Më shumë këshillime dhe pagesa kompensimi për viktimat në Zvicër gjatë vitit 2025

Qendrat e ndihmës për viktimat në Zvicër ofruan 55.260 këshillime gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 7 për qind krahasuar me vitin paraprak. Në të njëjtën kohë, pagesat për kompensim dhe dëmshpërblim u rritën me 10 për qind, duke arritur në 7.3 milionë franga zvicerane, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), 72 për qind e personave që kërkuan ndihmë ishin gra ose familjarë të viktimave, ndërsa 17 për qind e tyre ishin të mitur në kohën kur morën këshillim. Pak më shumë se 40 për qind e personave që iu drejtuan këtyre shërbimeve ishin shtetas zviceranë.

Rastet më të shpeshta për të cilat është kërkuar ndihmë lidhen me lëndimet trupore dhe sulmet fizike. Rreth një e treta e konsultimeve kanë pasur të bëjnë me shantazh, detyrim ose kërcënime, ndërsa 28 për qind kanë qenë të lidhura me vepra penale seksuale.

Në Zvicër, viktimat e veprave penale kanë të drejtë të marrin këshillim, mbështetje psikologjike, juridike dhe në raste të caktuara edhe ndihmë financiare. Këto shërbime ofrohen pavarësisht kombësisë së viktimës dhe pa qenë e nevojshme që autori i veprës të jetë identifikuar ose dënuar.

Rritja e numrit të këshillimeve dhe e kompensimeve tregon se gjithnjë e më shumë persona po i drejtohen shërbimeve të specializuara për mbështetje pas përjetimit të dhunës, kërcënimeve apo formave të tjera të krimit.

Lufta me Iranin rrezikon të ngadalësojë ekonominë zvicerane

Lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet e vazhdueshme me Iranin mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë zvicerane.

Ekonomistët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi rritjen ekonomike dhe inflacionin në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Sipas analizave të publikuara nga banka UBS, konflikti ka rritur ndjeshëm kostot e karburanteve dhe produkteve energjetike. Aktualisht, konsumatorët zviceranë po paguajnë rreth 170 milionë franga më shumë në muaj për produkte të lidhura me naftën, si benzina dhe vaji për ngrohje.

UBS ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Zvicrës në vitin 2026 nga 0.9% në 0.7%, ndërsa inflacioni pritet të jetë më i lartë se sa ishte parashikuar më herët.

Ekonomistët paralajmërojnë se nëse konflikti zgjatet dhe furnizimet globale me energji përkeqësohen, rreziku i recesionit do të rritet ndjeshëm.

Edhe organizata ndërkombëtare si OECD kanë ulur parashikimet për ekonominë botërore. Sipas skenarëve të tyre, një konflikt i zgjatur mund të ngadalësojë rritjen globale dhe të nxisë inflacion më të lartë në shumë vende për shkak të çmimeve të energjisë dhe transportit.

Ekspertët theksojnë se Zvicra mbetet relativisht e mbrojtur falë stabilitetit të saj ekonomik, por si një ekonomi e varur nga tregtia ndërkombëtare dhe importet e energjisë, ajo nuk mund t’i shmangë plotësisht pasojat e krizës në Lindjen e Mesme.

Në Cyrih promovohet libri “Drejtësia pa llogaridhënie” i Ibish Nezirit

Autori shqiptar sjell një analizë të Raportit Marty, Dhomave të Specializuara dhe deformimit të drejtësisë

Më 14 qershor 2026, në Cyrih do të promovohet libri “Drejtësia pa llogaridhënie” i autorit Ibish Neziri, një vepër që trajton tema të ndjeshme dhe me interes të veçantë për opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të organizatorëve, libri fokusohet në Raportin Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimin e drejtësisë, duke ofruar një analizë dhe këndvështrim kritik mbi këto procese.

Promovimi do të mbahet më 14 qershor 2026, duke filluar nga ora 16:30, në GZ Seebach, në adresën Hertensteinstrasse 20, 8052 Cyrih.

Organizatorët kanë ftuar komunitetin shqiptar dhe të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në këtë ngjarje kulturore e intelektuale, ku do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me përmbajtjen e librit dhe me autorin.

Për informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrat: +41 79 557 02 64 dhe +41 76 419 11 10.

Video tronditëse në Cyrih: Adoleshenti rrihet brutalisht dhe kërcënohet me armë

Një incident i rëndë dhune mes të rinjve ka tronditur opinionin publik në Zvicër, pasi në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që tregojnë një adoleshent duke u sulmuar brutalisht nga një grup bashkëmoshatarësh në Wetzikon, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, ngjarja ka ndodhur të premten në mbrëmje, kur disa të rinj dyshohet se kanë rrethuar viktimën dhe e kanë goditur vazhdimisht me grushte dhe shqelma, ndërsa ai ndodhej i shtrirë në tokë dhe i pafuqishëm për t’u mbrojtur.

Pamjet e publikuara tregojnë se sulmi ka qenë veçanërisht i dhunshëm, me disa persona që godasin njëkohësisht të miturin. Në një video tjetër, pas përfundimit të rrahjes, viktima shihet e ulur në tokë, ndërsa një person i afrohet me atë që duket si armë zjarri dhe ia drejton në kokë, në skena që kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse objekti i përdorur ishte armë e vërtetë. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat lokale, adoleshenti dyshohet se është kërcënuar edhe me një hanxhar, megjithëse kjo nuk shihet në videot e shpërndara.

Pas incidentit, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spital. Ndërkohë, Policia Kantonale e Cyrihut ka konfirmuar se ka pranuar kallëzim lidhur me rastin dhe se hetimet janë në zhvillim.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e personave të përfshirë, por sipas burimeve mediatike, si viktima ashtu edhe të dyshuarit janë të mitur. Rasti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi dhunën mes të rinjve dhe sigurinë në shkollat dhe komunitetet lokale në Zvicër. /Albinfo.ch

VIDEO

Vaud lejon festimet me bori pas fitoreve të Zvicrës në Kupën e Botës, por me kufizime

Autoritetet në kantonin Vaud kanë njoftuar se do të lejojnë festimet e tifozëve në rast të fitoreve të kombëtares së Zvicrës gjatë Kupës së Botës FIFA që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë kantonale, tifozët do të mund të organizojnë kolona automjetesh dhe të përdorin boritë për të festuar sukseset e përfaqësueses zvicerane, por vetëm brenda një afati të kufizuar prej 60 minutash pas përfundimit të ndeshjes.

Autoritetet kanë theksuar se festimet nuk duhet të zgjasin më shumë se një orë dhe se aktivitetet pas orës 22:00 nuk rekomandohen, me qëllim që të mos shqetësohet qetësia e banorëve gjatë natës.

Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të festojnë me përgjegjësi dhe respekt ndaj qytetarëve të tjerë, duke ruajtur rendin publik dhe qetësinë në zonat e banuara.

Masa synon të balancojë entuziazmin sportiv me nevojën për respektimin e rregullave të bashkëjetesës dhe pushimit të natës në kanton. /Albinfo.ch

SHBA kërkon që Kosova t’i bashkohet projektit të gazit LNG, mbështet edhe gazifikimin e qymyrit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen ndaj Kosovës për t’iu bashkuar projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike dhe diversifikimit të burimeve të energjisë në vend.

Në një përgjigje për media, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka bërë të ditur se Uashingtoni mbështet një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sektorit energjetik, e cila përfshin përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme dhe integrimin e Kosovës në projektin rajonal të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

“Një gjë është e qartë: Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e brendshme”, ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së, duke theksuar nevojën për investime dhe alternativa të reja energjetike.

Sipas Ambasadës, vendi duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë në dispozicion për të përmbushur rritjen e pritshme të kërkesës për energji në vitet e ardhshme, duke rritur njëkohësisht sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit.

“Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e energjisë në dispozicion për të përmbushur rritjet e pritura të kërkesës në të ardhmen, për të rritur diversitetin dhe sigurinë e energjisë, si dhe për të zvogëluar varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike”, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane ka theksuar se diversifikimi energjetik nuk nënkupton zgjedhjen e një burimi në dëm të një tjetri, por krijimin e mundësive të shumta dhe të besueshme që do t’i mundësojnë Kosovës të përballojë nevojat në rritje për energji.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur çështja e sigurisë energjetike dhe investimeve në sektorin e energjisë mbetet ndër prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës, për shkak të rritjes së konsumit dhe varësisë nga importet e energjisë elektrike.

Parlamenti zviceran kërkon kontroll më të rreptë për të huajt që qëndrojnë në banesat Airbnb

Dhoma e Kantonëve në Zvicër ka miratuar një mocion që kërkon forcimin e kontrollit ndaj shtetasve të huaj që qëndrojnë në banesa të marra me qira përmes platformave si Airbnb, përcjell albinfo.ch.

Mocioni u paraqit nga deputeti Mauro Poggia, i cili argumentoi se autoritetet duhet të kenë një pasqyrë më të qartë mbi vizitorët e huaj që përdorin këto forma akomodimi.

Sipas tij, disa persona të përfshirë në veprimtari kriminale mund të shfrytëzojnë platformat e qirasë afatshkurtër për t’u strehuar në Zvicër, duke e bërë monitorimin më të mirë të tyre një çështje të sigurisë kombëtare.

Mocioni u miratua të martën me 20 vota pro dhe 13 kundër, duke hapur rrugën për shqyrtimin e masave që do të mundësonin identifikimin dhe mbikëqyrjen më efektive të vizitorëve të huaj që rezervojnë akomodime përmes platformave online.

Propozimi vjen në një kohë kur autoritetet zvicerane po diskutojnë mënyra të reja për të balancuar zhvillimin e ekonomisë së ndarjes me kërkesat për siguri dhe transparencë më të madhe në sektorin e turizmit. /Albinfo.ch

Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 6,8%

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, sipas të cilit inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6,8 për qind, krahasuar me majin e vitit 2025, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja e përgjithshme e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi në disa sektorë kyç të ekonomisë, me theks të veçantë në transport dhe energji.

Transporti dhe energjia me rritjet më të mëdha

ASK bën të ditur se rritja vjetore e inflacionit është ndikuar kryesisht nga:

* Transporti: +14.1%
* Strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse: +13.2%
* Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët: +5.6%

Rritje të ndjeshme janë regjistruar gjithashtu edhe në sektorë të tjerë si restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5.3%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (5.1%), shëndetësia (4.1%), si dhe mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (3.6%).

Po ashtu, rritje janë vërejtur edhe në kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme (3.0%), rekreacion dhe kulturë (2.7%), veshje dhe këpucë (2.4%), si dhe informacion dhe komunikim (0.2%).

E vetmja kategori me rënie vjetore të çmimeve është ajo e shërbimeve arsimore, me një ulje prej 0.6 për qind.

Rënie mujore e inflacionit në maj

Në krahasim me muajin prill 2026, inflacioni mujor në maj ka shënuar rënie prej 0.4 për qind.

Sipas ASK-së, kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në:

* Transport (-2.0%)
* Strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse (-0.7%)
* Ushqime dhe pije joalkoolike (-0.2%)
* Kujdes personal dhe shërbime të ndryshme (-0.1%)

Ndërkohë, rritje mujore janë regjistruar në disa kategori si pijet alkoolike dhe duhani (0.7%), shëndetësia (0.7%), mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (0.6%), informacioni dhe komunikimi (0.3%), veshjet dhe këpucët (0.3%), si dhe restorantet dhe akomodimi (0.2%).

Metodologjia e re e matjes së çmimeve

ASK thekson se publikimi i ri i të dhënave bazohet në klasifikimin COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar për matjen e çmimeve të konsumit, duke synuar rritjen e saktësisë në monitorimin e inflacionit në vend./Albinfo.ch

SVP: Imigracioni po shkakton bllokime trafiku në rrugët e Zvicrës

Partia e djathtë zvicerane Swiss People’s Party (SVP) ka intensifikuar fushatën e saj në mbështetje të iniciativës “Jo 10 milionëve”, duke argumentuar se rritja e imigracionit po ndikon drejtpërdrejt në mbingarkimin e rrugëve në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Sipas deputetes së SVP-së, Stefanie Heimgartner, rreth 100 mijë shtetas të huaj që vendosen çdo vit në Zvicër janë duke kontribuar në rritjen e bllokimeve në trafik, duke bërë që drejtuesit e automjeteve të kalojnë afro 55 mijë orë shtesë në kolonat rrugore çdo vit.

Ajo theksoi se kjo situatë nuk përbën vetëm një shqetësim për udhëtarët e përditshëm, por edhe një barrë të konsiderueshme për ekonominë e vendit.

“Sistemi po përballet me mbingarkesë, bllokime dhe kosto në rritje. Ata që lejojnë rritje të pakufizuar të popullsisë, pranojnë me vetëdije këto pasoja”, është shprehur Heimgartner.

Deklaratat vijnë në kuadër të debatit politik rreth iniciativës së SVP-së për kufizimin e rritjes së popullsisë në Zvicër, një temë që vazhdon të ngjallë diskutime të forta mes partive politike dhe opinionit publik./Albinfo.ch

Aprovohen mbi 7 mijë pako me fletëvotime nga mërgata, refuzohen 142 të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë vendit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri të mërkurën më 10 qershor 2026 në orën 10:00, janë vlerësuar mbi 7 mijë pako me fletëvotime, prej të cilave 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.

Mungesa e dëftesës së regjistrimit, arsye kryesore e refuzimit

Elezi ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument ky me të dhëna unike që KQZ ua dërgon votuesve të regjistruar për votim me postë.

Sipas tij, vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako, ndërsa pjesa tjetër është refuzuar për arsye të tjera teknike që lidhen me verifikimin e procesit.

“Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës,” është bërë e ditur në njoftim.

Mbi 85 mijë pako të tërhequra nga kutitë postare në 22 shtete

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga diaspora. Sipas KQZ-së, këto pako janë tërhequr nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën.

Nga këto kuti postare janë grumbulluar mbi 85,700 pako me fletëvotime, të cilat tashmë janë transportuar në Kosovë për procesin e verifikimit dhe vlerësimit.

Mbi 104 mijë të regjistruar për votim me postë

Gjatë periudhës së regjistrimit nga 6 deri më 17 maj 2026, gjithsej 104,480 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Procesi i verifikimit pritet të përfundojë në ditët në vijim, pas së cilit KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Bie ndjeshëm numri i emigrantëve që vendosen në Gjermani

Numri i njerëzve që imigruan në Gjermani ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Federal Statistical Office of Germany, përcjell albinfo.de.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit të kaluar rreth 1.48 milionë persona u vendosën në Gjermani, një rënie prej 13 për qind krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, numri i personave që u larguan nga vendi ra me rreth 2 për qind, duke arritur në 1.25 milionë.

Si rezultat, imigrimi neto – diferenca ndërmjet numrit të personave që mbërrijnë dhe atyre që largohen – ishte 235 mijë persona, ose 45 për qind më pak se një vit më parë. Për krahasim, gjatë vitit 2024 imigrimi neto kishte qenë rreth 430 mijë persona.

Sipas autoriteteve statistikore, një nga arsyet kryesore të kësaj rënieje lidhet me zvogëlimin e numrit të ardhjeve nga vendet që tradicionalisht kanë pasur numër të lartë kërkuesish të azilit. Imigrimi neto nga Siria ra me 67 për qind, nga Afganistani me 41 për qind, ndërsa nga Ukraina u regjistrua një rënie prej 21 për qind.

Po ashtu, statistikat tregojnë se më pak qytetarë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian zgjodhën të shpërngulen në Gjermani gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, bilanci migrator i shtetasve gjermanë mbeti negativ. Rreth 97 mijë gjermanë më shumë u larguan nga vendi sesa u kthyen, krahasuar me 81 mijë në vitin paraprak.

Sipas të dhënave zyrtare, destinacionet më të preferuara për qytetarët gjermanë që u larguan nga vendi ishin Switzerland, Austria dhe Spain.

Të dhënat tregojnë se trendi i migracionit drejt Gjermanisë po vazhdon të normalizohet pas niveleve rekord të regjistruara në vitet e fundit./Albinfo.de

Shqiptarët në Holandë protestojnë në Hagë, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Shqiptarët që jetojnë në Holandë kanë organizuar një protestë në Hagë në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me protestuesit në Shqipëri përmes këngëve dhe thirrjeve patriotike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas organizatorëve, protesta kishte për qëllim të përcillte mesazhin e mbështetjes së diasporës për kërkesat e qytetarëve në Shqipëri, të cilët prej ditësh po protestojnë për ndryshime në skenën politike të vendit.

Protestuesit kërkuan forcimin e luftës kundër korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.

Tubimi në Hagë vjen në një kohë kur protesta të ngjashme janë organizuar edhe nga komunitete shqiptare në vende të tjera evropiane, duke reflektuar interesimin dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimet politike në Shqipëri.

Ndërkohë, në Shqipëri është paralajmëruar një tjetër protestë kombëtare, e cila pritet të shënojë ditën e 11-të të mobilizimit qytetar dhe të mbledhë protestues nga qytete të ndryshme të vendit. /Albinfo.ch

 

Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe, arrihet marrëveshja me Mallorcan

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe, pasi klubi turk ka arritur marrëveshje me RCD Mallorca për transferimin e tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të gazetarit turk Yağız Sabuncuoğlu, marrëveshja mes dy klubeve është mbyllur për shumën prej 15 milionë eurosh. Fenerbahçe do ta shlyejë këtë shumë në këste gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa në kontratë është përfshirë edhe një klauzolë që i garanton Mallorcas 10 për qind të vlerës së një transferimi të ardhshëm të lojtarit.

Raportohet se edhe vetë Muriqi ka arritur marrëveshje personale me klubin nga Stambolli dhe ka dhënë pëlqimin për rikthimin e tij në futbollin turk.

Tashmë priten vetëm procedurat formale për finalizimin e transferimit, ndërsa sulmuesi kosovar pritet të udhëtojë drejt Stambollit gjatë javës së ardhshme për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën e re.

Muriqi kishte lënë gjurmë te Fenerbahçe gjatë aventurës së tij të parë në Turqi, para transferimit te SS Lazio. Pas paraqitjeve mbresëlënëse me Mallorcan në kampionatin spanjoll, drejtuesit e klubit turk kanë vendosur ta rikthejnë “Piratin”, duke e konsideruar një nga përforcimet më të rëndësishme për sezonin e ri.

Rikthimi i tij pritet të mirëpritet me entuziazëm nga tifozët e Fenerbahçes, të cilët vazhdojnë ta kujtojnë me simpati periudhën e tij të parë me fanellën verdheblu. /Albinfo.ch

Albulena Haxhiu merr pjesë në Samitin e SEECP në Sofje

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë sot në Samitin e South-East European Cooperation Process, i cili po mbahet në Sofia, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim rajonal të nivelit të lartë, ku këtë vit shënohet 30-vjetori i nismës SEECP, Kosova do të përfaqësohet nga Haxhiu në diskutimet që pritet të fokusohen në bashkëpunimin rajonal, stabilitetin, integrimin evropian dhe sfidat e përbashkëta të vendeve të Evropës Juglindore.

Samiti shënon edhe përmbylljen e presidencës njëvjeçare të Bulgaria në kuadër të SEECP-së. Pas përfundimit të mandatit bullgar, presidenca e radhës do t’i kalojë Romania për vitin e ardhshëm.

Liderë dhe përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit pritet të diskutojnë mbi forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe avancimin e proceseve integruese evropiane.

Samiti në Sofje konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme të dialogut dhe koordinimit rajonal në Evropën Juglindore, duke mbledhur përfaqësuesit më të lartë institucionalë të vendeve pjesëmarrëse./Albinfo.ch

Numërohen mbi 55% e vendvotimeve, Kurti kandidati më i votuar deri më tani

Procesi i numërimit të votave për kandidatët në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon, ndërsa deri tani janë procesuar 1.378 nga gjithsej 2.498 vendvotime, ose mbi 55 për qind e tyre, transmeton albinfo.ch.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me rreth 43 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me më pak se 18 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 7 për qind.

Bazuar në formulën D’Hondt dhe rezultatet aktuale, përbërja e Kuvendit pritet të jetë:

* LVV – 48 deputetë

* PDK – 24 deputetë

* LDK – 20 deputetë

* Aleanca – 8 deputetë

Megjithatë, rezultati mund të pësojë ndryshime pasi ende nuk janë numëruar mbi 100 mijë vota të diasporës.

Kandidatët më të votuar deri tani

Te LVV-ja, kandidati më i votuar është Albin Kurti me 130.818 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 102.908 vota dhe Albulena Haxhiu me 59.591 vota.

Në PDK, më i votuari është Bedri Hamza me 64.092 vota, pasuar nga Përparim Gruda dhe Arian Tahiri.

Te LDK-ja, listën e prin Vjosa Osmani me 42.525 vota, ndërsa pas saj renditen Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Ndërkaq, në Aleancë kandidati më i votuar deri tani është Ardian Gjini me 21.843 vota, i ndjekur nga Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa vëmendja mbetet te votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe mandateve parlamentare. /Albinfo.ch

Gjermani: Burgim i përjetshëm për 28-vjeçarin me prejardhje nga Kosova që tentoi të vriste ish-partneren

Një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka apeluar vendimin e një gjykate në Gjermani, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm pasi e shpalli fajtor për tentim vrasjeje ndaj ish-partneres së tij, transmeton albinfo.de.

Referuar mediave gjermane, vendimi ishte marrë më 28 maj nga Regional Court of Neubrandenburg, ndërsa apelimi është konfirmuar nga zyrtarët e gjykatës. Rasti pritet të shqyrtohet nga Federal Court of Justice of Germany.

Sipas aktgjykimit, 28-vjeçari, shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, akuzohet se më 23 janar 2025 kishte tentuar ta vriste ish-të dashurën e tij 44-vjeçare duke e goditur me veturë në trafik në qytetin Waren.

Gjykata konstatoi se ai kishte drejtuar automjetin qëllimisht në korsinë e kundërt pasi kishte vërejtur ish-partneren e tij në automjetin e saj. Sipas gjetjeve të gjykatës, marrëdhënia mes tyre kishte qenë e tensionuar dhe e shoqëruar me konflikte, ndërsa në javët para ngjarjes ai dyshohet se e kishte fyer dhe kërcënuar me vdekje përmes mesazheve.

Për këtë rast, gjykata e shpalli fajtor për tentativë vrasjeje, lëndim të rëndë dhe të rrezikshëm trupor, si dhe për ndërhyrje të qëllimshme dhe veçanërisht të rrezikshme në trafikun rrugor.

Gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari kishte zgjedhur të mos japë deklarata lidhur me akuzat, ndërsa sipas gjykatës, ai kishte shprehur keqardhje vetëm në fjalën e tij përfundimtare drejtuar familjes së viktimës.

Si pasojë e ngjarjes, gruaja 44-vjeçare ka mbetur në gjendje vegjetative të vazhdueshme. Sipas vlerësimit të gjykatës, ajo ka pësuar dëmtime të rënda dhe të pakthyeshme në tru, duke e bërë rastin një nga më të rëndët e trajtuar nga autoritetet gjermane në periudhën e fundit./Albinfo.de

 

 

 

 

 

Aksident, policia gjermane.
Policia gjermane, aksident, Gjermani

“Festa e Byrekut” bashkon qindra shqiptarë në Çikago për të tretin vit radhazi

Qindra shqiptarë u mblodhën në Çikago, Illinois, në kuadër të edicionit të tretë të “Festës së Byrekut”, një nga aktivitetet më të mëdha verore të komunitetit shqiptar në rajonin e Midwest-it në Shtetet e Bashkuara, transmeton albinfo.ch.

Ky festival, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të përvitshme, solli së bashku familje, të rinj dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar për të festuar kulturën, traditat dhe gastronominë shqiptare.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drilon Zogaj, i cili përcolli urimet në emër të Consulate of the Republic of Kosovo in Iowa për organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit.

Ai shprehu mirënjohje për Albanian Community of Illinois dhe për të gjithë kontribuuesit që ndihmuan në realizimin e këtij eventi të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

“Festa e Byrekut” vazhdon të shërbejë si një pikë takimi për shqiptarët në diasporë, duke promovuar traditat, kulturën dhe lidhjet mes bashkatdhetarëve përtej oqeanit./Albinfo.ch

Nga ChatGPT te startupi miliardësh: Mira Murati prezanton vizionin e ri

Pas 18 muajsh larg vëmendjes publike, shqiptarja Mira Murati është rikthyer në skenën globale të teknologjisë duke prezantuar vizionin e startup-it të saj, Thinking Machines Lab⁠, dhe duke ngritur shqetësime për ritmin e shpejtë të zhvillimit të inteligjencës artificiale, përcjell albinfo.ch.

Startup-i i Muratit ka siguruar rreth 2 miliardë dollarë financim dhe ka rezervuar kapacitete të konsiderueshme llogaritëse me procesorët e NVIDIA⁠, duke u konsideruar si një nga projektet më ambicioze në industrinë globale të AI-së.

Megjithatë, kompania është përballur edhe me sfida, përfshirë largimin e disa bashkëthemeluesve dhe studiuesve drejt OpenAI⁠ dhe Meta⁠. Pavarësisht kësaj, Murati mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një laboratori që synon të ndryshojë mënyrën se si njerëzit bashkëpunojnë me inteligjencën artificiale.

Gjatë paraqitjes së saj, ajo prezantoi konceptin e “interaction models”, sisteme të projektuara për ta bërë ndërveprimin mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale më natyral, më intuitiv dhe më të dobishëm në jetën e përditshme.

Mesazhi kryesor i Muratit ishte se zhvillimi i AI-së po ecën me ritme të jashtëzakonshme, ndërsa rregulloret, mekanizmat e kontrollit dhe format e qeverisjes nuk po arrijnë ta ndjekin të njëjtin ritëm.

E njohur si një nga figurat kyçe pas zhvillimit të ChatGPT, DALL·E dhe projekteve të tjera të rëndësishme të OpenAI-t, Mira Murati po përpiqet tani të ndërtojë një nga laboratorët më të fuqishëm të inteligjencës artificiale në botë, duke vendosur njëkohësisht theks të veçantë te siguria dhe përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë./Albinfo.ch

Shqiptarja në Bruksel, Denajda Bajraktari, publikohet në revistën prestigjioze juridike belge ‘DAOR’

Shqiptarët në diasporë po dëshmojnë gjithnjë e më shumë se janë pjesë e rëndësishme e profesioneve elitare në Evropë. Një prej emrave që po spikat në fushën juridike është edhe avokatja shqiptare në Bruksel, Denajda Bajraktari, e cila është përfshirë për herë të dytë në revistën prestigjioze juridike “DAOR” (Revue internationale du droit des affaires / Internationaal tijdschrift voor ondernemingsrecht), një nga botimet më të njohura në Belgjikë dhe në fushën e së drejtës evropiane të biznesit, transmeton albinfo.ch.

Numri më i fundit i revistës trajton tema të rëndësishme që lidhen me përgjegjësinë e administratorëve të kompanive, të drejtën tregtare dhe zhvillimet bashkëkohore juridike në Evropë. Artikujt janë përgatitur nga profesorë universitarë, studiues, juristë dhe avokatë me reputacion të lartë profesional në Belgjikë dhe më gjerë.

Në mesin e këtyre profesionistëve renditet edhe Denajda Bajraktari, e cila prej vitesh ushtron profesionin e avokates në Bruksel dhe është e angazhuar në fushën e së drejtës së biznesit dhe çështjeve juridike ndërkombëtare. Përfshirja e saj në një revistë të këtij niveli konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm profesional dhe akademik.

Ky sukses ka një domethënie të veçantë edhe për komunitetin shqiptar në diasporë. Ndërsa shpesh vëmendja përqendrohet te arritjet në sport, art apo biznes, suksese të tilla dëshmojnë gjithashtu praninë dhe kontributin e shqiptarëve në profesionet juridike dhe akademike në zemër të Evropës.

Historia e Denajda Bajraktarit përbën një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë që ndjekin studimet në juridik, marrëdhënie ndërkombëtare apo fusha të tjera profesionale, duke dëshmuar se me përkushtim, dije dhe profesionalizëm është e mundur të arrihen nivelet më të larta të karrierës në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Denajda Bajraktari
Denajda Bajraktari,

Shqiptari nga Kosova kurorëzon suksesin akademik, fiton titullin “Doktor Shkence” në Suedi

Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare. Florim Delijaj, shqiptari i cili jeton dhe vepron në Suedi, u dekorua me titull “Doktor Shkence” në Uppsala University, një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Ky promovim shënon përmbylljen e një rrugëtimi të gjatë akademik dhe profesional, të karakterizuar nga përkushtimi, këmbëngulja dhe puna e vazhdueshme. Nga ndërprerja e studimeve në Kosovë gjatë fillimit të viteve ’90, deri te diplomimi, specializimi dhe doktoratura në Suedi, historia e tij paraqet një shembull të fuqishëm të suksesit përmes dijes dhe angazhimit.

Punimi i doktoraturës së Dr. Delijajt ishte i fokusuar në trajtimin e apnesë obstruktive të gjumit, një fushë me rëndësi të veçantë në mjekësinë moderne. Hulumtimi u realizua paralelisht me angazhimin e tij të përditshëm si mjek në pozita me përgjegjësi të larta drejtuese, duke e bërë këtë arritje edhe më të veçantë, transmeton tutje albinfo.ch.

Suksesi i tij konsiderohet një dëshmi e potencialit dhe profesionalizmit të bashkatdhetarëve në diasporë, si dhe një shembull frymëzues për gjeneratat e reja që synojnë avancimin akademik dhe profesional.

Arritja e Dr. Florim Delijajt vjen si një tjetër dëshmi se investimi në arsim, përkushtimi dhe puna e palodhshme mund të sjellin rezultate të jashtëzakonshme dhe krenari për mbarë komunitetin shqiptar. /Albinfo.ch

Shkollat e Kosovës po zbrazen

Shkollat dhe universitetet në Kosovë po mbesin çdo vit më të zbrazëta. Bankat dikur të mbushura me nxënës e studentë, sot në shumë qytete po boshatisen gradualisht.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka publikuar statistikat e arsimit për vitin shkollor 2025/2026, të cilat tregojnë rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë.

Sipas të dhënave, përjashtim bën vetëm niveli parashkollor, ku është regjistruar një rritje e lehtë e numrit të fëmijëve, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në vitin shkollor 2025/2026, numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor ishte 35 mijë e 948, apo 1 mijë e 910 më shumë krahasuar me vitin paraprak, kur ishin 34 mijë e 38 fëmijë.

Nga ta, 24 mijë e 422 fëmijë apo 67.9 për qind janë në sektorin publik, ndërsa 11 mijë e 526 apo 32.1 për qind në sektorin privat.

Megjithatë, në nivelet tjera të arsimit, statistikat tregojnë rënie të vazhdueshme.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, numri i nxënësve ka rënë nga 208 mijë e 515 në vitin 2024/2025 në 198 mijë e 639 në vitin 2025/2026. Pra, për vetëm një vit, janë rreth 10 mijë nxënës më pak në shkollat e Kosovës.

Në sektorin publik janë regjistruar 194 mijë e 314 nxënës, ndërsa në sektorin privat vetëm 4 mijë e 325.

Edhe arsimi i mesëm i lartë ka shënuar rënie. Në vitin shkollor 2025/2026 janë regjistruar 62 mijë e 85 nxënës, krahasuar me 63 mijë e 551 një vit më parë.

Në shkollat publike janë 56 mijë e 892 nxënës, ndërsa në sektorin privat 5 mijë e 193. Rënie ka edhe në arsimin e lartë. Numri i përgjithshëm i studentëve në Kosovë ka rënë nga 64 mijë e 817 në vitin 2024/2025 në 64 mijë e 671 në vitin 2025/2026.

Në universitetet publike studiojnë 34 mijë e 208 studentë ose 52.9 për qind, ndërsa në kolegjet private 30 mijë e 463 studentë ose 47.1 për qind.

Krahasuar me vitin paraprak, universitetet publike kanë humbur mbi 2 mijë e 400 studentë, ndërsa kolegjet private kanë shënuar rritje. Shifrat tregojnë se Kosova po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve, ndërsa shkollat dhe universitetet publike po boshatisen.

Gjeneva mbetet qyteti me trafikun më të rënduar në Zvicër

Gjeneva vazhdon të kryesojë listën e qyteteve zvicerane me problemet më të mëdha në trafik, sipas të dhënave të fundit për qarkullimin rrugor, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët thonë se rritja e popullsisë, mungesa e banesave dhe numri i madh i punëtorëve që udhëtojnë çdo ditë nga Franca fqinje kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Sipas statistikave, shoferët në Gjenevë humbin mesatarisht mbi 140 orë në vit në kolona trafiku, duke e bërë qytetin më të ngarkuar në vend.

Autoritetet po investojnë në transportin publik dhe projekte të reja infrastrukturore, por specialistët paralajmërojnë se problemi nuk do të zgjidhet lehtë pa një planifikim më të mirë urban dhe më shumë banesa pranë vendeve të punës.