’), e cila zhvillohet sot në kuadër të Javës së Gjuhës Franceze dhe të Frankofonisë në Bernë. Jemi të lumtur që për herë të parë marrim pjesë në këtë Javë me një film zvicerano-kosovar. Dëshiroj të falënderoj zonjën Isabelle Biedermann për mbështetjen, si dhe regjisoren Dea Gjinovci dhe distributorin ‘Firsthand Films’ që mundësuan këtë shfaqje edhe para premierës së saj në Bernë.”

Ai rikujtoi gjithashtu edhe pozicionimin e Kosovës në hapësirën frankofone:

“Vendi ynë është bërë anëtar vëzhgues i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në vitin 2014 dhe në vitin 2018 fitoi statusin e anëtarit të asociuar. Përmes projekteve kulturore dhe mediale, si reportazhi ‘Destination Francophonie’ i realizuar nga TV5MONDE, publiku ka mundësi të njohë më nga afër Kosovën. Është një vend që ia vlen të vizitohet dhe, sipas Gallup Global Safety Report 2025, renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë.”

Dokumentari “La Beauté de l’Âne” trajton realitetin e Kosovës së pasluftës përmes një rrëfimi personal dhe hulumtues. Regjisorja dhe babai i saj rikthehen në fshatin e tij të lindjes, Makermal, një hapësirë e shkatërruar nga lufta, ku kujtesa e banorëve mbetet burimi kryesor i historisë.

Filmi ndjek këtë kthim si një proces kërkimi, duke rikthyer kujtimet e viteve ’50 dhe duke sjellë në vëmendje histori të pathëna, përfshirë edhe zhdukjen e gjyshes së regjisores. Përmes këtij rrugëtimi, ndërthuren dimensioni personal dhe ai kolektiv, duke ofruar një pasqyrë të qëndrueshmërisë së komunitetit përballë traumës.

Me këtë realizim, Dea Gjinovci sjell një qasje të ndjeshme dhe reflektuese ndaj historisë dhe kujtesës, duke e trajtuar të kaluarën si një proces që kërkon rikthim dhe rishqyrtim të vazhdueshëm.

 

Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde

Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur më 7 prill 2016, po konsiderohet si një ndër talentët më premtues në taekwondon zviceran, duke treguar rezultate të jashtëzakonshme për moshën e tij.

Në Open-in ndërkombëtar të Strasburgut, të mbajtur fundjavën e kaluar, ai dëshmoi sërish nivel të lartë. Ajani fitoi dy ndeshje radhazi me rezultat të pastër 2:0, duke dominuar me teknikë dhe taktikë ndaj kundërshtarëve.

Momenti më i rëndësishëm ishte finalja kundër kampionit të Francës, ku Krasniqi u tregua i sigurt dhe i qetë, duke e kontrolluar plotësisht përballjen dhe duke dalë fitues.

Me këtë triumf, ai ka arritur në 54 medalje në karrierë. Deri më tani është shpallur tri herë kampion i Zvicrës dhe është vlerësuar si luftëtari më i mirë, ndërsa në arenën ndërkombëtare ka fituar dy tituj kampioni evropian.

Me përkushtim dhe pasion të madh për sportin, Ajan Krasniqi po dëshmon se ka një të ardhme shumë të ndritur, dhe pritet që emri i tij të dëgjohet gjithnjë e më shumë në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në luftën kundër Iranit

Spanja ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në operacionet ushtarake kundër Iranit, njoftoi të hënën ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.

Sipas saj, qeveria spanjolle, e cila udhëhiqet nga e majta dhe është “plotësisht kundër” sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit, nuk ka autorizuar përdorimin e bazave amerikane në territorin spanjoll për këtë konflikt.

“Përdorimi i bazave (amerikane) në Spanjë nuk është i autorizuar dhe, natyrisht, as përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle për veprime që lidhen me luftën në Iran”, deklaroi Robles, duke konfirmuar raportimet e gazetës El País.

Sipas këtij mediumi, refuzimi i Spanjës për të bashkëpunuar ka komplikuar operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Disa bombardues amerikanë janë detyruar të shmangin Gadishullin Iberik dhe të hyjnë përmes Ngushticës së Gjibraltarit, duke ndryshuar kështu itineraret dhe logjistikën e tyre.

Megjithatë, ekziston një përjashtim: në raste emergjente, lejohet tranziti ose ulja e avionëve në fjalë, megjithëse kjo nuk u specifikua drejtpërdrejt nga ministrja Robles.

Kundërshtimi i fortë i Pedro Sánchez
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tij të fortë ndaj luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke e cilësuar atë si “të paligjshme” dhe një “gabim të jashtëzakonshëm”.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dypalëshe, pasi Madridi refuzoi të lejojë përdorimin e dy bazave ushtarake amerikane në Spanjë për operacionet kundër Iranit.

Megjithatë, El País sqaron se të gjitha misionet e parashikuara në marrëveshjen dypalëshe me Uashingtonin mbeten në fuqi për këto baza, që ndodhen në Andaluzinë jugore. Baza detare në Rota dhe baza ajrore në Morón janë pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 1953 gjatë regjimit të Franco-s.

Tensionet brenda NATO-s

Përtej konfliktit në Lindjen e Mesme, Donald Trump prej muajsh ka kritikuar Spanjën për mosrritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një objektiv i ri i NATO-s i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë.
Vendimi i Spanjës thekson ndarjet brenda aleatëve perëndimorë lidhur me operacionet ushtarake në Iran, duke reflektuar një përçarje më të gjerë në Evropë për këtë çështje.

Ulja e çmimeve të ushqimit ndërpritet nga konflikti në Lindjen e Mesme  

Prodhuesit e produkteve ushqimore përgatiten për një valë të re inflacioni, vetëm pak vite pasi industrinë e goditi cikli i fundit i rritjes së çmimeve. Por tani, rritja e kostove nuk do të mund të transmetohet lehtësisht tek konsumatorët.

Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit – rruga kryesore për transportin e rreth një të pesti të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm global – ka çuar në rritje të forta të çmimeve të energjisë dhe plastikës së përdorur për paketim. Kufizimi i kalimit për shkak të tensioneve ushtarake ka ngritur edhe çmimin e plehrave kimike mbi 40%.

Para shpërthimit të konfliktit, kompani si PepsiCo dhe Kraft Heinz kishin planifikuar ulje çmimesh për disa produkte, për të rikthyer shitjet që ishin ulur. Megjithatë, situata aktuale ngjan me vitin 2022, kur pandemia dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia shkaktuan rritje të madhe të çmimeve të energjisë dhe mallrave, duke detyruar kompanitë të rrisin çmimet.

Analistët vlerësojnë se konsumatorët në Perëndim do të jenë më të rezervuar ndaj rritjes së çmimeve ushqimore, pasi buxhetet e familjeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare janë tashmë të ngarkuara. PepsiCo planifikoi ulje çmimesh deri në 15% për disa produkte, ndërsa Kraft Heinz po ndjek të njëjtën strategji për të lehtësuar konsumatorët.

Sipas analistëve, kompanitë do të kenë më shumë vështirësi për të rritur çmimet në 2026, pasi rritjet e mëparshme ishin të konsiderueshme. Që nga fillimi i konfliktit, çmimi i naftës ka kaluar nga 72 në 116 dollarë për fuçi, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe paketimit, dhe duke ulur të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve.

Transporti përbën rreth 7-8% të kostove të kompanive ushqimore, ndërsa çmimi i naftës dizel në SHBA ka kaluar 5 dollarë për gallon, mbi 40% më shumë që nga fundi i shkurtit. Çmimi i polietilenit, i përdorur për qese dhe shishe, është rritur mbi 50% për shkak të kufizimeve në furnizimin me kimikate.

Kompani si Colgate-Palmolive dhe Clorox po shqyrtojnë ndryshime çmimesh dhe paketimi për të përballuar presionin e kostove, ndërsa analistët paralajmërojnë se efektet e dyta të inflacionit do të reflektohen me vonesë, duke ndikuar fillimisht tek produktet e freskëta, pastaj tek pijet dhe ushqimet e ftohta që kërkojnë energji të lartë për ruajtje.

Prodhuesit më të ngarkuar me borxhe mund të jenë të detyruar të rrisin çmimet sa më shpejt për të ruajtur marzhet e fitimit, edhe nëse kjo vonon rikuperimin e shitjeve, paralajmërojnë ekspertët.