Fryma e mërgimit, e përçuar në poezi

Në ambientet e bibliotekës “Pestalozi” në Zürich, në organizim të Shoqatës së Kijuesve Shqiptarë të Zvicrës është mbajtur promovimi letrar “Krijimtaria letrare e Brahim Avdylit në Zvicër dhe disa vlera të saj”, ku janë përuruar veprat e tij “Qielli i paprekur” dhe “Vetëvrasja e një poeti”.

Në këtë organizim kulturor-artistik, folësit kanë çmuar lart kontributin e Brahim Avdylit në fushën e letrave shqipe. Sipas tyre, vepra e Avdylit në poezi pasqyron shumë dimensione të jetës dhe mbijetesës së shqiptarëve në mërgatë.

Të pranishmit në këtë aktivitet kulturor i ka përshëndetur edhe Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës “Pestalozzi”, duke vlerësuar këtë aktivitet  të rëndësishëm, ngase promovimi i veprave të autorit Avdyli po bëhet në ambientet e kësaj biblioteke.

Referuesi i kësaj mbrëmje letrare, Nexhat Maloku, njëherësh kryetar i LAPSH-it në Zvicër, ka veçuar disa anë të veprës së tij letrare dhe të personalitetit të Brahim Avdylit.

Maloku para artdashësve të librit të mbledhur në Cyrih solli një analizë më të thuktë të veprave letrare të Avdylit.

“Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është pa dyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare, me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi”, tha në fillim të promovimit Maloku.

“Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do ta ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe nëpërmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore”.

“Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm nëpërmes vargjeve poetike te lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj”, shprehet Maloku.

“Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri te libri i fundit për të cilin po bëjmë fjalë”, sjell Nexhat Maloku vështrimin e kritikut të njohur të letërsisë sonë, dr. Agim Vinca, për poezinë e Brahim Avdylit.

Në krijimtarinë e gjithëmbarshme poetike të Brahim Avdylit një vend të spikatur e zënë pa dyshim poezitë me motiv kurbeti.

“Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin nëpërmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun”, thotë Maloku.

“Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur”, shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore”, shprehet Maloku në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit.

Poeti Brahim Avdyli dëshiron që lexuesit të vet t’ia përcjellë me nota realiste jetën e kurbetçarit – jetën e tij – përvojën e tij në mërgim.

Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës.

“Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendëse, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe”, sjell Maloku fragmente nga poezitë e Avdylit.

“Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore, kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni, e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht, si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90-a”, thekson Maloku.

“Poeti Brahim Avdyli nuk u ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla, pa halle për popullin prej nga vjen”, u tha mes tjerash në këtë promovim librash.

“Krijimtaria poetike e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi”, tha Maloku.

Edhe vete Brahim Avdyli tha se krijimet e tij poetike janë vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare, duke përmendur disa nga çmimet me të cilat ishte shpërblyer autori.

Avdyli ka thënë se i kanë mbetur në dorëshkrim shumë vepra letrare, ndërsa disa prej tyre edhe i janë vjedhur. Ai ka kritikuar kritikët letrarë se janë më shumë subjektivë në trajtimin e veprave letrare.

Për veprimtarinë letrare të Brahim Avdylit kanë folur edhe Shefqet Dibrani, Ibish Neziri, Abas Fejzullahi, Rexhep Rifati etj.

Ky promovim i organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër është përcjellë edhe me lexim artistik të fragmenteve nga vepra poetike e Brahim Avdylit.

Sevdail Tahiri

Vaxhid Xhelili, në Antologjinë e Poezisë Moderne të Zvicrës

Këtu e një çerekshekulli më parë, Vaxhid Xhelili do të lexonte me pasion poezitë e tij nëpër amfiteatrot e Universitetit të atëhershëm të Prishtinës. Atje diku i ka fillet “Malli për Etlevën”, libri i tij që më vonë do të bëhet emër identifikues për poezinë e Xhelilit, edhe në Zvicër.

Rreth vitit 2000 ky libër do të vinte në gjermanishte me titullin “Sehnsucht nach Etleva” në përkthim të Hans Joachim Lanksch-it.
Ndërkohë, rruga krijuese e Vaxhid Xhelilit në Zvicër njeh edhe disa stacione të tjera. Ai bën pjesë në mesin e një numri shumë të vogël të poetëve shqiptarë këtu për të cilët mund të thuhet se kanë një prani në jetën letrare të hapësirës kulturore ku jetojnë.

Suksesi i rëndësishëm i radhës i Vaxhidit është përfshirja e tij në një antologji të letërsisë zvicerane, të botuar nga “Limmat Verlag” i Cyrihut.

“Poezia Moderne në Zvicër” mban titullin antologjia voluminoze e përpiluar nga autori Roger Perret, që ka dalë nga shtypi në fund të vitit të kaluar dhe ka bërë jehonë të madhe në qarqet letrare të Zvicrës. Ajo përfshin poezi të zgjedhura të shkruara në Zvicër gjatë 113 viteve të fundit,harkun kohor 1900-2013.

“Janë të gjithë autorë zviceranë, të prezantuar me nga një deri në dy faqe poezi. I vetmi i huaj jam unë. Libri ka rreth 650 faqe dhe ka pasur disa promovime në rrethe elitare në Bazel e gjetiu”, thotë Xhelili. Ai ndjehet i nderuar me hapësirë që i është dhënë në një libër të tillë dhe me këtë beson se i është bërë nderë edhe letërsisë në të cilën ai vazhdon të krijojë, letërsisë shqiptare.

Ndërkohë, veprën letrare të Vaxhid Xhelilit e gjejmë edhe në një botim tjetër, në librin kalendarik të regjionit ku ai jeton, Laufenthal, në kantonin Baselland. Ai aty përfaqëson si i vetmi poet komunën e tij, Roschenz-in.

“Jam përfaqësues i Komunës ku jetoj në librin kalendarik, i cili botohet për çdo vit për 14 komuna. Këtë vit mua më kanë zgjedhur si vlerë kulturore të komunës. Në këtë libër më janë kushtuar pesë faqe”, thotë ai, duke na treguar pjesën e tij të librit, të titulluar “Një poet në Roschenz”.

Edhe ky libër ka pasur promovimin e tij kohë më parë, ku kanë qenë të pranishëm politikanë, njerëz të kulturës, televizioni i Bazelit etj.

“Me thënë të drejtën prania në këtë antologji më ka sjellë nga pak edhe telashe”, thotë duke qeshur Xhelili. Libri, si kalendar vjetor, ka një shpërndarje të madhe. Kështu, në një vend të vogël si Roschenzi, më identifikojnë tashmë të gjithë dhe më ndalin edhe në rrugë për të biseduar. Pastaj, në këtë komunë jeton pianisti me famë botërore Christian Zimmermann, i cili ka përfaqësuar viteve tjera Roschenzin në këtë libër”, thotë Xhelili për albinfo.ch.

Vaxhidi ka edhe një plan që pret ta realizojë së shpejti. “Deri në fund të shkurtit do ta botoj një libër të ri me poezi, në gjuhën shqipe dhe gjermane. Si titull pune ia kam vënë “Gjurmët”.

Është fjala për një projekt të tij, të financuar nga komisioni profesional për kulturë i kantoneve Baselstadt dhe Baselland. Libri i Xhelilit është përzgjedhur në fillim të vitit që kaloi për tu mbështetur me 15 mijë franga, krahas pesë librash të autorëve zviceranë.

Botues i librit në gjuhën shqipe do të jetë “Ars Klubi” nga Gjilani ndërsa në gjermanishte “Limmat” ose ndonjë tjetër”.

Ndërkohë, për 3 shkurt ai fton adhuruesit e poezisë që të jenë të pranishëm në mbrëmjen poetike qe mbahet në Liestal, në Theater Palazzo duke filluar në orën 19 e 30. Aty, poezitë e tyre ende të pa publikuara do t`i lexojnë katër poetë zviceranë dhe Vaxhid Xhelili. Është fjala për poetët e mbështetur nga konkursi i përmendur i dy kantoneve, në vitin e kaluar

“Është paraparë të lexoj gjermanisht por do të përpiqem që të lexoj edhe në gjuhën shqipe”, thotë ai, i bindur se shqipja tingëllon njësoj bukur dhe me dinjitet edhe në sallat zvicerane.

Vaxhid Xhelili, zgjidhet për lexime letrare para nxënësve zviceranë

Poeti shqiptar Vaxhid Xhelili, i cili jeton në kantonin Baselland të Zvicrës ka kohë që është bërë pjesë e skenës letrare dhe artistike të kantonit ku jeton e më gjerë. Së fundi ai është futur në një listë shkrimtarësh të dy kantoneve (Baseland dhe Baselstadt) për të marrë pjesë në leximet letrare para nxënësve nëpër shkollat e këtyre dy kantoneve.

Lista është caktuar për vitin kalendarik 2014-2015 dhe bëhet fjalë për një projekt deri tash më serioz të këtyre dy kantoneve në këtë drejtim deri tash sqaron Xhelili për albinfo.ch.

Projektin e udhëheq dhe koordinon Pädagogischer Zentrum (PZ). Ndërkaq, autorët që lexojnë do të shpërblehen nga fondet e sektorëve  për kulturë të kantoneve përkatëse dhe pjesërisht edhe nga shkollat ku ata janë të ftuar që të lexojnë.

Vaxhid Xhelili është prej vitesh  i pranishëm në jetën letrare të regjionit gjermanishtfolës me dy përmbledhje poezish të përkthyera në gjuhën  gjermane. Ai merr pjesë rregullisht edhe në aktivitete të ndryshme letrare e kulturore në kantonin Baselland dhe në gjithë Zvicrën.