Tematike

Mozaiku i demokracisë

Si mund ta zhvillojmë një perceptim të përbashkët për demokracinë? Si të identifikohet erozioni i demokracisë dhe pastaj të gjendet mënyra se si ta fuqizojmë atë sërish?

Demokracia bashkë me lirinë dhe drejtësinë bën pjesë në mesin e koncepteve më të përdorura politike në Zvicër. Është po ashtu edhe njëri ndër konceptet me ngarkesë më të madhe pozitiviteteti. Fjalinë “Po kjo nuk është demokratike” e dëgjoni në vazhdimësi dhe në raporte nga më te ndryshmet. Gjithnjë i ngjan një klithjeje kundër ndonjë procedura të padrejtë ose kundër ndonjë rezultati të padrejtë apo, thënë në mënyrë më prozaike: Me të adresohet një vendim i gabuar ose ndonjë procedurë joadekuate vendimi.

Në SHBA kjo zakonisht njihet si: “It`s against the law”, në Gjermani si: “Kjo është në kundërshtim me kushtetutën”, në Francë: “Kjo është e padrejtë” ndërsa te ne, fare thjesht: “Po kjo nuk është demokratike”. Në këtë kuptim, në SHBA i drejtohen ligjit, në Gjermani konsultohet kushtetuta dhe në Zvicër fillojmë të zihemi rreth demokracisë – pajtim rreth kësaj arrijmë në të rrallë, pasi që ne nuk kemi një koncept të qartë e të përbashkët për demokracinë, të cilit do t`i referoheshim të gjithë së bashku.

Një nocion dhe shumë interpretime

Duke iu referuar proverbit të njohur “dy juristë, tre mendime”, ne pothuajse mund të theksojmë se ekzistojnë aq kuptime të demokracisë sa ka dhe qytetarë. Kjo është fatale. Sepse në qoftë se pretendimi (për demokraci) është pothuaj për të gjithë i rëndësishëm dhe atij i qasen pothuaj të gjithë, atij mund t`i përshkruhet një fuqi e madhe legjitimiteti. Por kur përmbajtja e atij pretendimi është e dëshirueshme dhe nuk është më e qartë se çfarë është menduar në të vërtetë me atë që është dëshiruar dhe pretenduar, atëherë ai e humbet jo vetëm fuqinë e tij sqaruese por ai nuk mund të shërbejë më as si njësi matjeje.

Demokracia na shkërmoqet në mes gishtërinjve por ne nuk e vërejmë

Kështu, ne edhe nuk mund të pajtohemi rreth asaj se si duhet të mbrohet demokracia. Ose se si ajo reformohet dhe si do të duhej t`i përshtatej rrethanave të ndryshuara jetësore, në mënyrë që të mund ta realizojë sërish synimin e saj.

Edhe më keq se kaq, ne nuk e vërejmë fare se ndodhemi në rrugë për të humbur demokracinë. Me masë por në mënyrë të rregullt. Ajo na shkërmoqet në mes të gishtërinjve por ne nuk e vërejmë. Dhe, kështu ne nuk mund ta bashkojmë më fuqinë politike të nevojshme për të ndërprerë përmbytjen e demokracisë gjegjësisht që, përmes rindërtimit, meremetimit dhe zgjerimit të institucioneve tona politike, ta forcojmë sërish demokracinë.

Mozaiku me së paku 200 gurë

Ndryshimi i kësaj, është synimi i kësaj kolumneje. Secili prej nesh dëshirojmë të provojmë që të merremi vesh për një kuptim të përbashkët të demokracisë, i cili e ilustron erozionin e demokracisë dhe për të treguar pastaj se si ne i japim sërish forcën asaj dhe se si mund ta rikrijojmë primatin e demokracisë ndaj ekonomisë së tregut.

Demokracia është një vepër e tërë arti; një mozaik nga së paku 200 gurë – të drejta, procedura, institucione, ndërmarrje shoqërore, aftësi individuale, arritje shoqërore – të cilat, të gjitha së bashku, do të duhej t`i mundësonin secilit që të jetë i lirë dhe që konfliktet e lidhura detyrimisht me këtë gjendje, t`i zgjidhin pa dhunë si dhe të mund t`i tejkalojnë. Edhe pse liria nënkupton të drejtën, mundësinë dhe aftësinë që së bashku me njerëzit tjerë, të mund t`i formësojmë bazat e përbashkëta jetësore, jeta nuk guxon të jetë punë fati – ky ka qenë pretendimi ndaj demokracisë që nga Revolucioni Francez.

Qeverisja e tregjeve

Njëra ndër vetitë e kësaj vepre të përbërë arti, është edhe fakti se disa nga pjesëzat e saj janë në ndryshim permanent, që do të thotë se ato zhvillohen në mënyrë progresive ose regresive dhe se cilësia e të tërës është e varur nga mënyra se si janë të lidhur në mes vete gurët e imtë të mozaikut. Kështu, ne mund të na hyjë fare pak në punë e drejta e zgjedhjes, në rast se nuk kemi politikë të hapur, që është pluraliste, në të cilën, parti të ndryshme dhe kandidatët e tyre mund t`i bëjnë të kuptueshme idetë e tyre për të ardhmen.

Përfundimisht, vendi i mozaikut të demokracisë, gjegjësisht organizimit të saj, duhet të përshtatet me vendin në të cilin vendoset për prodhimin e pasurisë së kësaj bote – dhe këtu sot mbretëron një diskrepancë shumë e madhe. Demokracia ende kufizohet brenda shtetit nacional; ndërkohë që ekonomia ka kohë që vepron në tregje transnacionale, globale. Këto (tregjet) i forcojnë sot shtetet dhe mbetjet e tyre të demokracisë ndërsa demokracitë janë së tepërmi të dobëta për t`i civilizuar tregjet. Për këtë arsye sot të gjitha demokracitë janë bërë tepër të vogla për çështjet e mëdha (dhe për jetësimin e premtimeve më të rëndësishme) – dhe tepër te mëdha për çështjet e vogla.

(Nga gjermanishtja: B.SH.)

 

* albinfo.ch boton një seri shkrimesh të studiuesit dhe politikanit të njohur zviceran Andreas Gross, të botuara më parë në javoren “TagesWoche” të Bazelit. Shkrimet në gjermanishte dhe të përkthyera në gjuhën shqipe botohen me autorizimin e autorit të tyre dhe me lejen e revistës së përmendur.

Andreas Gross, i cili në dhjetorin e vitit të kaluar është zgjedhur kryetar i shoqatës së albinfo.ch, është politikan dhe autor shumë i njohur në jetën politike të Zvicrës dhe të Evropës. Ai është deputet nacional i Zvicrës prej disa mandatesh ndërsa po ashtu tash sa vite është edhe deputet në Këshillin e Evropës, gjegjesisht kryetar i Fraksionit socialdemokrat në këtë këshill.