Zjarri përfshin zhveshtoren e FC Basel, shtyhet ndeshja me Thun

Një incident serioz është shënuar të premten në mbrëmje në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel, ku një zjarr ka përfshirë zhveshtoren e klubit FC Basel, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.

Gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar pamje nga vendngjarja, ku shihet zjarri që ka përfshirë ambientet brenda stadiumit.

Pas këtij rasti, klubi i Baselit ka kërkuar zyrtarisht që ndeshja kampionale kundër Thun, e planifikuar për t’u zhvilluar sonte, të shtyhet. Federata Zvicerane e Futbollit e ka miratuar kërkesën e FC Basel, duke vendosur që ndeshja të mos zhvillohet në orarin e paraparë.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e sakta të zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të zhvillojnë hetime për zbardhjen e plotë të rastit./Albinfo.ch

 

 

Pixabay

Eurodeputeti austriak Thomas Waitz: Kosova do të ishte ndër vendet kryesuese për anëtarësim në BE, por po pengohet politikisht

Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në organizimin e proceseve zgjedhore, duke e cilësuar si një nga vendet që, në rrethana normale, do të ishte ndër kandidatët më të avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.at.

Sipas Waitz, Kushtetuta e Kosovës është në një nivel të lartë të përafrimit me standardet evropiane, ndërsa proceset zgjedhore janë shembull pozitiv në rajon.

“Kosova është një vend që ka një kushtetutë shumë të afërt me kushtetutat evropiane. Është një vend që ka dhënë shembull se si organizohen zgjedhjet në rajon dhe, edhe aty ku ka pasur dyshime, janë bërë rinumërime të rregullta. Disa vende të rajonit mund të mësojnë nga ky shembull”, ka deklaruar Waitz.

Duke folur për luftën kundër korrupsionit, eurodeputeti theksoi se Kosova është në rrugë të mirë, por shtoi se kjo mbetet një sfidë e vazhdueshme, ashtu si edhe në vendet anëtare të BE-së.

“Kosova është në një rrugë të mirë sa i përket luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, kjo është një betejë e vazhdueshme, siç ndodh edhe në të gjitha shtetet tona anëtare”, u shpreh ai.

Waitz vlerësoi se nëse Kosova do të trajtohej si një aplikante e zakonshme për integrim, ajo do të ishte ndër vendet kryesuese në procesin e zgjerimit të BE-së.

“Nëse Kosova do të ishte një aplikante e zakonshme për Bashkimin Evropian, do të ishte ndër vendet kryesuese. Ende ka reforma për t’u bërë dhe përmirësime për t’u parë, por vendi do të ishte në një pozitë të mirë”, deklaroi eurodeputeti.

Megjithatë, ai theksoi se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian po pengohet nga faktorë politikë dhe nga mosnjohja e shtetit nga Serbia, duke shtuar se kjo situatë vazhdon ta bllokojë procesin e integrimit.

“Arsyeja pse nuk është kështu lidhet me faktin se Kosova ende nuk njihet nga Serbia dhe vazhdon të bllokohet në rrugën e saj. Kjo është një çështje ku pajtohem me kolegët, sepse elita politike nuk është e gatshme për kompromis”, ka thënë Waitz.

Në fund, ai theksoi se rezultatet zgjedhore në Kosovë duhet të respektohen, duke kujtuar se dy palë zgjedhje kanë treguar një fitues të qartë.

“Ka pasur dy palë zgjedhje që kanë treguar një fitues të qartë dhe kjo duhet të pranohet”, përfundoi Waitz./Albinfo.at

Aeroportet evropiane ngrenë alarmin për mungesë karburanti, rrezikohen udhëtimet e verës

Aeroportet evropiane kanë ngritur alarmin për një krizë të mundshme të furnizimit me karburant për avionë, e cila mund të ndikojë drejtpërdrejt në sezonin e udhëtimeve verore, përcjell albinfo.ch.

Kreu i Këshillit të Aeroporteve Ndërkombëtare të Evropës (ACI Europe), Olivier Jankovec, i ka dërguar një paralajmërim Bashkimit Evropian lidhur me atë që e cilëson si një “mungesë sistematike të karburantit të avionëve”. Ai thekson se furnizimet mund të shterojnë brenda tre javësh, si pasojë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit – një pikë strategjike për transportin ndërkombëtar të naftës.

Në një letër të siguruar nga agjencia Associated Press, Jankovec ka deklaruar se kjo situatë mund të shkaktojë ndërprerje serioze të fluturimeve gjatë verës dhe të sjellë pasoja të rënda ekonomike për Evropën.

Për të shmangur një krizë të madhe, ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë masa urgjente, përfshirë organizimin e blerjeve kolektive të karburantit për vendet evropiane, monitorimin e rezervave ekzistuese dhe identifikimin e burimeve alternative të furnizimit.

Ndërkohë, Task-Forca e Bashkimit Evropian për Energjinë ka deklaruar se aktualisht nuk ka “rrezik të menjëhershëm” për furnizimin me naftë dhe gaz nga konfliktet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se nuk është e nevojshme të lirohen rezerva shtesë.

Megjithatë, ajo ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme afatgjata, duke vënë në dukje se karburanti për avionë mbetet shqetësimi kryesor, për shkak të varësisë së Evropës nga importet./Albinfo.ch.

Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën në mëngjes në rrugën B129, në zonën Alkoven të Austrisë së Epërme (OÖ), ku një i ri 19-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pas përplasjes me një kamion, transmeton albinfo.at.

Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:50. I riu, me origjinë nga Kosova, banues në Eferding, kishte pësuar lëndime të rënda pasi u përplas frontal me një kamion që drejtohej nga një 63-vjeçar nga Austria e Poshtme.

Pas përplasjes së fortë, automjeti i mërgimtarit mbeti i ndalur në mënyrë tërthore në rrugë, ndërkohë që zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe e nxorën atë nga automjeti me metoda emergjente, duke ia dorëzuar ekipit mjekësor, transmeton tutje albinfo.at.

Vlen të theksohet se në vendngjarje ndodhej edhe një mjeke, e cila ishte dëshmitare e aksidentit, e cila njoftoi shërbimet emergjente dhe ofroi ndihmën e parë deri në mbërritjen e mjekut të urgjencës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, ajo nuk arriti ta shpëtojë të riun, i cili ndërroi jetë në vend për shkak të plagëve të rënda.

Ndërkohë, shoferi i kamionit, sipas policisë, nuk ka pësuar lëndime.

Rruga B129 u bllokua përkohësisht gjatë operacionit të nxjerrjes dhe pastrimit të vendit të aksidentit, ndërsa trafiku u devijua në rrugë alternative./Albinfo.at

Kurti për Eliot Engel: Mirënjohje e përhershme për shërbimin e tij

Kryeministri, Albin Kurti, ka shprehur pikëllim të thellë me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke theksuar kontributin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës gjatë periudhave vendimtare të historisë së saj.

Përmes një mesazhi të publikuar në platformën “X”, vlerësoi Engel si një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin amerikan kundër fushatës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe krimeve të kryera në Kosovë.

Ai theksoi se Engel ishte ndër të parët që kërkoi ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, si dhe mbështeti fuqishëm pavarësinë e vendit.

“Eliot Engel ishte përkujtuar prej kohësh në Kosovë, para se bulevardi në qytetin e Pejës të mbante emrin e tij, përmes zërit të tij të fuqishëm në Kongresin amerikan, ku ai ishte ndër anëtarët e parë dhe më të vendosur që dënuan fushatën gjenocidale të Millosheviqit.

Kurti shtoi se Engel kishte paralajmëruar edhe për ndikimin keqdashës të Rusisë në Evropë dhe kishte qenë një mbështetës i vazhdueshëm i demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Ne e pranojmë me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen e tij nga jeta, por edhe me mirënjohje të përhershme për shërbimin e tij,” u shpreh Kurti, duke theksuar se Engel do të mbetet i paharruar si shembull i shërbimit publik dhe i ndikimit pozitiv në mbrojtje të jetës dhe demokracisë.

Albin Kurti e përmbylli mesazhin duke e cilësuar Engel si një figurë që do të jetojë gjatë në kujtesën kolektive të Kosovës për kontributin e tij historik.

Ish-kongresisti amerikan dhe mbështetësi i Kosovës, Eliot Engell, ka vdekur në moshën 79-vjeçare. Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.

Elvis Rexhbeçaj dhe Fisnik Asllani bashkë pas ndeshjes në Bundesligë

Pas ndeshjes mes FC Augsburg dhe TSG 1899 Hoffenheim, e zhvilluar në kuadër të kampionatit gjerman, dy futbollistët shqiptarë, Elvis Rexhbeçaj dhe Fisnik Asllani, kanë ndarë një moment së bashku, transmeton albinfo.ch.

Të dy lojtarët janë fotografuar krah për krah pas përfundimit të takimit, duke treguar respekt dhe miqësi mes tyre, pavarësisht se ishin në anë të kundërta të fushës.

Ky moment është komentuar pozitivisht nga tifozët, duke theksuar lidhjen dhe krenarinë që lojtarët shqiptarë po sjellin në futbollin gjerman. /Albinfo.ch

Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik”

Dy zhvillime që lidhen me besimtarët myslimanë shqiptarë të Zvicrës u bënë pjesë e debatit publik në Zvicër ditëve dhe javëve të fundit. Fillimisht ishte lajmi për projektin e shndërrimit në xhami të një objekti në qendër të fshatit Siebnen (Schwyz) pastaj erdhi publikimi i projektit për një xhami në St. Gallen, ndërtimi i së cilës do të kushtonte rreth 15 milionë franga. Të dy këto projekte ngjallën reagime të forta nga popullata në lokalitetet përkatëse dhe nga pjesë të spektrit politik. Për pasojë, tre deputetë të Parlamentit të Kantonit të St. Gallenit bënë një mocion (të cilit ju bashkuan edhe 7 të tjerë), ku shprehin shqetësimet e tyre lidhur me planin për ndërtimin e xhamisë në fjalë. Pak ditë më vonë, u publikua lajmi se janë mbledhur 5 mijë nënshkrime kundër xhamisë së planifikuar në Siebnen dhe, për pasojë, komuniteti lokal mysliman shqiptar është tërhequr nga planet e tij.

Këto dhe zhvillime të tjera të kësaj natyre kanë shqetësuar me të drejtë komunitetin shqiptar të Zvicrës. Për të marrë qëndrimin e organizatës që përfaqëson shqiptarët e besimit mysliman në Zvicër, rreth këtyre shqetësimeve, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e KMSHZ-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër), hfz. Mehas Alija, njëherësh imam në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen.

Albinfo.ch: Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur ndërtimi i xhamive  nga komuniteti shqiptar mysliman në Zvicër ka ngjallur debat në opinionin zviceran dhe atë shqiptar. Rasti më i freskët është ai i ndalimit të ndërtimit të xhamisë në Siebnen. Qytetarët kanë treguar refuzim për shndërrimin në xhami të një ndërtese me pozitë qendrore në fshat. Tani ndërtimi u pamundësua edhe me votat e qytetarëve. Cili është qëndrimi i juaj si komunitet rreth kësaj?

Mehas Alija: Ne e respektojmë vendimin e qytetarëve dhe proceset demokratike në Zvicër. Në të njëjtën kohë, raste të tilla tregojnë se projekte të kësaj natyre kërkojnë komunikim të hershëm dhe të vazhdueshëm me komunitetin lokal. Ne besojmë se përmes dialogut dhe transparencës mund të gjenden zgjidhje që marrin parasysh nevojat e të gjithëve. Si qytetarë të besimit islam duhet të jemi shembulli më i mirë i mirëkuptimin dhe angazhimit. Vendimin e kryesisë së xhamisë për t’u tërhequr me qëllim për të ruajtur unitetin e qytetarëve në Siebnen e vlerësojmë si një veprim të mirë dhe të drejtë.

(Foto: Niklas Thalmann)

Albinfo.ch: A ka Komuniteti që drejtoni ju, mbikëqyrje mbi planin ose projektin e ngritjes së kësaj xhamie? Ose, a është konsultuar nga iniciatorët?

Mehas Alija: Jo çdo iniciativë lokale zhvillohet drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen tonë. Ne, në përgjithësi, më tepër kemi rol konsultativ dhe jo rrallë jemi pjesë strategjike e veprimtarisë së xhamive shqiptare këtu në Zvicër. Në raste të këtilla ka edhe bashkëpunime me organizatat kantonale dhe ato nacionale. Megjithatë, ne inkurajojmë fuqimisht që projekte të tilla të koordinohen me strukturat përfaqësuese lokale dhe të zhvillohen në konsultim me autoritetet dhe qytetarët e vendit ku veprojnë xhamitë. Kjo ndihmon në rritjen e besimit dhe shmangien e keqkuptimeve.

Albinfo.ch: Rasti i projektit të xhamisë “15 milionëshe” në St. Gallen po ashtu është shoqëruar me debat. Tashmë dhjetë deputetë të Parlamentit të Kantonit St. Gallen kanë nënshkruar mocionin kundër ndërtimit  të kësaj xhamie. Ata kanë shtruar plot 8 pyetje kritike rreth kësaj. A mund të jepni një përgjigje të përgjithshme për shqetësimet që kanë ngritur këta deputetë?

Mehas Alija: Ne i marrim seriozisht këto shqetësime dhe i shohim si pjesë të një debati të natyrshëm në një shoqëri demokratike. Është e rëndësishme që diskutimi të mbështetet në fakte. Projekti ynë është një zhvillim i natyrshëm i një bashkësie që është prej dekadash pjesë e kësaj shoqërie dhe synon të krijojë një hapësirë të përshtatshme për lutje dhe takime. Ne jemi të hapur për dialog me institucionet për të sqaruar çdo pyetje. Deputetët i kanë drejtuar disa pyetje Parlamentit të Kantonit dhe shpresojmë që përgjigjet të pasqyrojnë realitetin tonë si bashkësi muslimane shqiptarë në qytetin e St.Gallenit, pasi e tërë veprimtaria jonë, deri më tani, ka qenë në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të transparencës me institucionet vendore dhe bashkëqytetarët e qytetit të St.Gallen. Dua të theksoj se kostot e ndërtimit të xhamisë do të jenë shumë më të ulëta se sa doli në mediume, duke e pasur parasysh angazhimin dhe kontributin vullnetarë pa pagesë të firmave dhe qytetarëve në St.Gallen, rrethinë dhe më gjërë. Dëshmi për këtë kemi xhamitë e reja të ndërtuara nga themeli tashmë në Zvicër.

Albinfo.ch: E drejta e ushtrimit të lirë të besimit fetar është e garantuar në Zvicër. Shumica dërmuese e besimtarëve myslimanë shqiptarë e ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë korrekte dhe luajale. Po kështu shumica e zviceranëve e mirëkuptojnë nevojën e myslimanëve për të jetuar religjionin e tyre. Por në këto dy raste, kundërshtimi nga ana zvicerane ka qenë më masiv. A mendoni se është kaluar “pika e durimit” te njëri komunitet dhe nëse po, cili duhet të jetë veprimi për shtensionimin e situatës?

Mehas Alija: Nuk do ta përshkruaja situatën në këtë mënyrë. Më tepër e shoh si një moment që kërkon më shumë komunikim dhe mirëkuptim reciprok. Është me rëndësi që të gjitha palët të angazhohen në dialog konstruktiv, për të shmangur tensionet dhe për të forcuar bashkëjetesën. Dialogu aktiv, përfshirja qytetare dhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme, siç janë dyert e hapura, ftesa ndaj strukturave të caktuara, organizimi i vizitave të shkollave dhe institucioneve, hapja ndaj pyetjeve të qytetarëve, do të ishin ndër format më të mira për t’i kapërcyer shqetësimet dhe paragjykimet.

Albinfo.ch: Në debatet që lindin zakonisht në rastet e ndërtimeve “problematike” të xhamive, sidomos kur përmenden shifra të larta të investimit, ngrihen  shqetësime mbi prejardhjen e parasë së investuar. Si do t`i adresonit shqetësimet e tilla?

Mehas Alja: Këto shqetësime i kemi edhe ne. Por, mund të themi qartë se nuk ka financim nga shtete apo institucione të huaja, sidomos nga vende arabe apo jashtë Zvicrës dhe nëse e lyp nevoja duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet për çdo verifikim të nevojshëm. Transparenca duhet të jetë thelbësore për ne. Projektet tona mbështeten kryesisht nga kontributet e anëtarëve të xhamive, nga aksionet humanitare që organizohen në salla, si dhe nga iniciativa online në rrjetet sociale.

Albinfo.ch: Lidhur me shumat e parave të grumbulluara për ndërtimin e xhamive të shqiptarëve në Zvicër ka një debat edhe në mesin e shqiptarëve. Zakonisht bëhen projektime krahasuese se ato para do të ishte më mirë të përdoreshin për qëllime të tjera, si ato arsimore, për shembull. Si do tu përgjigjeshit si kryetar i KMSHZ dhe si imam, vërejtjeve të tilla?

Mehas Alja: Ky është një debat i kuptueshëm dhe i vlefshëm. Ne besojmë se një komunitet i qëndrueshëm ka nevojë si për hapësira fetare, ashtu edhe për investime në arsim dhe integrim. Këto nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën dhe kontribuojnë në një jetë komunitare të shëndetshme. Xhamitë në diasporë luajnë një rol të shumëfishtë. Ato nuk janë vetëm faltore, por edhe shkolla dhe qendra integrimi. Gjithashtu, janë një pjesë vatani në mërgim.

Albinfo.ch: Një pyetje, jo patjetër aktuale: A është duke funksionuar programi në Universitetin e Friburgut për arsimimin e imamëve brenda sistemit arsimor zviceran? Dhe, në lidhje me këtë: A ka tashmë imamë shqiptarë që kanë mbaruar këtë program?

Mehas Alja: Në Zvicër ka zhvillime pozitive në drejtim të edukimit të imamëve brenda kontekstit lokal, përfshirë programe në Universitetin e Freiburgut. Këto iniciativa janë të rëndësishme për të forcuar një qasje të integruar dhe të përgjegjshme. Ky është një proces në zhvillim, i cili meriton mbështetje të mëtejshme. Më shumë në këtë drejtim është duke dhënë kontribut Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri, e cila organizon trajnime dhe kurse për imamët tanë të rinj dhe ata që tashmë kanë përvojë dhe dëshirojnë të angazhohen si kujdestarë shpirtërorë në spitale, burgje dhe qendra azili.

Albinfo.ch: Sa është i angazhuar KMSHZ në kultivimin e lidhjeve me komunitetet tjera fetare në Zvicër gjegjësisht në përpjekjet “ekumeniste” nëse mund të thuhet kështu, ose në dialogun mes religjioneve në Zvicër?

Mehas Alija: Ne i kushtojmë rëndësi të madhe dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit me komunitetet e tjera fetare. Xhamitë tona synojnë të jenë jo vetëm vende adhurimi, por edhe hapësira takimi dhe shkëmbimi. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, diskutim dhe reflektim të përbashkët mbi sfidat dhe mundësitë në shoqërinë ku jetojmë dhe veprojmë. Një aktivitet i përbashkët janë vizitat që i shkëmbejmë me përfaqësuesit e manastirit në Einsiedeln, ku një vit ata vizitojnë një xhami shqiptare dhe trajtojmë ndonjë të temë me interes të përbashkët dhe vitin tjetër ua kthejmë vizitën me imamët tanë. Gjithashtu, ka edhe shumë aktivitete të tjera të veçanta ndërfetare midis komunitetit tonë dhe besimeve të tjera.

(Autor i fotografive: Niklas Thalmann)

 

 

Florent Muslija në rrezik të humbasë sezonin pas lëndimit të rëndë

Futbollisti i Kosovës, Florent Muslija, ka pësuar një lëndim serioz të premten mbrëma gjatë një ndeshjeje, duke ngritur shqetësime të mëdha për gjendjen e tij fizike dhe vazhdimin e sezonit, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, Muslija është parë në gjendje të rënduar emocionale, madje në lot, teksa po e shtrëngonte gjurin e këmbës së djathtë pas lëndimit në fushë.

Media gjermane shkruan se, në skenarin më të keq, mesfushori mund të jetë i detyruar të mungojë deri në fund të sezonit, gjë që do të ishte një humbje e madhe si për klubin e tij ashtu edhe për përfaqësuesen e Kosovës.

Detajet e plota mbi shkallën e dëmtimit ende nuk janë bërë publike, ndërsa pritet që lojtari t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar kohën e rikuperimit./Albinfo.ch

Kosovë: Plagos të dashurën me armë zjarri dhe më pas qëllon veten

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në shtetin e Kosovës, në Ferizaj, ku një vajzë 24-vjeçare është plagosur, ndërsa i dyshuari për sulmin ka qëlluar veten dhe ka vdekur më pas në spital, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Driton Islami”, pranë barnatores “Riga”, ku fillimisht viktima, L. U., nga fshati Jezerc, ka hyrë e shqetësuar duke kërkuar ndihmë, pasi sipas saj një person po e ndiqte dhe ishte i armatosur.

Pak çaste më vonë, në barnatore ka hyrë edhe i dyshuari, 32-vjeçari V. K nga fshati Qollapek i Lipjanit. Sipas informacioneve, ai fillimisht ka tentuar ta marrë me forcë viktimën, por pasi ajo ka refuzuar dhe është përpjekur të largohet, ai ka nxjerrë armën dhe ka shtënë dy herë në drejtim të saj, duke e plagosur.

Vajza e plagosur ka arritur të largohet dhe të futet në pjesën e brendshme të barnatores, ndërsa i dyshuari e ka ndjekur. Në një moment të mëvonshëm, ai ka kthyer armën nga vetja dhe ka qëlluar veten në kokë.

Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke siguruar perimetrin. Para barnatores është gjetur viktima e plagosur, ndërsa brenda objektit është gjetur edhe i dyshuari me plagë të rënda në kokë.

Të dy janë transportuar fillimisht në emergjencën e Spitali Rajonal i Ferizajt dhe më pas në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Sipas informacioneve të fundit, 24-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar arma e përdorur dhe gëzhojat, ndërsa hetuesit kanë nisur sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së barnatores. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim, nën drejtimin e prokurorit të shtetit./Albinfo.ch

Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone

Në Francë u zhvillua edicioni i tretë ndërkombëtar i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporave Frankofone, një aktivitet i organizuar nga Groupement du Patronat Francophone në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik, Social dhe Mjedisor të Francës (CESE). Konferenca mblodhi përfaqësues të diasporave frankofone, sipërmarrës dhe personalitete nga fusha të ndryshme për të diskutuar mbi rolin e diasporave në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

I ftuar nderi në këtë konferencë ishte Ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe Presidenti i Grupit të Ambasadorëve Frankofonë të Francës, Dritan Tola. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e diasporave frankofone si ura të rëndësishme lidhëse mes ekonomive, kulturave dhe shoqërive të ndryshme.

Sipas tij, diasporat luajnë një rol kyç në krijimin e partneriteteve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në situata ku institucionet zyrtare dhe diplomatike nuk mund të veprojnë me të njëjtën lehtësi. Ai theksoi se frankofonia nuk përfaqëson vetëm një trashëgimi kulturore, por edhe një hapësirë të rëndësishme ekonomike, ku diasporat kanë një rol të veçantë në përshpejtimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit.

Në vigjilje të Samiti i Diasporës, i cili do të mbahet nga 13 deri më 15 prill në Tirana, ambasadori vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Francë. Ai e cilësoi atë si një motor të rëndësishëm të dinamizmit ekonomik, inovacionit dhe forcimit të lidhjeve mes Shqipërisë dhe Francës.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua edhe grave dhe vajzave sipërmarrëse të diasporës shqiptare frankofone, disa prej të cilave ishin të pranishme në konferencë. Sipas ambasadorit, angazhimi, talenti dhe suksesi i tyre përfaqësojnë në mënyrë të plotë ekselencën dhe frymën sipërmarrëse shqiptare në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë

Dhuna ndaj të moshuarve mbetet një problem shqetësues në Zvicra. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata që merren me mbrojtjen e të moshuarve, një në gjashtë persona mbi moshën 60 vjeç përjeton dhunë ose forma të ndryshme keqtrajtimi. Në rastin e personave të moshuar që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, shifrat janë edhe më alarmante: rreth një në katër prej tyre përballet me dhunë, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë se në Zvicër më shumë se 300 mijë persona përjetojnë situata dhune apo abuzimi në moshë të shtyrë. Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi vetëm një pjesë e vogël e rasteve raportohen tek autoritetet ose institucionet përkatëse.

Sipas Ruth Mettler Ernst, drejtoreshë e qendrës së kompetencës Alter ohne Gewalt, kjo temë shpesh shoqërohet me turp dhe heshtje. Shumë të moshuar hezitojnë të flasin për keqtrajtimin që përjetojnë, sidomos kur ai vjen nga partneri apo nga njerëz të afërt.

Statistikat tregojnë se në shumicën e rasteve dhuna ndodh brenda shtëpisë dhe shpesh dyshohet se ushtrohet nga bashkëshorti ose bashkëshortja. Gratë rezultojnë të jenë më të rrezikuara, duke përbërë rreth 64 për qind të viktimave.

Dhuna ndaj të moshuarve nuk është vetëm fizike. Në rreth një të tretën e rasteve bëhet fjalë për dhunë psikologjike, si kërcënime, poshtërime, kritika të vazhdueshme apo fyerje. Edhe pse nuk lë gjurmë të dukshme, kjo formë dhune mund të jetë shumë e dëmshme për shëndetin emocional të viktimave.

Ekspertët theksojnë se edhe ndryshimet e mëdha në jetën e të moshuarve, si pensionimi, mund të ndikojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve familjare. Sipas organizatës Pro Senectute, kalimi në pension ndonjëherë mund të shkaktojë ndjenjë humbjeje të rolit apo statusit, veçanërisht tek burrat e brezave më të vjetër, duke rritur stresin dhe pasigurinë financiare. Kjo situatë mund të çojë në tensione më të mëdha në familje dhe në izolimin social të viktimave.

Për këtë arsye, organizatat dhe institucionet zvicerane po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin mbi këtë fenomen dhe të inkurajojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë. Përmes fushatave informuese dhe materialeve të shpërndara në farmaci, komuna dhe institucione për të moshuarit, synohet që qytetarët të informohen më shumë për mundësitë e ndihmës.

Ndërkohë, edhe qeveria zvicerane ka ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar këtë problem. Këshilli Federal i Zvicrës ka miratuar këtë vit një program të veçantë që do të zgjasë deri në vitin 2030, me qëllim parandalimin, zbulimin e hershëm dhe ofrimin e ndihmës së duhur për rastet e dhunës ndaj të moshuarve. /Albinfo.ch

Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”

Teatri Shqiptar “Mërgimtari” nga Kroacia do të sjellë në Shqipëri shfaqjen teatrore “Kukulla”, në kuadër të një turneu që do të zhvillohet nga data 9 deri më 12 prill 2026, me ndalesa në Fier, Tiranë dhe Shkodër, transmeton albinfo.ch.

Vepra është shkruar nga dramaturgu kroat Miro Gavran, ndërsa përshtatja dhe regjia janë realizuar nga Naser Shatrolli. Shfaqja trajton në mënyrë të thellë dimensione psikologjike dhe sociale të marrëdhënieve njerëzore në kohët moderne, duke sjellë një histori që synon të prekë ndjeshmëritë më të thella të publikut.

Në këtë produksion skenik interpretojnë aktorët Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari, të cilët sjellin në skenë një rrëfim emocional dhe reflektues.

Turneu nis në Teatrin Bylis në Fier më 9 prill, në orën 18:00, vazhdon në Teatrin Metropol në Tiranë më 10 prill, në orën 20:00, dhe përmbyllet në Teatrin Migjeni në Shkodër më 12 prill, në orën 19:00.

Shfaqjet do të realizohen në bashkëpunim me institucionet kulturore lokale të këtyre qyteteve./Albinfo.ch

 

Facebook

Budapest: “Daily News Hungary” vlerëson ekspozitën personale të Jakup Ferrit

Mediumi hungarez “Daily News Hungary” i ka kushtuar një artikull ekspozitës personale të artistit kosovar Jakup Ferri në Budapest, me titullin “RUB-A-DUB-DUB”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 maj 2026. Kjo ekspozitë përfaqëson prezantimin e parë të gjerë solo të Ferrit në Hungari dhe sjell një përzgjedhje të punimeve të tij më të fundit, duke përfshirë tekstile të pa ekspozuara më parë, punime nga seria e gjatë “We We”, si dhe piktura me vaj, përcjell albinfo.ch.

Sipas shkrimit të “Daily News Hungary”, veprat e Ferrit dallohen për ngjyrat e gjalla dhe figurat e njerëzve, kafshëve dhe krijesave hibride, të vendosura në skena që shpesh duken absurde, por që përcjellin butësi dhe ngrohtësi. Shumë nga punimet krijojnë një përvojë imersive për vizitorët, duke i ftuar ata të lidhen me përditshmërinë, marrëdhëniet njerëzore dhe imagjinatën. Artikulli vë në pah edhe një dimension të fshehtë politik në veprat e tij, të ndikuar nga historia komplekse e Kosovës dhe pozicioni i saj periferik kulturor, i trajtuar përmes humorit dhe tregimeve të jetës së përditshme.

Gjatë hapjes së ekspozitës, e zhvilluar më 1 dhe 2 prill 2026, ambasadori i Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, theksoi natyrën bashkëpunuese të punimeve tekstile të Ferrit. Ai deklaroi se këto vepra nuk janë vetëm një formë shprehjeje artistike, por edhe një proces bashkëpunimi me artizanë nga Kosova dhe rajoni, ku teknikat tradicionale shndërrohen në tregime bashkëkohore, ndërsa tapetet dhe modelet e qepura bartin kujtime, identitet dhe përvoja të përbashkëta.

Pllana theksoi gjithashtu se skenat e ekspozitës, të mbushura me njerëz, kafshë dhe krijesa imagjinare, sjellin histori të buta dhe surrealiste për jetën e përditshme dhe vlerat e saj, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimeve kulturore si urë lidhëse mes Kosovës dhe Hungarisë.

Ekspozita “RUB-A-DUB-DUB” sjell një kombinim unik të artit tekstil dhe pikturës, duke ftuar publikun të eksplorojë imagjinatën, kujdesin për detajin dhe historitë që lidhen me identitetin dhe kulturën kosovare./Albinfo.ch

Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve

Gjeneva njihet botërisht si një qendër e diplomacisë ndërkombëtare dhe si simbol i traditës zvicerane në prodhimin e orëve. Megjithatë, ky kanton luan një rol të rëndësishëm edhe në një industri tjetër më pak të dukshme, por me ndikim global: zhvillimin e aromave dhe shijeve, shkruan albinfo.ch.

Në Gjenevë krijohen shumë nga aromat dhe përbërësit që më pas përdoren çdo ditë në produkte të ndryshme si sapunë, parfume, kozmetikë dhe artikuj ushqimorë. Sipas statistikave kantonale, në vitin 2022 kompanitë e vendosura në këtë rajon përbënin rreth 30 për qind të tregut global në këtë sektor.

Zhvillimi i kësaj industrie në Gjenevë ka rrënjë që nga shekulli XIX, kur ujërat e lumit Rhône përdoreshin për ftohjen e impianteve industriale dhe për prodhimin e energjisë hidroelektrike. Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte afërsia me industrinë franceze në rajonin e Lionit, si dhe tradita e fuqishme shkencore e Zvicrës, që krijuan kushte ideale për ngritjen e kompanive të specializuara në prodhimin e aromave dhe shijeve artificiale.

Rritja e Gjenevës si një qendër globale në këtë industri lidhet ngushtë me themelimin e dy kompanive të njohura, Givaudan dhe Firmenich, në fund të shekullit XIX. Këto kompani u shndërruan në pionierë të përdorimit të kimisë organike për krijimin e përbërësve sintetikë dhe zhvilluan molekula të njohura, të cilat vazhdojnë të përdoren edhe sot në industrinë ndërkombëtare.

Përveç këtyre gjigantëve, kantoni i Gjenevës strehon edhe shumë start-up dhe ndërmarrje inovative, të cilat vazhdojnë të sjellin ide të reja dhe të mbajnë këtë rajon në qendër të inovacionit botëror në fushën e aromave dhe shijeve./Albinfo.ch

Marsi i dytë më i nxehtë në histori

Muaji i kaluar ishte marsi i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga “Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike”.

Raporti thekson gjithashtu se temperaturat globale të sipërfaqes së detit arritën nivelin e dytë më të lartë të regjistruar për këtë muaj.

Në shkallë globale, marsi renditet si i katërti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve, me një temperaturë mesatare prej 13,94 gradë Celsius – që do të thotë 1,48 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës para-industriale (1850–1900) dhe 0,53 gradë Celsius mbi mesataren e marsit për vitet 1991–2020.

Sipas raportit, trendi i temperaturave ekstreme po vazhdon. Marsi më i ngrohtë i regjistruar mbetet ai i vitit 2024, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Evropa përjetoi një ngrohje veçanërisht të fortë, me temperaturë mesatare prej 5,88 gradë Celsius, ose 2,27 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991–2020.

Ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit ishte më e thatë se zakonisht, reshje të dendura shkaktuan përmbytje në disa zona të Mesdheut dhe Skandinavisë.

Në Arktik u regjistrua niveli më i ulët ndonjëherë për sipërfaqen e akullit detar në muajin mars, 5,7% nën mesataren.

Temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit arriti në 20,97 gradë Celsius, niveli i dytë më i lartë i regjistruar për këtë muaj.

Kushtet klimatike ndryshuan ndjeshëm në rajone të ndryshme. SHBA-ja perëndimore përjetoi një valë të zgjatur të të nxehtit, ndërsa Alaska, Kanadaja dhe Siberia veriperëndimore shënuan temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

Drejtori i Shërbimit të Kopernikut të BE-së për Ndryshimet Klimatike, Carlo Buontempo deklaroi se këto të dhëna tregojnë një sistem klimatik nën presion të vazhdueshëm dhe në rritje.

Shërbimi publikon rregullisht analiza mbi temperaturat globale, akullin detar dhe reshjet, duke përdorur miliarda matje nga satelitë, anije, avionë dhe stacione meteorologjike në mbarë botën.

Konsullata e Kosovës zhvillon takim me përfaqësues të shoqërisë civile për përfshirjen sociale

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të shoqërisë civile, duke vënë në qendër çështjet e përfshirjes sociale dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara.

Në takim morën pjesë Afrim Maliqi nga HANDIKOS dhe Valdete Hoti nga organizata “Parandalo”, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në funksion të përmirësimit të qasjes dhe shërbimeve për këtë kategori.

Diskutimet u fokusuan në nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të qëndrueshme, e cila tejkalon trajtimin administrativ dhe synon integrimin e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e përvojës së HANDIKOS në avokimin institucional, si dhe roli i organizatës “Parandalo” në mbrojtjen dhe fuqizimin social brenda diasporës, si elemente kyçe për ndërtimin e praktikave më gjithëpërfshirëse.

Takimi shënon një hap drejt ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, me synimin për të krijuar politika dhe qasje më funksionale në adresimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

Për albinfo.ch
Luljeta Ademi

Ndërron jetë miku i shqiptarëve, Eliot Engel

Ka ndërruar jetë ish-kongresmeni amerikan dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e qeverisë së Qarkut Westchester, transmeton albinfo.ch.

Si kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Engel ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Trashëgimia e tij mbetet ajo e një udhëheqësi me parime të forta, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe partneritetit ndërkombëtar.

Abrashi vazhdon me Grasshopper-in

Amir Abrashi ka vazhduar kontratën edhe për një vit me skuadrën zvicerane, Grasshopper, transmeton albinfo.ch.

Ai ka mbi 280 paraqitje për Grasshopperin dhe klubi e vlerëson njërën prej figurave më me ndikim në historinë e fundit.

“Grasshopperi është shtëpia ime. Kam ndërtuar karrierën time këtu dhe i detyrohem shumë klubit. Për këtë arsye do të thotë shumë që vazhdoj të jem pjesë e ekipit. Besimin dhe vlerësimin nuk e marr si diçka të garantuar, kështu që jam mirënjohës për këtë. Të gjithë e dinë se sa fort rreh zemra ime për GCZ. Do të vazhdoj të jap çdo gjë për klubin”, ka thënë Abrashi.

Ish-mesfushori i Shqipërisë ka luajtur për Grasshopperin nga viti 2010 deri në vitin 2015.

Pas periudhës te Freiburgu dhe Baseli, 36-vjeçari u kthye te Grasshopperi në vitin 2021.

Çmimet e shtëpive në Zvicër po vazhdojnë të rriten

Çmimet për apartamentet dhe shtëpitë me një familje në Zvicër vazhduan të rriteshin në një nivel të lartë në tre muajt e parë të vitit 2026.

Shtëpitë në Zvicrën perëndimore dhe Bernë ishin veçanërisht të njohura.

Shtëpitë me një familje ishin 1.4% më të shtrenjta në tremujorin e parë sesa në tremujorin e fundit të vitit 2025, sipas indeksit të çmimeve të transaksioneve nga banka Raiffeisen. Çmimet e apartamenteve u rritën me 1.8% mesatarisht.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet për shtëpitë me një familje dhe apartamentet janë rritur me 4.9%. “Atraktiviteti i lartë financiar i pronësisë së një shtëpie po e mban të lartë vrullin e çmimeve”, deklaroi Fredy Hasenmaile, kryeekonomist në Raiffeisen Switzerland, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Vendet e nxehta rajonale

Nga një perspektivë kantonale, çmimet për shtëpitë me një familje u rritën më shumë në rajonet e Bernës dhe Zvicrës perëndimore krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa çmimet për apartamentet u rritën më shumë në Zvicrën qendrore dhe jugore.

I ndarë sipas llojit të komunës, rritja e çmimeve të shtëpive ishte më e larta në komunat turistike dhe më e ulëta në qendrat urbane. Apartamentet gjithashtu panë rritjen më të madhe nga viti në vit në vendpushimet turistike.

Indeksi i Çmimeve të Transaksioneve Raiffeisen publikohet çdo tremujor në fillim të çdo tremujori të ri. Ai mat zhvillimin e çmimeve të pronave banesore të zëna nga pronari në Zvicër bazuar në të dhënat e transaksioneve të Raiffeisen dhe Swiss Real Estate Datapool (SRED).

Ish-presidenti i Kosovës flet për mediat gjermane, politikën, familjen dhe procesin gjyqësor

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë me shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ai ka folur për përvojën e tij gjatë paraburgimit, procesin gjyqësor dhe të ardhmen politike. Thaçi ndodhet në vitin e gjashtë të paraburgimit në Hagë derisa është në pritje të vendimit përfundimtar.

Duke folur për jetën e tij politike, Thaçi deklaroi se nuk e sheh veten më në garën politike, por jo edhe tërësisht jashtë jetës publike.

“E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej vendit”, u shpreh ai.

Thaçi foli edhe për humbjen e babait të tij, duke e cilësuar si një dhimbje të madhe faktin që nuk mundi të marrë pjesë në varrim. “Ky është një dhimbje që do ta mbaj me vete gjithë jetën”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Sa i përket akuzave, ai mbështeti argumentet e ekipit të tij mbrojtës, duke theksuar se struktura e UÇK-së nuk kishte një zinxhir të qartë komandues, çka sipas tij e bën të pamundur mbajtjen e përgjegjësisë për veprime individuale në terren, përcjell albinfo.ch.

Ai shtoi se Gjykata Speciale u krijua fillimisht për të hetuar pretendimet për trafikim organesh, të cilat sipas tij nuk janë përfshirë fare në aktakuzën aktuale.

Thaçi shprehu shqetësimin se procesi gjyqësor mund të shtrembërojë perceptimin historik të luftës në Kosovë, duke barazuar në mënyrë të padrejtë veprimet e palëve. Ai theksoi se krimet e kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998-1999 janë të dokumentuara gjerësisht dhe nuk mund të relativizohen.

Duke folur për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, Thaçi e cilësoi atë si të drejtë dhe të domosdoshme, duke theksuar se ajo u bazua në vlerat e lirisë dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.

Në aspektin politik dhe diplomatik, ai theksoi se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Serbinë, me njohje reciproke.

Thaçi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke shprehur shqetësim për stagnimin e viteve të fundit në këtë drejtim.

Sa i përket situatës së brendshme politike në Kosovë, Thaçi u shpreh se interesat e qytetarëve duhet të vendosen mbi ato partiake, pa dhënë këshilla konkrete për koalicione politike.

“Procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve konsiderohet një ndër rastet më të rëndësishme për drejtësinë ndërkombëtare dhe për interpretimin historik të luftës në Kosovë”, shkruan mes tjerash FAZ.

Kosova fiton ndaj Austrisë dhe kualifikohet tutje

Kosova në futsall ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyeshme në parakualifikimet për Botërorin 2028, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në miniturneun kualifikues të Grupit D, që po zhvillohet në Igalo të Malit të Zi. Dardanët e futsallit triumfuan në një ndeshje spektakolare ndaj Austrisë, me rezultat 6:3.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por ishte Kosova ajo që tregoi më shumë efikasitet në momentet vendimtare. Shefki Kameri zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa më pas skena i takoi Ramadan Alajt, i cili realizoi katër gola (19’, 23’, 32’ dhe 37’), duke qenë figura kryesore e takimit.

Në listën e golashënuesve për Kosovën u regjistrua edhe Shqiprim Imeri, i cili realizoi në minutën e 28-të, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, për Austrinë realizuan Gustavo (16’, 36’) dhe Alex Flögel në minutën e 22-të, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur ritmin e lartë të Dardanëve drejt kualifikimit tutje.

Me këtë triumf, Kosova e ka siguruar tashmë kalimin në fazën kryesore të kualifikimeve (Main Round), pasi dy skuadrat e para nga grupi avancojnë tutje.

Ndeshjen e fundit dhe njëherësh vendimtare për vendin e parë në grup Dardanët do ta zhvillojnë kundër Malit të Zi, të dielën në orën 19:30.

Kosovë: Miratohet Ligji për Çmimet Tavan

Me 63 vota për dhe 19 kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si Ligji për Çmimet Tavan.

Në seancë kanë qenë të pranishëm 88 deputetë, transmeton albinfo.ch.

“Konstatoj se me 63 vota për, 19 kundër, asnjë abstenim Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.”, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.