SHBA-ja po përgatit ligjin që ndalon shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Bëhet e ditur se nëse “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” miratohet nga Kongresi dhe Senati amerikan dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, Shtetet e Bashkuara do të angazhohen ligjërisht që politika e tyre e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republika Sërpskas, përcjell albinfo.ch. 

Ky parashikim është pjesë e Seksionit 11 të projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet shpejt. Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.

Për herë të parë, projektligji përfshin edhe paragrafin mbi “mosndryshimin e kufijve”.

“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligj.

Aktualisht, ky projektligj më 9 tetor të këtij viti i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit. Afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende, dhe komitetet mund të kërkojnë dëshmi, ndryshime, apo amendamente para se ligji të kthehet në Dhomën përkatëse për votim. Ligji duhet të kalojë komitetin, dhe komiteti mund të bëjë ndryshime ose të mos e miratojë fare. Nëse kalon komitetin, ai shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senat, në varësi se ku filloi procedura. Vetëm pas miratimit nga të dyja dhomat dhe nënshkrimit nga presidenti, bëhet ligj.

Një tjetër pjesë e projektligjit fokusohet te ndikimi rus dhe kinez në rajon, duke kërkuar një raport brenda 180 ditëve nga sekretari i Shtetit dhe drejtuesit e agjencive amerikane për ndikimet keqdashëse në Ballkan. Raporti do të përfshijë analizën e qëllimeve të Rusisë dhe Kinës, aktivitetet e SHBA-së për t’i kundërshtuar, si dhe listën e të gjithë aktorëve që ndërhyjnë në proceset demokratike ose kufizojnë lirinë e shprehjes.

Ligji gjithashtu fokusohet tek ekonomia dhe demokracia, duke përfshirë: rritjen e tregtisë dhe investimeve, integrimin rajonal, mbështetjen për sipërmarrjet e grave dhe të rinjve, përmirësimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e energjisë dhe tranzicionin drejt energjive të gjelbra.

Sipas draftit të ligjit, veçanërisht theksohet se korrupsioni, varfëria, emigrimi i të rinjve, fushatat e lajmeve të rreme dhe varësia nga energjia ruse janë sfidat kryesore të rajonit. Ligji pritet të forcojë angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe të sigurojë një qasje të qartë kundër ndryshimeve të kufijve me dhunë ose bazuar mbi etni.

Diskutimet për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar më intensivisht rreth vitit 2018, pas disa vitesh bllokimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ideja parashikonte ndryshimin e kufijve, kryesisht për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe zonat shqiptare në pjesë të tjera të Serbisë. Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, si një nga përkrahësit e kësaj ideje bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pati thënë se ideja nuk është ndarje, por korrigjim i kufijve. Por kjo ide qe kundërshtuar ashpër nga spektri politik në Kosovë, por edhe nga disa prej aleatëve të Kosovës. 

Një prej arsyeve kryesore të kundërshtimit ka qenë frika se kjo do të nxiste edhe largimin e Republika Sërpskas nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa do të tensiononte raportet edhe në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni e Mal të Zi. 

Ministria e Jashtme e Sirisë: Njohja e Kosovës, shprehje e mbështetjes për vetëvendosje dhe paqe në Ballkan

Ministria e Jashtme e Sirisë ka deklaruar se “njohja zyrtare e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran buron nga besimi i Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga përkushtimi i saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë”, përcjell albinfo.ch.

Në deklaratë, Siria gjithashtu “shpreh mirënjohje të thellë ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite për rolin e saj konstruktiv në afrimin e palëve, mbështetjen e dialogut dhe forcimin e mirëkuptimit, duke theksuar se këto përpjekje krijuan kushtet e duhura për marrjen e këtij vendimi”.

Damasku shprehet se pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur, si edhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në shërbim të interesave të përbashkëta të të dyja vendeve dhe popujve të tyre.

Edhe zyrtarisht, Siria njohu dje shtetësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 120-të që e njeh pavarësinë.

Zhduket në Itali 35-vjeçarja shqiptare, nënë e dy fëmijëve

Ditët kalojnë, por ende nuk ka asnjë lajm për Floresha Prengun, 35-vjeçaren shqiptare që jeton në Trento të Italisë prej vitesh. Këtë të mërkurë u mbush saktësisht një javë që kur nëna e dy vajzave është zhdukur, përcjell albinfo.ch.

Më 22 tetor, gruaja ishte larguar nga shtëpia herët në mëngjes për të shkuar në punë, por pasdite nuk u kthye në shtëpinë ku jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat. Anëtarët e familjes ngritën menjëherë alarmin për zhdukjen e saj dhe nisën kërkime në qytet.

Kërkime u kryen edhe përgjatë lumit Adige, me ndërhyrjen e Njësisë së Shpëtimit në Lumë të Departamentit të Zjarrfikësve të Trentos. Rezultatet e këtij kërkimi, si dhe ato që pasuan në ditët në vijim nuk patën asnjë rezultat.

Dhjetëra zjarrfikës, përfshirë edhe patrullat e lumit, kontrolluan zonën për rreth 15 kilometra, nga Trento në jug. Një helikopter fluturoi mbi zonë, duke monitoruar situatën nga lart, por asgjë. Deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë të Floreshës.

Të afërmit vazhdojnë të mos kenë asnjë lajm dhe familja, veçanërisht dy vajzat e saj, janë jashtëzakonisht të shqetësuara. Një qarkore për zhdukjen e saj është dërguar në të gjitha prefekturat italiane. Një apel u është bërë edhe qytetarëve që të njoftojnë nëse kanë informacione.

“Po kërkojmë ndihmën tuaj për të gjetur Floresha Prengu. Ajo është një nënë e re e dy vajzave. Kushdo që e sheh ose di diçka për të, kërkohet të kontaktojë menjëherë forcat e rendit. Nëse keni ndonjë informacion, ju lutemi telefononi në 112”, –u shprehën anëtarët e familjes në një apel, duke postuar njoftimin, së bashku me fotot, në mediat sociale në shqip.

Gruaja ka jetuar në Trento me familjen e saj për 3 vitet e fundit dhe ka punuar si pastruese në pallate. Ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kohët e fundit kishte vuajtur shumë nga vdekja e babait të saj. Burri i saj po përpiqet të përballet me humbjen e tij dhe madje mund t’i drejtohet programit të RAI-t, “Kush e ka parë?” për të kërkuar ndihmë drejtpërdrejt në TV. 

“Ai është i tronditur dhe i dëshpëruar”, – thonë ata që e njohin. Komuniteti shqiptar është mbledhur rreth bashkëshortit dhe vajzave të Floresha Prengut orët e fundit, duke u ofruar atyre ndihmë për çdo nevojë apo shqetësim. Të gjithë shpresojnë që ata të mund të ribashkohen së shpejti me gruan dhe nënën e tyre.

Paga minimale, Murati sot takohet me përfaqësuesit e bizneseve

Ministri në detyrë i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale, përcjell albinfo.ch.

Takimi është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Në emër tê Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ju ftojmë tê merrni pjesë nẽ takimin ku do tẽ diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale”, thuhet në ftesën e Ministrisë së Financave drejtuar Dhomave dhe Odave Ekonomike në Kosovë.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.

Letërsia shqiptare në Berlin: Jehona Kicaj me romanin “ë” në Ambasadën e Kosovës

Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, sot më 30 tetor, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet prezantimi i romanit “ë”, të autores shqiptare Jehona Kicaj, shkruan albinfo.ch.

Vepra, e cila ka tërhequr vëmendje të gjerë në qarqet letrare evropiane, është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga vlerësimet më prestigjioze në letërsinë gjermane.

Në këtë ngjarje letrare do të jetë e pranishme edhe vetë autorja, e cila do të ndajë me publikun përvojën krijuese dhe rrugëtimin e romanit që po cilësohet si një prej zërave më origjinalë të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë.

Ambasada e Kosovës në Berlin fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë mbrëmje kulturore, që synon të promovojë letërsinë shqiptare dhe krijuesit që po afirmohen në hapësirën evropiane./Albinfo.ch 

Dielli Vranoci, kampion i dyfishtë në Austri

Boksieri shqiptar me origjinë nga Peja, Dielli Vranoci, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e tij profesionale, transmeton albinfo.at.

Në ndeshjen e zhvilluar në Korneuburg të Austrisë, ai triumfoi ndaj rivalit Ahmet Simsek, duke siguruar fitoren e tij të 13-të në boksin profesionist.

Përkundër përvojës dhe formës së mirë të Simsek, që deri më tani kishte nëntë fitore pa humbje, Vranoci u shpall fitues me pikë më të larta, duke e vulosur kështu titullin kampion i dyfishtë i Austrisë.

Në një intervistë për ABC e Mëngjesit, boksieri ndau emocionet pas fitores dhe foli për rrugëtimin e tij në sportin e boksit.

“Jam pjesë e boksit profesionist prej pesë vitesh dhe në total kam zhvilluar 16 ndeshje. Me boksin merrem prej 15 vitesh dhe kam marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare – ndër to, arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare,” – tregoi Vranoci.

Ndeshja e fundit, e zhvilluar në 10 raunde, kishte rëndësinë e veçantë të titullit kombëtar të Austrisë. Pas këtij triumfi, boksieri shqiptar pritet të marrë një pauzë deri në fillim të vitit të ardhshëm, kur planifikon të rikthehet me sfida të reja.

“Për momentin po fokusohem te stërvitjet dhe palestra që kam hapur së fundmi. Dua të punoj me të rinjtë, të zbuloj talente të reja që mund të ndjekin këtë rrugë,” – tha ai.

Me një karrierë në rritje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në ring, Dielli Vranoci mbetet një nga emrat më premtues të boksit shqiptar në diasporë. Ai e mbylli intervistën me një dedikim prekës:

“Çdo fitore, çdo sukses e ia dedikoj prindërve të mi që sot nuk jetojnë. Ata janë forca ime më e madhe.”/Albinfo.ch

SHBA-ja heq sanksionet ndaj Millorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hequr sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, si dhe dhjetëra individëve e kompanive të lidhura me të. Vendimi u bë publik të mërkurën dhe përfshin edhe aleatët e tij politikë, anëtarë të familjes dhe subjekte të lidhura ekonomikisht me ta.

Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, që e konfirmoi këtë hap, sanksionet kishin ndaluar më parë çdo transaksion financiar me Dodikun dhe të gjithë të sanksionuarit e tjerë. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve për arsyet konkrete që çuan në këtë vendim.

Ky zhvillim vjen pas disa muajsh trazirash politike në Bosnjë e Hercegovinë. Më 18 tetor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska anuloi ligjet që synonin të ndalonin punën e institucioneve gjyqësore dhe policore shtetërore në territorin e entitetit serb. Po atë ditë, Ana Trishiq-Babiq u konfirmua si presidente në detyrë e Republikës Sërpska, duke zëvendësuar përfundimisht Dodikun, i cili kishte humbur mandatin pas një vendimi gjykate që e dënoi për mosrespektim të urdhrave të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti vendimin e Asamblesë për të tërhequr ligjet separatiste dhe e cilësoi këtë si “rezultat të përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA për të qetësuar krizën politike në Bosnjë”.

Swiss heq pesë destinacione nga Gjeneva duke filluar nga marsi 2026

Kompania ajrore Swiss do të reduktojë numrin e fluturimeve me distancë të shkurtër që nisen nga aeroporti i Gjenevës duke filluar nga vera e vitit 2026. Arsyeja kryesore, sipas kompanisë, është “mungesa e burimeve”.

“Ne po ulim numrin e destinacioneve nga Gjeneva, sepse duhet të optimizojmë përdorimin e flotës sonë midis Zyrihut dhe Gjenevës për shkak të mungesës së resurseve,” shpjegoi një zëdhënës i kompanisë për agjencinë e lajmeve AWP të mërkurën.

Kjo masë prek pesë destinacione: Berlin, Kopenhagë, Hamburg, Oslo dhe Mynih — ky i fundit tashmë shërbehet nga Lufthansa, kompania mëmë e Swiss.

Në total, orari i verës 2026 i Swiss-it do të përfshijë 112 destinacione që nisen nga Zyrihu dhe Gjeneva. Nga Zyrihu, pasagjerët do të kenë në dispozicion 70 destinacione evropiane dhe 25 ndërkontinentale.

Nga Gjeneva, Swiss do të ofrojë 29 destinacione me distancë të shkurtër, përveç fluturimit drejt Nju Jorkut.

Orari veror 2026 do të zgjasë nga 29 marsi deri më 24 tetor.

 

 

Zvicra kërkon më shumë transparencë nga platformat e mëdha digjitale

Google, Meta, X (ish-Twitter) dhe TikTok do të duhet të jenë më transparente në Zvicër. Këshilli Federal nisi të mërkurën një konsultim publik mbi një projektligj që synon të forcojë transparencën e platformave të mëdha digjitale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve.

Sipas Këshillit Federal, gjithnjë e më shumë qytetarë zviceranë informohen përmes platformave si Google, TikTok, Facebook dhe X. Këto mjete ndikojnë në komunikimin publik dhe në formimin e opinionit, ndërsa vendosin vetë rregullat e tyre të komunikimit.

Më shumë transparencë dhe të drejtë ankimi

Sipas projektligjit, platformat do të jenë të detyruara të japin sqarime kur fshijnë përmbajtje apo bllokojnë llogari. Përdoruesit e prekur duhet të informohen dhe të kenë mundësi të sfidojnë vendimet e kompanive.

Gjithashtu, kompanitë si Facebook dhe Google do të duhet të krijojnë një procedurë të brendshme ankesash dhe të marrin pjesë në një proces zgjidhjeje jashtëgjyqësore, në mënyrë që përdoruesit të mund të kërkojnë rishikim të vendimeve.

Raportimi i përmbajtjes së paligjshme

Platformat do të jenë të detyruara të vendosin një sistem të thjeshtë për raportimin e përmbajtjeve potencialisht të paligjshme, si shpifja, fyerjet, diskriminimi apo nxitja e urrejtjes.

Nëse selia e kompanisë ndodhet jashtë vendit, ajo do të duhet të emërojë një përfaqësues ligjor në Zvicër, për të garantuar zbatimin efektiv të ligjit.

Ligji do të prekë vetëm platformat shumë të mëdha

Ligji do të zbatohet vetëm për platformat që arrijnë të paktën 10% të qytetarëve çdo ditë – pra, rreth 5 deri në 15 kompani shumë të mëdha. Platformat jofitimprurëse, si Wikipedia, si dhe ato edukative, nuk do të përfshihen.

Periudha e konsultimit do të zgjasë deri më 16 shkurt.

Një projekt i shumëpritur

Qeveria Federale kishte pranuar nevojën për një ligj të tillë që në prill 2023 dhe kishte kërkuar përgatitjen e një dokumenti konsultimi deri në mars 2024.

Megjithatë, në shkurt, gjatë një samiti për inteligjencën artificiale në Paris, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi kundër “rregullimit të tepërt”, i cili sipas tij mund të dëmtonte një industri të dominuar nga SHBA. Kjo, si dhe diskutimet tregtare për tarifat doganore, kishin vonuar vendimin. Tani, Këshilli Federal vlerëson se rreziku i kundërpërgjigjeve ekonomike është i ulët.

 

“Sigurimet shoqërore në Zvicër – çfarë duhet të dimë?”

Shoqata “Parandalo” fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në një infomodul informues me temën “Sigurimet shoqërore në Zvicër – çfarë duhet të dimë?”, që do të zhvillohet më 31 tetor 2025, nga ora 18:30 deri në 20:00, në Mittenza-Saal, Hauptstrasse 4, 4132 Muttenz.

Ligjërues do të jetë Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i sigurimeve shoqërore, ndërsa Drita Ibrahimi, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës “Parandalo” për Basel, do të udhëheqë takimin.

Ngjarja organizohet me mbështetjen e Basel Landschaft – Fachbereich Integration, KIP – Kantonale Integrationsprogramme dhe Café International.

 [email protected]

 079 771 67 04

Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të informohen mbi çështjet më të rëndësishme të sigurimeve shoqërore në Zvicër.

Studim japonez: Konsumi i djathit mund të ndihmojë në parandalimin e demencës

Një studim i ri nga Japonia sugjeron se edhe një konsum i moderuar javor i djathit mund të ketë ndikim pozitiv në ruajtjen e funksioneve konjitive dhe në ngadalësimin e plakjes së trurit, raportoi news-medical.net.
Demenca po bëhet një shqetësim global gjithnjë në rritje, me parashikime që deri në vitin 2050 të preken mbi 150 milionë persona në mbarë botën. Edhe pse mjekësia ka bërë përparime të rëndësishme, trajtimet shëruese janë ende të kufizuara.
Në këtë kontekst, ushqyerja po shihet gjithnjë e më shumë si një faktor që mund të luajë rol mbrojtës. Djathi, për shembull, përmban vitamina, peptide dhe probiotikë që kontribuojnë në mbrojtjen e qelizave nervore përmes efekteve anti-inflamatore dhe metabolike.
Studimi është kryer mbi bazën e të dhënave të Studimit të Vlerësimit Gerontologjik të Japonisë (JAGES) të vitit 2019 dhe përfshiu persona mbi 65 vjeç. Rezultatet treguan se ata që konsumonin djathë të paktën një herë në javë kishin 21–24% më pak rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me të tjerët.
Për më tepër, analiza e mbijetesës tregoi një diferencë mesatare prej rreth 7.7 ditësh në favor të konsumatorëve të djathit.
Këto të dhëna përforcojnë idenë se edhe ndryshime të vogla në zakonet e përditshme të ushqyerjes, si përfshirja e djathit në dietë një herë në javë, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të trurit.

Sekuestrohen mbi 200 kg substanca narkotike në Prishtinë, arrestohet një person

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar S.J., nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge.

Sipas raportit zyrtar, i dyshuari u ndalua në rajonin e Prishtinës, dhe gjatë kontrollit të kamionit që po drejtonte, hetuesit sekuestruan mbi 200 kilogramë substanca narkotike.

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Speciale, po vazhdojnë veprimet hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale. Policia dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se angazhimi i tyre në luftimin e trafikimit dhe posedimit të narkotikëve do të vazhdojë pa kompromis, me ndjekjen penale të të gjithë personave të dyshuar për veprime të tilla.

 

SH.K.A. “Dardania” feston tri festa në një ditë!

Në vazhdën e aktiviteteve të saj të shumta brenda dhe jashtë Zvicrës, dhe në prag të festave të nëntorit, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” nga Winterthuri ka vendosur që këtë herë t’i bashkojë tri ngjarje të mëdha kombëtare në një festë të përbashkët.

 

Kjo mbrëmje solemne do t’i kushtohet:

Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqiptar,

28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe

31-vjetorit të themelimit të vetë Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”.

Në këtë rast, SH.K.A. “Dardania” do të paraqitet me një program të pasur artistik, me këngë dhe valle premierë, koreografi të reja, veshje të reja kombëtare dhe befasi të shumta gjatë paraqitjeve të tri grupeve të saj të vallëzimit.
Si gjithmonë, kjo shoqëri ruan me përkushtim autenticitetin e kulturës sonë kombëtare, duke ofruar një mbrëmje tërësisht shqiptare – pa ndikime të huaja apo zhanre që nuk i përkasin artit tonë popullor.

Këtu festohet vetëm shqip – me shpirt, traditë dhe krenari kombëtare!

Për ta pasuruar edhe më shumë këtë ngjarje, Këshilli Artistik i SH.K.A. “Dardania” ka ftuar miq dhe bashkëpunëtorë të nderuar, ndër ta: Shoqatën Shqiptare “Iliria” nga St. Gallen, si dhe moderatoren e njohur nga Kosova, znj. Viola Kastrati, e cila do të shoqërohet nga Lavdim Klaiqi, drejtues i “Tele Komuna” – Dardana (Kamenicë).

Në mesin e të ftuarve do të jetë edhe z. Gëzim Alimehmeti, drejtor i FIDAF-it për Shqipërinë dhe njëherazi koreograf i valleve të reja pranë kësaj qendre kulturore, si dhe përfaqësues të diplomacisë shqiptare në Zvicër.

Kjo mbrëmje do të jetë një manifestim i artit, kulturës dhe krenarisë kombëtare, ku përmes këngës, valles dhe simbolikës kuqezi, “Dardania” dëshmon edhe një herë se mbetet një ndër shtyllat më të forta të kulturës shqiptare në diasporë.

Ejani të festojmë së bashku – pa hyrje me pagesë, pa asnjë obligim – dhe ndihuni, së paku për një mbrëmje, shqiptarë!
Ju mirëpresim me zemërgjerësi!

Ngjarja do të mbahet më:
22 nëntor 2025
Aula, Kantonsschule Rychenberg
Rychenbergstrasse 110, 8400 Winterthur
Hapen dyert: 19:00 | Programi artistik: 20:00–22:00

 

Presidenti Begaj përshëndet njohjen e Kosovës nga Siria

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mirëpritur vendimin e Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, kreu i shtetit shqiptar theksoi se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, si dhe të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Falënderime të sinqerta për të gjithë ata që kontribuan në arritjen e kësaj njohjeje,” ka shkruar presidenti Begaj.

 

Kurti, i ftuar i Macronit në Pallatin Élysée

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një darkë solemne të organizuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin presidencial Élysée në Paris.

Ngjarja është zhvilluar në kuadër të Forumit të 10-të të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare që tradicionalisht mbledh liderë shtetesh, figura të njohura botërore dhe përfaqësues të organizatave globale për të diskutuar çështje që lidhen me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Darkat në Élysée shënojnë hapjen zyrtare të forumit, i cili synon të forcojë dialogun mes vendeve dhe të nxisë bashkëpunimin përballë sfidave globale.

Gjatë qëndrimit të tij në Paris, pritet që Kurti të marrë pjesë në sesionet e forumit dhe të zhvillojë takime bilaterale me liderë dhe përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse.

Dy të dyshuarit për grabitjen në Luvër kanë pranuar pjesërisht fajësinë, por stolitë mbeten të zhdukura

Dy burrat e arrestuar të shtunën për grabitjen në Muzeun e Luvrit kanë “pranuar pjesërisht krimin”, por bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi në një konferencë për shtyp se “të dy të dyshuarit po paraqiten para magjistratëve” me qëllim ngritjen e akuzave për “grabitje të organizuar”, që dënohet me deri në 15 vjet burg, si dhe për “bashkëpunim kriminal”, që parashikon deri në 10 vjet burgim. Prokuroria ka kërkuar që ata të vendosen në paraburgim.

Sipas hetuesve, këta dy burra “dyshohen se janë personat që hynë në Galerinë Apollo për të vjedhur stolitë”. Njëri është 34 vjeç, me shtetësi algjeriane, rezident në Francë, ndërsa tjetri është 39 vjeç, banues në Aubervilliers (rajoni i Parisit), ku edhe ka lindur. Të dy ishin të njohur për policinë.

Njëri prej tyre u arrestua të shtunën në aeroportin Roissy, ndërsa përpiqej të udhëtonte drejt Algjerisë pa biletë kthimi. I dyshuari i dytë u kap po atë mbrëmje pranë banesës së tij.

Bizhuteritë ende të pagjetura

“Bizhuteritë nuk janë ende në posedimin tonë,” tha Beccuau, duke shtuar: “Dua të mbetem me shpresë se do të rikuperohen.”

Ajo theksoi gjithashtu se, “në kundërshtim me ato që janë raportuar nga disa media, nuk ka asnjë provë që autorët kanë pasur bashkëpunëtorë brenda muzeut.”

Sipas prokurores, kurora e Eugenisë, e cila u “rrëzua gjatë arratisjes” së autorëve, është “gjetur” nga hetuesit. Megjithatë, drejtori i Luvrit ka vënë në dukje “sa delikate do të jetë restaurimi i saj”.

Hetuesit kanë “identifikuar me siguri përfshirjen e katër autorëve”, por nuk përjashtohet mundësia e një “rrjeti më të gjerë”, përfshirë një organizator kryesor apo persona që mund të kenë marrë stolitë e vjedhura, përfundoi Beccuau.

 

 

Shteti ku mund të gjobiteni nëse ecni më shpejt se 6 km/h

Nëse planifikoni të ecni në trotuaret e Sllovakisë, së shpejti do të duhet të bëni kujdes me shpejtësinë. Parlamenti sllovak ka miratuar një ndryshim të ligjit për trafikun, i cili vendos kufirin maksimal të ecjes në zonat urbane në 6 kilometra në orë, raporton Politico.

Ky rregull i ri do të vlejë jo vetëm për këmbësorët, por edhe për çiklistët dhe përdoruesit e skuterëve elektrikë, me qëllim parandalimin e përplasjeve të shpeshta në hapësirat e ngushta të qyteteve.

“Synimi kryesor është rritja e sigurisë në trotuare, pasi numri i aksidenteve me përdoruesit e skuterëve është rritur ndjeshëm,” shpjegoi Ľubomír Vážny, deputet i partisë së majtë-populiste Smer, pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Robert Fico.

Sipas tij, ky ndryshim do ta bëjë më të lehtë përcaktimin objektiv të shkeljeve kur dikush tejkalon shpejtësinë e lejuar në zonat për këmbësorë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Shpejtësia mesatare e ecjes është 4–5 km/h, ndërsa, sipas British Heart Foundation, ecja me ritëm 6.4 km/h konsiderohet e moderuar për persona me formë të mirë fizike.

Nga ana tjetër, opozita dhe Ministria e Brendshme sllovake kanë kritikuar ndryshimin, duke argumentuar se ndalimi i skuterëve elektrikë në trotuare do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme sesa vendosja e një kufiri të përgjithshëm të shpejtësisë.

 

Raporti i UEFA-s: Sjellja e tifozëve shqiptarë, më problematikja në Evropë

Shqipëria është renditur në fund të listës së UEFA-s për sezonin 2024/2025, sa i përket sjelljes së tifozëve në stadiume. Raporti, që konsiderohet mjaft shqetësues, vlerëson se pavarësisht pjesëmarrjes jo të lartë të tifozëve shqiptarë në kompeticionet europiane, sjellja e tyre mbetet më problematikja ndër 53 shtetet e analizuara.

Sipas të dhënave të UEFA-s, tifozët shqiptarë kanë marrë notën mesatare 6.77, që është e vetmja nën nivelin 7. Analiza bazohet në 66 ndeshje të vlerësuara, ku delegatët e UEFA-s kanë dhënë raportet e tyre për atmosferën dhe sjelljen e publikut.

Në pjesën e fundit të renditjes gjenden edhe Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por të gjitha këto vende kanë marrë vlerësime më të larta se Shqipëria.

Ndërkohë, Kosova pozicionohet në vendin e 41-të me një mesatare 7.75 për 73 ndeshje të zhvilluara, duke u renditur ndjeshëm më mirë.

Në krye të listës për sjellje pozitive të tifozëve qëndrojnë Ishujt Faroe, Moldavia dhe Kazakistani, të cilët janë vlerësuar për korrektësi dhe mbështetje sportive gjatë ndeshjeve.

 

Ndërtimi, asnjë marrëveshje as në raundin e fundit të negociatave

Raundi i pestë dhe i fundit i negociatave për një kontratë të re kombëtare ombrellë (CNM) në sektorin kryesor të ndërtimit ka dështuar gjithashtu. Kjo u tha në një deklaratë nga Unia dhe Syna, duke akuzuar punëdhënësit se u mohojnë punëtorëve përmirësimet e nevojshme. CNM-ja aktuale skadon në fund të vitit. Sipas sindikatave, pa një marrëveshje deri atëherë, për herë të parë në dekada, ekziston rreziku i një vakumi kontraktual për 80,000 punëtorët e ndërtimit, transmeton albinfo.ch.

Syna dhe Unia po kërkojnë kohë udhëtimi të paguar midis kompanisë dhe kantierit të ndërtimit, orare pune më të shkurtra dhe më miqësore për familjen, një pushim të paguar në mëngjes, paga më të larta dhe një përshtatje për inflacionin. Shoqata Zvicerane e Kontraktorëve të Ndërtimit (SSIC), nga ana tjetër, nuk dëshiron të ndryshojë javën aktuale të punës prej 40.5 orësh dhe po bën thirrje për orare më fleksibile në mënyrë që kantieret e ndërtimit të mund të përshtaten në mënyrë të pavarur, për shembull, me kushtet e motit. Në rast të motit të keq dhe ndërprerjeve të punës, punonjësve duhet t’u lejohet të punojnë në mënyrë fleksibile edhe të shtunave pa pagesë shtesë.

Sipas sindikatave, raundi i pestë i negociatave ishte i fundit i planifikuar. Në një deklaratë të lëshuar këtë mbrëmje, SSIC tregoi se delegatët e saj do të diskutojnë çështjet e negociuara tashmë në asamblenë e 6 dhe 7 nëntorit. Diskutime të mëtejshme mund të pasojnë bazuar në vendimet e marra në atë takim. Shoqata gjithashtu bën thirrje për respektimin e paqes sociale. Pasi punëtorët e ndërtimit në Ticino dolën në protestë të hënën e kaluar, një grevë është planifikuar në Bernë këtë të premte, ndërsa grevat do të zhvillohen në të gjithë Zvicrën frëngjishtfolëse më 3 dhe 4 nëntor, në Zvicrën Veriperëndimore më 7 nëntor dhe në Cyrih dhe rajone të tjera të Zvicrës gjermanishtfolëse më 14 nëntor.

Siria njeh Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Siria e ka njohur Kosovën.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona.

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, shkruan Osmani.

Kantonet janë të mbushura me para lotarie

Kantonet janë të mbushura me para lotarie dhe nuk dinë çfarë të bëjnë me to.

Ata kanë mbi një miliard franga – dhe kjo shumë po rritet.

Autoritetet e lotarisë janë të qeta për shumën, duke theksuar se nuk ka detyrim për të shpenzuar paratë në një afat të caktuar kohor, transmeton albinfo.ch.

Instituti Avenir Suisse thotë se paratë duhet t’u kthehen njerëzve.

Sipas llogaritjeve të tyre, të gjithë mund të marrin 115 CHF.

Aktualisht, paratë në përgjithësi po shpenzohen për kulturë, sport dhe mirëmbajtjen e aseteve që konsiderohen të vlefshme. Por ende ka shumë të mbetura.

Vrapimi i Nëntorit – në zemër të Kosovës, nën ngjyrat kuq e zi

Në Ditën e Flamurit, ju ftojmë të merrni pjesë në një ngjarje të veçantë sportive e simbolike – Vrapimi i Nëntorit, që zhvillohet në Skenderaj të Kosovës, aty ku historia dhe sporti bashkohen.

Ky aktivitet përfshin dy gara unike, që u përshtaten niveleve të ndryshme të vrapuesve:

  • 🟥 11 km KUQ (270 m D+)
  • 28 km ZI (870 m D+)

“Vrapimi i Nëntorit” bashkon sportistë e dashamirë të natyrës nën ngjyrat kuqezi.
Një mundësi për të festuar Ditën e Flamurit duke vrapuar, për të ndarë pasionin për sportin dhe për të ndjerë frymën e unitetit shqiptar.

📅 Data: 28 Nëntor 2025
📍 Vendi: Kosovë
🔗 Regjistrime: Klikoni këtu