Tematike

Kur problemet “e shtëpisë” i mvishen migracionit

Sipas ministres Sommaruga, referuese në konferencë, shumica e problemeve aktuale në Zvicër janë “të shtëpisë”, që domethënë të shkaktuara nga vetë zviceranët ose nga (mos)funksionimi i sistemit

A është fajtor migracioni për disa nga problemet me të cilat po ballafaqohet Zvicra viteve të fundit sa i përket mbipopullimit, tollovive në komunikacion, shtrenjtimit të banesave etj., apo janë vetë qytetarët e Zvicrës? Kjo, në një mënyrë të thjeshtëzuar do të ishte përmbledhja e pyetjeve të cilat janë shtruar në konferencën njëditore të Komisionit Federal për Migracion (EKM/CFM) të mbajtur të martën në Bernë.

Ndërsa përgjigjet për këto pyetje ishin të shumta dhe u dhanë nga persona shumë kompetentë, vendorë dhe ndërkombëtarë, duke nisur nga politika e deri te demografia.
Ministrja federale e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka mbajtur një referat në këtë konferencë, ku është marrë e nevojën për një qasje realiste ndaj problemeve me migracionin.

“Shumëllojshmëria ka qenë prej kohësh një përparësi e Zvicrës. Migracioni është pjesë e kësaj shumëllojshmërie dhe në këtë kuptim edhe pjesë e Zvicrës”.

Zvicra është në gjendje ekonomike shumë më të mirë se të fqinjëve të saj dhe me një përqindje minimale të papunësisë. Këtë mirëqenie ekonomike dhe të gjithëmbarshme ajo ia detyron në një masë të madhe të huajve që punojnë këtu.

Por, krahas të mirave që janë më të shumta, nuk bën t`i heshtim edhe problemet reale që shkaktohen nga migracioni, ka thënë veç tjerash Sommaruga.

Ajo u ka tërhequr vërejtjen qarqeve politike që bëjnë panik për “pushtimin” nga të huajt dhe rrezikun nga mbipopullimi, se shumica e problemeve aktuale në Zvicër janë “të shtëpisë”, që domethënë të shkaktuara nga vetë zviceranët ose nga (mos)funksionimi i sistemit.

Si njërin ndër treguesit për këtë ajo ka përmendur hapësirën e banimit. Nuk është e vërtetë se të hajt “po na i marrin banesat” ose “po i shtrenjtojnë ato”, ka thënë Sommaruga.

Është rritje a kërkesave tona për hapësirë më të madhe të banimit ajo që i shkakton të dyja. Nëse para rreth 40 vitesh, 30 metra katrorë banimi ishin optimale për një person, sot nevojiten 50 metra katrorë, ka ilustruar ajo.
 
Ku do të ishte Zvicra pa të huajt?

David Coleman, profesor i demografisë në Universitetin e Oksfordit ka bërë një shpjegim rreth “pjekurisë” dhe “plakjes” demografike që aktualisht po kalon Evropa.

Megjithëse shumica e shqetësimeve për plakjen e popullatës në Evropë qëndrojnë, Coleman tërheq vërejtjen se shpesh harrohet fakti i zgjatjes së jetës mesatare dhe e përmirësimit të kualitetit të jetës në pleqëri, pikërisht në Evropë dhe në perëndim në përgjithësi.

Ai ka përmendur po ashtu trendët në disa vende, kryesisht në Francë dhe në shtetet skandinave, ku politikat e përshtatshme sociale kanë ngritur natalitetin, gjë që bie ndesh me panikun për “vdekjen e Evropës”.

Edhe tre demografë të tjerë kanë shprehur në kumtesat e tyre në vazhdim pikëpamjet e tyre në lidhje me temën bosht, migracionin dhe ndikimin e gjithanshëm të tij në Zvicër.

Kështu, Rainer Münz, demograf nga sektori për hulumtime në Erste Group Bank, Vjenë i ka bërë një “fotografim” ndikimit të migracionit në Zvicër, të shtrirë në vite dhe në regjione.

Ai ka vënë në dukje se në 100 vitet e fundit Zvicra, me përjashtim të disa periudhave të shkurtra, ka qenë vend migrimi, me një fuqi të madhe tërheqjeje të migracionit.

Periudhat e vetme kur migrantët kanë braktisur Zvicrën ose kur ata nuk ia kanë mësyrë asaj kanë qenë ajo e vitit 1918 kur Zvicrën e kishte kapluar një epidemi e rëndë dhe në vitin 1973, në kohën e krizës së naftës.

Ku do të ishte Zvicra pa të huajt, si do të zhvillohej jeta në këtë vend, kur në një numër sektorësh, të huajt përbëjnë rreth gjysmën e të punësuarve, ka qenë preokupimi që profesori i demografisë nga Universiteti i Gjenevës, Philipp Wanner e ka shpalosur para publikut të konferencës, në referatin e tij interesant.

Ai ka tërhequr vëmendjen te faktet që dëshmojnë varësinë e jetës nga të huajt, duke prezantuar edhe projeksionet se si do të zhvillohej jeta në Zvicër në mungesë të të huajve. Numri i të punësuarve, sipas këtyre projeksioneve do të ishte shumë më i vogël dhe rrjedhimisht edhe mirëqenia në Zvicër do të ishte shumë më e ulët.

Ai këtë e ka ilustruar edhe me të dhënat që shihen edhe me perceptim të thjeshtë, se rreth gjysma e personelit në hotelieri, gastronomi, ndërtimtari dhe shëndetësi janë të huaj. Mungesa e tyre do të reflektohej shumë rëndë në shoqërinë zvicerane të mësuar në mirëqenie, ka konstatuar Wanner.

Martin Schuler nga EPFL i Lozanës ka referuar për planifikimin hapësinor në Zvicër, ndërveprimet e faktorit të migracionit dhe faktorëve tjerë në këtë planifikim.
Ndërsa duke bërë fjalë për këtë ndërveprim, referuesi tjetër, Christian Ferres nga Byroja për planifikimin e komunikacionit “Metro” ka ardhur në konstatimin se “dy të tretat e ndryshimeve (negative) të shkapërderdhjes urbane kanë ardhur së brendshmi dhe  vetëm një e treta janë shkaktuar nga migracioni”.
 
“Dy të tretat, probleme autoktone, një e treta, të importuara”!

Një përpjesëtim i ngjashëm “dy të tretat e problemeve janë autoktone dhe një e treta të importuara”, gjegjësisht të shkaktuara nga migracioni, është përmendur edhe në kontributet tjera, të lexuara ose të shqiptuara në këtë konferencë.

Një referat mjaft interesant e ka sjellë në Bernë studiuesi i demografisë, ish drejtori i Institutit Francez për Demografi, François Héran.

Ai, në kontributin e tij të natyrës eseistike ka ballafaquar pikëpamjet dhe konceptet e ndryshme demografike gjatë historisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e kësaj fushe. Héran është ndalur më shumë në teorinë maltusiane dhe në pasuesit e Maltusit, që njihet për qëndrimet jo shumë humane kur bëhet fjalë për zhvillimet demografike.

Siç dihet Maltusi ka përfaqësuar idenë për “popullatën e tepërt”, respektivisht të varfrit, e cila duhet të “eliminohet” që pjesa tjetër, e zgjedhur, të mund të jetojë në mënyrë normale. Kjo, sepse, sipas tij, resurset e natyrës nuk mjaftojnë për një numër më të madh banorësh të tokës.

Këtë teori, profesori nga Parisi e ka lidhur edhe me tendencat aktuale, që si “element të tepërt” e konsiderojnë migracionin. Në këtë kuptim, edhe iniciativat si ajo “Ecopop”, për të cilën pritet të votohet në vitin e ardhshëm në Zvicër, sipas Héran dhe disa folësve të tjerë në këtë konferencë, shkojnë në një drejtim të ngjashëm, ndonëse më të moderuar.

Krahas leximit të referateve, studiuesit dhe referuesit tjerë u prezantuan edhe në tri panele që u mbajtën gjatë ditës, ku ata, përmes pyetjeve të moderatorëve, (si kryetari i EKM/CFM, Wakter Leimgruber, nëndrejtoresha e BFM Barbara Büsch etj.) dhe të publikut, i shkoqitën më tej vlerësimet e bëra në referate.

Blerim Shabani