Kampionia botërore, pa pagë dhe pa shtëpi

Në të gjitha shtetet e Evropës, sportistët që bëhen kampionë botëror nderohen nga shteti, madje atyre u sigurohet edhe pension edhe banesë. Në Shqipëri, ndërkaq ka ndodhur e kundërta. Kampionia shqiptare e peshëngritjes jeton në kushte të renda ekonomike, pa shtëpi, pa pagë mujore madje as pa sigurim shëndetësor.

Kjo quhet Romela Begaj, e lindur më 2 nëntor 1986, vajza kampione e cila është sportistja e dytë në gjithë historinë, pas Ilir Sulit, që ia ka sjellë Shqipërisë medaljen botore të peshëngritjes. Është femra e vetme që përfaqëson denjësisht Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare të shtangës.

Romela e ka një jetë të vështirë, krejtësisht ndryshe prej kampioneve të shteteve tjera të botës. Ajo nuk ka as shtëpi, nuk merr as pagë mujore, por nuk ka as sigurim shëndetësor, derisa lëndimet që i pëson, ato mezi i trajton nga xhepi i saj.

“Unë kam kohë që kurohem nga një lëndim. Dhe ka qenë një kohë plot me sakrifica si për mua, ashtu edhe për familjen time që po më ndihmon, madje edhe financiarisht. Pak përpara Evropianit, e kam kuruar gjurin në Greqi. Dhe të gjitha shpenzimet i kam përballuar vetë, me shumë ndihmë nga familja dhe miq që vërtet janë të çmuar për mua”, shprehet ajo.

Të gjitha kontrollet mjekësore, sipas saj, janë mbuluar financiarisht nga familjarët e saj.

“Mjekimin do ta vazhdoj dhe kam përshtypjen se shpenzimet sërish më duhet t’i mbuloj vetë. Kështu që është e vështirë të besoj se dikush do të më ndihmojë”, ka thënë Begaj, sipas të cilës, deri më tani asnjë institucion shqiptar nuk e ka kontaktuar për ta pyetur nëse është më mirë nga lëndimi.

Ajo poa ashtu thotë se nuk ka as shtëpi.

“Jam një kampione, një nga ato që kam ngritur flamurin shqiptar, dhe sot jam pa shtëpi, pa rrogë, pa punë dhe pa sigurim shëndetësor. Sigurimi është shumë i rëndësishëm për një sportist, e për më tepër për një femër sportiste. Jam femër dhe e vetmja që e përfaqësoj Shqipërinë dhe e ndiej veten keq moralisht për situatën në të cilën ndodhem”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht kushteve të rënda që po e preokupojnë, Begaj thotë se do të vazhdojë të merret edhe në të ardhmen me peshëngritje.

“Unë dua të lë gjurmë në këtë jetë. Përpos të gjitha vështirësive unë refuzoj të dorëzohem. Dua të shpërndaj kulturën time, të përfaqësoj vendin tim dhe t’i prezantoj gjithë botës traditat e mia. Më vjen mirë që të gjithë konkurrentët, nga e gjithë bota, në fund të një gare vijnë të më përshëndesin.“Bravo Romela”, shprehet ajo.

Artani dhe Arbeni nga Zvicra, medalje të arta në Kosovë

Në Kampionatin botëror të sportit të karatesë, të mbajtur për herë të parë në Prishtinë prej 4-6 prill 2014, karateistët e Juras Artan dhe Arben Pjetraj fituan tri medalje të arta. Vëllezërit Pjetraj kanë qenë garues të ekipit zviceran (Switzerlant Karate Team). Artani garoi në kategorinë e 12-14 vjeçareve, fitues i medaljes së artë në kata.

Ndërsa Arbeni garoi në kategorinë 10-12 vjeçarëve, fitues i katër medalje: dy të arta, një të agjentë dhe një të bronzit. Medaljet e arta të fituara në Prishtinë paraqesin një mirënjohje për klubin sportiv në Porrentruy aty ku ata u përgatitën për garë, dhe arritën kulmin e sukseseve të tyre të sivjetshme. Me ketë arritje të mrekullueshme ata dy arritën të bëhen kampionë botërorë duke përfaqësuar Zvicrën në federatën ndërkombëtare të karatesë WSKU.

Nxënësit Artani dhe Arbeni stilin e sportit e karatesë e kanë dashuri të madhe por jo të vetmen. Artani në nivelin e mjeshtërisë mban brezin ngjyrë kafe d.m.th.të tretin dhe Arbeni mbanë brezin ngjyrë kafe të dytin. Krahas këtij arti ata më me përkushtim të madh i kanë mësimet. Janë të shkëlqyer në shkollën zvicerane dhe po ashtu në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Me t’u kthyer nga kampionati midis shokëve dhe shoqeve të tyre të shkollës, tek bisedonin dhe qeshnin me atë çiltërsi që e gjen vetëm tek fëmijët, i pyes: si keni kaluar në Kosovë? Moment i paharrueshëm mbetet fitorja në Prishtinë. Deri me tani kanë marrë pjesë kryesisht në gara rajonale, federale dhe në dy kampionate botërore (vitin e kaluar në Japoni kanë zënë vendin e katërt)dhe këtë vit në Kosovë arritën mjaft suksese.

Kjo është vetëm një faqe e biografisë sportive të karateistëve Artan dhe Arben Pjetraj. Faqet e tjera, urojmë edhe më të arritshme se kjo, do të shkruhen në të ardhmen.

Nexhmije Mehmetaj

Klubi i futbollit “FC DIASPORA 2014”

Ditë më parë në Soyhiéres të Kantonit Jura një grup sportdashës shqiptarë, donatorë dhe adhurues të futbollit, mbajtën Kuvendin e parë zgjedhor për të themeluar klubin shqiptar të futbollit “Diaspora 2014”.

Ndër të tjera u zgjodh kryesia prej 7 anëtarëve: Leonis Tafaj, kryetar, Besim Hoxha, nënkryetar, Nazmi Mehmetaj, përgjegjës financiar, Aladin Burziç, sekretar, Flurim Xhaqkaj, arkëtar, Kadri Hamzaj dhe Muharrem Xhaqkaj, drejtues sportivë, Visar Rexhepaj, anëtar nderi.

Si rezultat i përpjekjeve dhe punës së ngulmtë njëzëri themeluan klubin shqiptar të futbollit të emërtuar si “FC DIASPORA 2014”. Klubi ka emblemën e vet me ngjyrat kuq e zi dhe kokën e shqiponjës në mes.

Me këtë shenjë dalluese është regjistruar dhe pranë organeve shtetërore kantonale në Jura.

Formimi i këtij klubi sportiv pa dyshim është një ngjarje me rëndësi, bashkëpunimi i mirë mes shqiptarëve e gjallëron jetën kulturore të mërgimtarëve në përgjithësi.

Mënyra e këtillë e vendosjes dhe e veprimit të klubit të futbollit paraqet rrethanë fatlume për të rinjtë shqiptarë. Një nder i veçantë është se u jepet mundësia të gjithë të rinjve që e adhurojnë dhe e duan futbollin të tregojnë talentin dhe vendosmërinë e tyre sportive.

Klubi shqiptar i futbollit do të jetë i dobishëm edhe për të rinjtë, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre në klube të tjera sportive. Këtu do ta kenë edhe një mundësi më shumë për të shtuar stërvitjet për suksese më të mira.

Ky organizim sportiv do të ketë një rol të veçantë për të hyrë në familjen sportive për gara të miqësisë dhe mirësisë me të tjerët.

Sipas anëtarëve të kryesisë, qëllimi përfundimtar i këtij klubi është thjesht argëtimi përmes sportit dhe integrimi në shoqërinë pritëse.

Kryetari i klubit, Leonis Tafaj, pohoi se për ta realizuar këtë mision kemi filluar të bëjmë përgatitjet e para në regjistrimin e lojtarëve, në konsolidimin e ekipit.

Ne shpresojmë se punët do ecin mirë, klubi do të jetë i hapur për të gjithë të rinjtë pa dallim. Presim bashkëpunim me të gjithë të rinjtë futbollistë, kështu që në perspektivë sukseset e tyre mund të shtrihen në këtë fushë.

Klubi i futbollit “Diaspora”, emër i ri në kantonin Jura, i bashkohet familjes së madhe të klubeve të futbollit në Zvicër.

Ne besojmë dhe urojmë që klubi “Diaspora 2014” në Jura do të shndërrohet në një fole të ngrohtë e të shëndoshë për përfaqësuesit dhe për anëtarët që do t’u bashkëngjiten atyre.

Nexhmije Mehmetaj

Fidan Aliti, preshevari i skuadrës Kuq e Zi

“Raiffeisen Super League” është liga më e fortë dhe më cilësore në Zvicër, prandaj pak kush ka besuar që preshevari Aliti, kaq shpejt mund të bëhet shtyllë kyçe e mbrojtjes së Luzernit.

Fidani shtatgjatë në radhët e Luzern-it erdhi  nga skuadra “Basel Sport Club Old Boys” që zhvillon gara në “Premiere League Promotion” një Ligë kjo dy-tre shkallë më ultë dhe dukshëm më e dobët se Liga,ku  luan tani Fidan Aliti.

Aliti i vetëdijshëm se vetëm me punë mund të arrihet suksesi u tregua i përpiktë në ushtrime, gjë të cilën e diktoi argjentinasi Carlos Bernegger trajner i Luzernit, dhe menjëherë e aktivizoi në njëmbëdhjetëshin e parë. Aliti plot vullnet dhe mjaft energjik që në debutimin e parë në fanellën e Luzernit ka shkëlqyer duke kënaqur të gjithë sportdashësit e klubit të tij të ri.

Preshevari Aliti dallohet edhe me krosimet e tij te bukura . Ai përveç evitimit të rrezikut para portës së Luzernit, shpeshherë e furnizon me topa edhe sulmin. Falë lojës së bukur të Fidanit dhe të bashkë lojtarëve  të tij FC Luzerni aktualisht është  pozicionuar në vendin e katërt me 51 pikë të tubuara.
Mediet e këtushme qofshin vizive apo të shkruara e veçanërisht ato të sportit duke parë lojën e shkëlqyer të Alitit, dhe top formën e tij po e vërshojnë atë, duke e vendosur në ballinat e tyre.

Duhet theksuar se në këtë Klub të Zvicrës, gjermanishtfolëse luajnë edhe tre bashkëkombës të Fidanit. E, ata janë: Jahmir Hyka, Hekuran Kryeziu dhe Haxhi Neziraj.

Përzgjedhësi i kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, e ka nuhatur shpejt formën e mrekullueshme të Fidan Alitit, dhe me të drejtë e ka orientuar busullën nga ai për ta inkuadruar në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë.

Arif Ejupi

Nikçi huazohet në Young Boys të Bernës

Adrian Nikçi, ish lojtar i përfaqësueses U21 të Zvicrës, në sezonin e kaluar ishte huazuar për një vit nga Hannoveri i Bundesligës gjermane në FC Thun të superligës së Zvicrës. Por, ndërkohë merret vesh se Nikçi edhe këtë vit do të “dimërojë” në Zvicër. Kësaj here ai do ta ndërrojë klubin, gjegjësisht do të luajë për FC Young Boys, duke mbetur në kantonin e njëjtë, Bernë.

Sa ka qëndruar në FC Thun, 24 vjeçari nga Cyrihu ka luajtur në 16 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Në FC Young Boys Nikçi do të zëvendësojë Matas Vitkieviz-in e lënduar, i cili nuk do të jetë në gjendje të luajë më gjatë tërë vitit 2014.

Adriani do të paraqitet nesër në stërvitje me ekipin e tij të ri, në Bernë.

Luan Krasniqi provon veten në film

Boksieri Luan Krasniqi ka kohë që ka “varur dorezat në gozhdë”. Por kjo assesi nuk do të thotë se me këtë i ka thënë lamtumirë jetës publike. Ai është i pranishëm vazhdimisht në aktivitete të ndryshme, kryesisht me karakter humanitar dhe i ftuar i rregullt në emisione të televizioneve gjermane.

Por, në një fushë Luan Krasniqi nuk e kishte provuar veten deri më tash: në film. Edhe këtë merak ai tashmë e ka hequr: Luani është i pranishëm me një rol në episodin e 136 të serialit shumë të shikuar televiziv kriminalistik të ZDF-së, “SOKO Stuttgart”. Premiera e episodit që mban titullin “Benzina në gjak” do të jepet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Natën para xhirimeve kam fjetur shumë keq, isha jashtëzakonisht i emocionuar”, thotë Krasniqi për bild.de. Por, nuk ka pasur arsye për këtë, komenton gazeta, pasi që, sipas saj Luani është treguar njësoj profesionist para kamerës po aq sa edhe aktorët me përvojë, kolegë të tij në këtë serial, Christian Kahrmann, Peter Ketnath ose Yve Burbach.

Shkodran Mustafi bëhet shqiptari i parë kampion bote

Me 23 djemtë e tjerë të Joachim Low, edhe shqiptari me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë ka parakaluar në tribunën e stadiumit “Maracana” në mbrëmjen e madhe finale të Rio de Janeiros.

Shkodran Mustafi po bëhet shqiptari i parë që ngjitet në majën e botës në futboll.

Por, futbollisti shqiptar nuk kishte edhe shumë fat në garën më të madhe të futbollit në botë.

Ai ishte në bankën rezervë në ndeshjen finale dhe ato në çerekfinale e gjysmëfinale për shkak të një lëndimi që pësoi në ndeshjen kundër Algjerisë.

Paraqitjet e Mustafit janë vlerësuar mjaft të mira në ndeshjet që i zhvilloi me Gjermaninë.

Shkodran Mustafi ishte shqiptari i shtatë në botërorin „Brazili 2014“.

Ai bashkë me pesë shqiptarët që luajtën për Zvicrën, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Blerim Xhemajli, si dhe Adnan Januzaj për Belgjikën kanë regjistruar numrin më të madh të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në një kampionat të futbollit.

Mustafi ka lindur më 17 prill 1992 në Bad Hersfeld të Gjermanisë, në një familje shqiptare, me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë. Ai është rritur në akademitë e skuadrave amatore të FV Bebra dhe SV Rotenburg, para se të kalonte te Hamburgu. Por në 2009-ën Shkodran Mustafi u pikas nga vëzhguesit e Evertonit, të cilët e afruan fillimisht te skuadra e të rinjve dhe më pas edhe në skuadrën e parë. Mirëpo, këtu nuk pati mundësi aktivizimi, ndaj në 2012-ën pranoi ofertën e Sampdorias, duke u bërë dalëngadalë një lojtar i formacionit titullar. Ndërkohë kujtojmë se ai është aktivizuar rregullisht me të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, duke filluar që nga U-16, U-17, U-18, U-19, U- 20 dhe U-21.

Futbollisti shqiptar i shpëton jetën kolegut të tij të ri

Një përplasje e dy futbollisteve të rinj në një turne futbolli në Wels të Austrisë  ka mundur të merrte përfundim fatal për të riun shqiptar nga Maqedonia Zubeir Neziri, i cili luan për skuadrën U-17 të kombëtares së Maqedonisë. Ai po merrte pjesë në turneun “Upper Austria Cup” në stadiumin e futbollit të WSC Hertha, në Wels. Ndeshja u ndërpre në minutën e 20 kur Maqedonia po udhëhiqte me rezultat 1:0 ndaj skuadrës LASK.Nga goditja e paqëllimshme me gju në kokë e lojtarit të skuadrës tjetër, Zubeiri u rrëzua dhe nuk po tregonte shenja jete. Kjo shqetësoi të gjithë të pranishmit, edhe ish futbollistin profesionist  Emin Sulimanin, i cili ka luajtur për SV-Ried, Austria Wien. LASK dhe Admira Müodling. Ai dhe disa të tjerë, për fat reaguan në mënyrë spontane dhe të mençur.“Unë e pata menjëherë të qartë se djaloshi nuk mund të merrte frymë dhe ndodhej në rrezik akut për jetën”, tregon Emini. Pastaj ai së bashku me miq dhe të afërm u kujdes për Zubeirin që kishte humbur vetëdijen, deri sa erdhi mjeku i emergjencës.

“Mehmet Aliji ia ka hapur gojën ndërsa unë ia kam nxjerrë gjuhën jashtë, duke ia çliruar kështu rrugët e frymëmarrjes”, thotë ai. Si pasojë e tronditjes së trurit dhe humbjes së vetëdijes, të riut 17 vjeçar i kishte rrëshqitur gjuha drejt fytit.

Situata ishte dramatike, para së gjithash për faktin se në të njëjtë kohë edhe një i ri tjetër, 16 vjeç, koleg i Nezirit, mbase nga shqetësimi, po përjetonte një tronditje dhe po e humbte vetëdijen, tregon Sulimani.

Kur më në fund mjeku erdhi, gjendja e Nezirit, falë përkujdesjes profesionale, ishte përmirësuar deri diku. “Atë pastaj e transportuan me helikopter në klinikën e Welsit ndërsa të riun tjetër e kanë dërguar në spital me makinën e Kryqit të Kuq”, shkruan nachrichten. at.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën ndërsa të enjten Sulimani bashkë me ndihmësit tjerë u  kanë bërë të dyve një vizitë në spital. “Ata ndërkohë e kanë kaluar më të keqen dhe janë shprehur shumë të gëzuar që na shihnin. Ndërkohë janë liruar edhe nga spitali dhe janë në gjendje të mirë.
16.07.2014

Shemsi Beqiri, bartës i mazhit të kompanisë “Boxer des Rues”

Thai boksieri i njohur shqiptar i Zvicrës, Shemsi Beqiri, kampion i shumëfishtë botëror qe bërë edhe më i njohur si “Trajner personal” i Carlos-it, një të riu me prejardhje latinaomerikane, të dënuar të shumëfishtë. Si masë për risocializimin e tij, autoritetet e burgut i kishin paguar Carlos-it trajnerin personal, banesën luksoze etj. duke shkaktuar kështu kritika nga të gjitha anët.

Më vonë, pas presionit të opinionit, ky trajtim luksoz u ndërpre. Por, Shemsi Beqiri sidoqoftë ia ka parë hairin gjithë kësaj. Labeli italian i veshjeve sportive “Boxer des Rues” e ka shpallur Shemsiun bartës ë imazhit të tij dhe madje ka xhiruar një videoklip me të, gjatë ushtrimeve. Klipi i cili është xhiruar në Holandë dhe në Bazel, emetohet në faqen e facebook-ut të kompanisë në fjalë dhe në ekranet e shitoreve të saj, shkruan 20min.ch. Po ashtu shqiptari 28 vjeçar nga Kosova shihet në të gjithë katalogët e Boxeur des Rues.

Është shumë e mundur që kompanisë “Boxeur des Rues” t`i kem rënë në sy falë prezencës sime në medie, në lidhje me rastin Carlos. Por në radhë të parë ata kanë pasur potencialin tim si sportist”, thotë Beqiri. Ai i gëzohet shumë këtij sponsorimi. “Nuk kam pasur kurrë deri më tash një sponsor kaq të madh dhe interesant nga ana financiare”, thotë ai.

Shemsi Beqiri ka lidhur një kontratë trevjeçare, e cila i sjell atij një shumë gjashtëshifrore. Veç që është boksieri i parë zviceran që ka lidhur kontratë me Boxer des Rues, ai ndodhet në një shoqëri të mirë aty: Mjafton të thuhet se Mike Tyson ka qenë më parë bartës i imazhit të kompanisë së përmendur.

Ndër obligimet që dalin nga kjo kontratë është që Beqiri në veshjet e tij sportive të bartë shenjën e Boxeur des Rues.

Sinan Bytyqi

Andreas Heraf, menaxher i ekipit U-19 të ekipit të kombëtares së Austrisë, flet për talentin nga Kosova, Sinan Bytyqi.

“Ai posedon një entuziazëm të pazakontë. Këto ditë Bytyqi është shumë i nevojshëm për U-19 në Kampionatit evropian në Hungari”, tha Heraf.

Bytyqi kishte shënuar gol në fitoren 3:0 që austriakët e rinj e shënuan në takimin kundër Hungarisë U19, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë. Ai ka lënë të kuptohet se nuk do ta lërë Austrinë për Kosovën.

“Gjaku im është kosovar, por unë e kam shqiponjën në gjoks”, tha Bytyqi për mediat austriake, duke menduar për shqiponjën tradicionale të austriakëve.

Bytyqi u rrit në Klagenfurt dhe talentin e tij e ka treguar me FC Kärnten. Që nga prill 2012 ai kishte veshur fanellën e Manchester City.

Milan, Juventus, Bremen janë bindur me cilësitë e të riut nga Kosova.

Sinan Bytyqi ka lindur më 15 janar 1995 në Prizren të Kosovës. Nga mosha 13 vjeçe është zbuluar nga Manchester City dhe ka nënshkruar kontratën deri në vitin 2015.

Me ekipin kombëtar U-19 të Austrisë Bytyqi aktualisht është duke luajtur në finalet e Kampionatit evropian në Hungari.

Sot është radha e Naimit –ekzoti i vetëm kundër 119 zviceranëve?

Gara e madhe e mundjës zvicerane e njohur si „Schwingen“ do të mbahet nesër, te dielën, në Schwägalp të kantonit Appenzell. Në mesin e dhjetëra zviceranëve që do të luftojnë për kurorë, është edhe i riu me prejardhje shqiptare, Naim Fejzaj.

Ai tashmë ka bërë emër në mbarë Zvicrën si një ekzot i këtij sporti të mundjës që mbledhë rreth vete kryesisht zviceranë.

Popullariteti i këtij sporti është gjithnjë e në rritje, kurse Naimi nga njohësit e këtij sporti konsiderohet si një talent që mund të mat forcën edhe me mundësitë më të mëdhenjë të mbarë Zvicrës.

Ky spektakël ku matën forcat e gjigandëve ka shikues të shumtë zviceranë dhe njihet si mundja më madhe e maleve të Zvicrës.

„Janë 120 kolosët  më të fortë të Zvicrës që synojnë të fitojnë kurorën“, thotë për albinfo.ch djaloshi nga Peja.

Në Schwägalp biletat ka kohë që janë shitur, njoftojnë organizatorët. Vitet e kaluar këtë garë e kanë përcjellë mbi 12 mijë shikues zviceranë.

Për të riun shqiptar, kjo është hera e parë që ka arritur të kualifikohet për këtë finale që mbledhë 120 finalistët më të fortë të mbarë Zvicrës.

Ai është në mesin e dhjetë finalisteve të kantonit të Appenzellit që ka arritur të kualifikohet në këtë mes.

Organizatorët shpresojnë që edhe sivjet, sikur vitin e kaluar, në këtë spektakël të marrë pjesë ministri në Qeverinë e Zvicrës, Ueli Maurer.

Me 19 vjeç Naimi peshon 110 kg dhe është 182cm i madh. Ai thotë për albinfo.ch se synon të dalë nga kjo garë në top 20 e parë.

Bekim Dalipi

 

17.08.2014

Donis Avdijaj për Gjermaninë refuzon Shqipërinë dhe Kosovën

Talenti shqiptar i Schalkes, Donis Avdijaj, ka vendosur të luajë për kombëtaren gjermane U-19. Para një viti 18-vjeçari luante për kombëtaren U-17, me të cilën ka shënuar 10 gola në 13 ndeshje.
Ai ka nisur stërvitjen me ekipin gjerman për dy ndeshjet e radhës ndaj Holandës më 5 shtator dhe Anglisë më 8 shtator. Gjithsesi, kjo nuk i heq shpresat Shqipërisë për ta pasur në radhët e veta Avdijajn. Në rast se Avdijaj do të luajë me U-21 e Gjermanisë, atëherë do të jetë e pamundur që më pas ai të përfaqësojë Shqipërinë.
Edhe përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaku, kishte shprehur interesim për talentin Avdijaj. Por, duket se Avdijaj vështirë se do të pranojë të luajë për vendlindjen e tij. Sulmuesi i ri ishte në planet e përzgjedhësit edhe për miqësoren me Omanin.

Gjergj Haxhiu: Piloti shqiptar që synon Formulën 1

Gjergj Haxhiu është piloti i parë shqiptar që synon të prekë pistat e Formulës 1. Vetëm 15- vjeçar ai është kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj, ndërsa mban vendin e dytë në botë. Piloti shqiptar i Formulës 4 në helmetën e tij mban shqiponjën dhe simbolin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Shqiptarët në Zvicër çdo ditë e më shumë po tregojnë talentin e tyre në fusha të ndryshme, veçmas në ato sportive. Pas sukseseve të mëdha që të rinjtë tanë  po e shfaqin në fushën e futbollit, një talent tjetër po bën bujë me ngasjen e Formulave. Gjergj Haxhiu është emri më i përfolur në mediat zvicerane për sukseset e tij në Karting, (lloj garimi me Formula të vogla në pistë).  Haxhiu, i cili është i lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Prishtina,  është shpallur disa herë kampion i Zvicrës në kategorinë 125 kubikë, ndërsa në vitin 2011 zuri vendin e dytë në kampionatin botëror. Për albinfo.ch djaloshi kosovar tregon për fillimet e tij në këtë sport.

“Ishim në një shëtitje me familje në një karting. Babai im e ngiste një veturë bashkë me shokët e tij dhe unë insistoja gjithashtu ta provoja. I kisha vetëm 6 vjet. Pas disa gjirove shumë shpejt kam shënuar suksese të mëdha për moshën time dhe duke parë rezultatet e mia, fillova të merrem më seriozisht me këtë sport”, kujton ai fillimet e para, ndërsa shton se babai i tij, Shkumbini, përveç se është përkrahësi i madh, njëherësh është edhe automekaniku personal. Gjergji tregon edhe për sukseset e tij në karrierë.

“Që nga viti 2007 e këndej jam thuajse në të gjitha garat kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj. Viti 2011 ishte viti i sukseseve të mia më të mëdha. Mora pjesë në kampionatin ndërkombëtar “WSK Maister Series”, ku garonin pilotët më të zgjedhur të botës. Gara mbahej në Itali, ndërsa fitova dy gara të kampionatit dhe zura vendin e dytë në botë. Në të njëjtin vit mora pjesë në kampionatin nacional të Zvicrës dhe të Bridestone Cup, si dhe në garat e terura, ashtu edhe në ato të lagura me shi, fitova dy garat dhe zura vendin e parë, duke qenë i pamposhtur në Zvicër. Në vitin 2013 e mbroj sërish titullin në Zvicër dhe përfundoj garën në shkallën më të lartë. Ndërsa këtë vit vendosa që të vazhdoj rrugëtimin tim në Formula 4, duke qenë piloti më i ri i kësaj gare”, u shpreh ai për albinfo.ch.

Mban helmetë me shqiponjë

Ndonëse është i lindur dhe i rritur në Zvicër, 15-vjeçari Haxhiu nuk i harron rrënjët e tij shqiptare. Në helmetën e tij ai mban shqiponjën e flamurit dhe simbolet e Gjergj Kastritotit – Skenderbeu. “Nuk më vjen turp të tregoj për rrënjët e mia. Më kënaqësi i mbaj dhe do t’i mbaj gjithmonë këto simbole”, shprehet ai për gazetën tonë.
Si çdo pilot i ri, edhe Gjergji ëndrron Formulën 1. Por, për të arritur deri tek elita e këtij sporti atij i duhet të kalojë kategoritë e tjera, si Formula 3, GP3, GP2 e më pas Formula 1. “Tash jam ngasesës i Formulës 4, ndërsa garoj kundër pilotëve të moshave nga 16 – 20 vjeçar. Unë jam më i riu. Kam potencial të madh për të arritur dhe për të ecur përpara, por për këtë sport kërkohet buxhet i madh dhe duhet të kemi spozorë të ndryshëm. Synimet e mia natyrisht që janë të bëhem pilot i Formulës 1 dhe të garoj për titull bote”, thotë piloti shqiptar, i cili pëlqen shumë Luis Hamilton për shkak të stilit të tij dhe për shkak që nuk dorëzohet asnjëherë.

Edhe në shkollë kanë konsideratë për Gjergjin

Gjergj Haxhiu është nxënës i vitit të fundit të shkollës fillore. Edhe pse i angazhuar me gara sportive, ai mundohet që të mos i lërë anash mësimet dhe të këtë rezultate të suksesshme. “Të jesh pilot shpesh obligohesh t’ i lësh mësimet, megjithatë unë mundohem të jam sa më shumë i rregullt edhe në shkollë. Sa herë që më duhet të mungoj, e lajmëroj Drejtorin e shkollës, të cilin e falënderoj për konsideratën që ka ndaj meje”, shprehet Gjergji, duke treguar se të gjithë nxënësit dhe stafi i shkollës janë të gëzuar dhe të lumtur për suksesin e tij.

Arben Gjinaj

Klinaku – Kampion i boksit në Nordrhein-Westfalen

Salla e sporteve në Köln Süd ishte arena e lufërave të vlefshme për kampionatin e Republikës  Gjermane të Nordrhein-Westfalen që u mbajt në fundjavën që shkoi. Protagonisti kryesor i një nder meçeve më të mira në këtë ditë ishte Liridon Klinaku që mbron ngjyrat e klubit të boksit ATV Selhof Bad Honnef.

Finalja në kategorinë gjysëmwelter deri në peshën 64 Kg. ndërmjet 20-vjeçarit nga Kosova dhe kundërshtarit Malke Buyyukayya, u vlerësua si meç i nivelit të lartë ku të dy boksierët nuk i dhuruan njëri tjerit asgjë dhe luftuan guximshëm deri në sekondën e fundit të meçit. Me rezultatin 3:2 sipas vlerësimit të referëve, Liridon Klinaku shpallet kampion i kësaj Republike dhe kualifikohet për Kampionatin Gjerman për seniorë por edhe për Kampionatin Gjerman të moshave U21 që mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers..

„Në këtë kategori konkurrenca ndër boksierë është shumë e madhe. Prandaj jemi shumë të lumtur që në klub kemi një talent kaq të madh si Liridoni i cili na solli këtë titull“ flasin të entuziazmuar trajnerët e tij Anke Müller dhe Eberhardt Zibart.

Por pjesëmarrja në këtë Kampionat nuk ishte edhe aq e sigurtë për Liridonin. Gjatë meçit final të Kampionatit të regjionit Mittelrhein në Maj të këtij viti, ai pëson një lëndim në kokë. Jo nga goditjet e kundërshtarit por nga litari që rrethon ringun. Mjeku i pranishëm i ndalon atij vazhdimin e meçit për shkak të lëndimit serioz. Meçi përfundoi para kohe por Federata regjionale e boksit, duke njohur talentin e tij, i dha mundësinë atij të marrë pjesë në Kampionatin e Nordrhein-Westfalenit. Besimi që ju dha atij edhe u shpagua dhe Liridoni i solli këtë titull Federatës së Mittelrheinit.

„Jam duke u përgaditur për Kampionatin U21 të Gjermanisë por nuk është e sigurtë pjesëmarrja sepse e kam një lëndim në dorë“ shpreh brengosjen e tij djaloshi nga Vushtrria i cili mirret me boks qe gjashtë vite.

„Ky kampionat mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers por edhepse është një kohë e shkurtë, shpresoj të shëroj lëndimin e të marrë pjesë“ vazhdon Liridoni i cili të sigurtë e ka pjesëmarrjen në Kampionatin Gjerman për seniorë që mbahet prej 15-21 Tetor në qytetin bavarez Straubing.

Aty Liridoni do të ketë për kundërshtarë boksierë të fortë dhe me përvojë nga gjithë Gjermania por ai nuk e fsheh optimizmin e tij për sukses në këtë turnir. „Kam fituar disa tituj per juniorë por jam optimist se edhe në kategorinë e seniorëve do të kam suksese. Për këtë qëllim stërvitem rregullisht me trajnerët e mi“ përfundon boksieri i talentuar dhe ambicioz.

liridon klinaku1

Arnold Gjergjaj: Tani dua të bëhem kampion bote

Menjëherë pas mbarimit të luftës për titullin evropian të boksit në kategorinë EBU-EE, shqiptaro-zvicerani Arnold Gjergjaj deklaroi për albinfo.ch se ëndrra e tij e radhës është të jetë numri 1 i boksit në botë.

Titullin e Kampionit Evropian ai e fitoi me K.o. në rundin e nëntë kundër boksierit Adnan Rexhovic, të shtunën në mesnatë, në palestrën sportive St. Jakob në Bazel, para më shumë se dy mijë adhuruesve të boksit, shumica prej tyre shqiptarë që brohorisnin pas çdo goditjeje që jepte boksieri me origjinë nga Gjakova, i njohur ndryshe me nofkën “Kobra”.

Arnold Gjergjaj u dha adhuruesve një spektakël boksi zviceran të paparë deri më tani. “Kobra” shqiptare e rrahu keq Luanin boshnjak, i cili ndonëse mori disa herë goditje të fuqishme, arrinte të këndellej e të sfidonte seriozisht Gjergjajn, 8 vjet me të ri se ai, duke e shtyrë në limitet e forcës së tij. Veçmas në rundet e pestë, të gjashtë dhe të shtatë “Kobra” tregoi shenja dobësie dhe lodhjeje që vënin në pikëpyetje synimet e tij.

Zvicra priti 100 vjet titullin e Kampionit Evropian

Të dy boksierët zhvilluan një meq të pakompromis deri në rundin e nëntë, kur 37-vjeçari Adnan Rexhovic, me një epërsi të dukshme teknike, nuk iu shmang dot goditjes së hekurt të Arnoldit, së pari me të djathtën dhe nokautin shkatërrues me të majtën. Me kaq gjyqtari mbylli luftën, duke e shpallur fitues Arnold Gjergjajn, i cili pritjet 100- vjeçare të boksit profesionist me licencë zvicerane i kurorëzon me titullin e Kampionit Evropian. Një titull ky që ka fituar vëmendjen e madhe të mediave vendëse dhe atyre nga Kosova, ndonëse siç vlerësojnë analistë të boksit, ky është vetëm një hap i vogël drejt rrugës së vështirë për titullin e Kampionit Botëror.

I pyetur nga albinfo.ch për hapin e ardhshëm pas kësaj fitoreje të rëndësishme në karrierën e tij, Gjergjaj u shpreh:

„Meqë tashmë jam Kampion Evropian, hapi im i ardhshëm është të fitoj titullin e Kampionit Botëror. Kjo është dëshira ime, unë gjithmonë kam thënë se dua të bëhem kampion bote, të jem numër 1“.

Ai është i vetëdijshëm që ky titull kërkon shumë punë dhe disiplinë, nuk është i lehtë, pasi që kundërshtarët e tjerë do të jenë shumë më të njohur në arenën e boksit profesionist. Megjithatë për “Kobrën” titulli i Kampionit Evropian EBU-EE, që ndryshe njihet si titull i rezervuar për boksierët më të mirë nga një vend evropian joanëtar i BE-së, është një vizitëkartë e rëndësishme që i hap atij rrugën për të realizuar ëndrrën e tij.

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, e porosit Arnoldin të ndryshojë radikalisht në aspektin teknik.

Me asnjë humbje dhe me 26 fitore në karrierën e boksit profesionist, ku 20 prej tyre i ka fituar me K.o. Arnold Gjergjaj është një boksier interesant nëse punon në aspektin teknik, pasi që goditjet e tij janë shumë të fuqishme, madje edhe më të fuqishme se të vetë boksierëve kampion bote, siç janë Klitschkot.

Vetë miku i tij dhe boksieri tjetër i njohur shqiptar, Nuri Seferi, e vlerëson Arnoldin si një boksier të fortë e që premton shumë nëse punon në aspektin teknik. „Për t’u ngjitur në një shkallë më lart është mirë, por ka akoma shumë punë për t’u bërë, në fakt për të konkurruar vëllezërit Klitschko ai duhet të punojë shumë. Sepse ndaj një kundërshtari si ky nuk guxon të tregosh shenja dobësie, siç i pamë mes rundit pesë e shtatë. Arnoldi ka madhësinë, ka fuqinë, por i duhet të punojë në anën teknike. Në këtë pikë ai duhet të ndryshojë radikalisht“, vlerëson boksieri shqiptar, Nuri Seferi, i cili tha se ka shumë besim në aftësitë e Arnoldit që të arrijë aty ku ai dëshiron.

Bekim Dalipi

 

Zbuloni njëzet klubet futbollistike shqiptare në Zvicër

Në kuadër të Federatës Zvicerane të futbollit bëjnë pjesë 13 federata regjionale, të shpërndara në tërë Zvicrën. Të gjitha klubet garat e tyre i zhvillojnë në kategoritë si në vijim: Super liga apo liga e parë shtetërore; Challenge League; Liga e parë promocion; Liga e parë; Liga e dytë interkantonale- 6 grupe; Liga e dytë kantonale; Liga e tretë kantonale; Liga e katër kantonale; Liga e pestë kantonale

Në kuadër të këtyre ligave në klube të ndryshme janë të angazhuar numër shumë i madh i lojtarëve shqiptarë. Është vështirë të gjendet ndonjë klub ku nuk ka futbollist shqiptar.

Në mesin e këtij numri të madh të klubeve në liga të ndryshme, aktivitetin e tyre e zhvillojnë edhe disa klube shqiptare të futbollit. Sipas faqes zyrtare të Federatës Zvicerane dhe duke u bazuar sipas emrave me domethënie në gjuhën shqipe, figurojnë  20 klube shqiptare. Disa nga këto klube kanë brenda vetes edhe nga disa skuadra të kategorive të ndryshme. Mund të ndodhë të ketë edhe klube tjera shqiptare por jo me emra në gjuhën shqipe.

Ka po ashtu edhe klube me emra jo shqiptarë e ku pjesën dërmuese të lojtarëve e përbëjnë futbollistët shqiptarë. Kërkojmë ndjesë për ato klube që nuk ceken në këtë shkrim dhe çdo plotësim eventual është i mirëpritur nga lexuesit e albinfo.ch.

Nga klubet shqiptare në kategorinë më të lartë, në ligën e dytë interkantonale apo në ligën e pestë shtetërore, këtë sezon futbollistik zhvillojnë aktivitetin e tyre: FC Dardania nga Lozana, (e cila edhe deri  para 4 viteve ishte në këtë ligë gjatë 5 kampionateve); FC Kosova nga Cyrihu dhe FC Dardania nga Bazeli Këto klube, si më të mëdhatë, kanë edhe skuadra tjera në gjirin e tyre.

Ja lista komplete e klubeve shqiptare

Liga e dytë interkantonale:

1.FC Dardania-Lozanë

2.FC Kosova Zurich

3. FC Dardania Bazel

 

Liga e dytë kantonale

1.FC Besa Biel-Bienne

2.FC Iliria Solothurn

3.FC Kosova Gjenevë

 

Liga e tretë kantonale

1. FC Eagles (Shqiponja) Aarau

2. FC Prishtina Bernë

3.FC Ilirida Bernë

4. FC Kosova Cyrih-ekipi i dytë

5. FC Kosova Neuchâtel

6. FC Iliria Payerne

7. FC Rilindja Burgdorf

8. FC Shqiponja Langenthal

 

Liga e katërt kantonale

1. FC Liria Othmarsingen

2. FC Besa Biel-Bienne-ekipi i dytë

3. FC Dardania Bazel-ekipi i dytë

4. FC Dardania St. Gallen

5. FC Iliria Solothurn-ekipi i dytë

6. FC Albania Schwerzenbach

7. FC Tetova Dübendorf

8. FC Dardania Lozanë

9. FC Bashkimi Vevey

10. FC Iliria Payerne

 

Liga e pestë kantonale

1.FC Diaspora Delémont

2.FC Ilirida Bernë

3.FC Prishtina – ekipi i dytë

4.FC Besa St. Gallen

 

Nga ky numër i madh i klubeve shqiptare, bazuar në nivelin dhe përhapjen që kanë, mund të formohej pa problem një si ligë e përbashkët shqiptare e Zvicrës. Po ashtu klubet në fjalë mund të zhvillonin gara në mes vete në forma të ndryshme. Iniciativat ekzistojnë por duhet edhe konkretizimi.

 

Vazhdon shkëlqimi i futbollistit Drilon Paçarizi

Sulmuesi i FC Lugano, Drilon Paçarizi ka vazhduar shkëlqimin me skuadrën e tij edhe në ketë javë duke rrezikuar 2 hyrë radhazi portën e FC Servet të Gjenevës. ndeshje e cila u zhvillua dje më 19 tetor para një numri të madhë të spektatorëve në stadionin e qytetit të bukur të Luganos, sidomos gjuajtja e fortë nga 30 metërshi e cila tronditi shtyllën, por për fat për klubin e Servetit Topi nuk u fut në rrjet.nuk hyri në portë.

Megjithate pas kombinmit të bukur dhe pasimit të qëlluar bashkëlojtari i Drilonit Cortelezzi shenon në minutën e 82, e si me porosi për të mos kalua radhën pa gola, Drilon Paçarizi, dy minuta më vonë me një rikombinim të shpejt me po me Cortelezzin e tundi rrjetën e Servetit duke e ngritur avantazhin në 2 :0 në të mirë të FC Lugano, ishte ky goli i pestë i Drilonit gjatë këtij sezoni.

Gazetat Corriere del Ticino dhe La Regione dell Ticino sot i dhanë një hapsirë sulmuesit Drilon Paçarizi, me foto e fjalë admiruese për lojën e shkëlqyar dhe të sukseshme, fal ësë cilës skuadra e Luganos tani radhitet e dyta në rang listën e Chalenge Ligue të Zvicrrës duke synuar super ligën zvicerane.

21.10.2014

Islami nuk lejon ekstremizëm

Radikalizmi dhe ekstremizmi, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme…devijime dhe shmangie nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë”, thotë për “Albinfo.Ch”, Xhabir Hamiti, njëri nga profesorët më të dalluar të fesë islame në Kosovë

Feja islame nuk lejon që brenda saj të ketë grupe radikale apo ekstremiste, por lejon vetëm islamin që në themel ka paqen. Kështu deklaron në një intervistë për “Albinfo.Ch”, Xhabir Hamiti, prof.dr i shkencave islame dhe njëri nga zbatuesit e frymës liberale të islamit në Kosovë. Hamiti, i cili edhe vet ka rënë preh e grupeve radikale islame, thotë se literatura islame burimore autentike e mbështetur në Kur`an, nuk njeh islam radikal dhe as islam ekstremist, sepse që të dy këto janë në kundërshtim me parimet bazë të fesë. “Një njeri i cili beson në Zot, nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe radikal, siç nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe ekstremist”, tha ai.

Të gjitha aktet si, fyerja, dhuna, imponimi, vrazhdësia, lëndimi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, vrasja në pabesi dhe ajo tinëzare, mund të jenë pjesë e një njeriu, i cili beson racionalisht në Zotin dhe në llogarinë që duhet dhënë para Tij. “Radikalizmi dhe ekstremizmi, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme…si devijime dhe shmangie nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë’, thotë ai.

Hamiti, i cili është kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame është zgjedhur edhe rektor i Fakultetin të Shkencave Islame në Prishtinë, por disa grupe radikale ia pamundësuan atë. Ai, megjithatë vazhdon rrugën e tij për të promovuar fenë islame ashtë siç është, origjinal, dhe pa ndërskamca.

Albinfo.ch: Z. Profesor Hamiti, jashtë Kosovës mendohet se jetojnë rreth një milion kosovarë. Sa mbahet feja në mërgim sipas informatave të juaja?

Hamiti: Kosovarët në vendet e Evropës perëndimore kanë filluar të emigrojnë pas luftës së Dytë Botërore, kryesisht si punëtor krahu për nevoja të tyre familjare dhe ekonomike. Në vitet e para të emigrimit, diku pas 1960-ve numri i tyre ishte i vogël, prandaj edhe organizimet kolektive të tyre të asaj kohë si; kulturore, politike dhe fetare kanë qenë të vështira për t`u realizuar, e për të mos thënë edhe in-ekzistence. Ndërsa, në tri dekadat e fundit, numri i emigrantëve tanë në diasporë është rritur dukshëm dhe sot kemi gjeneratën e tretë të pasardhësve tanë të lindur në këto vende. Me rritjen e numrit të emigrantëve është rritur edhe nevoja për kulte fetare, kështu që tani kemi dhjetëra xhami dhe kisha, të cilat mbikëqyren nga kosovarët në vend të ndryshme evropiane. Kosovarët të cilët në vendlindjen e tyre e kanë mbajtur fenë, mundësinë, kushtet dhe të drejtat për të praktikuar fenë i kanë edhe në migrim. Statistika të sakta se sa është numri praktikues i tyre nuk ka, mirëpo vlen të theksohet se edhe ata të cilët nuk janë praktikues të rregullt të fesë, veten e ndiejnë se janë pjesëtar të një besimit të caktuar qoftë islam apo të krishterë.

Albinfo.ch: A e dini përafërsisht sa xhamia janë jashtë Kosovës. Dhe a është e përfshirë edhe BIK-u në shpërndarjen e hoxhallarëve nëpër botë?

Hamiti: Xhamitë të cilat administrohen nga shqiptarët në diasporë, në përgjithësi nuk janë vetëm të kosovarëve. Ato kryesisht identifikohen si xhami të shqiptarëve, ku bëjnë pjesë të gjithë besimtarët e besimit Islam, të cilët flasin shqip, por edhe pjesëtar të nacionaliteteve tjera. Personat e ngarkuar me detyrë të imamit  janë të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët zgjidhen nga këshillat e xhamisë së qyteteve të ndryshme në diasporë, që zakonisht formohen në baza vullnetare. Çdo këshill i xhamisë, i përbërë kryesisht prej civilëve, është i pavarur në punën dhe vendimmarrjen e tij, qoftë edhe në përzgjedhjen e imamit. BIK-së deri më tani ka mundur t`a luaj rolin e këshilluesit dhe propozuesit, por jo edhe të vendimit dhe përcaktimit të një imami të caktuar, jashtë vullnetit të një  këshilli të një xhamie kudo në diasporë. Në këtë çështje BI e Maqedonisë deri diku qëndron më mirë, sepse sipas informacioneve që kam imamët e Maqedonisë nuk mund të shërbejnë në diasporë pa miratimin e BI të Maqedonisë. Në disa vende si Zvicra, Gjermania, Austria dhe SHBA ekzistojnë unione të cilat i bashkojnë xhamitë shqiptare, mirëpo jo në nivelin bashkëpunues të duhur. Llogaritet se në diasporë, përfshirë edhe SHBA, Kanadanë dhe Australinë, numri i xhamive të cilat administrohen nga vet shqiptarët, të jetë diku rreth 150 xhami.

Albinfo.ch: Në Kosovë kohën e fundit është duke u theksuar gjithnjë e më shumë një lloj islam më radikal, ose thënë ndryshe, një lloj islami që nuk e kanë zbatuar shqiptarët më herët. A po manifestohet edhe në perëndim e njëjta “shkollë” e islamit?

Hamiti: Më lejoni që në fillim të sqarojë për opinionin e gjerë se, literatura islame burimore autentike e mbështetur në Kur`an, nuk njeh islam radikal dhe as islam ekstremist, sepse që të dy këto terme bashkëkohore janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe principet bazë të fesë. Një njeri i cili beson në Zot, nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe radikal, siç nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe ekstremist. Të gjitha aktet si; fyerja dhuna, imponimi, vrazhdësia, lëndimi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, vrasja në pabesi dhe ajo tinëzare, pastaj ndalimi i shkollimit të femrave etj.etj., nuk mund të jenë pjesë e një njeriu, i cili beson racionalisht në Zotin dhe në llogarinë që duhet dhënë para Tij. Radikalizmat dhe ekstremizmit, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme si nga ekspertë e fesë e njashtu edhe nga institucionet larta akademike islame kudo në botë,  si  devijime dhe shmang-je nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë.

Tendencat për të ndryshuar qasjen dhe mënyrën e predikimit dhe praktikumit të disa riteve fetare të vijës tonë tradicionale 600 vjeçare, të bazuar në shkollën juridike hanefite tek ne, janë evidente që nga vitet e 1990-ta, pra menjëherë pas rënies së sistemit komunist, kurse ato dukshëm janë rritur në dekadën e fundit. Edhe në diasporë janë themeluar ca xhami të caktuara, të cilat pasojnë programe dhe mënyrë tjetër të predikimit dhe praktikumit islam çeshit nga pjesa tjetër shumicë e pjesëtarëve mysliman të kombit tonë, por fatmirësisht që nuk është numër i madh i tyre.
Konsideroj se uniteti fetar për ne është si alfa dhe omega dhe si ajri që frymojmë. Nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë porosi e Zotit, që në emër të fesë të përçahen besimtarët e njëjtës fe dhe të njëjtit komunitet fetar si dhe as që në emër të fesë të ndihen të kërcënuar e të rrezikuar pjesëtarët e feve tjera.

Albinfo.ch: Sa mund të paraqet rrezik (në aspektin e ndërkombëtarizimit), salefizmi ndër shqiptar?

Hamiti: Shoqërive islame bashkëkohore në përgjithësi, duke mos përjashtuar as shumicën e besimtarëve mysliman të kombit tonë, nuk i duhet as konservatizmi vehabist e as shiizmi ekstrem, ky në fakt ishte konstatim edhe i studiuesit më të njohur të trojeve shqiptare, profesorit dhe pedagogut Sherif Ahmeti, ndryshe përkthyes dhe komentues i Kur`anit në gjuhën shqipe, vdiq në vitin 1997 . Selefizmi, si term fetar dhe politik i kohë së sotme, i shfaqur në vitet e fundit të shekullit XX-të, është nëndegë e vehabismit, dhe formë e veçantë e interpretimit të mësimeve islame, e cila nuk njeh asnjërin nga shkollat kryesore juridike të fesë Islame të pranuara me konsensus të dijetarëve islam të të gjitha kohrave dhe të pranuara botërisht. Si formë e tillë e veçantë, e interpretimit dhe predikimit selefizimi është gjetur dhe krijuar qëllimisht,  për t`u shkëputur  nga trungu i përgjithshëm i Islamit dhe i myslimanëve, dhe si tillë po e luan rolin e brejtësit dhe përçarjes së radhëve shumicë të myslimanëve. Shqiptarët si kurrë më parë, janë të zotët e tyre që vet të shpjegojnë dhe kultivojnë fenë e tyre, pa imponime dhe pa tutorë të jashtëm, dhe të seleksionojnë dhe shoshitin çdo element i cili dëmton interesin e përgjithshëm të fesë dhe të kombit. Është e vërtetë se janë derdhur shumë mjete nga institucione dhe individ, kryesisht privat të vendeve të botës arabe dhe jashtë saj, për të futur këtë formë të interpretimit të Islamit edhe në mesin tonë, sidomos pas luftës në Kosovë, me qëllim të përçarjes dhe shkëputjes  së besimtarëve tanë nga vija shekullore e formës mesatare dhe racionale të mësimeve islame, dhe me qëllim edhe të paraqitjes së Kosovës karshi Evropës si vend me orientim konservativ fetar. Mirëpo, fatmirësisht, qytetarët dhe besimtarët tanë, dita ditës,  këtë qasje fetare, po e shohin si therë të huaj në trupin e tyre të shëndosh dhe jo diçka si të denjë që ja vlen për t’u pasuar.

Albinfo.ch: Ju jeni njëri nga profesorët që e keni sfiduar këtë rrymë, por edhe vet keni rënë preh e grupeve radikale, ose grupeve që nuk e pranojnë mendimin ndryshe. A janë të rrezikuar predikuesit tradicional të fesë islame në Kosovë?

Hamiti: Nuk është çështja se a janë të rrezikuar vetëm interpretuesit tradicional të fesë islame në Kosovë nga kjo rrymë, por problemi është më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës. Radikalizmat dhe eksremizmat në fe kudo janë devijime, pra nuk janë feja, prandaj si të tilla janë të rrezikshme për gjithë shoqërinë e jo vetëm për predikuesit tradicional autokton. Veprimet irracionale, të pamatura, nxitësurrejtëse, kërcënimet, imponimet e dhunshme, sjelljet e vrazhdëta dhe të ngurta, fyerja e të tjerëve, sanksionimi i të drejtave elementare të njeriut në emër të fesë dhe shumë veprime tjera anti-humane  janë akte kundër parimeve të Kur`anit dhe assesi  cilësi dhe virtyte të një besimtari me besim të shëndosh dhe të denjë në Zotin e Madhërishëm. Në Kur`an Zoti thotë se, njerëzit janë të krijuar në popuj e fise të ndryshëm, me raca dhe ngjyra të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme, se Zoti sikur të donte të gjithë njerëzit do ti bënte pasues të një feje të vetme, se në fe nuk ka dhunë, se thirrja për besim në Zot duhet të bëhet në formën dhe mënyrën më të butë të mundshme, se Muhammedi a.s detyrë të tij kishte vetëm përkujtimin e mesazhit të Zotit në tokë dhe jo mbizotërimin e zemrave të njerëzve dhe se njerëzit nuk duhet urryer  e nënçmuar vetëm pse nuk besojnë etj.etj. Prandaj nëse këto janë porosi të Zotit në Librin e tij Kur`ani, atëherë të gjitha veprimet të cilat bien në kundërshtim me këto parime dhe mësime nuk kanë mbështetje burimin e parë të Islamit Kur`anin e as praktikën autentike të Muhammedit a.s.

Albinfo.ch: Ju, profesor jeni dekan i Fakultetit të Studime Islame në Prishtinë? Sa studentë i ka ky fakultet dhe kush e financon këtë?

Hamiti: Keni të drejtë kur më quani dekan, sepse unë jam zgjedhur dekan, por në fakt kandidatura ime është përmbysur dhunshëm dhe padrejtësisht nga Kryesia e BIK-së, e cila ka ndërhyrë në formë klasike në rrënimin e autonomisë akademike dhe administrative të Fakultetit, e cila për ta pa mundësuar zgjedhjen time të lirë nga ana e profesorëve konformë kritereve dhe normave akademike, pat demoluar natën ndërtesën e Fakultetit. Me rrënimin e autonomisë akademike është rrënuar edhe e ardhmja e Fakultetit, sepse aty më nuk vendosin kriteret akademike, por preferencat e Kryesisë. Gjatë kësaj kohe, po ashtu janë dhënë edhe tituj dhe thirrje të reja akademike, në stilin “ unë ty- ti mua” !. Fakulteti tani e dy vite udhëhiqet nga një dekan i pensionuar, i përzgjedhur dhe i emëruar nga vet Kryesia e BIK-ut, në formë klandestine.

Albinfo.ch: A ka edhe studentë nga diaspora në FSI?

Hamiti: Ka një numër simbolik të tyre . Studentë në FSI-së kryesisht gravitojnë nga trojet tona shqiptare.

Albinfo.ch: Pse UP nuk e ka pranuar në gjirin e saj edhe FSI-në?

Hamiti: Senati i Universitetit të Prishtinën para gati një viti ka marr vendim  për inkuadrimin e FSI-së në kuadër të Universitetit të Prishtinës, mirëpo që nga ndërhyrja e Kryesisë së BIK-së në pavarësinë akademike dhe administrative të FSI-së, në vitin 2010, ku rrënoi dhe nëpërkëmbi autonominë akademike të FSI-së, dhe largojë mësimdhënës kredibil nga mësimdhënia, duke i zëvendësuar më të tjerë pa tituj shkencor me vendosje të rojës “security” në hyrje të ndërtesës, për t`i parandaluar të gjithë profesorët mbështetës të kandidaturës tonë, prandaj këto veprime dhe të tjera  kanë qenë prova të mjaftueshme,  që Universiteti akoma të mos e ekzekutoi vendimin e vet në lidhje me FSI-së. Ndryshe, FSI-ja, i themeluar në vitin 1992, është institucion tepër i rëndësishëm për nxjerrjen e kuadrove vendore në fushën e studimeve islame, një veprim të cilin sot po e bëjnë edhe shumë universitete të shumë vendeve evropiane. Avancimi i këtij fakulteti nënkupton edhe avancimin e mendimit akademik fetar vendor.

Albinfo.ch: Z, Hamiti. Kosova ka nevojë për njohje nga shumë vende, edhe nga bota arabe. Pse shtetet me shumicë islame nuk e njohin Kosovën. Ku është defekti?

Hamiti: Sot, kemi të bëjmë me probleme jashtëzakonisht të mëdha të botës arabe në përgjithësi, e në veçanti të vendeve të cilat e kanë kaluar fruthin e pranverës arabe, e që nuk po mund të konsolidojnë qeveritë e tyre të reja për të udhëhequr vendin denjësisht. Kurse, një pjesë vendeve të tjera, vazhdojnë të mbajnë mardhënie të ngushta me Rusinë, e cila vazhdimisht po u bënë presion, që të mos ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Me konsolidimin e vendeve arabe, të cilat një kohë të gjatë ishin aleat të bllokut socialist, besojë fuqishëm se njohjet nuk do të mungojnë në të ardhmen.

Albinfo.ch: Këtë vit, do të mbahet zgjedhjet për myfti të Kosovës, a do të jeni kandidat për këtë post të rëndësishëm dhe për vendin ?

Hamiti: Kërkesat e shumë punonjës të BIK-së dhe të besimtarëve të vendit  në përgjithësi, çdo ditë e më shumë po rriten që unë të marr në dorë udhëheqjen e BIK-së gjatë mandatit të ardhshëm. Besojë se me ndihmën e të gjithëve, me vullnet të mirë dhe të sinqertë, gjërat në BIK-së do të vendohen në binar të duhur, të cilat kanë devijuar skjashmërisht së fundi, në mungesë të një riorganizimi të brendshëm administrativ si dhe të një vizioni dhe vije të qartë karshi besimtarëve dhe opinionit në përgjithësi.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi i juaj për besimtarët në diasporë?

Hamiti: Urojë të gjithë motrave dhe vëllezërve shqiptarë, kudo që janë në mërgim, që të kenë një jetë të qetë e të rehatshme familjare dhe që vendin e lindjes dhe prejardhjes së tyre mos t`a harrojnë kurrë. Ndërsa të gjithë besimtarëve të besimit Islam, urojë që të kenë kaluar një atmosferë të këndshme gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe që festën e Fitër Bajramit të e kalojnë në ambient të ngrohtë familjar, duke lutur Zotin e Madhërishëm, që të ju dhurojë shëndet dhe gjithë të mirat në jetë !

M.SH.

Meshtari shqiptar që ngre ura ndërmjet religjioneve

Don Marjan Marku njihet gjerësisht në komunitetin shqiptar të Zvicrës për rolin e tij që shkon shumë përtej thirrjes së tij parësore, asaj të udhëheqësit të njërës nga qendrat e Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër. Ai, nga viti 1999 deri në vitin 2009, sa ka zgjatur qëndrimi i tij i parë në Zvicër, krahas themelimit të tri qendrave të misionit të përmendur, ka lënë gjurmë edhe në jetën shoqërore e kulturore jo vetëm të besimtarëve që ka udhëhequr por të gjithë komunitetit shqiptar këtu.
Për këtë arsye, kthimi i Don Marjanit para rreth katër vitesh me shërbim në Kosovë, kishte qenë i ngarkuar edhe me emocione dhe pati lënë një zbrazësi mbrapa.

Ka diçka më shumë se një vit që Don Marjan Marku ndodhet sërish në Zvicër. Kësaj here ai është këtu në cilësinë e famullitarit, në kishën e këtushme dhe jo më si misionar në Misionin Katolik Shqiptar të cilit i kishte vënë themelet para shumë vitesh.

Jemi nisur në një mbrëmje të vonë me shi, për në rezidencën e Don Marjanit, në Mühlrüti, një fshat kodrinor në  regjionin Toggenburg i Ulët të kantonit St. Gallen. Famullitari shqiptar i kishës zvicerane na pret në stacionin e trenit në Wil, për të na marrë me makinën e tij, pasi që rruga deri në Mühlrüti është e gjatë dhe kalon nëpër një terren të thyer. Rrugës ai na tregon “mbretërinë” e tij, që përbëhet nga një grumbull fshatrash, të mëdhenj e të vegjël, ku ai bashkë me një prift tjetër ushtron punën e tij prej meshtari.

“Jam prift bashkëpunëtor në Njësinë e Famullive (gjermanisht: Seelensorgeinnheit) të regjionit „Unterer Toggenburg“ që përfshin gjashtë famulli. Në këtë njësi me rreth 6000 besimtarë, jam prift bashkëpunëtor ndërsa në njërën nga këto famulli, në Mossnang jam përgjegjës famullitar”, na e sqaron Don Marjani strukturën komplekse të njësisë famullitare ku punon.

“Këtu punojmë 6 teologë, nga të cilët dy priftërinj, një xhakon dhe 3 laikë. Gjithë organizimi është ekipor. Në Mosnang, ku unë jam famullitar përgjegjës, numërohen 1700 besimtarë. Nga ana tjetër, unë banoj në Mühlrüti, fshat në trekufirin në mes të kantoneve St. Gallen, Thurgau dhe Cyrih”, vazhdon ai.

Rreth ardhjes së tij në rol tjetër në Zvicër, Don Marjani ka një sqarim të thjeshtë: “Në kishën katolike në shtetet perëndimore kohëve të fundit ka mungesë të meshtarëve. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore e thirrjes që më është bërë për të ardhur këtu. Duhet të dini se ne në Kosovë falë Hyjit kemi mjaft meshtarë në raport me numrin e besimtarëve katolikë. Në këto rrethana, ipeshkvi i St. Gallenit i është lutur ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit që të më lejojë të vij për të shërbyer këtu. Tash jam i inkardinuar në Ipeshkvinë e St. Gallenit, sikur të gjithë priftërinjtë tjerë. Ipeshkvia i ka 142 famulli dhe vetëm 60 meshtarë”, tregon ai, duke vënë theksin te numri i vogël i atyre që përcaktohen për jetën baritore.

Si shqiptar, Don Marjani, njeriu  i duhur për dialog në mes të religjioneve

Por, fakti se ai është inkuadruar në kishën e vendit dhe jo në misionin shqiptar, nuk e ndalon atë që të kontribuojë edhe më tutje për komunitetin shqiptar. “Mendoj se edhe prania e meshtarëve shqiptarë në Zvicër është e nevojshme. Shërbej te zviceranët por jam edhe në shërbim të komunitetit shqiptar këtu. Në një të ardhme të afërme synoj të jem pjesë e komisioneve që merren me të huajt këtu. Ka një komision në nivel ipeshkvnor dhe një të konferencës ipeshkvnore. Në kuadër të aktiviteteve që ato bëjnë në mes të religjioneve të ndryshme, unë jam i interesuar që, veç terash, të jem ndërmjetësues në mes të kishës vendore dhe komunitetit shqiptar të fesë islame.

Siç dihet, Kisha Katolike kultivon një dialog të frytshëm ndërfetar dhe nga ana tjetër, shumica e atyre që i përkasin fesë islame në Zvicër janë shqiptarë. Duke qenë ata edhe pjesë e popullit tim, unë besoj se në një kontekst të tillë mund të jap një kontribut për dialogun në mes të feve. Mendoj se një gjë e tillë do të ishte e mirë edhe për ne si shqiptarë por edhe për Kishën Katolike të Zvicrës”.
Gjatë punës në Misionin katolik Shqiptar Don Marjan Marku ka marrë pjesë në disa komisione në nivel të kishës së Zvicrës. Në ipeshkvinë e Baselit ka qenë në Këshillin Presbiterian (këshilli i priftërinjve) i zgjedhur nga ipeshkvi i atëhershëm, ose kardinali i sotëm, eminenca e tij Kurt Koch.  Prifti shqiptar ka qenë aty i vetmi nga të huajt në ipeshkvinë më të madhe të Zvicrës. Ka bërë pjesë po ashtu edhe në komisionin qendror për të huajt në Kantonin e Cyrihut pastaj në komisionin administrativ në kantonin Thurgau, në kryesinë e dekanatit në Fishingen etj.
“Siç dihet, kisha këtu gjithmonë ka luftuar për barazi në mes të njerëzve, edhe në aspektin fetar. Njihen edhe qëndrimet e saj humane e të drejta ndaj shqiptarëve, po edhe ndaj myslimanëve dhe të huajve në përgjithësi, kur këta kanë qenë objekt i fushatave nga qarqe të ndryshme”, thotë Don Morjani. Ai nënvizon po ashtu se personalisht dhe në emër të kishës, kultivon raporte të mira me krerët e bashkësisë islame të shqiptarëve, si për shembull me atë në Will dhe në St. Gallen.

Mikpritje dhe trimërim nga vendësit

“Që nga ardhja ime në mesin e ri, tash një vit e sa, jam pranuar nga vendësit ndoshta më mirë se që kam pritur. Ata e dinë se jam shqiptar dhe as që kam pse ta mohoj këtë”, thotë meshtari me përvojë 25 vjeçare por i emëruar rishtas në famullinë zvicerane. Ai përmend edhe mirëkuptimin e madh të besimtarëve dhe kolegeve meshtarë për kufizimet që ndonjëherë i paraqiten lidhur me kompetencat e tij gjuhësore të gjermanishtes, sidomos të dialektit zviceran. “Më trimërojnë duke thënë se ata do ta kishin shumë më vështirë ta flisnin shqipen në një rast të ndërsjellë”, thotë me pak humor Don Marjani. Më tutje sqaron se fillimisht është pranuar për të punuar si prift bashkëpunëtor  “por ka qenë vetë famullia e Mosnangut që ka insistuar të më bëjë përgjegjës të famullisë”.

Tek flet për punën e tij në kohën kur ka udhëhequr misionin, thotë se funksioni i tij ka qenë ngritja e urave, si lidhja e shqiptarëve me Hyjin, me vendlindjen, gjegjësisht kulturën e vendit të prejardhjes, dhe ura që lidh shqiptarin me zviceranin ose integrimi i shqiptarëve në shoqërinë zvicerane pa braktisu vlerat që sjellin me vete.

“Po ashtu mendoj se është në interes të shqiptarëve në përgjithësi që të ketë edhe më shumë meshtarë shqiptarë në Zvicër”, thotë Don Marjani dhe na zbulon se së fundi, në famullinë e Usterit, kantoni i Cyrihut, punën e meshtarit e ushtron edhe një shqiptar tjetër. Është fjala për Don David Xhuxhën, priftin e njohur nga Kosova i cili për rreth njëzet vite ka qenë gazetar i Radio Vatikanit, përgjegjës i emisioneve në gjuhën shqipe. Ai prej disa muajsh po shërben në kishën e përmendur dhe punon aty me besimtarët italianë.

 Peripecitë e themelimit të Misionit me tri qendra

“Në Zvicër kam ardhur në janar të vitit 1999, i vetëm, si pasardhës i Dom Aleksandër Kolajt. Kam qenë përgjegjës për shqiptarët e besimit katolik në gjithë Zvicrën. Ka qenë vit i luftës. Në vitin 2000 ka ardhur i dyti, Marjan Demaj. Pastaj kemi parë nevojën për ndarjen në tri pika kështu që kemi bërë riorganizimin e misionit. Në vitin 2002 e kam bërë kërkesën. Me ndihma të shumanshme dhe me mirëkuptimin sidomos të Dr. Peter Platner (kryetar i Landeskriche Thurgau) kemi ndërtuar misionin me tri qendra respektivisht me tre priftërinj dhe tri motra nderi. “Kërkesën tonë drejtuar konferencës Ipeshkvnore  të Zvicrës e patëm argumentuar me faktin se në  Zvicër jetonin rreth 200 mijë shqiptarë prej të cilëve rreth 20 mijë të besimit katolik. Konferenca ipeshkvnore miratonte kërkesën tonë por duke theksuar se i mungonin paratë.

Në vitin 2002 i jam drejtuar kantonit Thurgau. Dr. Peter Platner, më ka thënë se “nëse ata nuk kanë para, ne e bëjmë vetë” dhe na i ka ofruar 100 mijë franga, për ta hapur misionin në këtë kanton. Pasi që në Lucern ishim dy priftërinj shqiptarë, i kam kërkuar ipeshkvit kosovar Imzot Mark Sopit të ndjerë që të na e sjellë këtu edhe një prift. Në janar 2003 kam ardhur në Qendrën e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach.  Pas ardhjes time këtu, Plattner na ka mundësuar që ta përshtatim një sallë industriale në qendër të misionit, ku na e kanë lejuar edhe shtimin e një kapele. Më vonë, me mjete kanë marrë pjese edhe kantonet tjera. Në këtë mision, pra në Misionin për Zvicrën Lindore me seli në Sirnach më së shumti katolikë shqiptare ka St. Galleni, rreth 2700, pastaj vjen Cyrihu me 1400 e Thurgau mbi 1200 etj.

Për fund, Don Marjan Marku shpreh dëshirën që përmes portalit tonë t`u urojë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri të gjithë besimtarëve, me këto fjalë: Ju dëshiroj një Krishtlindje të përmbushur me plotë hire nga Krishti i posalindur, ndërsa në Vitin e Ri 2014, shëndet, paqe dhe plot mirësi”.

Blerim Shabani

Shpëtimi i gjen “ilaçin” frikës nga qentë

Tetovarin nga Valisi, Shpëtim Shaqiri (Tim Saciri) e njohin dhe e çmojnë më së miri ata që mbajnë qenë. Sidomos ata që ua kanë frikën disa racave të qenve të rrezikshëm. Shpëtimi duket t`i ketë gjetur “ilaçin” kësaj frike.

Se një protezë e thjeshtë, e ngjashme me atë që përdoret për korrigjimin e dhëmbëve, mund të bëjë çudira, kjo mund të shihej në ekran, në një panair në Winterthur, ku, të dielën që shkoi, Timi bënte demonstrimin e inovacionit të tij.

©albinfo.ch: Kështu duket proteza shpëtimtare e vendosur në gojën e një qeni të rrezikshëm

“Proteza”, e cila i vihet qenit në gojë, bën amortizimin në masën 90 për qind të kafshimit të qenit dhe, në veçanti ajo eviton në masë të madhe shkaktimin e plagëve. Veç kësaj, ajo i mundëson qenit një liri më të madhe krahasuar me maskën tradicionale”, shpjegon Shpëtim Shaqiri.

“Kam kaluar të gjitha shkallët e licencimit, të domosdoshme për një prodhim si ky. Së fundi, në vitin 2010 licencimi është miratuar edhe nga federata, dhe kështu prodhimi ynë ka hyrë në ligjin e ri të kësaj fushe. Mbajtja e protezave hyn tash në mesin e masave për mbrojtjen nga rreziku i kafshimit të qenve”, vazhdon ai.

Ai thotë se ka dy vite që ka filluar me të madhe puna me prodhimin dhe shpërndarjen e protezës. “Jam vazhdimisht në lëvizje. Në shumë shtete të Evropës bëj demonstrimin e zbulimit, jam i ftuar edhe nga universitete të ndryshme për të prezantuar atë. Prodhimi ka zënë tashmë vendin e vet dhe është tepër i kërkuar”.

©albinfo.ch: Duke u shpjeguar vizitorëve kureshtarë mënyrën e veprimit të zbulimit të tijSe puna ka ecur me sukses, tregon fundja edhe ky detaj: Timi dhe bashkëshortja e tij, Rushadija, kanë braktisur punën në profesionet e tyre (ai kontabilist, ajo teknike e stomatologjisë). Ata, tërë kohën ia kushtojnë prodhimit dhe plasimit të produktit. Për ta bërë këtë, ata kanë punësuar edhe disa bashkëpunëtorë. “Ndërkaq, në Zvicër dhe jashtë saj kemi rreth njëmijë partnerë që promovojnë dhe ndërmjetësojnë patentën tonë”, thotë me vetëbesim Shpëtim Shaqiri.

Shkurt, ai dhe familja e tij po i shijojnë frytet e zbulimit të tij të rastësishëm. Mirëpo, a ka qenë kaq e lehtë të vihej deri këtu ? “Aspak”, përgjigjet Timi. “Janë dashur afër tre vjet që të bëheshin të gjitha testimet për të konstatuar efektin e vërtetë të zbulimit. Pas gjithë kësaj, ne, më në fund kemi mundur t`i kushtohemi promovimit, komercializimit të produktit”.

Patenta ka kaluar nëpër testime të ndryshme, veç tjerash edhe në Universitetin e Bernës. Zbulimi ka gëzuar një mbështetje të fuqishme edhe nga eksperti i njohur i fushës, Prof-Dr Samuel Debrot, profesor universiteti nga Lozana. Profesorë, politikanë dhe artistë i janë afruar dhe e kanë inkurajuar Timin në rrugën e tij.

Suksesi i arritur, ia ka ngjallur Timit “oreksin” për përsosje të mëtejme. Kështu, ai ka zhvilluar edhe mënyrën që, përmes protezës tu jepen ilaçet qenve. “Në bashkëpunim me një universitet dhe me një fabrikë barnash, do të bëjmë të mundur futjen e medikamenteve për qentë përmes një shtojce që do t`i bëjmë protezës sonë” zbulon ai për lexuesit tanë produktin që së shpejti do të gjendet në treg.

Por, kur lindi ideja dhe si u bë që një kontabilist të ndërronte profesionin, duke u bërë prodhues i një produkti kaq specifik? “Gruaja ime ka punuar si teknike e stomatologjisë. Në biseda me të, përmendeshin edhe protezat që përdorin dentistët për korrigjimin e dhëmbëve. Dhe këtu më ka shkrepur ideja për funksionimin e një prodhimi të ngjashëm që do të amortizonte fuqinë e kafshimit të qenve”, thotë Timi.

Pastaj ai, duke qenë dhe i shkathtë nga natyra, nuk priti shumë. E verifikoi se askush në botë nuk ishte kujtuar për një produkt të tillë. I hyri punës për ta prodhuar dhe përshtatur. E patentoi dhe sot patenta është e mbrojtur në nivel botëror. “Atë nuk mund ta prodhojë askush përveç meje”, thotë ai, jo pa mburrje.

Shpëtimi e bën me kënaqësi të dukshme punën e promovimit të zbulimit të tij. Në panairin vjetor që po mbahej në Winterthur, ku prezantoheshin prodhime të ndryshme për qentë, ai, me një buzëqeshje në fytyrë, jepte e merrte me klientë të shumtë, të cilët interesoheshin për atë që po demonstronte ai. Ku ta dish, mbase prodhimi i tij, nesër, do të bëhej Shpëtimi i ndonjë jete njeriu!

Muhamedi, shembull i punëtorit të zellshëm

Me vendbanim në St. Blasier të Gjermanisë, kosovari Muhamed Musliu kishte zbuluar një vrimë në përfitimin e parave dhe ai e mbuloi ate duke themeluar një kompani taksish Kur para një viti e gjysmë, Muhamed Musliu u bë punëdhënës i pavarur, tek ai ishte krijuar një ndjenjë sa skeptike, po aq edhe e frikshme. „Çka? Ti po e lë punën tënde të rregullt në këtë krizë të madhe ekonomike“?

Shumica ia kishin parashtruar këtë pyetje Muhamedit me nofkën Dali, i cili në tetor të vitit 2009, në St. Blasier e themeloi kompaninë taksi me emrin „City-Taxi“. Ishte kjo një ide e mirë pasi shumica e banorëve të St. Blasier e ndienin mungesën e taksisë, për shembull gjatë netëve të vonshme të fundjavës, apo gjatë borës së madhe në dimër. „Jemi të kënaqur që në qytetin tonë ekziston një taksi sikur ,City-Taxi’ dhe kjo është një pasuri e madhe për rajonin“, shprehet Lothar Probst, përgjegjës lokal për komunikacionin rrugor. Dali rrëfen me një buzëqeshje: „Me angazhimin tim në një klub futbolli nga Bernau, vërejta se shumë njerëz kishin nevojë për shërbim udhëtimi. Natyrisht, ishte një rrezik i madh që të bëhem i pavarur, por siç thonë të tjerët – no risik, no fund“. Për këtë, ai kishte vendosur që të realizojë idenë e tij.

Kosovari kishte filluar me një veturë të vjetër dhe një të re, si dhe me një bashkëpunëtor, ndërsa tani ai ka pesë bashkëpunëtorë dhe tri vetura. Pra, nevoja e taksit në këtë rajon është e madhe. Klientët e Dalit nuk janë vetëm të rinjtë, por ai ndërmerr edhe transportin e të sëmurëve: „Unë i dërgoj pacientët në dializë apo për rrezatim nëpër klinika të ndryshme të Waldshutit apo Freiburgut, por edhe bëj shërbimin e udhëtarëve nga aeroportet e Bazelit, Zürichut apo Shtutgartit.

Ndonjëherë pranoj telefonata edhe nga Spanja apo çuditërisht edhe nga Meksika. Këta janë prindërit e nxënësve të cilët më lusin që t’i marrë fëmijët e tyre dhe t’i shpie nëpër internate“, shpjegon Dali. Në kohën kur mungon shërbimi i komunikacionit urban, „City-Taxi“ është shumë i kërkuar, ndërsa gjatë netëve me borë dhe ngrica, kur komunikacioni urban dështon, ai i rreket punës me entuziazëm të pashoq, me moton „Nuk mundem, tek unë nuk ekziston“. 39-vjeçari beson se sekreti i suksesit të tij është sëhrbimi 24-orësh i klientëve. „Natyrisht se është vështirë të qëndrosh natën jashtë, por edhe kjo është në shërbim të punës“.

Për të fituar të holla, Dali kishte ardhur në St. Blaise para 20 vitesh. Në vendlindjen e tij, ai kishte dashur të studiojë gjuhën angleze dhe për tu financuar, ai kishte menduar që të punojë disa javë në Gjermani. Me ndihmën e mikut të tij, i cili në atë kohë jetonte në Gjermani, ai e realizoi një gjë të tillë në Schwarzwald. Por, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, në Kosovë kishte filluar lufta, për ate Dalli kishte vendosur të qëndrojë këtu. Sot, ai veten në këtë qytet e ndjen si në vendlindje.

Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij nga Hungaria, Judit kishte ardhur në Gjermani për të punuar dhe ata njoftohen në vendin e saj të punës në „Schluchseer Kurhaus“. Sot, ajo është nënë e tre fëmijëve dhe punon si sekretareshë në kompaninë e ,City-Taxi’-t. Me këtë profesion, Dali ka dëgjuar shumë rrefime nga më të ndrysmet nga klientët, por ai përfundon: „Nuk mund tu tregoj asgjë, sepse ajo që flitet në veturën time, nuk del nga vetura. Ky është një sekret i profesionit tim“.

Kush është Ylfete Fanaj?

Ylfete Fanaj ka kaluar dje pengesën e fundit për të zënë postin e deputetes në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Me 3925 vota të mbledhura nga banorët me të drejtë vote të qytetit të Lucernit, ajo ka fituar të drejtën të përfaqësojë elektoratin dhe partinë e saj (socialdemokrate) në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Ky hap e bën Ylfeten shqiptaren e parë të Zvicrës që ka mbërritur në këtë shkallë.

Por kush është Ylfete Fanaj dhe cila është rruga që ajo ka ecur deri në zgjedhjen deputete në parlamentin e kantonit të saj? Për këto dhe të tjera, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me deputeten e re të kantonit të Lucernit.

Lidhur me zgjedhjen e saj, Ylfetja sqaron se ajo në këtë proces ka përfaqësuar Partinë Socialdemokrate të qytetit të Lucernit. “Me vendin që kam fituar unë në parlament jemi bërë 5 deputetë të SP-së nga qyteti i Lucernit. Ndërkaq në nivel kantoni, nga 13 sa kemi qenë, tash, së bashku edhe me kandidatët e zgjedhur nga juso (socialdemokratët e rinj) dhe nga second@s, që bëjnë pjesë në listën tonë, jemi 16, që dmth kemi 3 vende më shumë”, shton deputetja e re.

Në një kanton relativisht konservativ çfarë është ai i Lucernit, bashkatdhetarja jonë nuk e ka pasur lehtë të depërtojë. “Veç meje janë edhe gjithsej dy të huaj, një tamil dhe një turk, në gjithë parlamentin. Me sa kam parë, nuk ka emra të tjerë të hujash që janë zgjedhur kësaj here”, thekson Ylfetja.

Në fillim të qershorit bëhet konstituimi i parlamentit, Fanaj do të shohë se në çfarë drejtimi do të angazhohet në punën e saj si parlamentare. “Unë gjatë fushatës kryesisht jam marrë me temat e shkollimit, integrimit, ku hyn edhe integrimi i shqiptarëve si komunitet i madh këtu. Mirëpo varet nga partia se në cilat komisione na vendos, ose cilat komisione na ofrohen. Ka mundësi të angazhohem edhe në komisione tjera, për ekonomi etj. Varet pra nga organizimi i grupit partiak (fraksioni)”, thotë ajo.

Si e re që është (ende nuk ka mbushur 29 vjeç) Fanaj e vlerëson edhe moshën e deputetëve të kësaj legjslature, si një përparësi. “Në fraksionin tonë kemi një moshë të re mesatare. Tre veta jemi nën moshën 30 vjeçe dhe disa tjerë rreth të 30-ve.

E pyetur nëse ka pasur ndonjë rol për zgjedhjen e saj deputete vota e shqiptarëve të Lucernit, Ylfetja pohon se mund të ketë pasur por nuk ka ndonjë masë për ta vlerësuar këtë. “Unë besoj se me siguri ka pasur shqiptarë me të drejtë vote që kanë votuar për mua por, realisht, më duhet të them se nuk kam zhvilluar aktivitete konkrete për të sensibilizuar komunitetin shqiptar rreth votimit për mua. E di se ka nga bashkatdhetarët tanë që nuk kanë qenë sa duhet të informuar rreth mënyrës së votimit dhe pengesa tjera. Megjithatë kam informata se disa miq dhe shokë shqiptarë kanë votuar për mua. Sidoqoftë, me gjithë dëshirën që kam, unë nuk mund të vlerësoj se sa ka qenë ndikimi i votës së shqiptarëve”, thotë deputetja e posazgjedhur dhe nuk harron që t`i falënderojë të gjithë bashkatdhetarët që e kanë votuar.

Me zgjedhjen e saj në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, Ylfetja është gjetur edhe para një dileme të vogël: të mbajë edhe më tutje vendin në parlamentin e qytetit të Lucernit, ku ajo gjendet prej afër 4 vitesh, apo të përqendrohet vetëm në postin e ri, në Parlamentin e kantonit. Sepse, siç e thekson ajo, angazhimet e shumta mund ta bëjnë më pak efektive punën e saj në përfaqësimin e elektoratit të saj. Ylfete Fanaj krahas angazhimit politik, punon edhe si e deleguar për integrim në Kantonin e Nidwalden-it.

Ylfete Fanaj është e lindur në Prizren në vitin 1982. Në Zvicër e kanë sjellë prindërit në fëmijërinë e hershme dhe ajo ka mbaruar gjithë shkollimin në Zvicër ku edhe i ka mbaruar shkencat sociale.

Lidhur me ambiciet e saj për të ardhmen, Ylefte Fanaj nuk ushqen iluzione të mëdha. Ajo është realiste në këtë drejtim. Për ndonjë perspektivë eventuale në Parlamentin Nacional, ajo thotë se është ende heret të mendohet.

Kjo për arsyen se partia e saj në kantonin e Lucernit ka vetëm një vend në Parlamentin në fjalë kështu që nuk do të ishte realiste të pritej që në një të ardhme të afërt ajo të mbërrijë deri aty. Mirëpo, «unë jam ende e re dhe ka mjaft hapësira tjera ku mund të avancoj”, thotë ajo, duke pasur ndërmend p.sh inkuadrimin në ekzekutivin e qytetit ose të kantonit.