Sopranoja shqiptare Ana Naqe mahnit në Bruksel me rolin kryesor në operën “Bovary”

Sopranoja me origjinë shqiptare Ana Naqe ka realizuar një sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare, duke interpretuar rolin kryesor në operën “Bovary” në Théâtre de la Monnaie në Bruksel – institucion që këtë vit është vlerësuar me çmimin për “Shtëpinë Operistike më të Mirë të Vitit 2025”, shkruan albinfo.ch.

albinfo.ch
albinfo.ch

Shfaqja u prit me entuziazëm si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Mediat prestigjioze të muzikës operistike në Evropë kanë vlerësuar performancën e Ana Naqe si një ndër interpretimet më të fuqishme dhe më emocionale të këtij sezoni.

Kritikat më të rëndësishme të operës e kanë cilësuar zërin dhe interpretimin e saj “magnetik”, duke nënvizuar mjeshtërinë artistike dhe thellësinë shpirtërore që sopranoja shqiptare i dha personazhit të saj. shkruan albinfo.ch.

Igli Mezini, “një shpirt artisti” në skenat botërore

Të jesh artist nuk është e lehtë, para së gjithash kur fillet i ke nga një vend me mundësi relativisht të kufizuara për të depërtuar.

Duhet të jesh vërtet energjik, optimist dhe me shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Këto janë disa prej cilësive kryesore të Iglit që i shërbyen për të qenë sot një balerin i suksesshëm në shumë skena botërore.

Ai është vetëm 27 vjeç, i lindur dhe rritur në Tiranë. Dashuria që ka për vendlindje është e madhe, pasi aty kaloi vite të mira të jetës së tij. Që në moshën 7-vjeçare i lindi dëshira për balet, sepse talentin thuajse e kishte të lindur për të qenë një artist i skenës, i duhej fare pak për të kaluar në nivelin e duhur.

“Me fillimin e klasës së parë zgjodhëm bashkarisht me familje që paralelisht me shkollën, të kërceja e të impenjohesha në art, “balet”. E teksa vitet kalonin, unë u bëra pjesë e Shkollës Kombëtare të Baletit, një shkollë nga ku kanë dalë shumë legjenda të artit”, thotë ai.

 

“Një zanat i bukur, por i lodhshëm”

Rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ishte i lehtë, ndërsa formimi i tij me perspektivë profesionale i mori goxha punë dhe energji. Për baletin thuhet se është “një zanat i bukur, por i lodhshëm”.

“Absolutisht e vërtetë. Me një ekzigjencë të madhe artistike e me një punë rigoroze të përditshme vërtetonin fjalët e njerëzve, ku çdo ditë pjesët e trupit dhimbnin, e askush s’donte t’ia dinte e kurrë s’duhej të thoshe se sa dhemb”, shprehet Igli.

 

Franca, pikënisja e parë e depërtimit në tregun evropian

Iglit në moshën 18-vjeçare iu dha drita jeshile në një nga shkollat me prestigjoze në Kanë të Francës. Një vend me një mentalitet të hapur dhe shumë demokratik, ku arti përmbledh gjithmonë artistë nga i gjithë globi.

“Kana ka qenë trampolina më e mirë për vazhdimësinë e karrierës sime deri më sot. Një vend i mrekullueshëm, inspirues, ku fatmirësisht kam takuar njerëz shumë të përgatitur artistikisht, e që kam pasur fatin e madh të punoj e të mësoj nga ta”.

Mezini aty ushtroi kërcim kontemporan, klasik, kërcim në çift, teatër, kanto, cirk dhe shumë fusha interesante për t’u bërë një artist i plotësuar.

“Kohë të mrekullueshme që i kujtoj me shumë mall e që ndihem shumë i privilegjuar që m’u dha ajo mundësi e artë”, tregon ai.

 

Jeta profesionale në Gjermani, eksperienca e duhur!

Franca i shërbeu Iglit në formimin e tij intelektual, profesional dhe etik për baletin, e kjo i hapi rrugë të depërtojë edhe në tregun gjerman. Sipas tij, Gjermania dhe teatri “Wiesbaden” ishin gjëja e duhur në momentin e duhur.

“Për gati 4 vjet kam jetuar dhe punuar në një nga teatrot më të vjetër e më të bukur të Gjermanisë, që ishte Wiesbanden. Një staf prej 28 balerinësh që vinim nga vende të ndryshme të botës”.

Gjatë katër vjetëve, ai ishte balerin solist në këtë teatër ku punoj me koreografë nga më të njohurit në botë, aq sa edhe Igli e quan “një fabrikë arti”.

 

“Zvicra, vendi në të cilin dashurova që nga dita e parë”

Mezini kishte vite që bashkëpunonte me kompaninë e baletit “Linga”, por në vitin 2019 kjo kompani po bëhej gati për një koncept të ri në teatrin Octogone në Pully dhe Igli u vendos pikërisht në Lozanë për të performuar.

“Linga po bëhej gati që një koncept të ri dhe unë u vendosa në Lozanë të Zvicrës, vendi që u dashurova që nga dita e parë. Në Linga kam qenë edhe profesor kërcimi duke drejtuar provat dhe duke punuar me artistët e tjerë të kompanisë që ishin më të mëdhenj se unë në moshë”, shprehet ai.

Pas shijimit të këtyre sukseseve, destinacioni i tij i ardhshëm ishte në kantonin e Lucernit. Saktësisht, një ofertë nga teatri i këtij qyteti, ku edhe tani ushtron profesionin si solist.

“Teatri në Lucern funksionon shumë mirë, stafi është shumë profesional dhe artistikisht u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të mia si artist. Në Luzern kemi diku 60 shfaqje në sezon, me një repertor shumë të larmishëm”, tregon ai për Albinfo.ch.

Artist në shumë skena të rëndësishme të botës

Destinacionet që ka performuar Igli janë të shumta, qoftë në skenat e Europës, ashtu edhe të Azisë dhe Amerikës.

“Shumë shtete e skena të Europës, Azisë, Amerikës Latine kam pasur fatin t’i shkel, por edhe të performoj, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Zvicër, Austri, Gjermani, Francë, Spanjë, Portugali, Turqi, Itali, Kolumbi, Australi, Singapor, Kinë, Taivan, Hong-Kong, Belgjikë, Suedi dhe në disa vende të tjera”, tregon ai.

Ndërkohë që skenat që ka performuar dhe shijuar Igli si balerin kanë qenë të shumta, si: “Sydney Opera House”, “Wiesbaden Staats Theater”, “Cultural Center Hong Kong”, “Taichung Theater Taiwan”, “Teatro Mayor Bogotá”, “Singapore Theater”, “Beijing Theater” e shumë të tjera.

Ky është Igli, një artist frymëzues i suksesit në Zvicër.

Albana Agaj dhe Jeton Neziraj sjellin Kosovën në teatrin zviceran

  • Pamje e parë nga provat e shfaqjes "Kosovo for dummies"

  • Jeton Neziraj

Aktorja dhe producentja e re me rrënjë shqiptare nga Kosova, Albana Agaj tregon për albinfo.ch rreth shfaqjes “Kosovo for Dummies”, rreth asaj se si ka lindur ideja e bashkëpunimit me autorin Jeton Neziraj në një projekt zviceran-kosovar dhe si po shkojnë punët drejt vënies së shfaqjes në skenë. Albana po ashtu flet për karrierën e saj të deritashme teatrore, për preokupimet artistike, lidhjet me Kosovën, Prishtinën e saj etj.

Albana Agaj është aktore e diplomuar e teatrit, e cila prej disa vitesh krijon artin e saj në teatro të ndryshme në Zvicër në Gjermani, Austri e gjetiu. Ka afër dy vjet që drejton edhe një trupë teatrore që mban emrin “forever productions” (foreverproductions.ch).

E lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe e ardhur në Zvicër me familjen në moshën 11 vjeçare, Albana në vitin 2007 ka mbaruar studimet për aktrim në Shkollën e Lartë të arteve në Bernë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ajo është angazhuar si aktore në teatrin “Theater an der Ruhr” (Mühlheim, Gjermani).

Para dhe pas kësaj ka luajtur me sukses një numër shfaqjesh në disa projekte teatrore në Vjenë, Bernë, Munih, etj. Madje në vitin 2006 ajo ka marrë çmimin e parë “Max-Reinhardt dhe çmimin e publikut në takimet e studentëve gjermanishtfolës të aktrimit. Ndërsa në periudhën si aktore në “Theater an der Ruhr”, ajo ka pasur angazhim të rregullt dhe në role të rëndësishme në shumë shfaqje të inskenuara në këtë teatër. Bëhet fjalë për dramat si “Vdekja e Dantonit”, të autorit Georg Büchner, ”Babai” i August Strindberg, “Dona Rosita ose gjuhët e luleve” të Frederico Garcia Lorca, etj.

Një angazhim që Albana e ka shumë për zemër ka qenë ai në teatrin e madh “Schauspielhaus Wien” të Vjenës, pasi që për të dhe për shumë aktorë, Vjena mbetet qytet i teatrit dhe i aktorëve.

Albana Agaj 398-491x-MF-Albana Agaj-72 dpi FV

Sfida e krijimit dhe udhëheqjes së një teatri

Një angazhim kaq i ngjeshur teatror i ka sjellë doemos kënaqësitë e veta. Por vjen një moment kur Albana dëshiron të provojë veten në një sfidë të re, në udhëheqjen e një produksioni teatror.

Në vitin 2013 ajo ka themeluar trupën teatrore “Forever Productions”, një shfaqje e së cilës “Verrate wenn du küsst” “Trego kë po e puth” në shkurt të vitit 2014 ka pasur premierën e parë në teatrin “Schlachthaus Bern” (www.schlachthaus.ch). Ndërsa motivin që e ka shtyrë për të realizuar këtë projekt ajo e shpjegon kështu: “Si kosovare dhe zvicerane, unë përmes profesionit tim si aktore kam pasur shansin e madh të punoj me dallimet kulturore. Që kësaj nevoje t`i jap më shumë zë, në vitin 2013 kam krijuar trupën teatrore “forever productions”. Kjo trupë e konsideron veten si një sizmograf të fenomeneve dhe konflikteve kulturore. Detyrën tone e shohim në nxitjen, promovimin e një dialogu ndërkulturor. Ne duam te provokojmë të iluminojmë, t`i vëmë në pikëpyetje dhe t`i flakim klishetë, të depërtojmë në frikën që kemi në kokat tona dhe përmes teatrit dhe artit të bëhemi një altoparlant për të gjithë ata që në konfliktin në mes të kulturave nuk e kane më zërin e tyre”.

Për shtator të këtij viti ajo planifikon shfaqjen e dytë, atë “Kosovo for Dummies”, po ashtu si prodhim i “forever productions” dhe përsëri në teatrin “Schlachthaus Bern”. Por, rrethanat e lindjes së kësaj shfaqjeje janë mjaft interesante.

jeton

Si lindi bashkëpunimi me Jeton Nezirajn

“Realizimi i dëshirës që e kisha prej kohësh për të kontaktuar edhe artistikisht me vendlindjen time u mundësua nga Maike Lex, drejtore e teatrit “Schlachthaus Bern”. Unë dëshiroja të realizoja një koproduksion me Prishtinën, qytetin tim të zemrës e të mallit dhe Maike Lex ma tërhoqi vëmendjen për autorin Jeton Neziraj”, rrëfen Albana për “sebepin” e realizimit të shfaqjes. “Lindi kështu një interesim reciprok dhe ne pastaj e porositëm Jetonin që të shkruante një pjesë teatrore për ne. Tash ka kaluar një vit dhe pjesa “Kosovo for Dummies” – që mund të përkthehet si “Kosova për budallenj” (ose për “axhaminj”, laikë) është botuar nga shtëpia botuese S.Fischer ndërsa provat teatrore kanë filluar më 3 gusht. Më 10 shtator , projekti ynë i dytë, pra “Kosovo for Dummies” do të ketë premierën e vet në teatrin “Schlachthaus Bern” që është edhe dramatizimi i parë i kësaj drame”, tregon për albinfo.ch aktorja dhe producentja e këtij projekti, Albana Agaj.

Teatri si vokacion jetësor

“Teatri ka qenë gjithmonë vokacioni im. Atij i kam falur shumë orë nga jeta ime. Unë për teatrin kam një koncept që në një mënyrë është personal dhe i përçudshëm, thotë Albana. Ndërsa mishërimin e saj me teatrin ajo më së miri e shpjegon me fjalët e Lorca-s: “Teatri është poezi që del nga libri dhe bëhet njerëzore, duke folur dhe klithur, duke qarë dhe duke u dëshpëruar. Teatri ka nevojë për krijesa në skenë që bartin një petk poetik dhe njëkohësisht zbulojnë eshtrat dhe gjakun e tyre. Ata duhet që në mënyrë kaq njerëzore dhe tragjikisht të tmerrshme të lidhen për jetën dhe realitetin, aq sa të tregojnë tradhtinë e tyre, që të perceptohet aroma e tyre dhe që përmes buzëve t`u dalë e gjithë forca e fjalëve të tyre për dashurinë ose për neveritjen”.

“Ndërkohë gjithnjë e më tepër jam duke u orientuar nga regjia, pasi që në një të ardhme synoj të krijoj një teatër timin. Jo tash shpejt, sigurisht, sepse që më duhet të akumuloj edhe më tutje përvojë si aktore teatri”, shprehet për albinfo.ch Albana Agaj.

Albana - 5

Me teatër, kundër shtypjes

Ajo thotë se kontakti i saj i parë me teatrin ka qenë teatri politik gjegjësisht vënia në pikëpyetje e regjimit serb dhe sulmi ndaj tij. “Teatri ishte gjuha jonë, me të cilën ne mbroheshim dhe luftonim kundër shtypjes së popullit tonë. Përmes teatrit ne e fitonim një zë që dëgjohej. Unë e kam lëshuar atdheun tim dhe me vete kam marrë idenë se çfarë mund të bëjë teatri dhe arsyen përse unë dua të punoj për teatër”, shpalos më tutje Agaj atë që e lidh tashmë një jetë të tërë me teatrin.

dummis

Kosovo for Dummies: Komedi zvicerane me rinoqerontë

Në döner-kebapin “Ali baba me 40 cuba” Antigona nga Kosova, që sapo ka mbërritur në Zvicër, takohet me Salalin, pronarin mysliman të döner-kebapit dhe zotin Schmidt, një burrë i ndershëm zviceran që dëshiron të shkruajë një guidë turistike me titull “Kosova për budallenj”.

Antigonës i pëlqen Zvicra prandaj ajo dëshiron të rrijë atje me çdo kusht. Nga të gjitha certifikatat e shumta që ka sjellë me vete kur ka ardhur, asaj i mungon vetëm njëra: certifikata që dëshmon se ajo nuk është një rinoqeront. Zoti Hartmann, një zyrtar shteti kokëfortë (që e ka të zhvilluar shqisën e shtatë, atë të nuhatjes) i jep 10 ditë kohë që ta sjellë atë certifikatë, në të kundërtën ajo duhet ta lëshojë Zvicrën.

Në këtë histori të çuditshme, përzihet edhe një zonjë plakë ekscentrike dhe qeni i saj Benjamini. Kjo zonjë është si krejt plakat zvicerane, që kanë nga një qen dhe nga rreth 4 milion franga në xhirollogari. Së paku, kështu i mendon autori plakat zvicerane.

“Kosovo für dummies” është një komedi e realizmit magjik, që në mënyrë groteske e sureale shtjellon një histori të vogël të një vajze me emrin Antigona, e cila dëshiron të fluturoj bashkë me ëndrrat e saj. Me këtë rast, duhet të tregojmë se në këtë komedi, nuk derdhet as një pikë gjak, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman. E di, ju duket e pabesueshme.

Drama ka fund të lumtur. Dhe ne e dimë që kjo gjë mund t’ju irritojë, por duhet t’ju tregojmë megjithatë: në fund të komedisë, Antigonës i lejohet qëndrimi në Zvicër. Ia lejon z. Hartmann zemërziu e zemërmiri.

Autori ju falënderon për vëmendjen dhe në të njëjtën kohë, ju bën me dije se, nëse shfaqja nuk ju pëlqen (nëse e urreni), ai është i gatshëm ta rishkruaj nga fillimi.

Orari i shfaqjeve

Shfaqja “Kosovo for dummies” jepet si premierë më 10 shtator në teatrin “Schlachthaus Bern” në Bernë. Reprizat e saj do te jepen më 12,13, 14, 15, 16, 17 dhe 18 shtator.
Një numër shfaqjesh të kësaj drame do të jepen vitin e ardhshëm edhe në tre teatro tjerë të Zvicrës. Kështu, në Teatrin “Winkelwiese” të Cyrihut ajo do të jepet katër herë, nga 17 deri më 20 mars. Në teatrin “Kleintheater” në Lucern më 19, 21 dhe 22 tetor 2016 dhe në “Theater Tuchlaube” në Aarau do të jepen dy shfaqje në vjeshtën e vitit 2016.

Shfaqja po ashtu do të jepet edhe në Tiranë (Albanian Dance Meeting Tirana) e në Prishtinë (Qendra Multimedia, Pristina) gjatë pranverës 2016 ndërsa në Shkup (Children’s Theater Center, Skopje) në vjeshtën e po atij viti.

Po ashtu, planifikohet që shfaqja të jepet edhe në qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe te Austrisë.

Shënime për shfaqjen
Regjia: Johannes Mager
Aktrojnë: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Nadim Jarrar, Robert Baranovski, Ursula Stäubli
Muzika: Maurice Könz
Skenografia: Hugo Ryser/ Manuel Schüpfer
Movement: Emilia Guidicelli
Produktionsleitung: Annette von Goumoëns
Produktion: forever productions “foreverproductions.ch”
Ko-Produktion: Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern

Sokrati mbrohet shqip në OKB

Mbrëmë, në sallën e njohur të OKB-së, falë bashkëpunimit në mes të ambasadorit të Shqipërisë, Sejdi Qerimaj dhe të Greqisë, Georges J. Kaklikis, u shfaq pjesa teatrale «Apologjia e vërtetë e Sokratit» e interpretuar nga aktori i shquar, Mirush Kabashi.

Thuhet se disa shfaqje të zgjojnë ndjeshmërinë, e cila me kohën mbetët e strukur diku në pavetëdijen tonë. Në sallën e Teatrit të të Drejtave të Njeriut në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, një orë të tërë afro treqind veta dëgjuan në gjuhën shqipe vështrimet e Sokratit të shpalosura një nga një nga aktori i pazëvendësueshëm Mirush Kabashi.

Një turmë diplomatësh nga mbarë bota, por edhe nga viset shqiptare (ambasadorët Mehmet Elezi, Naim Malaj, si dhe konsulli i Gjenevës, Benjamin Nikoliqi) i ishin përgjigjur ftesës së ambasadorit të Shqipërisë, Sejdi Qerimaj (OKB).

Ata me plot kureshtje dhe admirim dëgjuan porositë e Sokratit në gjuhën shqipe, ndërsa shqiptarët e pranishëm thithnin me kureshtje jehonën e gjuhës shqipe, e cila mbretëroi për disa çaste në Pallatin e Paqes me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Me një performancë teatrale të pakontestueshme, Mirush Kabashi zgjati jetën e vargjeve të Sokratit, duke iu drejtuar klasës sunduese/politike të asaj dhe të kësaj kohe. Bota, tha ai, ndahet në dy pjesë: ata që urdhërojnë dhe ata që zbatojnë. Mos vallë ka ndryshuar disi që nga ajo kohë? Aktualiteti ndërkombëtar na shtyn të mendojmë se jo.

“Arjeta dhe Gëzimi”, ose një “Romeo e Xhulietë” kosovare


Shqiptarët dhe Kosova janë vonuar me shumëçka, mes tjerash edhe me krijimin e mjuziklit, njërës nga format komplekse muzikore skenike. Ndonëse sprova në këtë drejtim ka pasur qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar, dhe ndonjë përpjekje fragmentare edhe më vonë, mjuzikli i parë i kompletuar shqiptar, duket se është “Arjeta dhe Gëzimi”, i realizuar pak muaj më parë nga Shkolla e mesme e Muzikës „Prenkë Jakova“, e Gjakovës.

I shfaqur në disa skena të Kosovës, këtij mjuzikli, për çudi nuk i ishte bërë shumë jehonë në medie. Ndërsa ai e meritonte një gjë të tillë. Dhe jo vetëm pse ishte i pari.

Kjo u pa në shfaqjen e kësaj vepre që u dha të mërkurën mbrëma në Bazel, në sallën e shkollës “Rudolf Steiner”.

Jo vetëm freskia dhe entuziazmi i një trupe kaq simpatike, si kjo e shkollës së muzikës nga Gjakova por edhe serioziteti dhe përkushtimi me të cilin i janë qasur të gjithë realizimit të kësaj vepre, u shpërblye shumëfish me  duartrokitjet e publikut, kryesisht zviceran, të pranishëm me shumicë në sallë.

Subjekti i mjuziklit ishte i thjeshtë dhe i afërm me realitetin e Kosovës së pasluftës. Në qendër të rrëfimit është një dashuri në mes të dy të rinjve që kërcënohet të mbytet nga krimi që ka kapërthyer segmente të jetës në vendin ku është vendosur zhvillimi i ngjarjes. Në njërën linjë të rrëfimit jepet romanca në mes të dy të rinjve, me pengesat që u dalin nga familjet e tyre të armiqësuara, (një jehonë e lehtë kjo nga “Romeo e Xhuljeta”). Ndërsa në linjën tjetër, gatuhet krimi që do të shpërthejë në fund me gjuajtjen me armë me qëllim vrasjen e protagonistit, Gëzimit.

Historia megjithatë përfundon me hepiend, siç e kërkon mbase natyra e mjuziklit, me ç`rast Gëzimi shpëton nga vdekja dhe kurorëzon dashurinë e tij me Arjetën ndërsa krimineli merr dënimin e merituar. Ngjarja, deri në pikën e shthurjes, zhvillohet me thyerje dhe kontradikta të vogla e të mëdha ku nuk mungojnë edhe çaste humori, të cilat i japin shfaqjes sharmin karakteristik.

Një skenografi e thjeshtë por mjaft mobile, shoqërimi muzikor i drejtpërdrejtë nga orkestra e pranishme në sallë, pastaj një lojë simpatike, në disa raste edhe me pretendime profesionale e nxënësve nga Gjakova, kanë dhënë së bashku një tablo shumë të bukur për sytë dhe veshët e publikut. Sigurisht, kësaj i ka kontribuuar shumë kompozimi mjeshtëror i Trimor Dhomit, me pasazhe të muzikës popullore shqiptare të ndërthurura mjaft natyrshëm në tërësinë e veprës muzikore.

Mjuzikli “Arjeta dhe Gëzimi” është kompozuar mbi libretin e Ilir Gjocajt ndërsa regjinë e ka realizuar regjisori austriak-zviceran Georg Darvas. Në rolet kryesore luajnë Edonjeta Hajdari (Arjeta), Vali Kuqi (Gëzimi), Ylber Bardhi (Shaqiri) etj.

Dy protagonistët, Arjeta dhe Gëzimi, siç edhe pritej, kanë bartur barrën më të madhe të shfaqjes dhe këtë e kanë realizuar me një kompetencë të admirueshme. Të dy aktorët e zgjedhur për rolet kryesore, Edonjeta Hajdari dhe Vali Kuqi janë mishëruar shumë mirë edhe për nga pamja e tyre me rolet dhe ia kanë dalë të mbajnë tensionin e ngjarjes së shfaqjes deri në fund, duke gëzuar kështu simpatinë e publikut. Ishte sidomos mbresëlënës zëri i butë, melodioz dhe i disiplinuar i Edonjetës, e cila ka të dhëna për tu bërë një këngëtare e kompletuar e skenave operistike në të ardhmen.

Interpretim mjaft të pjekur kanë treguar edhe aktorët që kanë luajtur rolet e prindërve të Arjetës, pastaj “Shaqiri” i luajtur nga aktori profesionist, Ylber Bardhi etj.

Siç theksuan të gjithë mysafirët e ardhur nga Gjakova, më të merituarit për këtë turne të tyre janë çifti zviceran nga Bazeli, Dorothea dhe George Fankhauser. Ata ndihmojnë prej vitesh shkollën e mesme të muzikës në Gjakovë dhe kanë bërë të gjithë punën e mundimshme për të sjellë trupën kosovare në Zvicër, që të marrë pjesë në festivalin “Culturescapes”

Pas shfaqjes, Këshillimorja për të huajt ABSM, e udhëhequr nga Skënder Nikoliqi ka shtruar një darkë për të gjithë trupën dhe për mysafirët tjerë.

Blerim Shabani

Berna, arena e radhës e suksesit të “Shkollës shqiptare të muzikës”

Nuk janë vetëm Inva Mula, Saimir Pirgu ose Ermonela Jaho, ata që u kanë ngritur namin shqiptarëve në sferën e muzikës klasike jashtë vendit. “Shkollën shqiptare të muzikës” në botë e përfaqësojnë me dinjitet edhe shumë këngëtarë dhe  instrumentistë të talentuar. Një numër jo i vogël i tyre kanë janë instrumentistë të parë apo drejtues në orkestra të ndryshme.
Në këtë radhë bëjnë pjesë edhe instrumentistët: Dhurata Lazo, Zija Bejleri, Gjergj Bejko  dhe Klaidi Sahatçi. Ata  jetojnë në anë të ndryshme të Gjermanisë dhe të Zvicrës ndërsa ajo që i bashkon është pasioni për muzikën, i cili tashmë është shndërruar edhe në profesion të tyre.

Gjergji, që posa ka mbushur 12 vjetët, është një “vunderkind” i llojit të tij në piano. Në akademinë e muzikës në Freiburg kanë thyer rregullat për ta pranuar atë, si një talent i jashtëzakonshëm, që  në moshën 11 vjeçare. Para kësaj, Gjergj Bejko ka marrë shumë çmime muzikore. Klaidi Sahatçi është violina e parë në orkestrën e njohur të Cyrihut “Tonhalle” ndërsa Zija Bejleri, udhëheqës artistik në një orkestër gjermane.

Të katër mjeshtrit ishin mysafirë në Bernë, në sallën e katedraless Bernermünster, ndër më të mëdhatë dhe më të njohurat në Zvicër.

“Merita për ardhjen tonë këtu, i takon Zhaklina Dhimojani-Blättler, shqiptares që jeton në Bernë dhe është shumë e pasionuar pas muzikës” thotë për albinfo.ch violinisti Klaidi Saatçi. “Këtu jemi bërë bashkë: unë, që punoj në Cyrih, Dhurata Lazo-Bejleri dhe Zija Bejleri që janë bashkëshortë dhe jetojnë në Kaisersläutern si dhe Gjergji Bejko, më i vogli, 12 vjeç, i cili jeton me familjen në Freiburg të Gjermanisë”.

Sahatçi: Nga Cyrihu në Skala dhe sërish në Cyrih

Duke folur për karrierën e tij, Klaidi na tregon se para se të vendosej në Cyrih kishte punuar për një kohë në Skala të Milanos. “Por, edhe para se të shkoja atje, unë kam punuar në orkestrën zvicerane të dhomës (orkestra kamertale) si violinë e parë. Pas një kohe që qëndrova në Milano, orkestra Tonhalle e Cyrihut pati shpallur një konkurs ku morën pjesë një numër i madh violinistësh dhe u zgjodha unë. Kështu, sërish u ktheva në Cyrih”, thotë ai.

I pyetur për dallimet në mes punës në Milano dhe asaj në Cyrih, Sahatçi i thotë: “në Milano është bërë muzikë operistike ndërsa këtu në Cyrih orkestra Tonhalle  bën muzikë ca më intime, muzikë simfonike dhe dhome, që mua më flenë më shumë në zemër. Pastaj këtu jam violinë e parë dhe kam privilegjin të punoj me një violinë të mjeshtrit të madh, Stradivari, që është një mundësi jashtëzakonisht e madhe që mund t`i jepet një artisti..

Por, cili është sekreti i suksesit të asaj që quhet “shkollë shqiptare e muzikës”? – është pyetja e radhës. Sipas Klaidit, sekreti qëndron “te pasioni dhe te sensi i sakrificës që na dallon ne shqiptarëve. Ne, forcën tonë të brendshme e shndërrojmë në vullkan të madh kur përfaqësojmë vendin”, përfundon ai.

Zhaklina Dhimojani –Blättler thotë se është amatore e muzikës dhe organizatore e koncertit. “Sjellja e instrumentistëve këtu nuk ishte edhe aq e lehtë. Kishim një ndihmë të vogël nga Kiwani klub dhe pjesën tjetër e mbuluam vetë ne”, sqaron ajo për albinfo.ch.

Ndihmat, në një projekt humanitar për fëmijët në Shqipëri

Ndërsa  lidhur me karakterin humanitar të koncertit, ajo thotë: “Ndihmat që janë grumbulluar këtu do të dërgohen për një projekt për fëmijët në nevojë, në Himarë të Shqipërisë. Jemi në hapat e parë të ngritjes së një organizate humanitare”.  Ajo me tutje tregon se është duke punuar edhe në një projekt tjetër me muzikë klasike. Synimi është realizimi i një koncerti me fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që dallohen me talentin e tyre në muzikë klasike.

Në koncertin e mbajtur në Bernë, që kishte tërhequr një numër të konsiderueshëm artdashësish, katër instrumentistët shqiptarë shkëlqyen secili në instrumentin e tij. Salla e katedrales me një akustikë të përsosur, ishte po ashtu “në anën” e instrumentistëve shqiptarë.

Klajdi Sahatçi me violinë, Dhurata Lazo-Bejleri me piano ashtu si dhe Gjergji Bejko ndërsa Zija Bejleri me sopran-sax, ekzekutuan vera të kompozitorëve të mëdhenj botërorë si Mozart, Beethoven, Schubert, Donizeti, Bellini etj. Por nuk munguan as tingujt shqiptarë. Vepra të kompozitorëve shqiptarë si A. Peçi dhe E. Rushiti ishin po ashtu në repertorin e koncertit dhe i dhanë një sharm karakteristik programit.

Në kuadrin e programit të të dielës në Bernë ishte edhe promovimi i cd-së “Albanian Memories” (Kujtime shqiptare) me pianisten Dhrata Lazo dhe violinistin Klaidi Sahhatçi.

Në mesin e publikut në sallë ndodhej edhe ambasadori i porsaemëruar i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni. Ai i përgëzoi me këtë rast artistët shqiptarë për kënaqësinë që i dhuruan publikut dhe për përfaqësimin e denjë të kulturës shqiptare jashtë vendit.

Volkstheatri i Vjenës foli për dy ditë shqip

Në Volkstheatrin e njohur të Vjenës ku dikur u shijua zëri dhe loja e përsosur e Aleksandër Moisiut, për dy ditë me radhë u prezantuan shkrimtarë e aktorë shqiptarë. Përkrah tyre përkthyesit e njohur në gjermanisht Joachim Rohm e Andrea Grill.

Ky aktivitet ishte pjesë e “Die besten aus dem Osten” i përkrahur nga Ministria për Çështjet Europiane, Ministria e Mësimit, Artit e Kulturës së Austrisë dhe traduki. Të pranishëm ishin edhe diplomatë nga Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës, veprimtarë, student e intelektual. Shqipëria ishte pasuesja e 12- të e radhës së projektit.

Organizatori prezantimin e fillon kështu:” Për “Land der Skipetaren” vendin e shqiptarëve si vend pasqyrimi në romanet e Karl-May-it, akoma mund të duken të fundit “njollat e bardha” në hartën e Evropës. Edhe pas shkatërrimit të vazhdueshëm prej 40 vjetësh nga diktatura staliniste e Enver Hoxhes, Shqipëria gjendet në një rrugë të mundimshme drejt normalitetit të saj si shtet me synime bashkimin me shtetet evropiane.” Pasditja e parë filloi me temën “Rruga e gjatë letrare në Shqipëri pas përmbysjes”.

Ishte paraparë që të lexonte edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare por kjo nuk ndodhi.

Për këtë temë foli përkthyesi të njohur gjerman Joachim Rohm i cili dha një pasqyrë të krijimtarisë letrare pas diktaturës, vështirësitë dhe sfidat aktuale. Ai është njohës i mirë i rrethanave në Shqipëri si përkthyes i veprave të Ismail Kadares, Fatos Kongolit etj. Ai njoftoi auditorin lidhur me literaturën dhe krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe me theks të atyre krijuesve nga të cilët ai përktheu në gjermanisht. Shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila është njohëse e gjuhës shqipe, lexoi nga krijimtaria e saj.

Trupa e “Teatrit Metropolit” nga Tirana dha komedinë “Tri mendje në ankand” nga dramaturgu Ferdinand Hysi me aktoret: Klodian Hoxha, Devis Muka, Alban Musa, Elona Hyseni, Lorenc Kaja, Doriana Çaushi. Udhëheqëse Suela Konjari. Regjia nga Elma Doresi, skena nga Beqo Nanaj, dritat nga Julian Llukani dhe kostumet nga Edlira Qyshka. Një komedi mjaftë e suksesshme e cilësuar nga Teatri Konvencional Europian si njëra nga paraqitjet e kohës në mesin e njëqind e njëzetë më të mirave në kontinent.

Përkthimi në gjermanisht e bëri shkrimtarja Andera Grill. Salla anësore e Volkstheatrit- Hundsturm ishe e mbushur me spektatorë të shumtë për të cilët u dha koktej rasti. Në ditën e dytë lexoi nga krijimtaria e tij shkrimtari Fatos Kongoli nga romani i tij “Lëkura e Qenit”, kurse në gjermanisht nga “Hundhaut” lexoi përkthyesi Joachim Rohm. Ai dha para auditorit biografinë dhe rrugën letrare të shkrimtarit që nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme.

“Deri më tani Fatos Kongoli ka shkruar disa romane nga të cilat dy janë të përkthyera edhe në gjuhën gjermane dhe në disa gjuhë tjera”- tha mes tjerash. U zhvillua edhe një bisedë e shkurtër me publikun. Në vazhdim u dha pjesa teatrale nga zhurnalistja, politologia dhe përkthyesja gjermane Jonila Godole me titull “Der Sandmann” me të cilën e në vitin 2009 e fiton” konkursin evropian “Talking About Borders”. Kur edhe prezantohet në Burgtheater të Vjenës me pjesën teatrale ku si subjekt ka fatin e Robertit, i riu shqiptar emigrant i cili fatin e kërkon në botën e jashtme.

Një ditë kthehet në atdhe pas rrethanave konfliktesh të përmbysjes së kriminelit diktatorial Enver Hoxha. Babai e tij e kishte humbur kujtesën “Moskujtesa është e dhembshme sikurse kujtesa”, mendon babai i tij, kur tani shet trëndafila ku dikur kishte vrarë njerëz. Roberti kërkon të mëson për fatin e përgjakshëm të familjes së tij. Nisur nga ky motiv, aktorët e Volkstheatrit u prezantuan me një pjesë e zgjedhur nga aktori Hans-Joachim Lanksch në gjuhën gjermane. Regjia na Nicolas Charaux, aktorët: Hanna Binder, Erwin Ebenbauer, Anselm Lipgens, Roman Schmelzer dhe Günther Wiederschwinger. Loja e aktorë u përcoll me duartrokitje nga publiku i cili mbushte sallën.

Programi vazhdoi me monodramën “Fausti prej Tirane” një parafrazë nga Goette, e shkruar nga Stefan Çapalikut i cili bëri edhe regjinë bashkë me Alfred Trebickën. Aktori Alfred Trebicka, luajti me mjeshtri duke fascinuar publikun. Zëri i tij i fuqishëm dhe melodioz të kujtonte zërin e Aleksandër Moisiut dikur që tani ruhet i vlerësuar në fonotekën muzeore të Vjenës. Ai edhe vet i emocionuar nga duartrokitjet e pareshtura me lot suksesi prej aktori, falënderoi publikun artdashës.

Drama si subjekt ka peripecitë e brezit të intelektualëve shqiptarë pas thyerjeve të mëdha të viteve nëntëdhjeta. Pjesa teatrale dha edhe një shtytje drejt kuptimi se Fausti i Goettes është një fenomen gjithëpërfshirës botëror, pra edhe shqiptar. Aktorë tjerë mbështetës ishin edhe Besmir Haliti e Julinda Emiri, muzika nga Agron Shala, skena e kostumet nga Adian Isufi.

Animimin e punuan Elis Gjoni, Besmir Cani, Simon Dobërdaku e Albin Çifliku. Programi nga “Die besten…” përfundoi me koncertin e suksesshëm muzikor nga Orges – The Ockus-Rockus e Rrugëve. Grupi muzikor me përvojë u prit mjaft mirë nga publiku i cili e mbushte sallën. Projekti vazhdon me shfaqjet dyditore në qytetin e Gracit, qyteti i dytë në Austri pas Vjenës.

Hazir Mehmeti

Teatri i Bernës josh shqiptarët me “Fluturimin…” e Jeton Nezirajt

Teatri i njohur “Schlachthaus” nga Berna në programin e publikuar pak ditë më parë ka prezantuar edhe shfaqjen e dramaturgut nga Kosova, Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”.

“Në synimin për të fituar publik të ri, “teatri është orientuar nga e ashtuquajtura “transkulturë” ose “interkulturë”; terma këta që po i zënë vendin konceptit të mirë dhe tashmë të vjetruar “multikulti”. Në këtë drejtim,  teatri  “Schlachthaus” në këtë sezon e ka në shënjestër komunitetin shqiptar-kosovar të Bernës. Do të shfaqet “komedia patriotike” “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, realizim i grupit “Qendra Multimedia” nga Prishtina, shkruan gazeta nga Berna, “Der Bund”.

Jeton Neziraj, autori i shfaqjes, ka qenë dikur për një kohë të shkurtër drejtor artistik i Teatrit Nacional. Ai është shkarkuar  pasi që nuk ishte i gatshëm të celebrojë në mënyrë jokritike patriotizmin e kërkuar nga shteti.

Tema e komedisë së tij politike është dëshira që Ministria e Kulturës i ka shprehur një grupi të ri teatror për të shfaqur diçka të bukur për Ditën e Pavarësisë. Trupa bie në mes dy zjarresh; nga njëra anë dëshiron të shkëlqejë e në anën tjetër të kritikojë shtetin, i cili vendos se çka guxon e çka nuk guxon të thuhet.

“Me këtë shfaqje, që është interesante edhe për publikun tonë, ne duam ta joshim popullatën shqiptare-kosovare të Bernës për një vizitë në “Schlachthaus” – thotë shefja e teatrit, Maike Lex.

Kontaktet e para janë vënë para dy vitesh, kur një aktor nga Kosova (Diar Xani) ka qëndruar si mysafir “artist në rezidencë” në këtë teatër.
Ndërkaq, është planifikuar po ashtu që vazhdimi i bashkëpunimit me autorin (Neziraj) edhe në vitet në vazhdim, shkruan “der Bund”. Veç kësaj, edhe në klubin e të rinjve të këtij teatri do të ndiqet synimi për bashkëpunim me shqiptarët e Kosovës. Në këtë drejtim është paraparë lidhja e partneritetit me ndonjë klub të atjeshëm teatror të të rinjve”.

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” shfaqet më 31 tetor në Teatrin “Schlachthaus” të Bernës

“Agimet Shqiptare” hapin Javën e Kulturës Shqiptare në Vjenë

Se Pallati Auersperg ka zënë rrënjë në historinë shqiptare jo vetëm nga mbajtja e bisedimeve shqiptaro-serbe për statusin e Kosovës, por tani nuk rresht së shprehuri me gjuhën e kulturës, elementi më shprehës i lirisë.

Me organizimin e disa shoqatave të kyçura në Këshillin Koordinues, u bë hapja e Javës së Kulturës Shqiptare në Vjenë. Mori pjesë z.Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Ymer Lladrovc, konsull në Ambasadën e Kosovës dhe zonja Lladrovci, Fitim Nuhi, konsull në Ambasadën e Maqedonisë dhe personalitete tjera nga diplomacia, arti e kultura nga radhët e mërgimtarëve tanë.

Programin e hapi Mirala Shira, kryetare Këshillit, kurse përshëndeti z.Roland Bimo, në emër të Ambasadës së Shqipërisë. Ishte mysafir rasti i ardhur veçane për mbrëmje z.Pierre Weber, ambasador i Luxemburgut në Prishtinë. Ai luajti pjesë nga krijimtari e tij kompozuese në piano: Nocturne nr-1, The ether Canon etj. i cili u prit mirë nga publiku. Programi u hap me Polonaise Heroicue ep.

53 nga Frederik Chopin  e luajtur me mjeshtri nga pianisti Mennan Berveniku.  Zëri i tenorit Faik Hondozi ishte vërtetë i mrekullueshëm në këndimin e Il mie tesor nga W.A.Mozart. Ai i dha sallës së Auerspegut shkëlqim në jetën e saj katër shekullore, diçka që  nuk harrohet lehtë. E serbate, a queste acciare nga I Capuletti, Agimet shqiptare nga A.Mula dhe disa këngë duet ishin kënaqësia apikale e mbrëmjes me zërin e tenorit z.Hondozi.

Pastaj, Cruda sorte nga G.Rossin, Habanera Carmen nga G.Bizet, Margjelë– nga K Jakova, Luleborë nga Simon Gjoni u kënduan me mjeshtri nga mezzosopranoja Flaka Goranci. Ndërsa këngët: O mio babbino caro- nga G.Schicchi. Adieu notre petite table-Manen– nga J. Massenet, Pranvera filloi me ardhë – këngë shkodrane,  u kënduan me shije nga soprano Anjëza Islamaj.

Mbresa lanë këngët e kënduara në duet Kur perëndon dielli – nga L.Deda- kënduar nga F.Hondozi e F. Goranci;; Ca pika shiu ranë mbi qelq – nga R.Cako kënduar nga F.Hondoz e A.Islamaj.

Programi u mbyll me këngën simbolike “Dua më shumë Shqipërinë” kënduar nga F.Hondozi, F.Goranci e A.Islamaj. Publiku i duartrokiti artistët me ngrohtësi duke iu dhuruar edhe buçetë  lulesh.  Ajo që vërehej ishte mungesa e publikut jo shqipfolës, raste të rralla kur kemi të bëjmë me koncertet të muzikës klasike në Vjenë.

Programet kulturore të radhës vazhdojnë me  ekspozitën e skulptorit të mirënjohur Destan Gashi, orën letrare të krijuesve nga radhët e Lidhjës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe përfundon me aktivitet sportive në periferi të Vjenës.

Për renditjen e programit u kujdes Januz Saliuka, ideator i aktivitetit.

Aktivitet e shtuara kulturo-sportive të mërgimtarëve tanë janë një faktor me rëndësi në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare tek gjenerata e re dhe afirmim i mëtejmë i krijimtarisë e kulturës para vendorëve. Pa dyshim krahas aktivistëve, artistëve brenda shoqatave duhet falënderuar sponsorët aktiv të aktiviteteve kulturore brenda mërgimtarëve shqiptarë në Austri.

Pallati Auersperg Agimet Shqiptare