Konjufca mirëpret heqjen e fusnotës për Kosovën nga Komiteti i Rajoneve të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përshëndetur vendimin e Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian për të hequr fusnotën në dokumentet që lidhen me Kosovë, duke përdorur vetëm emërtimin “Kosovë”, përcjell albinfo.ch.

Sipas Konjufcës, ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qartësisë institucionale dhe një afrimi me qasjen që përdor Parlamenti Evropian në dokumentet e tij zyrtare.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Gillian Coughlan, duke vlerësuar mbështetjen e saj për Kosovën dhe përpjekjet për avancimin e pozicionit të saj në institucionet evropiane.

Sipas tij, përdorimi i emërtimit “Kosovë” pa fusnotë në dokumentet e këtij institucioni të Bashkimit Evropian reflekton një qasje më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë ndaj statusit të vendit në komunikimin institucional evropian.

Jeton Hoxha, shqiptari më i votuar në Renens, rizgjidhet në Asamblenë Komunale

Një tjetër arritje për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Zvicër vjen nga qyteti i Renens në kantonin Vaud.

Jeton Hoxha është rizgjedhur anëtar i Asamblesë Komunale të këtij qyteti, duke arritur një rezultat domethënës në zgjedhjet komunale të fundit. Sipas rezultateve të publikuara, Hoxha rezulton të jetë shqiptari më i votuar në qytetin e Renens, duke siguruar një mbështetje të gjerë nga qytetarët.

Ai është renditur gjithashtu ndër kandidatët më të votuar të Partisë Socialiste në këtë komunë, një rezultat që reflekton besimin që qytetarët kanë ndaj angazhimit dhe punës së tij në jetën publike lokale.

Rezultati i tij konsiderohet një tregues i qartë i mbështetjes që ai gëzon në mesin e votuesve të Renens, një qytet i njohur për diversitetin e tij kulturor dhe për pjesëmarrjen aktive të komuniteteve të ndryshme në jetën politike dhe institucionale.

Pas shpalljes së rezultateve, Hoxha ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, duke theksuar se ky rezultat e motivon të vazhdojë angazhimin e tij në jetën institucionale dhe në përfaqësimin e interesave të qytetarëve në Renens.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë të kontribuojë në punën e Asamblesë Komunale me përkushtim dhe përgjegjësi, duke mbështetur zhvillimin e politikave që synojnë përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe forcimin e bashkëjetesës në komunitet.

Rizgjedhja e tij përbën gjithashtu një shembull të rëndësishëm të rolit në rritje që qytetarët me origjinë shqiptare po luajnë në jetën publike dhe institucionale në Zvicër.

Për komunitetin shqiptar në Zvicër, përfshirja në institucionet lokale dhe në proceset demokratike është një tregues i integrimit të suksesshëm dhe i kontributit aktiv në shoqërinë zvicerane.

Prania e përfaqësuesve shqiptarë në strukturat politike lokale dëshmon gjithashtu se komuniteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në proceset vendimmarrëse në qytetet dhe komunat ku jeton

Nesër në Bernë: Ejani në manifestimin “Kurora e Lirisë”

Nesër, më 14 mars, në Kursaal Arena në Bernë do të mbahet manifestimi përkujtimor me program artistik “Kurora e Lirisë”, i cili bashkon mërgatën shqiptare në një ngjarje të veçantë kushtuar kulturës dhe kujtesës kombëtare.

Manifestimi organizohet nga Këshilli i Shoqatave Kulturore Shqiptare në Zvicër në nderim të sakrificës së shenjtëpër të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ai synon edhe të forcojë lidhjen mes brezave të mërgatës shqiptare.

Në kuadër të këtij manifestimi, në ora 13:00 do të bëhet hapja zyrtare e ekspozitës fotografike, e cila sjell përmes imazheve kujtesën e Prekazit dhe sakrificën e Familjes Jashari, duke ofruar një moment reflektimi dhe nderimi për historinë dhe vlerat e lirisë. “Prekazi dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” është vepër e autorit Sefer Aliçkaj.

Një pjesën solemne tek “Kurora e lirisë” do të nderojnë me paraqitjen e tyre akademik, përfaqësues të autoriteteve politike të Republikës së Kosovës, të Zvicrës dhe pjesëtarë të Familjes së Komandatit emblematik Adem Jashari që do të jenë enkas më ne nga Prekazi. Nesër

Programi artistik i këtij manifestimi është shumë i pasur i cili do të sjellë në skenë këngë, valle dhe interpretime instrumentale nga artistë dhe ansamble të shumta shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në pjesën e parë në këtë manifestim do të performojnë  Lahutari, Albakult,  Vatra, SHKA Dardania, SHKA Ilirët, Kori Lyra, SHKSH “Bashkimi” – Bernë, Ansambli “Trojet” dhe Kori “Lulekuqet”.

Një moment i veçantë i programit do të jetë edhe vallëzimi bashkëkohor i kombinuar me muzikën tonë tradicionale shqiptare, i realizuar nga Adora Hiler nga shoqata “Dora d’Istria” në Gjenevë dhe Tara Avdullahu nga SHKSH “Bashkimi” Bern, duke krijuar një ndërthurje artistike mes traditës dhe shprehjes moderne skenike.

Në pjesën e valleve tradicionale do të performojnë Ansambli i Valleve Vatra, Ansambli Arbëresha, SHKA Teuta, Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë Atdheu, SHKA Dardania, Ansambli Shqiponja, SHKA Ilirët dhe SHKSH Atdheu (Thun), duke sjellë në skenë një spektër të pasur të valleve dhe motiveve tradicionale shqiptare.

Pjesëmarrja e artistëve të mërgatës do të përmbyllet me një moment homazhi dhe interpretim instrumental nga Grupi ArtBand, ndërsa programi do të moderohet nga Vjosa Beqiri (RTK) dhe Dan Morina (Studio Aktrimi).

“Qershia mbi tortë !” : Madhështinë e  “Kurorës së Lirisë” do t’kemi rast ta shohim në skenë edhe me performacën artistike të yjeve të Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve shqipe “Shota” nga Kosova nën udheheqjen e Drejtorit artistik Ylber Asllanaj.

Organizatorët ftojnë të gjithë bashkatdhetarët dhe miqtë e kulturës shqiptare që të bëhen pjesë e këtij manifestimi të veçantë. Përmes artit, muzikës dhe traditës, “Kurora e Lirisë” sjell një mesazh të fuqishëm kujtese, mirënjohjeje dhe uniteti kombëtar, duke e bërë këtë ngjarje edhe një moment të rëndësishëm bashkimi për mërgatën shqiptare në Zvicër.

Në emër të Këshillit organizues të shoqatave kulturore shqiptare në Zvicër, Mirishahe Limani Hiler, koordinatore & përgjegjëse.

“Kurora e lirisë” është manifestim i juaji që nderon deri në përulësi 64 dëshmorët e Prekazit historik i cili është një vend pelerinazhi i kombit shqiptar.

Mirësevini !

 

Çka përfshinin 4 amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli

Katër amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit nuk arritën të miratohen në Kuvendi i Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit, përcjell albinfo.ch.

Propozimet, të dorëzuara më 5 mars, synonin që presidenti i Kosovës të mos zgjidhet më nga deputetët e Kuvendit, por drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

Amendamentet parashihnin gjithashtu që mandati i presidentit aktual, i zgjedhur sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, të vazhdojë deri në zgjedhjen dhe betimin e presidentit të ri.

Në dokumentet e siguruara nga KOHA thuhej se zgjedhjet presidenciale do të shpalleshin nga kryetari i Kuvendit jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit.

Amendamenti i parë parashihte ndryshimin e nenit 65 të Kushtetutës, që lidhet me kompetencat e Kuvendit, duke hequr rolin e tij në zgjedhjen e presidentit dhe duke e kufizuar atë në dorëzimin e peticionit në Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shkarkimin e presidentit.

Ndërkohë, amendamenti i dytë propozonte ndryshime në nenin 82 të Kushtetutës, duke hequr dispozitën që parashikon shpërndarjen e Kuvendit nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti.

Amendamenti i tretë parashihte zëvendësimin e nenit 86 me një nen të ri, sipas të cilit presidenti do të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët përmes një procesi zgjedhor me dy raunde. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, dy kandidatët më të votuar do të përballeshin në një raund të dytë brenda 30 ditësh.

Amendamenti i katërt parashihte shtimin e një neni të ri, i cili do të rregullonte shpalljen e zgjedhjeve të para presidenciale pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, këto amendamente nuk u votuan për shkak të mungesës së kuorumit në seancën e Kuvendit. Për ndryshimet kushtetuese kërkohet miratimi nga dy të tretat e të gjithë deputetëve, përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Në seancën ku u diskutuan amendamentet ishin të pranishëm 93 deputetë, ndërsa mungonin nëntë deputetët e Lista Serbe.

Një ditë më vonë, në një konferencë për media, presidentja Vjosa Osmani sqaroi se këto ndryshime nuk kishin lidhje me mandatin e saj aktual dhe se, edhe nëse do të miratoheshin, ato nuk do të ndikonin në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm në këtë fazë.

Sipas saj, procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët do të mund të fillonte vetëm gjashtë muaj para përfundimit të mandatit aktual, që do të thotë se ndryshimet do të mund të zbatoheshin vetëm në një mandat të ardhshëm presidencial./Albinfo.ch

Dy shtetas nga Kosovë arrestohen në kufi me veturë të vjedhur në Gjermani dhe armë zjarri

Policia e Shtetit ka arrestuar dy shtetas nga Kosovë, të dy banues në Prishtinë, të dyshuar për trafikim armësh dhe mjetesh motorike, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara në hyrje dhe dalje të Shqipëri, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kontrollit Kufitar Morinë finalizuan operacionin e koduar “JAD 1”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit M. P., 38 vjeç dhe H. A., 34 vjeç, të dy banues në Prishtinë.

Sipas policisë, në hyrje të territorit shqiptar është paraqitur shtetasi M. P., i cili drejtonte një automjet tip Volkswagen Touareg, në të cilin kishte rimorkuar një automjet tip BMW. Nga verifikimet rezultoi se automjeti BMW ishte i vjedhur në Gjermani.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga autoritetet kufitare, brenda automjetit BMW u gjet edhe një armë zjarri, pistoletë.

Në vijim të hetimeve të kryera për këtë rast, policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin edhe të shtetasit tjetër, H. A., për llogari të të cilit dyshohet se ishin kryer këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Kukësit për veprime të mëtejshme hetimore./Albinfo.ch

Arrestohet një i kërkuar nga Italia, ishte dënuar për vjedhje dhe emigracion të paligjshëm

Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kontrollit Kufitar të portit në Durrës kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje dhe dalje të Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve u konstatua se një person që synonte të hynte në territorin shqiptar ishte aktualisht në kërkim nga drejtësia italiane.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia ndaloi me qëllim ekstradimin në Itali shtetasin Armando Valchizan, i njohur edhe me disa identitete të tjera si Armando Dervishi, Armando Gheorghe, Altin Dervishi dhe Martin Dervishi, 42 vjeç.

Nga verifikimet rezultoi se Gjykata e Pordenones e kishte dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 9 muaj dhe 5 ditë burgim për veprat penale “Vjedhja” me pasoja të rënda dhe emigracioni i paligjshëm.

Autoritetet bëjnë të ditur se Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Roma për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 42-vjeçarit drejt Italisë.

Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.

Publikohet klipi i “Nan”, kënga e Alis që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision Song Contest

Kënga prekëse për migrimin dhe lidhjen mes nënës dhe fëmijëve është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovisionit në YouTube, ndërsa Shqipëria do të garojë në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj, shkruan albinfo.ch.

Kanali zyrtar i Eurovision Song Contest ka publikuar videoklipin zyrtar të këngës “Nan”, interpretuar nga Alis, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 70-të të festivalit më të madh të muzikës në Evropë.

Kënga “Nan” trajton një temë të ndjeshme dhe shumë aktuale për shqiptarët – plagën e migrimit. Përmes një rrëfimi emocional, kënga sjell ndjenjat e mallëngjimit, largimit dhe lidhjes së përhershme mes nënës dhe fëmijëve që largohen nga shtëpia për të ndërtuar jetën e tyre diku tjetër.

Vargjet e këngës përshkruajnë një shtëpi që dikur ishte plot zhurmë, të qeshura dhe rrëmujë, por që sot ka mbetur e qetë dhe bosh. Në videoklip, figura e nënës paraqitet si simbol i pritjes dhe i dashurisë së pakushtëzuar, duke qëndruar në prag të derës dhe duke pritur gjithmonë kthimin e fëmijëve të saj.

Motivi i përsëritur “nana po ju pret” dhe “nana ju po ju përcjell” thekson sakrificën dhe rolin e nënës, e cila njëkohësisht i lë fëmijët të ndjekin rrugën e tyre në jetë, por mbetet gjithmonë aty për ta.

Videoklipi është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovisionit në platformën YouTube dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze, në mënyrë që mesazhi i këngës të jetë i kuptueshëm edhe për publikun ndërkombëtar.

Kënga interpretohet në gjuhën shqipe dhe spikat për fuqinë vokale dhe emocionet artistike që sjell në skenë Alis.

Shqipëria do të ngjitet në skenën e Eurovision Song Contest në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj, ku do të garojë me 14 shtete të tjera për një vend në finalen e madhe që do të mbahet më 16 maj në Vjenë të Austria.

Diaspora në Paris hap klasë për mësimin e gjuhës shqipe

Në kuadër të Ditës së Mësuesit, në Qendrën Kulturore Shqiptare “28-11” në Paris u organizua aktiviteti “Dita e Dyerve të Hapura”, gjatë të cilit u lançua edhe nisma për fillimin e mësimit të gjuhës shqipe pranë kësaj qendre kulturore, shkruan albinfo.ch.

Aktiviteti mblodhi prindër dhe fëmijë shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin francez dhe në zonat përreth, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me këtë iniciativë që synon ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj të diasporës.

Atmosfera gjatë takimit ishte e ngrohtë dhe plot entuziazëm. Prindërit dhe organizatorët ndanë ide dhe diskutuan mbi rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare, duke theksuar se ruajtja e saj është një element i rëndësishëm për forcimin e identitetit kulturor të fëmijëve shqiptarë që rriten jashtë atdheut.

Sipas organizatorëve, duke filluar nga java e ardhshme në Qendrën Kulturore Shqiptare “28-11” do të nisë një program i dedikuar për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Paris. Deri tani janë regjistruar rreth 30 fëmijë dhe të rinj, ndërsa interesi pritet të rritet edhe më tej.

Qendra ka bërë të ditur se dyert do të mbeten të hapura për çdo fëmijë dhe të ri shqiptar që dëshiron të mësojë gjuhën shqipe dhe të ruajë lidhjen me rrënjët dhe traditën përmes gjuhës dhe kulturës së origjinës./Albinfo.ch

Sopranoja Marigona Qerkezi shkëlqen në “AIDS Gala” në Oper am Rhein në Düsseldorf

Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi ishte pjesë e edicionit të 16-të të koncertit bamirës “AIDS Gala”, i cili u mbajt në sallën e njohur të operës Oper am Rhein në Düsseldorf të Gjermani, shkruan albinfo.ch.

Në këtë mbrëmje të veçantë artistike dhe humanitare, sopranoja shqiptare u paraqit me elegancë në skenë dhe në tapetin e kuq, duke tërhequr vëmendje edhe me paraqitjen e saj.

Për këtë event, Marigona Qerkezi kishte zgjedhur një fustan nga shtëpia e njohur e modës Talbot Runhof. Bëhet fjalë për modelin “Tottori”, një fustan elegant me qafë të thellë në formë V, me fund të gjerë rrotullues dhe me shpinë me prerje të lartë.

Fustani është realizuar nga materiali jacquard monark në një nuancë blu të thellë mbretërore, duke i dhënë paraqitjes së sopranos një stil klasik dhe shumë elegant.

“AIDS Gala” është një nga koncertet më të njohura bamirëse në Evropë, ku artistë të operës dhe muzikës klasike nga vende të ndryshme bashkohen për të mbështetur kauzat humanitare dhe ndërgjegjësimin për luftën kundër HIV/AIDS./Albinfo.ch

René Redzepi largohet nga Noma pas akuzave për abuzim në vendin e punës

Kuzhinieri me famë botërore dhe me rrënjë shqiptare, René Redzepi, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i restorantit të njohur Noma në Kopenhagë të Danimarkë, pas akuzave për abuzim në vendin e punës, shkruan albinfo.ch.

Largimin e tij ai e njoftoi përmes një postimi në rrjetin social Instagram, duke theksuar se pas më shumë se dy dekadash në krye të restorantit kishte vendosur të tërhiqej.

“Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe udhëhequr këtë restorant, kam vendosur të largohem dhe t’u lë hapësirë drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm që ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm”, ka shkruar ai.

Vendimi vjen pas akuzave nga ish-punonjës të restorantit, të cilët kanë pretenduar se në kuzhinë ishte krijuar një ambient toksik pune, që sipas raportimeve të mediave përfshinte abuzim verbal dhe fizik. Sipas raportimit të BBC, disa ish-punonjës kanë treguar se kishin qenë dëshmitarë të incidenteve të tilla gjatë kohës që punonin në restorant.

Restoranti i njohur në Danimarkë po përgatitej ndërkohë për një seri darkash ekskluzive në Los Angeles të Shtetet e Bashkuara, me një çmim prej rreth 1500 dollarësh për person. Megjithatë, disa sponsorë u tërhoqën pas publikimit të akuzave dhe protestave që u mbajtën jashtë lokacionit të përkohshëm të restorantit.

Në reagimin e tij publik, Redzepi pranoi përgjegjësi për sjelljet e papranueshme në të kaluarën.

“Një kërkim falje nuk është e mjaftueshme; unë marr përgjegjësi për veprimet e mia”, shkroi ai, duke shtuar se në disa raste kishte bërtitur ndaj punonjësve dhe i kishte shtyrë ata, veprime që i cilësoi si të papranueshme.

Kuzhinieri tha gjithashtu se kishte ndjekur terapi për të menaxhuar më mirë zemërimin dhe shtoi se ekipi i Noma do të vazhdojë aktivitetin edhe pa praninë e tij në projektet e ardhshme.

Përveç largimit nga restoranti, ai dha dorëheqje edhe nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD (food organization), të cilën e kishte themeluar në vitin 2011 për të mbështetur profesionistët që hyjnë në industrinë e restoranteve.

Noma, i themeluar në vitin 2003, konsiderohet një nga restorantet më të vlerësuara në botë dhe ka fituar disa herë titullin e restorantit më të mirë në botë, duke u bërë një simbol i gastronomisë moderne nordike./Albinfo.ch.

Ministri Ferit Hoxha takon diasporën në Bruksel, vlerëson rolin e mësuesve të gjuhës shqipe

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, gjatë vizitës së tij në Bruksel, zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare, duke theksuar rëndësinë e rolit që bashkatdhetarët luajnë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar jashtë vendit, shkruan albinfo.ch.

Në një postim në rrjetin social X (Twitter), Hoxha bëri të ditur se përveç angazhimeve me institucionet e Bashkimi Evropian, takimet me diasporën janë gjithmonë një pjesë thelbësore e programit të tij.

Në këtë kuadër, në Belgjikë u organizua një mbrëmje e veçantë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë për të nderuar punën e mësuesve të shkollave shqipe në diasporë. Ministri vlerësoi përkushtimin dhe rolin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj që rriten larg atdheut.

Sipas tij, mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë kryejnë një mision të rëndësishëm, duke mbajtur gjallë lidhjen e fëmijëve shqiptarë me rrënjët, historinë dhe traditat kombëtare. Ai theksoi se puna e tyre shkon përtej mësimdhënies, pasi kontribuon në forcimin e identitetit shqiptar në komunitetet e diasporës.

Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohje për prindërit dhe mësuesit që kontribuojnë në transmetimin e gjuhës shqipe edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe organizimin e Samiti i Diasporës 2026, i cili do të mbahet më 14–15 prill në Tiranë, nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”. Sipas tij, ky samit do të shërbejë si një moment i rëndësishëm për bashkimin e diasporës dhe për diskutimin mbi ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë gjuhësore e kulturore shqiptare.

Në fund, ministri solli në vëmendje edhe fjalët e mendimtarit të njohur shqiptar Faik Konica, i cili kishte theksuar se “Kombi mbahet me gjuhë dhe me kujtesë”, duke nënvizuar se pikërisht mësuesit në diasporë janë në vijën e parë të përpjekjeve për të ruajtur gjuhën dhe kujtesën kombëtare tek brezat e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut./Albinfo.ch.

Maqedoni: Rreth 80% e mjekëve kanë përjetuar dhunë fizike ose verbale

Mbi 70% e mjekëve në vend kanë raportuar përballje me forma të ndryshme dhune në vendin e punës. Një anketë e Odës së Mjekëve tregon se gjatë vitit të kaluar, vetëm dy kallëzime për dhunë janë dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Rastet më të shpeshta ndodhin në shërbimet e urgjencës dhe qendrat e ndihmës së shpejtë. Mjekët kërkojnë ndërhyrje dhe garanci sigurie në vendin e punës, raporton alsat transmeton albinfo.ch.

Kalina Grivçeva Stardelova deklaroi:

“Mjekimi nuk mund të jetë i plotë kur punojmë nën frikë. Kushtet tona nuk janë optimale dhe nuk jemi të mjaftueshëm në numër, por përkushtimi ynë ndaj pacientëve mbetet maksimal. Shpesh bëjmë sakrifica për të ndihmuar ata që kanë nevojë.”

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se po forcohen mekanizmat ligjor për mbrojtjen e mjekëve:

“Po punojmë për të fuqizuar mbrojtjen ligjore të punonjësve shëndetësorë. Po ashtu, do të vendosim një buton paniku që u mundëson mjekëve dhe infermiereve të njoftojnë në kohë reale institucionet për çdo incident.”

Këto të dhëna u publikuan me rastin e 12 Marsit, Ditës Evropiane për Ndërgjegjësimin mbi Dhunën ndaj Punonjësve Shëndetësorë.

Anulime të shumta fluturimesh në Aeroportin e Gjenevës për shkak të grevës së pilotëve të Lufthansa

Greva e pilotëve të kompanisë gjermane Lufthansa, e caktuar për të enjten dhe të premten, po shkakton anulimin e qindra fluturimeve në aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit. Në Aeroportin e Gjenevës, tetë fluturime me kthim janë prekur të enjten.

Rreth 400 nga 1,165 fluturime të planifikuara për ngritje dhe ulje u anuluan në ditën e parë të grevës në Frankfurt. Në Mynih u anuluan 230 nga rreth 800 fluturime të planifikuara. Këto shifra përfshijnë të gjitha linjat ajrore, por shumica e anulimeve i atribuohen Lufthansa-s.

Në Aeroportin e Gjenevës, të enjten janë anuluar gjashtë fluturime të Lufthansa-s (me kthim) dhe dy fluturime të Brussels Airlines (me kthim). Ndërprerjet e pritshme për të premten ende nuk dihen, sipas një zëdhënësi të aeroportit të Cointrin.

Në Cyrih, të enjten janë anuluar dy fluturime (një drejtim dhe një kthim) që lidhin Frankfurtin dhe Mynihun. Sipas informacioneve aktuale, priten ndërprerje të ngjashme edhe të premten.

Anulime më të shumta se sa pritej

Sindikata Vereinigung Cockpit (VC), e cila nisi grevën, raporton për pjesëmarrje të madhe të punonjësve në këtë valë të dytë të veprimeve. Sipas sindikalës, të enjten në mëngjes, mbi 75% e fluturimeve të shkurtra dhe mbi 70% e fluturimeve të gjata të prekur nga greva u anuluan.

Anulimet janë dukshëm më të larta se parashikimet fillestare të Lufthansa-s, e cila kishte siguruar se të paktën gjysma e fluturimeve të planifikuara do të operonin gjatë dy ditëve të grevës. Për fluturimet e gjata, ishte parashikuar që 60% të nisen. Në këto fluturime shpesh përdoren pilotë që kanë kaluar në menaxhimin e Lufthansa-s, por ruajnë licencat e tyre, transmeton albinfo.ch.

Terminalet operojnë normalisht, sipas një zëdhënësi të operatorit Fraport në Frankfurt. Vetëm zonat e Lufthansa-s janë më të qeta. Në aeroportet e tjera gjermane, kryesisht janë anuluar fluturimet që lidhnin me qendrat kryesore. Linjat e tjera të Lufthansa-s, si Eurowings, si dhe filialet e huaja, nuk janë prekur nga greva.

Lufthansa ka njoftuar se do të përdorë avionë më të mëdhenj, do të shfrytëzojë linjat e grupit që nuk janë prekur nga greva dhe do të angazhojë ekuipazhe vullnetare.

Përmirësim i parashikuar të premten

Pasagjerët e prekur nga anulimet duhet të njoftohen me email. Ata që nuk kontaktohen mund të supozojnë se fluturimi i tyre nuk është prekur. Fluturimet drejt zonave të krizës në Lindjen e Mesme nuk pritet të preken nga greva. Trafiku ajror pritet të kthehet në normalitet të shtunën.

Një përmirësim fillestar pritet të premten, pasi filiali i vogël Lufthansa CityLine do të preket vetëm për një ditë. Ky filiali rajonal operon fluturime lidhëse midis aeroporteve më të vogla dhe dy qendrave kryesore.

Negociatat kanë ngecur

Sindikata VC ka thirrur mbi 5,000 pilotë të Lufthansa, Lufthansa Cargo dhe Lufthansa CityLine për të hyrë në grevë nga mesnata. Ndërsa filiali rajonal CityLine kërkon rritje page, sindikatat në Cargo dhe kompaninë amë janë në mosmarrëveshje për rritjen e pensioneve.

Lufthansa e ka përshkruar këtë valë të dytë grevash si një eskalim të panevojshëm, duke cituar gjendjen e tensionuar financiare të kompanisë amë. Sipas sindikatës, Lufthansa ende nuk ka ofruar oferta të reja, prandaj greva vazhdon sipas planit.

Profili i tre viktimave zbulon sistemin shfrytëzues seksual të Jeffrey Epstein në Zvicër

Një analizë e dokumenteve të Jeffrey Epstein tregon të paktën tre viktima me lidhje me Zvicrën, duke hedhur dritë mbi taktikat e shantazhit dhe presionit që përdorte për të arritur qëllimet e tij. Këto dokumente, pjesë e një arkivi kolosal prej 3.5 milion faqesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, nxjerrin në pah një realitet të rëndë: dështimi i qeverisë amerikane për të mbrojtur identitetin e viktimave.

Ekipi i të dhënave i RTS ka identifikuar profilin e tre vajzave të reja me lidhje me Zvicrën. Emrat e tyre janë ndryshuar për të ruajtur anonimitetin, transmeton albinfo.ch.

Lana, nga viktima te bashkëpunëtore

Lana ishte rreth 19 vjeçe kur u njoh me Jeffrey Epstein në Paris, në vitin 2009. E re, e bukur dhe ambicioze, ajo ishte “viktima ideale” për shfrytëzuesin seksual. Ish-sportiste me origjinë ruse dhe studente e drejtësisë në Sorbonne, Lana fliste disa gjuhë dhe ëndërronte të punonte në Kombet e Bashkuara. Epstein i prezantoi shpejt lidhjet e tij diplomatike, duke krijuar një dinamikë pushteti dhe duke u prezantuar si “mentor” i jetës dhe i seksit.

Në vitin 2014, Epstein financoi studimet e saj në Universitetin e Berkeley, duke kërkuar në këmbim që Lana t’i prezantonte “asistente personale” – një term që fsheh masazhe dhe shërbime seksuale. Gjatë kësaj periudhe, Lana i dërgonte atij foto dhe CV të vajzave që takonte në Zvicër, duke i ndihmuar t’i afrohej tyre gradualisht. Dokumentet tregojnë se Lana ka prezantuar të paktën dhjetë vajza për Epstein midis 2014 dhe 2019.

Leïla, viktima e pambrojtur

Leïla, 21 vjeçe nga Lucerna, ishte një sportiste e talentuar e tenisit dhe modele e re. Ajo u zbulua në Dubai nga një fotograf që punonte për Epstein, i cili dërgoi fotot e saj tek financieri. Në vetëm tre muaj, Leïla udhëtoi për në ishullin privat të Epstein, Little Saint James. Ajo mbeti në kontakt me Epstein deri në vitin 2014, kryesisht për arsye financiare, duke kërkuar punë të paguar.

Stefani, ajo që tha “jo”

Disa vajza refuzuan të bëheshin pjesë e sistemit të Epstein, si Stefani, një modele suedeze që jetonte në Zvicër. Në tetor 2011, ajo u kontaktua nga Epstein përmes një fotografi. Epstein i premtoi takime profesionale me agjenci mode në SHBA, por kërkoi të takonte personalisht Stefanin nën pretekstin e përgatitjes. Stefani ndjeu diçka të dyshimtë dhe refuzoi. Epstein i anuloi menjëherë takimet dhe i propozoi të ruante biletën e saj të avionit, por ajo e refuzoi, duke e mbyllur çdo kontakt me të. Karriera e saj nuk u dëmua; ajo vazhdoi të bëhej modele me reputacion ndërkombëtar dhe më pas u martua me një sportist të njohur.

Zvicra, skena e një sistemi shfrytëzues seksual

Sistemi i Epstein, që kombinonte shantazhin, favore dhe shpërblime, kishte për qëllim të nënshtronte vajzat e reja. Edhe pse dokumentet nuk identifikojnë sulme seksuale të kryera në tokën zvicerane, kontrolli dhe ndikimi i Epstein ishte i pranishëm.

Për viktimat, kjo situatë ishte një goditje e dyfishtë. Pavarësisht premtimeve të qeverisë amerikane për konfidencialitet, dokumentet e anonimizuara shpesh lejuan identifikimin e tyre përmes emrave, email-eve dhe numrave të telefonit, për shkak të redaktimeve të pasakta. Disa informacione që mund të identifikonin viktimat u lanë gjithashtu pas dore nga hetuesit e FBI-së. Si rezultat, identitetet e shumë vajzave u bënë publike, një situatë shkatërruese për ato që kishin ndërtuar familje apo karriera profesionale.

Asnjë ndihmë federale për viktimat e zjarrit në Chiètres

Viktimat e zjarrit në autobusin postar në Chiètres nuk do të marrin një kontribut solidariteti nga Konfederata, ndryshe nga viktimat e zjarrit në Crans-Montana. Sipas ligjit për ndihmën ndaj viktimave (LAVI), i cili zbatohet kryesisht nga kantonet, personat e prekur mund të marrin mbështetje psikologjike, këshilla juridike dhe ndihmë mjekësore. Përveç ndihmës emergjente, kompensimi financiar ofrohet vetëm në rastet kur dëmet nuk mbulohen nga sigurimi ose autori i veprës penale. Maksimumi i kompensimit dytësor është 76,000 franga, sipas shkallës së dëmit fizik dhe psikologjik.

Ditën para tragjedisë, këshilltarja kombëtare e Partisë së Gjelbër, Sibel Arslan (BS), propozoi në Këshillin Kombëtar që Konfederata të mund të ofronte në të ardhmen kontribute solidariteti për viktimat e ngjarjeve të jashtëzakonshme, deri në 50,000 franga për person, pavarësisht të ardhurave. Propozimi nuk mori shumicën, por disa ligjvënës theksuan se çështja duhet të shqyrtohet në të ardhmen.

Ministri i Drejtësisë, Beat Jans, tha se nuk është momenti i duhur për të diskutuar një zgjerim të tillë dhe se duhet të ndjeket një konsultim i gjerë, duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm mbi kantonet.

Në nivel kantonal, Këshilli i Shtetit të Fribourgut po shqyrton ndihmë financiare për viktimat dhe të afërmit e tyre. Ndërkohë, për personat që dëshmuan ngjarjen, është vendosur një program mbështetjeje psikologjike në një ndërtesë komunale.

Kur dashuria do të thotë edhe dhurim organi: një çift tregon eksperiencën e transplantit të veshkës

Në Ditën Botërore të Veshkave këtë të enjte, është një moment i mirë për të reflektuar mbi mundësinë që kemi të dhurojmë një organ të dashurit tonë. Isabelle Tschopp nuk e mendoi dy herë: kur burri i saj sëmurej, ajo menjëherë ofroi të dhurojë një nga veshkat e saj.

Çifti Tschopp rrëfejnë historinë e tyre në një libër që do të publikohet më 31 mars nga shtëpia botuese Slatkine. Në këtë libër, ata rikthehen mbi momentin që shënoi një kthesë të madhe në jetën e tyre.

Eric Tschopp, i dobësuar nga probleme të tjera shëndetësore, duhej t’i shpjegonte gruas së tij se veshkat e tij po “arrinin fundin e jetës së tyre” dhe se mjeku e kishte paralajmëruar: një transplant do të ishte i nevojshëm brenda rreth pesë vitesh. Ai duhej të fillonte të “kërkonte” një dhurues të gjallë midis familjes dhe miqve. Përgjigja e Isabelle Tschopp ishte e menjëhershme: “Por unë do të të jap një.”

“Është pothuajse një akt dashurie të pakushtëzuar të thuash në atë moment: ‘Të jap ty’,” thotë Eric Tschopp, përfitues i transplantit të veshkës, transmeton albinfo.ch.

“Ne kishim jetuar tashmë disa vite së bashku. Eric kishte probleme të tjera shëndetësore, dhe kur u shtua kjo e veshkave, për mua ishte e qartë,” kujton Isabelle gjatë lajmeve të orës 19:30 të së enjtes. Një gjest që burri i saj e përshkruan ende si mbresëlënës.

“Është pothuajse dashuri e pakushtëzuar të thuash spontanisht ‘Të jap ty’. Është një dashuri thuajse e çmendur,” shprehet Eric

Mbi 140 ankesa për sjellje problematike në Spitalin Universitar të Lozanës

Njësia kundër ngacmimeve në Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV) ka regjistruar më shumë se 140 ankesa për sjellje problematike vetëm shtatë muaj pas fillimit të funksionimit të saj, raportoi të enjten media zvicerane RTS.

Sipas të dhënave të publikuara, 143 raportime janë bërë nga korriku 2025 deri në janar 2026, duke çuar në rreth 300 intervista me persona të përfshirë ose dëshmitarë.

Rastet e raportuara përfshijnë ngacmim moral dhe seksual, por edhe tensione në marrëdhëniet e punës, konflikte profesionale dhe sjellje të papërshtatshme. Rreth 20 raste janë dërguar për analizë të mëtejshme në departamentin e burimeve njerëzore, ku mund të hapen procedura disiplinore.

Drejtoresha e përgjithshme e CHUV, Claire Charmet, tha se sjelljet që cenojnë integritetin e punonjësve janë të papranueshme, por theksoi se ato përfaqësojnë një minoritet në mesin e rreth 12 mijë punonjësve të spitalit.

Sipas spitalit, që nga marsi i vitit 2025 janë ndërmarrë disa masa disiplinore, përfshirë dy largime nga puna, katër paralajmërime dhe katër qortime zyrtare, ndërsa 11 raste të tjera të rënda janë ende në shqyrtim.

Organizatat dhe sindikatat e sektorit shëndetësor kanë përshëndetur krijimin e njësisë së re, duke thënë se ajo ka ndihmuar në rritjen e raportimeve për sjellje të papërshtatshme, por kërkojnë që rastet e denoncuara të shoqërohen me masa konkrete dhe sanksione të qarta.

Haxhiu priti ambasadorin zviceran Sprecher, theksohet forcimi i bashkëpunimit Kosovë–Zvicër

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Haxhiu theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës mbeten të qëndrueshme dhe miqësore, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin demokratik dhe institucional të vendit.

Ajo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm në forcimin e institucioneve dhe avancimin e proceseve demokratike, transmeton albinfo.ch.

Në përfundim të takimit, kryetarja Haxhiu shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, në funksion të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve bilaterale.

Sa më shumë po paguajnë tani shoferët në Zvicër për karburant?

Ekspertët kishin paralajmëruar se çmimet do të rriteshin në ditët dhe javët në vijim, dhe kjo tashmë po ndodh, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sa kanë arritur çmimet?

Benzina (Unleaded 95) aktualisht kushton rreth 1.85 franga për litër në shumë pika karburanti.

Ekspertët presin që çmimi të rritet deri në 1.90 franga për litër.

Nafta (diesel) mund të arrijë deri në 2.20 franga për litër, nga rreth 1.80 franga në fillim të marsit.

Sa më shumë po paguajnë shoferët?

Nëse çmimet arrijnë nivelin e parashikuar:

Një rezervuar i plotë (rreth 60 litra) me benzinë mund të kushtojë deri në 15 franga më shumë se në fund të shkurtit.

Për diesel, shoferët mund të paguajnë deri në 25 franga më shumë për një rezervuar të plotë.

Ku është më i shtrenjtë karburanti?

Në Zvicër çmimet ndryshojnë shumë sipas vendit:

Më të shtrenjta janë zakonisht pikat e karburantit pranë autostradave, qyteteve të mëdha dhe zonave turistike.

Më të lira janë shpesh stacionet e vogla në zonat rurale

Mbi një milion të huaj në Zvicër nuk aplikojnë për shtetësinë zvicerane

Mbi një milion të huaj që jetojnë në Zvicër nuk aplikojnë për shtetësi zvicerane, edhe pse i plotësojnë kriteret e nevojshme për natyralizim. Kjo është bërë e ditur në një studim të realizuar pas një kërkese të Këshillit Federal për të kuptuar arsyet e këtij fenomeni.

Sipas raportit, një numër i madh i banorëve të huaj që kanë jetuar për vite me radhë në vend dhe kanë të drejtë për shtetësi, nuk e ndërmarrin hapin për t’u bërë qytetarë zviceranë, shkruan albinfo.ch.

Rezultatet e studimit u diskutuan dje në Sekretariatin Shtetëror për Migracion (SEM), ku përfaqësues të autoriteteve kantonale dhe komunale përgjegjëse për procesin e natyralizimit analizuan dhe reflektuan së bashku mbi gjetjet e raportit.

Autoritetet synojnë që përmes këtyre diskutimeve të kuptojnë më mirë pengesat dhe arsyet pse shumë të huaj që jetojnë në Zvicër nuk aplikojnë për shtetësi, pavarësisht se i plotësojnë kushtet. /albinfo.ch/

Kush po udhëheq luftën në Zvicër kundër propozimit kundër emigracionit?

Këtë javë, në Bernë është nisur një fushatë kundër kësaj iniciative, e cila konsiderohet një nga propozimet më të diskutueshme që do të shkojë në votim në vitet e fundit, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa është propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), një parti e djathtë populiste. Ajo synon të ulë ndjeshëm numrin e emigrantëve, në mënyrë që popullsia e Zvicrës të mos kalojë 10 milionë banorë. Sipas SVP-së, një popullsi më e madhe do të mbingarkonte infrastrukturën si:

banesat,

transportin publik,

sistemin shëndetësor,

shkollat.

Propozimi parashikon që popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës të mos kalojë 10 milionë para vitit 2050, ndërsa pas vitit 2050 qeveria federale mund ta rregullojë këtë kufi çdo vit.

Aktualisht Zvicra ka pak më shumë se 9 milionë banorë, nga të cilët rreth 2.5 milionë janë të huaj, pra mbi 27% e popullsisë.

Kush është kundër kësaj mase?

Një komitet shumëpartiak ka nisur fushatën kundër iniciativës dhe ka paralajmëruar se kërkesat e saj mund ta fusin Zvicrën në një situatë të vështirë brenda disa viteve.

Ky grup përfshin përfaqësues nga disa parti politike:

Radical-Liberals (PRL) – qendër-djathtë

Centre Party – parti e qendrës

Evangelical Party (EVP) – konservatore në aspektin social

Green Liberal Party (GLP) – qendër me politika ekologjike

Ata paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund të shkaktojë probleme të mëdha për ekonominë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, sepse lëvizja e lirë e njerëzve është një nga parimet kryesore të BE-së.

Kundërshtime nga bizneset dhe qeveria

Organizatat ekonomike dhe bizneset në Zvicër e kanë quajtur këtë propozim “Iniciativa e Kaosit”, duke argumentuar se pa punëtorët e huaj:

zhvillimi i kompanive do të ngadalësohej,

të ardhurat nga taksat do të binin,

inovacioni do të dobësohej,

sistemi i sigurimeve sociale do të kishte probleme financiare.

Gjithashtu, qeveria federale zvicerane dhe shumica e parlamentit janë kundër kësaj iniciative. Ministri i Drejtësisë dhe Policisë paralajmëroi se Zvicra duhet të mësojë nga përvoja e Brexit, pasi kufizimi i lëvizjes së lirë mund të dëmtojë marrëdhëniet ekonomike me Evropën.

Familjet në Zvicër kërkojnë mbrojtje më të mirë të mediave sociale

Sipas një analize, përballja me mediat sociale është bërë më e rëndësishme për familjet në Zvicër.

Rreth gjysma e familjeve të anketuara do të donin të shihnin mbrojtje më të mirë të fëmijëve dhe një ndalim të telefonave celularë në shkolla, sipas një barometri familjar, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Përveç kësaj, 47% e familjeve të anketuara besojnë se ka nevojë për mbështetje më të përgjithshme nga shkollat ​​dhe 44% e të anketuarve besojnë se kufizimet ligjore në mediat sociale janë të dëshirueshme. Ky ishte përfundimi i Barometrit Familjar të publikuar nga Pro Familia Zvicër dhe siguruesi i pensioneve Pax të enjten. Rreth 2,036 familje në të gjithë Zvicrën u anketuan nga 10 deri më 27 nëntor 2025.

Sipas barometrit, shumica e të anketuarve mendojnë se janë në gjendje t’i udhëzojnë mirë fëmijët e tyre kur bëhet fjalë për përdorimin e telefonave celularë, internetit dhe mediave sociale. Rreth 57% e të anketuarve u pajtuan disi me pyetjen dhe 30% u pajtuan plotësisht.

Sipas Pro Familia dhe Pax, përdorimi i mediave sociale nuk është po aq i përhapur për familjet në Zvicër. Në Zvicrën gjermanishtfolëse, 27% e familjeve ishin shumë të shqetësuara për këtë çështje, krahasuar me 13% të familjeve të anketuara në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe 10% në Ticino. Megjithatë, në Ticino dhe Zvicrën frëngjishtfolëse, çështja e dhunës tek të rinjtë është më e përhapur për familjet sesa në Zvicrën gjermanishtfolëse.

Paratë mbeten çështja kryesore

Sipas barometrit, paratë mbeten çështja kryesore për familjet zvicerane, ashtu si në vitet e kaluara. Primet e sigurimit shëndetësor dhe rritja e çmimeve vazhdojnë të kryesojnë listën e çështjeve kryesore. Sipas analizës, primet e sigurimit shëndetësor janë një shqetësim i veçantë për familjet në Ticino. Rritja e çmimeve në përgjithësi është një shqetësim kyç për familjet në Ticino dhe Zvicrën frëngjishtfolëse.

Për pak më pak se gjysmën e pjesëmarrësve në anketë, të ardhurat familjare janë të mjaftueshme për jetën familjare. Për pothuajse po aq familje të anketuara, të ardhurat janë mezi të mjaftueshme dhe për 7% të të anketuarve, nuk janë të mjaftueshme. Sipas barometrit, perceptimi i situatës së tyre financiare ka mbetur kështu i qëndrueshëm gjatë viteve.

Së fundmi, të anketuarit në anketë shikonin edhe drejt së ardhmes. Tre të katërtat e familjeve të anketuara presin që situata e përgjithshme në Zvicër do të tentojë të përkeqësohet ose të përkeqësohet ndjeshëm gjatë tre viteve të ardhshme. Prandaj, pritjet për zhvillimet e ardhshme mbeten pesimiste, siç përmbledh Barometri i Familjes.