KQZ-ja në Kosovë hap afatet për listat zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit

Në Kosovë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur afatet për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve politike, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, nga 2 deri më 10 maj 2026, subjektet e reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë aplikimin për certifikim në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar. Ai ka sqaruar se, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces vlen vetëm për subjektet e reja politike.

Ndërkaq, KQZ ka caktuar periudhën nga 2 deri më 12 maj 2026 për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Ky afat 11-ditor vlen për të gjitha subjektet politike, përfshirë partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Dorëzimi i listave do të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedurat mbeten të njëjta me ato të zbatuara në zgjedhjet e fundit të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar./Albinfo.ch

Kërkohet 13-vjeçari Eduart Arifi në Radolfzell të Gjermanisë

Autoritetet në Radolfzell të Gjermanisë janë vënë në kërkim të 13-vjeçarit Eduart Arifi, i cili është raportuar i zhdukur që nga mëngjesi i sotëm në vendbanimin e tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas familjes, Eduarti është parë për herë të fundit në orët e para të ditës dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer në shtëpi. Ai vuan nga autizmi dhe ADHD, gjë që e bën situatën edhe më shqetësuese për familjarët dhe autoritetet.

Në momentin e zhdukjes, ai ka qenë i veshur me një xhaketë varsity me ngjyrë bardh e zi, me shkronjën “N”, si në fotografinë e shpërndarë nga familja.

Policia lokale në Radolfzell ka nisur kërkimet intensive në zonë, ndërsa familja u ka bërë apel qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion të mundshëm që mund të çojë në gjetjen e tij.

Për çdo informacion të dobishëm, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Radolfzell ose babain e tij në numrin: +49 178 2057076.

Familja kërkon ndihmën e publikut dhe lutet që çdo shikim apo informacion të raportohet menjëherë tek autoritetet./Albinfo.ch

Kori i Filharmonisë së Kosovës hap Festivalin “4 Tradita” në Kraków

Filharmonia e Krakówit ka ftuar audiencat në koncertet e edicionit të gjashtë të Festivalit “4 Tradita”, i cili po mbahet nga 30 prill deri më 10 maj 2026. Ky festival synon të prezantojë pasurinë e krijimtarisë artistike polake të frymëzuar nga traditat orientale, hebraike, ortodokse dhe latine, transmeton albinfo.ch. 

Festivali u hap mbrëmë me një performancë të veçantë të Ansamblit Vokal të Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi.

Ansambli solli një program të pasur muzikor, ku përfshiheshin edhe këngë tradicionale shqiptare, duke u bërë pjesë e atmosferës së festivalit që promovon trashëgiminë dhe diversitetin kulturor përmes muzikës./Albinfo.ch

Bebe Rexha shkëlqen në tapetin e kuq të “Billboard Women in Music 2026” në Los Angeles

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka qenë në qendër të vëmendjes në tapetin e kuq të eventit prestigjioz Billboard Women in Music 2026, i mbajtur më 29 prillHollywood Palladium në Los Angeles, transmeton albinfo.ch. 

Ngjarja, e organizuar nga Billboard, nderon gratë më me ndikim në industrinë muzikore dhe këtë vit u moderua nga Keke Palmer. Në mesin e të ftuarave dhe të vlerësuarave ishin edhe emra të njohur si Teyana Taylor, Zara Larsson, Kehlani, Tate McRae, Thalía dhe Laufey.

Në paraqitjen e saj, Rexha u dallua me një stil elegant dhe të guximshëm, duke zgjedhur një fustan të zi të ngushtë, të kombinuar me detaje pelushi në nuanca rozë-gri mbi supe. Ajo e kompletoi dukjen me çorape rrjete, taka elegante dhe aksesorë modernë, ndërsa flokët bionde në stil bob dhe grimi i theksuar i dhanë një pamje të fuqishme dhe karizmatike.

Pjesëmarrja e saj në këtë event vjen në një periudhë të rëndësishme të karrierës, pasi këngëtarja po përgatitet për publikimin e albumit të ri “Dirty Blonde”, që pritet të dalë më 12 qershor. Ndërkohë, ajo po shijon suksesin e këngës “New Religion”, në bashkëpunim me Faithless, e cila po pritet mirë nga publiku dhe po ngjitet në toplistat ndërkombëtare./Albinfo.ch 

 

“United FestivAlb” bashkon diasporën shqiptare në Nju-Jork

Në zemër të Nju-Jorkut, më 16 dhe 17 maj 2026, do të mbahet festivali “United FestivAlb”, një nga ngjarjet më të mëdha që synon të bashkojë diasporën shqiptare në Amerikën e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Me pjesëmarrjen e 23 artistëve shqiptarë dhe nën prezantimin e Alketa Vejsiut, festivali pritet të mbledhë mijëra shqiptarë nga shtete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanadaja, duke u shndërruar në një simbol të unitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.

Organizatorët theksojnë se “United FestivAlb” shkon përtej muzikës, duke synuar të lidhë brezat dhe të promovojë identitetin shqiptar në një skenë ndërkombëtare./Albinfo.ch

Violinistja Alda Dizdari mahnit publikun londinez në koncertin në “St. James Piccadilly”

Mbrëmjen e djeshme, në ambientin historik të kishës “St. James Piccadilly” në zemër të Londrës, u mbajt një koncert i nivelit të lartë nga London International Concert Orchestra (LICO), transmeton albinfo.ch.

Në qendër të këtij koncerti ishte violinistja shqiptare Alda Dizdari, e cila performoi si soliste dhe u prit me duartrokitje të shumta nga publiku i pranishëm.

Alda Dizdari, e shoqëruar nga LICO dhe nën drejtimin e dirigjentit Alexander Walker, interpretuan një program të pasur me vepra nga kompozitorët e njohur Dvorak, Sibelius dhe Tchaikovsky, duke krijuar një mbrëmje të veçantë artistike.

Ky koncert shënon rikthimin e Dizdarit në “St. James Piccadilly”, në kuadër të serisë së koncerteve në këtë vend, ndërsa ajo dhe dirigjenti Walker kanë bashkëpunuar në projekte të shumta, përfshirë edhe një incizim të publikuar në nëntor 2025 me muzikë të kompozitorit britanik Robin Holloway, realizuar me Orkestrën Kombëtare të BBC-së së Uellsit./Albinfo.ch

“Dy Emra / Two Names”, filmi nga Toronto që sfidon heshtjen mbi lirinë e gruas shqiptare

Nga rrugët e Torontos vjen filmi i shkurtër “Dy Emra / Two Names”, një rrëfim i fuqishëm që shkon përtej historisë së emigrimit dhe prek plagë të thella shoqërore, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të filmit është historia e një gruaje shqiptare në Kanada, e cila përballet me presionin e bashkëshortit për të abortuar. Përmes kësaj dileme, filmi trajton luftën e heshtur të një gruaje për të mbrojtur fëmijën dhe veten, duke vënë në pah konfliktin mes traditës, mbijetesës dhe lirisë personale.

“Dy Emra” guxon të prekë tema të ndjeshme si autonomia e gruas dhe identiteti interseks, duke sfiduar normat patriarkale dhe duke hapur debat mbi kufijtë e sakrificës dhe të drejtën për vendimmarrje.

Filmi është produksion i Action Production, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke krijuar një bashkëpunim mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kanadasë.

Projekti realizohet nga një ekip i njohur artistësh:

Regjia dhe skenari nga Florenc Papas, producente Gerta Qurku, drejtor fotografie Ilias Adamis, ndërsa në rolet kryesore shfaqen Rina Krasniqi dhe Afrim Muçaj.

Pavarësisht se ngjarja zhvillohet në emigrim, mesazhi i filmit është universal, duke shërbyer si thirrje për reflektim dhe dialog mbi të drejtat gjinore dhe integritetin njerëzor./Albinfo.ch

Njihuni me Flamur Ademin, talentin shqiptar që i bashkohet St. Gallen U15

Flamur Ademi, është përzgjedhur si pjesë e skuadrës së njohur zvicerane St. Gallen U15, pasi në një konkurrencë me rreth 200 fëmijë, ai u rendit në mesin e 22 futbollistëve më të talentuar, transmeton albinfo.ch.

Flamuri ka lindur më 21 dhjetor 2012 dhe futbollin e nisi që në moshën 6-vjeçare në Kreuzlingen. Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, ndërsa talenti i tij u dallua shpejt nga trajnerët, duke e çuar më pas në zhvillim profesional edhe në Burglen.

 

 

Me përkushtim dhe stërvitje intensive, përfshirë edhe punë shtesë me trajner të posaçëm, Flamuri tashmë ka arritur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Si çdo i ri, edhe ai ka ëndrra të mëdha: një ditë synon të vesh fanellën e klubeve si Bayern Munich dhe AC Milan, ndërsa idhujt e tij janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo./Albinfo.ch 

Mashtrim me investime në Shqipëri: Policia shkatërron rrjetin me qendra thirrjesh në Tiranë

Autoritetet në Shqipëri kanë shkatërruar një rrjet kriminal që operonte mashtrime të mëdha financiare përmes investimeve të rreme, duke përdorur edhe video të falsifikuara (deepfake) me politikanë, sportistë dhe gazetarë të njohur.

Sipas raportimeve, më 17 prill, policia ka kryer bastisje në tre qendra thirrjesh (call center) në kryeqytetin Tiranë, duke goditur një organizatë që dyshohet se ka mashtruar qytetarë në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, me një dëm që vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 891 mijë e 735 euro para të gatshme, 449 kompjuterë dhe 238 telefona mobilë, ndërsa 10 persona janë arrestuar.

Hetuesit bëjnë të ditur se rrjeti vepronte i organizuar si një kompani normale, me strukturë të plotë pune, duke përfshirë menaxherë, orare të ndërrimeve, departament të burimeve njerëzore, si dhe mbështetje teknike.

Sipas të dhënave, deri në 450 punonjës punonin në ekipe prej gjashtë deri në tetë personash dhe ishin të ndarë sipas gjuhëve të synuara, përfshirë gjermanishten, anglishten, italishten, greqishten dhe spanjishten. Punonjësit paguheshin rreth 800 euro në muaj, si dhe merrnin komision për çdo “kontratë” të realizuar.

Rrjeti, sipas hetimeve, i joshte viktimat përmes reklamave dhe videove të rreme të figurave publike, duke i shtyrë të investonin në platforma të dyshimta. Shumë viktima dyshohet se nuk e kanë raportuar rastin, gjë që mund të nënkuptojë se dëmi real është edhe më i madh se shifra e përmendur.

Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet po vazhdojnë dhe priten arrestime të tjera në lidhje me këtë rast./Albinfo.ch 

https://brnw.ch/21x257s

Zvicrës po i mbarojnë kombinimet e targave, Parlamenti kërkon lejimin e targave të personalizuara

Zvicra po përballet me një problem praktik: kombinimet e disponueshme për targat e automjeteve po shkojnë drejt përfundimit, çka ka shtyrë autoritetet të kërkojnë zgjidhje të reja, tranameton albinfo.ch. 

Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar ka shprehur mbështetje për lejimin e targave të personalizuara, duke miratuar një mocion që do t’u mundësonte qytetarëve të zgjedhin kombinime të veçanta për targat e tyre.

Mocioni është paraqitur nga deputeti Lorenzo Quadri dhe është miratuar me rezultat të ngushtë votash, 95 vota pro dhe 91 kundër.

Megjithatë, kjo nismë nuk mbështetet plotësisht nga Zyra Federale e Rrugëve (Bundesamt für Strassen), e cila ka paralajmëruar se lejimi i targave të personalizuara do të ishte një proces i kushtueshëm dhe kërkon organizim të ndërlikuar administrativ.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, vendimi i Këshillit Kombëtar tregon se autoritetet po e shohin këtë opsion si një zgjidhje të mundshme për mungesën e kombinimeve të reja të targave në Zvicër./Albinfo.ch 

Lucern: Gruaja gjendet në banesën e saj disa muaj pasi kishte vdekur

Një rast që ngre shumë pyetje. Një grua 61-vjeçare u gjet e vdekur në apartamentin e saj në fund të janarit. Vdekja e saj mbeti e pazbuluar për muaj të tërë, pavarësisht se kishte një kujdestar dhe vazhdonte “të merrte” pagesa, transmeton albinfo.ch.

Sipas gazetës, gruaja u zbulua vetëm pasi kujdestari i saj i ri nuk mundi ta kontaktonte. Ai më pas njoftoi policinë në konsultim me Autoritetin e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve (KESB). Policia e gjeti gruan të vdekur në apartamentin e saj, raporton “Luzerner Zeitung”.

Koha dhe shkaku i saktë i vdekjes janë ende të panjohura. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Cyrih po heton aktualisht. Raporti pritet brenda dy deri në tre javësh, tha zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik të Lucernës për gazetën.

Arsyeja pse askush nuk e zbuloi vdekjen e gruas më parë është pjesë e një hetimi të jashtëm nga një firmë avokatësh. Autoriteti i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve (KESB) nisi hetimin në mesin e shkurtit në konsultim me Drejtoreshën e Shërbimeve Sociale Melanie Setz. Rezultatet priten këtë verë.

Setz e përshkruan atë si një rast veçanërisht të pazakontë. Megjithatë, ajo thotë se aktualisht nuk ka asnjë tregues për ndonjë sjellje të keqe nga stafi që do të justifikonte veprime nga personeli.

KESB mbikëqyr kujdestarinë e shërbimeve sociale. Sipas Presidentes së KESB, Angela Marfurt, këto mandate normalisht rishikohen çdo dy vjet. Vdekja e gruas dhe zbulimi i mëvonshëm ndodhën pikërisht brenda këtij afati kohor. Për shkak se nuk ishte planifikuar asnjë shqyrtim i rregullt gjatë kësaj periudhe, KESB gjithashtu nuk e vuri re vdekjen e saj.

Që nga pandemia, hendeku mes pagave gjithnjë në rritje

Hendeku në mes të pagave midis menaxherëve të lartë dhe punonjësve është zgjeruar ndjeshëm që nga pandemia COVID-19.

Ky është përfundimi i një analize të realizuar nga organizata e zhvillimit Oxfam dhe Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave, e publikuar në Ditën e Punës, 1 maj, shkruan srf.ch.

Analiza ka zbulur se pagat e drejtorëve ekzekutivë, të përllogaritur për paritetin e fuqisë blerëse, janë rritur me një mesatare prej 54 për qind midis viteve 2019 dhe 2025.

Por, gjatë së njëjtës periudhë, pagat reale për punonjësit kanë shënuar ulje me 12 për qind në të gjithë botën, trnsmeton albinfo.ch. Prandaj, Oxfam po bën thirrje për taksa më të larta për super të pasurit në nivel global.

Sipas Oxfam, analiza është mbështetur mbi vlerësimin që u ka bërë 1,500 kompanive me pagat më të larta në 33 vende.

Mundësi me rrënjë shqiptare, Naim Fejzaj kthehet në ring pas sulmit në tru

Naim Fejzaj është një emër i njohur në skenën e mundjes tradicionale zvicerane, sport që njihet  me emrin “Schwingen”. Përpos për sukseset e konsiderueshme që ka arritur në këtë disiplinë të “rezervuar” për zviceranët autoktonë, Naimi është bërë i njohur për faktin se ka thyer tabunë, që duke qenë me prejardhje të huaj ka zgjedhur këtë sport “kaq zviceran”, shkruan albinfo.ch.

Por, ka një kohë që nuk është raportuar asgjë për Naim Fejzajn, biri i një shqiptari ng Kosova dhe i një kroateje. Albinfo.ch pati bërë prezantimin e Nimit vite më parë, kur ai ishte në fillimet e sukseseve të tij sportive. Tani mësohet se ai kishte pësuar goditje në tru.

Pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, mundësi Naim Fejzaj është rikthyer në ringun e “miellit të sharrës” (materiali i “ringut” ku zhvillohet ky sport, v.j.). Kosovari është mirënjohës që është gjallë.

Të dielën, Naim Fejzaj (31 vjeç) u rikthye në garë në ringun. Dhe kjo pak më shumë se një vit pasi ai mund të kishte vdekur. “Ndjeva një mirënjohje të madhe që mund të luftoj dhe të jem ende gjallë. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjenjë”, shpjegoi ai të nesërmen, shkruan blick.

I riu me rrënjë kosovare dhe kroate, fitues i njëmbëdhjetë kurorave do ta shënojë datën 17 mars 2025, për pjesën tjetër të jetës së tij. Fejzaj po qëndronte përpara nënës së tij kur ajo papritmas shpërtheu në lot. “Nuk mund të flisja më. Gjithçka tingëllonte normale në kokën time, por vetëm fjalë pa kuptim më dilnin nga goja.”Besimi si Burim Force

Në të njëjtën kohë, Fejzaj humbi të gjitha ndjesitë në krahun e djathtë. “Ishte sikur të kishte vdekur.” Fejzaj e kuptoi se nuk mund të lexonte ose të shkruante më vetëm pasi shkoi në spital. Atje, ai mori diagnozën e një goditjeje në tru.

“Qava sepse kisha frikë se do të isha i varur nga kujdesi për pjesën tjetër të jetës sime.” Por kjo nuk ndodhi sepse Fejzaj nuk u dorëzua kurrë. Ai luftoi për t’u rikthyer, hap pas hapi, trnsmeton albinfo.ch.

Përveç familjes dhe miqve të tij, besimi i tij në Zot gjithashtu i dha mbështetje dhe energji gjatë kësaj kohe të vështirë. “Ndodhën gjëra që më bënë të kuptoja se është dikush tjetër atje jashtë,” shpjegon besimtari mysliman.

Falë mbështetjes nga të gjitha anët, Fejzaj bëri përparim të shpejtë. Ai tani është rikthyer plotësisht në formën e tij të vjetër. Pasi mori pjesë në disa festivale zvicerane të mundjes, ai më në fund ishte në gjendje të garonte vetë.

Në festivalin rajonal të mundjes Toggenburg në Degersheim, St. Gallen, pati padyshim një pritje të madhe. Mirënjohja e tij, e shoqëruar me një dozë entuziazmi, e shoqëroi gjatë gjithë ditës dhe dukej se e frymëzoi.

Fejzaj la një përshtypje të fortë të parë që në fillim. Ai fitoi çuditërisht kundër Pascal Heierli, një kampion rajonal. Ishte e para nga gjithsej pesë fitoreve. Humbja e tij e vetme erdhi kundër fituesit përfundimtar, Werner Schlegel.

Fejzaj e përfundoi festivalin duke zënë një vend të tretë sensacional. “Jam më shumë se i kënaqur me performancën time. Nuk do ta kisha ëndërruar kurrë një rezultat të tillë.” “Falënderoj të gjithë ata që më qëndruan pranë dhe më mbështetën gjatë kësaj kohe të vështirë.”

“Jam kthyer. Por ky është vetëm fillimi.” Qëllimi i tij i madh është ESAF 2028 në Thun. Megjithatë, ai nuk dëshiron të shohë shumë larg përpara.

Që nga viti i kaluar, Fejzaj ka filluar ta vlerësojë çdo moment të vetëm të jetës.

Zvicër: Shitjet me pakicë, në rënie

Shitjet me pakicë në Zvicër kanë shënuar një rënie të vogël në muajin mars krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Të përllogaritura për shitjet dhe efektet e festave, shitjet kanë rënë me 0.1 për qind nominalisht në mars të këtij viti, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, në terma realë, kjo ka rezultuar në një rritje prej 0.5 për qind, siç njoftoi të premten Zyra Federale e Statistikave (BFS) bazuar në shifra të përkohshme.

Statistikat e shitjeve me pakicë sipas BFS-së bazohen në një mostër të rastësishme prej afërsisht 3,000 kompanish.

Anketa kryhet çdo muaj, ku kompanitë më të vogla pyeten për shifrat e tyre mujore të shitjeve çdo tremujor.

Aferë dashurie midis dy gjyqtarëve federalë

Një gjykatëse federale dhe një gjykatës federal dyshohet se kanë qenë në një marrëdhënie romantike mes vete. Dhe, kjo mund të ketë qenë e paligjshme.

Gjykata Supreme Federale konfirmoi se dy gjykatësit kishin një marrëdhënie për një periudhë të caktuar kohore deri vonë, transmeton albinfo.ch. Mbetet e paqartë nëse ata e kanë shkelur ligjin, shkruan revista “Weltwoche”.

Akti i Gjykatës Supreme Federale përcakton që dy gjykatës federalë nuk mund të jetojnë së bashku në një partneritet të përhershëm. Edhe nëse ata kanë shkelur një ligj, ata nuk mund të ndëshkohen në kohën sa shërbejnë në detyrë, pasi baza ligjore për një veprim të tillë aktualisht mungon.

Një mocion për këtë çështje është në pritje në Parlament.

Gjykata Supreme Federale do të ndryshojërRregullat

Në lidhje me marrëdhënien e supozuar romantike midis dy anëtarëve të saj, Gjykata Supreme Federale tani ka lëshuar një deklaratë. Ajo synon ta përdorë çështjen si një mundësi për të shqyrtuar pyetjet që rezultojnë në thellësi më të madhe, deklaroi gjykata.

Rregullat e saj në lidhje me marrëdhëniet midis anëtarëve të gjykatës do të ndryshohen, transmeton albinfo.ch. Gjykata Federale shkruan më tej se, sipas deklaratave të tyre, dy gjyqtarët e përfshirë e filluan marrëdhënien e tyre vetëm pas përfundimit të mandatit të tyre në Komisionin Administrativ dhe e kishin përfunduar atë para publikimit të artikullit në “Weltwoche” që e bëri çështjen publike.

KUR VESHJA BËHET IDENTITET!

Në një sallë të transformuar në një mozaik të gjallë tradite, ngjyrash dhe simbolesh, Berni përjetoi një nga ngjarjet më domethënëse të kulturës shqiptare në diasporë.

Promovimi i dokumentarit “Kostume shqiptare në Zvicër” dhe prezantimi i dy veshjeve të reja nga etnokostumografja Flora Balaj,  nuk ishte thjesht një aktivitet artistik,  ishte një akt i vetëdijes kombëtare sidomos këtu në mërgatë.

Një skenë që foli para fjalës!

Pa prezantime të zakonshme, me një shenjë simbolike çau heshtjen dhe hapi një mbrëmje që më shumë i ngjante një rituali kulturor sesa një programi formal. Vajzat e veshura me kostume tradicionale hynë në skenë me elegancë të rrallë, ndërsa melodia përcjellëse i dha hapësirës një dimension emocional të thellë tek të pranishmit.

Kulmi i këtij momenti ishte Himni Kombëtar,  si nderim i kombit tonë, një çast që e ngriti publikun në këmbë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht e emocionalisht.

Estetikë që rrëfen histori!

Fotot dëshmojnë qartë atë që publiku e përjetoi: një skenografi e menduar deri në detaje, me artefakte, në hyrje me një mirëseardhje.

Manekene me veshje tradicionale, qilima të kuq me motive shqiptare, baneri monumental me veshje kombëtare me mbishkrimin “Kostumet Popullore – Identitet Kombëtar” dhe flamujt kombëtarë: të Shqipërisë, Kosovës e Zvicrës, krijuan një hapësirë ku çdo element fliste për përkatësinë. Në qendër qëndronin veshjet e reja, jo si objekte ekspozimi, por si deklarata artistike varur si emblema pranë dritareve të sallës.

Dokumentari – arkiv i gjallë i identitetit!

Prania e regjisorit Llesh Nikolla i dha peshë të veçantë mbrëmjes. Sepse si artist që është ai e filloj me një poezi, rrëfimin e tij për këtë ngjarje të madhe. Ai e trajtoi dokumentarin jo si një realizim teknik, por si një akt ruajtjeje të kujtesës kolektive.

Filmi solli një rrëfim të ndjerë për kostumet shqiptare,  jo vetëm si veshje, por si gjuhë simbolike që mbart histori, dhimbje, krenari dhe identitet. Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të zbehen, ky dokumentar i riktheu ato në qendër të vëmendjes, përplot tridhjetë minuta të realizimit të saj, nga një armët e bashkëpunëtorëve të tija, në mesin e tyre Flora Balaj, si etnografe, Pren Balaj si Producent, dhe Gëzim Arifin si kameraman, e Shkëlzen Rexha si fotograf.

Tinguj që zgjojnë kujtesën!

Atmosfera u thellua edhe më shumë me interpretimin e mjeshtrit të madh të çiftelisë z.Fatmir Makolli i cili kishte ardhur enkas nga Kosova për këtë eviniment. Tingujt e çiftelisë dhe mishnicës krijuan një lidhje të drejtpërdrejtë mes skenës dhe rrënjëve, duke e bërë publikun të ndjejë jo vetëm muzikën, por edhe historinë që ajo mbart ndër breza, sepse Aurelia Balaj një vajzë debutante në çifteli po ja mbante perden për një vargë melodish, që nuk dinin të ndalen nga gishtat e kalitur tash e 50 vite me radhë.

Fëmijët – vazhdimësia e identitetit!

Një nga momentet më prekëse, siç dëshmohet edhe në foto, ishte paraqitja e fëmijëve të SH.K.A “Dardania”, me seli në Winterthur, me vallen instrumentale të dy motrave Aurelia dhe Kleofina Balaj dhe me këngën: “Zemra m`rreh për ty Shypni” kënduar nga motrat Lejla dhe Sara Grabovci.

Me instrumente në duar dhe të veshura me veshje tradicionale, ato sollën një energji të re, të pastër dhe tejet autentike, e veqanarisht të drejtpërdrejt, para të pranishmëve. Ato nuk performuan thjesht, ato dëshmuan se kultura shqiptare ka të ardhme.

Kur tradita bëhet krijim!

Në qendër të mbrëmjes qëndronte puna e Flora Balaj. Dy veshjet e saj të reja nuk ishin vetëm rikrijime, por ishin interpretim i guximshëm për  traditën.

“Paja e nuses” ishte më emocionale, më personale, sepse ajo ishte kujtua që pajën e nusërisë ta bënte veshje, nga të gjitha punimet ngjitur me kujdes nga një pjesë, dhe ajo vërtet ishte një ide dhe një risi e madhe për shumë të pranishëm e sidomos të studiuesve tanë, që ishin prezent.

Ndërsa “Kostumi Popullor Shqiptar” sfidoi kufijtë krahinorë, duke ofruar një identitet më të gjerë dhe bashkim i katër zona tona kryesore të veshjeve më kryesore, dhe që erdhi si një sintezë e disa kombinimeve etnografike,  një bashkim simbolik i trojeve shqiptare në një veshje të vetme.

Këto krijime dëshmuan se tradita nuk është e ngrirë, ajo evoluon.


Zëri i dijes dhe përgjegjësisë!

Akademik Prof. Dr. Zymer Neziri e cilësoi këtë ngjarje si një shembull të rëndësishëm të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke i motivuar që të vazhdohet edhe më tutje kështu sepse përmes veshjeve tona të pasura që kemi, bota edhe na nderon, por edhe po habitet që si ka mundësi që në një popull kaq të vogël, të ketë kaq shumë lloje veshjesh të qëndisura në forma të ndryshme, shpesh edhe me simbole kombëtare, fetare e krahinore të trevave tona.

Ndërsa Dr. Sibela Alimovska solli një dimension tjetër, të paraqitjes së saj sidomos, sfidat reale të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar jashtë kufijve, e në këtë rast edhe të qytetit të alfabetit tonë të gjuhës shqipe, Manastirin e lënë në mëshirën e kohës edhe harresës, dhe zhdukjen e gjurmëve tona të themeleve të historisë sonë.

Një sfilatë që u kthye në rrëfim kombëtar!

Sfilata ishte një spektakël më vete. Nga veriu në jug, nga Shqipëria në Kosovë e deri te veshjet Arbëreshe, çdo paraqitje ishte një histori më vete.

Publiku nuk po shikonte vetëm veshje – ai po shikonte vetveten, sepse secili nga të pranishmit kishte diçka të afërt me ato veshje që po shfaqeshin nga vajzat dhe djemtë e zgjedhur të stilistes Flora Balaj, e që me përkushtim i kishte veshur me kujdes, për tu dukur sa më mirë dhe sa më komplet.

Fjalët kryesore të këtij evinimenti!

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bern, Ermal Dredha, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare në mërgatë, duke vlerësuar iniciativa të tilla si një urë lidhëse mes brezave dhe identitetit.

Po ashtu, publicisti dhe presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore në Zvicër, Dr. Dashnim Hebibi, njëherësh editor i portalit Helveticalforum, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi lart gatishmërinë e diasporës shqiptare për të kontribuar edhe më shumë në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, duke veçuar guximin dhe vizionin e “Flora Style” për këtë iniciativë.

Fjalë rasti pati edhe Nazmi Jakurti, nga Lidhja Shqiptare në Botë, prej nga theksoj edhe vlerat që ka kjo ngjarje dhe ruajtja e vlerave tona kombëtare përmes veshjeve.

Një finale që lë gjurmë!

Në fund, paraqitja e SH.K.A “Dardania” shpërtheu në energji dhe emocion, duke dëshmuar nivelin e lartë artistik që kjo shoqëri ka arritur ndër vite, duke e mbushur skenën edhe me tre veta, sepse fustanella e bëri të veten me vallen e Osman Takës, dhe valle kollazhi të Çamërisë sonë, që edhe sot është jashtë kufijve tanë, por që në këtë mbrëmje ishte një afri dhe kënaqësi sidomos për Ambasadorin e Shqipërisë në Bern që u fascionua me këtë valle të veçantë për momente të tilla.

Mbrëmja u përmbyll me mirënjohje, për ata që sponsoruan, për ata që mbështeten në forma të ndryshme këtë eviniment, të organizuar nga Flora Style në Bern të Zvicrës.  Muzika dhe një atmosferë bashkimi, ardhur edhe nga Kosova, dhe Malësorja e Deçanit, e bëri atmosferën ku arti dhe identiteti u bënë një.

Më shumë se një event!

Ajo që ndodhi në Bern ishte më shumë se një aktivitet kulturor.

Ishte një dëshmi se diaspora shqiptare nuk është vetëm ruajtëse e traditës, por edhe krijuese aktive e saj.

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, kjo mbrëmje dha një mesazh të qartë:

Identiteti nuk humbet – ai rikrijohet.

Shefqet Cakolli, 28.04.2026

 

Shumica pro nismës “Jo Zvicër 10 milionëshe”: Këto janë qëndrimet e partive

Pas rreth shtatë javësh, Zvicra do të votojë për dy propozime në nivel kombëtar: iniciativën popullore të SVP-së “Jo Zvicër 10 milionëshe!” dhe amendamentin në Aktin e Shërbimit Civil. Instituti i sondazheve Leewas, në bashkëpunim me Tamedia, ka publikuar tani sondazhin e tij të parë mbi këtë çështje, transmeton albinfo.ch.

Ja për çfarë bëhet fjalë: Iniciativa popullore e SVP-së “Jo Zvicër 10 milionëshe (Iniciativa e Qëndrueshmërisë)” bën thirrje për kontroll më të rreptë të imigracionit për të kufizuar barrën mbi strehimin, transportin dhe infrastrukturën. Emri i iniciativës rrjedh nga përcaktimi i saj që, nëse pranohet, popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës nuk duhet të kalojë 10 milionë para vitit 2050, shkruan watson.ch.

Çfarë thonë sondazhet: Sipas sondazhit të fundit të Tamedia/Leewas, iniciativa e SVP-së për kufirin prej 10 milionësh, nëse do të votohej tani, do të pranohej. 52 për qind e më shumë se 16,000 njerëzve të anketuar aktualisht do të thoshin po. Një gjetje mbresëlënëse: Brenda vetë SVP-së ekziston një unitet mbresëlënës. 96 për qind e votuesve të SVP-së të anketuar e mbështesin iniciativën.

Megjithatë, propozimi gjen jehonë edhe te partitë e tjera, veçanërisht brenda FDP-së (Partia Liberale), e cila si parti në fakt mbështet refuzimin e iniciativës. Megjithatë, 54 për qind e votuesve të FDP-së aktualisht do t`i thoshin gjithashtu po kësaj iniciative. Mbështetja është 47% te votuesit e qendrës së djathtë (Die Mitte). Te Partia Social Demokrate (SP) aj është vetëm 16 për qind, te Partia Liberale e Gjelbër GLP 24 për qind dhe te Partia e Gjelbër 23 për qind.

Rezultati fillestar i anketës është i rëndësishëm. Duket se ka një mbështetje të fortë themelore për propozimin midis popullsisë. Iniciativat popullore zakonisht humbasin mbështetjen gjatë fushatës, përcjell albinfo.ch.

Bashkëkryetarja e FDP-së, Susanne Vincenz-Stauffacher, gjithashtu shpreson për këtë rezultat, siç i tha Tages-Anzeiger: “Është koha të jemi të ndershëm me popullin tonë.” Pasojat konkrete të iniciativës duhet t’i komunikohen publikut, tha në thelb Vincenz-Stauffacher.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me taksa të reja për makinat dhe kamionët evropianë

Do të vijnë taksa të reja nga SHBA-ja për makinat evropiane, sipas njoftimit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Përmes njoftimit në rrjetin e tij social ai deklaroi: “Duke pasur parasysh faktin se Bashkimi Evropian nuk po e respekton marrëveshjen tonë tregtare të dakordësuar plotësisht, shkruan ai, javën tjetër do të rris taksat e aplikuara ndaj Bashkimit Evropian për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Taksa do të rritet në 25%”, transmeton albinfo.ch.

Trump më pas siguron se “është plotësisht e kuptueshme dhe e rënë dakord që, nëse prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat amerikane, nuk do të ketë taksa.

Shumë fabrika makinash dhe kamionësh janë aktualisht në ndërtim e sipër, me mbi 100 miliardë dollarë të investuar, një rekord në historinë e prodhimit të makinave dhe kamionëve. Këto fabrika, me staf amerikan, do të hapen së shpejti. Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme me atë që po ndodh sot në Amerikë!”.

Studimi zviceran zbulon se inteligjenca artificiale dështon në parashikimin e ngjarjeve ekstreme të motit

Inteligjenca artificiale (IA) po e ndryshon pamjen e meteorologjisë, duke premtuar parashikime më të shpejta dhe më efikase. Por një studim i ri nga Universiteti i Gjenevës zbulon se IA nuk po e përmbush gjithmonë potencialin e saj.

Pikërisht kur moti bëhet ekstrem dhe kërcënon sigurinë e njerëzve dhe infrastrukturës, modelet e bazuara në të mësuarit automatik tregojnë thembrën e Akilit. Kjo zbulohet nga një studim i ri i udhëhequr nga Universiteti i Gjenevës dhe i botuar në revistën amerikane Science Advances.

Hulumtuesit krahasuan tre nga sistemet më të përparuara të IA-së për parashikimin e motit – GraphCast, Pangu-Weather dhe Fuxi – me modelin fizik të referencës HRES të Qendrës Evropiane për Parashikime të Motit me Afat të Mesëm (ECMWF). Vendimi është i qartë: përballë ngjarjeve rekord, IA është gabim sistematikisht.

Sipas studimit, periudhat ekstreme të të ftohtit parashikohen përgjithësisht të jenë më pak intensive sesa rezultojnë të jenë në realitet. Përkundrazi, majat e nxehtësisë nënvlerësohen duke parashikuar vlera më pak ekstreme sesa në realitet. Temperaturat e parashikuara janë më të ulëta se ato aktuale. Ka gjithashtu devijime të konsiderueshme për ngjarjet e erës së fortë. Por kjo nuk është e gjitha: modelet e IA-së jo vetëm që parashikojnë intensitetin e ngjarjeve ekstreme shumë dobët, por ato i parashikojnë ato edhe shumë rrallë krahasuar me atë që ndodh në të vërtetë.

“Këto rezultate nxjerrin në pah një sfidë qendrore për përdorimin e IA-së në parashikimin e ngjarjeve të motit me një ndikim të madh shoqëror”, shkruajnë autorët e hulumtimit.

Sipas tyre, problemi qëndron në zemër të mënyrës se si funksionon IA. Modelet mësojnë nga të dhënat historike: ato njohin sekuencat dhe korrelacionet që kanë ndodhur tashmë në të kaluarën. Por ngjarjet e regjistruara, sipas përkufizimit, bien jashtë këtij diapazoni të përvojës. Ajo që nuk ka ndodhur kurrë (ose ka ndodhur shumë rrallë) i shpëton logjikës statistikore të të mësuarit automatik, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Modelet fizike, në të kundërt, funksionojnë në një mënyrë rrënjësisht të ndryshme. Ato simulojnë evolucionin e atmosferës bazuar në ligje të pandryshueshme natyrore – termodinamika, mekanika e fluideve – që zbatohen pavarësisht nëse një fenomen i caktuar është vërejtur tashmë. “Fizika nuk ndryshon”, përmbledhin studiuesit. Kjo është arsyeja pse modelet tradicionale janë në gjendje të llogarisin edhe situata ekstreme që nuk janë parë kurrë më parë.

Zbulimi vjen në një kohë vendimtare. Me ndryshimet klimatike, ngjarjet ekstreme të motit janë në rritje dhe bashkë me to vjen edhe nevoja për parashikime të besueshme për të mbrojtur jetët, infrastrukturën, bujqësinë dhe furnizimin me energji. “Është thelbësore për sistemet e paralajmërimit të hershëm që një model të parashikojë me besueshmëri ndodhjen e ngjarjeve ekstreme”, theksojnë studiuesit. Nëse një valë e nxehtësisë nënvlerësohet ose një stuhi njihet shumë vonë, pasojat mund të jenë të rënda për shëndetin publik, sigurinë e furnizimit dhe operacionet e mbrojtjes civile.

Sipas autorëve të tij, studimi nuk e sheh këtë si një dështim të plotë të IA-së në meteorologji. Përkundrazi, ekipi i hulumtimit pranon se modelet e të mësuarit automatik ofrojnë “mundësi të reja të gjera”. Pyetja është se si të shfrytëzohen pikat e forta të saj pa u penalizuar nga kufizimet e tyre.

“Kombinimi i të dy botëve në një sistem parashikimi hibrid duket të jetë mënyra më e mirë përpara”, tha Roland Potthast, kreu i departamentit të modeleve në shërbimin meteorologjik gjerman DWD, kur u pyet nga Qendra e Medias Shkencore, një organizatë që vepron si një urë lidhëse midis shkencës dhe medias. “Në këtë mënyrë, avantazhet e të dy metodave mund të vihen në dispozicion të shoqërisë.”

Hulumtimet tashmë po eksplorojnë zgjidhje praktike, duke përfshirë qasje trajnimi që u japin peshë më të madhe ngjarjeve ekstreme dhe lloje të reja modelesh që mund të përfaqësojnë më mirë pasiguritë. Qëllimi është të arrihet në një sistem që kombinon shpejtësinë dhe efikasitetin e IA-së me qëndrueshmërinë fizike të modeleve tradicionale: një sfidë shkencore dhe teknologjike që mund t’u sjellë dobi të gjithë qytetarëve kur të përballen me valën e ardhshme të reve ose të nxehtit.

Për herë të parë pas disa viteve, u pa ariu në luginën e Zvicrës

Një foto-kurth ka kapur një ari në luginën Valposchiavo për herë të parë në cepin juglindor të Zvicrës prej disa vitesh.

Pas raportimeve të fundit për një ari në Engadin e Poshtëm, midis Ftan dhe Qafës Ofen, një ekzemplar është shfaqur edhe më në jug në pyjet midis Le Prese dhe Miralago në kantonin Graubünden.

Askush nuk e ka parë me sytë e vet, por prania e kafshës u konfirmua më 29 prill nga një foto-kurth privat midis Brusio dhe Poschiavo.

Informacioni është postuar në faqen e internetit të Zyrës së Kantonit Graubünden për Gjueti dhe Peshkim, e cila ka një hartë në të cilën raportohen pamjet, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Prania e një ariu në jug të Berninës nuk ishte zbuluar për disa vite. Pamja e fundit ishte në pranverën e vitit 2020, kur një ekzemplar u filmua me një telefon celular në mes të ditës në një kasolle gjuetie në zonën Splüga pranë Qafës Bernina.

Nga viti 2012 deri në vitin 2013, prania e ariut M13 kishte ngritur disa probleme në Valposchiavo. Ariu kishte humbur drojën ndaj njerëzve dhe ishte afruar në fusha dhe shtëpi të pabanuara në kërkim të ushqimit. Më 19 shkurt 2013, ai u qëllua në Miralago.

Stradner: Rezoluta amerikane për Kosovën në NATO është “sinjal i fortë politik”

Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për Ivanа Stradnerin nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington (FDD), rezoluta është “sinjal i fortë politik, pasi e afron Kosovën më pranë NATO-s në kuptimin strategjik”.

“Në letër, Kosova mund të mos jetë shumë më afër anëtarësimit, duke qenë se katër aleatë të NATO-s ende nuk e njohin, por ky është hap në drejtimin e duhur në një kohë kur gjendja e sigurisë në rajon po përkeqësohet”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028.

Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.

Stradner vlerëson se nismat në Kongres, siç është kjo rezolutë, mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojnë aleatët e NATO-s të ndryshojnë qëndrimet e tyre, por ato formësojnë mjedisin politik duke treguar se Uashingtoni e sheh Ballkanin si një çështje të papërfunduar strategjike dhe pret më shumë unitet brenda aleancës.

“Ato gjithashtu dërgojnë sinjal të qartë në debatin e brendshëm amerikan se nuk është koha për të kufizuar apo tërhequr angazhimet ushtarake amerikane nga aleanca në Ballkan, pavarësisht zërave të herëpashershëm në këtë drejtim. Një prani e qëndrueshme ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet thelbësore për parandalimin dhe stabilitetin afatgjatë”, thekson ajo.

Ka pasur zëra muajt e fundit se SHBA-ja mund t’i tërheqë trupat e saj nga NATO-ja, përfshirë nga misioni paqeruajtës i saj në Kosovë, KFOR.

Por, Pentagoni i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk kishte ndonjë njoftim për ndryshim të zhvendosjes së forcave.

Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s.

Dhe, sipas Stradnerit, kjo rezolutë gjithashtu “dërgon mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të investojnë në rolin dhe kohezionin e NATO-s”.

Rezoluta pasqyron “tensionet rajonale”

Stradner beson se paraqitja e rezolutës amerikane në këtë kohë pasqyron “si tensionet e vazhdueshme rajonale, ashtu edhe një garë më të gjerë gjeopolitike, ku zonat gri po shihen gjithnjë e më shumë si dobësi”.

Tensionet në rajon janë shtuar kohëve të fundit, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pretendon pa ofruar prova se vendet fqinje “po përgatitën” për sulm ndaj saj.

Për ta forcuar narrativin e tij, Vuçiq paralajmëroi javë më parë investime të reja në ushtri dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në një “situatë komplekse” sigurie, të shkaktuar nga aktivitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.

Ai po i referohej një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, dhe dy anëtareve të NATO-s: Shqipërisë dhe Kroacisë.

Që të tri vendet kanë thënë vazhdimisht se deklarata trepalëshe mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt dhe se synimi është zhvillimi i mbrojtjes.

Kosova, në anën tjetër, vitet e fundit e ka akuzuar Serbinë për agresion, për shkak të stërvitjeve ushtarake pranë kufirit të saj.

Stradner thotë se Ballkani Perëndimor ka treguar tashmë se sa shpejt mund të përshkallëzohen tensionet, duke i përmendur incidentet gjatë protestave të vitit 2023 në veriun e banuar me shumicë serbe, ku u lënduan mbi 90 paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Këto incidente, sipas saj, nënvizojnë se aleanca “nuk po përballet me rreziqe abstrakte, por me pika reale tensioni”.

“Derisa po përballet me vështirësi në luftën e tij në Ukrainë, Putini po kërkon mënyra të reja për të sfiduar Perëndimin, dhe hapja e një konflikti të ri në Ballkan është gjithmonë në ‘menynë ushtarake’ të tij, me ndihmën e Vuçiqit. Pikërisht për këtë arsye NATO ka interes për stabilitet në rajon”, thekson Stradner.

Ajo beson se mësimi që shumë politikëbërës e nxjerrin nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili nisi më 2022 dhe po vazhdon, është i “drejtpërdrejtë”.

“Vendet jashtë NATO-s, si Ukraina, mbeten të ekspozuara, ndërsa anëtarësimi në NATO ofron një nivel parandalimi që aktorë si Putini hezitojnë ta sfidojnë drejtpërdrejt”, thotë ajo.

Kjo vlen për Kosovën, një vend që gëzoi lirinë falë ndërhyrjes së NATO-s më 1999 për ta zmbrapsur regjimin e atëhershëm serb, pasi zyrtarët e saj e kanë përsëritur vazhdimisht se vendi do të jetë më i sigurt duke qenë pjesë e aleancës.

Kundërshtimi i Serbisë i “parashikueshëm”

Serbia e lufton publikisht pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe, sipas Stradnerit, reagimi i Vuçiqit ndaj rezolutës amerikane nuk është i papritur.

Në një marrëveshje të vitit 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia ishte zotuar se nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo nuk i është përmbajtur zotimit tri vjet pas dhe e ka vazhduar lobimin kundër fqinjit.

“Kundërshtimi i Vuçiqit ndaj kësaj rezolute është i parashikueshëm. Ai ka pak interes të mirëpresë një prani më të fortë të NATO-s, por pjesëmarrja e Serbisë në ushtrime të rastësishme të NATO-s nuk duhet të ngatërrohet me një rreshtim të plotë, sidomos duke pasur parasysh bashkëpunimin e saj paralel ushtarak me Rusinë dhe Kinën”, thekson Stradner.

Serbia është ushtarakisht neutrale, por është pjesë e programit të NATO-s Partneriteti për Paqe dhe bashkëpunon me aleancën në këtë frymë.

Megjithatë, njëkohësisht, ajo kryen vazhdimisht stërvitje ushtarake me Kinën dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Serbia është duke i zgjeruar kapacitetet e veta ushtarake me mbështetjen e partnerëve të jashtëm, ndërsa Vuçiq po vazhdon të balancojë mes Brukselit, Moskës dhe Pekinit në një mënyrë që ngre shqetësime të arsyeshme për drejtimin afatgjatë të Serbisë”, nënvizon Stradner.

Ajo vë në pah se, pavarësisht se Qeveria e serbe përfiton nga fondet e BE-së, retorika dhe pozicionimi i Vuçiqit “shpesh pasqyrojnë tema të lidhura me Vladimir Putinin, veçanërisht në kontekstin e ndikimit rajonal dhe narrativëve si një ‘botë serbe’ më e gjerë”.

“Presionet e brendshme gjithashtu kanë rëndësi: ndërsa protestat dhe tensionet politike brenda Serbisë rriten, ekziston një model i përsëritur ku Vuçiq priret të përshkallëzojë për të de-përshkallëzuar situatën në rajon”, përfundon ajo./REL

Anti-konsumatoristët kërkojnë një kryeqytet zviceran pa reklama

Një aleancë antikonsumatoriste ka nisur një iniciativë popullore që kërkon ndalimin e të gjitha reklamave komerciale në të gjithë kryeqytetin zviceran.

Teksti i iniciativës “Bern pa reklama” synon të ndalojë marketingun e konsumatorëve në posterat e jashtëm dhe ekranet komerciale.

Posterat kulturorë, tabelat informative publike dhe lokale do të përjashtohen nga ndalimi.

Qëllimi është të zvogëlohet ndikimi komercial në hapësirat publike, thonë iniciatorët e propozimit, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2024, këshilli i qytetit të Bernës pranoi me vështirësi një mocion që ndalonte reklamat. Por mbështetësit ndryshuan qëndrim gjatë konsultimit mbi buxhetin e vitit 2026, duke arritur në përfundimin se, duke pasur parasysh situatën aktuale financiare, të ardhura të tilla nuk duhet të privohen.

Qiraja e hapësirave reklamuese sjell më shumë se 5 milionë CHF për qytetin çdo vit.