Elisa Spiropali takohet me komunitetin shqiptar në Bruksel

Ministrja për Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali është pritur në ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, ku është takuar edhe me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thotë se “shqiptarët e Belgjikës dhe Luksemburgut, që janë pjesë aktive dhe dinjitoze e jetës evropiane në administratë, në universitete, në kompani ndërkombëtare, në art e kulturë”.

Ministrja shpreh mirënjohje për të gjitha shqiptarët, që siç thotë ajo janë ambasadorë të vlerave tona, transmeton albinfo.ch.

“Me mirënjohje të veçantë për secilin prej tyre që di të jetë ambasador i vlerave shqiptare, në veçanti atyre që punojnë për trashëgimin ndër breza të gjuhës shqipe në qytete si Namur, Antverpen dhe Bruksel, ku fëmijët shqiptarë kanë sot mundësinë të mësojnë gjuhën mëmë, historinë dhe kulturën shqiptare”, shkruan Spiropali.

Neuenhof: Shkolla Shqipe feston Ditën e Flamurit

Shkolla Shqipe në Neuenhof të Cyrihut fton të gjithë bashkatdhetarët për të festuar së bashku 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Në emrin e organizatorit ftesën e bëjnë Shpend Limoni, kryetar i Këshillit të Prindërve të Shkollës Shqipe në Neunhof dhe Driton Kelmendi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Shkollës Shqipe në Spreitenbach

Aktiviteti zhvillohet  me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Shqipe mbahet në Neuenhof dhe Spreitenbach.

Ora: 18.30

Vendi: Saal Aula Zürcherstrasse 89, 5432 Neuenhof (ZH)

Arrin në mbi 100 numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gazë

Të paktën 104 palestinezë kanë mbetur të vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të martën në mbrëmje, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur “dhjetëra objektiva terroristësh dhe po ashtu terroristë” në përgjigje të shkeljeve nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Isral Katz, akuzoi Hamasin për një sulm në Gazë që vrau një ushtar izraelit dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura. Hamasi tha se nuk kishte “asnjë lidhje” me sulmin dhe ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar rikthimin e sulmeve duke thënë se “asgjë” nuk do të rrezikonte armëpushimin, por ka shtuar se Izraeli duhet të “kundërsulmojë” kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.

Ushtria izraelite ka thënë të mërkurën se armëpushimi është rikthyer pas sulmeve të së martës. 

Tirron Mamusha – Shqiponja që fluturoi mbi Lucern

Në Lucern, aty ku liqeni pasqyron malet dhe horizonti flet me qetësinë zvicerane, një emër shqiptar u ngrit mbi gjithë pistën: Tirron Mamusha.

Një fitore që nuk është vetëm statistikë sportive, por dëshmi e shpirtit që nuk dorëzohet. Si një kronikë nderi për Kosovën dhe gjithë mërgatën shqiptare në Zvicër, kjo fitore ngjalli emocione të thella krenarie dhe bashkimi.

Një ditë pas fitores së tij të madhe në Swiss City Marathon Lucerne 2025, më 27 tetor 2025, maratonisti kosovar Tirron Mamusha u prit me nderime në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ku u vlerësua për arritjen e tij të jashtëzakonshme: vendi i parë në kategorinë M30 (21,1km) dhe vendi i tetë në renditjen e përgjithshme, me kohën e shkëlqyer 1:11:26.

Gara, që mblodhi mbi 13 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme dhe mijëra spektatorë përgjatë rrugëve të Lucernit, u shndërrua në një festë të madhe sportive. Në këtë atmosferë, flamuri i Kosovës valëviti me krenari falë performancës së Mamushës, i cili përfaqësoi vendin me dinjitet, përkushtim dhe pasion të pashoq.

“Ju uroj shumë suksese! Jam i bindur që do t’i arrish majat, ndonëse tashmë i ke arritur majat e majave. Ju lumtë për punën, përkushtimin dhe suksesin që keni arritur në garën e Lucernit. Na keni bërë krenarë si shqiptarë e si shtet,” – u shpreh Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, duke e cilësuar Tirron Mamushan shembull të vlerave më të larta të sportit dhe përfaqësimit.

 

Konsulli theksoi se Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbetet e përkushtuar të mbështesë sportistët që përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, pavarësisht sfidave që shoqërojnë zhvillimin e sportit elitar.

“Ne mundohemi, me ato mundësi dhe kapacitete që i kemi, të mbështesim sportistët, artistët dhe të gjithë ata që nderojnë vendin tonë jashtë kufijve. Ata janë ambasadorët më të mirë të vlerave tona,” – shtoi ai, duke falënderuar edhe Albinfo.ch, “një medium serioz e i qëndrueshëm, që prej vitesh dokumenton me përkushtim historitë e suksesit të mërgatës shqiptare.”

Në këtë rast, Konsulli kosovar vlerësoi gjithashtu afaristin Astrit Nrecaj, i cili ka përkrahur pjesëmarrjen e sportistit Tirron Mamusha.

Tirron Mamusha – një histori përkushtimi dhe rikthimi

Me origjinë nga Gjakova, Tirron Mamusha është një nga atletët më të spikatur të brezit të ri që po ngre profilin e atletikës kosovare në arenën ndërkombëtare. Përmes punës së pandalshme, disiplinës dhe pasionit për garat e gjata, ai ka ndërtuar një karrierë që flet me rezultate, por edhe me karakter.
Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Pas një dëmtimi serioz shëndetësor që e mbajti gjashtë muaj larg sportit, shumëkush dyshoi në rikthimin e tij. Por Tirroni e përjetoi atë sfidë si një pikënisje të re. Me vendosmëri të hekurt dhe besim të palëkundur, ai rifilloi stërvitjet në nëntor të vitit të kaluar – dhe u rikthye më i fortë se kurrë.
“Gjatë rikuperimit, shumë mjekë më thanë se rikthimi në sport do të ishte i vështirë. Por unë nuk e pranova këtë si fund. Çdo ditë i jam kthyer pistës me qëllimin për ta tejkaluar veten. Fitorja në Lucern është dëshmia se përkushtimi shpërblehet,” – rrëfen ai me përulësi dhe emocione.
Fitorja në Lucern shënon kulmin e një sezoni të qëndrueshëm, duke e renditur Mamushën në mesin e atletëve më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm shqiptarë në garat ndërkombëtare.


“Shpresoj që më 12 prill 2026 të jem sërish në pistë. Gara është pasion, por mbi të gjitha është mënyra më e bukur për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet,” – shton Tirron Mamusha me buzëqeshjen e njeriut që e njeh vlerën e përpjekjes dhe të rrugës.

Në përmbyllje të takimit, Konsulli falënderoi sportistin për frymëzimin që përcjell tek të rinjtë dhe për faktin se përmes sportit, ai po ndërton një urë të fortë mes Kosovës dhe diasporës.

“Kur e përfaqëson shtetin, ajo nuk është vetëm ndjenjë – është përgjegjësi dhe krenari. Ju na keni bërë krenarë të gjithëve. Ne jemi të përkohshëm, por misioni i përfaqësimit është i përhershëm,” – theksoi Konsulli Vigan Berisha.

Kur Tirroni hap duart në shenjën e shqiponjës, çdo shqiptar ndien në gjoks rrahjen e një zemre të përbashkët, zemrës që fluturon me krenari, mbi re, mbi lodhje, mbi kufij.

Në shenjë simbolike, kupa dhe medalja e fituar në Lucern do të vendosen në një vend të posaçëm në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih – si kujtesë e përhershme e përkushtimit, pasionit dhe krenarisë që lidh sportin me identitetin kombëtar.

 

 

Një rast i pazakontë trafikimi njerëzor trondit Bernën

Policia kantonale e Bernës ka zbuluar një rast trafikimi të qenieve njerëzore në qytetin e Bernës. Një burrë 34-vjeçar dyshohet se që nga viti 2016 ka sjellë në Zvicër punonjës meshkuj nga vende të ndryshme dhe i ka shfrytëzuar ata për qëllime seksuale, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, viktimat ishin burra nga Spanja, Brazili, Kolumbia, Venezuela dhe Republika Çeke, të cilët ofronin shërbime ekskluzivisht për klientë meshkuj. Deri tani, policia ka hetuar 40 viktima të mundshme dhe ka identifikuar 14 prej tyre.

Kujtojm; se i dyshuari u arrestua në janar 2025 gjatë një operacioni policor në apartamentin e tij në Bernë, ku u gjetën dhe u morën në pyetje tre punonjës të tjerë meshkuj. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë. /Albinfo.ch

Për më shumë  detaje – https://www.srf.ch/news/schweiz/prostitution-in-der-stadt-bern-menschenhandel-in-bern-polizei-ermittelt-40-maennliche-opfer

Vritet me thikë e reja në Francë, në kërkim ish-partneri shqiptar

Vijojnë hetimet për vrasjen e një kameriereje në Mulhouse të Francës. Mediat franceze raportojnë se në kërkim është shpallur ish-partneri i saj, një shtetas shqiptar. Viktima e një sulmi me thikë ishte një grua 33-vjeçare, e lindur në Gjeorgji dhe banuese në Mulhouse, transmeton albinfo.ch.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, nuk ka precedentë penale dhe është i panjohur për policinë franceze, njoftoi Prokuroria e Mulhouse më 28 tetor.

Viktima punonte si banakiere në një bar lokal. Ajo u godit me thikë për vdekje më 25 tetor, në momentin që po hapte lokalin e punës. Sipas hetimeve paraprake, ajo kishte jetuar për tre vjet me autorin e dyshuar, nga i cili ishte ndarë prej pak kohësh.

Prokuroria dyshon se motivi i ngjarjes lidhet me xhelozinë dhe refuzimin e ndarjes, një faktor i përmendur shpesh në rastet e femicidit.

Shefi i saj, Farouk Tas, i cili mbërriti i pari në vendngjarje, tha për France 3 Grand Est:

Ajo ishte si vajza ime. Ishte një grua e jashtëzakonshme. Jemi në shok, pamë gjithçka me sytë tanë. Jemi të shkatërruar.”

Një autopsi e trupit të viktimës pritet të kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Strasburgut, ndërsa po rishikohen kamerat e sigurisë për të zbardhur çdo detaj të ngjarjes. /Albinfo.ch

Qeveria federale po riaktivizon këto aeroporte të vjetra ushtarake

Për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë në Evropë, Këshilli Federal ka vendosur të forcojë mbrojtjen ajrore të Zvicrës. Një nga masat kryesore është decentralizimi i Forcave Ajrore Zvicerane, në mënyrë që ato të jenë më pak të prekshme ndaj sulmeve, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kuadër, po riaktivizohen ish-aeroporte ushtarake dhe po zhvillohen stërvitje uljesh në autostrada. Aktualisht, tre bazat kryesore ajrore janë Payerne (VD), Emmen (LU) dhe Meiringen (BE), ndërsa pritet që në të ardhmen të përdoren sërish disa pista të vjetra për qëllime mbrojtëse dhe trajnimi.

https://www.blick.ch/politik/bundesrat-beschliesst-dezentralisierung-luftwaffe-braucht-ausweichmoeglichkeiten-id21371355.html

Zvicra dhe Britania e Madhe hapin rrugë të reja për bashkëpunim në sektorin e shërbimeve

Të dy vendet zgjatën Marrëveshjen e Lëvizshmërisë së Shërbimeve (SMA), e cila ishte planifikuar të skadonte në dhjetor të këtij viti; tani do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2029, njoftoi qeveria të martën.

SMA rregullon aksesin reciprok në treg dhe qëndrimin e përkohshëm të ofruesve të shërbimeve, siç janë konsulentët e menaxhimit, ekspertët e IT-së dhe inxhinierët, pasi marrëveshja e lëvizjes së lirë të personave midis dy kombeve përfundoi pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE në vitin 2021. /Albinfo.ch

Zvicra, kombi më konkurrues në botë

Ndoshta e keni dëgjuar tashmë këtë: Zvicra ishte tashmë në vendin e parë midis 69 ekonomive në Renditjen Botërore të Konkurrueshmërisë në qershor, përcjell albinfo.ch.

Tani, një studim tjetër – ‘Raporti i Konkurrueshmërisë 2025’ i grupit të ekspertëve Eight Competitiveness Lab – gjithashtu e vendosi Zvicrën në vendin e parë, përpara 57 vendeve të tjera.

Zvicra u rendit kaq lart falë “bazës së saj të fortë ekonomike, infrastrukturës së fortë, kapacitetit të fortë inovativ dhe kushteve fiskale”, zbuloi raporti.

Kufiri midis Gjenevës dhe Francës do të ndryshojë

Të martën, Zvicra dhe Franca nënshkruan tre marrëveshje në Bernë në lidhje me korrigjimin e kufirit kombëtar midis kantonit të Gjenevës dhe departamentit të Haute-Savoie, përcjell albinfo.ch.

Rregullimet kanë të bëjnë me sektorët Hermance dhe Foron, si dhe zonën kufitare të Perly-Certoux dhe Bardonnex.

Për më tepër, si pjesë e ndërtimit të një linje të re ndërkufitare tramvaji midis komunës zvicerane të Perly-Certoux dhe komunës franceze të Saint-Julien-en-Genevois, është e nevojshme edhe një përshtatje e kufirit shtetëror.

Agjencia belge e lajmeve: Belgjika dëshiron të krijojë burgje në Kosovë

Për shkak të mungesës së vendve të mjaftueshme në burgjet e vendit, autoritetet belg po shqyrtojnë mundësinë që disa të burgosur të vuajnë dënimin e tyre në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Referuar agjencisë belge të lajmeve Belga, qeveria po mendon të marrë me qira ose madje të ndërtojë një burg në Kosovë për personat e dënuar që nuk kanë status të rregullt qëndrimi. Një marrëveshje e ngjashme ekziston tashmë mes Kosovës dhe Danimarkës.

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, së bashku me ministren e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, vizituan së fundmi Kosovën për të zhvilluar bisedimet e para, raportoi mediumi gjerman n-tv, pjesë e grupit RTL.

Problemi i mungesës së vendit ka nxitur edhe miratimin e një ligji të ri. Burgjet e mbipopulluara janë një sfidë serioze në Belgjikë, ndaj gjatë verës u miratua një rregullore e re që kërkon që gjykatësit të japin një arsyetim të qartë përse një dënim me burg është i domosdoshëm. Aktualisht, vendi ka mungesë afërsisht 2.000 vendeve të burgimit.

Në vitin 2014, Belgjika u shpall fajtor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për kushtet e papërshtatshme në burgjet e saj dhe që nga ajo kohë është kritikuar disa herë, përfshirë nga Këshilli i Evropës. Sipas agjencisë belge Belga, Kosova shpreh interes për mbështetje nga Belgjika në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke qenë ende kandidat potencial për anëtarësim.

Adnan Januzaj shënoi dy herë në fitoren e Sevillas në Kupën e Mbretit

Adnan Januzaj e ka gjetur më në fund rrugën e golit, përcjell albinfo.ch.

Bëhet e ditur se ai shënoi dy herë në fitoren e Sevillas në Kupën e Mbretit, e cila përfundoi me rezultat 1:4 ndaj Toledos.

Futbollisti shqiptar që përfaqëson Belgjikën, realizoi në minutat 40 dhe 48-të.

https://x.com/ZonaMixta__/status/1983274035543937137

https://x.com/ZonaMixta__/status/1983274035543937137

26 vite betejë ligjore, mërgimtari shqiptar fitoi të drejtën për të qëndruar në Britani

Një mërgimtar shqiptar ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të mbajtur shtetësinë britanike, pas një beteje ligjore që ka zgjatur plot 26 vjet, përcjell albinfo.ch.

Gentian Hoti, i lindur në Shqipëri, mbërriti në Britani në vitin 1999 kur ishte vetëm 15 vjeç.

Ai kërkoi azil duke përdorur një identitet të rremë, duke pretenduar se ishte një vit më i ri dhe se kishte lindur në Kosovë, jo në Shqipëri. Në atë kohë, ai deklaroi se kishte vuajtur nga autoritetet serbe në Kosovë dhe se ishte ndarë nga familja gjatë arratisjes.

Megjithëse kërkesa e tij për azil u refuzua, autoritetet britanike i dhanë leje të jashtëzakonshme qëndrimi deri në vitin 2003. Më pas, Hoti u vendos në kujdesin e autoriteteve lokale dhe në vitin 2004 mori leje të pacaktuar qëndrimi. Një vit më vonë, ai aplikoi për nënshtetësi britanike, e cila iu miratua.

Por në vitin 2010, Ministria e Brendshme (Home Office) nisi një hetim dhe në vitin 2013 shpalli se shtetësia e tij ishte “e pavlefshme” për shkak të mashtrimit me identitetin. Në vitin 2019, autoritetet vendosën t’ia heqin nënshtetësinë, duke theksuar se Hoti kishte mbajtur të njëjtin identitet të rremë në çdo aplikim që prej mbërritjes në Britani.

Hoti apeloi vendimin dhe pas disa proceseve gjyqësore, gjykatat britanike vendosën përfundimisht në favor të tij. Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se ai nuk mund të mbahej përgjegjës për mashtrimin e bërë kur ishte ende i mitur dhe se që nga viti 2013 kishte pranuar hapur origjinën e tij shqiptare./Albinfo.ch 

Kurti përfaqëson sot Kosovën, në Forumin e Paqes në Paris

Sot fillon Forumi i Paqes të Parisit, i cili është një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron.

lg.php.gif

Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.

Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.

Po ashtu Kurti zhvilloi një takim me Institutin Jacques Delors, një institut të respektuar me seli në Paris, i themeluar nga vetë Jacques Delors – një nga arkitektët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian – për një diskutim mbi gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

“E shfrytëzova këtë mundësi për të theksuar nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë ndaj zgjerimit të BE-së, si çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve të tanishme gjeopolitike. Diskutuam gjithashtu për investimet e Kosovës në mbrojtje, mbrojtjet kushtetuese dhe praktike të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe për lidhjen e pandashme midis agjendave ekonomike dhe parimeve demokratike”, ka shkruar Kurti në X.

Osmani takohet me presidentin bullgar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike.

Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik.

Ambasadori gjerman: KFOR-i, shtyllë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor

Bëhet e ditur se ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vizituar selinë e KFOR-it, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Oezkan Ulutash, përcjell albinfo.ch.

Rudolph ka thënë se KFOR-i mbetet shtyllë kyç e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

“Gjatë takimit të tyre, Rudolph shprehu vlerësimin e tij për punën e jashtëzakonshme që KFOR-i vazhdon dhe i falënderoi ata për shërbimin e tyre në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, thuhet në postimin e ambasadës gjermane në Facebook.

Gjatë vizitës, ambasadori gjerman është takuar edhe me komandantin e kontingjentit gjerman në kuadër të KFOR-it, kolonel Muller, nga i cili është njoftuar më gjerësisht për kontributin e ushtarëve gjermanë që shërbejnë në këtë mision.

Rita Ora mahnit me look-un e viteve ’50 në “All Natural”

Rita Ora ka befasuar fansat me një performancë surprizë të këngës së saj “All Natural”, duke ndarë pamje që reflektojnë stilin e saj të guximshëm e modern, përcjell albinfo.ch.

Këngëtarja me origjinë shqiptare u shfaq me një look të frymëzuar nga eleganca e viteve ’50, me flokë të valëzuar, grim të rafinuar dhe buzë rozë, ndërsa kombinimi i mantelit të zi me geta vjollcë dhe taka të larta u vlerësua si një ndër paraqitjet më ikonike të saj.

“Performancë surprizë! E adhuroj këtë version të ri të ‘All Natural’”, ka shkruar Rita në përshkrimin e postimit.

Kënga po gëzon sukses të madh ndërkombëtar, ndërsa fansat presin me padurim albumin e katërt të artistes, që pritet të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj.

Elbenita Kajtazi rikthehet në skenën madhështore të Semperoper-it në Dresden

Sopranoja e shquar me famë ndërkombëtare, Elbenita Kajtazi, vazhdon të ngjallë admirimin e publikut gjerman dhe më gjerë, shkruan albinfo.ch.

Në një postim të fundit, ajo ka ndarë emocionet e saj para paraqitjes së radhës në një nga skenat më prestigjioze të Evropës – Semperoper në Dresden.

“Gati të ngjitem në skenë në Semperoper, Mimi im i parë për këtë sezon. Dy shfaqje të tjera më presin më 15 dhe 21 nëntor 2025”, ka shkruar artistja shqiptare.

Elbenita Kajtazi, e cila prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në botën e operës, është vlerësuar për zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe interpretimet e ndjeshme në rolet klasike.

Rikthimi i saj në Semperoper shënon një tjetër sukses në rrugëtimin e një artisteje që vazhdon të përfaqësojë me krenari muzikën shqiptare në skenat ndërkombëtare./Albinfo.ch

Shoqëria “Teuta Lausanne” shënon 20-vjetorin e themelimit dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Në një mbrëmje festive që pritet të mbledhë bashkë shqiptarë nga mbarë Zvicra, Shoqëria Kulturore “Teuta Lausanne” do të shënojë 20-vjetorin e aktivitetit të saj si dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet më 22 nëntor 2025, duke filluar nga ora 19:00, në Salle de spectacle de Renens, ku pritet të përsëritet atmosfera e ngrohtë që kjo shoqëri ka krijuar ndër vite me vallëzime, tradita dhe miqësi që ruajnë gjallë rrënjët shqiptare në mërgatë.

Nën moton “Dy dekada vallëzimi, traditash dhe miqësie që na bashkojnë rreth rrënjëve tona”, mbrëmja do të jetë një kombinim i artit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.

Shoqëria “Teuta Lausanne”, përmes aktivitetit të saj të pandërprerë për dy dekada, ka kontribuar në ruajtjen e vlerave shqiptare dhe në prezantimin e kulturës në Zvicër, duke u bërë një urë e fortë lidhëse ndërmjet brezave dhe traditave./Albinfo.ch

Azem Maksutaj hap qendrën e re “Azem Kampfsport Center” në Turm Areal, Winterthur

Legjenda shqipatro-zvicerane e Muay Thai, 14 herë kampion bote, Azem Maksutaj, nis një kapitull të ri: më 8 nëntor 2025 ai inauguron qendrën e re Azem Kampfsport Center në Turm Areal të Winterthurit. Pas më shumë se katër dekadash në adresën e mëparshme, shkolla më e vjetër e arteve marciale në Winterthur dhe rrethinë (që nga 1985) zhvendoset në një hapësirë më të madhe, moderne dhe me vizion të qartë: të bashkojë lëvizjen, forcën mendore dhe komunitetin.

Qendra e re ofron 400 m² sipërfaqe trajnimi të përshtatshme për sport elitar, zhvillim të të rinjve dhe stërvitje të orientuar drejt shëndetit. E vendosur në “Rote Turm”, një prej simboleve të qytetit me fasadë të kuqe karakteristike, hapësira e re mishëron energjinë, progresin dhe forcën – vlera që Maksutaj i ka përfaqësuar për dekada. Programet do t’u shërbejnë fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave, me synimin për t’i frymëzuar, përkrahur dhe udhëhequr.

Nga ëndrra e një të riu te modeli për një shoqëri më të fortë

I ardhur në Zvicër në 1991 pa arsim, pa gjuhë dhe pa mjete financiare, por me vullnet të palëkundur, Azem Maksutaj u shndërrua përmes disiplinës dhe guximit në një nga sportistët më të suksesshëm të Europës. Përvojën e tij ai e kthen në kontribut për të rinjtë, përmes bashkëpunimeve me institucione si Sportamt Winterthur, KV, BBW dhe ZAK, me fokus në parandalimin e dhunës dhe ndërtimin e vetëbesimit e respektit përmes sportit. Dokumentari “Being Azem” (2010) rrëfen udhëtimin e tij nga një fshat i vogël në Kosovë deri te ringjet vendimtare në Las Vegas — përfshirë sfidën e vitit 2006 në Bellagio, që mund ta çonte si zviceranin e parë pas Andy Hug në finalen K-1 Grand Prix në Tokio.

Sukses, zgjerim dhe rikthim te baza

Pas filmit, kërkesa për trajnime u rrit ndjeshëm, duke sjellë hapjen e shkollave shtesë në Zyrih, Wil dhe St. Gallen. Në vijim, Maksutaj vendosi ta përqendrojë sërish fokusin në Winterthur, duke ngritur një gym më të madh dhe më të fuqishëm që bashkon brezat. Lokacioni në Wil vijon të menaxhohet me sukses nga partnerët afatgjatë, ndërsa Turm Areal bëhet qendra kryesore dhe zemra e vizionit të tij.

Hapja e madhe – 8 nëntor 2025

Në Grand Opening mysafirët do të kenë një program të larmishëm me show-duele, aktivitete trajnimi dhe aktivitete për fëmijë e familje. Do të prezantohet edhe maskota e re “Azemino”, tigri i Muay Thai-t. Në bashkëpunim me indyvit, Azem do të zbulojë edhe një produkt të ri të bazuar në shkencë për performancë, rigjenerim dhe shëndet. Atmosfera do të shoqërohet me fingerfood, specialitete në skarë, pije freskuese, muzikë dhe networking.

 

 

Burim Ramaj shpallet doktor shkence në Universitetin e Friburgut

Në Universitetin prestigjioz të Friburgut në Zvicër, studiuesi shqiptar Burim Ramaj është shpallur doktor shkence me një temë që lidhet ngushtë me trashëgiminë juridike dhe kulturore shqiptare: “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”, shkruan albinfo.ch.

Ceremonia solemne e mbajtur në ambientet e universitetit mblodhi familjarë, miq dhe profesorë, ndërsa mentori i punimit, Prof. Dr. René Pahd de Mortanges, vlerësoi lart kontributin shkencor të studimit, duke e cilësuar si një analizë të thellë mbi ndërthurjen e së drejtës zakonore shqiptare me sistemin juridik modern.

Në mesin e shtatë kandidatëve që morën titullin e doktorit të shkencave, Burim Ramaj spikati jo vetëm për vlerën akademike të temës, por edhe për mesazhin që ajo përcjell mbi ruajtjen e identitetit juridik dhe kulturor të shqiptarëve në kontekstin e integrimit evropian.

Në këtë ditë të rëndësishme, përkrah tij ishte edhe babai i tij, Marian Ramaj, i njohur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj arsimit. Ai u shpreh krenar për arritjen e të birit, i cili në moshën vetëm dyvjeçare ishte larguar nga Kosova për një jetë të re në Zvicër, një histori që sot frymëzon shumë të rinj shqiptarë në diasporë.

Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe poeti Musa Jupolli, mik i afërt i doktorit të ri, i cili e përshkroi këtë moment si një “fitore të dijes dhe përkushtimit shqiptar në mërgatë”.

Suksesi i Ramajt vjen në një periudhë kur gjithnjë e më shumë të rinj shqiptarë po dallohen në universitetet zvicerane. Ndër ta është edhe Doriela Grabocka (Dori) nga Korça, e cila pritet të marrë së shpejti titullin e doktoraturës në ETH Cyrih, një tjetër dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve në fushën e shkencës dhe kërkimit akademik. /Albinfo.ch

Vedat Muriqi: Planifikoj të pensionohem te Mallorca dhe të investoj në biznese lokale

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës dhe i Mallorcas, Vedat Muriqi, ishte i ftuar në emisionin “Jugam a Fora de Joc”, ku foli për karrierën e tij dhe planet e së ardhmes.

Muriqi ka nisur sezonin e ri me një formë të shkëlqyer, duke shënuar pesë gola në dhjetë ndeshjet e para, dhe synon të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Ai ndodhet vetëm gjashtë gola pas Arangos, ndërsa rekordi aktual mbahet nga Samuel Eto’o.

“Kam rinovuar kontratën me Mallorcan dhe synimi im është të përfundoj karrierën këtu. Pas pensionimit, dua të investoj në biznese në Mallorca dhe të jem pjesë aktive e komunitetit,” tha Muriqi.

Ai tregoi edhe historinë e transferimit të tij te Mallorca, pas një periudhe të vështirë te Lazio. “Kur isha te Lazio, Ortells më kontaktoi, por fillimisht refuzova. Në Itali kisha sfida të shumta, dhe nuk isha pjesë e planeve të trajnerit Sarri. Më pas vendosa të bashkohem me Mallorca për një huazim, që do të zgjasë vetëm katër muaj… dhe tani kanë kaluar pothuajse pesë vite,” shtoi sulmuesi i njohur si “Pirati” dardan.

Muriqi shprehu besimin se mund të kalojë rekordin e golave të Eto’os dhe të bëhet një legjendë e Mallorcas. Ai gjithashtu synon të fitojë një trofe me klubin, duke përmendur Copa del Rey si një mundësi të afërt.

Për këtë sezon, sulmuesi tregon se ka punuar shumë në aspektin fizik dhe mendor, duke u përqendruar te parandalimi i dëmtimeve dhe përmirësimi i rutinës për pas ndeshjeve. Ai gjithashtu ka ndryshuar zakonet e ushqimit, duke reduktuar çokollatën dhe pijet e gazuara.