Romani i Beqë Cufajt “Projekt@ party” promovohet në Shtutgard

Beqë Cufaj, shkrimtar kosovar, i cili jeton dhe shkruan në Gjermani, është njëri nga zërat reprezentativë të romanit shqiptar që shkruhet në diasporë.

Romanet e shkrimtarit nga Kosova janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.

Romani më i ri i Beqë Cufajt, “Projekt@ party”, do të jetë në libraritë gjermane, zvicerane e austriake nga 3 shtatori. Librin do ta gjeni në Shtëpinë Botuese « Secession » në Cyrih të Zvicrës.

http://www.secession-verlag.com/content/projektparty

Ndërsa më 12 shtator i njëjti roman do të promovohet në shtëpinë botuese në Stuttgart. Në promovim do të jetë i pranishëm edhe përkthyesi Joachim Rohm.

http://www.literaturhaus-stuttgart.de/event/2418-1-projekt-party/

Pastaj do të vijojnë prezantime tjera në qytete të ndryshme në muajin shtator. Në Berlin më 14 dhe15 shtator në kuadër të “Literaturfestival“ Berlin, në Frankfurt në kuadër të “Buchmesse” më 8 tetor etj….

Libri i Beqë Cuajt do të prezantohet edhe në Cyrih, Vjenë e qytete tjera gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor.

Romani i dytë i Cufajt “Projekt@ party” ka në epiqendër të rrëfimit Profesorin, një idealist gjerman, i cili vjen në Kosovë për të kontribuar në zhvillimin e këtij vendi në fushën e arsimit e edukimit.

Ai nuk gjen një administratë ideale të ndërkombëtarëve në Kosovë, siç mund ta kishte paramenduar, ngase bashkëpunëtorët e tij më me qejf preferojnë të zdërhallen kafeneve të Prishtinës, duke bërë për çdo natë “party” (ahengje) për projekte” ende të pafilluara, madje as të shkruara në letër, sesa të bëjnë diçka për të mirën e njerëzve të një vendi të shkatërruar nga lufta vite më parë.

Veçantia narrative e këtij romani qëndron te pikëshikimi apo perspektiva prej nga nisin të rrëfehen ngjarjet, siç është pikëshikimi i një ndërkombëtari për misionin e OKB-së në Kosovë.

Jehonë e madhe e librit të Ilir Xheladinit në gjuhën frënge

Libri i parë i autorit shqiptar Ilir Xheladini i shkruar në gjuhën frënge, romani për fëmijë «Midax, l’araignée voyageuse», është duke ngjallur interesim të madh te lexuesi në Zvicrën frankofone. Disa muaj pas botimit, atij po i bëhen disa organizime të natyrës promovuese, që edhe për vetë autorin janë befasuese.

“Libri ka ngjallur një kërshëri të madhe dhe më mahnitin e-mailet e shumtë që marr nga lexuesit. Nga këto rrjedhin edhe dy ngjarje që do të organizohen këto ditë në qytetin e Neuchâtel-it”, thotë për albinfo.ch Ilir Xheladini.

Aktiviteti i parë është më 29 janar nga ora 12h15 deri më 13h00 dhe mbahet në teatrin “Théâtre du Passage”. Është fjala për një takim me autor, në këtë rast do paraqitem para lexuesve dhe do ta prezantoj p librin tim.

Ndërsa aktiviteti i dytë është me 1 shkurt, nga ora 14h00 deri më 16h30. Ai mbahet në librarinë “Payot” e cila është libraria më të madhe në qendër të qytetit (Neuchâtel-it). Këtu do të  jem prezent për të nënshkruar librat atyre që i blejnë, ose siç quhet këtu në një “seancë dedikimi”.

Xheladini më tutje shprehet se e gjithë kjo bujë e ka gjetur të befasuar dhe gjithsesi, e ka bërë të lumtur. “Jam duke lundruar në një botë që nuk e kam njohur, e të shohësh posterët në gjithë librarinë me emrin tënd, sigurisht të bën shumë të lumtur”, pranon Ilir Xheladini.

Ilir Xheladini 2

Shqiptarja Anila Wilms, çmim për romanin në gjuhën gjermane

Çmimi “Adalbert von Camiso”, i fondacionit Robert Bosch, i cili jepet për veprën më të mirë letrare të shkruar në gjermanishte nga një i huaj, i është ndarë per vitin 2013 shkrimtares së re ukrainase Marjana Gaponenko për romanin “Wer ist Martha” (Kush është Marta).

Njëkohësisht me çmimin kryesor, janë ndarë edhe dy çmime stimuluese “Adalbert von Camisso”, të po këtij fondacioni, njërin prej të cilëve e ka fituar autorja shqiptare Anila Wilms për romanin e saj debutues në gjuhën gjermane “Das albanische Öl oder Mord auf der Strasse des Nordes” (Nafta shqiptare ose vrasja në rrugën e veriut). Fituesi tjetër i këtij çmimi është shpallur Mathias Nawrat me romanin “Wir zwei allein” (Ne të dy, vetëm).

Çmimi kryesor Adalbert von Camiso jepet me vlerën monetare prej 15.000 eurosh ndërsa dy çmimet stimuluese, peshojnë nga 7000 euro secili.

Ky çmim është i vetmi i këtij lloji në gjithë hapësirën gjermanishtfolëse. Ceremonia e dorëzimit të çmimit mbahet më 28 shkurt në rezidencën e kishës Allerheilgen të Munihut. Ndërsa më 1 mars, laureatët  e çmimit do të lexojnë nga veprat e tyre në Literaturhaus të Munihut.

Por, kush është fituesja shqiptare e sivjetme, Anila Wilms? Ajo ka lindur në vitin 1971 në Tiranë, ku ka studiuar për histori dhe filologji. Në vitin 1994 ka ardhur në Gjermani, ku, që nga fillimi jeton në Berlin. Anila Wilms, në romanin e saj me tematikë nga fillimi i viteve 20 të shekullit të kaluar, sipas jurisë “e rrëfen në manirin e një romani kriminalistik, një episod ekzotik-burlesk nga historia e shtetit të ri shqiptar.

Teksti i saj i populluar me njerëz nga populli i thjeshtë, nga diplomatët e rryer dhe nga krijesat më shumë se dubioze të politikaneve, mund të kuptohet po ashtu edhe sikur një pasqyrë bindëse për gjendjen e tashme të Shqipërisë”.

Gjatë vitit që lamë pas, romani i Anilës ka qenë disa herë në fokus të gazetave dhe revistave letrare në gjuhën gjermane, të cilat kanë parë në të vlera të veçanta letrare. Kjo më në fund u përligj edhe nga juria e çmimit “Camisso”.

Është interesante se edhe vitin e kaluar një autor shqiptar ka qenë fitues i çmimit stimulues Chamisso. Fjala është për shkrimtarin Ilir Ferra, dhe romanin e tij debutues në gjuhën gjermane “Rauchschatten” (Hijet e tymit). Ferra ka lindur në vitin 1974 në Durrës, që nga viti 1991 jeton në Vjenë, Austri, ku ka mbaruar studimet në shkencat e përkthimit (anglisht dhe italisht) dhe ku punon si shkrimtar dhe përkthyes. Edhe rrëfimi i romanit të tij zhvillohet në Shqipëri, gjegjësisht në qytetin port, Durrës.

Gjatë vitit të kaluar, në hapësirën gjermanishtfolëse, veç dy autorëve tashmë të shpërblyer, Ferra dhe Wilms, kanë parakaluar me sukses dhe janë vlerësuar lartë edhe dy të tjerë, gjegjësisht Lindita Arapi dhe Beqë Cufaj. Veprave të tyre “Schlüsselmädchen” (Vajzat me çelës në qafë)  (Lindita Arapi gjegjësisht “Projekt@party” (Beqë Cufaj) u është bërë jehonë e konsiderueshme në mediet gjermane, austriake de zvicerane, gjegjësisht në faqet e kulturës të gazetave të këtushme. Kjo flet sigurisht për një prezantim nga një perspektivë tjetër, gjithsesi më pozitive dhe më të avancuar të të qenët shqiptar në këto hapësira.

Anëtarë të jurisë që ka ndarë çmimin “Camisso” janë: Gregor Dotzauer (kritik letrar), Zsuzsanna Gahse (shkrimtare, fituese e çmimit, Chamisso 2006), Michael Krüger (shkrimtar dhe botues), Prof. Dr. Klaus-Dieter Lehmann (Kryetar i Institutt Gëte), Denis Scheck (kritik letrar, Dorothea Westphal (kritike letare) dhe Feridun Zaimoglu (shkrimtar, fitues i çmimit Chamisso 2005).

Çmimi Chamisso jepet duke filluar nga viti 1985 për të stimuluar autorët që shuajnë gjermanisht ndërsa kanë gjuhë amtare tjetër.

Blerim Shabani

16.01.2013

Besa Myftiu

Myftiu Bessa ka lindur në Tiranë ku ndoqi studimet në literaturë.

Jeton në Gjenevë  që nga viti 1992 dhe jep mësim në  Universitetin e Gjenevës, ndërsa  vazhdon krijimtarinë e saj duke i përkushtuar shkrimit si dhe kinemasë.

Është e njohur  sikur shkrimtare, poete, esseiste dhe përkthyese.