Badalli, kandidati i parë shqiptar në historinë e zgjedhjeve në Ticino

Të shtunën që shkoi, në Lugano, stafi i fushatës elektorale të kandidatit Elez Badalli kishte organizuar një mbrëmjë me qytetarë. Në të morën pjesë një numër shumë i madh i të rinjve shqiptarë dhe mjaft qytetarë vendës. Ajo që duhet theksuar ishte edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të Qeverisë Kantonale dhe të asaj komunale të Luganos. Aty ishte kryetari i Qeverisë së Kantonit Ticino, Paolo Beltraminelli, pastaj udhëheqësi tjetër në nivelin komunal, Angelo Jelmini dhe kryetarja e grupit parlamentar të PPD në Komunën e Luganos, Simonetta Perucchi. Morën pjesë edhe shumë përfaqësues tjerë të institucioneve të të gjitha niveleve në Kantonin Ticino.

Mund të thuhet se për komunitetin shqiptar në këtë kanton kjo ishte  një ditë historike. Është një fillim historik i përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit tonë në institucionet e qytetit të Luganos”, thuhet në shkresën e dërguar nga stafi elektoral i kandidatit Badalli. Kujtojmë që Lugano është njëra prej qëndrave kryesore ekonomike në Zvicër. Gjithashtu Lugano është njëri prej qyteteve më joshëse për turistët e gjithë botës. Dhe Lugano është qyteti në të cilën jetojnë dhe veprojnë një numër i madh shqiptarësh të të gjitha tokave shqiptare, thuhet më tej në shkresë.

Është hera e parë që një shqiptar garon për institucionet komunale të Luganos. Prandaj konsiderojmë që është hera e parë që komuniteti ynë është i motivuar dhe ka pse të dalë dhe të votojë.

Dhe më e mira është se kemi një kandidat shumë serioz. Një djalë i ri, ishkolluar dhe i rritur pikërisht në qytetin e Luganos. Një djalë i cili është rritur në frymën kombëtare. Ai, Elez Badalli, është shembull i integrimit në gjithë kantonin Ticino.

“Elezi në fokus të fushatës së tij elektorale ka vendosur familjen, rininë, çështjen e integrimit, avancimin e komunitetit tonë dhe përmirësimin dhe konsolidimin e imazhit tonë si shqiptarë”, shprehen autorët e shkresës.

Mbrëmjen me qytetarët e hapi Remzi Durmishi njëri nga udhëheqësit e stafit të Badallit. “Çdonjëri prej nesh mundet dhe do të duhej të japë një kontribut për shoqërinë në të cilën jetojmë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Kemi për kandidat një djalë të ri, dinamik, inteligent, plot vullnet për punë. Një djalë me parime të shëndosha, i cili në qendër të vëmendjes ka njeriun, familjen dhe jo shifrat dhe numrat. Një djalë plotë humanizëm. I afërt me nevojat e të rinjve, fëmijëve, të rriturve. I ndjeshëm për përmirësimin e edukimit dhe ekonomisë së qytetit të tij”, tha Durmishi në prezantimin e kandidatit Badalli.

Ndërsa i riu që kandidon për Këshillin e Komunës së Luganos, Elez Badalli, duke iu drejtuar të pranishmëve, u zotua se do të punonte me gjithë fuqinë për të mirën e komunitetit.

“Unë kam një ëndërr dhe këtë ëndërr së bashku do ta bëjmë realitet, me ndihmën tuaj do të angazhohem që imazhi ynë të ngrihet në piedestalin më të lartë. Do të punoj që nevojat, kërkesat dhe problemet e komunitetit t`i adresoj në mënyrën më të ndershme. Do të jem në dispozicionin tuaj sa herë që e kërkon nevoja. Kur e them këtë, marr përgjegjësinë para vetes, duke u bazuar në programin e Partisë Popullore Demokratike (PPD) që si themel ka familjen, besimin dhe të drejtat fondamentale të njeriut pa dallim race, kulture dhe konfesioni”, u ka thënë Badalli bashkëqyetarëve të tij duke ua kërkuar votën.

Në vazhdim të mbrëmjes është zhvilluar një debat shumë përmbajtjesor dhe briliant me kandidatin Badalli, i drejtuar nga z. Durmishi. Të gjithë, dhe në veçanti përfaqësuesit e institucioneve, patën vetëm komplimente për këtë debat, thuhet në shkresën e stafit të Badallit.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Qeverisë së Kantonit Ticino, Paolo Beltraminelli, duke vënë theksin në afërsinë dhe respektin e tij për kandidatin e ri, në mes tjerash tha: “nëse Elezi sot është këtu, pra eshtë kandidat për këshilltar komunal, `fajin` e kam pikërisht unë. Sepse unë e njoh Elezin që nga mosha e tij fëmijërore. Elezi ka qënë nxënësi im i fundit. Shqiptarët dhe Elezi më kanë befasuar çdo herë për të mirë. Badalli është djalë i ri, është energjik, dinamik, inteligjent. Ai përfaqëson gjithë të rinjtë e të gjitha lagjeve të Luganos. Ai është shembulli më i mirë i integrimit. Pra ky është Elezi, i cili në çfarëdo mementi, pa u merakosur fare, më thërret në telefon dhe më thotë: Beltra, posa kam peshkuar dy peshq, i don ti? Dhe unë i them: po, eja. Vjen në shtëpinë time kurdo dhe si do. Pra ky është Elez Badalli.”

Stafi i kandidatit Badalli, me ndihmën e çmuar të nënave dhe bashkëshorteve, kishte përgatitur specialitete nga kuzhina shqiptare, nga të cilat vendasit edhe njëherë mbetën shumë të kënaqur.

Me këtë rast ftojmë që deri më 14 prill 2013 të gjithë shqiptarët që kanë të drejtë vote të votojnë kandidatin e PPD-së, Elez Badalli, listen numër 1, kandidatin numër  4. Votoni për të ardhmen tonë të ndritur, votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Votoni për shqiptarinë!

Gjithashtu ftojmë të gjitha mediet që kanë mundësi të na ndihmojnë në promovimin e kandidatit tonë Elez Badalli, thuhet veç tjerash në letrën që stafi udhëheqës i kandidatit Elez Badalli u ka drejtuar medieve.

 

1. Kandidati Badalli me kandidatët tjerë

2. Nga e majta: Paolo Beltraminelli, kryetar i Qeverisë Kantonale në Ticino. Remzi Durmishi mediator ndërkulturor dhe Elez Badalli, kandidat për këshilltar komunal

10.04.2013

Kida përfaqëson komunitetin shqiptar në Interlaken

Prej më shumë se 6 vjetësh Nehat Kida është angazhuar me politikë në këtë qytet, ndërsa ka 4 vjet që është këshilltar i parë shqiptar që përfaqëson komunitetin shqiptar në Asamblenë Komunale të Interlakes.

Politikani me origjinë nga Kosova kishte siguruar një ulëse në Asamblenë Komunale të Interlakes, duke kandiduar në zgjedhjet lokale në këtë komunë më 2011.

Ai kishte gjetur përkrahjen në zgjedhje duke fituar shumicën e votave.

„Për këtë i falënderoj shumë si bashkatdhetarët e mi shqiptarë, por edhe qytetarët zviceranë”, tha Nehat Kida.

Për angazhim politik Kida ka zgjedhur Partinë Social Demokrate.

„Qëndrimi politik dhe mbështetja për të huajt si dhe integrimi i të rinjve janë disa nga ato që më kanë bërë të jem pjesë e kësaj partie“, tha Kida.

Si përfaqësues politik i shqiptarëve në Interlaken me rrethinë, njëkohësisht edhe si kryetar i shoqatës kulturore shqiptaro-zvicerane “Dardania” në Interlaken, politikani Kida është angazhuar për avancimin e pozitës së komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës.

„Nuk mungon përkrahja e vazhdueshme nga institucionet lokale, andaj edhe falënderimet nuk mungojnë asnjëherë. I falënderoj shumë për gjithë ndihmën që kanë ofruar dhe që në të ardhmen do ta ofrojnë për komunitetin shqiptar në këtë komunë“, tha për albinfo.ch politikani shqiptar.

Ai thotë se bashkatdhetarët e tij në Interlaken gëzojnë një imazh të mirë në Zvicër.

„Shqiptarët këtu janë në përgjithësi shumë punëtorë, ku mundohen që në çdo aspekt të japin kontributin e tyre, mirëpo edhe atdhedashuria nuk mungon për vendlindjen, ku edhe në kohë të vështira nuk e kanë kursyer veten për atdhe“.

 

Nehat Kida është me origjinë nga fshati Cermjan i komunës së Gjakovës në Kosovë. Babai i një fëmije, Kida ka një eksperiencë të gjatë të angazhimit në aktivitete të ndryshme në Interlaken. Ai ka të kryer shkollimin në drejtimin Ekonomi-Marketing. Është kryetar i shoqatës kulturore „Dardania”, po ashtu menaxhon edhe një firmë “Kida Consulting Immobilien GmbH”.

Shqiptari nga Kosova, Nue Oroshi është zgjedhur deputet në Asamblenë Komunale të Kielit

Nue Oroshi, historian dhe publicist, në nëntor të vitit të kaluar ka fituar kandidaturën brenda partisë së CDU-së për deputet në Asamblenë e Kielit. Në zgjedhjet e 26 maj, CDU ka dalur partia e dytë në këtë qytet por me një ngritje te përqindjes. “Fitorja ka ardhur si rezultat i mbështetjes së komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në këtë pjesë të Gjermanisë”, tha Oroshi për “PrizrenPress”.

Oroshi në prill të vitit të kaluar, pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e këshilltarit Komunal në Asamblenë e Prizrenit. Ai ishte i pakënaqur për mënyrën e shpërndarjes financiare për përkrahjen e komuniteteve si dhe për ndryshimin e logos të Lidhjes së Prizrenit, e cila është edhe identifikim i këtij qyteti historik.

Pas dorëheqjes së tij nga detyra e Këshilltarit Komunal të Prizrenit, Oroshi mori rrugën për ta fituar kandidaturën përbrenda partisë CDU për deputet në Asamblenë Komunale të Kielit të Gjermanisë. Ai ishte kandidat për deputet në zonën zgjedhore 10 në Metenhof, nga gjithsej 25 zona sa i ka qyteti i Kielit.

Oroshi tha se kjo fitore është e mbarë komunitetit shqiptar. “Kjo fitore nuk është vetëm e imja personale, por është sukses i mbarë komunitetit shqiptar, që jeton e punon në Republikën e Shlesvig Holshtajnit, ngase ata e kanë kuptuar se pa angazhim sukseset nuk vijnë vetvetiu. Unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të inkuadrohen edhe në jetën politike dhe ta afirmojmë kulturën tonë të çmuar, sepse kemi kapacitete dhe aftësi intelektuale”, tha Oroshi.

Sipas tij, mërgimtarët shqiptarë nga 26 maj për herë të parë do ta kenë një deputet në Asamblenë e Qytetit te Kielit të Gjermanisë. “Me zgjedhjen time deputet i Kielit, shqiptarët do ta kenë adresën direkte të paraqitjes së problemeve të ndryshme, të përditshmërisë, por edhe avansimin politik si komunitet”, tha Oroshi.

Ai premtoi se përveç me problemet e mërgatës do të punojë edhe në fuqizimin e politikës së Gjermanisë me atë të Kosovës. “Kam mundësi që përveç problemeve të mërgatës të ndimojmë dhe fuqizojmë politikisht edhe kontaktet me komunat e ndryshme në Kosovë, si në aspektin e ngritjes politike, por edhe sjelljen e investitorëve nga Gjermania në Kosovë”, premton Oroshi.

Oroshi tha se personalisht do të shërbejë si urë lidhëse në mes politikës gjermane dhe asaj shqiptare.”Unë do të punoj që në të ardhmen të kemi më shumë bashkëpunime të ndërsjella në mes qyteteve gjermane si dhe qyteteve shqiptare në përgjithësi, e sidomos do të mundohem që t’i koordinoj politikat lokale që në të ardhmen shumë politikanë lokalë të kenë kontakte me kolegët e tyre në Gjermani dhe ta mësojnë sistemin e qeverisjes gjermane”, shkruan Prizrenpress.

Osman Sadiku, deputeti më i ri shqiptar në nivel kantonal

Komuniteti shqiptar i Zvicrës, nga 26 qershori ka edhe deputetin e katërt shqiptar në nivel të parlamenteve kanonale. Osman Sadiku, nga partia Socialdemokrate ka dhënë të mërkurën betimin solemn në Parlamentin e Kantonit të Glarusit, ku ai deri në fund të mandatit do të ketë vendin e deputetit (këshilltarit).

Para tij, në Zvicër veprojnë tre deputetë në kantone të ndryshme. Fjala është për Zari Xhaferin, në kantonin e Zug-ut, Ylfete Fanaj, kantoni i Lucernit dhe shqiptaro-zvicerani Etrit Hassler në Kantonin St. Gallen. Të tretë përfaqësojnë Partinë Socialdemokrate. Ndërsa në përgjithësi, deputeti i parë shqiptare në nivel kantonal ka qenë zgjedhur në vitin 2006 Osman Osmani, në Kantonin e Schaffhausenit.

Osmani, specialist i migracionit, me banim prej 18 vitesh në Zvicër. Nga Kosova, komuna e Kamenicës, ai ka ardhur si inxhinier i elektroteknikës. Ndërsa në Zvicër ka punuar për rreth 14 vite në Kryqin e Kuq, në Glarus. Këtu ai ka akumuluar përvojë të çmueshme në fushë të punës me të huaj dhe me njerëz në nevojë. Kjo dhe angazhimi i tij në aktivitetet shoqërore, e ka sjellë atë natyrshëm në kontakt me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës.

Në ditët e ardshme albinfo.ch do ¨të publikojë një intervistë me deputetin e ri, Osman Sadikun.

28.06.2013

Arbër Bullakaj – Menaxher, politikan dhe Idealist

I veshur me kostum, Arbër Bullakaj është ulur dhe pret në kafene. Ai posa ka vizituar disa klientë të firmës së tij të konsultimeve. Në fytyrën e tij bie në sy një dinamizëm i përzier me seriozitet. I riu 27 vjeçar e flet në mënyrë të përsosur dialektin (schweizerdeutsch). Por, ngjyra e mbyllur e lëkurës, flokët dhe sytë e zinj, të bëjnë të konstatosh shpejtë se ai nuk është zviceran nga lindja.

Arbër Bullakaj është i lindur në Kosovë dhe ka ardhur me familjen në Zvicër kur ka pasur tetë vjet. Sot ai gjendet në Parlamentin e qytetit të Wilit dhe synon të bëjë disa ndryshime.

Në këtë parlament, anëtari i SP-së, Arbër Bullakaj është zvicerani i parë me prejardhje të huaj, që ka mundur ta realizojë një sukses të tillë politik. Dhe kjo ka ngjallur reaksione të bujshme në Wil. Sipas njërës palë,  fjala ishte për një rimëkëmbje dhe freskim. Ndërsa për palën tjetër ishte e paimagjinueshme që një ulëse në parlament do t`i takonte një njeriu të lindur në Kosovë.

“Brenda Parlamentit të Qytetit kam marrë shumë reagime pozitive”, thotë Arbër Bullakaj. Gjatë fushatës zgjedhore ai u kishte premtuar zgjedhësve te tij se do të avokonte për integrimin e të huajve dhe për promovimin e të rinjve. Dhe, tash Arbri ua lë veprave vendin e fjalëve.

Ai është bashkëthemelues i shoqatës “Fair Wil”. Synim i organizatës është reduktimi i paragjykimeve dhe vendosja e kontakteve ndërkulturore.

“Por ne synojmë po ashtu që të bëhemi pikë kontakti për çdo preokupim të mundshëm të emigrantëve. Në radhë të parë për plotësimin e formularëve”, thotë Arbër Bullakaj, i cili është dhe bashkëkryetar i shoqatës. Me veprime të tilla, bëhet shumë më tepër se sa një ofrim i thjeshtë shërbimi. Ky është një gjest aktiv për t`i mirëpritur njerëzit  dhe për t`ua krijuar atyre ndjenjën e të qenit në shtëpi të tyre.

Klishenë se pjesa më e madhe e të huajve nuk kanë interesim për tu përfshirë dhe për tu integruar e kundërshton Arbri: “Unë njoh këtu shumë të huaj ashtu si dhe shumë zviceranë. Të gjithë këta munden të jetojnë bashkë me njëri tjetrin dhe jo vetëm krahas njëri tjetrit.

Në një lagje të qytetit Wil, përbërja e të huajve është e lartë ndërkohë që në tjetrin mbizotërojnë të rinjtë zviceranë. Kjo bën pastaj që të mos ketë këmbim multikulturor. “Në raste e tilla është me rëndësi ngritja e urave. Para të gjithëve te rinjtë duhet ta kenë shansin që të mësohen me jetën në një përzierje kulturash të vendeve të ndryshme”.

Por, Bullakaj mbetet realist. Integrimi “nuk mund të bëhet duke detyruar dikë me `çekiç druri` por duhet të arrihet me takt, butësi dhe angazhim”. Te vetë ai, integrimi ka qenë një proces krejtësisht i natyrshëm. Familja e tij mendjehapur i ka lehtësuar atij shumë punë.

“Duhet të jesh i hapur dhe kureshtar për të njohur kultura të reja”.

Arbër Bullakaj është menaxher, politikan dhe idealist. “Është me rëndësi të integrohesh. Por pa e mohuar me ketë rast identitetin tënd”, thotë ai.

Nazim Rexhepi

Për Asamblenë Komunale të Lagnaus Rexhepi ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet edhe këtë herë. Politikani me prejardhje nga Kosova në një intervistë që i ka dhënë albinfo.ch tha se do të vazhdojë të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës. Rexhepi thotë se do të kandidohet edhe për zgjedhjet kantonale që do të mbahen në mars të 2014 në Bernë.

Albinfo.ch: Kur keni nisur të merreni aktivisht me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?

Nazim Rexhepi: Që në bankat shkollore, në Kosovë, më ka interesuar politika, ngase, siç thuhet: Edhe nëse nuk merresh me politikë, ajo merret me ty! Pas ardhjes në Zvicër më 1989 e kam parë se në një shoqëri demokratike vërtet ia vlen të jesh aktiv në politikë, aty ku merren vendimet e rëndësishme për qytetarët, e në rastin tonë edhe për emigrantët. Natyrisht, më është dashur të pres disa vjet, derisa e mora nënshtetësinë zvicerane.

Albinfo.ch: Përse jeni lidhur pikërisht me Partinë Socialdemokrate (SP)? Cili është profili dhe cila është fuqia e kësaj partie në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Partia Socialdemokrate e Zvicrës, por edhe partitë e tjera të majta, janë më të hapura ndaj të huajve dhe më të angazhuara në temat, si migrimi dhe integrimi i të huajve në shoqërinë zvicerane. Kjo parti udhëheq Komunën e Langnau-t tash e njëzet vjet (Kryetari i Komunës, z. Bernhard Antener, socialdemokrat, është tash e njëzet vjet në pushtet. Ai njëherësh është edhe kryetar i Parlamentit kantonal të Bernës).

Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë të angazhuar në këtë parti në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Për fat të keq, në Langnau nuk është asnjë shqiptar i angazhuar në politikë, përpos meje. Megjithatë, rreth zgjedhjeve angazhohen dhe, ata që kanë të drejtë vote, më votojnë mua.

Albinfo.ch: Prej vitesh jeni këshilltar i Komunës Langnau am Emental. Çfarë mund të veçoni nga angazhimi juaj politik që ka favorizuar qytetarët me origjinë të huaj dhe për shqiptarët në veçanti?

Nazim Rexhepi: Prej vitit 1993 jam fillimisht simpatizues, e që nga viti 2004 anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Më 03 nëntor 2013 me 715 vota të qytetarëve të Langnau-t u zgjodha për herë të tretë (2006 – 2009; 2010 – 2013 dhe 2013 -2017) anëtar i Asamblesë Komunale të Langnau-t. Në këto vite jam angazhuar jashtëzakonisht shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre emigrantët e komunës suaj ?

Nazim Rexhepi: Përveç shqetësimeve të përgjithshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, emigrantët i kanë edhe shqetësimet specifike, si shkalla më e lartë e papunësisë, vështirësitë në pranimin nëpër shkolla adekuate, ngritja e imazhit të tyre, etj. Ndonëse e them me krenari që vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë shqiptarë të punësuar në vende të mira pune, madje edhe në Komunë.

Albinfo.ch:  Na thoni sa janë aktivë shqiptarët si komunitet i huaj dhe sa janë të integruar në komunën tuaj? Cili është imazhi i shqiptarëve në këtë regjiion?

Nazim Rexhepi: Shqiptarët në komunën tonë nuk janë aktivë në politikë. Por, kemi sportistë të dalluar, si: Florent Hadergjonaj në futboll (Young Boys Bern), Alban Rexha në hokej mbi akull (luan për HC Langnau, në ligën kombëtare të Zvicrës), etj.

Albinfo.ch:  Në Langnau nga 10 mijë banorë, 10% janë të huaj. Të huajt me viza C a  kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje? Dhe a jeni angazhuar që kjo kërkesë e tyre të merret në shqyrtim në parlamentin e komunës suaj?

Nazim Rexhepi: Çështja e të drejtës së votimit për të huajt është një problem nacional në Zvicër. Në disa kantone tashmë aplikohet kjo e drejtë, ndërkaq Kantoni i Bernës, për fat të keq, ende nuk ia ka dalë t’i bindë qytetarët e vet që t’ua mundësojnë edhe bashkëqytetarëve të tyre emigrantë pjesëmarrjen në vendimmarrje demokratike.

Albinfo.ch:  A e sheh Nazim Rexhepi të ardhmen e vet si politikan profesionist?  A keni ambicie për zgjedhje në instanca më të larta?

Nazim Rexhepi:  Natyrisht, secili që merret me politikë ka ambicie të shkojë sa më lart. Në mars 2014 mbahen zgjedhjet për në Parlamentin kantonal të Bern-it. Unë jam një nga kandidatët nga regjioni Emmental.

Nazim Rexhepi është me origjinë nga Malisheva e Gjilanit. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

 

Sevdail Tahiri

11.11.2013

Shefqet Balaj zgjidhet këshilltar në Asamblenë e qytetit Horn

Shefqet Balaj është pjesëtari më i ri i asamblesë së qytetit Horn të Austrisë. Këtu ai përfaqëson Partinë Popullore të Austrisë  (ÖVP), që është njëra ndër dy partitë më të mëdha të këtij vendi, dhe e cila aktualisht është ë koalicion qeverisës në nivel të Austrisë.

I lindur në vitin 1963 në Strellc të Ulët të Deçanit, Balaj ka mbaruar në Kosovë fakultetin Filozofik, dega e letërsisë ndërsa në Austri punon si depoist. Është po ashtu edhe laborant kimik me profesion. Prej 13 vitesh ka shtetësinë austriake, është i martuar dhe baba i katër fëmijëve.

Me anëtarësimin e tij në asamble, më 25 shkurt 2014 Balaj është inkuadruar në tri komisione të ndryshme të punës: në komisionin për turizëm, për arsim e shëndetësi dhe në atë për verifikim.

Me hyrjen e tij në asamblenë e komunës Horn Shefqet Balaj ka fituar mundësinë të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit në mes të qytetarëve që u takojnë kulturave të ndryshme.

“Përmes prejardhjes së tij dhe përvojës jetësore ai sjell me siguri një këndvështrim tjetër në punën e asamblesë komunale, gjë që përbën një shans të madh për komunitetin e Hornit”, ka theksuar kryebashkiaku Jürgen Maier duke e prezantuar Balajn.

Ndërsa vetë këshilltari i porsazgjedhur ka theksuar se synimi i tij kryesor në politikën e Hornit është integrimi. “Njerëzit nga të gjitha grupet etnike duhet të dinë të jetojnë së bashku në një komunitet”, shkruan meinbezirk.at.

Balaj është zgjedhur në asamble  pasi që këshilltari që ka qenë para tij me vota ka marrë një funksion tjetër.

Tahir Shabani, kandidat për asamblist në Emmendigen

Tahir Shabani është kandiduar për asamblist në qytetin e Emmendingenit në Gjermani. Shabani ka thënë për albinfo.ch se nëse e fiton besimin e qytetarëve,angazhimi i tij do të jetë një shenjë pozitive për qytetin Emmendingen.

“Mesazhi im do të bartet te të gjithë qytetarët dhe vendësit. Kandidatura ime e ka po ashtu qëllimin që të arrijë kontaktin me migrantët dhe t’i përkrah ata në integrimin e tyre, sidomos ata të cilët nuk janë të angazhuar në nivele partiake, si dhe u ikën kontakteve me vendësit, duke ua dëshmuar domosdoshmërinë e integrimit të tyre, si dhe nevojën që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë në të cilën jetojnë”, ka thënë Shabani.

“Nga pozita e asamblistit me kënaqësinë më të madhe do të ofroj të gjitha njohuritë dhe mundësitë e mia që të jem shembull i qytetarit, i cili jeton me nder dhe respekt, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë votën tuaj”, thekson më tutje Shabani.

Tahir Shabani është i njohur në Gjermani me organizimin e shumë aktiviteteve të shqiptarëve të atjeshëm me shoqatën “Yjet e Kosovës”.

Adnan Dibrani fiton çmimin „mërgimtari i suksesshëm“

Në bazë të Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, me rekomandim të komisionit pesanëtarësh, për kontribut të veçantë për mërgatën apo shtetin e Kosovës ndau çmimin vjetor për mërgimtarin/grupin më të suksesshëm të vitit, Adnan Dibranit, deputetit shqiptar në Parlamentin Suedez.

Dibrani ka shërbyer si deputet në legjislaturën e kaluar, ndërsa tani sërish garon për një mandat të dytë.

Gjatë ndarjes së çmimit, Ministri Makolli, uroi që Dibrani të zgjidhet edhe njëherë si deputet në Parlamentin Suedez.

“Uroj që z. Dibrani fillimisht të zgjidhet si deputet edhe në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit Suedez, e më pas me dëshirë do ta shihnim edhe si përfaqësues në Parlamentin Evropian”, tha Ministri Makolli, thuhet në një njoftim të MeD-it

Ndërsa Dibrani, duke falënderuar Ministrin e Diasporës për çmimin, tha se edhe pse tani për tani është duke jetuar dhe vepruar në Suedi, nuk e përjashton mundësinë që edhe të kthehet në Kosovë, vendin që, sikurse tha, nuk e ka harruar në asnjë moment.

Shqiptari i parë në Parlamentin e Suedisë

Shqiptarët në Suedi tashmë janë bërë pjesë aktive në jetën  shoqërore dhe politike në vend, ngase tashmë për herë të dytë kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre politik, i cili do të adresojë kërkesat e tyre në institucionet e vendit.

Deputeti i vetëm shqiptar në shtetet evropiane, Adnan Dibrani, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka deklaruar se përzgjedhja e tij në mandatin e dytë fuqizon edhe më shumë pozicionin e komunitetit shqiptar në Suedi.

Dibrani është i vetmi shqiptar që përfaqëson në legjislativin suedez të huajt në Suedi

„Kjo tregon se ne jemi tashmë të dukshëm si një komunitet në të gjitha segmentet e jetës, përfshirë edhe politikën. Do të thotë, tashmë nuk jemi të dalluar vetëm në futboll, por edhe në politikë“, thotë politikani me origjinë nga Kosova.

Deputeti i ri nuk është edhe aq optimist kur pyetet nëse pret ndonjë post ministror në qeverinë e re suedeze pas fitores së Social demokratëve në zgjedhje, parti me të cilën për herë të dytë politikani me origjinë nga Mitrovica fiton një ulëse në Parlamentin suedez.

„Nuk besoj, se jam deputet i ri ende në parlament. Është mandati i dytë që zgjedhem në legjislativin e vendit. Por, megjithatë tashmë jemi në pozicion tjetër. Edhe pse nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, projektet që i kam në programin tim do të realizohen më lehtë me ndihmën e kolegëve që do të marrin poste ministrore. Nga ana tjetër, ne nuk e kemi shumicën, duhet të varemi prej partnerit të koalicionit. Aktualisht po punojmë se cilat projekte mund t’i realizojmë së bashku me partitë e koalicionit. Shanset janë të mëdha që projektet tona të realizohen“, tha Dibrani.

Deputeti shqiptar nuk do të bëjë dallime të të huajve në Suedi, edhe pse i takon komunitetit shqiptar. Konzervativët sa ishin në pushtet e kanë bërë të vëshirë sistemin shkollor në Suedi. Partia e deputetit shqiptar pikërisht do të punojnë që ta bëjnë më të lehtë qasjen e të huajve në shkollat suedeze.

„Kur e kam filluar shkollën, nuk e kam njohur aspak gjuhën. Por, për rreth kisha mësues që më kanë ndihmuar të kaloj këto barriera. Më kanë ofruar ndihmë plotësuese. Tashmë një ndihmë e tillë nuk ekziston në Suedi për të huajt, sidomos për fëmijët, për të cilët është shumë e rëndësishme për të pasur sukses në shkollim“, thekson më tutje Dibrani.

Ai kishte vendosur t’u bashkangjitet radhëve të socialdemokratëve ngase, sipas tij, subjekti politik që përfaqëson është parti e vlerave dhe nuk bën dallim të qytetarëve të vendit se a janë të huaj apo vendës, a janë të pasur apo të varfër.

„Ne kur kemi migruar në Suedi, jemi pritur mirë dhe na kanë ndihmuar shumë në integrimin tonë të shpejtë në jetën e këtushme. Prandaj kemi mbërritur deri këtu, ngase sistemin liberal e kanë ndërtuar socialdemokratët dhe për këtë arsye dallojnë nga konzervativët“, thekson ai.

„Ne do të angazhohemi që të gjithë fëmijëve, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, t’u mundësojmë shanse të njëjta të shkollimit, duke filluar nga cikli i ulët deri në fakultet“, premton politikani shqiptar.

Më herët nuk kishim një imazh të mirë në përgjithësi në diasporë

„Tani kemi dhënë sinjale të tjera. Unë jam këtu në Suedi, kemi futbollistë të suksesshëm, përfaqësues biznesesh me emër. Gjeneratat e reja tashmë janë integruar në sistemin e shtetit, ku kanë migruar prindërit e tyre“, thotë në këtë intervistë 29-vjeçari.

Pjesëmarrja masive e votuesve në zgedhje ka treguar për pozicionin e fuqishëm që ka komuniteti shqiptar në Suedi.Po ashtu kanë treguar se dëshirojnë të marrin pjesë aktive në vendimmarrje.

„Pa mbështetjen e votave të komunitetit shqiptar në Haland, në regjionin ku jam kandiduar, shanset ishin të vogla të bëhem pjesë e parlamentit“, thekson parlamentari shqiptaro-suedez.

Ai ka folur edhe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Suedi. Politikani shqiptar thotë se secila shkollë është e obliguar të sigurojë një mësimdhënës që do t’ua mësojë gjuhën amtare të huajve në vend.

Deputeti shqiptar ka thënë të jetë motivuar më shumë me marrjen këtë vit edhe të çmimit ‘Mërgimtari i suksesshëm’ nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

„Çmimi u takon të gjithë shqiptarëve në Suedi, sidomos të regjionit të Halandit, ngase të gjithë së bashku kemi mbërritur deri këtu“, shprehet Dibrani.

Komuniteti shqiptar është i organizuar mirë në Suedi.

„Ekzistojnë me dhjetëra shoqata të ndryshme, ndërsa partitë politike të Kosovës iu kanë mbetur vetëm gjeneratava të para, ndërsa gjeneratat e reja janë inkuadruar më shumë në sistemin e këtushëm suedez“, tha Adnan Dibrani.

Ka 14 vjet që merret me politikë dhe thotë se gjithmonë kishte marrë përkrahjen e suedezëve.

Adnan Dibrani kishte migruar në moshën 7-vjeçare në Suedi.

Ai ishte njëri prej deputetëve të parë shqiptarë dhe njëri nga pjesëtarët më të rinj që kishte siguruar një ulëse në mandatin e kaluar në Parlamentin suedez, ndërsa në zgedhjet e fundit mori më së shumti vota, duke siguruar edhe një mandat të deputetit në Suedi. Ai vjen nga Koshtava e Mitrovicës, ndërsa në Suedi ka të kryer Shkollën e Lartë Ekonomike.

Dibrani nuk është shkëputur prej vendit nga kishte migruar. Ai e viziton çdo vit vendin e lindjes.

Jozyrtarisht thuhet se janë 100 mijë shqiptarë që jetojnë në Suedi.

Zari Xhaferi fiton sërish garën për deputet kantonal

Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton

Edhe pse partia për të cilën ka garuar, SP/PS (Partia Socialdemokrate) ka pësuar një rënie të numrit te deputetëve, Zari Xhaferi ka fituar sërish në zgjedhjet e mbajtura dje për Parlamentin e Kantonit Zug. Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton.

Xhaferi, një politikan shumë i ri (29 vjeç) ka qenë pjesë e këtij parlamenti që nga viti 2011dhe është treguar mjaft aktiv në jetën parlamentare si dhe jashtë saj. Ai ka qenë shqiptari i parë pas një kohe që kishte fituar vendin në një parlament kantoni. Para tij, në vitin 2006 një vend të tillë në kantonin Schaffhausen e kishte fituar po për këtë parti, Osman Osmani.

Në përbërjen e re të Parlamentit të kantonit Zug, me numrin e deputetëve vazhdojnë të prijnë partitë e djathta. CVP ka 22, SVP 19 dhe FDP 18 deputetë. Ndërsa SP-ja e Xhaferit nga 8 sa kishte, ka rënë në 7 përfaqësues në parlamentin e kantonit. Kur kësaj t`ia shtojmë rastin e një deputeti i cili nga të Gjelbrit gjatë mandatit të kaluar kishte kaluar në SP, i bie që fuqia e kësaj partie ka pësuar rënie për dy deputetë.

Përbërja e re e Parlamentit tregon se ALG (Alternativa dhe të Gjelbrit) dhe GLP ( e Gjelbër Liberale) kanë shtuar më shumë numrin e deputetëve në krahasim me zgjedhjet e kaluara, respektivisht nga 2  sish.

Ramadan Nazifi

Vendlindja: Radushe, Maqedoni

Qyteti ku jeton në Zvicër: Bernë

Profili

Ambasador i Republikës së Maqedonisë në Bernë, 2010.
I punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të R. së Maqedonisë, 2009 -1995.
Drejtor i Shkollës fillore “Bajram Shabani” në Kondove, 1995-1994   Profesor i gjuhës frënge në  Shkollën Fillore “Liria” në Shkup, 1995-1994.
I angazhuar  më tepër për aktivitete politike, kulturore dhe humanitare në qeverisjen lokale në Radushe dhe në Komunën e Kondovës.

Kontakti

Kirchenfeldstrasse 30
CH-3005 Bern
031 352 00 02
[email protected]

Léonard A. Bender

Vendlindja : Fully (VS)

Qyteti ku jeton në Zvicër : Fully (VS)

 

Profili

Që nga viti 1984, i diplomuar në Shkenca politike dhe në Drejtësi në Universitetin e Gjenevës. Avokat pranë gjykatës në Valis.

Para 1984, hotelier i rangut të lartë, shef hoteli luksoz në Zvicër dhe jashtë vendit.

Ish-kryetar i Partisë Radikale demokratike zivërane (PRD), 2004-2008.

Ish-kryetar i partisèe liberale radikale valezane (PLR), 2004-2009. 

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Nën-Kryetar i shoqatës albinfo.ch.

 

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet? 

Pjesëmarrja në jetën qytetare dhe politike, njohuria e gjuhës si dhe integrimi profesional.

 

Kontakti

Etude d’avocat
Avenue de la Gare 17
Case postale 56
1920 Martigny
027 723 35 35
079 225 79 79
[email protected]

Sami Kurteshi

Vendlindja : Gjilan

Qyteti ku jetoni në Zvicër : –

Profili

Anëtar i Kryesisë dhe Sekretar Ekzekutiv i KMDLNJ në Kosovë 1991 – 1996.

Bashkëpunëtor i SFH në Bern, Zvicër 1998 – 2002.

 

Çmime-vlerësime-botime

Janë disa më të vogla: reportazhe, shkrime në gazeta, përkthime.

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Angazhimi në organizimin e mërgatës shqiptare.

Angazhimi në organizimin politik ilegal anti-jugosllav.

 

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet?

Edukimi në kuptimin e shkollimit dhe të integrimit të rinisë në sistemin arsimor, profesional dhe shoqëror në vendet e qëndrimit.

Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kulturor dhe gjuhësor të vendit të prejardhjes.

Krijimi i rrjeteve të organizuara për të ndihmuar vendet e prejardhjes në aspektin profesional.

 

Kontakt

Institucioni i Avokatit të Popullit

Rr. Agim Ramadani pn. 10000

Prishtinë, Kosovë

[email protected]

www.ombudspersonkosovo.org

Lurata Reçi

Vendlindja : Maqedoni

 Qyteti ku jetoni në Zvicër : Langenthal të Kantonit të Bernës

 Profili

Lurata Reçi është nënë e dy fëmijëve. Shqiptarja nga Struga ka 10 vjet që merret me politikë në komunën e Langenthalit të Kantonit të Bernës. Ka një vit që është në funksionin e këshilltares në Komunën e Langenthalit.

Disa vite ka qenë në kryesi të Second@s Zvicër dhe e ka iniciuar themelimin e second@s në Bernë. Ajo për disa vite është aktive në komisione të ndryshme si edhe në kryesinë e Partisë Social Demokrate të Langenthalit.

Lurata Reçi aktualisht vazhdon studimet në Zürich për ekonomi (HWD).

Në mesin e shtatë kandidatëve shqiptarë, më së shumti vota ka fituar kandidatja me prejardhje nga Maqedonia, Lurata Reçi, e cila ishte kandiduar nga Partia Socialdemokrate në Bernë.

Lurata, edhe pse me prejardhje të huaj në Zvicër, ka arritur të sigurojë 21.939 vota të elektoratit në kantonin e Bernës, rezultat inkurajues për të vazhduar garën politike në zgjedhjet e ardhshme.

Alban Imeri

Albani ka lindur më 7 janar të vitit 1991 në Münsterlingen TG dhe prej vitit 1999 jeton me prindër në Egnach. Katër vite më parë ka qenë iniciator për formimin e degës së BDP-së në qarkun e Arbonit, nga ku më pas është zgjedhur presidenti i parë i BDP-së (Bürgerlich -Demokatische Partei) -Partia Demokratike Qytetare në po këtë qark, kurse për një periudhë të shkurtër ka qenë edhe anëtar i kryesisë së BDP-së në kantonin Thurgau.

Studenti i matematikës në Universitetin ETH të Cyrihut, shqiptari nga Kumanova, Alban Imeri kandidon në zgjedhjet e prillit për deputet të Parlamentit të Kantonit Thurgau. Njëzetenjëvjeçari në këtë garë politike figuron në listën numër gjashtë si i dyti i partisë për qarkun e Arbonit që ka një popullsi prej më tepër se pesëdhjetëmijë banorësh.

Prej nëntë kandidatëve të qarkut të Arbonit në listë të BDP-së për Parlamentin e Thurgaut, Albani radhitet i dyti, gjë që tregon se sfiduesi i ri shqiptar brenda partisë gëzon mbështetje të gjerë në zgjedhjet që do të mbahen më 15 prill 2012.

Synimet politike të Alban Imerit janë të qarta. Ai ka një koncept politik për të gjitha çështjet e hapura. Në prezantimin e tij online (www.alban-imeri.ch) ai shpalosë idetë e tij për zgjidhje të problemeve, qofshin ato fiskale (që është arma e tij e fortë, si student i matematikës), sociale, politikës së jashtme, emigracionit apo sistemit të drejtësisë.

Etrit Hasler

Politikani zvicerano-shqiptar Etrit Hasler është bërë shqiptari me postin e deputetit në nivel kantioni në Zvicër (pas Zari Xhaferit dhe Ylfete Fanajt)

Etrit Hasler, 34 vjeçar, i biri i një mjeku shqiptar nga Kosova dhe i një gazetareje zvicerane është prej kohësh aktiv në politikën zvicerane. Disa vite ka qenë këshilltar në Parlamentin e qytetit të St. Gallenit. Fitimi i endit në Parlamentin e Kantonit është edhe një avancim në karrierën e tij politike.

Etrit Hasler përveç si politikan i ri e me perspektivë, në opinionin zviceran njihet si poet që kultivon gjininë “slam poetry” me të cilën bën pjesë në mesin e më të mirëve në Zvicër. Ai është po ashtu gazetar mjaft cilësor, autor i shkrimeve të angazhuara dhe të mprehta që i boton në gazeta të ndryshme zvicerane.

Besim Kauz

Besim Kauzi ka migruar në Zvicër në vitin 1998. Aktualisht ai punon si shofer autobusi, ndërsa ka të kryer edhe shkollën si disponent në Winthertur.

Besim Kauz, 44-vjeçar nga Tetova, Kandidat për deputet në zgjedhjet për Parlamentin e kantonit Thurgau në listë të BDP-së.

Besimi thotë të jetë angazhuar politikisht në BDP, ngase sipas tij, është subjekt i vetëm politik neutral.

Prej kandidatëve në Becirkin e Weinfeldes të Thurgaus, në listën numër 6 të BDP-së për Parlamentin e Thurgaut Besimi radhitet i pesti, që do të thotë se gëzon mbështetje brenda partisë.

Politikani thotë se do të angazhohet nëse zgjedhet deputet kantonal që procesi i natyralizimit të të huajve të mos komplikohet sipas propozimeve të SVP-së së Bllocherit.

„Ne shqiptarët kemi bërë shumë për Zvicrën dhe do të mundohemi që të mos na i mbulojnë gjërat e mira ndonjë problem i vogël që mund t‘i ndodhë çdokujt. Mendoj se jemi të fuqishëm për të treguar se mundemi edhe shumë më shumë, si për shembull, të depërtojmë edhe në politikë“, thotë kandidati për deputet kantonal.