Donjeta: Të punosh me të rinjtë është një përkushtim i shenjtë

Donjeta Loshi –Berisha përfaqëson fytyrën e suksesshme të brezit të ri të Kosovës, por e arsimuar e formuar në Zvicër me nivel akademik të përfunduar, për të cilët ka aq shumë nevojë sot shoqëria shqiptare. Donjeta e ardhur në moshë të vogël në Zvicër e ka ndërtuar me përkushtim e seriozitet të ardhmen e saj duke treguar potencialin që ka rinia e Kosovës, si pjesë e rinisë evropiane. E arsimuar edhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe intervistën pa mëdyshje e bëjmë në shqip.

Albinfo: Donjeta je nga Kosova por pjesën më të madhe të jetës së deritanishme e keni kaluar në Zvicër, çfarë përbën Kosova dhe Zvicra për ty?

Donjeta:Pa dyshim, kombi im shqiptar dhe atdheu Kosova, janë shtyllat e identitetit tim. Kam qenë vetëm dy vjeçe, kur familja ime emigroi në Zvicër për një jetë më të mirë. Këtu fillova dhe mbarova shkollimin. Paralelisht vijoja me shumë kënaqësi e përkushtim në gjuhën shqipe. Ky mësim ka qenë shumë i vlefshëm për mua si dhe për të gjithë ata që e vijojnë. Më ka ndihmuar që të zhvillohem në të dy kulturat në menyrë të ekuilibruar dhe me respekt të ndërsjelltë. Andaj, Zvicra për mua është vendi që më edukoi, më hapi horizontet dhe më siguroi një shkollim të mirëfilltë, ndërsa Kosova është vendlindja dhe krenaria ime.

Albinfo: Keni mbaruar studimet dhe për temë keni pasur gruan emigrante çfarë ju shtyri për ketë?

Donjeta: Unë kam studjuar Psikologjinë dhe Shkencat e Edukimit në Universitetin e shkencave sociale në Neuchatel dhe kam përfunduar në afatin rekord. Gjatë studimeve kam qenë aktive në disa fusha tjera edukative që më shtyri të shoh më larg jetën e gruas në vend të huaj. Konkretisht përmes këtij studimi hulumtues kam zbardhë proceset psikologjike tek gratë që kanë përjetuar emigracionin duke i vë në pah vështërsitë dhe arritjet e tyre. Hulumtimi shkencor apo tema e magjistraturës ka zgjatur dy vite dhe është vlerësuar shkëlqyeshëm si nga sfera akademike, poashtu edhe nga fushat politike dhe sociale që punojnë në integrimin e të huajve.

Albinfo: Donjeta ke një CV brilante në këtë moshë kaq të re. Prej një kohe punoni në institucionin shtetëror, na flisni pak më konkretisht për punën dhe përvojën tuaj, a ju shërben kjo eksperiencë në vizionin tuaj për të ardhmen ?

Donjeta:Po. Që nga viti 2012 punoj si psikologe këshilltare për orientim shkollor dhe profesional në Kantonin Jura. Roli im është që t’i këshilloj nxënësit nga shkolla fillore dhe ata të mesme në zgjedhjen të një drejtimi shkollor apo profesional adekuat. Eshtë e rëndësishme që çdo nxënës të njeh së pari vetveten dhe potencialin e tij: çfarë i pëlqen atij ? çfarë pret ai nga jeta profesionale ? cilat janë pikat e tij të forta ? Etj. Dhe, mund ta ndihmojmë me një procedurë për orientim. Në bazë të shumë testeve psikologjike dhe në bazë të bisedave konstruktive, mund të gjejmë një rrugë zgjidhje të duhur për nxënësin i cili kërkon ndihmë në këtë drejtim. E bukura e profesionit tim është pikërisht se gjendet në mes të dy fushave të cilat i kam studiuar dhe më frymëzon çdo ditë që të kem një vizion sa më të qartë përballë institucioneve shtetërore ku punoj.

Albinfo: Donjeta përmes profesionit je e lidhur shumë në dialog me të rinjtë/rejat si dhe me prindër çfarë eksperience është kjo për ty ?

Donjeta: Të punosh me të rinjtë është më tepër se një përkushtim i shenjtë. Po aq sa është sfidë e bukur, është dhe e nderlikuar sepse ti hasë çdo ditë me persona të ndryshëm, me kërkesa të shumta dhe me personalitete të veçanta. Është sfidë për mua arritja e krijimit të një marrëveshje mirëbesimi tek nxënësit e cila do t’i hap atij të gjitha dyert e suksesit. Poashtu, prindërit janë partnerë të pashmangshëm në procedurën e orientimit shkollor. Aktualisht kontakti me nxënësit dhe prindërit është në nivel të shkëlqyer.

Albinfo: Çfarë duhet të dini të rinjtë shqiptarë që zgjedhja e tyre profesionale të jetë sa më e drejtë?

Donjeta: Është me rëndësi të dijnë se në Zvicër sistemi i shkollimit është shumë i përsosur. Ky sistem u jep zgjidhje të shumta për të gjitha profilet e nxënësve. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër duhet së pari të mendojnë se çfarë dëshirojnë ata për të ardhmën e tyre dhe cili është potenciali i tyre. Pastaj nëse ata kanë vështërsi për ta zgjedhur drejtimin e duhur, apo nëse dëshirojnë ndonjë këshillë, atëhere duhet të drejtohen tek profesionistët që punojnë në këtë drejtim. E mira e sistemit është që çdo takim me këshilltar/e për orientim është pa asnjë pagesë dhe mund të ndihmojë mjaftë mirë.

Albinfo: Prindërit shqiptarë e kanë një rast ideal për të u këshilluar me ju për t’i ndihmuar fëmijët në zgjedhjen e profesionit, a e shfrytëzojnë ata ketë të mirë?

Donjeta: Me thënë të drejten ka mjaftë prindë shqiptarë që më kontaktojnë për tu këshilluar. Por në krahasim me numrin e madhë të nxënësve shqiptarë në shkolla për të cilat kujdesem, atëherë del që të mos jenë edhe aq shumë aktivë në këtë drejtim. Kam besim dhe shpresoj që në të ardhmën do të rritet ky interesimi.

Albinfo: Ndërkohë ju do të filloni përgatitjet për doktoraturë. A është kjo një sfidë tjetër për Donjetën?

Donjeta: Është e vërtetë që jeta pa sfida të reja nuk do të kishte bukurinë e saj. Unë gjithmonë i dua sfidat dhe dëshiroj që me punë t’i tejkaloj kufijtë e rinj.

Albinfo: çfarë porosie keni për rininë shqiptare?

Donjeta: Këshilla ime është që ata të jenë modest, të punojnë shumë dhe të përkushtohen në gjëra të cilat kanë dobi për ta siguruar një të ardhme sa më të ndritur. Për të rinjtë shqiptarë në diasporë që të kontribojnë me vepra të mirëfillta për ta treguar një imazh sa më të bukur të vetës së tyre dhe të shqiptarëve dhe të mos e harrojnë asnjëherë identitetin e tyre.

Nexhmije Mehmetaj

 

Dy piktorë shqiptarë në Gjermani, njëri përfaqëson Kosovën e tjetri Zvicrën

Shteti i Kosovës do të prezantohet në ekspozitën ndërkombëtare që do të hapet të premten mbrëma në Hamburg të Gjermanisë.

Piktorja Magbule Xhemajli do t’i prezantojë pikturat e saja në këtë ngjarje të artit pamor, ku do të paraqiten me punimet e tyre gjashtë artistë nga shtete të ndryshme, si Gjermania, Zvicra, Danimarka e Lituania.

Artistja kosovare do të prezentohet me 10 piktura të formateve të punuara kohët e fundit, si vazhdimësi nga cikli i punimeve “Gjurmë në kohë të ndryshme”, të punuara në teknikë të kombinuar.

“Për këtë projekt jam përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga Drejtoria për kulturë e Komunës së Gjilanit”, ka bërë të ditur për KultPlus Xhemajli, e cila ka falënderuar këto institucione për mbështetjen e dhënë.

Përveç Xhemajlit, në këtë ekspozitë do të paraqitet edhe piktori i njohur shqiptar, Ali Sinani, i cili do ta prezentojë shtetin e Zvicrës.

Shqiptaro-zvicerani Ali Sinani ka lindur më 1977 në Doberdoll të Maqedonisë. Gjatë vitit 2009 mori titullin e magjistrit të shkencave të artit në Akademinë Universitare të Arteve në Shkup. Është anëtar i asociacioneve të ndryshme të artistëve zviceranë, austriakë, gjermanë dhe të Maqedonisë. Deri tani ka realizuar mbi njëzet ekspozita personale dhe kolektive në Maqedoni, Zvicër dhe së fundi në Gjermani.

Jeton dhe punon në St. Gallen të Zvicrës, ku edhe mban kurse në studion e tij “Arte”.

Ekspozita ndërkombëtare do të jetë e hapur deri më 9 korrik.

 

Flaka Jahaj, fituese e “Swiss Design Awards” 2014

Janë shpallur emrat e fituesve të çmimit kryesor të Zvicrës për dizajn për vitin 2014. “Swiss Design Awards” jepet nga Zyra Federale për Kulturë (BAK) për arritjet më të mira të dizajnit në fusha si: fotografia, dizajni grafik, dizajni i modës dhe tekstilit dhe dizajni në produkte ose objekte.

Çmimi, i cili jepet që nga viti 1918, sivjet u është ndarë 20  personave ose ekipeve. 3 çmime janë ndarë për fotografi, 9 për dizajn grafik,4 për dizajn mode dhe tekstili dhe 4 për dizajn produktesh dhe objektesh.

Njëra ndër katër fitueset e çmimit për dizajn mode dhe tekstili është kreatorja shqiptare e modës, Flaka Jahaj. Flaka është e lindur në Kosovë ndërsa është rritur dhe shkolluar në Zvicër. Viteve të fundit artistja shqiptare jeton në mes të Parisit, Londrës dhe Zvicrës, e angazhuar për firma të mëdha të modës.

Punimet e Flaka Jahajt të kujtojnë kostumet kombëtare nga vendlindja e saj, Kosova, shkruajnë mediet zvicerane duke prezantuar disa prej tyre.

Secili çmim përmban edhe vlerën monetare që është 25 mijë franga ose i kthyer në një mundësi praktikumi apo një qëndrimi në ndonjë atelie jashtë vendit.

Njëra ndër të shpërblyerat, Jahaj ka thënë për gazetën “Tageswoche” se me këtë shumë parash të fituar do të mbulojë shpenzimet e bëra. Flaka është shprehur se puna që bën ajo me dëshirë, mjerisht nuk mund të shitet në mënyrë masive.

Kanë konkurruar 303 artistë me 252 dosje. Prej tyre komisioni federal ka ndarë në një përzgjedhje më të ngushtë 49 projekte nga të cilat në fund kanë dalë 20 më të mirat.

Punimet e shpërblyera dhe të tjerat, të përzgjedhura do të ekspozohen nga e hëna (16 qershor, ora 18) në Halle  të Qendrës së panaireve në Bazel. Ndarja e çmimeve do të bëhet më 17 qershor po ashtu nga ora 18.

Elbenita Kajtazi, në skenën e “Deutsche Opera” të Berlinit

Sopranoja  kosovare nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi do të paraqitet sonte  në skenën e Filarmonisë së Berlinit si pjesë e operës “Werther” krijuar nga kompozitori Francez Jules Massenet.

23 vjeçarja nga Kosova  nga maji i këtij viti e deri në vitin 2015, do të jetë edhe solistja e kësaj shtëpie operistike.

Edhe pse vetëm 23 vjeç, Elbenita Kajtazi, tashmë është quajtur “zëri i ëmbël i Kosovës” nga mediat kosovare.

Në moshën 15 vjeçare ajo ka ndjekur ëndrrën e saj, për t’u bërë një këngëtare opere.

Pas diplomimit ajo dha tre koncerte solo, një në qytetin e saj të Mitrovicës, një të dytë në Prishtinë dhe të fundit në Tiranë, Shqipëri.

Duke përfaqësuar Kosovën në koncerte dhe konkurse të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, Elbenita ka fituar disa çmime.

Ajo aktualisht është duke studiuar me sopranon Ermonela Jaho dhe Caroline Merz.

Siç raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare, aktualisht, Elbenita është një soliste me kohë të plotë në Orkestrën Filharmonike të Kosovës, dhe ngjithashtu gjatë vitit 2014 është soliste me kohë të plotë edhe në “Deutsche Opera” në Berlin.

Luanda Krasniqi, protagoniste e një dokumentari në SRF

19-vjeçarja nga Dietikoni  i Cyrihut, Luanda Krasniqi, një vajzë simpatike dhe e zgjuar, do të jetë protagoniste e serisë së dokumentarëve në televizionin zviceran SRF «Mini Lehr und ich».
Luanda si punë praktike të rregullt ka shitjen e pajisjeve elektronike në Melectronik, që është sektor i koncernit të madh tregtar të Zvicrës, Migros. Ajo do të rrëfejë në dokumentarin televiziv se si refuzohen shërbimet e saj nga njerëzit e moshuar.

“Çdo ditë është më ndryshe. Vazhdimisht takoj njerëz që kanë kërkesa të ndryshme që nuk janë lehtë për t’i përmbushur”, thotë Luanda për Blick. Ajo thotë të ketë edhe konsumatorë të vështirë.
“Disa klientë madje refuzojnë të kërkojnë shërbimet nga unë”, thotë ajo. Për shkak se Luanda është femër dhe nuk i besojnë se mund të jetë në gjendje të ofrojë këshillime të sakta për klientët dhe sidomos njerëzit e moshuar nganjëherë janë skeptikë.

Me këtë ndjehet e nënvlerësuar Luanda. “Sepse unë e di që mundem. Dhe, fatmirësisht, shumica e klientëve janë shumë të kënaqur me punën time”, thotë ajo.
“Mbi të gjitha unë di më shumë rreth fotografisë”, thotë 19-vjeçarja.

“Të dy prindërit e mi janë me profesion shitës dhe dëshiroja me çdo kusht ta bëja të njëjtën”, thotë Luanda. “Ata janë shumë krenarë me mua”, citohet të ketë thënë Luanda.
Vitin e kaluar në Salzburg të Austrisë ajo ishte shpallur nënkampione në disiplinën e shitjes në garat e njëmbëdhjeta me radhë për shitësin-en më të mirë të ri, ku kanë marrë pjesë kandidatë nga Austria, Zvicra, Gjermania dhe Tiroli i Jugut (Itali).

Ajo në këtë garë ka qenë veçanërisht bindëse në bashkëbisedimin me klientët testues, me kërkesa të mëdha dhe me njohje të thellë të produkteve.

Sido që të jetë, janë pothuajse 70.000 të rinj në Zvicër që sfidohen çdo vit nëse do ta kalojnë provimin përfundimtar të zanatit të tyre. Me këtë ata edhe trokasin në botën e të rriturve. Përveç punëve të përditshme në furrë, në vendin e ndërtimit ose në ordinancën e dhëmbëve, është e rëndësishme për të marrë më shumë besim edhe në shkollat profesionale. Se si të rinjtë mund të përballen me këto kërkesa dhe cilat janë ëndrrat e tyre? Do të përgjigjen të rinjtë në një seri dokumentarësh në SRF 1 me titull «Mini Lehr und ich», pjesë e të cilit është edhe Luanda Krasniqi.

Bleta Gashi, shoqëruesja e parë në “Miss European Tourism”

19-vjeçarja që jeton në Zvicër, Bleta Gashi, nuk ka arritur të rrëmbejë kurorën e më të bukurës, por është zgjedhur shoqëruesja e parë në eventin e bukurisë «Miss European Tourism 2014» që ishte mbajtur nga 27 qershori deri më 6 korrik 2014 në Rumani.

Bleta Gashi është e gjatë 1.74 cm dhe ka marrë pjesë në Miss Zürich, me ç`rast është shpallur fituese e titullit Miss Fotogjenia.

Megjithatë, Bleta, e cila në Rumani ka valvitur flamurin shqiptar, ka marrë komplimente si kandidatja më e bukur.

Shpejtim Zejneli, drejtor nacional i kompanisë që bën përzgjedhjen e kandidateve nga Kosova, ka paralajmëruar pjesëmarrjen edhe në garat e bukurisë në Kinë dhe më pas në Turqi.

Kurora e “Miss European Tourism 2014” sivjet i ka takuar Miss Letonia, ndërsa shoqëruese e dytë u zgjodh Miss Ukraina.

Heidi Lushtaku e sfidon veten edhe në film

Shqiptaro-zvicerania Heidi Lushtaku ka bërë të ditur për albinfo.ch se sapo kanë filluar xhirimet e këtij filmi në Zvicër. Projekti është produksion zviceran. Rolin e kishte fituar Lushtaku nga kontakti që kishte me producentin dhe aktorin zviceran, Cedric Magnin, me të cilin Lushtaku bashkëpunon qe katër vjet. Ajo nuk dëshiron të bëjë publike detajet e tjera për emrin dhe tematikën e filmit, por thotë se xhirimet do të vazhdojnë në vende të tjera.
Bukuroshja shqiptare tashmë me famë ka arritur të sfidojë vetën edhe si këngëtare profesioniste.

Ajo së fundi ka publikuar këngën e parë me titull “Put it up”.

Heidi Lushtaku ishte finaliste e “Miss Zvicra 2013”, ndërsa përveç reklamave të shumta për firma të njohura në Zvicër dhe Francë, ajo për disa muaj punoi si modeliste edhe në Azi, duke reklamuar për kompani të ndryshme, ndër to edhe për kompaninë “Honda”.
Bukuroshja nga Kosova me profesion është dentiste, ndërkaq pos modelimit dhe këndimit, ajo do të vazhdojë karrierën edhe si aktore filmi.

Heidi Lushtaku ekskluzivisht për albinfo.ch sjell me disa foto atmosferën nga xhirimet e filmit

Prej një vajze refugjate, menaxhere e fondit 10 milionë $ (Video)

Miranda Ademaj është një vajzë e lindur në Shtime të Kosovës dhe e rritur jashtë vendit që nga viti 1994, kur bashkë me familjen iku ilegalisht në Gjermani.

Miranda tregon në një intervistë për albinfo.ch se kishte shumë vështirësi në integrimin e saj si një kosovare me kulturën e re në Gjermani. Ishte vetëm 10 vjeçe kur filloi jetën nga e para në një vend të huaj.

Ajo e flet rrjedhshëm shqipen, ngase e kishte ruajtur gjuhën nga katër vjetët e shkollës fillore që i kishte kryer në Kosovë.
Miranda ishte rritur në Gjermani deri në moshën 20-vjeçare. Për arsye se gjendja ekonomike në Gjermani filloi të përkeqësohej, në vitin 2006 ajo vendosi të jetojë në Zürich të Zvicrës, ku dhe studioi ekonominë.

Për pesë vjet me radhë ajo ka punuar në institucionet më të rëndësishme helvetike: BrunnerInvest AG, Sallfort Privatbank dhe Credit Suisse.
Ndërmjet tri kulturave Kosovë-Gjermani-Zvicër, Miranda kishte edhe një dëshirë, ta shëtitë botën. Ajo ka udhëtuar për 1 vit në katër kontinente të botës vetëm me një çantë shpine, si në Amerikë, Azi, Australi dhe Evropë. Më së shumti kishte kaluar kohën në Australi, ku edhe kishte punuar për disa javë me një fabrikë bananesh “Bananafarm” në Outback të Australisë. Ajo kishte përfituar shumë nga kjo eksperiencë, duke zgjeruar horizontin e saj.

Miranda tash ka mendim tjetër për kulturën shqiptare.

“Kultura të cilës i takoj kufizon sidomos femrën me aspektet tradicionale dhe familjare më shumë se të tjerat kultura në Evropë. Ky është një aspekt i cili sigurisht vështirëson rrugën e arritjeve të tyre në jetë”, tha Miranda.

Pas kësaj aventure rreth botës, ajo u kthye në Zürich dhe filloi të punojë në një fond të pionierëve BrunnerInvest AG, ku ka takuar shumë njerëz të zgjuar dhe të arsimuar, të cilët e kuptuan botën e Mirandës.

“Një ditë më erdhi ideja që të themeloj kompaninë time Skënderbeg Alternative Investments AG me punëdhënësit e mëparshëm. Bashkëpunova me dy kolegë të mi, sepse së bashku bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm. Tani, unë jam themeluese dhe Cief Executive Officer e Skënderbeg Alternative Investments AG, kandidate për Chartered Alternative Investment Analyst dhe anëtare e “100 Woman in Hedge Funds”, zvicerani Bruno J. Schneller, Cief Investment Officer, ka magjistruar në HSG dhe gjermani Thomas Fliegner, Cief Risk Manager, ishte edhe profesor matematike në Cambridge dhe Bath. Filozofia dhe strategjia e investimeve është autentike nga Miranda. Ngase ajo kishte përfituar nga eksperiencat e krizës ekonomike të 2008-ës dhe nga kompania e mëparshme që kishte operuar me një boshllëk.

Sa i përket vështirësive të biznesit, Miranda ka thënë se natyrisht që duhet të përpiqesh si një e huaj më shumë për të arritur, sidomos në biznesin e “Hedge Funds” që është sfidë e madhe, për faktin se është i dominuar nga meshkujt.

“Është vështirë të gjesh femra në këto lloj pozita si jam unë në këtë industri”, pohon Miranda.

Këmbëngulësia në bindjen se edhe femrat mund t’ia dalin si meshkujt i kishte dhënë Mirandës guximin të mbërrijë objektivat që i kishte para vetes.

Megjithatë ajo shprehet të jetë krenare që është shqiptare nga Kosova dhe për këtë ka insistuar ta emërtojë fondin me emrin e heroit kombëtar Skenderbeu.

Miranda nuk ka fshehur kurrë identitetin se është shqiptare nga Kosova.

„Ku shkoj nëpër botë na presin mirë dhe janë mësuar me emrin Skënderbeg, ngase shumica kanë lexuar për historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar“, thekson themeluesja dhe CEO e Skënderbeg Alternative Investments AG.

Fondi Skënderbeg Alternative Investments AG operon me 10 milionë dollarë më 1 shkurt 2014, që është edhe përjashtim, ngase në këtë segment startohet zakonisht me 2-5 milionë.

„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasjse neutrale ndaj tregut të investimeve”, tha Miranda.

Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale.

Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet. “Ne jemi të përkushtuar dhe të pasionuar në targetin tonë ashtu si Skënderbeu”, ka thënë ajo.

Miranda në të njëjtën kohë po luan rolin edhe të një promotoreje të Kosovës në takime dhe kontakte të ndryshme me investitorët e huaj.

Ajo thotë se ka për synim që me hapa të vegjël të mbërrijë deri te suksesi.
Miranda ka prezentuar së fundi në Tiranë në TED që është një format konferencash që ka përshkuar gjithë globin, nga Seuli në Buenos Aires, nga Londra në Podgoricë, nga San Diego në Tel Aviv.

Ekonomistja kosovare thotë se nuk do të ndalet  me kaq dhe ka për objektiv të shkruajë libër për jetën e saj.

Miranda duke kaluar këtë gërshetim kulturash ndërmjet Kosovës-Gjermanisë dhe Zvicrës, si një financiere globale sigurisht do të shërbejë si një inspirim për shumë femra të botës, të cilat kanë frikë t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

Sevdail Tahiri

Anita Shala, finaliste në “Miss Zvicra 2014”

Anita Shala dëshiron të zgjedhet “Miss Zvicra 2014”. 20-vjeçarja, e cila jeton në Emmenbrucke të Luzernit, është e vetmja kandidate nga Zvicra qendrore, e cila merr pjesë në këtë spektakël. Ndihmësja e mjekut të dhëmbëve që punon në një ordinancë në Cyrih nuk i pëlqen shumë grimin e tepërt dhe as veshjet ekstravagante. Edhe kur ka për të dhënë ndonjë intervistë para medieve, asaj nuk i duhet më shumë se 30 minuta për t’u rregulluar.

“Shumë më mirë kuptohem me njerëzit që nuk janë shumë të pashëm. Shumë njerëz bukurinë e lidhin me arrogancë, të tjerët me zili dhe xhelozi. Kjo nuk më pëlqen”, ka thënë Anita.
Në ordinancën e dhëmbëve në Cyrih bukuroshja me prejardhje shqiptare, e cila është gjatë 1.77 cm, punon e pashminkuar. “Gjithmonë ka femra të bukura ose një trup më të mirë se unë, por ju duhet ta shfaqni atë që keni nga brendësia, e jo nga veshja. Pamja e jashtme është dhuratë nga zoti”, thotë asistentja e dhëmbëve.

Kam përkrahjen familjes

Anita Shala është e lindur dhe e rritur në Emmenbrucke. Prindërit kanë prejardhje nga Kosova. “Ata janë shumë të gëzuar që unë jam në mesin e finalisteve. Në veçanti nëna ime, e cila ishte e habitur kur i tregova për këtë. Ajo dëshironte gjithmonë të më shihte në një skenë të tillë”, thotë asistentja bukuroshe. Gjithashtu edhe babai i saj ishte shumë krenar për arritjen e bijës së tij. “Ai e respekton pjesëmarrjen time, pavarësisht që kjo sfidë është me stres, megjithatë po ia kaloj mirë. Babain e kam si shok”. Të gëzuar për pjesëmarrjen e saj në spektaklin “Miss Zvicra” janë edhe motra e saj, Agnesa, 18 vjeçe dhe vëllai Muhameti, 15-vjeçar. “Kam pasur përkrahje të madhe nga familja ime. Ne kemi një lidhje të veçantë familjare”, thotë Anita Shala. Ajo ka mësuar shumë nga kultura e Kosovës, por këtë e ka gërshetuar edhe më arsimin e marrë nga Zvicra.

S ‘di a kam shans të fitoj “Miss Zvicra 2014”

Në rrethin e saj Anita përshkruhet si një person me zemër të mirë. 20-vjeçarja, e cila që afro tre vjet është në lidhje me Rinorin, 22-vjeçar nga Cyrihu, me të cilin tashmë edhe bashkëjeton, tregon shumë për jetën e saj. E pëlqen diellin, sepse në rrezet e diellit ndihet veçanërisht mirë. Është e kujdesshme në ushqim, por nuk i kushton shumë rëndësi dietave. “Pikë e dobët” e saj duken të janë këpucat, ka aq shumë, sa që duhet një kohë e gjatë për t’ i numëruar.

Anita nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë me të nëse shpallet fituese. “Përpara planifikoja gjithçka, kurse këtë herë e kam lënë që gjërat të rrjedhin vetvetiu. Nuk e kam idenë se a kam shans për të fituar”, thotë ajo. Nëse fiton, ajo dëshiron të jetë një shembull për fëmijët e saj. “Unë kisha një fëmijëri shumë të mirë dhe dua ta trashëgoj atë përvojë”, ka thënë Anita Shala, në një intrevistë për “Neue Luzerner Zeitung”.

A.GJ

Valmira, përcjellësja e dytë në “Miss Universe Gjermania”

Valmira Krasniqi është shpallur përcjellësja e dytë e “Miss Universe Gjermania 2014”. Bukuroshja shqiptare, 18-vjeçare, e cila jeton në Helbron të Gjermanisë, ka arritur këtë sukses në mesin e 10 finalisteve që u mbajt në Gjermani.

Faqja zyrtare e “Miss Universe Germany” sapo ka njoftuar për finalistet e këtij viti. Sipas saj, fituese e kurorës së “Miss Universe Gjermania 2014” është shpallur Josefin Donat, përcjellësja e parë Sandra Lopez, ndërsa përcjellësja e dytë Valmira Krasniqi. “Ne kishim dhjetë finaliste mahnitëse. Zgjedhja ishtë më e vështirë se kurrë më parë, mirëpo ne tashmë kemi një “Miss Universe Gjermania” të re dhe ajo është Josefin Donat”, ka shkruar kjo faqe.

Kujtojmë se pjesë e këtij spektakli ishin edhe dy shqiptaret e tjera, Albina Nocaj dhe Martina Ivezaj, për të cilat gjithashtu kishte shkruar kohë më parë portali albinfo.ch. Derisa Albina, vajza me prejardhje nga Gjakova, nuk arriti më shumë se në mesin e 15 finalisteve, bukuroshja tjetër shqiptare nga Mali i Zi, Martina Ivezaj, hyri në finale, duke u llogaritur si favorite, megjithatë nuk arriti të rrëmbejë asnjërin nga tri çmimet kryesore.

A.Gj.

Sindi Arifi, e bukura e Zvicrës


Sindi Arifi është shqiptarja e parë që ka fituar kurorën e një spektakli bukurie në Zvicër. Në vitin 2013 ajo u shpall fituese e “Miss Zvicra Frankofone”. Që nga ajo kohë Sindi ka marrë pjesë në shumë sfilata dhe kompani me emër jo vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë. Përveç kësaj, për albinfo.ch Sindi tregon se pasion e ka edhe muzikën, ku premton që së shpejti të shfaqet edhe me ndonjë projekt të ri muzikor.Është një nga vajzat më të bukura në Zvicër, e cila këtë dhuratë të natyrës ka ditur ta shfrytëzojë më së miri. Është shqiptarja e parë që ka fituar kurorën në një spektakël bukurie në Zvicër. Viti 2014 për Sindi Arifin ishte viti më i suksesshëm në jetën e saj, sepse këtë vit ajo u zgjodh “Miss Zvicra Frankofone”. Skenën e spektakleve të bukurisë ajo e kishte pëlqyer që në moshë të re, ani pse nuk kishte marrë pjesë asnjëherë më parë.

“Vitin e kaluar prindërit e mi më regjistruan në konkursin “Miss Suisse Romande” (Miss Zvicra Frankofone). Ishte përvoja ime e parë. Kam dëshiruar gjithmonë të shfaqem në skenat e bukurisë. Ishte një moment magjik për mua. Ndihesha shumë e entuziazmuar dhe kisha përshtypjen që shihja yjet me sy. Që nga ai moment unë e kuptova se kjo ishte me të vërtetë ajo që kam dashur të bëj”, kujton për albinfo.ch 20-vjeçarja Arifi përvojën e saj në  spektaklin zviceran.

Kurora më përmbushi ëndrrat e mia

Kurora e “Miss Zvicra” Sindit i dha shumë vetëbesim për të përmbushur ëndrrat e saj. “Titulli më dha besim në veten time. Sot jam e vetëdijshme se për çfarë jam e aftë. Kam mësuar se në jetë nuk fitohet asgjë me lehtësi. Duhet luftuar dhe të mos heqësh kurrë dorë nga qëllimet. Kam luftuar për të shtyrë limitet e mia dhe për të arritur qëllimet që unë vendosa për veten time. Tani kam qëllime edhe më tej dhe dua të punoj që të kem sukses në arritjet e mia”, thotë ajo.
Triumfi i këtij spektakli asaj i ka hapur dyer të reja drejt fushës së modës. Ndonëse për shkak të kontratës që ka me organizatorët e spektaklit nuk mund të jetë e hapur shumë për reklama të reja, megjithatë aq sa i është lejuar, Sindi deri tash ka marrë pjesë në disa sfilata të mëdha të modës, duke përfshirë edhe markën italiane Salvatore Ferragamo, e gjithashtu edhe për agjenci të njohura të modelimit.

Shqiptarja e lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Mali i Zi, bën një jetë shumë dinamike, me shumë udhëtime, lëvizje dhe takime pune. “Për të jetuar nga modelimi, ju duhet të shkoni në qytetet e mëdha në Evropë apo kudo në botë, si në Paris, Milano, Londër apo në Nju-Jork. Në Zvicër ju filloni karrierën tuaj, por për të shkuar më tej do të duhej të shkoni diku tjetër. E gjithë kjo mua më bën që të mos mërzitem, sepse çdo ditë është një ekspriencë e re për mua”, shprehet studentja e studimeve të larta sociale, e cila na tregon edhe se si është një ditë e saj. “Ditët e mia janë shumë të ndryshme. Ndonjëherë me fotografi, nganjëherë me sfilata, nganjëherë me takime. Por, në çdo rast, çdo mëngjes unë bëj fitness”, thotë Sindi, e cila pos kësaj merret edhe me karate, volejboll dhe balet.

Përkundër angazhimeve të mëdha që ka, shqiptarja Arifi nuk lë anash pa falur edhe dashuri për familjen dhe të afërmit, ndërkaq për ndonjë person të caktuar duket se është me e rezervuar të flasë, por thotë se burri ideal për të është ai njeri që tregon respekt, dashuri dhe besim.

Muzika, një pasion tjetër i saj

Përveç aktiviteteve në fushën e modelimit dhe studimeve, Sindi Arifi merret edhe me muzikë. “Kënga është pasion imi. Që në fëmijëri merrem edhe me muzikë. Këndoj dhe i bie kitarës dhe pianos. Kam marrë pjesë edhe në shumë ngjarje muzikore dhe në të ardhmen kam ndërmend të realizoj edhe këngë të reja”, pohoi ajo në fund të bisedës sonë.

S.T

Linda Nikolla përfaqëson Zvicrën në “Goldwell – Color Zoom”

Parukierja dhe stilistja e njohur shqiptare që jeton në Zvicër, Linda Nikolla, me sukseset e saj nuk po i gëzon vetëm shqiptarët, por edhe zviceranët. Fituesja e shumë çmimeve ndërkombëtare për parukeri më 10 tetor do ta përfaqësojë Zvicrën në njërin nga spektaklet më të mëdha të parukerisë në botë “Goldwell 2014 – Color Zomm”, i cili do të mbahet në Berlin.

“Color Zoom” është një ndër festivalet më të mëdha në botë, i cili mbahet çdo vit nëpër vende të ndryshme të botës, ku prezantohen trendet, ngjyrat dhe produktet e reja për vitin e ardhshëm. Meqë pata fituar çmimin e parë në “Gold…”, kam nderin që edhe këtë vit t’i prezantoj idetë e mia dhe të jem pjesë e këtij spektakli”, ka thënë Linda për albinfo.ch.

Në këtë spektakël do të garojnë frizerë nga e gjithë bota, ndërkaq do të përcillet edhe nga media të shumta botërore, veçanërisht nga revistat e famshme “Vogel”, “Arabela” e të tjera.

Linda është e lumtur se si shqiptare e ka mundësinë të përfaqësojë shtetin zviceran dhe njëkohësisht të ndihmojë në ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër.

“Jam e lumtur për këtë mundësi. Uroj të jem një imazh i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu dhe kudo nëpër botë”, shprehet ajo, teksa thotë se nuk frikësohet nga sfidat e reja.

“Jam mësuar me sfida të ndryshme, por ende kam emocione dhe nuk më besohet se arrita ta fitoj vendin e parë “New Talent Category”. Për suksesin dhe punën time u krenua edhe shteti zviceran dhe menjëherë më ofruan kontratë që t’i përfaqësoj në këtë spektakël deri në vitin 2016”, përfundon biseden për albinfo.ch parukierja Linda Nikolla.

Goldwell – Color Zoom

A.GJ

Dorina Podrimja dhe Luanda Krasniqi në mesin e 100 femrave më të bukura

Revista e njohur botërore “Maxim magazine”, e cila ka shtrirje në Gjermani, Zvicër dhe Austri ka publikuar  sot (e martë)100 femrat më të bukura për vitin 2014. Në mesin e tyre gjenden edhe dy shqiptare: Dorina Podrimja dhe Luanda Krasniqi. Dorina Podrimja e cila vitin e kaluar ishte pjesë e “Miss Zvicra 2013” ka thënë se është ndjerë mjaft e lumtur që gjendet në mesin e 100 vajzave më të bukura të tri shteteve gjermanofolëse.

Revista e cila është dedikim për meshkuj e ka vlerësuar Dorinën si një modele me pamje të mrekullueshme.

Sipas “Maxim” Dorina është “Miss Solothurn” dhe e cila po e përfaqëson denjësisht këtë kanton.

Po ashtu,  kjo revistë edhe për modelen tjetër Luanda Krasniqi ka shkruar fjalë të mira. 19 vjeçarja  e cila ishte pjesë e “Top Model Zvicra”, u bë e njohur falë edhe pjesëmarrjes në serine televizive në televizionin zviceran SRF “Mini Lehr und ich”.

Derisa Dorina pritet të shfaqet në një reklam të BMË-së, Luanda pos aktiviteve të tjera, ka qenë edhe pjesë edhe e  një reklame të kompanisë së njohur “Dior”.

Dorina Podrimja

A.Gj.

Egzonita Ala shpallet “Miss Gjermania 2014” (Video)

Sukseset e vajzave shqiptare nëpër konkurse bukurie në botë tashmë nuk janë risi.

Spektakli “Miss Gjermania 2014” i cili është mbajtur në Dortmund ka ndarë çmimet kryesore për dy vajza shqiptare.

Egzonita Ala është bukuroshja shqiptare që është zgjedhur “Miss Gjermania 2014”, çmimi i dytë i ka takuar një tjetër vajze shqiptare. Fjala është për Fjollza Avdiun nga Mitrovica për të vijuar me çmimin e tretë të fituar nga Sabrina Nennemann.

Më këtë fitore Egzonita ka përfituar kontratë një vjeçare me kompaninë “Emmi Nail”, pastaj 15 mijë euro para të gatshme, ndërsa do të përfaqësojë Gjermaninë në spektaklin botëorë “Miss Bota 2014” që do të mbahet në nëntor në Londër.

Menaxherja e Egzonitës, njëherësh artiste e njohur për make -up në Gjermani, zonja Nazlije Sadrija e cila është prej vitesh  pjesë e stafit të këtij spektakli, është ndarë shumë e lumtur me fitoren e vajzave shqiptare.

“ Vajzat shqiptare dallohen për bukurinë që e kanë. Dhe, këtë më së miri e dëshmoi edhe nata e mbrëmshme ku dy vajza shqiptare fituan vendet kryesore të këtij spektakli. Fituesja e këtij spektakli, Egzonita Ala jo vetëm që më bëri mua të lumtur si menaxhere e saj dhe familjen, por i bëri krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Me bukurinë që e ka, kjo vajzë do të na prezantojë denjësisht edhe në Miss Bota”, ka thënë ajo për “albinfo.ch”.

Egzonita, e cila mban titullin edhe si fituese e spektaklit “Miss Diaspora 2014” është 17 vjeçare nga Peja, banon në Shtutgart ndërsa vijon mësimet për ndihmëse të mjekut të dhëmbëve.

A.Gj.

Flaka Haliti, artistja në mes Prishtinës, Vjenës dhe Munihut

Flaka Haliti, fituese e çmimit Henkel Art.Award për vitin 2013 është autore e ekspozitës me titull “I See a Face. Do You See a Face” në muzeun e arteve Mumok të Vjenës. Ekspozita e hapur më 6 gusht do të mbyllet më 5 tetor.

Artistja Flaka Haliti, e lindur në Prishtinë në vitin 1982 jeton në trekëndëshin Prishtinë-Vjenë-Munih.

Në ekspozitën e saj aktuale ajo paraqet punime të cilat lidhen me përvojat e saj në mes të vendeve dhe kulturave të ndryshme.

Në instalacionin e saj me mure betoni ajo prezanton një seri fotografish të reve në të cilat janë të projektuara tiparet e fytyrave njerëzore si grafika kompjuterike, thuhet në shkrimin prezantues të ekspozitës në faqen e internetit të galerisë. Me këto punime artistja aludon në raportin në mes të afërsisë dhe largësisë në mes të njerëzve në botën moderne.

Flaka Haliti, me konstatimin dhe pyetjen që e ka vendosur si titull të ekspozitës (Unë shoh një fytyrë. A e sheh edhe ti një fytyrë) nënvizon një lojë në mes të realitetit dhe fiksionit, në mes të afërsisë imagjinare dhe distancës hapësinore…

Heidi Lushtaku, kontratë me “Hera”

Modelistja shqiptare që jeton në Zvicër, Heidi Lushtaku, ka lidhur një marrëveshje me firmën ndërkombëtare zvicerane të rrobave „Hera“.

Me këtë nënshkrim shqiptarja do të prezantojë koleksionet e fundit të veshjeve të markës së njohur „Hera“ për 3  vjet, duke filluar nga 2014 deri 2016.

Finalistja e “Miss Zvicra 2013” së fundi ka bërë një seri fotografish  për „Switcher make Swiss“, ndërsa ka xhiruar një klip me një këngëtar shumë të njohur në Afganistan.

Heidi ekskluzivisht për albinfo.ch sjell disa foto me veshjet e njohura zvicerane „Hera“.

 

Rifillon nga zero dhe korr suksese

Para se të vija në Zvicër në vitin 2008, në vendlinje kisha diplomuar në Universitetin e Tetovës, në drejtimin e Psikologjisë. Pas diplomimit u angazhova nëpër shoqata të femrave si vullnetare, duke qenë gjithnjë aktive. Më vonë u njoha me mbashkëshortin tim, i cili jetonte në Zvicër dhe për mua shpërngulja jashtë vendit ishte një sfidë dhe udhëkryq i madh, sepse e dija që duhej të filloja gjithçka nga e para. Por, pas premtimeve të bashkëshortit tim që do të më ndihmojë për një integrim sa më të shpejtë dhe të suksesshëm, pranova dhe erdha këtu.

Në fillim jeta këtu ishte shumë e vështirë dhe monotone. Mundohesha ta mësoj gjuhën, t’i kap fjalët duke i shkruar, bleja libra, pastaj fillova të bëja kurse intensive të gjuhës, të cilat i mbarova deri te niveli C1. Mora certifikatën me një qëllim që të punësohem dhe të vazhdoj studimet më tutje. Fillova duke punuar punë të thjeshta vetëm e vetëm që të inkuadrohesha dikund dhe ta njihja mentalitetin dhe procesin e sistemit të punës në Zvicër. Mendoj që certifikata e gjuhës m’i çeli shumë dyer dhe më hapi shumë mundësi për të konkurruar për punë.

Rastësisht pashë një ofertë pune si kujdestare sociale në një “Hort”, ose çerdhe për fëmijë, „Loren“, në Kloten të Cyrihut. Konkurrova dhe më pranuan. Tash po bëhen gati dy vjet që punoj këtu dhe jam integruar shumë mirë.

Albinfo.ch: Si funksionon çerdhja për fëmijë “Loren” në Kloten?

Valdete Mena: Këtu jemi dy punëtore përgjegjëse edhe një nxënëse. Merremi me kujdesin e fëmijëve që shkojnë në shkollë ose parashkollorë. Çerdhja hapet në orën 12 deri në orën 18.30. Ne kujdesemi që fëmijët të hanë ushqim të shëndetshëm, pastaj u ndihmojmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe organizojmë programe të ndryshme. Fëmijët duhet të ndihen jo si në shkollë, por si në ambientin e shtëpisë, por me rregulla dhe struktura të qarta dhe të definuara, të cilat kanë për qëllim mirëqenien e fëmijës.

Kemi fëmijë të nacionaliteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme, me histori familijare të llojllojshme, por detyra jonë është që t’i shohim të gjithë fëmijët njëlloj, t’i pranojmë ashtu siç janë, t’i kuptojmë dhe t’u ndihmojmë sa më tepër, edhe pse paraqiten vështirësi gjatë punës. Është një ndihmë e madhe edhe për prindërit që janë aktivë, që punojnë, si dhe për ata që i rrisin fëmijët vetë. Të gjithë prindërit deri tash janë shumë falënderues për punën që e bëjmë ne.

Albinfo.ch:  Fëmijëve shqiptarë a u flet në gjuhën shqipe dhe a të flasin ata ty shqip ?

Valdete Mena: Po, natyrisht që kur e dëgjojnë emrin tim, ata më flasin shqip, edhe unë me ta flas shqip dhe nuk e kemi të ndaluar nga çerdhja, por sipas Rregullores është e preferuar që të flasim të gjithë në gjuhën gjermane që të kuptojnë edhe fëmijët e tjerë se për çfarë bëhet fjalë.

Albinfo.ch: Valdete, ti si psikologe, a ke mundur ta vëresh ndonjë dallim në mes të edukimit që kanë fëmijët tanë dhe atyre zviceranë sa u përket rregullave ose orareve në lidhje me ushqimin, mësimin, e të tjera ?

Valdete Mena: Sinqerisht kam vërejtur dallime, edhe pse jo vetëm te fëmijët e nacionalitetit shqiptar. Kur flasim për shqiptarë kam parë që fëmijët tanë janë në shumë raste të lazdruar, ose të paktën nga bisedat e sinqerta që i bëjmë me ta, nuk kanë orar gjumi të rregullt, ushqehen shumë shpesh nëpër fastfood restorante, nuk bëjnë shumë aktivitete, siç janë sporti, muzika ose të tjera.

Por unë mundohem t’i kuptoj këto gjëra, sepse kanë të bëjnë me mentalitetin tonë, i cili nuk është negativ ose më pak i mirë se mentalitetet e tjera, por është më ndryshe dhe nuk mund të çrrënjoset dhe të ndryshojë për një kohë të shkurtër. Jam e sigurt dhe e bindur që prindërit shqiptarë e duan gjënë më të mirë për fëmijët e tyre, por ndoshta duhet të marrin guxim për të shkuar më larg, të hapin dyer të tjera dhe të shikojnë se çfarë gjendet në anën tjetër, të mësojnë që rregullat janë një mënyrë tjetër, ndoshta edhe më produktive dhe frytdhënëse për zvillimin e fëmijëve dhe ardhmërinë e tyre. Këtu nënkuptoj gjumë të rregullt, sa më pak embëlsira, sa më  shumë perime dhe fruta në meny, sa më pak lojëra me play station ose video games dhe sa më shumë sport dhe aktivitete të ndryshme për fëmijën. Do të ishte mirë që fëmija të shkojë një herë në javë në cirk ose  teatër për fëmijë, të shoqërohet sa më tepër me fëmijët e tjerë edhe në qoftë se me familjarët dhe të rrinë sa më larg televizorit, sepse të gjitha këto e ndihmojnë zhvillimin e tij. Por nëse këto që i përmenda kushtojnë shumë para, shkolla i ofron të gjitha ato aktivitete që janë gati-gati gratis, si aktivitete të edukatës fizike, not, këndim, kërcim, etj.

Albinfo.ch: A janë, sipas teje, gratë shqiptare në Zvicër të painteresuara ose të painformuara për këto aktivitete ?

Valdete Mena: Unë nuk mund t’i gjeneralizoj të gjitha gratë shqiptare në Zvicër, sepse njoh shumë nga to, të cilat janë të zonjat, të forta, intelektuale dhe me të gjitha epitetet pozitive, por dëgjoj që ka edhe shumë gra që nuk janë të integruara mjaftueshëm. Por jam shumë pozitive dhe e bindur që shoqëria jonë ka përparuar shumë në Zvicër, ka ecur përpara në punë dhe në të gjitha lëmenjtë e jetës. Ne tash kemi shumë mjeke, punëtore në spitale, banka, nëpër administratë dhe ndihem krenare për këtë gjë. Ne jemi me të vërtetë popull inteligjent, të etur për dituri dhe i inkurajoj të gjitha gratë shqiptare që të çajnë përpara, sepse do t’ia dalin, vetëm duhet të kenë durim, vetëbesim dhe të punojnë në këtë drejtim.

Ambiciet e Valdetes nuk përfundojnë brenda çerdhes për fëmijë „Loren“. Ajo thotë se ky është vetëm fillimi dhe që planet e saj janë që shumë shpejt të fillojë të studiojë një Master në psikologji për të punuar më vonë si psikologe për fëmijë.

 

 

Fatime Blakaj, një “Nënë Terezë” në shërbim të shërimit të fëmijëve

Mbi 100 fëmijë të sëmurë, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova sillen çdo vit në spitalet austriake për t’u shëruar. Kjo mundësi bëhet falë ndihmës së madhe që po bën shoqata austriake “Allianz für Kinder” me seli në Styer të Austrisë. Shoqata udhëhiqet nga drejtori Michael Schodermayr ndërsa pjesë e stafit është edhe Fatime Blakaj. Që nga themelimi i saj në vitin 1992 e deri më tash përmes kësaj shoqate janë kuruar mbi 1800 fëmijë. Gazeta “albinfo.ch” i bëri vizitë fëmijëve në spitalin ortopedik në Vjenë dhe bisedoi me humanisten shqiptare, zonjën Fatime Blakaj.

Gersian Hidri, 11 vjeçar nga Tirana që nga 16 korriku kishte ardhur në Austri për t’u shëruar. Kohë më parë ai kishte pësuar një aksident në Tiranë, ku i ishte lënduar krahu i djathtë. Para se të vinte në Austri, Gersi nuk kishte mundësi ta lëvizte krahun, ndërsa çdo ditë e më shumë i humbte edhe fuqia. Me të ardhur në Austri, mjekët, kishin marrë mish nga pjesët tjera të trupit për të plotësuar krahun e tij. Pas vetëm dy muaj qëndrimi në spitalin austriak, krahu i Gersit kishte filluar të lëvizte dhe të merrte formën normale. Më 25 shtator Gersi së bashku me grupin e fëmijëve tjerë u kthyen të shëndoshë dhe me buzëqeshje për në Tiranë.  “Është një ditë e lumtur për mua. Mezi pres të kthehem në Tiranë. Më ka marrë malli shumë për prindërit, dhe për shokët e shoqet e klasës. Jam i lumtur se po kthehem i shëndoshë dhe tash krahu im lëvizë pa asnjë problem”, theksoi Gersian Hidri, pak para se të nisej për në vendlindje. Ndonëse i vogël në moshë, ai nuk harron të falënderojë edhe gjithë ata që i mundësuan të shërohet dhe që i qëndruan afër, gjatë kohës sa ishte në Austri:  “Falënderoj gjithë stafin mjekësor që është kujdesur për mua, pastaj zonjën Fatime Blakaj, bashkëvendësin tim, xhaxhain Lulëzimin që ka ardhur çdo ditë të më vizitojë si dhe familjen Brahimi nga Prishtina e cila jeton në Amsteten, tek e cila kam qëndruar për kohë të gjatë”.

Si rasti i Gersianit janë edhe dhjetëra të tjera, jo vetëm shqiptare që çdo ditë shërohen nëpër spitalet e Austrisë. E gjithë kjo falë ndihmës së pa kursyer të shoqatës humanitare “Allianz für Kinder” (Aleanca për fëmijë) me seli në Styer të Austrisë së epërme.  Përmes kësaj shoqate humanitare deri më tash janë trajtuar mbi 1800 pacientë, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova. Përveç drejtorit të shoqatës Michael Schodermayr i cili ka kontributin më të madh për këtë ndihmë, pjesë e kësaj organizate është edhe Fatime Blakaj nga Istogu, një grua e palodhshme që mbi 20 vite merret aktivisht vetëm me këtë punë.

Gazeta “albinfo.ch” vizitoi njërin nga spitalet ortopedike në Vjenë ku pos që takoi pacientët shqiptarë, bisedoi edhe për veprimtarinë e kësaj humanisteje shqiptare por edhe kontributin e shoqatës.

 

  • Mbi 20 vite në shërbim të shërimit të fëmijëve

 

Fatimja, kjo grua me shpirt kaq human e cila kishte sakrifikuar edhe profesionin e saj të rrobaqepësisë, vetëm që t`u dilte në ndihmë fëmijëve, nuk ndihej fare e lodhur.  Derisa përgatiste lëndën e lëshimit të Gersianit, po atë ditë ajo dërgoi edhe gjashtë diagnoza  të tjera për ekzaminimin e pacientëve të tjerë.

“Jemi të lumtur se Gersi dhe fëmijët tjerë janë shëruar dhe tani po i përgatisim të shkojnë tek familjet e tyre. Por, puna ime dhe e jona më fëmijë nuk do të përfundojë këtu. Unë ia kam kushtuar jetën time ndihmës së fëmijëve. Sot i solla tetë diagnoza të fëmijëve, gjashtë raste nga Kosova dhe dy nga Moldavia, sepse pos nga trojet shqiptare kemi fëmijë edhe nga  Moldavia, Afganistani dhe Gaza”, sqaron ajo pasi kishte biseduar me mjekët e spitalit.

E teksa u ulëm në një tavolinë, zonja Blakaj na tregoi edhe për inkuadrimin e saj në këtë shoqatë humanitare dhe punën e saj mbi 20 vjeçare.

“Veprimtaria ime ka filluar në vitin  1992.  Ishte hera e parë që mora në mbikëqyrje fëmijët. Mezi prisja ta përfundoja punën dhe të shkoja t’ i vizitoj. Më dhimbseshin aq shumë sa që më dukej se nuk ecte koha deri sa t`i takoja. Ndër fëmijët e parë ishte edhe djaloshi nga Durrësi, Fjordi Çelaj, i cili pas më shumë se 20 vitesh erdhi muaj më parë dhe më vizitoi. Ishte kënaqësi për mua ta shihja”, shpreh emocionet e saj zonja Blakaj, e cila të gjitha meritat ia dedikon shoqatës.

“Nga viti 1992 deri më 2006 ne kemi qenë pjesë e shoqatës “Friedensdorf International” nga Gjermania, ndërsa në vitin 2006 themeluam shoqatën tonë “Allianz für Kinder”, drejtor i të cilës është Michael Schodermayer, një humanist i cili ka bërë shumë për shqiptarët dhe fëmijët tanë. Është vërtet një punë shumë vjeçare dhe duhet t`i jemi mirënjohës kësaj shoqate për punën që e ka bërë deri më tani dhe që do ta bëjë në vazhdimësi”, potencoi ajo.

 

  • Fëmijët shqiptarë përbëjnë shumicën dërmuese të pacientëve

 

Fëmijët të cilët shoqata  “Allianz für Kinder”  i merr për shërim vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet ortopedike, ndërsa  mosha e tyre duhet të jetë nga 0-13 vjeçare.  Ky është rregull të cilin e kanë caktuar drejtuesit e shoqatës. Shoqata i ka edhe mjekët personal të cilët bëjnë diagnostifikimin e sëmundjeve dhe vetëm ata fëmijë për të cilët mjekët e shoqatës konstatojnë se mund të shërohen, i marrin përsipër me të gjitha obligimet për t’i shëruar në Austri.

Gjatë gjithë veprimtarisë së kësaj shoqate në Austri janë sjellë mbi 1800 fëmijë. Prej tyre 350 nga Afganistani, 20 nga Moldavia dhe një numër i vogël nga Angola dhe Gaza, ndërsa të gjithë rastet tjera kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova. Derisa Shqipëria ka qenë në programin e shoqatës që nga fillimi, zonja Fatime thotë se përfshirja e Kosovës ka qenë pikërisht iniciativë e saj. Ajo ka arritur ta fusë në program vetëm nga viti 2003. “Shqipëria ka qenë gjithmonë primare, ndërsa për Kosovën mezi kam arritur në vitin 2003 t`i bind se edhe atje fëmijët kanë nevojë për t`u ardhur në ndihmë. Bashkë me një koleg timin kemi shkuar dy javë nëpër Kosovë, kemi vizituar spitale dhe kemi parë për se afërmi nevojën e fëmijëve për shërim. Kemi sjellë edhe diagnozat e para dhe pas një muaj kemi marrë përgjigje pozitive që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij programi”, theksoi ajo duke shtuar se asnjë ndihmë nuk kanë marrë nga shteti i Kosovës, madje jo rrallë kanë pasur edhe pengesa nga njerëz të ndryshëm dhe ministritë përkatëse.

Brenda vitit shoqata merr  deri 100 fëmijë për shërim. Kompania ajrore “Austria Airlines” dhuron 100 bileta avioni për udhëtimin e këtyre fëmijëve, ndërsa nëse ndodh të marrin më shumë, atëherë duhet që shoqata të gjejë donacione të veta për të mbuluar shpenzimet. Shërimi i fëmijëve zgjatë me nga 1 – 3 muaj varësisht nga sëmundja.

Zonja Blakaj tregon se puna e kësaj shoqate do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ka raste të shumta që po presin. Tani në trajtim kemi edhe dy fëmijë të tjerë nga Kosova: Arnesa Brahimi nga Mitrovica dhe Gentian Kallaba nga Kamenica. Javën tjetër do të sjellim edhe dy fëmijë nga Shqipëria të cilët do të jenë edhe të fundit për këtë vit, dhe urojmë të kthehen shëndosh e mirë kah fundi i këtij viti. Pastaj do të vazhdojmë me raste të reja në vitin tjetër”,  thekson Blakaj në fund të bisedës sonë.

U ndamë më të duke i dëshiruar asaj punë të palodhshme, ndërsa gjithë fëmijëve shërim sa më të shpejtë dhe kthim shendosh e mirë te familjet e tyre, ashtu siç u kthye Gersiani në Tiranë.

 

box

 

Si bëhet përzgjedhja e fëmijëve për shërim

 

“Duhet të bëhet diçka e qartë: Unë nuk jam ajo që vendos se cilët fëmijë mund të vijnë e cilët jo, janë mjekët ata që vendosin, sipas ekzaminimit. Ne shkojmë dy – tri herë gjatë vitit bashkë me mjekët tanë në Kosovë dhe Shqipëri dhe atje organizojmë edhe vizita. Janë mjekët ortopedë, kardiologë dhe pediatër të cilët bëjnë vizitat mjekësore. Në çdo vizitë mblidhen nga 120 – 150 fëmijë. Ata fëmijë për të cilët mjekët mendojnë se janë raste urgjente, i sjellim menjëherë në spitalet austriake duke ua hequr të gjitha shpenzimet”, thotë zonja Blakaj duke nënvizuar se shoqata nuk mbulon shpenzimet e prindërve të tyre, kështu që ata edhe nuk i shoqërojnë fëmijët.

 

 

Arben Gjinaj

fatime flamuj

 

Saranda Maliqi, e treta në “Mis Zvicra 2014”

Në finalen e spektaklit “Miss Zvicra 2014”, shqiptarja Saranda Maliqi ka arritur rezultatin deri më tash më të mirë prej se kanddatet shqiptare marrin pjesë në këtë garë. Ajo ka zënë vendin e tretë, menjëherë pas fitueses, Mis Zvicrës 2014, studentes nga kantoni Vaud Laetitia Guarino dhe kandidates nga Berna Michlle Stofer.

Saranda Maliqi është me prejardhje nga Kosova (Gjilani) dhe jeton në Schönenwerd të kantonit Solothurn. Ajo është 23 vjeçe dhe punon si asistente e sekretarit të komunës. Saranda e sheh veten si një modeliste dhe moderatore në të ardhmen dhe shpreson se suksesi në “Mis Zvicra 2014” do t`ia hapë rrugën drejt realizimit të këtij synimi

Kandidatja e dytë shqiptare, Anita Shala është diskualifikuar në mesin e dy të parave nga 12 finalistet.

Më parë, javën e kaluar, nga gara kishte rënë edhe kandidatja tjetër shqiptare, Donika Krasniqi.

Spektakli i finales së garës “Mis Zvicra 2014” është mbajtur në një skenë të improvizuar në sheshin kresor të Bernës, në Bundesplatz.

Saranda Maliqi miaa zvicra 2014

Sopranoja shqiptare, Mirjam Tola, shkёlqen në Gjermani

“E mrekullueshme, madhёshtore, jam shumё e entuziazmuar nga interpretimi i Tosca-s prej sopranos Mirjam Tola!”. “E kam parё Toscan shumё herё, por njё Tosca siҫ e interpreton atё Mirjam Tola deri mё sot nuk e kemi pasur nё Operën e Wuppertal-it, njё soprano e shkёlqyer!” Kёshtu shprehen disa spektatorё pas duartrokitjeve qё nuk kishin tё reshtur pas shfaqjes sё “Tosca-s” sё Giacomo Puccinit nё Wuppertal, shkruan DW. Surpriza e hapjes sё sezonit sivjet nё Wuppertal ishin perfeksioni estetik nё inskenim, regji, skenografi, koreografi, kostume dhe ndriҫim nga regjisori i njohur italian, Stefano Poda. E veҫanta tjetёr ishte nisma ambicioze e drejtorit tё ri tё kёsaj opere dhe njёkohёsisht dirigjentit tё saj, japonezit Toshiyuki Kamioka, i cili guxoi njё revolucion nё skenёn operistike tё Gjermanisё. Opera publike e Wuppertal-it ёshtё e para qё thyen traditёn duke e shpёrbёrё trupёn e solistëve të saj, pёr t’i vёnё nё skenё shfaqjet me artistё tё ftuar. Shumё media prestigjioze nё Gjermani i kushtuan vёmendje tё posaҫme shfaqjes sё Toscas nё Wuppertal.
Mirjam Tola, njё soprano nё kulmin e karrierёs sё saj, e konsoliduar dhe me njё zё brilant, me interpretimin nё nivel tё lartё artistik e zhdёrvjellёt dhe e natyrshme edhe si aktore nё skenё e mbёrthen publikun pёrgjatё dramёs qё zhvillohet nё operën tragjike.

Mirjami vlerёson jashtёzakonisht mbёshtetjen qё ka pasur gjatё karrierёs sё saj tashmё 20-vjeҫare nё skenat mё tё njohura evropiane, si edhe nё SHBA e gjetkё, nga dirigjentё, kompozitorё e drejtues artistikë tё njohur, por tё paharruar mbeten pёr tё pedagogu i parё i saj i kantos, Behar Islami dhe pedagogia, sopranoja e njohur shqiptare, profesoresha Suzana Frashёri, së cilës i është jashtëzakonisht mirënjohëse. Nga profesoresha Frashёri Mirjami mёsoi bazat e mjeshtёrisё sё tё kёnduarit, ajo e mbёshteti atё nё formimin si soprano nё vitet e studimeve nё Akademinё e Arteve nё Tiranё.

KF „Bashkimi“ nga Siebneni, model i integrimit dhe solidaritetit

Këto ditë përfundoi gjysmëstinori i garave të futbollit. KF “Bashkimi”- Siebnen gjendet lartë në kreun e tabelës, në Ligën e katërt, edhe pse për shkaqe të motit, i ka dy ndeshje minus e që i japin shpresë që deri në fund të stinorit të dalë kampione dhe në stinorin e ardhshëm të rangohet në Ligën e tretë.

KF „Bashkimi“- Siebnen i kantonit Schwyz, është themeluar në vitin 2007 dhe që në stinorin e parë ka qenë kampion dhe është ngjitur një ligë më lartë. “Vitin e kaluar kemi qenë nënkampion, kurse sivjet jemi lartë në kreun e tabelës dhe deri në fund të stinorit shpresojmë të dalim sërish kampion dhe të kalojmë në Ligën e tretë, për çka mendojmë se është një rezultat tejet i lakmueshëm për një skuadër e cila funksionon me vetëfinancim dhe me angazhim vullnetar të lojtarëve dhe udhëheqësisë së klubit.

Duke parë seriozitetin tonë në lojën e futbollit, kohëve të fundit, kemi ftesa nga ligat më të larta zvicerane për ndeshje miqësore. Herën e fundit në fillim të nëntorit 2010 patëm një lojë miqësore me një skuadër të Ligës së tretë të Zvicrës. Për dallim nga klubet e shumta në Zvicër, në klubin tonë të gjithë janë shqiptarë, me prejardhje nga troje të ndryshme”, thotë

– Kush merr karton të kuq, suspendohet nga klubi!

Pyetjes përse klubi përbëhet vetëm me lojtarë shqiptarë, kryetari i KF “Bashkimi” nga Siebneni, Feti Demolli përgjigjet: „që të dëshmojmë suksesin, bazuar në forcën tonë dhe, meqë në Lachen me rrethinë ka shumë futbollistë shqiptarë, kemi dëshiruar që të përfshijmë sa më shumë të rinj, duke synuar një integrim të shëndoshë në shoqërinë zvicerane dhe një dëshmi para organeve zvicerane se trajtimi i barabartë është një shans më shumë për suksese në integrim. Këtë e kemi dëshmuar, gjithsesi, thotë Feti Demolli.

“Ndonëse futbollistët luajnë vullnetarisht për skuadrën e „Bashkimit“ disiplina e tyre  është në nivel të lartë. Çdo lojtar e di se sjellja brutale në lojë dhe shkaktimi i kartonit të kuq ndëshkohet me suspendim nga klubi. Ky nivel i disiplinës, ka sjellë edhe shumë shikues në lojërat e KF „Bashkimi“-Siebnen”, thotë trajneri i klubit, Besnik Thaqi. Tashmë edhe tifozët e „Bashkimit“ janë të rregullt dhe identifikohen me shenjën dalluese „Dardanët“, të cilët udhëhiqen nga tifozi i flakët, Mejdi Memishi.

KF „Bashkimi“ nga Siebneni sivjet ka bërë një gjest që duhet të jetë shembull edhe për klube të tjera sportive jashtë Kosovës. „Bashkimi“ ka zhvilluar lojë miqësore në Kosovë me KF „Gjilani 95“ në Gjilan dhe me KF „Tomorri“ nga Berati, me ç`rast lojtarët janë mirëpritur edhe nga strukturat udhëheqëse të komunave respektive.

Sporti dhe humanizmi

Ky klub për më tepër ka ofruar ndihma materiale për fëmijët bonjakë të fshatit „SOS Kinderdorf“ në Prishtinë. Lojtarët e „Bashkimit“ dhuruan po ashtu edhe pajisje sportive për futbollistët e Gjilanit, të Beratit dhe të fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës. Me mirënjohje u nderuan edhe nga vetë kryetari i Federatës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri dhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Feti  Demolli (majtas), kryetar dhe Besnik Thaqi, trajner i KF „Bashkimi“ – Siebnen

“Ne kemi një organizim të mirëfilltë brenda kryesisë së klubit, duke filluar nga kryetari Feti Demolli, sekretari Afrim Muji, anëtarët e kryesisë Destan Kurtishi (edhe kapiten i skuadrës), Ramadan Rexhepi dhe Faton Limani”, thotë trajneri Besnik Thaqi, i cili është shpirtërisht i lidhur me këtë klub. Ai thotë se KF Bashkimi “është pasqyrë edhe për gjeneratën e futbollistëve të vegjël, të cilët shpesh na kontaktojnë dhe shprehin dëshirën që sapo të rriten të jenë pjesë e „Bashkimit“.

Një kontribut të madh për këtë klub po e jep edhe donatori i përhershëm „Armafix GmbH“ me pronar Jeton Korbën. Interesimi për të kontribuar në KF „Bashkimi“ sa vjen e shtohet. Këto ditë vullnetin për t´u bërë pjesë e klubit e paraqiti edhe ish lojtari i njohur i FC Zürich dhe FC Kosova, Adnan Jashari, të cilin KF „Bashkimi“ e mirëpret me kënaqësi.

KF „Bashkimi“ tashmë është i njohur edhe për strukturat e larta të rajonit. Kështu, kohë më parë, SC Siebnen (në kuadrin e të cilit vepron KF “Bashkimi”) pati marrë një shpërblim në emër të  KF „Bashkimi“-Siebnen si skuadra më e disiplinuar, kampione dhe model për integrimin e bashkësisë së shqiptarëve në Siebnen dhe rrethinë. Atë shpërblim e pati ndarë Federata e Futbollit të Rajonit të Cyrihut (FVRZ).

. Feti  Demolli (majtas), kryetar dhe Besnik Thaqi, trajner i KF „Bashkimi“ – Siebnen

Illyrian, ekipi i vetëm shqiptar në botë që luan „Beach Soccer“

Shqiptarët në Zvicër nuk janë të suksesshëm të luajnë futboll vetëm nëpër fusha të gjelbra dhe me ekipe favorite, por edhe në ato me rërë, siç i quajnë „Beach Soccer“,  sport shumë i njohur në SHBA dhe tashmë edhe në Evropën Perëndimore.

Illyrian quhet ekipi i vetëm tash për tash shqiptar në botë që këtë sezon synon të sfidojë ligën e parë profesionale në Zvicër, e quajtur  „Suzuki Beach Soccer“, e cila sponzorizohet nga kompania më e njohur e automobilave „Suzuki“.

Dy vëllezërit, Selami dhe Rabit Rexhepi nga Kamenica e Kosovës, të cilët e formuan ekipin Illyrian në vitin 2009 në Zvicër,  nuk pretendojnë vetëm të zmbrapsin kampionin aktual zviceran „Havanna HotShoots Aarau“,  por edhe synojnë të arrijnë që në të ardhmen në garat ndërkombëtare të futbollit në rërë „Beach Soccer“ të përfaqësojnë vendlindjen e tyre, Kosovën.

„Plani tjetër në një afat më të gjatë kohor është të kontaktojmë Federatën e Futbolli të Kosovës dhe atë të Shqipërisë për të vetmin qëllim, përfaqësimin e tyre në garat ndërkombëtare të futbollit. Në Kosovë dhe në Shqipëri duhet edhe shumë kohë për të zhvilluar këtë lloj sporti.

Selami Rexhepi

Ne kemi këtë mundësi të pëfaqësojmë vendin tonë në „Beach Soccer“,  është shprehur me entuziazëm njëri nga tranjerët dhe futbollistët e ekipit Illyrian, Selami Rexhepi.

Ai ka thënë për albinfo.ch se pa asnjë problem, me një përgatitje dhe përkushtim të madh të ekipit, vitin e kaluar kanë qenë ndër më të mirët në ligën e dytë zvicerane, në një garë të fortë, në mesin e 30 ekipeve.

Ekipin Illyrian e përbëjnë kryesisht futbollistë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, e që për tranjerin janë vise ilire dhe, për këtë arsye, ai thotë të jetë pagëzuar me këtë emër klubi.

Një përjashtim e bëjnë futbollisti italian, Davide Sodano dhe ai zviceran, Andreas Gloor, të cilët pas asnjë paragjykim dhe me shumë dëshirë stërviten dhe luajnë bashkë me futbollistët shqiptarë.

„Për mua nuk është problem të luaj me shqiptarët, përkundrazi në këtë ekip e kam gjetur veten dhe po ndjehem mirë si një familje. Mua po më duket sikur po luaj me bashkëkombësit e mi italianë. Me rëndësi është të jemi kampion“, thekson Sodano.

Në ekip vërehej se ka një harmoni në mesin e lojtarëve.

„Një sport i tillë është risi jo vetën në Zvicër, po edhe në vendet e tjera, se ne jemi njëri prej ekipeve të para që luajnë futboll në rërë, dhe duhet të tregojmë se jemi më të mirët. Ekipin tonë e përbëjnë shumica lojtarët shqiptarë, por megjithatë mbretëron harmoni e theksuar në mesin tonë“, shprehet studenti Orhan Spahiu.

Rabit Rexhepi

Rabit Rexhepi, i cili me një angazhim të madh ka arritur që klubi i tyre Illyrian të jetë  i regjistruar në ligën e parë zvicerane „Suzuki Beach Soccer 2011“,  ka  thënë se vazhdimisht janë në stërvitje në sallën e sportit në Dietikon, që kur të nisë sezoni në maj të jenë sa më të pëgatitur për kampionatin zviceran, në të cilin garojnë 16 ekipe.

Të gjitha lojrat e futbollit në rërë do të luhen në Zvicër dhe do të transmetohen nga televizionet e njohura sportive zvicerane.

„Futbolli në rërë  „Beach Soccer“ dallon nga futbolli normal, nevojitet teknikë dhe kondicion i madh dhe luhet pa patika dhe çorapa “, sqaron Selamiu.

Dy vëllezërit Rexhepi, njëri projketues në ndërtimtari të lartë dhe tjetri inxhinier i makinerisë, kanë kryer kurse të shumta për të qenë sa më të suksesshëm në krye të ekipit të tyre.

Ekipi i tyre numëron 18 lojtarë, ashtu e kërkon lloji i këtij sporti, që duhet të ndërrohen me njëri-tjetrin për shak të lodhjes nga vrapimi në rërë. Por, nuk do të thotë që nuk kanë nevojë edhe për futbollistë të tjerë.

„Ne jemi të hapur edhe për lojtarë të rinj“, ka thënë Selamiu.

Drejtuesit e Illyrian po bëjnë plane që kët vit të formojnë edhe Ekipin B, me të cilin do t’iu mundësohet lojtarëve të rinj të provojnë shkathtësitë e tyre edhe në futboll me rërë.

Madje është paralajmëruar formimi edhe një ekipi për femra, por e gjithë kjo sipas tyre do të varet nga paraqitja e sponzorëve.

Anëtar nderi i klubit është futbollisti i njohur kosovar, Milaim Rama.

„Ai e viziton shpesh klubin për t‘i motivuar lojtarët tanë“, tregon tranjeri Rexhepi.

Futbollisti tjetër, Besnik Thaçi, kishte braktisur ekipin e tij në ligën e dytë zvicerane në futboll për t‘iu bashkangjitur ekipit Illyrian.

Ai është zgjedhur golashënuesi më i mirë në vitin 2010, me 14 gola të shënuara.

„Futbolli në rërë më pëlqen më shumë, sepse bëhet lojë „Fairplay“ dhe tashmë më është bërë pasion, me gjithë stërvitjet e rregullta dhe intenzive“, e arsyeton braktisjen e futbollit Thaçi.

Për lojë “Fairplay”, vitin e kaluar,  klubi BSC Illyrian, ka zënë vendin e tretë në mesin e 20 ekipeve tjera zvicerane.

Megjithatë këkohet shumë eksperiencë në futboll, thonë lojtarët.

„Përveç kondicionit, eksperienca në futboll në rërë duhet të jetë më e madhe në krahasim me futbollin normal, ngase topi vazhdimisht është në ajër“, ka thënë futbollisti tjetër me përvojë disavjeçare, Afrim Danaj.

Drejtuesit e klubit BSC Illyria në prag të kampionatit po ballafaqohen me problemin e sponzorizimit të aktivitetit të ekipit, që për fillim është i pjesërishëm. Deri tash mbështetje kanë gjetur vetëm nga kompanitë Striker Beer në Meilen dhe EMS BAU nga Winterthuri.

Vëllezërit Rexhepi shpresojnë që para fillimit të kampionatit të lehtësohet edhe kjo barrë e klubit.

Për më shumë për ekipin shqiptar në botë në „Beach Soccer“, BSC Illyrian mund të vizitoni faqen e internetit: www.illyrian.ch