Shqiptari nga diaspora që po ndërthur teknologjinë me drejtësinë përmes inteligjencës artificiale

Halil Aliu po shfaqet si një nga emrat në rritje në ndërthurjen e teknologjisë dhe drejtësisë në Kanada, duke sjellë një qasje moderne në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime ligjore dhe shëndetësore përmes inteligjencës artificiale, transmeton albinfo.ch.

Si themelues i platformës Nobel AI Legal, Aliu po zhvillon zgjidhje që synojnë të rrisin transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin në sisteme komplekse institucionale. Platforma funksionon si një ekosistem që lidh avokatë, kompani sigurimesh dhe klinika rehabilitimi, me qëllim që të mbështesë personat e lënduar nga aksidentet rrugore dhe të lehtësojë proceset e trajtimit të tyre.

Një nga zhvillimet më konkrete të këtij angazhimi është edhe aplikacioni mobil Nobel Link, i cili u mundëson qytetarëve në Kanada qasje më të shpejtë dhe më të strukturuar në drejtësi dhe shëndetësi – dy sektorë kyç për funksionimin e një shoqërie të drejtë dhe të organizuar.

Aliu ka një formim ndërdisiplinor, duke përfshirë studime Bachelor në Teknologji Informacioni, Master në Kontabilitet dhe Audit, si dhe studime në fushën e drejtësisë, çka i jep atij një perspektivë të integruar në projektet që zhvillon.

Përtej karrierës profesionale, rrugëtimi i tij personal mbart një histori të veçantë. I rritur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ai ka përjetuar nga afër rëndësinë e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, përvojë që e ka shtyrë të angazhohet edhe në NATO Association of Canada, ku kontribuon në iniciativa që lidhen me sigurinë dhe reziliencën demokratike.

Aktualisht i vendosur në Toronto, Halil Aliu luan gjithashtu rol aktiv në ndërtimin e urave bashkëpunuese mes Kosovës dhe Kanadasë në sektorin e teknologjisë. Një nga rezultatet konkrete të këtij angazhimi është edhe bashkëpunimi mes Innovation Centre of Kosovo dhe Niagara Falls Innovation Hub, i fokusuar në fushën e inteligjencës artificiale.

Me punën dhe vizionin e tij, Halil Aliu përfaqëson një brez të ri profesionistësh shqiptarë në diasporë, që ndërtojnë suksesin duke e lidhur atë me përgjegjësinë shoqërore, duke përdorur teknologjinë jo vetëm për inovacion, por edhe për ndikim të qëndrueshëm në shoqëri./Albinfo.ch

Kurti i kërkon Turqisë mbështetje për hapjen e linjës ajrore Kosovë–SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Ömer Bolat, më 22 prill 2026, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti vlerësoi marrëdhëniet e mira Kosovë–Turqi dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës në nivel bilateral dhe ndërkombëtar.

Në këtë takim, Kurti ka kërkuar ndihmën e Turqisë edhe për synimet e Kosovës për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila sipas tij do të shërbente për ndërlidhje më të madhe globale dhe ekonomike.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se kryeministri theksoi se gjatë dekadës së fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, me rritje të theksuar pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.

Palët diskutuan edhe për mundësinë e zgjerimit të kësaj marrëveshjeje duke përfshirë shërbimet, si ato profesionale, teknologjia e informacionit, transporti, logjistika dhe shërbimet financiare. Kurti përmendi potencialin e Kosovës për eksport të shërbimeve, duke kërkuar që bashkëpunimi të konkretizohet më tej.

Po ashtu, Kurti u shpreh i gatshëm që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë–Turqi, pas atij të mbajtur në Stamboll më 2024, të organizohet këtë vit në Prishtinë, si hap konkret për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Në takim u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar, ndërsa Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke shprehur mirënjohje ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për mbështetjen ndaj Kosovës.

Ministri Bolat u takua gjithashtu edhe me ministren e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën zhvilluan një takim të përbashkët me biznese turke dhe kosovare, ku u diskutua për rritjen e eksportit, krijimin e lidhjeve të reja tregtare dhe lehtësimin e qasjes në treg.

Kusari-Lila theksoi se takim kishte për qëllim që bizneset të njihen më mirë, të shkëmbejnë përvoja dhe të hapin mundësi të reja bashkëpunimi, ndërsa rol të rëndësishëm iu dha edhe diasporës shqiptare në Turqi në lidhjen e bizneseve dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës./Albinfo.ch

Ermonela Jaho rikthehet në Metropolitan Opera me rolin e Violetës në “La Traviata”

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho rikthehet në një nga skenat më prestigjioze të operës botërore, Metropolitan Opera në New York, ku do të interpretojë rolin e Violetës në operën e njohur “La Traviata” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi, transmeton albinfo.ch.

Artistja ka ndarë emocionet e saj për këtë rikthim, duke theksuar se Violeta nuk është thjesht një rol artistik, por një personazh që ka shënuar thellësisht rrugëtimin e saj profesional dhe personal. Ajo ka kujtuar se që në fillimet e saj në Shqipëri kishte premtuar se një ditë do ta interpretonte këtë rol, i cili më pas u shndërrua në një pikë kyçe të karrierës së saj.

Pas më shumë se 300 interpretimeve në skena të ndryshme ndërkombëtare, Jaho rikthehet edhe një herë në këtë personazh, këtë herë në një nga teatrot më të rëndësishëm të operës në botë, duke konfirmuar edhe një herë nivelin dhe prestigjin e saj në arenën artistike globale.

Shfaqjet në Metropolitan Opera do të mbahen më 6, 9, 13 dhe 16 maj, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Marco Armigliato.

Ky rikthim konsiderohet një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e Ermonela Jahos, e cila vazhdon të jetë një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në skenat më të mëdha botërore të operës./Albinfo.ch

Filharmonia e Kosovës sjell Felix Klieser në koncert në Prishtinë

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mirëpresë në Prishtinë kornistin e njohur ndërkombëtarisht Felix Klieser, i cili do të performojë në një koncert të veçantë nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, transmeton albinfo.ch.

Klieser do të interpretojë Koncertin nr. 1 për kornoRichard Strauss, si dhe Koncertin për dy kornoJoseph Haydn, ku do t’i bashkohet edhe kornisti shqiptar Ilir Kodhima.

Felix Klieser konsiderohet një nga emrat më të spikatur të skenës bashkëkohore të kornos, i vlerësuar për virtuozitetin dhe muzikalitetin e tij të veçantë, ndërsa ka performuar me orkestrat më prestigjioze në botë.

Në pjesën e dytë të koncertit, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë për publikun Simfoninë nr. 5 të kompozitorit Franz Schubert./Albinfo.ch

Hapet shkolla shqipe në Friedberg, pranë Frankfurtit

Në qytetin Friedberg, pranë Frankfurt am Main në Gjermani, është hapur zyrtarisht shkolla shqipe, ku mësimin do ta ndjekin rreth 30 nxënës. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në këtë rajon,  transmeton albinfo.ch.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Gëzim Gashi, i cili përgëzoi LAPSH Hessen për angazhimin e vazhdueshëm në institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe në këtë land. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, falë së cilës në gjithë Hessenin funksionojnë shkolla shqipe me mbi 400 nxënës.

Fjalë rasti mbajti edhe koordinatori i LAPSH Hessen, Nezir Bajramaj, i cili theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Landit Hessen dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, mësimi plotësues i gjuhës shqipe po organizohet me sukses dhe tashmë është shtrirë në mbarë Hessenin.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe prindër, përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare dhe figura të njohura të komunitetit. Të pranishëm ishin kryetari i LAPSH Hessen, Jeton Gashi, kryetari i Shoqatës Kulturore në Friedberg, Ekrem Ibrahimi, mësuesja znj. Merima Haziri Gashi, si dhe krijuesit dhe intelektualët Sadik Krasniqi dhe Salih Haliti. Po ashtu mori pjesë edhe deputeti i rrethit Wetteraukreis, Blendi Krasniqi.

Organizatorët u kanë bërë thirrje prindërve të këtij rajoni që të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj në diasporë./Albinfo.ch

Zvicra rrezikon mungesë karburanti për avionët para sezonit veror

Zvicra mund të përballet me mungesë të karburantit për avionë pikërisht në prag të sezonit të udhëtimeve verore, përcjell albinfo.ch.

Aeroportet në vend po përballen me vështirësi në furnizim me karburant, situatë e cila është përkeqësuar nga mbyllja e vazhdueshme e Strait of Hormuz, një rrugë kyçe për transportin e naftës nga Lindja e Mesme.

Sipas të dhënave aktuale, rezervat e detyrueshme të kerosenit në Zvicër janë të mjaftueshme vetëm për rreth 2.4 muaj. Nëse situata nuk përmirësohet, në skenarin më të keq mund të ketë mungesë karburanti në aeroportet zvicerane që nga mesi i muajit korrik, pikërisht gjatë periudhës së pushimeve verore.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se në çfarë mase kjo situatë mund të ndikojë në kompanitë ajrore që operojnë në Zvicër.
Zëdhënësja e kompanisë ajrore Swiss International Air Lines, Meike Fuhlrott, ka deklaruar për media se aktualisht operimet po zhvillohen normalisht dhe pasagjerët mund të udhëtojnë sipas planeve.
“Deri më tani gjithçka po funksionon pa probleme dhe udhëtarët tanë po realizojnë udhëtimet e planifikuara”, tha ajo, duke shtuar se situata mbetet e pasigurt.
Sipas saj, zhvillimet e fundit tregojnë se gjendja mund të ndryshojë shumë shpejt, ndaj autoritetet dhe kompanitë ajrore po e monitorojnë nga afër situatën e furnizimit me karburant./Albinfo.ch

WhatsApp teston abonimin e ri “WhatsApp Plus”

Kompania Meta po teston një shërbim të ri me pagesë për WhatsApp, i quajtur “WhatsApp Plus”. Lajmi është raportuar fillimisht nga WABetaInfo, ndërsa disa detaje janë konfirmuar edhe nga Qendra e Ndihmës së Meta-s.

Ky abonim i ri fokusohet kryesisht te personalizimi i aplikacionit. Përdoruesit që paguajnë do të kenë mundësi të përdorin afishe (stickers) premium me efekte speciale, të ndryshojnë temat dhe ikonat e aplikacionit, si dhe të vendosin zile të personalizuara për kontakte të veçanta. Gjithashtu, do të mund të fiksojnë deri në 20 biseda dhe të kenë kontroll më të avancuar mbi njoftimet dhe tingujt.

Pavarësisht këtyre shtesave, funksionet kryesore të WhatsApp-it si mesazhet, thirrjet zanore dhe video, si dhe enkriptimi nga fillimi në fund, do të mbeten falas.

Sipas raportimeve, çmimi i abonimit pritet të ndryshojë sipas vendeve, duke filluar nga më pak se 1 euro deri rreth 2.50 euro. Meta po shqyrton gjithashtu mundësinë e një periudhe prove falas për një muaj.

Për momentin, WhatsApp Plus është ende në fazë testimi dhe mund të shtohen veçori të reja në të ardhmen.

Rriten çmimet e biletave të avionit në Evropë

Çmimet e biletave të fluturimeve në Evropë kanë shënuar rritje të ndjeshme si pasojë e shtrenjtimit të karburantit për avionë, i shkaktuar nga ndërprerjet në furnizimin me naftë lidhur me tensionet me Iranin. Sipas organizatës Transporti dhe Mjedisi (T&E), kjo situatë ka bërë që fluturimet e gjata nga Evropa të kushtojnë mbi 100 dollarë më shumë për pasagjer.

Analiza tregon se mesatarisht, fluturimet e distancave të gjata janë rritur me rreth 88 euro për person, ndërsa ato brenda Evropës me rreth 29 euro. Për shembull, një udhëtim nga Barcelona në Berlin kushton rreth 26 euro më shumë për pasagjer, ndërsa një fluturim nga Parisi drejt Nju Jorkut është shtrenjtuar me rreth 129 euro vetëm për shkak të karburantit.

Kompanitë ajrore evropiane po përballen me vështirësi të mëdha, pasi çmimi i karburantit për avionë ka kaluar 100 dollarë për fuçi dhe ekziston shqetësimi për mungesa të mundshme që mund të sjellin edhe anulime fluturimesh. Bashkimi Evropian po punon në udhëzime për menaxhimin e furnizimeve të kufizuara me karburant.

Linjat ajrore si Lufthansa, Ryanair dhe Air France-KLM kanë paralajmëruar se rritja e kostove mund të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e biletave për pasagjerët, nëse kriza vazhdon.

Nga ana tjetër, T&E thekson se rritja e kostove nuk lidhet kryesisht me politikat klimatike të BE-së, por me varësinë e sektorit ajror nga nafta e importuar. Në këtë kuadër, BE-ja po synon të rrisë investimet në karburante të qëndrueshme dhe të forcojë pavarësinë energjetike, ndërsa kompanitë ajrore kërkojnë lehtësim të disa masave mjedisore, përfshirë detyrimet për karburant të gjelbër deri në vitin 2030 dhe taksimin e karbonit.

Qeveria zvicerane mbështet hapjen e dyqaneve të dielave deri në 12 herë në vit

Qeveria e Zvicrës ka dalë në favor të një propozimi që lejon hapjen e dyqaneve deri në 12 të diela në vit, nga katër sa lejohen aktualisht.

Në një njoftim zyrtar të publikuar të mërkurën, Këshilli Federal tha se e mirëpret propozimin e Komisionit për Ekonomi dhe Tatime të Senatit. Megjithatë, qeveria theksoi se do të respektohet autonomia e kantoneve, të cilat do të vendosin vetë nëse dhe si do ta zbatojnë këtë masë.

Propozimi i Senatit bazohet në një iniciativë parlamentare të paraqitur nga kantoni i Cyrihut në vitin 2023. Sindikatat e kanë kritikuar këtë nismë, duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve.

Zvicra mbetet prapa në luftën kundër duhanit, ndërsa disa vende forcojnë masat

Ndërsa disa shtete po marrin masa të ashpra për të kufizuar konsumin e duhanit te gjeneratat e reja, Zvicra vazhdon të ndjekë një qasje më graduale dhe më pak të rreptë në politikat e saj parandaluese.

Britania e Madhe ka miratuar një ligj që synon ndalimin e shitjes së duhanit për të gjithë personat e lindur nga viti 2027 e tutje, duke krijuar një “brez pa duhan”. Edhe vende të tjera si Maldivet kanë vendosur kufizime të ngjashme për gjeneratat e reja.

Në Zvicër, megjithatë, një ndalim i tillë nuk konsiderohet aktualisht realist. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, vendi vazhdon të ketë taksa më të ulëta mbi duhanin, mbrojtje më të dobët nga tymi pasiv dhe rregulla më të buta për reklamat krahasuar me shumicën e vendeve evropiane.

Të dhënat tregojnë se rreth një e katërta e popullsisë në Zvicër pi duhan, ndërsa te të rinjtë (18–25 vjeç) norma mbetet e lartë, rreth 30% që konsumojnë duhan të paktën një herë në muaj. Për krahasim, në Britani përqindja e të rinjve duhanpirës ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit.

Organizatat për parandalimin e duhanit në Zvicër kërkojnë rritje të taksave mbi produktet e duhanit dhe nikotinës, duke theksuar se çmimi i lartë është një nga masat më efektive për uljen e konsumit. Megjithatë, në politikë një ndalim i plotë nuk ka shumicë mbështetëse dhe vendi po vazhdon me “hapa të vegjël” në përmirësimin e legjislacionit.

Në përgjithësi, Zvicra mbetet nën presion ndërkombëtar për të forcuar politikat e saj kundër duhanit, ndërsa trendi global po shkon drejt kufizimeve gjithnjë e më të rrepta.

Tragjedi në Zvicër, humb jetën një qytetar nga Kosova

Një shtetas nga Kosova ka ndërruar jetë tragjikisht sot në Zvicër, si pasojë e një aksidenti.

Viktima është Lekë (Pashk) Dodaj, me prejardhje nga fshati Krushevë e Madhe, komuna e Klinës.

Familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet në Zvicër, ndërsa data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura më vonë.

Në një njoftim, familja Dodaj ka shprehur dhimbjen e thellë dhe ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe mirëkuptimin në këto momente të vështira.

“Në këto momente të rënda për familjen tonë, ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj. Ngushëllimet do të mbahen edhe në Kosovë, për çka do t’ju lajmërojmë me kohë për vendin dhe orarin. Me pikëllim të thellë, Familja DODAJ, Krushevë e Madhe – Klinë”, thuhet në njoftim.

Bazel: 21 milionë franga rritje pagash për punonjësit kantonalë, përfitojnë edhe policët

Në kantonin e Bazelit, gati gjysma e punonjësve kantonalë do të marrin rritje page. Vendimi i parlamentit kantonal vjen pas vështirësive serioze për të plotësuar vendet e punës në polici, të shkaktuara pjesërisht nga pagat e ulëta.

Rritjet e pagave për policinë janë shtrirë edhe te kategori të tjera të punonjësve kantonalë në nivelet më të ulëta të pagave. Në total, masa do t’i kushtojë kantonit të Bazel-Qytetit rreth 21 milionë franga zvicerane në vit dhe do të prekë afërsisht 47% të të gjithë punonjësve kantonalë.

Në veçanti, do të përmirësohen shtesat për punën me turne dhe do të rriten pagat fillestare të ulëta. Parlamenti i Bazelit e miratoi këtë vendim të mërkurën.

Mungesa në polici dhe presioni mbi sistemin

Policia e Bazelit përballet prej kohësh me mungesë personeli. Sipas të dhënave të përmendura në parlament, aktualisht ka rreth 130 vende të lira pune, ndërsa forca policore është në kufijtë e kapaciteteve të saj.

Deputeti i SVP-së dhe ish-polic, Felix Wehrli, ngriti shqetësimin duke pyetur: “Sa sinjale paralajmëruese duhen ende?” Ai megjithatë nuk e mbështeti një rritje të përgjithshme pagash për të gjithë punonjësit kantonalë, por vetëm shtesa specifike për policinë, sidomos për ata që punojnë në terren.

Nga ana tjetër, përfaqësues të tjerë politikë theksuan se kushtet e punës në administratën kantonale janë tashmë të mira dhe se një qasje e përgjithshme për rritje pagash nuk ishte e nevojshme.

Debat i ashpër politik dhe vendim i ngushtë

Debati në parlament ishte i ashpër dhe përfundoi me një rezultat shumë të ngushtë: 49 vota pro dhe 48 kundër. Në fund, u miratuan masa që përfshijnë rritje të pagave dhe shtesa të ndryshme, jo vetëm për policinë, por edhe për kategori të tjera të punonjësve.

Ministrja e Financave, Tanja Soland, sqaroi se fokusi ishte kryesisht te policia, por disa masa do të aplikohen edhe më gjerë në sistemin e pagave.

Problemet brenda policisë

Përveç mungesës së stafit, policia e Bazelit është përballur edhe me probleme serioze të brendshme. Kohët e fundit, një oficer policie u dënua në shkallë të parë me mbi tre vite burg për dhunë ndaj disa azilkërkuesve. Po ashtu, disa oficerë të tjerë janë nën hetim për deklarata të rreme.

Një hetim i jashtëm ka zbuluar gjithashtu probleme të thella brenda korpusit, përfshirë klimë të keqe pune, racizëm dhe seksizëm.

Si pasojë, drejtuesit e mëparshëm të policisë u shkarkuan dhe u vendos një udhëheqje e re. Autoritetet kantonale thonë se një ndryshim kulturor është në proces, por kërkon kohë.

Zbatimi i masave

Masat e reja për rritjen e pagave pritet të hyjnë në fuqi në korrik të këtij viti. Sipas autoriteteve, ato janë një hap i rëndësishëm për të ndihmuar në plotësimin e vendeve të lira dhe për të stabilizuar situatën në policinë kantonale të Bazelit.

Ndryshimet klimatike po rrisin vdekshmërinë në Evropë

Ndryshimet klimatike po shkaktojnë gjithnjë e më shumë vdekje në Evropë, ndërsa rreziqet për shëndetin po përkeqësohen, sipas një raporti të fundit të Lancet Countdown, publikuar në revistën The Lancet.

Raporti tregon se vdekjet e lidhura me temperaturat e larta kanë arritur rreth 62 mijë në vitin 2024, ndërsa alarmet për valët ekstreme të të nxehtit janë rritur me mbi 300% krahasuar me vitet 1990.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po përkeqësojnë gjithashtu pabarazitë sociale dhe po rrisin rrezikun e sëmundjeve infektive, përfshirë dengën, si dhe po zgjasin sezonin e alergjive.

Sipas shkencëtarëve, mungesa e veprimit politik ndaj krizës klimatike po shkakton dhjetëra mijëra vdekje çdo vit në Evropë, ndërsa kërkohet reagim më urgjent nga institucionet dhe shoqëria.

Mbi një mijë artistë bëjnë thirrje për bojkotimin e Eurovisionit

Mbi një mijë muzikantë nga e gjithë bota, përfshirë artistë dhe grupe të njohura si Massive Attack, Kneecap dhe Macklemore, po bëjnë thirrje për bojkotimin e Eurovisionit, i cili pritet të mbahet në maj në Vienna. Arsyeja e kësaj thirrjeje është pjesëmarrja e Izraelit në konkurs.

Letra e hapur, e publikuar në faqen e lëvizjes “No Music for Genocide”, kishte mbledhur mbi 1,100 firma deri të martën, kryesisht nga artistë të label-eve të vogla dhe të mesme. Sipas organizatorëve, disa muzikantë dhe grupe të njohura, shumica prej të cilëve kanë qenë prej vitesh të angazhuar në bojkotin kulturor ndaj Izraelit, i janë bashkuar kësaj thirrjeje, transmeton albinfo.ch.

Ndër nënshkruesit janë edhe Peter Gabriel, Roger Waters, producenti dhe muzikanti Brian Eno, si dhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Skena muzikore nën tension politik

Nënshkruesit kërkojnë përjashtimin e transmetuesit publik izraelit KAN, duke e akuzuar atë për bashkëfajësi në krimet ndaj njerëzimit të kryera nga Izraeli.

Ndërkohë, këngëtarja franko-izraelite 27-vjeçare Noam Bettan është zgjedhur për të përfaqësuar Izraelin në këtë edicion, një rol me rëndësi të madhe patriotike në një vend ku Eurovisioni gëzon popullaritet të lartë dhe mbështetje të konsiderueshme publike.

“Si muzikantë dhe punonjës të kulturës, shumë prej nesh që jetojmë në zonën e European Broadcasting Union, refuzojmë që Eurovisioni të përdoret për të normalizuar dhe fshehur gjenocidin, rrethimin dhe pushtimin ushtarak ndaj palestinezëve,” thuhet në deklaratë.

Pesë vende tërhiqen

Edicioni i sivjetmë i Eurovision Song Contest 2026, që shënon 70-vjetorin e konkursit, po përballet me bojkotin më të madh në historinë e tij për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Transmetuesit publikë nga Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga gara.

Këto vende e lidhin vendimin me zhvillimet e luftës në Gaza, pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamas në territorin izraelit.

Në edicionin e fundit, këngëtarja izraelite Yuval Raphael, e mbijetuar e sulmit të 7 tetorit, u rendit e dyta, duke marrë numrin më të madh të votave nga publiku. Izraeli e ka fituar Eurovisionin katër herë, për herë të fundit në vitin 2018.

Elvis Rexhbeçaj rikthehet në Wolfsburg

Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, është kthyer te Wolfsburgu, ku edhe u zhvillua si lojtar.

Pas katër vjetësh tek Augsburgu, Rexhbeçaj do të kthehet te Wolfsburgu për edicionin e ardhshëm. Deri në fund të edicionit aktual do të jetë tek Augsburgu.

Ai ka firmosur me Wolfsburgun kontratë të vlefshme deri në vitin 2030, transmeton albinfo.ch.

“Me Elvisin kemi kthyer lojtarin që ka lidhje të fortë me klubin dhe qytetin. Fakti që ai ia ka besuar të ardhmen Wolfsburgut në këtë fazë  sfiduese sportive na bënë edhe më të kënaqur. Por kualiteteve të futbollit ai ka edhe personalitet të fortë, që shihet brenda dhe jashtë fushës. Ai jep çdo gjë në secilën ndeshje dhe merr përgjegjësi”, ka thënë drejtori sportiv i Wolfsburgut, Pirmin Schwegler.

Rexhbeçaj ishte bashkuar me Akademinë e Wolfsburgut në moshën 12 vjeçare dhe depërtoi deri në ekipin e parë.

“Kthimi te Wolfsburgu do të jetē diçka e veçantë për mua. Jam rritur këtu dhe kam nisur karrierën në Bundesligë te Wolfsburgu. Do të jem gjithnjë falënderues për këtë. Dhe kur dera u hap sërish, ishte e qartë për mua se doja të kthehesha. Por edhe një gjë është e qartë, deri në fund do të jap çdo gjë për Augsburgun”, ka thënë mesfushori shqiptar.

 

Takimi i kryeministrave, Rama i bindur se do të kapërcejnë çështjet e bartura Shqipëri – Greqi

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka nisur me batuta takimin sot në Athinë me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Rama tha se i kërkon ndjesë se nuk ka një veshje aq zyrtare sa ai, ndërsa Mitsotakis i është përgjigjur se e vlerësojnë krijimtarinë që ka në përzgjedhjen e veshjeve.

“Është një nder për mua të jem këtu, dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Kështu që shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli”, tha Rama, transmeton albinfo.ch.

“Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë krijues në mënyrën se si visheni dhe kjo na pëlqen”, iu përgjigj homologu.

“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.

BBC me artikull për bregdetin e Shqipërisë

Bregdeti i Shqipërisë çdo ditë e më shumë është duke marrë jehonë nga turistë e huaj, përcjell albinfo.ch.

Dhe kjo dëshmon cilësinë e komoditetin, si dhe bukuritë e rralla natyrore që ka shteti shqiptar.

Në një artikull të publikuar nga BBC, blogerja Amber Robertson ka treguar se ka kaluar në qytete të ndryshme shqiptare.

Ajo theksoi se ishte pak a shumë e njëjtë si Greqia, por edhe më lirë.

“Thjesht mund të fluturosh në Korfuz [në Greqi], pastaj mund të kapësh një traget që kalon për në Sarandë, e cila është një lloj hyrjeje në ‘Rivierën Shqiptare’,” shpjegon blogerja e udhëtimit Amber Robertson. Keni plazhe vërtet të bukura, klube të mira plazhi, duke marrë atë ndjesinë e Greqisë – por me një çmim më të ulët. Dhe pastaj ka histori shumë interesante. Berati dhe Gjirokastra, këto qytete të vjetra dhe të bukura me gur që kanë shumë kulturë.” ka thënë ajo.

Jepson vlerëson se një paketë all-inclusive për shtatë netë për një çift në atë që ajo ka dëgjuar të quhet “Maldivet e Evropës” do të kushtojë rreth 1,400 funte. Një familje prej katër personash do të shpenzonte rreth 2,300 funte.

Kurti: Ne besojmë në pafajësinë e katër krerëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e deputetit Fatos Geci, duke theksuar se ai beson në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Kurti ritheksoi qëndrimin e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “gjykatë jonormale”, ndërsa shtoi se janë të bindur në drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi Kurti.

Ai gjithashtu përmendi se kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vërejtjen deputetit dhe ia ka ndërprerë fjalën, për shkak të gjuhës dhe komenteve të bëra gjatë seancës.

Kurti tha se ai është kryetar i Vetëvendosjes dhe kryeministër i Kosovës, por nuk ka rol në ndonjë komision disiplinor për deputetët.

“Unë jam vetë kryetar i VV-së, dhe vetëm kryeministër i Kosovës. Nuk jam kryetar i naj komisioni disiplinor, aq më pak për dikënd që i përket tjetër kujt”, u shpreh Kurti./Albinfo.ch

Sot u hap në Shkodër ekspozita me fotografitë e rralla të Eugène Pittard

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun një koleksion të rrallë imazhesh historike nga Shqipëria e fillimit të shekullit XX.

Ekspozita i dedikohet antropologut dhe akademikut të njohur zviceran Eugène Pittard, i cili bashkë me bashkëshorten e tij Hélène Pittard, udhëtoi nëpër Shqipëri në vitet 1921 dhe 1924, duke dokumentuar me aparat fotografik jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, traditat dhe peizazhet natyrore të vendit.

Fotografitë e ekspozuara ofrojnë një pasqyrë të rrallë etnografike dhe historike të Shqipërisë së asaj periudhe, duke u shndërruar në një dëshmi të çmuar për kulturën dhe identitetin shqiptar.

Sipas organizatorëve, lidhja e Pittard me Shqipërinë ka nisur më herët, në vitin 1910, kur ai vizitoi për herë të parë Shkodrën – qytet që shënoi edhe fillimin e dashurisë së tij për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

Ekspozita vjen për publikun për herë të parë si në format të printuar ashtu edhe si përvojë digjitale, duke e bërë më të qasshme dhe më tërheqëse për vizitorët.

Ekspozita po mbahet në Sheshin përpara Bashkisë, Shkodër më lln: 22 prill , 7 maj 2026/Albinfo.ch

Fotografitë e rralla të Eugène Pittard sjellin Shqipërinë e hershme në Shkodër

M

Gjeneva shqyrton dhënien e kokainës për të varurit nga droga

Autoritetet në Geneva po shqyrtojnë një projekt të pazakontë për të përballuar rritjen e përdorimit të crack-ut dhe problemet e lidhura me drogën në hapësira publike, përcjell albinfo.ch.

Kantoni po përgatit një projekt pilot të paprecedent, i cili parashikon që personave të varur nga kokaina t’u përshkruhet kjo substancë nën mbikëqyrje mjekësore, me qëllim që të reduktohen skenat e hapura të konsumimit të drogës në rrugë.

Sipas Daniele Zullino, drejtues i Psikiatrisë së Varësisë në Geneva University Hospitals (HUG), që do ta mbikëqyrë këtë projekt, qëllimi kryesor është largimi i personave të varur nga rruga dhe ofrimi i mbështetjes terapeutike për ta.

Në kuadër të këtij programi, kokaina do t’u jepet personave të varur nga crack-u në të njëjtat qendra ku spitali aktualisht ofron trajtim me heroinë nën mbikëqyrje mjekësore.

Autoritetet shpresojnë se kjo qasje do të ndihmojë në menaxhimin më efektiv të varësisë nga droga dhe në uljen e problemeve sociale që lidhen me konsumimin e saj në hapësira publike./Albinfo.ch

Cyrih: Kompania amerikane ofron paga vjetore deri në 680 mijë franga për ekspertët e AI-së

Një kompani amerikane e teknologjisë po ofron paga jashtëzakonisht të larta për specialistët e inteligjencës artificiale në Zurich, duke treguar kërkesën e madhe globale për ekspertë në këtë fushë, përcjell albinfo.ch.

Kompania Anthropic, e cila merret me kërkime dhe sigurinë e inteligjencës artificiale dhe ka selinë në California, është në kërkim të shkencëtarëve kërkimorë dhe inxhinierëve të AI-së për zyrën e saj në Cyrih. Pozitat e ofruara shoqërohen me paga vjetore që variojnë nga 280 mijë deri në 680 mijë franga zvicerane.

Në nivelin më të lartë të kësaj pagese, të ardhurat mujore mund të arrijnë mbi 56 mijë franga, një shumë që konsiderohet shumë e lartë edhe për standardet e pagave në Zvicër.

Profesori i ekonomisë në Zvicër, Michael Siegenthaler, thotë se aktualisht ka një konkurrencë të fortë për ekspertët më të mirë në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

“Duket se ka shpërthyer një lloj gare ofertash për mendjet më të ndritura në zhvillimin e modeleve të AI-së,” ka deklaruar ai, duke shtuar se paga të tilla nuk janë të paarsyeshme në këtë sektor.

Sipas raportit të vitit 2026 për inteligjencën artificiale, Zvicra renditet ndër vendet me përqendrimin më të madh të ekspertëve të AI-së në botë. Në vitin 2025, vendi kishte 110.5 studiues dhe zhvillues të inteligjencës artificiale për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur në vendin e parë në botë për densitetin e ekspertëve të AI-së. /Albinfo.ch

FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos për nisjen e trupave nga Kosova

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) drejt një misioni ndërkombëtar në Gazë nuk do të varet drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës, por nga vendimmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga gjenerali amerikan që pritet të udhëheqë Forcën Stabilizuese në terren, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka deklaruar ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili theksoi se gjenerali amerikan do të përcaktojë kohën e nisjes, mënyrën e angazhimit dhe kohëzgjatjen e misionit, në përputhje me planifikimet operative.

Sipas tij, edhe mbështetja logjistike për këtë operacion pritet të sigurohet nga SHBA-ja, pasi kapacitetet vendore nuk janë të mjaftueshme për një mision të tillë ndërkombëtar.

Kastrati vlerësoi se FSK-ja është e përgatitur sipas standardeve të NATO-s dhe mund të kontribuojë në fusha specifike si çminimi, si dhe përmes oficerëve shtaborë dhe policisë ushtarake.

“Në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura. Do të shkojnë ekipe për deminim dhe oficerë shtaborë. FSK-ja është lidere në këtë fushë dhe ka përvojë të mirë nga trajnimet në vendet e NATO-s,” u shpreh ai.

Ai shtoi se ky angazhim do të ketë ndikim pozitiv edhe në aspektin politik dhe diplomatik, duke e shndërruar Kosovën nga një vend përfitues i sigurisë në një kontribuues aktiv në misionet ndërkombëtare.

Sipas Kastratit, vendimi për nisjen dhe kohëzgjatjen e misionit do të varet plotësisht nga komandanti amerikan që udhëheq operacionin, në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare në terren./Albinfo.ch