Nisin homazhet në nderim të akademikut Rexhep Qosja

Në hollin e Kuvendit të Kosovës sot do të organizohen homazhe përkujtimore dhe do të hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, homazhet do të mbahen nga ora 08:45, ku do të bëhen edhe shënime në Librin e Zisë.

Ndërkohë, është shpallur edhe një ditë zie shtetërore për të nderuar figurën dhe kontributin e akademikut Qosja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.

Përditësim

Kanë nisur homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

Nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazh përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre./Albinfo.ch

Diaspora shqiptare në Argjentinë, tradita që ruhet brez pas brezi

Diaspora shqiptare në Argjentinë vazhdon të mbajë gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare edhe mijëra kilometra larg atdheut, transmeton albinfo.ch.

Në qytetin Berisso, në provincën Buenos Aires – i njohur si Kryeqyteti i Emigracionit – komuniteti shqiptar “Bashkimi” ka prezantuar një program të veçantë kulturor në kuadër të Festivalit të 47-të të Emigracionit, 2024.

Në këtë paraqitje, shqiptarët e Berissos sollën në skenë traditën, kujtesën dhe shpirtin e një populli që nuk harron rrënjët e veta, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë me identitetin kombëtar.

Ky moment i veçantë është realizuar nga Mihal Ciko dhe u transmetua të martën në Albania TV, në ora 19:00./Albinfo.ch

Melisa Ibrahimi shpallet Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë

Pianistja e re nga Mitrovica, Melisa Ibrahimi, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u shpallur “Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë”, transmeton albinfo.ch.

 

Melisa Ibrahimi

 

Ajo është nderuar gjithashtu me çmimin prestigjioz “Award of Supreme Excellence” nga organizata World Piano Association Spain, një vlerësim që dëshmon talentin dhe përkushtimin e saj në muzikën klasike.

Ky sukses konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për promovimin e kulturës dhe talentit kosovar në skenën globale.

Përmes punës së saj artistike dhe pasionit ndaj muzikës, Melisa Ibrahimi po kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Spanjës, duke përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Egzona Veseli diplomon në Master për Drejtësi në Bern

Egzona Veseli nga Krusha e Madhe e Rahovecit ka diplomuar me sukses në programin master për Drejtësi në Bern të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Ky arritje përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, duke dëshmuar se të rinjtë nga Kosova, e në veçanti vajzat, po shënojnë suksese të vazhdueshme në universitetet më prestigjioze të Evropës.

Suksesi i Veselit konsiderohet si shembull i përkushtimit, punës dhe ambicies, ndërsa arritjet e saj janë një motivim për shumë të rinj të tjerë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen përmes dijes.

Me rezultatet e tyre, studentët kosovarë në diasporë po shndërrohen në ambasadorët më të mirë të vendit, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Ag Apolloni prezanton romanin “Kësulëkuqja” në Universitetin e Harvardit

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Universitetin e Harvardit është organizuar një takim letrar me shkrimtarin shqiptar Ag Apolloni, ku është prezantuar romani i tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” (Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja u mbajt në Menschel Hall, pjesë e Harvard Art Museums, duke shënuar një moment të rëndësishëm për prezantimin e letërsisë shqipe në një nga universitetet më prestigjioze në botë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe studiuesja e njohur Maria Tatar, ndërsa prezantimin e autorit dhe të veprës e realizoi Ekaterina Pirozhenko nga Departamenti i Gjuhëve Gjermanike dhe Letërsive.

Ky promovim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pranisë së letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike globale./Albinfo.ch

Zvicër: Kërkesë e lartë për “infermierët forensikë”, Cyrihu e bën shërbimin të përhershëm

Për shkak të kërkesës së lartë, kantoni i Cyrihut ka vendosur që shërbimi i ashtuquajtur “infermierë forensikë” të bëhet i përhershëm dhe të zgjerohet më tej.

Dhuna në familje tashmë konsiderohet një nga problemet më të mëdha për policinë. Vetëm në kantonin e Cyrihut raportohen mesatarisht rreth 22 raste në ditë, ndërsa në gjithë Zvicrën numri i rasteve është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Sipas një studimi të realizuar nga instituti kërkimor GFS, një në pesë gra përjeton dhunë seksuale ose në familje. Megjithatë, vetëm gjysma e viktimave kanë folur ndonjëherë për këtë përvojë.

Shërbimi i infermierëve forensikë tejkalon pritshmëritë

Për të përmirësuar mbështetjen ndaj viktimave, kantoni i Cyrihut dy vite më parë nisi një projekt pilot me infermierë të trajnuar posaçërisht për mbledhjen e provave. Këta profesionistë mund të dokumentojnë dhe ruajnë prova edhe në rastet kur viktimat ende nuk dëshirojnë të bëjnë kallëzim në polici.

Rezultatet kanë tejkaluar pritshmëritë. Nga prilli deri në dhjetor të vitit 2024 u regjistruan 279 raste (krahasuar me 150 të parashikuara), ndërsa në vitin 2025 numri u rrit në 512.

Sipas Nadja Weir nga Zyra e Shëndetësisë e kantonit të Cyrihut, projekti është pritur shumë mirë: “Besojmë se ka nisur shumë suksesshëm dhe është mirëpritur gjerësisht.” Ajo shton se reagimet pozitive kanë ardhur edhe nga qendrat për mbështetjen e viktimave.

Një tregues i rëndësishëm është se në 13 për qind të rasteve, viktimat kanë vendosur më pas të paraqesin kallëzim penal. Sipas Weir, kjo përqindje konsiderohet e lartë krahasuar me praktikat e mëparshme dhe me modele të ngjashme jashtë vendit.

Investime dhe zgjerim i shërbimit

Pas suksesit të fazës pilot, projekti do të kalojë në funksionim të rregullt. Kantoni i Cyrihut planifikon të investojë rreth 8.6 milionë franga për periudhën 2027–2030.

Sipas autoriteteve, ky shërbim mbush një boshllëk të rëndësishëm në kujdesin ndaj viktimave. Bashkëpunimi ndërmjet spitaleve, qendrave të këshillimit për viktimat, policisë dhe prokurorisë vlerësohet si shumë efektiv.

Synimi: më shumë ndërgjegjësim dhe qasje më e lehtë

Autoritetet synojnë që shërbimi të bëhet edhe më i njohur për publikun. Një fushatë informuese e zhvilluar në fund të vitit 2025 pati ndikim pozitiv, por synohet rritja e mëtejshme e ndërgjegjësimit.

Gjithashtu, deri në fillim të vitit 2028 planifikohet hapja e një qendre ambulatore, e cila do t’u mundësojë viktimave të marrin ndihmë pa pasur nevojë të paraqiten në urgjencën e spitalit.

“Kjo do të krijojë mundësi edhe për ata që nuk kanë nevojë për trajtim spitalor, por që gjithsesi kanë nevojë për mbështetje dhe dokumentim të rasteve,” theksoi Weir.

Swiss prezanton tarifë të re pa bagazh dore

Grupi ajror Lufthansa Group ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në politikat e tij të udhëtimit, duke hequr bagazhin e dorës falas për tarifën më të lirë në fluturimet e shkurtra dhe të mesme.

Në këtë kuadër, kompania ajrore Swiss International Air Lines (Swiss) ka prezantuar një tarifë të re hyrëse të quajtur “Economy Basic”, e cila synon pasagjerët që udhëtojnë vetëm me sende të vogla personale, si një laptop apo një çantë shpine e vogël.

Çfarë përfshin tarifa e re?

Sipas njoftimit zyrtar, tarifa “Economy Basic” lejon vetëm një send personal me përmasa maksimale 40 x 30 x 15 cm. Kjo tarifë vjen si shtesë ndaj ofertave ekzistuese dhe nuk i zëvendëson ato, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënës të Swiss kanë konfirmuar se të gjitha tarifat aktuale do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Çfarë ndodh me tarifat ekzistuese?

Tarifa aktuale më e lirë, “Economy Light”, nuk do të hiqet. Ajo vazhdon të përfshijë:

një send personal

një bagazh dore me përmasa deri në 55 x 40 x 23 cm

Për më tepër, kjo tarifë do të përditësohet duke përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të rezervimit kundrejt një pagese shtesë — një opsion që më parë nuk ishte i disponueshëm.

Zgjerim i ofertës për pasagjerët

Sipas kompanisë, kjo lëvizje synon t’u japë më shumë fleksibilitet udhëtarëve:

“Ata që duan të udhëtojnë pa bagazh dore dhe të përfitojnë nga një çmim më i ulët, tani do ta kenë këtë mundësi. Ndërkohë, të gjitha tarifat e tjera vazhdojnë të përfshijnë të paktën një bagazh dore,” thuhet në deklaratë.

Kur hyn në fuqi?

Tarifa e re do të jetë e disponueshme për rezervim nga 28 prilli 2026, për udhëtime që fillojnë nga 19 maji 2026.

Ajo do të aplikohet në të gjitha kompanitë e grupit, përfshirë:

Lufthansa

Swiss International Air Lines

Austrian Airlines

Brussels Airlines

Discover Airlines

Lufthansa City Airlines

Air Dolomiti

Vetëm për fluturime brenda Europës

Është e rëndësishme të theksohet se kjo tarifë vlen vetëm për fluturimet brenda Europës dhe nuk duhet ngatërruar me tarifën me të njëjtin emër në fluturimet ndërkontinentale, e cila përfshin shërbime të ndryshme.

Pa emigracion, popullsia e Zvicrës do të plakej ndjeshëm

Përveç rritjes së numrit të banorëve, emigracioni luan rol kyç në ngadalësimin e plakjes së popullsisë. Në mungesë të tij, vendi do të kishte shumë më pak persona në moshë pune dhe më shumë pensionistë, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurimet shoqërore dhe kostot e sigurimeve shëndetësore.

Popullsia e Zvicrës po rritet me ritme të shpejta madje, sipas Partisë Popullore Zvicerane (SVP), tepër të shpejta. Përmes një iniciative për kufizimin e emigracionit, faktori kryesor i rritjes demografike në dekadat e fundit, kjo parti synon vendosjen e një tavani prej 10 milionë banorësh. Propozimi pritet të hidhet në votim më 14 qershor 2026 dhe synon, sipas mbështetësve, të ruajë infrastrukturën dhe standardin e jetesës, transmeton albinfo.ch.

Si do të dukej Zvicra pa emigracion?

Përtej numrave, ndryshimi më i madh do të ishte në strukturën e moshës së popullsisë. Pa rreth 2.5 milionë banorë të huaj, vendi do të përballej me një plakje shumë më të theksuar, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave.

Aktualisht, mosha mesatare e shtetasve zviceranë është 44.5 vjeç, ndërsa ajo e të huajve që jetojnë në vend është vetëm 37.5 vjeç—rreth shtatë vite më pak.

Të huajt dominojnë në moshën e punës

Dallimi bëhet edhe më i qartë në ndarjen sipas grupmoshave:

Te zviceranët, rreth 56% janë në moshë pune (20–64 vjeç).

Te të huajt, kjo përqindje arrin në afro 72%.

Nga ana tjetër, pjesa e pensionistëve është shumë më e lartë te shtetasit zviceranë: rreth 24% e tyre janë në moshë pensioni, krahasuar me vetëm 8% te të huajt.

Prania e të huajve është veçanërisht e lartë në grupmoshën 30–49 vjeç, ku ata përbëjnë rreth 40% të popullsisë. Ndërsa tek personat mbi 80 vjeç, pjesa e tyre bie në rreth 10%.

Pasojat ekonomike: presion mbi sigurimet

Plakja e përshpejtuar e popullsisë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sidomos në sistemin shëndetësor dhe atë të pensioneve.

Mesatarisht:

Një person 38-vjeçar paguan rreth 5076 franga në vit për sigurimin shëndetësor dhe gjeneron kosto prej 2937 frangash—pra, kontribuon pozitivisht në sistem.

Ndërsa një 73-vjeçar paguan të njëjtën shumë, por gjeneron kosto prej 9652 frangash, duke krijuar një deficit prej 5476 frangash.

Kjo do të thotë se rritja e numrit të të moshuarve do të rëndonte ndjeshëm financimin e sigurimeve shëndetësore.

E njëjta logjikë vlen edhe për sigurimet e pleqërisë dhe trashëgimtarëve (OASI/AVS): kontributet e punonjësve financojnë pensionet. Sa më shumë pensionistë dhe më pak punëtorë, aq më i madh presioni mbi sistemin.

Një debat i madh kombëtar

Çështja e kufizimit të popullsisë mbetet një nga debatet më të mëdha aktuale në Zvicër. Pro dhe kundër iniciativës po përplasen argumente mbi ekonominë, infrastrukturën dhe të ardhmen demografike të vendit.

Letra e fundit e Rexhep Qosjes: Testamenti i tij për varrimin dhe lamtumirën e thjeshtë

Është bërë publike një letër me karakter testamentar e akademikut dhe shkrimtarit të njohur shqiptar Rexhep Qosja, e cila i drejtohet nipit të tij, Valjetit. Dokumenti përmban dëshirat e fundit të autorit lidhur me mënyrën e varrimit, si dhe reflektime mbi jetën, veprën dhe qëndrimet e tij shoqërore e politike.

Në këtë letër, Qosja shpreh qartë kërkesën që varrimi i tij të bëhet pa ritual fetar, pa praninë e përfaqësuesve zyrtarë dhe pa ceremoni publike. Ai thekson dëshirën që ceremonia të jetë sa më e thjeshtë, vetëm në rrethin familjar, pa fjalime, pa mbulim mediatik dhe pa lule, duke kërkuar që të prehet pranë varrit të bashkëshortes së tij.

Në tekst, ai reflekton gjithashtu mbi jetën e tij të kushtuar mendimit kritik, lirisë dhe zhvillimit shoqëror, duke shprehur bindjen se ka vepruar në shërbim të popullit shqiptar dhe idealeve demokratike. Megjithatë, ai pranon se nuk e konsideron jetën e tij pa gabime dhe se gjykimi përfundimtar i veprës së tij i mbetet historisë.

Letra mban datën 30 prill 2016 dhe është nënshkruar në Prishtinë.

Cyrih: Promovohen librat e Dr. Salih Krasniqit

Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih do të mbahet promovimi i librave të autorit Dr. Salih Krasniqi, një aktivitet me rëndësi të veçantë kulturore dhe dokumentare për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Ngjarja zhvillohet më 27 prill 2026, ora 19:00, në adresën: Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Zürich.

Gjatë promovimit do të prezantohen disa botime që trajtojnë periudhën e luftës në Kosovë (1998–1999), me fokus në dokumentimin e krimeve ndaj pacientëve dhe personelit mjekësor, si dhe vepra “Kirurgët abdominalë në QKUK (1969–2022)”, që pasqyron zhvillimin e mjekësisë ndër dekada.

Aktiviteti pritet të mbledhë përfaqësues të komunitetit, profesionistë të shëndetësisë dhe studiues, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike dhe dokumentimit shkencor.

 

 

 

Edicioni i dytë i “Marshit për drejtësi”: Gjeneva në qendër të angazhimit ndërkombëtar për personat e zhdukur

Shoqata Kulturore “Dora d’Istria” në Gjenevë do të organizojë për herë të dytë manifestimin paqësor dhe përkujtimor “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, më 30 gusht 2026, me një Marsh për drejtësi nga ora 14:00 deri në 17:00.

Ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me institucione vendore dhe shqiptare, si dhe me aktorë të shoqërisë civile, duke krijuar një moment të rëndësishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi për fatin e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë. Manifestimi synon t’i përkujtojë ata me dinjitet të lartë dhe të mbështesë familjet e tyre në kërkimin për të vërtetën dhe drejtësinë.

Marshi për drejtësi do të zhvillohet në përputhje të plotë me rendin publik dhe dispozitat ligjore në fuqi, duke garantuar se zëri i mërgatës sonë të mbetet një zë i fuqishëm në mbështetje të familjeve që ende kërkojnë të dinë fatin e më të dashurve të tyre, si pasojë e luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë.

Një theks i veçantë i këtij manifestimi i kushtohet respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke nënvizuar domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e eshtrave tek familjet e tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Sipas organizatorëve, edicioni i dytë vjen si një vazhdimësi e angazhimit qytetar dhe institucional, duke synuar të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të forcojë dialogun mbi drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.

Ndërkohë, organizatorët bëjnë të ditur se ky nuk është i vetmi dimension i këtij përkujtimi. Në një fazë të dytë, Shoqata “Dora d’Istria” do të prezantojë për publikun projektin e detajuar edhe të mbrëmjes së 30 gushtit, e cila pritet të jetë një moment kulmor institucional, artistik dhe përkujtimor. Kjo mbrëmje do të ndërthurë rolin e institucioneve politike dhe ndërkombëtare, artin, kujtesën dhe reflektimin në një formë të veçantë, duke u shndërruar në një përjetim të thellë dhe një zë i plotë i ndërgjegjjes sonë kolektive e të paharruar për të gjithë pjesëmarrësit.

Në një qytet me peshë ndërkombëtare si Gjeneva, ky organizim përbën një thirrje të fuqishme për drejtësi, kujtesë dhe përgjegjësi kolektive, duke rikujtuar se çështja e personave të zhdukur mbetet ende një plagë e hapur për shumë familje. Në këtë kuadër, një notë zyrtare, në emër të mërgatës shqiptare dhe institucioneve mbështetëse, do t’i drejtohet edhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe strukturave përkatëse për personat e zhdukur në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shoqata “Dora d’Istria” fton qytetarët, institucionet dhe mediat që të bëhen pjesë e këtij angazhimi, në emër të kujtesës dhe të kërkesës për drejtësi.

Për më shumë informata : 079 607 46 74

Mirishahe Limani Hiler, koordinatore dhe përgjegjëse e projektit

(Fotografitë nga Marshi për drejtësi, 30 gusht 2025)

Pse vetëm Aargau shpall gjendje emergjente për azilin në Zvicër?

Kantoni Aargau është aktualisht i vetmi në Zvicër që ka shpallur zyrtarisht gjendje emergjente për azilin, pavarësisht se edhe shumë kantone të tjera përballen me presion të madh nga rritja e numrit të azilkërkuesve.

Sipas raportimeve të SRF, autoritetet në Aargau paralajmërojnë prej vitesh se sistemi i azilit është në kufijtë e kapaciteteve, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, në këtë kanton janë të strehuar mbi 10 mijë azilkërkues, ndërsa gjendja emergjente është në fuqi që nga viti 2023.

Edhe pse situata është e tensionuar në gjithë vendin, kapacitetet nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Në rreth dy të tretat e kantoneve kapacitetet janë pothuajse të mbushura, ndërsa një pjesë tjetër ka ende hapësira rezervë, çka bën që presioni të mos jetë i njëjtë kudo.

Në rastin e Aargaut, kombinimi i mungesës së kapaciteteve, presionit të vazhdueshëm dhe planifikimit më të dobët krahasuar me kantone të tjera ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjente. Kjo u jep atyre kompetenca shtesë për të marrë masa të shpejta, si përdorimi i bunkerëve dhe objekteve të tjera për strehim.

Ndërsa Zvicra vazhdon të përballet me rritjen e numrit të azilkërkuesve, rasti i Aargaut tregon se menaxhimi lokal dhe planifikimi afatgjatë mbeten faktorë vendimtarë në përballimin e krizave të tilla.

Debat në Zvicrën frankofone për deportimet e detyruara të azilkërkuesve drejt Burundit

Politika e azilit ndaj Burundit po përballet me kundërshtime në rritje në Zvicrën frankofone, pas disa rasteve të deportimeve të detyruara të azilkërkuesve. Komuniteti burundez dhe organizatat për të drejtat e njeriut i konsiderojnë këto kthime të rrezikshme, ndërsa autoritetet zvicerane theksojnë se ato janë të ligjshme.
Sipas shoqatave, të paktën 11 persona janë kthyer të martën në Bujumbura, kryeqytetin e Burundit.

Frikë dhe shqetësim në mesin e azilkërkuesve

Brenda komunitetit burundez në Zvicër mbizotëron një shqetësim i madh. Për shumë prej tyre, ideja e kthimit në vendin e origjinës është e papranueshme.
“Kam qenë i përndjekur dhe kam shpëtuar disa herë nga vdekja. E kam dëshmuar këtë në seancën time në SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion). Kam paraqitur prova. Kam plagë nga plumbat në krah. Por Zvicra nuk më ka besuar. Nëse kthehem atje, është si të nënshkruaj dënimin tim me vdekje”, thotë një azilkërkues i refuzuar, i identifikuar me pseudonimin Gicu Massoudi*, për programin e lajmeve të RTS.

Raporte për dhunë të gjerë në Burundi
Sipas organizatës Human Rights Watch (HRW), situata e të drejtave të njeriut në Burundi është përkeqësuar ndjeshëm. Në raportin e saj për vitin 2025, organizata përshkruan një klimë të gjerë dhune në vendin e Afrikës Lindore.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara raportojnë se mes janarit 2024 dhe majit 2025 janë dokumentuar, ndër të tjera, të paktën:
200 raste të dhunës seksuale (përfshirë përdhunime të fëmijëve),
58 zhdukje me forcë,
62 raste torture,
892 arrestime arbitrare,
605 ekzekutime jashtëgjyqësore,
shpesh të kryera nga forca shtetërore ose struktura të lidhura me to.

Thirrje për pezullim të deportimeve

Pas arrestimit të disa shtetasve burundezë javën e kaluar në Zvicrën frankofone, azilkërkuesit e refuzuar po përjetojnë frikë të shtuar.
“Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen psikologjike të personave të rrezikuar nga deportimi”, deklaron Irène Blanc nga organizata për mbrojtjen e refugjatëve “Right to Stay”.

Sipas saj, duhet të vendoset një moratorium për deportimet derisa të bëhet një rishqyrtim serioz i situatës në Burundi dhe të merren plotësisht në konsideratë raportet ndërkombëtare.

Qëndrimi i autoriteteve zvicerane

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) thekson se çdo kërkesë për azil shqyrtohet në mënyrë individuale.
“Zvicra ndjek nga afër situatën në vendet e origjinës së azilkërkuesve, përfshirë Burundin. Sipas praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës Federale Administrative, kthimi në Burundi konsiderohet i ligjshëm dhe i arsyeshëm”, deklaroi zëdhënësja Anne Césard.
SEM shton se vitin e kaluar rreth 40% e aplikantëve nga Burundi kanë marrë leje qëndrimi ose azil, transmeton albinfo.ch.

Protesta në Zvicër

Organizatat e komunitetit dhe të të drejtave të migrantëve paralajmërojnë për vazhdim të deportimeve në ditët në vijim. Të martën në mbrëmje u mbajtën protesta në Gjenevë dhe Lozanë, përpara Këshillit të Madh të Vaud-it, për të kundërshtuar këto deportime që ata i konsiderojnë të rrezikshme.

Doktorët që shfrytëzojnë boshllëqet në sistemin zviceran të licencimit

Në Zvicër, disa mjekë të çregjistruar nga regjistri profesional ose me diploma të panjohura vazhdojnë të ushtrojnë profesionin, duke shfrytëzuar boshllëqet në sistemin kantonal të kontrollit.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022, 36 mjekëve u është ndaluar ushtrimi i profesionit në Zvicër. Megjithatë, rreth një e treta e tyre dyshohet se kanë vazhduar punën në mënyrë të paligjshme. Mungesa e një sistemi të unifikuar kontrolli dhe mosqasja në regjistrin evropian të mjekëve e bën më të lehtë këtë situatë.

Tragjedia që tronditi opinionin publik

Rasti i një pacienti 22-vjeçar, i quajtur Nicholas, i cili vdiq në një spital në kantonin Aargau pas një gabimi mjekësor, ka shkaktuar reagime të forta në Zvicrën gjermanofone. Shkaku i vdekjes ishte një dozë e gabuar medikamenti e përshkruar nga një mjek me diplomë të pa njohur në vend.

Ky rast ka hapur dy pyetje të rëndësishme: si verifikohen diplomat e mjekëve të huaj dhe si sigurohet që mjekët e ndaluar të mos vazhdojnë praktikën?

Kontrolli kantonal dhe boshllëqet në sistem

Licencat për ushtrimin e profesionit jepen nga autoritetet kantonale shëndetësore, të cilat bëjnë verifikimet përkatëse. Sipas autoriteteve, mjekëve u kërkohet të paraqesin dokumente si certifikata e “sjelljes së mirë”, dëshmi të pastërtisë penale dhe dokumente të tjera profesionale.

Megjithatë, ekspertët pranojnë se sistemi ka mangësi. “Ka disa studime që tregojnë se ekzistojnë boshllëqe serioze,” thotë përfaqësuesi i organizatës së pacientëve në Zvicër, duke theksuar se besimi në institucionet mbikëqyrëse është thelbësor.

Problemi i lëvizjes mes kantoneve

Një nga problemet kryesore është fakti se një mjek i ndaluar në një kanton mund të vazhdojë punën në një kanton tjetër. Përfaqësues të shoqatave mjekësore e konsiderojnë këtë situatë të papranueshme dhe kërkojnë ndryshime ligjore.

Sipas tyre, edhe pse ekziston komunikim mes administratave kantonale, procedurat e ndryshme ligjore mund të vonojnë ndalimin përfundimtar.

Vështirësia e kontrollit në praktikë

Ekspertët theksojnë se ndalimi i një mjeku nuk është gjithmonë i lehtë për t’u zbatuar në praktikë. Sistemi mbështetet kryesisht në respektimin vullnetar të vendimeve administrative.

“Nëse dikush vendos të vazhdojë punën pavarësisht ndalimit, është shumë e vështirë të zbulohet menjëherë,” shpjegon një përfaqësues i komunitetit mjekësor.

Informimi i kufizuar i pacientëve

Në Zvicër ekziston një regjistër zyrtar ku pacientët mund të kontrollojnë nëse një mjek ka të drejtë ushtrimi. Megjithatë, ky sistem ka kufizime, pasi nuk tregon arsyen e mungesës së licencës.

Kjo krijon pasiguri për pacientët, të cilët shpesh mbështeten vetëm në besim dhe në dokumentet e ekspozuara në ordinancë.

Mungesa e mjekëve dhe presioni mbi sistemin

Situata përkeqësohet edhe nga mungesa e mjekëve në Zvicër, çka e shtyn sistemin të pranojë më lehtë kandidatë të ndryshëm. Disa profesionistë shprehen se kjo mungesë e detyron sistemin të bëjë kompromis me cilësinë e kontrollit.

Zvicra jashtë sistemit evropian të alarmit

Një tjetër problem është fakti që Zvicra nuk ka qasje në sistemin evropian të paralajmërimit për mjekët (IMI), i cili lejon shkëmbimin e informacionit për mjekët e çregjistruar apo me diploma të falsifikuara.

Kjo ka çuar në raste ku mjekë të ndaluar në vendet fqinje kanë vazhduar të punojnë në Zvicër pa u zbuluar menjëherë.

Turizmi në rrezik: konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon sezonin veror në Zvicër

Shoqata e hotelerisë HotellerieSuisse ka ngritur alarmin se sezoni veror në Zvicër mund të jetë në rrezik për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas një analize të sektorit, pas një sezoni dimëror shumë të suksesshëm, perspektiva për verën është bërë e pasigurt.

Konflikti në rajon ka shkaktuar tashmë anulime të rezervimeve dhe një rënie të kërkesës për udhëtime, ndërsa turistët po rezervojnë gjithnjë e më vonë për shkak të pasigurive, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se gjysma e bizneseve turistike raportojnë ndikime negative, sidomos në qytetet e mëdha, ku rënia e vizitorëve ndërkombëtarë është më e dukshme. Ndikimi lidhet edhe me ndërprerjet në trafikun ajror, veçanërisht në hub-et e Gjirit, të cilat janë kyçe për lidhjet me tregjet e largëta si Azia dhe Oqeania.

Ekspertët theksojnë se sjellja e turistëve ka ndryshuar: rritja e kostove të udhëtimit dhe shqetësimet për sigurinë po i shtyjnë shumë prej tyre të shtyjnë ose anulojnë pushimet, duke e bërë planifikimin shumë më të vështirë për bizneset.

Në këtë situatë, sektori i turizmit po kërkon diversifikim të tregjeve dhe klientelës, për të zbutur ndikimin e krizave ndërkombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik.

Kryeministri i Shqipërisë: Mund të flas pa lejen e Evropës, por jo pa atë të amerikanëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen gjatë një interviste, ku komentoi funksionimin e NATO-s dhe raportin e vendeve anëtare brenda saj, duke theksuar se shtetet e vogla nuk kanë rol vendimmarrës dominues, por shpesh përfitojnë nga zhvillimet e mëdha gjeopolitike.

“Mund të flas pa lejen e grekëve, mund të flas pa lejen e evropianëve, nuk mund të flas pa lejen e amerikanëve… Po, ne jemi anëtar i NATO-s. Por prapëseprapë, e dini, nuk është se vendosim shumë atje”, ka deklaruar ai, teksa tha se vendet anëtare shpesh i atribuojnë vetes merita ose përgjegjësi varësisht nga rezultatet e vendimeve të aleancës, transmeton albinfo.ch.

Rama përmendi si shembuj ndërhyrjen në Kosovë dhe tërheqjen nga Afganistani, duke theksuar perceptimin e ndryshëm që krijohet në opinionin publik për rolin e NATO-s dhe vendeve anëtare, teksa sa u përket dinamikave diplomatike, Rama theksoi se “të mëdhenjtë marrin përgjegjësinë kryesore”, ndërsa vendet më të vogla shpesh përfitojnë politikisht nga sukseset kolektive.

Rrezet radioaktive nga aksidenti i Çernobilit vazhdojnë në Zvicër

Aksidenti i reaktorit të Çernobilit më 26 prill 1986 preku kantonet e Ticinos, St. Gallen dhe Thurgau nëpërmjet reshjeve në Zvicër. Në Ticino, ndotja me cezium shumë radioaktiv është zvogëluar me më shumë se gjysmën që nga aksidenti.

Më 3 maj 1986, reshjet e dendura të shiut në Ticino lejuan depozitimin e substancave radioaktive, siç shpjegoi Cristina Poretti, drejtuese e organizatës kombëtare për marrjen e mostrave dhe matjeve për Qendrën Kombëtare të Operacioneve të Emergjencave të Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Materiali vinte nga një re radioaktive që ishte përhapur në të gjithë Evropën pas aksidentit të reaktorit. Aty ku binte shi, grimcat depozitoheshin në tokë. Në Ticino, depozitat radioaktive u zbuluan më pas në mbi 5,000 mostra qumështi, mishi, frutash dhe peshku, siç shpjegoi Poretti.

Administrata e presidentit amerikan riklasifikon kanabisin, konsiderohet si më pak i rrezikshëm

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar zyrtarisht mënyrën se si e klasifikon kanabisin.

Sipas vendimit të ri, kjo substancë, e njohur edhe si marijuana, nuk konsiderohet më një drogë shumë e rrezikshme siç ishte më parë, por është zhvendosur në një kategori më të ulët rreziku, ku përfshihen substanca që kanë përdorim mjekësor dhe kontrollohen nga shteti, transmeton albinfo.ch. Ndryshimi e vendos kanabisin në të njëjtin grup me disa barna që përdoren për trajtim mjekësor, si ilaçe që përmbajnë kodeinë.

Vitin e kaluar, presidenti Trump pati nënshkruar urdhër ekzekutiv për të nisur këtë proces, me synimin për të lehtësuar kërkimin shkencor dhe qasjen ndaj kësaj substance.

Vlen të përmendet se kanabisi në nivel federal mbetet i paligjshëm teksa pavarësisht kësaj, shumica e shteteve amerikane e kanë legalizuar përdorimin e tij për qëllime mjekësore dhe në shumë vende ajo mund të blihet ligjërisht në dyqane të posaçme.

Kjo kompani ajrore do të mbyllë regjistrimin dhe dorëzimin e bagazheve më herët

Ryanair njoftoi të mërkurën, më 22 prill, se nga e marta, më 10 nëntor, shërbimet e regjistrimit dhe lënies së bagazheve në të gjitha aeroportet do të mbyllen 60 minuta para nisjes së planifikuar, nga 40 minutat që janë aktualisht. Kompania ajrore tha se ndryshimi synon t’u japë pasagjerëve më shumë kohë për të kaluar nëpër sigurinë e aeroportit dhe kontrollin e pasaportave, duke zvogëluar numrin e vogël të rasteve kur udhëtarët humbasin fluturimet për shkak të mbingarkesës në radhët e aeroportit.

Ky ndryshim vjen ndërsa Ryanair zgjeron rrjetin e saj të kioskave vetëshërbim për lënien e bagazheve. Kompania ajrore tha se më shumë se 95 përqind e aeroporteve të saj do t’i kenë këto kioska në vend deri në tetor, raporton theinternational. Sistemet janë të integruara me aplikacionin Ryanair, duke u lejuar pasagjerëve të regjistrojnë bagazhet dhe të shtypin vetë etiketat e bagazheve, me qëllim përshpejtimin e procesit të lënies së bagazheve dhe zvogëlimin e kohës së pritjes, transmeton albinfo.ch.

Sipas Ryanair, rreth 20 përqind e pasagjerëve të saj regjistrojnë bagazhet. Këta udhëtarë do të marrin kohë shtesë sipas rregullit të ri për të kaluar kontrollin e sigurisë dhe të pasaportave dhe për të arritur në portat e nisjes para se të fillojë hipja në bord. 80 përqind e mbetur e pasagjerëve, të cilët nuk i regjistrojnë bagazhet, nuk do të preken. Ata vazhdojnë të regjistrohen në internet para se të mbërrijnë në aeroport dhe të vazhdojnë direkt në kontrollin e sigurisë dhe më pas në portën e tyre.

Drejtoria Kryesore e Marketingut të Ryanair, Dara Brady, tha se ora e fundit e përditësuar ka për qëllim të përmirësojë saktësinë dhe të lehtësojë mbingarkesën gjatë periudhave të pikut të udhëtimit, kur radhët në aeroport mund të jenë më të gjata.

Brady tha se kalimi në një kohë 60-minutëshe do t’i ndihmojë pasagjerët që kontrollojnë bagazhet të arrijnë në portat e tyre në kohë dhe të përfitojnë nga përdorimi i zgjeruar i kioskave të vetëshërbimit, të cilat pritet të zvogëlojnë kohën e pritjes në sportelet e aeroportit.

Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online

Blerjet online dhe brenda aplikacionit po ua bëjnë më të lehtë konsumatorëve të shpenzojnë më shumë para sesa kanë në dispozicion. Në vend që të aplikojnë për një kredi në një bankë, produktet porositen online pa mbajtur gjurmët e shumave të papaguara. Një Akt i ri për Ndryshimin e Ligjit për Kreditin e Konsumatorit 2026 synon të mbrojë më mirë klientët më të rinj në veçanti nga rënia në borxhe, tha Ministria e Drejtësisë të mërkurën.

“Sidomos të rinjtë shpesh nënvlerësojnë totalin e pagesave të tyre me këste,” tha Ministrja e Drejtësisë Anna Sporrer. “Borxhet fantazmë grumbullohen në sfond dhe shpesh çojnë në probleme të gjera për ata që preken.” Qëllimi nuk është të ndalohet kredia, por të “sigurohet që digjitalizimi të mos vijë në kurriz të transparencës”.

Kontrolle më të rrepta për kredinë digjitale

Sipas ligjit të ri, edhe kreditë e vogla nën 200 € dhe modelet “bli tani, paguaj më vonë” do t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla të rrepta si kreditë tradicionale. Huadhënësve do t’u kërkohet të kryejnë kontrolle më të hollësishme të besueshmërisë kreditore, duke përfshirë rastet kur vendimet mbështeten nga inteligjenca artificiale.

Ofertat e kredisë duhet të paraqiten gjithashtu në një format digjital të standardizuar për t’i bërë ato më të lehta për t’u krahasuar. Ligji synon gjithashtu të frenojë marketingun agresiv dhe reklamat mashtruese, veçanërisht në mediat sociale. Në përgjithësi, kuadri ligjor do të përditësohet për të reflektuar produktet e reja digjitale të kreditit.

Rregullat e BE-së dhe të Drejtat e Konsumatorit

Legjislacioni do të zbatojë gjithashtu direktivën e BE-së mbi marrëveshjet e kreditit për konsumatorët. Klientët do të marrin të njëjtin nivel mbrojtjeje si me një kredi bankare tradicionale. Ata gjithashtu do të kenë të drejtën të kërkojnë një shqyrtim njerëzor të çdo vendimi për besueshmërinë e bazuar në inteligjencën artificiale.

Përveç kësaj, të drejta të tilla si tërheqja nga marrëveshjet e kreditit dhe shlyerja e parakohshme do të përcaktohen më qartë.

Projektligji qeveritar do t’i paraqitet Kabinetit, duke shënuar fillimin e procesit të miratimit parlamentar. Ligji është planifikuar të hyjë në fuqi më 20 nëntor 2026.

Transporti rajonal në Zvicër duhet të bëhet më fitimprurës

Transporti rajonal i udhëtarëve në Zvicër duhet të jetë më ekonomikisht i qëndrueshëm, sipas diskutimeve të fundit në sektorin e mobilitetit dhe politikave publike.

Autoritetet dhe ekspertët theksojnë se, megjithëse sistemi i transportit publik në Zvicër është ndër më të zhvilluarit në Evropë, ai mbetet shumë i kushtueshëm dhe varet në masë të madhe nga subvencionet shtetërore.

Në fakt, më shumë se gjysma e kostove të këtij sistemi mbulohen nga fondet publike, transmeton albinfo.ch.

Në veçanti, transporti rajonal – që lidh zonat më të vogla dhe periferike – konsiderohet më pak fitimprurës, pasi kërkon investime të larta për një numër më të vogël pasagjerësh. Megjithatë, ai mbetet thelbësor për lidhjen e komuniteteve dhe për zhvillimin ekonomik rajonal.

Debati aktual fokusohet në mënyrën se si mund të rritet efikasiteti i këtij sektori, pa rritur ndjeshëm çmimet për qytetarët. Disa opsione përfshijnë optimizimin e linjave, rritjen e përdorimit dhe investime më të zgjuara në infrastrukturë.

Nga ana tjetër, kërkesa për transport publik në Zvicër vazhdon të rritet, me më shumë se gjysmën e punonjësve që e përdorin atë për të shkuar në punë, duke e bërë sistemin një shtyllë kyçe të ekonomisë dhe jetës së përditshme.

Banka Kombëtare Zvicerane raporton humbje prej gjysmë miliardi frangash në tremujorin e parë

Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) pësoi një humbje prej 0.5 miliardë CHF në tremujorin e parë, të shkaktuar nga pozicionet në valuta të huaja. Këto gjeneruan një humbje prej 8.2 miliardë CHF (10.45 miliardë dollarë), krahasuar me një fitim prej 7.8 miliardë CHF në aksionet e arit.

Pozicionet në frangat zvicerane gjeneruan një fitim prej 40 milionë CHF, tha SNB të enjten.

Ekonomistët në UBS kishin parashikuar një humbje prej 1 miliard CHF si skenarin më të mundshëm për SNB në tremujorin e parë.

Humbja e madhe në pozicionet në valutë të huaj i atribuohej kryesisht letrave me vlerë që mbartin interesa dhe instrumenteve të normës së interesit, si dhe letrave me vlerë të aksioneve dhe instrumenteve të aksioneve, të cilat regjistruan dalje prej 5.3 miliardë CHF dhe 6.3 miliardë CHF respektivisht.

Të ardhurat nga interesat arritën në 3.2 miliardë CHF dhe të ardhurat nga dividentët në 0.6 miliardë CHF. Pati gjithashtu shpenzime interesi prej 0.2 miliardë CHF dhe humbje nga këmbimi valutor prej 0.2 miliardë CHF, transmeton albinfo.ch.

Zotërimet e arit të SNB nuk kanë ndryshuar që nga përditësimi i fundit. Më 31 mars, çmimi për kilogram ari ishte 118,400 CHF, krahasuar me 110,919 CHF tre muaj më parë.

Në njoftimin e saj për shtyp, SNB thekson se performanca e saj financiare varet kryesisht nga zhvillimet në tregjet e arit, të këmbimit valutor dhe të kapitalit. Kjo është arsyeja pse luhatjet e mëdha janë rregull. Është e vështirë të nxirren përfundime nga kjo për rezultatet e vitit aktual.