Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë

Dhuna ndaj të moshuarve mbetet një problem shqetësues në Zvicra. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata që merren me mbrojtjen e të moshuarve, një në gjashtë persona mbi moshën 60 vjeç përjeton dhunë ose forma të ndryshme keqtrajtimi. Në rastin e personave të moshuar që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, shifrat janë edhe më alarmante: rreth një në katër prej tyre përballet me dhunë, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë se në Zvicër më shumë se 300 mijë persona përjetojnë situata dhune apo abuzimi në moshë të shtyrë. Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi vetëm një pjesë e vogël e rasteve raportohen tek autoritetet ose institucionet përkatëse.

Sipas Ruth Mettler Ernst, drejtoreshë e qendrës së kompetencës Alter ohne Gewalt, kjo temë shpesh shoqërohet me turp dhe heshtje. Shumë të moshuar hezitojnë të flasin për keqtrajtimin që përjetojnë, sidomos kur ai vjen nga partneri apo nga njerëz të afërt.

Statistikat tregojnë se në shumicën e rasteve dhuna ndodh brenda shtëpisë dhe shpesh dyshohet se ushtrohet nga bashkëshorti ose bashkëshortja. Gratë rezultojnë të jenë më të rrezikuara, duke përbërë rreth 64 për qind të viktimave.

Dhuna ndaj të moshuarve nuk është vetëm fizike. Në rreth një të tretën e rasteve bëhet fjalë për dhunë psikologjike, si kërcënime, poshtërime, kritika të vazhdueshme apo fyerje. Edhe pse nuk lë gjurmë të dukshme, kjo formë dhune mund të jetë shumë e dëmshme për shëndetin emocional të viktimave.

Ekspertët theksojnë se edhe ndryshimet e mëdha në jetën e të moshuarve, si pensionimi, mund të ndikojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve familjare. Sipas organizatës Pro Senectute, kalimi në pension ndonjëherë mund të shkaktojë ndjenjë humbjeje të rolit apo statusit, veçanërisht tek burrat e brezave më të vjetër, duke rritur stresin dhe pasigurinë financiare. Kjo situatë mund të çojë në tensione më të mëdha në familje dhe në izolimin social të viktimave.

Për këtë arsye, organizatat dhe institucionet zvicerane po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin mbi këtë fenomen dhe të inkurajojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë. Përmes fushatave informuese dhe materialeve të shpërndara në farmaci, komuna dhe institucione për të moshuarit, synohet që qytetarët të informohen më shumë për mundësitë e ndihmës.

Ndërkohë, edhe qeveria zvicerane ka ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar këtë problem. Këshilli Federal i Zvicrës ka miratuar këtë vit një program të veçantë që do të zgjasë deri në vitin 2030, me qëllim parandalimin, zbulimin e hershëm dhe ofrimin e ndihmës së duhur për rastet e dhunës ndaj të moshuarve. /Albinfo.ch

Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”

Teatri Shqiptar “Mërgimtari” nga Kroacia do të sjellë në Shqipëri shfaqjen teatrore “Kukulla”, në kuadër të një turneu që do të zhvillohet nga data 9 deri më 12 prill 2026, me ndalesa në Fier, Tiranë dhe Shkodër, transmeton albinfo.ch.

Vepra është shkruar nga dramaturgu kroat Miro Gavran, ndërsa përshtatja dhe regjia janë realizuar nga Naser Shatrolli. Shfaqja trajton në mënyrë të thellë dimensione psikologjike dhe sociale të marrëdhënieve njerëzore në kohët moderne, duke sjellë një histori që synon të prekë ndjeshmëritë më të thella të publikut.

Në këtë produksion skenik interpretojnë aktorët Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari, të cilët sjellin në skenë një rrëfim emocional dhe reflektues.

Turneu nis në Teatrin Bylis në Fier më 9 prill, në orën 18:00, vazhdon në Teatrin Metropol në Tiranë më 10 prill, në orën 20:00, dhe përmbyllet në Teatrin Migjeni në Shkodër më 12 prill, në orën 19:00.

Shfaqjet do të realizohen në bashkëpunim me institucionet kulturore lokale të këtyre qyteteve./Albinfo.ch

 

Facebook

Budapest: “Daily News Hungary” vlerëson ekspozitën personale të Jakup Ferrit

Mediumi hungarez “Daily News Hungary” i ka kushtuar një artikull ekspozitës personale të artistit kosovar Jakup Ferri në Budapest, me titullin “RUB-A-DUB-DUB”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 maj 2026. Kjo ekspozitë përfaqëson prezantimin e parë të gjerë solo të Ferrit në Hungari dhe sjell një përzgjedhje të punimeve të tij më të fundit, duke përfshirë tekstile të pa ekspozuara më parë, punime nga seria e gjatë “We We”, si dhe piktura me vaj, përcjell albinfo.ch.

Sipas shkrimit të “Daily News Hungary”, veprat e Ferrit dallohen për ngjyrat e gjalla dhe figurat e njerëzve, kafshëve dhe krijesave hibride, të vendosura në skena që shpesh duken absurde, por që përcjellin butësi dhe ngrohtësi. Shumë nga punimet krijojnë një përvojë imersive për vizitorët, duke i ftuar ata të lidhen me përditshmërinë, marrëdhëniet njerëzore dhe imagjinatën. Artikulli vë në pah edhe një dimension të fshehtë politik në veprat e tij, të ndikuar nga historia komplekse e Kosovës dhe pozicioni i saj periferik kulturor, i trajtuar përmes humorit dhe tregimeve të jetës së përditshme.

Gjatë hapjes së ekspozitës, e zhvilluar më 1 dhe 2 prill 2026, ambasadori i Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, theksoi natyrën bashkëpunuese të punimeve tekstile të Ferrit. Ai deklaroi se këto vepra nuk janë vetëm një formë shprehjeje artistike, por edhe një proces bashkëpunimi me artizanë nga Kosova dhe rajoni, ku teknikat tradicionale shndërrohen në tregime bashkëkohore, ndërsa tapetet dhe modelet e qepura bartin kujtime, identitet dhe përvoja të përbashkëta.

Pllana theksoi gjithashtu se skenat e ekspozitës, të mbushura me njerëz, kafshë dhe krijesa imagjinare, sjellin histori të buta dhe surrealiste për jetën e përditshme dhe vlerat e saj, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimeve kulturore si urë lidhëse mes Kosovës dhe Hungarisë.

Ekspozita “RUB-A-DUB-DUB” sjell një kombinim unik të artit tekstil dhe pikturës, duke ftuar publikun të eksplorojë imagjinatën, kujdesin për detajin dhe historitë që lidhen me identitetin dhe kulturën kosovare./Albinfo.ch

Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve

Gjeneva njihet botërisht si një qendër e diplomacisë ndërkombëtare dhe si simbol i traditës zvicerane në prodhimin e orëve. Megjithatë, ky kanton luan një rol të rëndësishëm edhe në një industri tjetër më pak të dukshme, por me ndikim global: zhvillimin e aromave dhe shijeve, shkruan albinfo.ch.

Në Gjenevë krijohen shumë nga aromat dhe përbërësit që më pas përdoren çdo ditë në produkte të ndryshme si sapunë, parfume, kozmetikë dhe artikuj ushqimorë. Sipas statistikave kantonale, në vitin 2022 kompanitë e vendosura në këtë rajon përbënin rreth 30 për qind të tregut global në këtë sektor.

Zhvillimi i kësaj industrie në Gjenevë ka rrënjë që nga shekulli XIX, kur ujërat e lumit Rhône përdoreshin për ftohjen e impianteve industriale dhe për prodhimin e energjisë hidroelektrike. Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte afërsia me industrinë franceze në rajonin e Lionit, si dhe tradita e fuqishme shkencore e Zvicrës, që krijuan kushte ideale për ngritjen e kompanive të specializuara në prodhimin e aromave dhe shijeve artificiale.

Rritja e Gjenevës si një qendër globale në këtë industri lidhet ngushtë me themelimin e dy kompanive të njohura, Givaudan dhe Firmenich, në fund të shekullit XIX. Këto kompani u shndërruan në pionierë të përdorimit të kimisë organike për krijimin e përbërësve sintetikë dhe zhvilluan molekula të njohura, të cilat vazhdojnë të përdoren edhe sot në industrinë ndërkombëtare.

Përveç këtyre gjigantëve, kantoni i Gjenevës strehon edhe shumë start-up dhe ndërmarrje inovative, të cilat vazhdojnë të sjellin ide të reja dhe të mbajnë këtë rajon në qendër të inovacionit botëror në fushën e aromave dhe shijeve./Albinfo.ch

Marsi i dytë më i nxehtë në histori

Muaji i kaluar ishte marsi i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga “Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike”.

Raporti thekson gjithashtu se temperaturat globale të sipërfaqes së detit arritën nivelin e dytë më të lartë të regjistruar për këtë muaj.

Në shkallë globale, marsi renditet si i katërti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve, me një temperaturë mesatare prej 13,94 gradë Celsius – që do të thotë 1,48 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës para-industriale (1850–1900) dhe 0,53 gradë Celsius mbi mesataren e marsit për vitet 1991–2020.

Sipas raportit, trendi i temperaturave ekstreme po vazhdon. Marsi më i ngrohtë i regjistruar mbetet ai i vitit 2024, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Evropa përjetoi një ngrohje veçanërisht të fortë, me temperaturë mesatare prej 5,88 gradë Celsius, ose 2,27 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991–2020.

Ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit ishte më e thatë se zakonisht, reshje të dendura shkaktuan përmbytje në disa zona të Mesdheut dhe Skandinavisë.

Në Arktik u regjistrua niveli më i ulët ndonjëherë për sipërfaqen e akullit detar në muajin mars, 5,7% nën mesataren.

Temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit arriti në 20,97 gradë Celsius, niveli i dytë më i lartë i regjistruar për këtë muaj.

Kushtet klimatike ndryshuan ndjeshëm në rajone të ndryshme. SHBA-ja perëndimore përjetoi një valë të zgjatur të të nxehtit, ndërsa Alaska, Kanadaja dhe Siberia veriperëndimore shënuan temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

Drejtori i Shërbimit të Kopernikut të BE-së për Ndryshimet Klimatike, Carlo Buontempo deklaroi se këto të dhëna tregojnë një sistem klimatik nën presion të vazhdueshëm dhe në rritje.

Shërbimi publikon rregullisht analiza mbi temperaturat globale, akullin detar dhe reshjet, duke përdorur miliarda matje nga satelitë, anije, avionë dhe stacione meteorologjike në mbarë botën.

Konsullata e Kosovës zhvillon takim me përfaqësues të shoqërisë civile për përfshirjen sociale

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të shoqërisë civile, duke vënë në qendër çështjet e përfshirjes sociale dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara.

Në takim morën pjesë Afrim Maliqi nga HANDIKOS dhe Valdete Hoti nga organizata “Parandalo”, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në funksion të përmirësimit të qasjes dhe shërbimeve për këtë kategori.

Diskutimet u fokusuan në nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të qëndrueshme, e cila tejkalon trajtimin administrativ dhe synon integrimin e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e përvojës së HANDIKOS në avokimin institucional, si dhe roli i organizatës “Parandalo” në mbrojtjen dhe fuqizimin social brenda diasporës, si elemente kyçe për ndërtimin e praktikave më gjithëpërfshirëse.

Takimi shënon një hap drejt ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, me synimin për të krijuar politika dhe qasje më funksionale në adresimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

Për albinfo.ch
Luljeta Ademi

Ndërron jetë miku i shqiptarëve, Eliot Engel

Ka ndërruar jetë ish-kongresmeni amerikan dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e qeverisë së Qarkut Westchester, transmeton albinfo.ch.

Si kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Engel ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Trashëgimia e tij mbetet ajo e një udhëheqësi me parime të forta, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe partneritetit ndërkombëtar.

Abrashi vazhdon me Grasshopper-in

Amir Abrashi ka vazhduar kontratën edhe për një vit me skuadrën zvicerane, Grasshopper, transmeton albinfo.ch.

Ai ka mbi 280 paraqitje për Grasshopperin dhe klubi e vlerëson njërën prej figurave më me ndikim në historinë e fundit.

“Grasshopperi është shtëpia ime. Kam ndërtuar karrierën time këtu dhe i detyrohem shumë klubit. Për këtë arsye do të thotë shumë që vazhdoj të jem pjesë e ekipit. Besimin dhe vlerësimin nuk e marr si diçka të garantuar, kështu që jam mirënjohës për këtë. Të gjithë e dinë se sa fort rreh zemra ime për GCZ. Do të vazhdoj të jap çdo gjë për klubin”, ka thënë Abrashi.

Ish-mesfushori i Shqipërisë ka luajtur për Grasshopperin nga viti 2010 deri në vitin 2015.

Pas periudhës te Freiburgu dhe Baseli, 36-vjeçari u kthye te Grasshopperi në vitin 2021.

Çmimet e shtëpive në Zvicër po vazhdojnë të rriten

Çmimet për apartamentet dhe shtëpitë me një familje në Zvicër vazhduan të rriteshin në një nivel të lartë në tre muajt e parë të vitit 2026.

Shtëpitë në Zvicrën perëndimore dhe Bernë ishin veçanërisht të njohura.

Shtëpitë me një familje ishin 1.4% më të shtrenjta në tremujorin e parë sesa në tremujorin e fundit të vitit 2025, sipas indeksit të çmimeve të transaksioneve nga banka Raiffeisen. Çmimet e apartamenteve u rritën me 1.8% mesatarisht.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet për shtëpitë me një familje dhe apartamentet janë rritur me 4.9%. “Atraktiviteti i lartë financiar i pronësisë së një shtëpie po e mban të lartë vrullin e çmimeve”, deklaroi Fredy Hasenmaile, kryeekonomist në Raiffeisen Switzerland, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Vendet e nxehta rajonale

Nga një perspektivë kantonale, çmimet për shtëpitë me një familje u rritën më shumë në rajonet e Bernës dhe Zvicrës perëndimore krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa çmimet për apartamentet u rritën më shumë në Zvicrën qendrore dhe jugore.

I ndarë sipas llojit të komunës, rritja e çmimeve të shtëpive ishte më e larta në komunat turistike dhe më e ulëta në qendrat urbane. Apartamentet gjithashtu panë rritjen më të madhe nga viti në vit në vendpushimet turistike.

Indeksi i Çmimeve të Transaksioneve Raiffeisen publikohet çdo tremujor në fillim të çdo tremujori të ri. Ai mat zhvillimin e çmimeve të pronave banesore të zëna nga pronari në Zvicër bazuar në të dhënat e transaksioneve të Raiffeisen dhe Swiss Real Estate Datapool (SRED).

Ish-presidenti i Kosovës flet për mediat gjermane, politikën, familjen dhe procesin gjyqësor

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë me shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ai ka folur për përvojën e tij gjatë paraburgimit, procesin gjyqësor dhe të ardhmen politike. Thaçi ndodhet në vitin e gjashtë të paraburgimit në Hagë derisa është në pritje të vendimit përfundimtar.

Duke folur për jetën e tij politike, Thaçi deklaroi se nuk e sheh veten më në garën politike, por jo edhe tërësisht jashtë jetës publike.

“E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej vendit”, u shpreh ai.

Thaçi foli edhe për humbjen e babait të tij, duke e cilësuar si një dhimbje të madhe faktin që nuk mundi të marrë pjesë në varrim. “Ky është një dhimbje që do ta mbaj me vete gjithë jetën”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Sa i përket akuzave, ai mbështeti argumentet e ekipit të tij mbrojtës, duke theksuar se struktura e UÇK-së nuk kishte një zinxhir të qartë komandues, çka sipas tij e bën të pamundur mbajtjen e përgjegjësisë për veprime individuale në terren, përcjell albinfo.ch.

Ai shtoi se Gjykata Speciale u krijua fillimisht për të hetuar pretendimet për trafikim organesh, të cilat sipas tij nuk janë përfshirë fare në aktakuzën aktuale.

Thaçi shprehu shqetësimin se procesi gjyqësor mund të shtrembërojë perceptimin historik të luftës në Kosovë, duke barazuar në mënyrë të padrejtë veprimet e palëve. Ai theksoi se krimet e kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998-1999 janë të dokumentuara gjerësisht dhe nuk mund të relativizohen.

Duke folur për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, Thaçi e cilësoi atë si të drejtë dhe të domosdoshme, duke theksuar se ajo u bazua në vlerat e lirisë dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.

Në aspektin politik dhe diplomatik, ai theksoi se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Serbinë, me njohje reciproke.

Thaçi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke shprehur shqetësim për stagnimin e viteve të fundit në këtë drejtim.

Sa i përket situatës së brendshme politike në Kosovë, Thaçi u shpreh se interesat e qytetarëve duhet të vendosen mbi ato partiake, pa dhënë këshilla konkrete për koalicione politike.

“Procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve konsiderohet një ndër rastet më të rëndësishme për drejtësinë ndërkombëtare dhe për interpretimin historik të luftës në Kosovë”, shkruan mes tjerash FAZ.

Kosova fiton ndaj Austrisë dhe kualifikohet tutje

Kosova në futsall ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyeshme në parakualifikimet për Botërorin 2028, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në miniturneun kualifikues të Grupit D, që po zhvillohet në Igalo të Malit të Zi. Dardanët e futsallit triumfuan në një ndeshje spektakolare ndaj Austrisë, me rezultat 6:3.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por ishte Kosova ajo që tregoi më shumë efikasitet në momentet vendimtare. Shefki Kameri zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa më pas skena i takoi Ramadan Alajt, i cili realizoi katër gola (19’, 23’, 32’ dhe 37’), duke qenë figura kryesore e takimit.

Në listën e golashënuesve për Kosovën u regjistrua edhe Shqiprim Imeri, i cili realizoi në minutën e 28-të, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, për Austrinë realizuan Gustavo (16’, 36’) dhe Alex Flögel në minutën e 22-të, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur ritmin e lartë të Dardanëve drejt kualifikimit tutje.

Me këtë triumf, Kosova e ka siguruar tashmë kalimin në fazën kryesore të kualifikimeve (Main Round), pasi dy skuadrat e para nga grupi avancojnë tutje.

Ndeshjen e fundit dhe njëherësh vendimtare për vendin e parë në grup Dardanët do ta zhvillojnë kundër Malit të Zi, të dielën në orën 19:30.

Kosovë: Miratohet Ligji për Çmimet Tavan

Me 63 vota për dhe 19 kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si Ligji për Çmimet Tavan.

Në seancë kanë qenë të pranishëm 88 deputetë, transmeton albinfo.ch.

“Konstatoj se me 63 vota për, 19 kundër, asnjë abstenim Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.”, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Katër persona të plagosur në St. Gallen: arrestohet një shtetas i Serbisë

Në një operacion në shkallë të gjerë të zhvilluar të enjten pasdite, u gjetën katër persona, disa prej të cilëve të plagosur rëndë. Dy prej tyre u desh të transportoheshin me helikopter në spital, transmeton albinfo.ch.

Policia kantonale e St. Gallenit ka arrestuar një burrë 51-vjeçar.

Sipas policisë, burri i arrestuar është nga Serbia dhe nuk ka adresë fikse në Zvicër. “Gjatë hetimit, u konfirmua dyshimi i fortë për një krim”, shkruan policia kantonale e St. Gallenit në një deklaratë, shkruan srf.ch.

Një burrë dhe tri gra të plagosura

Të enjten, policia u njoftua nëpërmjet një telefonate emergjente për një burrë 73-vjeçar të plagosur. Në një zonë banimi të komunës Au, St. Gallen, patrulla gjeti tre persona të tjerë të plagosur. Ato ishin tri gra midis moshës 57 dhe 87 vjeç.

Dy prej tyre u desh të transportoheshin me helikopterë shpëtimi në spital. Policia aktualisht nuk mund të japë informacione të mëtejshme në lidhje me lëndimet e tyre ose gjendjen e tyre aktuale.

Me sa duket, dy nga gratë e plagosura po vizitonin viktimat e tjera. Zyra e prokurorit publik të St. Gallen po heton aktualisht se si u zhvillua krimi i dhunshëm. Kjo përfshin rolin e burrit të arrestuar, si dhe informacionin mbi sfondin, motivin e mundshëm për krimin dhe çështjen nëse persona të tjerë janë të përfshirë.

Çfarë dihet për të gjithë shtetasit jo-BE që punojnë në Zvicër?

Kur ngrihet tema e banorëve të huaj, zakonisht bëhet fjalë për njerëz nga Bashkimi Evropian. Po ata që vijnë në Zvicër nga vendet e treta?

Kjo ndodh sepse shumica dërrmuese e popullsisë së huaj të Zvicrës – mbi 1.5 milion njerëz (60 përqind) – vijnë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e EFTA-s (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni).

Po për “minoritetin” – domethënë ata që imigrojnë në Zvicër nga vendet e treta?

Ndryshe nga njerëzit nga BE/EFTA, të cilët kanë qasje të pakufizuar në lejet e punës dhe tregun e punës zvicerane, situata është më kufizuese për të huajt e tjerë.

Ata i nënshtrohen një sistemi kuotash dhe autorizohen të lëvizin në Zvicër vetëm nëse plotësojnë të gjitha kriteret – duke përfshirë nivelin e tyre të arsimit (universitet) dhe aftësitë e kërkuara që nuk mund të gjenden në fuqinë punëtore zvicerane dhe të BE/EFTA-s.

Në vitin 2026, ashtu si në disa vite të mëparshme, Zvicra ndau 8,500 leje për punëtorë të kualifikuar dhe të specializuar nga vendet e treta, plus 3,500 leje për punëtorë nga Mbretëria e Bashkuar – gjithsej 12,000, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Një raport i ri nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) hedh dritë mbi shtetasit jo-BE/EFTA që punuan në Zvicër në vitin 2025:

Vitin e kaluar këtyre personave iu lëshuan gjithsej 6,591 leje pune; 764 prej këtyre lejeve iu dhanë shtetasve të Mbretërisë së Bashkuar dhe 5,827 personave nga vende të tjera të treta.

Kjo nuk është e pazakontë – në fakt, vetëm një pjesë e lejeve të disponueshme shpërndahen çdo vit.

Sipas të dhënave të SEM, kuotat nuk ishin shfrytëzuar plotësisht që nga viti 2017.

“Nëse një ose më shumë nga këto kërkesa nuk plotësohen, leja nuk do të jepet, edhe nëse ka ende leje të disponueshme brenda numrit maksimal vjetor”, tha ajo.

Rreth gjysma e këtyre specialistëve të kualifikuar ishin të punësuar në sektorin e IT-së, në konsulencë biznesi, në kërkim ose në industrinë kimike dhe farmaceutike, tregojnë të dhënat e SEM.

Ne gjithashtu e dimë se një numër i tyre – veçanërisht ata nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar – punojnë në sektorët e financës/bankës.

A do të preken udhëtarët në Zvicër nga kriza e afërt e karburantit të avionëve në Evropë?

Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon dhe furnizimet me karburant po ngushtohen, disa linja ajrore kanë filluar të ulin fluturimet e tyre. Cila është situata në Zvicër?

Nuk janë vetëm shoferët që preken nga rritja e çmimeve të karburantit në pompa – në Zvicër, ato janë rritur deri në 25 përqind që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt.

Udhëtarët po preken gjithashtu, pasi disa linja ajrore dhe aeroporte kanë marrë masa për të kundërshtuar koston në rritje të karburantit – përkatësisht, duke shkurtuar oraret e fluturimeve dhe duke rritur çmimet e biletave.

Cila është situata në Zvicër?

Le të themi vetëm se ka lajme të mira dhe të këqija për udhëtarët.

Lajmi i mirë – të paktën për momentin – është se sipas zëdhënëses së SWISS, Meike Fuhlrott, furnizimi me karburant aviacioni në qendrën e linjës ajrore në Cyrih (e cila është gjithashtu qendra për linjën e saj ajrore simotër, Edelweiss) është i garantuar.

“Aktualisht nuk shohim ndonjë kufizim specifik në operacionet e fluturimit në destinacionet tona”, tha ajo.

Megjithatë, Fuhlrott theksoi se “ne po e monitorojmë situatën shumë nga afër sepse mund të ndryshojë me një njoftim të shkurtër”.

Për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit, të dy linjat ajrore kanë rritur mbishpagesat ndërkombëtare në biletat e avionit.

Këto mbishpagesa janë tarifa shtesë të shtuara nga linjat ajrore për të mbuluar kostot operative në rritje – siç është karburanti.

Shuma e saktë e kësaj rritjeje varet nga itinerari specifik.

Dhe edhe nëse udhëtarët planifikojnë të fluturojnë për në dhe nga Zvicra me linja të tjera ajrore, ata nuk do t’i shpëtojnë pagesës së çmimeve më të larta, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Kjo për shkak se transportuesit e tjerë brenda grupit Lufthansa, të cilit i përkasin si SWISS ashtu edhe Edelweiss – si dhe linja të tjera ajrore, po rrisin gjithashtu çmimet e tyre.

Sipas Euronews, “çmimet e biletave mund të mbeten të larta për muaj të tërë, edhe nëse lufta deeskalohet”.

Po anulimet?

Nga 29 marsi deri më 24 tetor, SWISS po pezullon qindra fluturime – 326 për të qenë të saktë.

Fluturimi me destinacion SHBA-në i prekur nga shkurtimet është ai nga Cyrihu në Çikago: frekuenca e tij do të reduktohet nga 14 në 12 herë në javë.

Një tjetër itinerar i gjatë i prekur nga shkurtimi është ai nga Cyrihu në Shangai – do të fluturojë vetëm tre herë në javë në vend të shtatë.

Megjithatë, këto anulime nuk janë shkaktuar nga çmimet më të larta të karburantit për avionët; përkundrazi, arsyeja për këto shkurtime është mungesa e pilotëve dhe avionëve.

Në mënyrë specifike, linja ajrore ka mungesë të kapitenëve dhe oficerëve të parë për Airbus A320 dhe A321, si dhe për A330 dhe A340, sepse shumë prej tyre aktualisht po ritrajnohen për të fluturuar me Airbus A350 të ri.

Përveç kësaj, 11 avionë janë në tokë për shkak të problemeve me motorin, gjë që e bën planifikimin operativ edhe më të vështirë.

Sa i (pa)pastër është ajri në Zvicër

Pluhuri i imët në ajrin zviceran tregoi një rritje të lehtë në vitin 2025, sipas analizës paraprake të matjeve të Rrjetit Kombëtar për Vëzhgimin e Ndotësve të Ajrit (NABEL).

Sipas Zyrës Federale për Mjedisin (UFAM), luhatjet vjetore janë kryesisht për shkak të kushteve të motit: ngjarje të tilla si zjarret në pyje ose pluhuri i Saharasë në fakt mund të ndikojnë në nivelet e pluhurit të imët.

Çfarë janë pluhurat e imët

Pluhurat e imët janë një përzierje e disa grimcave. Nga njëra anë, ato përbëhen nga të ashtuquajturat grimca primare, të emetuara direkt nga proceset e djegies, për shembull nga motorët me naftë dhe sistemet e ngrohjes me dru, ose të gjeneruara nga gërryerja e gomave, frenave ose sipërfaqes së rrugës. Nga ana tjetër, ato përfshijnë grimca sekondare, të cilat formohen vetëm në ajër nga ndotës të gaztë si oksidet e squfurit, oksidet e azotit ose amoniaku.

Bëhet një dallim midis PM10 dhe PM2.5, ose grimcave me një diametër më të vogël se 10 dhe 2.5 të mijëtat e një milimetri përkatësisht.

Si ka evoluar cilësia e ajrit

Në vitet e fundit, ndotja nga pluhuri i imët është ulur vazhdimisht. Sipas Martin Röösli, profesor i epidemiologjisë mjedisore në Institutin Zviceran të Shëndetit Tropikal dhe Publik të Universitetit të Bazelit, janë marrë masa të shumta, për shembull në lidhje me sistemet e ngrohjes, trafikun dhe industrinë.

Megjithatë, tani ekziston një fazë stanjacioni: “Dyshoj se me masat aktuale do të jemi në gjendje të zvogëlojmë më tej ndotjen nga pluhuri i imët”. Sistemet e ngrohjes me dru, për shembull, në fakt do të kontribuonin në një masë relativisht të madhe në përqendrimin e pluhurit të imët.

Rekomandimet e OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përditësoi udhëzimet e saj për cilësinë e ajrit në vitin 2021 bazuar në prova të reja shkencore, duke ulur vlerat kufitare. Për lëndën e imët grimcore, vlera referuese është ulur nga 10 në 5 mikrogramë për metër kub për PM2.5, raporton RSI. Megjithatë, këto rekomandime të OBSH-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, transmeton albinfo.ch.

Vlerat kufitare ligjore zvicerane ende bazohen në udhëzimet e OBSH-së të vitit 2005. Këto kufij respektohen në shumicën e vendeve në Zvicër, nënvizon UFAM. Vlerat e reja udhëzuese të OBSH-së, nga ana tjetër, shpesh janë qartësisht të vjetruara.

UFAM aktualisht po shqyrton nëse do t’i përshtatë vlerat kufitare sipas rekomandimeve të reja të OBSH-së, siç sugjerohet edhe nga Komisioni Federal i Higjienës së Ajrit. Një zhvillim i mirëpritur nga Markus Kalberer, profesor i shkencës atmosferike në Universitetin e Bazelit: “OBSH bazohet në një gamë të gjerë praktikash mjekësore. Është parë se duke përgjysmuar vlerat kufitare për grimcat e imëta, do të arriheshin përfitime të qarta shëndetësore”.

Sa të dëmshme janë pluhurat e imëta

“Vlerësimet tregojnë se në Zvicër çdo vit mbi 2,000 vdekje shkaktohen nga ndotja e ajrit. Rreziku shëndetësor i lidhur me pluhurat e imëta nuk është i papërfillshëm”, thotë Kalberer. Martin Röösli gjithashtu thekson efektet e dëmshme: “Grimcat e imëta kanë një ndikim të gjerë në sistemin kardiovaskular. Është provuar gjithashtu se shkaktojnë kancer dhe çojnë në vdekshmëri të parakohshme.”

Një rritje e ndotjes nga pluhuri i imëtë në Zvicër në vitin 2025 është vërejtur edhe nga kompania IQAir në Raportin e saj Botëror të Cilësisë së Ajrit. Vlerat kufitare të OBSH-së, sipas raportit, nuk respektohen në pothuajse asnjë vend.

Vitin e kaluar, në Vjenë u vodhën pothuajse 6,000 biçikleta

Në Vjenë, vitin e kaluar u raportuan gjithsej 5,913 raste të vjedhjes së biçikletave – 1,096 (minus 18.3 përqind) më pak se vitin e kaluar. Kjo raportohet nga organizata e lëvizshmërisë VCÖ, duke cituar të dhëna nga Ministria e Brendshme.

“Kjo është vlera më e ulët në vitet 2000”, raporton zëdhënësi i VCÖ Christian Gratzer. Dhjetë vjet më parë, numri i vjedhjeve të raportuara ishte 8,929, dhe në vitin 2014 u arrit një kulm me 9,431.

“Po supozohet se pavarësisht një numri të rritur ndjeshëm të çiklistëve, numri i vjedhjeve ka rënë. Ndërgjegjësimi për mbylljen e sigurt të biçikletës është rritur, cilësia e sistemeve të sigurisë është përmirësuar dhe ka më shumë vende parkimi të sigurta”, jep Gratzer arsyet për rënien.

Është e habitshme që ka dallime të qarta në krahasimin e distriktit: Shumica e vjedhjeve të biçikletave u raportuan në Leopoldstadt (707 raste), e ndjekur nga Landstraße (535) dhe Favoriten (466). Megjithatë, më e sigurta ishte në Hietzing me vetëm 74 biçikleta të vjedhura. Me 96 raste, Josefstadt është gjithashtu një nga distriktet me më pak vjedhje, raporton Heute.

Krahasuar me kryeqytetet e tjera të shteteve, Vjena po ecën relativisht mirë. Me 29 vjedhje biçikletash për 10,000 banorë, kryeqyteti federal është në vendin e katërt më të ulët. Vlerat janë dukshëm më të larta në Salzburg (66) dhe Innsbruck (55), për shembull. Megjithatë, dy të tretat e të gjitha vjedhjeve të biçikletave regjistrohen ende në kryeqytetet e shteteve, transmeton albinfo.at.

Megjithatë, shkalla e ulët e zbulimit mbetet një problem: Vetëm 325 vjedhje biçikletash u sqaruan vitin e kaluar. Kjo korrespondon me vetëm 5.5 përqind. Prandaj, VCÖ këshillon të shënohet numri i kornizës. Kjo e bën më të lehtë caktimin e një biçiklete të vjedhur. Për modelet e shtrenjta, rekomandohet edhe sigurimi i vjedhjes – idealisht duke përfshirë edhe vjedhjen e pjesshme.

Përveç kësaj, VCÖ bën thirrje për masa të mëtejshme: Mbi të gjitha, numri i vendeve të parkimit për biçikletat do të rritet – veçanërisht në dyqane, rrugë tregtare, ambiente argëtimi, ambiente sportive, si dhe në stacionet e trenave dhe stacionet e metrosë.

Ndjenja e konsumatorëve zviceranë u përkeqësua për shkak të luftës në Iran

Ndjenja e konsumatorëve në Zvicër u përkeqësua ndjeshëm në mars, duke rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2024. Lufta me Iranin ka të ngjarë të ketë luajtur një rol të rëndësishëm.

Indeksi i ndjenjës së konsumatorëve i llogaritur nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) ra me 12.5 pikë në -42.9 pikë në mars krahasuar me shkurtin e vitit 2026. Krahasuar me marsin e vitit të kaluar, indeksi ra me 8.1 pikë.

Nën-indekset “Zhvillimi i Pritur Ekonomik”, “Situata e Pritur Financiare” dhe “Koha për Blerje të Mëdha” ishin nën nivelet e tyre nga marsi 2025. Ndërkohë, indeksi i “Situatës së Kaluar Financiare” mbeti praktikisht i pandryshuar, raporton SRF, përcjell albinfo.ch.

Kjo e çon indeksin në nivelin e tij më të ulët që nga fillimi i vitit 2024. Niveli më i ulët i mëparshëm u regjistrua në prill 2025 në -42.4 pikë, pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftoi rritjen e tij të parë të tarifave.

Indeksi i ndjenjës së konsumatorëve publikohet çdo muaj bazuar në një anketë të kryer nga SECO. Të dhënat nga familjet private janë mbledhur që nga viti 1972.

Qeveria e Shqipërisë pensionistëve: Kush vjen në Shqipëri nuk do të tatohet

Përmes një projektligji të miratuar në qeveri ndryshohet ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përjashton nga tatimi pensionet që përfitohen nga jashtë vendit, për individët që janë ose bëhen rezidentë tatimorë në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.

Sipas projektligjit, nëse je një individ që vjen të jetosh në Shqipëri, por merr pension në një shtet të huaj, kjo e ardhur nuk do të jetë e tatueshme.

“Kjo masë synon të tërheqë veçanërisht pensionistët që jetojnë jashtë vendit, duke nxitur zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë”, është shprehur ministrja e ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Përvëç kësaj, përmes këtij projektligji qeveria përjashton nga tatimi për të ardhurat personale dhe ato nga vetëpunësimi, të gjithë individët e punësuar që kanë ‘statusin e të verbrit’.

Paradoksi shqiptar: mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë, një pjesë e diasporës në Zvicër mobilizohet për ndërtimin e xhamive shumëmilionëshe.

Ky është një paradoks që duhet thënë hapur, jo për të sulmuar, por për të reflektuar.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një moment të ndjeshëm, ku të drejtat e fituara me shumë mund, sidomos ato që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, po vihen seriozisht në pikëpyetje.

Qeveria e re, pjesërisht në heshtje, po ndërmerr hapa që perceptohen si kufizim i rolit të shqipes në një shtet ku më shumë se një e treta e popullsisështë shqiptare.

Në këtë kontekst, shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të mos pranojnë cenimin e gjuhës së tyre.

Protestat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës janë një sinjal alarmi që nuk duhet injoruar, as nga pala maqedonase, as nga Bashkimi Europian.

Kur një i ri detyrohet të luftojë për një të drejtë themelore, kjo tregon se problemi është sistematik, jo i rastësishëm.

Në terren, realiteti është po aq shqetësues. Kushdo që ka vizituar Maqedoninë e Veriut si shqiptar nga Kosova apo Shqipëria e ka vënë re: në shumë raste mungon vullneti minimal për të kuptuar gjuhën shqipe, madje edhe kur është e qartë se bashkëbiseduesi nuk e njeh maqedonishten.

Kjo ndodh edhe në zona ku shqiptarët janë shumicë.

Ky nuk është problem komunikimi, por refuzim kulturor që, në raste të caktuara, merr edhe nuanca diskriminimi.

Bashkëjetesa nuk ndërtohet me indiferencë dhe as duke e parë tjetrin si inferior.

Por, ndërsa në Maqedoninë e Veriut luftohet për këto të drejta bazë, në Zvicër shpesh shohim një orientim tjetër të energjisë dhe burimeve të diasporës shqiptare.

Këtu, komuniteti është i organizuar dhe ekonomikisht i fuqishëm, por imamët me rrethin e tyre u kërkojnë besimtarëve të investojnë në projekte religjioze. Ky është një realitet që dihet nga të gjithë, por rrallë thuhet me zë.

Projektet për ndërtimin e xhamive shumëmilionëshe, të iniciuara dhe financuara në masë të madhe nga shqiptarët, shpesh nuk i përgjigjen një nevoje reale të komunitetit.

Rasti i debatit për një xhami të re në St. Gallen është ilustrues: në një zonë ku tashmë ekzistojnë disa xhami brenda një rrezeje të vogël, lind natyrshëm pyetja: pse edhe një tjetër dhe çfarë duam të arrijmë?

Për projektin e xhamisë 15 milionëshe  albinfo.ch ka raportuar ne 2023.

Ajo çfarë unë kam parë aty, nuk i ndihmon integrimit të komunitetit tonë.

Këto mjete financiare do të kishin ndikim shumë më të madh nëse do të investoheshin në arsim, integrim dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.

Shkollat plotësuese, programet kulturore dhe iniciativat për fuqizimin e të rinjve janë ato që ndërtojnë të ardhmen reale të një komuniteti.

Të jemi të qartë, e drejta e lirisë fetare nuk duhet cenuar. Rreziku nuk është feja si e tillë. Tradita fetare e shqiptarëve ka qenë historikisht e moderuar dhe e lidhur me identitetin kombëtar. Rreziku qëndron te zhvendosja e fokusit drejt një identiteti të paqartë, ku gjuha dhe përkatësia kombëtare zbehen.

Kur të rinjtë ushqehen me narrativa të shkëputura nga realiteti ku jetojnë dhe me njohuri të kufizuara për gjuhën, prejardhjen dhe kulturën e tyre, krijohet një boshllëk identitar që mund të ketë pasoja afatgjata. Madje, këtu krijohen boshllëqe për manipulim të lehtë të të rinjve drejt një ekstremi të rrezikshëm.

Identiteti i një mërgimtari ruhet duke investuar në shkolla e arsim por jo domosdoshërisht edhe në xhami.

Ky paradoks pra duhet të na shqetësojë. Nuk është logjike që në një vend ku je autokton, të duhet ende të luftosh për gjuhën dhe të drejtat themelore, ndërsa në një tjetër, si Zvicra, që na ka ofruar strehë e mirëqenie, të përqendrohesh në projekte të ndërtimit të xhamive, thuajse se ne kemi migruar për të ndërtuar xhami dhe jo mirëqenie ekonomike.

Nëse brezat e rinj në diasporë rriten pa një lidhje të fortë me shqipen, atëherë humbja është afatgjatë dhe e pakthyeshme.

E kam të qartë që unë mbase mund të mos i shoh plotësisht nevojat shpirtërore të besimtarëve, mirëpo po e shoh që ata nuk brengosen për raportin me vendin mikpritës dhe me shoqërinë ku jetojmë. Po e shoh që po merr një kahje tjetër. Po e shoh që po i humbim këto balanca dhe po e shoh që pasojat do t’i ndiejmë të gjithë.

Andaj, këtu duhet reaguar dhe priorizuar integrimin, identitetin tonë shqiptar dhe jo vetëm atë fetar.

Ish-kryetari i New York-ut, Eric Adams merr pasaportë shqiptare

Përmes një dekreti presidencial, ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, Eric Adams, është pajisur me pasaportë shqiptare.

Vendimi u miratua me një dekret të veçantë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, teksa nuk janë bërë publike detaje lidhur me arsyet apo procedurat e dhënies së shtetësisë. Dekreti thekson se Adams mori pasaportë shqiptare me kërkesë të tij, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, vendimi është pjesë e praktikës për dhënien e shtetësisë shqiptare për figura të njohura ndërkombëtarisht teksa Adams është figurë e njohur në politikën amerikane, veçanërisht për çështjet e sigurisë dhe menaxhimit urban.

Nëntë nga dhjetë fluturime të Lufthansës janë anuluar shkaku i grevave

Nëntë nga dhjetë fluturime të Lufthansa u anuluan të premten në Gjermani, sipas sindikatës UFO, e cila shkaktoi një thirrje për grevë nga ekuipazhi i kabinës.

Shkalla e pjesëmarrjes në grevë është “gjigante” dhe “pothuajse të gjitha fluturimet” e markës “klasike” Lufthansa dhe degës rajonale CityLine janë anuluar, tha kryenegociatori i UFO-s, Harry Jäger, duke vlerësuar shkallën e anulimeve në rreth 90%.

Me kërkesë të AFP-së, grupi Lufthansa thjesht deklaroi se “më shumë se një e treta e fluturimeve të Lufthansa Airlines” ishin të siguruara të premten, që përfshin Lufthansa Classic, Cityline, City Airlines, Air Dolomiti dhe Discover Airlines, dhe për këtë arsye kompanitë që nuk preken nga greva.

Lufthansa tregon se është në gjendje të ofrojë “pothuajse të gjithë programin e fluturimeve përsëri të shtunën”, megjithëse “disa anulime dhe vonesa të izoluara” do të mbeten të mundshme.

Të gjitha fluturimet e operuara nga marka “klasike” Lufthansa janë caktuar për nisje nga aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut, dhe ato të degës rajonale Cityline janë caktuar për nëntë aeroporte në Gjermani në total, raporton RTS.

Sipas një zëdhënëseje të Aeroportit të Frankfurtit, më i madhi në Gjermani, “rreth 580 fluturime” anulohen të premten në të gjithë trafikun ajror të gjeneruar, përfshirë kompanitë e tjera, përcjell albinfo.ch.

Sipas homologut të tij në aeroportin e Mynihut, 400 janë anuluar në kryeqytetin bavarez.

Kjo thirrje për grevë, e katërta për grupin ajror që nga fillimi i vitit, vjen me kthimin e pushimeve të Pashkëve për shumicën e rajoneve gjermane.

Në origjinë të lëvizjes, sindikata UFO akuzon menaxhmentin e Lufthansës për mungesë progresi në temat kryesore të “mbingarkesës së punës”, “parashikueshmërisë më të mirë” dhe “zgjatjes së periudhave të njoftimit”.

Lufthansa konsideroi se “zgjidhje të qëndrueshme” mund të gjendeshin vetëm “përmes dialogut” dhe i bëri thirrje UFO-s në një deklaratë “të rifillojë negociatat”.